ALI MEHMETI: NE DHE FLAMURI YNË

Gjenevë, 10. 05. 2016: Për habi të madhe, deri sa flamuri shtetëror i Kosovës humb teren në Kosovë, ai për ditë e më shumë po ngulitet në diasporë, ku euforia fillestare nuk po zbehet
Marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve të Kosovës me flamurin e tyre kombëtar dhe pastaj shtetëror, prej Luftës së Dytë Botërore (LDB) gjer me sot ka shënuar oscilime të ndryshime.
Është dashur mbi një çerek shekulli pas LDB, pas kërkesave dhe sakrificave të pandërprera të paguara me jetë, gjak dhe burg të patriotëve tanë Fazli Grajqevci, Adem Demaçi dhe mijëra të tjerë, që të fitohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar. Pavarësisht trusnive të ndryshme nga autoritetet jugosllave dhe sidomos atyre serbe, gjatë 3 – 4 dekadave në vijim flamuri kombëtar ka “mbijetuar” gjer në vitin 2008. Dhe paradoksalisht, atë që fituam me gjak dhe në “robëri”, e falën disa matrapazë të idealeve kombëtare, në “liri”. Natyrisht, duke mos e pyetur popullin por duke e manipuluar atë me lloj-lloj arsyetimesh, ku kryesori dhe të cilit u besohej më së lehti ishte se nuk mund të ekzistojnë dy shtete me flamur të njëjtë. Argument ky që nuk qëndron sepse ka shumë raste të kundërta Indonezi – Monako, Rumuni – Çad, Holandë – Luksemburg … Arsyeja e vërtet ishte që Kosova të shpallet shtet shumetnik, kurse në një shtet të tillë nuk mund të pranohet flamuri i vetëm një etnie. Pavarësisht që nuk ka shtet më të pastër etnik, përveç Shqipërisë, në krejt Evropën.

Pasojat e këtij formulimi-koncesioni, qytetarët e Kosovës tashmë kanë filluar ta ndiejnë. Nga viti 1999 jemi duke u marrë me pozitën e pakicës serbe brenda Kosovës, për të arritur tani në pikën kur ata kërkojnë një republikë serbe brenda Kosovës të kamufluar me emrin e asociacionit. Askush nuk merret me zhvillim ekonomik, kurse buxheti i shtetit mbushet kryesisht nga të ardhurat e diasporës, pavarësisht a quhen ato mjete remitanca, dogana, …, madje edhe eksporti që bëhet nga Kosova bëhet duke falënderuar ndërmarrësit nga diaspora. Planifikimi hapësinor nuk ekziston, kurse ndërtimet bëhen në mënyrë kaotike (përveç në Prishtinë pas vitit 2013). Për hallet e shtresave në nevojë askush nuk brengoset. Të pagjeturit janë harruar. Mjetet e fondit pensional të plaçkitur nga Serbia askush nuk i përmend dhe nuk janë temë e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel, kurse mjetet e sotshme të trustit pensional mbahen diku larg nga Kosova dhe nuk investohen në zhvillimin e Kosovës. Mjetet nga ndërmarrjet e privatizuar nuk u kthehen punëtorëve dhe po ashtu nuk investohen në Kosovë, sepse nuk ka siguri thonë; kurse nga ana tjetër biznesi vendor kreditohet nga bankat e huaja me kamata më të larta në Evropë, për të cilat paska siguri.
Për mos t’ju hyrë në hak, duhet thënë se politikanët tanë nga viti 1999, përveç se janë marrë me pozitën e serbëve, janë marrë edhe me rritjen e pasurisë së tyre personale, në mënyra nga më të ndryshmet. Sidomos me procesin e privatizimit i cili u shndërrua në grabitje masive të pasurive të përbashkëta kombëtare, nga “komandantët” dhe “kolaboracionistët” kombëtar dhe hajdutëve ndërkombëtar, pa dallime.
Prania e flamujve nëpër dasma është një indikator shumë i vlefshëm për të kuptuar raportin e qytetarëve ndaj tyre. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, flamuri shtetëror dhe ai kombëtar ishin të pranishëm në çdo dasmë. Por, pas euforisë fillestare, sot, 8 vjet pas, shumë rrallë (e hiq) mund të shohim flamurin shtetëror nëpër dasma, ku përsëri mbretëron shqiponja dykrenore. Por, sa më pak që flamuri shtetëror shihet nëpër dasma, aq më shumë është i pranishëm nëpër vende publike me rastin e festave apo manifestimeve të ndryshme, duke eklipsuar plotësisht flamurin kombëtar.
Arsyet pse ndodh kështu, mund të kërkohen në zhvillimet e sipër përmendura. Jo pak ndikim kanë pasur edhe fjalët e politikanëve dhe zyrtarëve shtetëror, të cilët në bisedat e tyre private, çdoherë janë shprehur, ose më saktë arsyetuar, se ky flamur është rezultat i kompromisit, është i imponuar, jemi të obliguar, ai nuk na zgjon asnjë emocion, është thjesht një leckë dhe se gjithmonë në zemrat tona do të mbetet flamuri kuq e zi. A thua pyesin vetën ata, se cili flamur do të zë vend në zemrat e fëmijëve të tyre që po rriten me këtë leckë? Mund të jetë edhe kështu si thonë ata, mund edhe të mos jetë, por ata harrojnë (apo nuk duan t’ia dinë?) se kështu po kompletohet infrastruktura e nevojshme për ngritje të një “kombi të ri”. Atij “kosovar”. Ekzistimi i flamurit, himnit, stemës, publicistëve që propagandojnë ndryshimet gjuhësore dhe kulturore me ato të Shqipërisë, televizioni që përdor dialektin gegë, stërkeqa e sistemit arsimor, bastardimi i gjuhës standarde nëpër mediume të shkruar dhe elektronike dhe mbi të gjitha interesat e klasës politike, janë tokë pjellore për “kombin e ri”. Fatmirësisht, numri i këtyre eksponentëve është ende i vogël, por nuk përjashtohet mundësia e multiplikimit të tyre me ndonjë “injeksion financiar”.
Dhe për habi të madhe, deri sa flamuri shtetëror i Kosovës humb teren në Kosovë, ai për ditë e më shumë po e fiton atë në diasporë, ku euforia fillestare nuk po zbehet. Arsyet mund të janë të shumta, por besoj se mosnjohja e mjaftueshme e situatës në Kosovë në mungesë të informacioneve të duhura dhe mos aftësia për ta ndërlidhur situatën e rëndë ekonomike me atë politike, është arsyeja kryesore. Por megjithatë, është vështirë të shpjegohet ky fenomen. Derisa të gjithë pajtohen me argumentet se është i imponuar, po na obligojnë, është leckë … , prapë se prapë, thuaja në çdo festë në diasporë valëvitet edhe flamuri shtetëror i Kosovës krahas atij kombëtar. Sikur harrojnë se këtu në diasporë askush nuk i obligon dhe askush nuk ua imponon përdorimin e asaj lecke.
E ÇUDITSHME KJO DIASPORË!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura