DILAVER GOXHAJ: ME ZAJEDNICËN TE DERA, E KEMI LUFTËN TË DERA! (BASHKOHU KUNDËR ZAJEDNICËS!)

Tiranë, 31. 08. 2015: Në datën 25 gusht 2015, në Bruksel, u nënshkrua Marrëveshja midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për krijimin e Bashkimit të Minikomunave Autonome Serbe të Kosovës, e quajtur ndryshe “Zajednica”. Ky akt ngjalli reagim në mbarë opinionin kombëtar shqiptar, nga shqetësimi se kjo marrëveshje duket si hapi i parë i rikthimit të Kosovës nën Serbi ose i ndarjes së saj. Ndarja e territorit të Kosovës ka qenë një prej opsioneve të përsëritura herë pas here nga politikanët serbë, gjatë luftës dhe deri sot. Ky shqetësim nuk është se shtrohet nga historianët, por është shqetësim i mbarë popullit të thjeshtë shqiptar, që e do Shqipërinë ashtu si e duan grekët Greqinë, serbët Serbinë, italianët Italinë etj, një e të pandarë.
Përmes këtij shkrimi nuk kam për qëllim të bëj propozime praktike, por të pohoj se si paraqitet nën këndvështrimin e popullit tonë problemi i parandalimit të rikthimit të Kosovës nën Serbi apo ndarja e saj, të cilat, nëse shtrohen për zbatim, si njëra edhe tjetra, mund të shpërthejnë një luftë të re në Kosovë. Rreziku i shpërthimit të një konflikti të armatosur si në vitet 1998-1999, por tashmë kundër qeverisë dhe strukturave shërbyese e mbrojtëse të saj, nuk bën të mos merret në konsideratë, pasi kjo marrëveshje është precedent për boshnjakëzimin e Kosovës, si dhe janë krijuar shumë faktorë të tjerë, të nxitur nga keqeverisjet dhe pasurimi i padrejtë i politikanëve gjatë këtyre 16 viteve, si:
– mungesa e respektit për qeverinë dhe politikanët;
– mungesa e respektit për ligjin dhe pasuritë kombëtare, të cilat po u jepen konçesionarëve të huaj;
– mbushja e administratës shtetërore me ish shërbëtorë të verbër të regjimit titist;
– mungesa e shërbimeve të mjaftueshme shoqërore;
– korrupsioni galopant në çdo qelizë të jetës shoqërore, duke bërë që jeta shoqërore në Kosovë të përvehtësoi tiparet më të këqija që mund të ketë një shtet demokratik.

Të gjitha këto kanë krijuar një gjendje të përherëshme tensioni, që është gati të shpërthejë, dhe që kulmi arriti me miratimin e Gjykatës Speciale dhe krijimin e Zajednicës.

BASHKOHU KUNDËR ZAJEDNICËS!

Këto dukuri, që përbëjnë rrezikun e shpërthimit të një dhune, i kanë vënë në dukje një sërë politikanësh dhe intelektualësh me ndikim në opinionin kosovar: Ekrem Kryeziu, Ahmet Qeriqi, Albin Kurti, Driton Tali, Nazir Kraki, Visar Ymeri, Muhamet Kelmendi, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Bashkim Iseni, Rexhep Selimi, Sheradin Berisha, Mehdi Hyseni, Dastid Pallaska etj., si dhe kryetari i lëvizjes së shtet-ndërtimit të Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, por dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurtz, pa folur për forcat politike opozitare në Kosovë. Unë thjesht do të “lundroj” në thëniet e tyre për këtë rrezik, duke i zgjeruar ato sadopak. Dhe kjo është padyshim pikënisja më e mirë për këtë analizë, duke e zevendësuar thënien e Albinit “për Thaçin, pushteti është liri”, me sinonimet e tyre “Dhuna (Pushteti) është e Drejta (Liria)”.
E Drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe Dhuna që përdor Qeveria aktuale e Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale dhe Zajednicës, të bekuara këto në Bruksel, përbëjnë kundërshtitë midis Qeverisë dhe Popullit shqiptar në Kosovë. Kemi të drejtë ta quajmë Dhunë e Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi, pasi marrëveshja për Zajednicën nuk është as vendim i Parlamentit dhe as vendim i popullit me referendum. Populli nuk u pyet edhe për Gjykatën Speciale. Dhe këto i di çdo shqiptar i trojeve tona apo emigrant i tyre në çdo skaj të ruzullit tokësor.
Në momentin që u nënshkrua Marrëveshja për Zajednicën, konflikti midis Qeverisë dhe Popullit arriti në shkallën më superore, konflikt i cili çuditërisht erdhi menjëherë pas miratimit po nga kjo mazhorancë qeverisëse i Gjykatës Speciale, e ngritur posaçërisht kundër UÇK-së, pasi ngritja e saj amniston të gjithë kriminelët serbë të Kosovës dhe të Serbisë, dhe krimet e tyre u atribohen pjestërëve të UÇK-së. Realizimi i Marëveshjes për Zajednicën menjëherë pas miratimit të asaj Gjykate Speciale, kuptohet që është planifikuar qëllimisht që të sfumohet zhurma që shkaktoi kjo Gjykatë, për të larguar vemendien e popullit nga kriminalizimi që po i bëhet UÇK-së.
I referohemi UÇK-së dhe fitores së saj, ngaqë e ndjejmë si nevojë për ta nderuar në çdo kohë atë fitore si e kaluara më tragjike, por me fitoren për herë të parë të lirisë nga populli shqiptar në Kosovë, pavarësishtë se politikanë të ndryshëm dhe publicistë të paguar prej tyre po bëjnë të pamundurën ta mohojnë atë fitore të saj. Së dyti, duke i bërë thirrje kujtesës së popullit për atë fitore të UÇK-së, aspirojmë për një lloj shteti shqiptar tipik si ai i të gjithë popujve të tjerë europianë. Së treti, thërrasim në UÇK për të kompesuar zhgënjimin që kemi pësuar nga mënyrat e këqija politikbërëse të politikanëve të korruptuar të dalë nga ajo luftë. Ndërsa dënimin e miratimit të Gjykatës Speciale nga mazhoranca qeverisëse dhe marrëveshjen e Brukselit për Zajednicën i bëjmë ngaqë këto dy akte të mëdha politike na e errësojnë të ardhmen e kombit shqiptar, e cila po bëhet gjithnjë e shumë më e errët se ajo e para viteve 1998-1999.
Të tilla zhgënjime kanë lindur shpërthimin e një emigrimi masiv në popull, emigrim me fluks më të madh se në vitet e para të ’90-tës. Nxitja e këtij emigrimi masiv, edhe pa qenë një strategji e menduar mirë, çon pashmangshëm të mendosh se kemi të bëjmë me një strategji për të bërë të mundur shpopullimin gradual e në afate jo shumë të largëta të trojeve etnike shqiptare. Mirëpo, kjo do të sjellë si pasojë probleme demografike dhe, në raport me pasuritë kombëtare që posedojnë trojet tona, kur të largohet një sasi e konsiderueshme e shqiptarëve, padyshim që do të krijohet një boshllëk popullsie dhe, detyrimisht do të vinë popuj të tjerë për ta plotësuar atë boshllëk, me synimin final që në të ardhmen jo shumë të afërt të mos ekzistoi shtet i pastër shqiptarësh në Ballkan. Ndoshta edhe mund të mos ndodhë kështu. Megjithatë na ngacmon kujtesën ajo çka i ka thënë një funksionar shumë i lartë amerikan Profesorit Arshi Pipa, në vitin 1975, kur zhvillohej Konferenca e Helsinkit: “E, pra, dëgjomë mua, vërma veshin mirë, o Profesor i madh!…Sikur të ndodhë që ju shqiptarët, të shfaroseni të tërë sa jeni atje ku populloni atë tokë, kufi me Greqinë e Jugosllavinë, ne prapë do ta popullojmë atë me njerëz”.
Kjo ndoshta do të jetë një prej arsyeve kryesore se pse iu dhanë ato të drejta Zajednicës që, pas një periudhe kohore e në një moment të përshtatshëm, populli shqiptar në Kosovë të vihet para alternativës referendare: Dëshironi ndarjen e Kosovës apo rikthimin e saj nën Serbi? Natyrisht që populli, duke u vendosur midis dy të këqijave, do të zgjedhi të keqen më të vogël, rikthimin e Kosovës nën Serbi. Ndërkohë emigracioni masiv nga Kosova, Maqedonia, Presheva dhe Shqipëria do të ketë vijuar me hapa galopante, prandaj dhe prej qeverive të tyre të njëpasnjëshme ndiqet politika e varfërimit të popullit gjithnjë e më shumë.
Shpopullimi prej shqiptarëve i trojeve tona mund të jetë strategji e largët e marrëveshjes për Zajednicën dhe Gjykatën Speciale. Natyrisht që kjo strategji nuk është gjë tjetër veçse konflikt interesash, i cili dashje pa dashje ka për të çuar në dhunë midis popullit dhe qeveritarëve e politikanëvë autokratë. Mirëpo shpërthimi i një dhune midis popullit dhe qeverisë quhet revolucion me armë. Dhe për të mos mbritur këtu, duhet ngritur në protesta masive që të anullohen këto marrëveshje dhe të dështoi kjo strategji, për të larguar nga skena politike politikanët e rrezikshëm, të cilët e kanë sjellë Kosovën në gjendjen e sotme dhe vijojnë ta përkeqësojnë edhe më shumë. Është pozitiv fakti që këta lloj politikanësh të rrezikshëm nuk janë numur i madh për t’i larguar nga skena politike dhe se shumica e popullit do të punojë për të mirën e vendit. Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi duhet që të aktivizohen gjithë forcat kombëtare, gazetat, revistat, mediat vizive, portalet online, si dhe shoqatat e ndryshme atdhetare brenda dhe jashtë vendit.
Kjo duhet të jetë taktika më efikase kundërvënse e popullit. Vetëm kështu do të bëhet e mundur eleminimi i këtij rreziku që po i kanoset trojeve tona dhe që po eksperimentohet njëkohësishtë si në Kosovë e Shqipëri, ashtu edhe në Preshevë, Mal i Zi e Maqedoni. Nuk është rastësi që vetëm gjatë tetë muajve të këtij viti kanë emigruar nga të gjitha këto territore shqiptare gati njëqindmijë shqiptarë! Dhe ky emigrim ka për të vijuar me përmasa edhe më të mëdha, por “jo duke kërkuar azil, por në mënyrë të rregullt duke kërkuar punë”, sikundër foli sot në 30 gusht Ministri i Brendshm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, dhe disa orë më vonë mediat bënë të ditur se Gjermania vetëm për këtë vit është e gatshme të presë 800 mijë emigrantë për punë! Kjo strategji ka filluar të shfaqet në vitin 2014, qëllimi i të cilit është që njera palë të tërhiqet me të gjitha pretendimet dhe kundërshtitë: ose populli shqiptar dhe forcat politike në mbrojtje të tij, ose pala tjetër që diktoi këto dy marrëveshje. Kjo kundërshti do të mbaroi kur imponimi i njërës do të eleminohet sistematikisht nga imponimi (kundërveprimi) i tjetrës. Tashti jemi në gjendjen e saj fillestare, e cila do të ndryshojë në përshtatje me zhvillimet.
Mirëpo, sikundër e dimë, ekziston një ligj në fizikë, i cili thotë: Forca e madhe e mund forcën e vogël. Dhe dihet që ata, të cilët imponuan marrëveshjen për Gjykatën Speciale dhe atë për Zajednicën, në krahasim me ata që i kundërshtojnë, janë forcë shumë herë më e madhe.
Në këtë rast, më të dobëtve nuk u mbetet rrugë tjetër, vetëm të zbatojnë atë taktikë që propozon psikologu Sigmund Frojd, në letrën që ai i dërgonte Ajnshtajnit, në përgjigjen e pyetjes së tij, se si mund të shmangej lufta: “Fuqia më e madhe e një individi të fortë, mund të eleminohet nga bashkimi i shumë të dobëtve. Bashkimi bën fuqinë. Pushteti i këtij bashkimi pasqyron të Drejtën, në kundërshti me Dhunën që vjen nga individi i fortë. Por që të bëhet kapërcimi nga Dhuna tek e Drejta, duhet plotësuar një kusht psikologjik: Bashkimi i shumicës së të vegjëlve duhet të jetë i qëndrueshëm dhe jetëgjatë. Nëse do të realzohet qëllimi i këtij bashkimi, pra luftimi dhe mposhtja e një të plotfuqishmi, dhe pastaj të shpërbëhet, përsëri nuk do të mbrihet asgjë. Dikush tjetër që do të mbahej përsëri më i fortë, do të synonte përsëri sundimin me dhunë, dhe loja do të përsëritej pafundësishtë. Kjo mendoj unë është thelbësorja: Mposhtja e dhunës, nëpërmjet kalimit të pushtetit tek një bashkësi e madhe të vegjëlish, anëtarët e së cilës qëndrojnë të bashkuar në bazë të lidhjes së ndjenjave.” Kjo është arsyeja pse politikani Albin Kurti bëri thirrje me zë të lartë: “Me Zajednicën te dera, e kemi luftën te dera.” Që do të thotë: O shqiptarë, ejani të bashkohemi, për t’i ndaluar ato dy marrëveshje dhe pasojat që rrjedhin prej tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura