DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): AKSIONET (E ARMATOSUR) DUHET TË ZHVILLOHEN NË TË GJITHË KOSOVËN (26 QERSHOR 1998)

Pashtriku, 19 mars 2019: Dikur një politikan evropian ka thënë se veshët e diplomatëve dëgjojnë vetëm krismat e armëve. Më së fundi, kur populli i Kosovës filloi t’i përdori armët për të fituar lirinë, diplomacia botërore i “ngriti veshët” dhe tha:
“Ç’bëhet në Kosovë!?”.

Pra, sikundër u shpreh edhe ligjëvënësi amerikan Eliot Engel në “Zërin e Amerikës” më 5.6.98, rruga e rezistencës paqësore nuk solli rezultate, pasi atë lloj rruge nuk e dëgjojnë veshët e diplomacisë. Në rastin e Kosovës kjo sentencë u vërtetua katërcipërisht.
Menjëherë, porsa filloi në Kosovë lufta e armatosur për t’u vetmbrojtur, e gjithë diplomacia ndërkombëtare u vu në lëvizje. Më 04.06.1998, znj. Doris Pak, Kryetare e Asamblesë Parlamentare të KE deklaroi: “Fatkeqësishtë, në Kosovë po zhvillohet një spastrim etnik… dhe Kosova po shndërrohet në një karantinë poligon, ku Serbia po provon armët e veta si dhe ato që ka blerë”.
Kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z.Ruperez deklaroi në Shkup se “… nuk mund të tolerohen pushkatimet, djegiet e fshatrave, ikja e banorëve nga Kosova”.
Po ashtu, më datë 09.06.1998 Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, me propozimin e Anglisë, SHBA dhe Francës, pavarësishtë se Rusia përdori veton.
Në një intervistë, dhënë nga kongresmeni amerikan Eliot Engel, u tha: “… forcat ajrore të NATO-s duhet të godasin tanket dhe artilerinë sërbe, që po godet fshatrat në Kosovë si dhe të pengojnë çdo fluturim të aviacionit serb. UÇK-ja, deri tash, nuk ka dhënë asnjë shenjë që mund të akuzohet për terroriste”.

Të gjitha këto deklarime u bënë nga diplomacia ndërkombëtare vetëm atëherë kur UÇK-ja u bë ralitet. Pra, kjo iu imponua diplomacisë botërore si një organizim i ligjshën dhe jo sikundër po përpiqet ta paraqesë propaganda sërbe. Këtë e shprehu qartë edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, z.Robert Gelbard, në intervistën dhënë revistës sërbe “Evropianin”, i cili tha: “UÇK-ja nuk është një grup terrorist. Nga çdo anë që ta marrësh ata janë grup kryengritësish. Në Kosovë ne tani shohim kryengritjen e armatosur që është në kufi të luftës së vërtetë. UÇK-ja është shumë larg kushteve ligjore për ta cilësuar organizatë terroriste … Të shprehesh se UÇK-ja po bën terror mbi popullsinë e vet, nga dëshpërimi i disfatave të pësuara, do të thotë të thuash budallallëqe”. (Rinlindja 06.06.1998). Ndërsa, Ministri Gjerman i Mbrojtjes, Follke Roye, ka deklaruar se trupat e NATO-s duhet të vendosen sa më shpejt në Kosovë.
Si përfundim mund të themi se opinioni ndërkombëtar është ndërgjegjësuar për përdorimin e forcës ndaj Millosheviçit si dhe për domosdoshmërinë e reagimit me armë të popullit kosovar.
Po diplomacia dhe lidershipi kosovar ç’thonë?
Nuk na vjen mirë ta themi, por nuk duket se janë në nivelin e duhur.
Pse?
Sepse, ai që pretendon se është president i Kosovës, Rugova dhe kryeministri Bukoshi nuk janë shprehur ende për ekzistencën e UÇK-së dhe luftën e armatosur që duhet të bëjë populli kosovar. Ata duhet të qartësohen se, përderisa rruga paqësore nuk ia arriti qëllimit, mbeten vetëm dy rrugë: ose nënshtrim e skllavërim i përjetshëm, deri në ç’kombëtarizim, ose luftë e armatosur deri në fitoren e lirisë. Liria është e shtrenjtë dhe ajo fitohet vetëm me gjak dhe nuk dhurohet. Kjo është dhe arsyeja se pse ngjyra simbol e lirisë është ngjyra e kuqe.
Qeveria e Kosovës duket sikur po bën përpjekje të dyanshme, për rrugën paqësore dhe atë me forcë, por në asnjë rast nuk po prononcohen qartë! Ndërsa Kuvendit të Kosovës nuk po i ndihet zëri, ndërkohë që bota po flet se në Kosovë po bëhet gati shpërthimi i kryengritjes së armatosur. Pra diplomacia ndërkombëtare po e emërton me emrin e saj të vërtete: kryengritje e armatosur.
Mirëpo për kë po flasin?
Ata flasin për ata që kanë veshë. Dihet se në diplomaci leximi bëhet midis rreshtave. Ata s’mund të thonë: filloni kryengritjen, që të mund të ndërhyjmë ne Vallë, a i kuptojnë Bukoshi dhe Rugova?
Lufta e armatosur kërkon organizim dhe vetëm organizim. Me luftën e armatosur nuk duhet bërë shaka, sepse ke të bësh me mijëra jetë njerëzish, gjë që institucionet e Kosovës duhet ta kenë parasysh.
Aktualisht në Kosovë i kemi të gjitha institucionet shtetërore: Kuvendin e Kosovës, Presidenti, Qeverinë dhe UÇK-në. Një sy i kujdesshëm e kupton se secili nga këta institucione vepron në mënyrë të shkëputur e sipas mënyrës së vetë, pavarësisht se për të njëjtin qëllim.
Kështu duhet vazhduar? Mendoj se jo. Urgjentisht duhet të mblidhet Kuvendi i Kosovës, në Kosovë ose jashtë saj, dhe të marri vendime historike për vazhdimin e mëtejshëm e të organizuar të luftës, duke u vënë detyra konkrete të gjitha institucioneve të tjera. Historia botërore nuk njeh një rast kaq unikal, ku në një vend të pushtuar, ku po përgatitet kryengritja e armatosur, të ekzistojë pushteti i zgjedhur nga poshtë deri lart. Presidenti po njihet de fakto nga të gjitha organizmat ndërkombëtare, së bashku me kryeministrin dhe me UÇK-në si institucion i ligjshëm. Në këto kushte lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës e cila po përgatitet i kalon kufijtë e kryengritjes së armatosur. Ajo gati-gati i përngjan një lufte patriotike. Prandaj duhet përgatitur mbledhja e Kuvendit dhe të mos qëndrohet në pritje të vendimeve të komunitetit ndërkombëtar. Edhe dasma që ështe dasëm, ku të gjithë shkojnë për t’u gëzuar e për të kënduar, me të ngrënë e me të pirë, përsëri asnjë i ftuar nuk mund ta fillojë dasmën pa e çelur këngën i zoti i shtëpisë. Po luftën për çlirimin e Kosovës mos nuk duhet ta nisin e ta bëjnë kosovarët?
Gjithë opinioni botëror po pret që Kosova, më së fundi, t’i fitojë të drejtat e saj me pushkë. Ka ardhur momenti historik që rinia kosovare ta thotë njëherë e përgjithmonë fjalën e saj e të mos rrijë në pritje.
Për të kaluar në kryengritje të armatosur duhet që me çdo kusht të kalohet nëpërmjet luftës guerile me qëllim që të ndërgjegjësohet i gjithe populli, pasi kryengritja është luftë e tërë popullit dhe bëhet për të fituar lirinë e jo për të robëruar të tjerët. Si e tillë, ajo duhet zhvilluar me të gjitha format e luftës popullore, duke filluar me njësitet guerile dhe duke kaluar gradualisht në krijimin e formacioneve më të mëdha luftarake.
Aksionet duhet të zhvillohen në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm atje dhe atëherë kur na sulmon armiku.
Zhvillimi i luftës në të gjithë territorin e Kosovës, jo vetëm që e tmerron armikun por njëkohësisht e detyron atë t’i shpërndajë forcat, të cilat mund të mbyten lehtë nëse shpërthen kudo lufta popullore. Për këtë qëllim kryengritja duhet të kalojë nëpërmjet luftës guerile dhe duhet të shpërthejë në të njëjtin moment në të gjithë Kosovën njëherësh. Kjo është detyra e tërë lidershipit, institucioneve dhe e forcave politike në Kosovë e të mos presin “armatat” nga Tirana zyrtare.
“Rilindja”, 26 Qershor 1998
____________
DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): KOSOVARËT U DETYRUAN QË TA PRANOJNE LUFTËN (7 QERSHOR 1998)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8585

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura