MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (70)

Pashtriku, 15 shtator 2020:
8.1.8 Pjesë nga artikulli “Çështje agjitacioni dhe propagande”, (“Zëri i Kosovës”)
“…na duhet një agjitacion dhe propagandë që karakterizohen nga gjithanshmëri si brenda radhëve tona ashtu edhe në masat e gjera popullore, propagandë dhe agjitacion që prekin të gjitha çështjet e rëndësishme që sqarojnë bindshëm problemet e ndryshme që pajisin me dije dhe që edukojnë.

Ne duhet që secili të propagandojmë ndër shokët (sidomos tek ata të sapo rekrutuar në radhët tona) idenë e nevojës së domosdoshme të një organizimi më të rreptë. Të propagandojmë gjithashtu edhe qëndrimin burrëror të shokëve përpara organeve hetuese të armikut dhe gjyqit si dhe sukseset e të tjerëve etj., por gjithnjë nën kriteret e konspiracionit.
Veprimtaria jonë revolucionare shtron detyrë që të zhvillojmë ndër masat e gjera agjitacion dhe propagandë sistematike. Ky agjitacion duhet mbështetur në baza ekonomike dhe politike. ..Puna jonë duhet drejtuar në rend të parë te punëtorët. Të gjithë e dimë që punëtorët tanë janë të shtypur ekonomikisht dhe politikisht. Kushtet e tyre të jetës e të punës janë të mjerueshme, të drejtat e tyre janë të mohuara edhe si komb edhe si klasë. Rendi ekonomik-shoqëror, politika grabitqare e revizionistëve dhe e serbomëdhenjve ua pi atyre gjakun e djersën, ua rrëmben pasurinë dhe i shtypë politikisht. Dhe punëtorët tanë e ndiejnë këtë në palcë, por nuk e kuptojnë në thelb. Ata kanë urrejtje ndaj autoriteteve të tyre dhe qeverisë, por kjo urrejtje është e heshtur dhe jo e ndërgjegjshme. Ata shpeshherë shfaqin revoltë dhe urrejtje, por pa një organizim të shëndoshë dhe pa një ndërgjegje politike. Te punëtorët zhvillohet një lëvizje spontane. Ndodh kështu (dhe është krejt e natyrshme) se ndër punëtorët mungon puna politike, agjitacioni, mungojnë organizatorët.
Dhe ja detyra jonë: t’i ndihmojmë punëtorët në luftën e tyre ekonomike, ta lidhim ngushtë këtë luftë me luftën politike, t’i sqarojmë ata për qëllimin kryesor, detyrat politike të Lëvizjes në përgjithësi, t’i orientojmë dhe t’u ndihmojmë në formulimin e kërkesave, në botimin e trakteve të agjitacionit dhe të përhapim sa më shumë literaturë të nevojshme te punëtorët. Ky agjitacion, kjo punë me punëtorët zgjon ndërgjegjen e tyre, i edukon dhe i organizon ata. Punëtorët, kështu nxjerrin nga gjiri i tyre kuadro udhëheqës me aftësi organizative dhe ideopolitike e teorike për t’i prirë luftës së ndërgjegjshme. Punë të madhe duhet bërë edhe te fshatarët dhe shtresat tjera të masave të gjera siç janë studentët e nxënësit e shkollave të mesme, intelektualët, zejtarët, rinia fshatare etj.
Fshatarësia jonë paraqet një forcë kolosale në luftë për çlirim. Ajo nuk është aspak indiferente ndaj kësaj lufte. Edhe mbi kurrizin e saj peshon shtypja dhe robëria me gjithë forcën. Në çdo fshat shqiptar në Kosovë ka të mjerë, ka shtypje, varfëri, plagë kurbeti, mungesa të nevojave elementare të jetës, mungesë shkollash, rrugësh, të ndihmës mjekësore etj., etj. Nga ana tjetër revizionistët dhe tradhtarët nuk pushojnë së përdoruri mjete të lloj-llojshme për t’i mashtruar dhe korruptuar politikisht fshatarët. Por, ne duhet t’i kundërvihemi kësaj veprimtarie të ndytë me agjitacionin tonë, t’i edukojmë politikisht fshatarët, t’u tregojmë kush janë armiqtë e tyre të vërtetë, duke i demaskuar gjer në fund ata dhe veprimet e qëllimet e tyre.
Për veprimtari propagande dhe agjitacioni duhet shfrytëzuar, aq sa është e mundur, edhe odat, tubimet e ndryshme si dhe takimet e rastit etj., por gjithmonë duke pasur kujdes ndaj provokatorëve. Gjatë këtyre bisedave duhet të jemi të matur, të flasim me gjuhën e popullit, thjesht, qartë, kuptueshëm dhe bindshëm.
Veprimtaria agjitative dhe propaganduese në një shkallë të lartë duhet të zhvillohet edhe në rininë studenteske e atë shkollore, duke u shpërndarë material agjitacioni politik në radhë të parë. Atyre duhet ndihmuar edhe në luftën për përmirësimin e kushteve të jetës e të shkollimit, në bojkotimin që organizojnë, kërkesat e tyre etj.
Ta zgjerojmë kështu, propagandën dhe agjitacionin në çdo shtresë të masave të gjera popullore, të demaskojmë sa më shumë problemet ekonomike dhe politike ndër masat e gjera, t’i bindim ato se plotësimi i një apo disa kërkesave të tyre nga qeveria nuk do të thotë fund i luftës së tyre, nuk do të thotë kënaqje e interesave të përgjithshme kombëtare, se ato kërkesa s’janë veçse beteja të vogla me armikun, të cilat shkojnë në dobi të luftës së përgjithshme dhe të madhe për çlirimin, për fitoren përfundimtare.
Ta thellojmë çdo ditë e më shumë agjitacionin e propagandën, të hulumtojmë format e organizimit të tyre, t’i perfeksionojmë ato, ta përmirësojmë cilësinë e agjitacionit dhe ta ngremë atë nga një agjitacion i pjesshëm me kërkesa të vogla dhe të veçuara në një agjitacion për të gjitha kërkesat kombëtare në tërësi… Me fillimin e botimit të organit tonë si dhe me përmirësimin e punës në radhë u krijuan mundësi të reja që të zgjerohet dhe të thellohet vetë përmbajtja e propagandës dhe agjitacionit në rend të parë brenda radhëve tona. Ndihma që duhet t’u japë kuadrove dhe kujdesi që duhet të tregojë organi ynë për propagandën dhe agjitacionin duhet të jenë edhe më të mëdha në të ardhmen. Organi do të bëjë përpjekje që të sqarojë sa më shumë çështje, që të ndihmojë pjesëtarët e radhëve tona në pajisjen e tyre me një kulturë të gjithanshme dhe në edukimin ideopolitik. Organi do të sqarojë gjithashtu edhe shumë çështje organizative. Nevoja e propagandimit të parimeve dhe metodave të organizimit, të disiplinës dhe të teknikës konspirative del në plan të parë kur organet policore vihen me gjithë forcat e tyre për të na ndjekur dhe persekutuar”. (1)
8.1.9 Pjesë nga shkrimet e botuara te “Zëri i Kosovës”, 1974
“Kosova është rajoni më i pazhvilluar në Jugosllavi”, shkruante “Zëri i Kosovës”. “Prapambetja ekonomike e kësaj krahine”, vazhdonte artikulli, “ka bërë që popullsia e saj të katandiset në një varfëri të mjerueshme.
Lartësia e investimeve dhe tempo e zhvillimit nuk patën kurrë hapin e viseve tjera të Jugosllavisë, kështu Kosova ngeli vendi më i pazhvilluar midis të pazhvilluarve” (2)
Duke shkruar për arsimin, “Zëri i Kosovës”, sillte fakte, si “…në vitin shkollor 1955 në klasën e parë janë regjistruar 31642 nxënës dhe prej tyre klasën e tetë në vitin shkollor 1962/63 e kanë kryer vetëm 9188 … 12 për qind të fëmijëve të moshës 7-14 vjeçare mbesin pa u përfshirë fare në shkollat fillore. Këta janë ushtarët e ardhshëm të analfabetizmit kosovar (numri i saktë i analfabetëve në Kosovë nuk dihet, por konsiderohet të jetë analfabete gjysma e popullsisë) ”. (3)
Obskurantizmi dhe injoranca, sidomos te të rinjtë, i duhej regjimit për të vepruar në degjenerimin dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve. Ne shtypin klandestin lexojmë: “Në këtë luftë reaksioni nuk kursen mjetet as mënyrat që nga ato më primitive të shtypjes dhe terrorit e gjer te arma më e re dhe moderne, degjenerimin e rinisë”. (4)
Një plagë tjetër e kohës në Kosovë ishte papunësia dhe kurbeti. “Zëri i Kosovës” atëherë shkruante: “Papunësia ka qenë dhe vazhdon të jetë një peshë e rëndë e ekonomisë së kësaj krahine. Sipas të dhënave statistikore, sot vetëm 7.6 për qind të popullsisë kosovare janë të inkuadruar në punë në sektorin shoqëror. (Nëse këtë e krahasojmë me republikat tjera të Jugosllavisë, do të kemi: 17.8 për qind në Slloveni, 30 për qind në Maqedoni, 15 për qind në Serbi etj.) Shkalla e papunësisë në Kosovë është dy herë e gjysmë më e madhe se mesatarja jugosllave.
Ushtria e të papunëve paraqiste problem social, politik dhe shoqëror për tërë vendin, prandaj ajo duhej zvogëluar në një mënyrë. Kështu në vitet 60-ta filloi në masë dërgimi i fuqisë punëtore në shtetet e jashtme, ku ata do t’i nënshtroheshin shfrytëzimit të egër të padronëve kapitalistë. Në vitin 1964 në botën e jashtme u dërguan 410 punëtorë nga Kosova. Brenda një kohe të shkurtër kjo shifër shtohet në 2048. Dhe vetëm gjatë viteve 68-69 në vendet kapitaliste u dërguan 10.739 punëtorë nga krahina e Kosovës, kurse 8442 prej tyre kishin shkuar në RF të Gjermanisë. Papunësia ishte akoma e madhe, ushtria e të papunëve nuk po pakësohej. Duhej pra, të vazhdonte me intensitet më të fuqishëm shitja e punëtorëve, prandaj në vitin 1971 në botën e jashtme pati mbi 24.000 punëtorë kosovarë. Duke mos pasur mundësi të inkuadrohen në punë në vendin e tyre dhe duke qenë në një gjendje të vështirë ekonomike, shumë kosovarë vazhduan të marrin rrugën e kurbetit për të fituar kafshatën e gojës. Dhe vetëm kështu ata mund të “shfrytëzojnë” të drejtën e garantuar në Kushtetutë për inkuadrim në punë të secilit qytetar të vendit tonë. Kosova sot ka afro 40 mijë punëtorë në botën e jashtme, prej të cilëve 90% shqiptarë, që kanë shkuar në mënyrë të organizuar nga entet për inkuadrim (shumë punëtorë shkojnë atje në mënyrë stihie, kurse shumë të tjerë nuk kalojnë kufijtë e shtetit, por punojnë në republikat tjera të Jugosllavisë, duke qenë kështu kurbetçinj, si shokët e tyre në botën e jashtme…
Gjendja e të papunëve është tejet e vështirë, kurse edhe ata që janë të inkuadruar në sektorin shoqëror në vend nuk mund të thuhet se janë mirë. Diferencat e mëdha sociale, ndarja jo e drejtë e të ardhurave personale, shpërdorimet në organizatat dhe kolektivet punuese, si rrjedhim i tyre, shkaktohen humbje të mëdha në këto organizata. Këto humbje i mbulojnë punëtorët nga djersa e tyre, thua se ata janë fajtorë për to. Rritja e vazhdueshme e çmimeve ua sakaton të ardhurat personale punëtorëve për hir të stabilitetit ekonomik. Këto janë fakte shqetësuese të gjendjes ekonomike të punëtorit tonë, të jetës së tij të mjerë. Edhe më e keqe, më e mjerueshme është gjendja e punëtorëve të inkuadruar në sektorin privat…”. (5)
Kosova sot ka kurbetçinj nga të gjitha viset e veta, pothuaj në të gjitha shtetet perëndimore… Nuk janë të rralla rastet kur emigrojnë tërë familja bashkë me punëtorin i cili i mbanë.. Kështu, fshatra të tëra kanë filluar të shkretërohen… Shumë prej këtyre punëtorëve, shumë prej këtyre familjeve ia kthejnë vendit të tyre me lot në sy e brengë në zemër shpinën përgjithmonë… fëmijët e këtyre punëtorëve që kanë shkuar bashkë me ta në kurbet, ndërprejnë shkollimin për të mos e vazhduar më ose nuk shkollohen fare”. (6)
Emigracioni i filluar në vitin 1964, merrte çdo vit me mijëra kosovare, për të arritur në fillim të viteve tetëdhjetë në rreth 200.000. (7)
Duke trajtuar gjendjen e xehetarëve të “Trepçës”, në botimin “Materiale” të GMLK, në një artikull thuhet: “Kur të vlerësosh punën që kryen xehetari ynë në galeri, bindesh se këtij punëtori i duhet më shumë se çdokujt tjetër ushqimi kalorik. Por, kur të shohësh ushqimin që u servohet xehetarëve në mensa, bindesh se kujdesi i nazistëve gjermanë ishte më i madh për ushqimin e robërve të luftës, në kampet e përqendrimit dhe se me të vërtetë nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë ndjenje humanizmi të revizionistëve dhe të shërbëtorëve të tyre. Xehetarëve u hiqen nga rrogat e tyre nga 13-15 dinarë për çdo shujtë dhe megjithatë, ata shpeshherë kanë paguar vetëm një copë bukë të thatë, sepse gjella nuk hahej”. (8)
GRK, nëpërmjet shkrimeve e demaskonte, denonconte dhe e dënonte me forcë politikën jugosllave e serbe ndaj Kosovës dhe format e shfrytëzimit ekonomik e të shtypjes policore. Fill pas aprovimit të Kushtetutës së re të Jugosllavisë, në të cilën definohej zgjidhja gjysmake e statusit politik dhe juridik të Kosovës, “Zëri i Kosovës”, shkruante: “Këto kohët e fundit paçavuret e propagandës titiste po bëjnë një zhurmë të madhe rreth Kushtetutës, e cila sipas tyre na qenka nga më të përkryerat që ka pasur ndonjëherë njerëzimi!…Pas neneve të Kushtetutës jugosllave fshihet regjimi policor titist… fshihet pabarazia… Populli ynë liridashës… do t’i veshë edhe njëherë rrobat luftarake dhe përmes perdes së zezë kushtetutare do t’i qëllojë lugetërit mu në lule të ballit, duke marshuar ngadhënjimtar”. (9)
____
Referencat:
1 Çështje agjitacioni dhe propagande, “Zëri i Kosovës”nr.2, prill 1974
2 Papunësia dhe kurbeti, plagë të rënda në Kosovë, “Zëri i Kosovës”nr 1, shkurt 1974
3 Arsimi në Kosovë, “Zëri i Kosovës”nr. 2, prill 1974
4 Përpjekjet e reaksionarve jugosllavë për degjenerimin e rinisë së Kosovës, do të dështojnë me turp, “Zëri i Kosovës”nr. 2, prill 1974
5 Papunësia dhe kurbeti, plagë të rënda në Kosovë, “Zëri i Kosovës”nr 1, shkurt 1974
6 Papunësia dhe kurbeti, plagë të rënda në Kosovë, “Zëri i Kosovës”nr 1, shkurt 1974
7 Marenglen Verli: “Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës 1970-1990. “Dituria”Tiranë, 1994 f. 6
8 Xehetarët e Trepçës, Materiale të GMLK, 1978
9 Kushtetuta dhe realiteti, “Zëri i Kosovës”nr. 2, prill 1974.

VIJON …
_________________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (69)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10487

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura