Tiranë, 4. 11. 2106: Ekstrat 7 Mundësia e riaktivizimit të armës së Xhandarmërisë Kombëtare Shqiptare mendoj se ka lindur si domosdoshmëri, për mbrojtjen e shtetit ligjor, për parandalimin e krimeve si dhe për parandalimin e shkelieve ligjore. Po të kemi parasysh sasinë dhe format e krimeve, të cilët kanë ardhur gjithnjë e më shumë në rritje si ndaj pronës publike, pronës shoqërore dhe asaj individuale, (si në qytete ashtu edhe në zonat rurale, veçanërisht në pyje, në lumenj, në kultivime bimësh narkotike, ngaqë zonat rurale janë larg syrit të policisë), del më se e nevojshme ekzistenca e një force më të përshtatshme për parandalimin e tyre. Dhe kjo lloj force është Xhandarmëria.
Pak histori
Termi “Xhandarmëri” nuk është i panjohur për popullin tonë, por edhe shumë i papëlqyer prej tij, duke e pasur fillesën kjo urrejtje ndaj saj si në periudhën e sundimit turk, ashtu edhe gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare; dhe kjo për të vetmen arsye se Xhandarmëria ishte shndërruar në gogol, ngaqë efektivat e saj kanë qenë totalisht të paarsimuara dhe me sjellje barbare. Xhandarmëria shqiptare e ka fillesën në vitin 1914, e krijuar nga italianët në kohën e pushtimit të Vlorës, gjatë Luftës I Botërore, dhe më vonë e shndërruar në xhandarmëri moderne nga mbreti Zog, në vitet 1925-1939, kjo me ndihmën e specialistëve anglezë, ku komandant i saj ishte gjeneral Xh. Aranitasi dhe shef shtabi Gustav Mirdac. Efektivi i xhandarmërisë së periudhës së Ahmet Zogut arrinte në 3.000 vetë si dhe 131 oficerë. Xhandarmëria e periudhës së Mbretërisë Shqiptare ishte në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Armën e xhandarmërisë Zogu e ndau në katër zona: Zona e Veriut, e Lindjes, e Shqipërisë së Mesme dhe Zona e Jugut, qendrat e të cilave ishin në Shkodër, Peshkopi, Tiranë dhe Përmet, ndërsa Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë ndodhej në Tiranë. Pranë komandës së secilës zonë kishte nga një inspektor anglez. Komandanti i përgjithshëm dhe inspektori i përgjithshëm, (anglez), ishin drejtpërdrejti nën urdhërat e Mbretit Zog.
Prej 7 prillit të vitit 1939 deri në vitin 1945 Xhandarmëria Shqiptare pothuajse u zëvendësua nga karabineria italiane dhe më pas nga gestapua gjermane.
Pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë u krijuan forca të posaçme që krahas detyrave të tjera kryenin edhe detyra që në fakt janë detyra të xhandarmërisë, por këto forca morën një emërtim tjetër. Dhe këto forca ishin forcat e Divizionit të Mbrojtjes Popullore që më vonë morën emrin Forcat e Ndjekjes. Ekzistenca e Forcave të Ndjekjes vijoi deri në fund të viteve ‘60-të, kur me vendim të Kongresit të V-të të PPSH ushtria kaloi në Pika Hapjeje, e cila përkoi me kalimin e gjithë pronës në pronë totalisht pronë e përbashkët. Duke qenë se Ushtria Popullore u shtri pothuajse në të gjithë territorin e vendit, edhe në zonat më të thella, natyrshëm që ekzistenca e Forcave të Ndjekjes nuk ishte më e nevojshme; dhe ato u shkrinë. Kjo shpërndarje e ushtrisë ishte me kosto shumë të madhe ekonomike.
Në këto kushte shteti u shndërua në shoqëri të ekonomisë së planifikuar, duke u kthyer në shtet autoritar. Madje kjo përhapje e ushtrisë si dhe kolektivizimi i gjithë vendit u shoqërua me reformën tjetër: “Gjithë populli ushtar”, ku e gjithë popullsia, prej moshës së shkollave të mesme dhe gjer në 60 vjeç u inkuadruan në forcat e armatosura si rezervistë që shkonin e stërviteshin në këto Pika Hapje e që më pas u shun edhe me Shkollat e Lira Ushtarake. Prandaj dhe forcat e ndjekjes në ato kushte dolën të panevojshme, ndërkohë që i gjithë populli u organizua në struktura të ushtrisë, kufirit dhe policisë.
Fjala xhandarmëri vjen prej fjalës franceze gens d’ armes, që do të thotë burra të armatosur. Historikisht, edhe në kohët e Mesjetës edhe në ato moderne, ky term i referohej kavalerisë të armatosur rëndë, të cilët vinin prej familjesh fisnike dhe që shërbenin në ushtrinë franceze. Napoleon Bonoparti e filloi organizimin e xhandarmërisë vetëm katër muaj pas grushtit të shtetit. Është Napoleoni ai që e shndëroi xhandarmërinë për herë të parë në një lloj force të armatosur, e cila nuk kish si qëllim të vetëm pacifikimin e zonave rurale, por njëkohësishtë shërbente për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë edhe në zonat më të thella të vendit, gjë që policia nuk mund ta realizonte përsosmërisht. (Michel de Ëeger, Res Militares, Vol.I, nr.2, 2011)
Në Shqipëri emërtimi xhandar është i njohur shumë herët, por fillimisht, në periudhën e Turqisë Otomane, e cila njihej me emrin Subash dhe më vonë me emrin Xhandarmëri dhe që e kryenin jeniçerët.
Riaktivizimi xhandarmërisë-një nevojë e kohës
Çdo lloj reforme ekonomiko-shoqërore, në çdo lloj sistemi shoqëror, ndërvaret nga sistemi i pronës. Aktualisht sistemi ynë shoqëror ndryshoi, nuk është më gjithçka pronë shtetërore. Sistemi ynë aktual shoqëror është tërësisht i bazuar në pronën private, ku bazë është individi; është shndërruar në një shoqëri të ekonomisë së pa planifikuar nga shteti. Në këto kushte shteti nuk e ka më atë autoritet që kishte në periudhën e sistemit monist.
Në këto kushte, shtetit, për ta kompesuar atë autoritet që humbi dhe për ta çuar zhvillimin e shtetit ligjor dhe të shoqërisë demokratike edhe në skajin më të largët të vendi, i duhet një lloj strukture e sigurtë dhe tepër efikase, e aftë të veprojë në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur ligjore.
Sistemi aktual mbrojtës dhe kontrollues i shtetit ligjor, veçanërisht në zonat rurale, duke patur vetëm një polic për dhjetra fshatra malorë e kodrinorë, (dihet që 76% e territorit tonë është kodrinor dhe malor tepër i thyer), ku policit i duhet të lëvizi vetëm në këmbë, ndërkohë që kontrabandistëve, sikundër e shohim çdo ditë, nuk u mungon as avjoni, bën që jeta e qytetarit dhe prona individuale e ajo publike, pothuajse në të gjithë territorin e Republikës, përjashtuar qytetet, është në mëshirën e fatit, e pambrojtur.
Duke qenë se në ato zona gjithçka është jashtë kontrollit dhe mbrojtjes së shtetit, ndaj dhe kultivimi i bimëve narkotike, përpunimi dhe trafikimi i tyre po lulëzon gjithnjë e më shumë, pa folur për kontrabandën jasht traut të doganave si dhe në rrugët rurale e ato nacionale. Të gjitha këto kanë sjellë si rjedhojë shtimin gjithnjë e më shumë të krimit të organizuar e të paorganizuar, gjë që e tregon edhe dënimi i gati 200 personave me burgime të përjetëshëm, vetëm në dekadën e fundit (TV “Chanel One”, 12.3.2012). Kjo ka sjellë edhe mosmbrojtjen e pasurisë kombëtare, sikundër janë lumenjtë, kullotat dhe pyjet, të cilët po shkojnë drejt shfarrosjes totale të tyre sëbashku me florën tonë kombëtare. Edhe shfrytëzimi pakriter i lumenjve ka sjellë humbje të mijëra hektarëve toké arë gjatë rjedhjes së tyre si dhe në bregdet; dhe kjo si rjedhojë e aluvioneve nga shfrytëzimi pa kriter i marrjes së inerteve nga lumenjtë.
Mungesa e prezencës së shtetit në zonat rurale ka sjellë edhe shfarrosjen e gjithë faunës tokësore, ujore e detare si rjedhojë e moskontrollimit të gjuetisë dhe të peshkimin.
Të gjitha këto çka rreshtuam më lartë tregojnë se sistemi policor aktual është i paefekshëm, veçanërisht për fshatin, pothuajse për gjithë zonat rurale. Dhe, që e gjithë kjo veprimtari kriminale të parandalohet, që të mund mbrohet pasuria kombëtare dhe ajo qytetare si dhe të kontrollohet çdo veprimtari ekonomike njerëzore, edhe në skajin më të largët të vendit, del si nevojë urgjente krijimi i një strukture shtretërore mbrojtëse, më e efekshme se policia aktuale e shtetit. Dhe kjo është Xhandarmëria Kombëtare.
Ç’është Xhandarmëria Kombëtare?
Xhandarmëria Kombëtare është një lloj arme, një lloj force ushtarako-policore e përherëshme, e nevojshme në të gjitha kohërat, përkrah Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, e ngarkuar si me detyra për sigurinë publike, ashtu dhe me detyra policore për popullatën civile, për policinë ushtarake dhe me detyra të Gardës Kombëtare. Për zbatimin e këtyre detyrave, Xhandarmëria Kombëtare bashkpunon me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.
Forcat e Xhandarmërisë në vende të ndryshme europiane e më gjerë kanë emërtime të ndryshme, si psh: në Itali thirret Karabinieri, në Portugali Roja Nacionale Republikane, në Spanjë Roja Civile, në Kanada Xhandarmëria Mbretërore dhe është tradicionalisht një forcë ushtarake, në Serbi thirret thjesht Xhandarmëri, në SHBA thirret Roja Bregdetare, ndërsa në Argjentinë xhandarmëria është totalisht një forcë ushtarake por që për qëllime ligjore quhet edhe Forcë Sigurie, e cila gjatë luftës për ishujt Folklend ajo morri pjesë totalisht në luftime. Xhandarmëria turke është pjesë e Forcave të Armatosura dhe është përgjegjëse për mbajtjen e rendit publik në zonat në të cilat janë jashtë juridiksionit të forcave të policisë, me mision për sigurimin e sigurisë së brendëshme si dhe kontrollin e kufijve, etj.
Xhandarmëria – forcë parandaluese e rëndësisë së veçantë
Bazuar në Nenin 4 të Ligjit për Policinë e Shtetit, theksohet se ajo përgjigjet për mbrojtjen e gjithçkaje në të gjithë territorin e vendit, përfshi edhe kufijtë tokësorë e detarë. Mirëpo, sikundër e prekëm më lartë, mosefektiviteti i mbrojtjes së jetës së njerëzve, (ku nuk ka ditë pa vrasje makabre në fshat, qytet si dhe në rrugët nacionale), kryesisht për shkaqe pronësie dhe përfitimi si dhe shkeljesh ligjore, tregon se Policisë së Shtetit i është dhënë një ngarkesë jashtë mundësive të saj, sado të përkushtuar t’i ketë drejtuesit dhe pjestarët e saj, pavarësisht se ajo është fuqizuar dhe fuqizohet çdo ditë e në çdo drejtim.
Gjithashtu, në kushtet e një demokracie të gjithanshme dhe të një pluralizmi politik në “luftë” të përherëshme për të marrë me çdo kusht pushtetin, si dhe konkurenca e egër në aktivitetet prodhuese e tregëtare, me pjesmarrjen edhe të investitorëve të huaj, në kushtet edhe të një gjallërimi të kontrabandës së gjithanëshme, (sidomos trafiku i lendëve narkotike), ku korrupsioni po shndërrohet në mënyrë jetese për të gjithë piramidën e administratës shtetërore, ka bërë që në duart e Policisë së Shtetit të përqëndrohet një fuqi e tejskajshme, gjë që lind si nevojë e përgjithëshme edhe kufizimi i kësaj fuqie, me qëllim parandalimin e ndonjë të keqe edhe më të madhe.
Ngritja e Xhandarmërisë bën të mundur që kjo fuqi kaq e madhe, që i është dhënë sot Policisë së Shtetit, të mos jetë në një dorë të vetme, pasi në një moment të caktuar mund të shkaktoi edhe grusht shteti, sikundër ka ndodhur me xhandarmërinë në vitin 1935, kryengrita e Fierit dhe në vitin 1937, apo kryengritja e Delvinës në vitin 137, por që u shtypën nga ushtria dhe forcat rezerviste, ku këto të fundit paguheshin mirë dhe regullisht, pasi mbaheshin vetëm për atë qëllim. Si Poliscia e Shtetit ashtu edhe Xhandarmëria është mirë të kontrollojnë dhe kundërbalancojnë njëra-tjetrën, në të gjitha aspektet e veprimtarisë së tyre. Mbajtja e gjithë kësaj fuqie në një dorë të vetme policore, duam apo nuk duam, një ditë të bukur nuk përjashtohet mundësia që ta çoi në abuzime të ndryshme.
Ekzistenca e dy policive, Polici e Shtetit dhe Xhandarmëri, por me varësi të ndryshme, e para nga Ministri i Brendshëm, e dyta nga Presidenti, (ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë nga Ministri i Mbrojtjes), i parandalon këto abuzime të mundshm, skundër mund të jetë grushti i shtetit, dhe njëkohësisht shton konkurencën midis dy këtyre tre institucioneve.
Në të gjitha vendet ku ekzistojnë xhandarmëria dhe policia e shtetit, gjithnjë ka rivalitet dhe tension midis tyre si dhe ekzistojnë edhe reputacione të ndryshme, ku Xhandarmëria është gjithnjë më e vlerësuar nga ana e popullatës, pa folur për faktin se parandalohet e keqja më e madhe, grushti i shtetit, gjë që ka ndodhur e ndodh në shtetet demokratike. Për shembull, në datën 01.10.2010, në Ekuador, policia, duke qenë e fuqishme, (si në rastin aktual tonin), bëri përpjekje për grusht shteti, por dështoi si rjedhojë e ndërhyrjes së ushtrisë, e cila ishte më e fuqishme. Mirëpo, faktikisht ushtria jonë është më e dobët se policia e shtetit, pasi edhe forcat elitë i ka jashtë vendit. Në rastin e ekzistencës së xhandarmërisë nuk mund të bëjnë grusht shteti as ushtria dhe as policia e shtetit, sado të fuqishme të jenë, pasi ekzistenca e forcës së tretë, e xhandarmërisë, i bën tre lloj forcash me vartësi të ndryshme, gjë që e bën të pamundur që të bien në ujdi. Në këto lushte, ushtria nuk e ka të lehtë të ndeshet me xhandarmërinë, por edhe xhandarmëria nuk e ka të lehtë të ndeshet me ato të dyja për një tentativë të atillë.
Krijimi i qyteteve të mëdha, imponon përqëndrimin e policisë në to
Policia e Shtetit është një forcë civile nën kontrollin e MB, ku në objektivat e saj parësorë duhet të jenë vetëm qytetet e mëdha me mbi 10 mijë banorë, dhe të ketë vetëm dy priritete kryesore: sigurinë dhe paqen publike në ato qëndra, si dhe misionin juridik për të evidentuar, hetuar dhe mbledhur faktet për rastet e shkeljeve ligjore nga shkelësit e ligjit dhe kërkimin dhe kapjen e tyre.
Periudha 25 vjeçare prej kalimit në sistemin pluralist ka treguar se probabiliteti i ndodhjes së shkelieve ligjore është shumë i madh në qytetet e mëdha, pasi kemi popullsi të madhe, prona dhe pronarë jashtzakonisht të shumtë dhe, si rjedhojë, gjithë vëmendja e policisë përqëndrohet në kërkimin dhe ndalimin e shkelësave të ligjit në këto qytete, gjë që kanë mbetur jashtë kontrollit të saj zonat rurale, madje edhe territoret rreth qyteteve të mëdha. Në kushtet e ekzistencës së xhandarmërisë, policia e shtetit do të përqëndrohet në këta qytete, dhe do të rrisë kështu shkallën e sigurisë së njerëzve dhe të pronës; në këtë mënyrë parandalohen edhe grabitjet spektakulare të bankave dhe dyqaneve edhe natën, dhe jo më në mes të ditës, sikundër po na ndodh çdo ditë.
Xhnadarmëria është edhe forcë ushtarake
Këtë veçori ajo e merr prej misioneve të saj, të cilat janë: Patrullon në të gjitha zonat e banuara rurale, rrugët nacionale dhe ato dytësore, bregdetin, kullotat, pyjet, lumenjtë, zonat kufitare dhe kufijtë shtetërorë, (përfshi këtu edhe ndërhyrjet e jashtme), gjë që do të thotë se ajo është kompetente për të gjithë territorin e vendit, por që parësore ka zonat rurale, ku të gjitha këto nuk mund të kontrollohen vetëm nga policia e shtetit. Është xhandarmëria ajo që duhet të kryej sigurinë e aeroporteve civile dhe ushtarake si dhe të gjitha llojet e investigimit që kanë lidhje me ushtrinë; është ajo që duhet të kryej shërbimin e vëzhgimit për ujrat detare; të mbroi vendet kulturore; të mbroi ambientin e gjithë territorit si dhe të kryej detyra të tjera për nevoja të gjithë ministrive, me kërkesë të tyre.
Që të kryej të gjitha këto detyra , veç armatosjes me armë zjarri të fuqishme krahu, me larghedhje sa më të madhe, xhandarmëria ka nevojë të pajiset edhe me të gjitha mjetet dhe teknikën luftarake njësoj si të ushtrisë. Për këtë qëllim edhe kuadrot e saj dhe të gjithë rekrutët e xhandarmërisë vinë nga kontigjentet dhe rekrutimi që bën sistemi i ushtrisë.
Kjo fuqi e saj e bën të aftë që në situata lufte, xhandarmëria të veproi si forcë e veçantë ushtarake, në mënyrë të veçantë kundër forcave armike të hedhura apo të depërtuara në shpinë të ushtrisë apo në thellësi të vendit, gjë që e bën krejt të ndryshe nga Policia e Shtetit, e cila nuk e ka mundësinë për një ndeshje të tillë.
Për këtë arsye gjithë pjestarët e xhandarmërisë, në rezervë apo në detyrë, llogariten si pjestarë të Forcave të Armatosura dhe janë subjekt i kodit dhe drejtësisë ushtarake dhe kanë të njëtin sistem edukimi, trajnimi, gradimi dhe të njëjtën trajtesë financiare si ato të Forcave të Aarmatosura.
Gjithashtu, xhandarmëria përfshin një shtab që mbulon forcat kufitare, kontrollin e administratës, njësitë e shërbimit logjistik të ushtrisë dhe shtetit si dhe stafin e trajnimit të tyre, për të parandaluar korrupsionin. Si e tillë, xhandarmëria, duke u shtrirë në të gjithë territorin e vendit, më shumë edhe se vet ushtria, ajo merr tiparet e një ushtrie territoriale, duke siguruar shërbime policore, speciale dhe të përgjithëshme, pavarësisht se këto të fundit i kryen në bazë të instruksioneve të Ministrisë së Brendëshme.
Si rezultat i detyrave të saj ndaj popullatës civile në zonat rurale, xhandarmëria nganjëherë përshkruhet edhe si forcë paraushtarake, pavarësisht se forcat e xhandarmërisë marrin pjesë në situata të ndryshme ushtarake brenda vendit, dhe nganjëherë edhe jashtë tij.
Krahas policimit administrativ, xhandarmëria ka për detyrë edhe policimin ushtarak në kazermat ushtarake si dhe monitorimin e trafikut rrugor ushtarak.
Të gjitha këto, përfshi edhe ceremonitë përpritjen e personaliteteve të larta të vendeve të huaja që vijnë vizitë, si dhe detyrat e policisë ushtarake për forcat e armatosura, e bëjnë Xhandarmërinë një forcë ligjore dhe sigurie të armatosur të një natyre tipike ushtarake me të gjithë elementët e nevojshëm si e tillë, e cila shërben për të mbajtur rendin publik jashtë kufijve të bashkisë së qytetit, përfshi qytetet provincialë.
Si rjedhojë, xhandarmëria është e nevojshme të organizohet në formacione si p.sh. batalione me efektivë 300-400 vetë, të përqëndruar në periferi të qyteteve të mëdha, si dhe në kompani, pranë prefekturave, dhe në toga e posta nëpër qyteza, qendra administrative por edhe në fshatra të thellame territory të gjerë. Prandaj dhe e theksojmë që komandanti i saj të varet prej Presidemtit të Republikës por, njëkohësisht formacionet e saj të bashkrendojnë veprimet si me policinë e shtetit ashtu edhe me forcat e ushtrisë.
Në detyrat ushtarake të xhandarmërisë përfshihen edhe asistimi si forcat e tjera të sigurisë në raste të një emërgjence, të një dhune civile ose lufte; përballimi me të gjitha llojet e demostratave; forcimin dhe vënien në zbatim të ligjit për detyrimin e mobilizimit në rastet kur urdhërohet; lufton dhe shtyp kriminelët si dhe grupet e dhunshme të armatosura; mbron shtetin dhe siguron pronën private si dhe zbaton me përpikmëri detyrat që mund t’i jepen mbi bazën e dekreteve presidenciale dhe vendimeve qeveritare.
Xhandarmëria, në kuptimin e ngushtë të fjalës, është polici rurale
Xhandarmëria, duke qenë një forcë me strukturë tërësisht ushtarake dhe e pajisur me armatim të fuqishëm të stilit ushtarak, kuptohet që është mirë t’i ngarkohet ruajtja dhe mbajtja e sigurisë publike dhe e regullit publik në qytetet e vogla me më pak se 10 000 banorë, dhe në të gjithë hapësirën rurale të vendit. Ajo nuk mund të veproi në qendrat e mëdha të banimit me lirshmërinë e policisë, përveç rasteve kur policia nuk mund të përballoi demostratat dhe grumbullimet e mëdha të dhunshme, sikundër ishte rasti i 21 janarit 2011.
Ruajtja dhe mbajtja e sigurisë publike dhe e regullit publik në qytetet e vogla dhe në të gjithë hapësirën rurale të vendit, Xhandarmëria, duke qenë më e disiplinuar dhe më e fuqishme se policia i japin asaj kapacitete ushtarake, duke e bërë më të aftë për t’u përballur jo vetëm me rastet e demostratatave dhe grumbullimeve të mëdha e të dhunshme, por edhe me grupet e armatosura dhe shumë të armatosura, të të gjitha llojeve të dhunës, qofshin ato të një natyre ushtarake ose jo ushtarake, gjë që policia nuk mund t’i përballoi, sepse nuk e ka atë përgatitje.
Riaktivizimin e Xhandarmërisë Kombëtare, krahas Policisë së Shtetit, e imponon edhe diferenca që ekziston sot midis qytetit dhe fshatit tonë, si rjedhojë e mentaliteteve të ndryshme të formuara gjatë kohës. Në kushtet e sotme, ku prona private predominon kudo, dhe ku qytetet e mëdha po rriten me shpejtësi, ndërsa qytetet e vogla po zvogëlohen, automatikisht ndodh që vëmendja e Policisë së Shtetit do të përqëndrohet në qytetet e medha, gjë që lë jashtë kontrollit të saj qytetet e vegjël, pa folur për krahinat dhe fshatrat e thella të vendit, të cilat kanë nevojë për një kontroll të tipit ushtarak dhe për trupa të llojit të policisë ushtarake.
Kjo është arsyeja kryesore pse historikisht forcat e xhandarmërisë i kanë postat e tyre nëpër fshatra.
Njëkohësisht, xhandarmëria është në gjendje ta kryej shumë më mirë se policia vendosjen e regullit e të qetësisë në fshat sepse është në kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejtë me popullsinë në të gjithë territorin e vendit dhe se pjestarët e saj marrin pjesë në të gjitha aktivitetet komunitare por edhe ato familjare të zones apo të fshatit, pasi xhandarmëria nuk jeton as në qytet dhe as në kazerma. Kontakti ditë e natë i pjestarëve të Xhandarmërisë me popullin kontribon në sigurinë publike, gjë që: si detyrën e policisë publike, ashtu edhe atë të SAR-it (Kërkim-Shpëtimit), ajo e bën shumë më lehtë de më shpejtë.
Krijimi i Xhandarmërisë bën që nëpër Prefektura të kemi edhe këshilltarë për çështjet e sigurisë për prefektët, gjë që aktualisht nuk kemi, përveç faktit që xhandarmëria zbaton edhe urdhërat e prokurorëve dhe gjykatësve gjatë operacioneve në fushën e drejtësisë, për zonat e veprimtarisë së saj edhe pa marrë lejen e prefektit lokal. Si e tillë, xhandarmëria funksionon si një polici kombëtare, ngaqë kryen detyra edhe më shumë dhe edhe më gjerë se policia e shtetit.
Njëkohësishtë Xhandarmëria ka edhe disa degë speciale si: mbrojtja e konsumatorit, përfshi edhe shërbimin shëndetësor (për të cilat ngre hetim), duke u mbështetur në ligjin për prokurorinë dhe kodet ligjorë përkatës.
Gjithashtu, Xhandarmëria kryen shërbime të ndryshme policore larg qendrave të banuara, si për shembull shërbimin e vëzhgimit në lumenj dhe liqene e në pyje si dhe mund të funksionojë edhe si roje bregdetare, si p.sh. në SHBA ku ushtron kontrollin e sigurisë në aeroporte dhe porte, duke mos përjashtuar edhe policimin ajror; po ashtu, ajo bën sigurinë e Presidentit, Presidencës dhe institucioneve Qeveritarëve, roje nderi si dhe roje të godinave qeveritare, me anë të Gardës së Republikës, e cila është dhe duhet të jetë pjesë e xhandarmërisë, si dhe shërbime të tjera të karakterit policor.
Për këto arsye, përfshi edhe çështjet administrative dhe ato për zbatimin me rigorozitet të ligjeve të gjuetisë e të peshkimit, bëjnë që Xhandarmëria Kombetare të kryejë detyra edhe në shërbim të Ministrisë së Brendëshme, sikundër janë rastet emërgjente, dhe që Ministria e Brendëshme ushtron kontroll mbi to, pavarësisht se xhandarmëria i raporton direkt edhe Presidentit edhe Shefit të Shtabit të Përgjithsshëm. Lidhjet e xhandarmërisë me Ministrinë e Brendëshme kanë të bëjnë me çështjet që i përkasin sigurisë dhe rendit publik, të cilat përbëjnë detyrat civile të saj.
A ka dallime midis xhandarmërisë dhe ushtrisë?
Dihet që ushtria si detyrë parësore ka mbrojtjen e sistemit shoqëror, mbrojtjen e armatosur të territorit kombëtar prej kufijve të tij, si dhe kryen detyra luftarake jashtë kufijve shtetërorë, në kuadrin e NATO-s, ndërkohë që mbrojtja dhe rivendosja e ligjit nuk është detyrë e saj, por e një lloj force tjetër policore-ushtarake, dhe që këtë e kryen xhandarmëria, pavarësisht se një pjesë e forcave të ushtrisë kanë në këtë drejtim një nivel të kënaqshëm eksperience, të fituar gjatë pjesmarrjes në operacionet paqësore.
Ndryshe nga ushtria (FA), Xhandarmëria ka edhe detyra të sigurisë kombëtare ndaj revoltave të dhunshme të brendëshme; të sigurisë elektorale dhe të marrjes me çështjen e sigurisë së zgjedhjeve elektorale, veçanërisht në zonat rurale, ku edhe na kanë ndodhur paregullsi të përherëshme; ka sigurinë e shkeljes së kufijve si dhe eleminimin e pasojave nga fatkeqësitë e ndryshme madhore.
Veçori të tjera të xhandarmërisë si lloj force e veçantë
Duke patur natyrë të dyfishtë, policore dhe ushtarake, xhandarmëria ka mundësinë dhe aftësinë të marrë pjesë në të gjitha llojet e operacioneve, si në fazën ushtarake të krizave brenda dhe jashtë vendit, por edhe të veproi në periudhat tranzitore, nga ato ushtarake në ato civile. Ndryshe nga ushtria, ajo mund të marrë pjesë jo vetëm në stërvitjet e mëdha dhe operacionet e tjera të NATO-s, por edhe në operacionet paqësore të OKB dhe të OSBE-së.
Njëkohësisht, ndryshe nga ushtria, detyrat e saj janë të një natyre civile (administrative, sociale, ekonomike, juridike dhe trafiku rrugor), duke patur të drejtë të ekzekutoi, si dhe policia, mandate arresti si dhe të ekzekutoi arrestime pa mandate arresti të çdo personi, i cili në prezencë të pjestarëve të xhandarmërisë është duke shkelur ligjin ose kryen ndonjë krim.
Pra, xhandarmëria 60% të kohës, të resurseve dhe të fuqisë së saj i harxhon në misione sigurie kombëtare dhe civile, ndërsa 40% tjetër e harxhon për detyra juridike. Në këtë 40% perfshihen raportimi i krimeve dhe i shkeljeve të ndryshme të ligjit, mbledhja e të dhënave faktike dhe provave për këto shkelje si dhe kërkimi dhe ndalimi i këtyre shkelsave në zonat e juridiksionit të saj. Të gjitha këto e bëjnë që Xhandarmëria gjatë përditshmërisë së veprimtarisë së saj të vendoset nën autoritetin e dy ministrive, MM dhe MB, sikundër është në Francë, Serbi dhe Portogali ose edhe vetëm nën juridiksionin e MM, sikundër është në Itali e Turqi.
Brenda xhandarmërisë ka edhe rendime speciale, të cilat ndahen në: roja bregdetare, rendimi presidencial për sigurimin e Presidentit dhe Presidencës, shkolla e xhandarmërisë, e cila zakonisht drejtohet nga gjeneral; dega gjyqësore e xhandarmërisë, e cila përfshin ruajtjen e burgjeve, transferimin dhe shoqërimin e të burgosurve, ndërhyrjet speciale në raste të nevojshme nëpër burgje, asistimin në hetimin e çështjeve penale dhe përgatitjen e tyre për gjyq; dega e hetimit ushtarak dhe dega e hetimit civil si dhe dega për detyrat e policimit administrativ, etj.
Duke qenë se është forcë e armatosur për aplikimin e ligjit të natyrës ushtarake, xhandarmëria në kohë paqe ka për detyrë të mbajë regullin, paqen dhe bindjen publike si dhe t’i rivendosi ato në rast se humbasin ose dëmtohen rëndë; t’i shërbejë komunitetit; t’u kundërpërgjigjet grupeve të dhunshme; të kryej detyra antiterrorizmi; të shtypi çdo revoltë të paligjshme të popullatës; të zbatoi gjëndien e jashtëzakonshme të shpallur nga Kuvendi ose ligjin e luftës; të zbatoi mobilizimin e detyruar dhe detyrat që dalin nga dekretet presidencialë dhe ligjet, duke zbatuar detyrat e saj civile dhe ushtarake që rjedhin nga këta dekrete a ligje; të ndihmojë oficerat e policisë; të shoqëroi paratë publike si dhe municionet e ushtrisë; kontrollon dhe jep lejet e armëve; mbron ambasadat tona dhe personelin e tyre jashtë vendit, atje ku del e nevojshme; kryen detyra të mbledhjes së informacionit për nevoja të shërbimeve inteligjente; kontrollon dhe jep lejet e gjuetisë si dhe ruan ambasadat si dhe objektet historiko-kulturore e fetare dhe, ajo që është më kryesorja, shërben si konjukturë lidhëse midis FA dhe çdo lloj force tjetër ose entiteti jashtë ushtrisë, në rastet që i kërkohet dhe në raste emërgjencash; merret me arrestimin dhe ndalimin e dezertorëve nga radhët e ushtrisë, gjë që policia ushtarake e ka shumë të vështirë ta kryejë këtë detyrë në zonat rurale; bën hetimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me gjykatat ushtarake; afron ndaj autoriteteve civile të dhëna të inteligjencës, por jo të një natyre politike, dhe kjo hyn në atë që quhet policim administrativ dhe bëhet me qëllim për të llogaritur akte të mëdha të dhunës, etj.
Aktualisht mbi vendin tonë kryejnë mbikalime mbi 600 avjonë pasagjerës përveç 12 kompanive ajrore që ulen dhe ngrihen nga Rinasi, gjë që ka dalë e novojshme edhe krijimi i forcave të Kërkim Shpëtimit (SAR) dhe këtë detyrë vetëm xhandarmëria mund ta kryej me sukses dhe në kohën e duhur, pasi ajo është e vetmia forcë e përqëndruar e shtrirë në të gjithë thellësitë e territorit të vendit, ku edhe probabiliteti i përfundimit të aksidentet ajrore është shumë më i madh të ndodhë në ato rajone.
Përzgjedhja e kuadrove të Xhandarmërisë
Bazuar në sistemin tonë aktual të përgatitjes së oficerit, kuadrot për xhandarmërinë natyrisht që do të zgjidhen në mbarimin e vitit të tretë të Fakultetit Juridik dhe që më pas përgatiten 6 muaj në Shkollën e Trupës, për nivelinvitin e komandantit të togës dhe pas kësaj është e domosdoshme që të dërgohen 4 muaj për të bërë stërvitje intensive për forca komando; dhe vetëm pas kësaj ata duhet të emërohen me detyra në Xhandarmëri.
Pas 2-3 vjetësh kuadrot e saj duhet të rikthehen përsëri në Shkollën e Trupës ku për 4 muaj duhet të përgatiten për komandant kompanie, ndërsa për të komanduar batalionin dhe për të marrë edhe gradën e majorit natyrisht që duhet të përgatiten në kurset 6 mujorë në Akademinë e Mbrojtjes. Edhe për nivele më të larta komanduese kuadrot e saj rikthehet përsëri në Akademinë e Mbrojtjes.
Në rastin kur funksionon Universiteti Ushtarak, kandidatët për oficera xhandarmërie, pasi mbarojnë vitin e dytë të universitetit çohen në Fakultetin Juridik për dy vitet e tjera. Pas mbarimit të këtij katërvjeçari shkojnë në Shkollën e Trupës dhe vijohet si më sipër.
Por mundet të ndiqet edhe një përvojë tjetër, ku oficerat që mbarojnë Akademinë Ushtarake me gradë nëntoger çohen në një shkollë xhandarmërie jashtë vendit një vit ku marrin një trajnim profesional për edukim juridik e administrativ dhe, pasi mbarojnë këtë çohen 4 muaj për kursin e forcave komando, dhe ata që e mbarojnë me sukses këtë kurs emërohen me detyrë në xhandarmëri.
Përsa u përket nënoficerave të Xhandarmërisë edhe ata duhet të zgjidhen me konkurs nga radhët e Ushtrisë. Kushti i vetëm është që të kenë shërbyer minimalisht dy vite si nënoficerë në ushtri dhe pas këtij seleksionimi të dërgohen 4 muaj në Shkollën e Trupës ose në një shkollë xhandarmërie për t’u përgatitur për specialitete të ndryshme të saj. Gjithmonë në përshtatje me sistemin e arsimimit të kuadrove të ushtrisë
Përfundime
Xhandarmëria është një lloj force ushtarako-policore territoriale e gjithëkohëshme multifunksionale, e cila duhet të përfshihet në Forcat e Armatosura. Në rast se ajo krijohet, në të do të përfshihen policitë e mëposhtme: Policia Rurale, Policia Ushtarake, Garda, Shërbimi SAR, Policia e Burgjeve, Kufitre, Pyjore, Lumore, Kulturore, Mjedisit, Bregdetare, Qëndra Kombëtare e Emërgjencave si dhe funksionet elektorale. Në këtë mënyrë eleminohen shumë drejtori policishë të ndryshme në krye të të cilave k shumë gjebneralë e kolonelë, gjë që nuk do të jetë më e nevojshme.
Si e tillë, është e arsyeshme që komandnti I Xhandarmërisë të varet nga Presidenti I Republikës, duke përcaktuar me ligj të veçantë mënyrat dhe rastet e bashkëveprimit të saj me Policinë e Shtetit dhe Shtabin e Përgjitshëm të Ushtrisë.
Nuk është e thënë që kjo lloj force të emërohet Xhandarmëri, mund të përzgjidhet edhe ndonjë emërtim tjetër, meqenëse për popullin tonë kjo fjalë ka tingull jot ë pëlqyeshëm.
Ekzistenca e Xhandarmërisë do të garantjë ekuilibrimin e forcave dhe do të parandalojë çdo lloj abuzimi nga secila forcë e armatosur, por do të jetë në gjendje të parandalojë edhe ngjarje si ajo e Gërdecit, apo ajo e 21 janarit 2011.
Në rast se do të ekzistonte xhandarmëria, në vitin 1997 nuk do të ndodhte tragjedia e dërgimit të Gardës Kombëtare në Cërrik, sepse oficerat e xhandarmërisë përveç që janë ushtarakë të mirëfilltë, janë edhe juristë me edukim administrativ.
Ngjarjet e mësipërme treguan nevojën e kësaj lloj force me varësi të dyfishtë, si dhe paaftësinë e Policisë së Shtetit për ato lloj situatash.
_______________
Bibliografi
1. Fletore Zyrtare Nr. 40, datë 23 korrik 1929, mbi Dekret-ligjin organik të Gjindarmërisë.
2. Ligji Nr.9749, datë 4.6.2007 për Policinë e Shtetit
3. Ligji Nr.10 142, datë 15.5.2009, për ndryshime në Ligjin Nr.9749, datë 4.6.2007.
4. Ligji Nr. 8869, datë 22.05.2003 për Gardën e Republikës së Shqipëerisë.
5. Ligji Nr. 9445, datë 16.11.2005, për disa ndryshime në ligjin nr. 8869, datë 22.5.2003.
6. Ligji Nr.9069, datë 15.5.2003 për Policinë Ushtarake në FA të Republikës së Shqipërisë
7. TV “Canal One”, 12.3.2012
8. Michel de Ëeger, Res Militares, Vol.I, nr.2, 2011