DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT?(II)

(Pashtriku.org, 05. 04. 2012) – Kur përgjaken me të gjitha llojet e armëve dy kombe, nuk ka se si të jetë thjeshtë një konflikt. Ndoshta ju zonjë, duke qenë pjestare e kombit sllav, instiktivisht dëshironi të bëni një përpjekje që, përmes mohimit të të qenit luftë e mirëfilltë, ndeshja me armë midis shqiptarëve dhe shtetit të Sërbisë në vitet 1997-1999, të mund të errësoni sado pak të vërtetat e hidhura dhe të ulta që pasqyruan forcat e armatosura të Sërbisë në Kosovë, lidhur me kërkesat morale, shoqërore dhe ushtarake që ato manifestuan në atë luftë. Dhe ju e bëni këtë, ngaqë e dini mirë se vetëm në luftën e armatosur midis dy kombeve dhe jo në konflikt dalin në pah edhe normat më minimale shoqërore, nëse janë ose jo konform kërkesave të caktuara profesionale ushtarake, sikundër janë nderi ushtarak, morali, sjelljet dhe profesionizmi i një ushtrie a i një populli.
     Profesionizmi ushtarak serb gjatë luftës në Kosovë u tregua i pamjaftueshëm të përballonte sfidat e luftës së drejtë dinjitoze çlirimtare që zhvilloi populli shqiptar në Kosovë dhe Ushtria Çlirimtare e tij (UÇK). Dhe ky deklarim i imi, si një prej antarëve ushtarakë të shtabit drejtues të asaj ushtrie çlirimtare të asaj luftë, mund të them me siguri të plotë se nuk pati as ngjashmërinë më të vogël midis sjelljes së forcave serbe dhe atyre të UÇK-së në lidhje me trajtimin moral të popullsisve respektive në Kosovë.
     Dihet nga të gjithë, besoj edhe nga ju e nderuara zonjë, se që të zhvillohet një luftë duhet të plotësohen tre kushte: i pari, është shteti ai që do të përcaktoi armikun; kushti i dytë është shoqëria që mbështet shtetin politikisht dhe psikologjikisht në zbatimin e asaj politike dhe, kushti i tretë, është ushtria ajo që zbaton vullnetin e shtetit.
     Për fatin e keq të historisë, në rastin e luftës në Kosovë, në Serbi u harmonizuan të tre këta elementë. Deri sot nuk është bërë publike asnjë fakt që të mohojë mbështetjen totale që i bëri shoqëria serbe, fatkeqësishtë edhe gjithë sllavët, shtetit të Serbisë për të zhvilluar atë lloj lufte në Kosovë. Për atë mbështetje nuk është e nevojshme të sjellim fakte të reja, pasi atë e pa e gjithë bota, ku jo vetëm asnjë qytetar i thjeshtë serb nuk u ngrit kundër asaj lufte, por as edhe një intelektual serb në Serbi, Kosovë dhe në gjithë ruzullin tokësor ku ka qoftë edhe një serb apo sllav, që ta dënonte të paktën moralshmërinë sociale antinjerëzore të atyre forcave të armatosura serbe në Kosovë dhe veçanërisht për kompetencat profesionale ushtarake për trajtimin jotradicional të mjedisit ku u zhvillua ajo luftë. 

Dilaver Goxhaj, autori i këtij reagimi, ushtarak nga Tirana, ishte pjesëmarrës aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – i njohur me pseudonimin Shpëtim Golemi.

___________________________________________

     Forcat serbe ishin instruktuar nga shteti, duke u nxitur nga shoqëria serbe se, detyra e tyre ishte diçka më tepër se sa zbatimi i taktikave dhe i sjelljeve në luftë, të përcaktuara qartë nga Konventat e Gjenevës lidhur me marrëdhëniet konvencionale ushtarake. Forcat serbe, duke përdorur zjarrin masiv shkatërrues të artilerisë dhe aviacionit ndaj pothuajse gjithë shtëpive të fshatrave shqiptare18; duke rrëmbyer gjithë kafshët, blegtorinë dhe gjithë pasurinë tjetër të tundëshme e të patundëshme të asaj popullsie; duke mos bërë dallime midis fshatarëve të thjeshtë dhe pjesëmarrësve në UÇK, gjë e cila çoi në masakrimin e atyre civilave të pafajshëm, duke i groposur në mbi 450 varre masive në Kosovë dhe dhjetra të tjerë jashtë territorit të saj, (ku ende 2500 shqiptarë nuk dihet ku janë), të gjitha këto treguan se ato forca nuk e kishin përgatitjen dhe kulturën e nevojshme për të vepruar në mjedisin shqiptar; cilësitë e tyre barbare nuk përputheshin me qëndrimin ushtarak profesionist të UÇK-së, ndaj dhe u egërsuan edhe më shumë si rjedhojë e ndjenjës së inferioritetit moral dhe profesional. Të gjitha këto janë tregues që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në legjitimitetin e tyre për ushtarakët e forcave të armatosura serbe në Kosovë, të përcaktuara nga ajo shoqëri për institucionet ushtarake të Sërbisë.
     Bazuar në sa u shprehëm më sipër, kemi të drejtën të arsyetojmë se, qëndrimi i gjithë forcave serbe gjatë viteve 1997-1999 në Kosvë, ku pati devijime në mënyrë të konsiderueshme nga vlerat e shoqërisë europjane dhe ajo shqiptare, si dhe nga kërkesat ushtarake profesionale sipas konventave ndërkombëtare, duke e çuar Sërbinë në dobësimin e shpejt të legjitimitetit ushtarak të saj në sytë e gjithë botës demokratike, (falë medjave), ndaj dhe krijoi shumë shpejt dyshime në mbarë komunitetin ndërkombëtar dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtare për qëndrimin profesional të ushtarakëve serbë. Ky është shkaku kryesor pse ato organizma ndërkombëtare vendosën të ndërhynin ushtarakisht me anë të forcës ushtarake më të madhe botërore, prandaj dhe ajo ndërhyrje u quajt “luftë humanitare” me bomba, raketa dhe predha aviacioni; rast unikal në historinë e luftrave botërore.
     Në rast se do të pranonim se ajo ndeshje e ashpër luftarake midis kombit shqiptar në Kosovë dhe atij serb do të ishte thjesht një lloj konflikti, atëherë si është e mundur kur dy palë rrihen mes veti me grushta dhe pala tjetër asnjëanëse të ndërhyjë për t’i ndarë duke goditur me bomba dhe raketa palën shkaktare të grindjes?! Është një nonsens, apo jo, zonjë? Dhe mos harroni zonjushë se ishte karakteri i drejtë politiko-psikologjik i luftës çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë, ai që shkaktoi drejtpërsëdrejti asimetrinë midis shoqërisë civile serbe dhe asaj europiane. Ishte kjo asimetri që e detyroi edhe mikeshën më të afërt dhe më tradicionale të Sërbisë, Francën, që të thërriste me të madhe: “Mjaft më! E tepërove Sërbi!”, dhe inicoi me urgjencë dhe befasisht Konferencën e Rambujesë. Apo edhe këtë nuk e dini, e nderuara zonjushë?
Po Doktrina e NATO-s a e bën dallimin midis luftës dhe konfliktit?
     Ju mund të më thoni se Klauzeviçi i takon një periudhe para dy shekujve, dhe se kohët kanë ndryshuar. Mirëpo, për të mos të lenë të lodhesh kaq shumë për justifikim, përveç atyre çka u përmënda më lartë, po u citoj “Doktrinën Taktike të Forcave Tokësore të NATO-s”, e cila thotë: “Paqja është një situatë që ekziston në mardhëniet midis grupeve, klasave ose shteteve, kur në të nuk ekziston përdorimi i dhunës (direkt apo indirekt) ose kërcënimi për përdorimin e saj”19. Sipas këtij përcaktimi, a mund të thuhet se Serbia ishte në paqe me shqiptarët dhe as që na kërcënonte fare edhe pse i kish hequr nga punët shtetërore të gjithë shqiptarët, edhe pse u pat mbyllur të gjitha shkollat, edhe pse i nxiste ta linin Kosovën, znj. Izabella?
     Shkojmë më poshtë, ku po në atë paragraf, thuhet: “Lufta. Qëllimi i luftës është të angazhojë armikun në luftim derisa t’i imponohet atij vullneti dhe kushtet e caktuara”20. A ishte ushtria sërbe që e përzinte me dhunë këtë popull nga Kosova, apo tytat dhe bajonetat e armëve sërbe, Ju, zonjë e nderur, i quani buqeta me lule, në rastin kur ato u drejtohen shqiptarëve? A ishte UÇK-ja ajo, që e angzhoi ushtrinë sërbe në luftime, për të mos e lejuar të bënte shpopullimin e popullit tonë, derisa edhe faktori ndërkombëtar, deshi s’deshi, u imponua të ndërhynte me të gjitha format, deri edhe me forcën e armëve, që ta largonte dhunën e Sërbisë prej Kosove? A ishte Zoti Klinton që tha se UÇK-ja po kryen deryrën e forcave tokësore të NATO-s në terren?21 Mos vallë NATO-ja hidhte karamele nga ajri, që ju thoni se ishte konflikt joluftarak? Si thoni Ju, kemi patur luftë apo konflikt?
     Më poshtë, po në këtë doktrinë të NATO-s thuhet: “Me gjendje lufte duhet të kuptojmë pezullimin ose ndërprerjen e veprimtarisë normale politike e diplomatike midis palëve ndërluftuese dhe fillimi i veprimeve luftarake”22. A ndodhi kështu në Kosovë, zj. Izabella, ku dihet që edhe u krijua nje grup diplomatësh ndërkombëtarë dhe që u quajt Grupi i Kontaktit, për të ndaluar luftën në Kosovë, apo atëhere do të kini qënë duke bërë plash jashtë planetit tonë dhe nuk u interesonte që një popull prej 2 milionë njerëz, në planetin e Tokës, po masakrohesh nga ushtrija e një shteti super të armatosur, vetem e vetëm pse donin të ishin të lirë dhe të bashkoheshin me trungun amë, që edhe sot, Ju dhe shefat e tu, nuk e lini të shprehet lirshëm për atë dëshirë, edhe pse kini një rezolutë që e thekson këtë të drejtë? Serbia bënte mashtrime bisedimesh me disa nga politikanët tanë se, gjoja kish veprimtari normale politike, por nuk ia hodhi dotë as popullit shqiptar në Kosovë dhe kombit shqiptar dhe as botës demokratike. Edhe këtë e keni të qartë, besoj.
     Më poshtë, po në atë Doktrinë theksohet: “Kufiri midis konfliktit jo-luftarak dhe luftës, po ashtu është i padallueshëm qartë”23. Sipas këtij përcaktimi kemi konflikt joluftarak dhe luftë, ku konflikti luftarak thuhet se është luftë. Madje, më poshtë, po në atë Doktrinë thuhet: “Ekzistojnë tre gjëndje që ndërthuren me njëra tjetrën: paqja, konfliktet joluftarake dhe lufta”24. Besoj se e kuptoni znj.Izabella, Ju dhe ata që rrinë prapa Jush se, shprehia e juaj se, “në Kosovë kemi patur vetëm thjeshtë një konflikt”, pa e përcaktuar as saktë se çfarë konflikti, është thjesht një nonsens dhe asgjë tjetër?
      Ndërsa, po t’i referohemi paragrafit 0104 të po asaj Doktrine, mësojmë se në Kosovë kemi patur një luftë të përgjithëshme, sikundër është shprehur edhe z. Gelbard, pasi atje thuhet shprehimisht: “Në luftën e përgjithëshme (luftë për mbijetesën kombëtare), veprimtaria normale civile ose është pezulluar ose është vënë në funksion të veprimtarisë ushtarake. Kjo gjëndie është e pranueshme vetëm në rrethanat kur mbijetesa kombëtare është vënë në rrezik”25. Në rast se nuk e keni ditur, zonjë e nderuar, mësojeni që veprimtaria normale civile në Kosovë ishte ndërprerë qysh 6 vjet para se të shpërthente lufta e jonë çlirimtare dhe po bëhej shpopullimi i Kosovës me forma djallëzore. Njëkohësishtë tërë populli shqiptar i Kosovës ishte përzënë nga vendet e punës, në bashkpunimin Serbi – kolaboracionistë, dhe ishin sjellë serbë të tjerë nga vende të tjera të ish Jugosllavisë, duke e vënë tërë pushtetin dhe ekonominë e Kosovës në funksion të shpopullimit të saj nga shqiptarët. Në këto rrethana vihej në diskutim mbijetesa kombëtare e dy milionë shqiptarëve, ndaj ajo është e pranueshme të quhet gjëndie lufte, zj. Izabella dhe jo konflikt, sipas qëllimit tuaj, pasi “Në konfliktet jo-luftarake – theksohet në atë Doktrinë – do të jenë veprimtaritë politike dhe jo ato ushtarake që do të përbëjnë mjetin kryesor për zgjidhjen me sukses të konfliktit”26. Sipas këtij përcaktimi, në rast se do t’u besonim Juve, atëherë do të thuhej se NATO-ja ndërhyri gabimisht me forca ushtarake në Kosovë, pasi shqiptarët kishin thjesht një konflikt të rëndomtë me sebët: e lagu, s’e lagu, ose thjesht “për mustaqet e Çelos”, sikundër thonë andej nga Jugu i Shqipërisë.
     Meqenëse jemi te konfliktet joluftarake, në atë Doktrinë thuhet: “Kundërveprimi minimal ushtarak në një konflikt jo-luftarak mund të jetë përfshirja aktive dhe në thelb jo e dhunëshme e resurseve ushtarake të palëve të pa anëshme në konflikt”27. Ndërsa në paragrafin 0107 thuhet: “Kundërveprimi në konfliktin jo-luftarak është operacioni jo-luftarak…Kundërveprimi për luftën është operacion luftarak (bërja e luftës)”28. Mirëpo në Kosovë, NATO-ja, si palë e pa anëshme, ndërhyri ushtarakisht dhe me dhunë të fuqishme për 78 ditë rjesht pa ndërprerie anjë orë, për të bërë luftë apo hodhi nga ajri ca karamele me rastin e pashkëve, sipas Jush? Mos vallë, po sipas Jush ,në Kosovë patëm thjesht një paradë spektakolare të aviacionit nga ana e NATO-s, apo luftë për jetë a vdekje? Besoj se jini e qartë, apo jo? 
     Dhe, që ta përfundojmë me atë Doktrinë, po citoj paragrafin 0106, ku flitet për kundërveprimin luftarak dhe thuhet: “Në një luftë të përgjithëshme të gjithë resurset e një shteti vihen në dispozicion për të siguruar mbijetesën kombëtare, dhe niveli i përkushtimit dhe i angazhimit mbarëkombëtar duhet të arrijë në nivelin më të lartë”29. Dhe në fakt kështu ndodhi me ne. I tërë kombi shqiptar u ngrit në këmbë. Vetëm nga SHBA, Kanadaja dhe Australia mbritën gati 5 mijë vullnetarë me origjinë shqiptare për të shpëtuar Kosovën nga shfarosja dhe shpopullimi. Brenda 2 javësh mbritën në portin e Durrësit, 11 mijë vullnetarë shqiptarë dhe të huaj, të gjithë nga Perëndimi, për të marrë pjesë në Luftën tonë Çlirimtare, që Ju, zonjë e nderuar, e quani konflikt pa vlerë. Ndër këta 11 mijë vullnetarë pati edhe gjermanë, francezë, italianë, finlandezë, suedezë, norvegjezë, spanjollë e plot të tjerë, gjë që i dha luftës sonë karkterin e një lufte internacionaliste. Dhe pse patëm të tillë vullnetarë, ata militantët dhe politikanët e LDK-së dhe sivëllezërit e simpatizantyët e tyre në Republikën e Shqipërisë na quajtën ne të UÇK-së ushtri komuniste dhe enveriste! Për çudinë e të gjithëve, asnjë qytetar perëndimor nuk iu bashkua ushtrisë sërbe, por vetëm rumunë, bullgarë, maqedonas, grekë, ukainas e rusë, i cili është një fakt shumë kuptimplot. Kjo tregon se, jo vetëm që ai “konflikti” i Juaj ishte luftë dhe vetëm luftë, pasi në konflikte nuk premton koha që të vinë vullnetarë nga shtete dhe kombe të largëta, por vërtetoi se vetë popujt perëndimorë e kanë përcaktuar atë luftë dhe madje luftë të drejtë, luftën tonë, dhe si të tillë edhe popullin tonë e veçojnë nga të gjithë popujt e tjerë të Evropës Juglindore, duke e quajtur popull perëndimor. Dhe sikur vetëm këtë fakt të marrim, ajo ndeshje luftarake serbo-shqiptare ishte luftë dhe jo konflikt.
     Më gjej në historinë e luftrave botërore, një mobilizim kaq të shpejtë e kaq të madh, që të vinë e të mobilizohen ushtarë vullnetarë, madje edhe bijtë e të larguarve para 50 apo 100 vjetësh, përveç internacionalistave. Këtë mobilizim kaq të shpejtë nuk e realizojnë as shtete të regullta, por ja që e realizuam ne, shqiptarët e shpërndarë në të katër anët e globit. Ky është karakteri shqiptar, (por fatkeqësisht politikanët tanë nuk e kanë këtë karakter, pasi ua shpëlajnë trurin të huajt). Dhe këtë e bëmë vetëm e vetëm për të luftuar kundër asgjësimit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë dhe jo për qejf, për konflikt fjalësh, sikundër kërkoni ta denigroni Ju, znj. Karloviç, atë luftë, e ta fyeni këtë komb heroik, vetëm e vetëm pse jini simpatizuese e sërbëve, dhe vetëm e vetëm pse ky komb ka përqafuar fenë muslimane. Nuk u ndalon askush se kë të simpatizoni, por nuk u lejohet as pak, për vendin e punës që kini dhe as për kulturën tuaj, që ta fyeni një popull të tërë, i cili për të fituar lirinë e tij iu desh të flijonte mbi 2 mijë dëshmorë dhe t’i vriteshin mbi 12 mijë viktima.
Le të hyjmë në analizën konkrete të lufts në Kosovë
     Në enciklopedinë “Wikipedia”, ku flitet edhe për luftën në Kosovë, thuhet shprehimisht: “Lufta është një konflikt në të cilin pëfshihen përdorimi i organizuar i ushtrive dhe i forcave fizike midis vëndeve të ndryshëm ose grupeve të armatosura në një shkallë të madhe”. Po ua jap edhe në origjinal: “War is any conflict involving the organized use of arms and physical force between countries or other large scale armed groups.”
     Po e analizojmë këtë përkufizim. A pati përdorim të organizuar nga Sërbia të një ushtrie kundër popullit shqiptar në Kosovë? Po pati. Doni apo nuk doni ju, vetë sërbët e pranojnë se në Kosovë përqëndruan 95 mijë forca të armatosura, të të gjitha llojeve. Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe rreth 100 mijë sërbë të aftë për pushkë të Kosovës, që iu bashkangjitën totalisht dhe egërsisht asaj ushtrije, si dhe rreth 20 – 30 mijë maxhupë dhe egjiptianë të mashtruar të Kosovës, shifra na shkon gati 220 -230 mijë forca të armatosura. Të përqëndrosh një ushtri kaq të madhe, afërsishtë sa forcat e koalicionit që pushtuan Irakun gjatë këtij viti (2003), do të thotë se në Kosovë nuk kemi patur thjeshtë një luftë, por një superluftë. Ta them këtë për arsye se Kosova është 40 herë më e vogël në sipërfaqe se Iraku, i cili është 437 mijë km2 ndërsa Kosova 11 mijë km2 dhe sasia e forcave pushtuese është gati e barabartë, ku në Irakun e armatosur deri në dhëmbë i takonte një ushtar i koalicionit për 83 banorë irakenë, (popullsia e Irakut është 25 milionë, ndërsa e Kosovës 2 milionë), ndërsa në Kosovën e pa armatosur i takonte një ushtar pushtues për 8 banorë shqiptarë, që do të thotë një raport 10 herë më i lartë se ai në Irak. Besoj se bindeni që ata ushtarë nuk kishin ardhur për dasëm apo për shëtitje në Kosovë, por për të vrarë shqiptarë dhe për të djegur e plaçkitur Kosovën. Pra, nuk kemi të bëjmë me një konflikt jo-luftarak, por me një luftë të vërtetë. Besoj se nuk njeh historia e luftrave botërore një përqëndrim kaq të madh forcash kundër një populli të pambrojtur. Pra, kushti i parë, sipas përkufizimit të mësipër, se në Kosovë kishim luftë dhe jo konflikt, besoj se doli e qartë.
     Së dyti, atje thuhet “grupe të armatosura në një shkallë të madhe”. Kush ishin grupet e armatosura në një shkallë të madhe, që e detyruan atë ushtri qindra mijëshe të përqëndrohej në Kosovën e vogël? Ishin grupet e armatosura të popullit shqiptar të Kosovës, që u organizuan fillimisht në grupe të vegjël me nga 5, 7, 10, 15 veta, që ne i quajtëm njësite. Këto grupe të armatosura u krijuan në çdo krahinë të Kosovës, ku në fund të vitit 1997 kishim 42 të tilla, ndërsa në fillim të vitit 1998, pas luftës heroike të udhëheqësit të saj legjendar, Adem Jashari dhe families së tij, ato njësite u shumuan si në vetvehte por edhe si numur, gjë që lindi nevoja e krijimit të një institucioni për organizimin dhe drejtimin e tyre, duke e ndarë Kosovën në 18 nënzona, ku sejcila nënzonë përfshinte 200 deri 3000 luftëtarë të armatosur, dhe në muajin Qershor 1998 shifra e plotë mbriti 45 mijë vullnetarë.
Kur ndeshen dy ushtri, ka luftë e jo konflikt
     Në vjeshtën e vitit 1998, nga që radhët e “grupeve të armatosura në një shkallë të madhe” po rriteshin në propocion gjeometrik, forca politike që drejtonte luftën në Kosovë u detyrua të kalonte në një shkallë më të lartë të organizimit të saj: nga nënzona, u kalua në zona operative luftarake. Në përbërie të zonave u krijuan brigadat dhe disa batalione autonome. U krjuan 28 Brigada me nga 300 deri 2000 luftëtarë sejcila, të ndara në 6 (gjashtë) zona operative luftarake aktive, ndërsa 2 brigada të tjera, të zonës së 7-të, ende nuk i patëm angazhuar në luftime, por i shfrytëzonim për logjistikë.
Në krye të kësaj ushtrie qëndronte një Shtabi i Përgjithëshëm i saj, ku deri 50% të tij ishim ofecerë kariere me akademi ushtarake, dhe të gjitha drejtoritë përkatëse drejtoheshin nga specialistë që kishin diplomuar në Universitetin e Prishtinës apo në ata të ish Jugosllavisë, gjë që plotësohej 100% kushti i katërt i konventës së Gjenevës.
     Tash po u pyes Juve, zonja Karloviç: Kjo ushtri shqiptarësh me 28 brigada dhe kaq e organizuar, e cila krijohet në kushtet e një terrori të ushtruar nga një ushtri qindramijëshe, e armatosur deri në dhëmbë, u krijua për t’iu bashkangjitur ushtrisë sërbe apo për të luftuar kundër asaj ushtrije barbare 230 mijëshe? Gjithashtu, dua të më ktheni përgjigje dhe të më tregoni se a ka ndonjë qënie të gjallë që kur i vret kush fëmijën apo pjellën e vet dhe nuk rebelohet dhe nuk ndeshet për jetë a vdekje me agresorin? Ajo ndeshje për luftë a vdekje quhet luftë apo konflikt? Si mund të rrinin të qetë e të mos luftonin shqiptarët në Kosovë, për të mbrojtur fëmijët, prindërit, vëllezrit dhe motrat e tyre kur ushtria dhe policia serbe ua rrëmbente nga duart për t’ua therrur?
     Që Ju, zonjë e nderuar, të ngeleni e qartë plotëshishtë dhe, që nesër të kini kurajon të kërkoni ndjesë, (po qe se kini kulturën sikundër na hiqeni), unë po u vij në ndihmë për t’u shpjeguar dallimin midis luftës dhe konfliktit, duke u cituar, së pari, Klauzeviçin, teoricienin më të njohur ushtarak të botës Perëndimore, i cili thotë: “Lufta është thjeshtë vazhdim i përpjekieve me mjetet e tjera”. Si rjedhojë, lind pyetja: A kish kohë që Serbia po bënte përpjekje të shpopullonte Kosovën, duke organizuar dhe nxitur largimin prej saj të shqiptarëve, ku, në bashkpunim me kolaboracionistët tanë, ngriti me dhjetra agjensi legale e ilegale për ta realizuar atë qëllim? Përgjigjia është, Po! Apo jo? Që kishin atë qëllim tërë ato angjesi legale, e tregon edhe fakti se pse nuk u riaktivizuan ato edhe pasi erdhët në Kosovë ju, UNMIK-asit!
     Kur Serbia e pa që populli ynë rrëmbeu armët ngaqë e kuptoi atë përpjekje të saj të fshehtë, atëhere ajo filloi ta bënte shpopullimin me mjete të tjera dhe haptas, me dhunë. Këtë e dini, pasi e pat theksuar disa herë edhe ish Presidenti i SHBA, z.Klinton, por dhe z.Kofi Anan, shefi kryesor i institucionit nga ka dalë Misioni, i cili paguan juve. Sipas Klauzeviçit, kjo lloj veprimtarije quhet luftë, ndërsa sipas teje quhet konflikt. Të lumtë, je më stratege së Klauzeviçi! Por, helbete, vendi juaj kufizohet me atë të Klauzeviçit. Gjithashtu, dua t’u pyes juve nëse, a e dini që populli shqiptar në Kosovë kish një shekull të tërë i cili vazhdonte të bënte përpjekje që të shkëputej nga sundimi i Sërbisë? Nëse nuk e dini, lutem pyet edhe fëmijët shqiptarë të kopshtit (kindergarden), madje edhe nëpër fshatra dhe do t’ua tregojnë. Në këto kushte, rrëmbimi i armëve nga ky popull për të hequr qafe atë sundim shfarrosës, a është “vazhdim i përpjekjeve me mjete të tjera”, sikundër shprehet Klauzeviçi? Dhe besoj se Ju tashmë e kuptoni, këtij populli nuk i kish mbetur alternativë tjetër. Atëherë, sipas Klauzeviçit, a kemi të drejtë ta quajmë luftë dhe jo konflikt?
Po Uesli K. Klark si e cilëson “konfliktin” në Kosovë?
     Por, që të mos u mbetet as edhe një dyshim tjetër, për cilindo, përsa i përket asaj se çfarë ka patur në Kosovë, luftë apo thjesht një konflikt qesharak, po u citoj ish Komandantin e NATO-s dhe të gjithë Luftës në Kosovë, Gjeneralin me katër yje, z. Uesli K.Klark, i cili drejtoi atë luftë. Ja si shprehet ai në librin e tij “Të bësh Luftë Moderne”: “Në të vërtetë neve kurrë nuk na është lejuar që atë ta quajmë luftë. Por, natyrisht, ajo ishte luftë. Ishte kjo një luftë moderne, lufta e parë e luftuar në Evropë pas një gjysëm shekulli dhe lufta e parë e luftuar ndonjëherë nga NATO-ja…Operacioni “Allied Force” ishte një luftë moderne – e kufizuar…Kjo luftë nuk ishte asgjë tjetër, përveç se luftë moderne”30. Besoj se mbetët e qartë, zj. Karloviç, Ju dhe ata që u kurdisin Juve, apo jo?
     Duke ua përmbledhur disa nga faktet dhe argumentet kryesore, për të bërë dallimin midis luftës dhe konfliktit, besoj se do të ndërgjegjësoheni dhe do t’i kërkoni të falur popullit tim, për atë ofendim të madh që i bëtë gjakut të derdhur prej tij për çlirim. Në rast se ju nuk e bëni këtë veprim, atëhere na lind e drejta mua, dhe çdo shqiptari të vërtetë, të dyshojmë se, edhe shkuaria e forcave të KFOR-it Frances, disa ditë pas deklaratës suaj, tek shtëpia e familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, shtëpia simbol e rezistencës sonë kombëtare të armatosur, e cila është shndëruar tashmë si një Mekë apo si Jeruzalem, për tërë shqiptarët, kam bindjen se mund të mos jetë e rastësishme, dhe se mund të kemi të bëjmë me një skenar të përbashkët, midis UNMIK-ut dhe KFOR-it, për të përdhosur simbolet dhe historinë tone të re si dhe për të provokuar pulsin tonë. Pikërisht për këtë arsye, ky veprim i papranueshëm, mund të sjellë reagime të formave nga më të ndryshmet prej shqiptarëve në Kosovë dhe përgjegjësia atëhere do t’iu mbetet Juve dhe institucionit që Ju përfaqësoni, zonjushë e nderuar. 
      Shenim: Kjo letër iu dërgua gjithë gazetave dhe mediave të tjera në Prishtinë, por përveç transmetimit të disahershëm nga radio “Kosova e Lirë” dhe futjes në internet nga agjensia e lajmeve “Kosova Press”, asnjë organ tjetër nuk pranoi ta botonte, nga halli se mos na mërzitej zojusha Karloviç dhe shefat e saj, si dhe ngaqë janë “të pavarura”. Por, meqenëse kohët e fundit kanë filluar ta tjerrin përsëri këtë lloj “muzike”, e kompletova edhe më shumë argumentimin e të qënit luftë të asaj ndeshjeje midis kombit tonë me Serbinë. (Tiranë, 30. 03. 2012)
Referencat
1. Znj. Izabell Karloviç e bëri këtë deklaratë, në cilësinë e Zëdhënëses së UNMIK-ut, në 20 tetor 2003, në konferencën e radhës së saj për mediat në Kosovë, në Prishtinë.
2. Fjalori “Collins, Cobulled”, botim i Universitetit të Birminganit, viti 2001
3. Me betejë (battle) kuptojmë një sërë luftimesh të lidhura midis tyre, (me kohëzgjatje më të madhe se një luftim), që mund të përfshijë forca më të mëdha se në një luftim dhe që mund të ndikojë në zhvillimin e operacionit.
4. Shih fjalorin e A.S. Hornby (Horbi), botim i Universitetit të Oksfordit, Londer 1977
5. Shih ‘Raporti për të drejtat ndërkombëtare 419”, i Dhomës së Gjykime të GJND (http://www.loc.gov/rr/frd/Military_Laë/pdf/war_crimes_trials)
6. Intervistë dhënë BBC, 25 maj 1999.
7. Doktrina e forcave të armatosura e RSH, Tiranë 2009, f. 60-61
8. Manuali MFT 3-16-1, Qëndra e Përkthimeve Uushtarake, Tiranë 2005, f. 356
9. Po aty, f. 354 – 355
10. Statuti i Romës, 17 Korrik 1998, (i korrigjuar nga procesverbali i dt.10 Nëntor 1998 dhe 12 Korrikut 1999)
11. Sam C. Sarkesian: “Përtej fushës së luftimit” (Beyond the Battlefield), ShBU, Tiranë 1995, f. 95
12. Po aty, f.95-96.
13. Po aty, f. 99.
14. Gazeta “Rilindia”, Tiranë, e datës 06.06.1998.
15. PGJ I, Neni 43, paragr. 1 dhe 44 & paragr.7
16. Shih neni 5 i Traktatit të NATO-s
17. Shih Shpëtim Golemi: “Rruga që më çoi në radhët e UÇK”, Prishtinë 2004, f. 82-85
18. Në muajin prill 1999 forcat serbe përdorën edhe LHL në rajonin e Junikut
19. “Doktrina Taktike e Forcave Tokësore të NATO-s”, [ATP-35(B)], Tiranë 1999, paragrafi 0104, neni “a”
20. Po aty, paragrafi 0104, neni “b”.
21. Bill Klinton: “Ne luftën, ju paqen”, “Albania”, Tiranë 2000, f. 82
22. “Doktrina Taktike e Forcave Tokësore të NATO-s”, paragr. 0104, neni “b”.
23. Po aty
24. Po aty, paragrafi 0107
25. Po aty, paragrafit 0104, nenin “c”, pika (1).
26. Po aty, paragrafi 0105
27. Po aty, paragrafi 0106, neni “b”.
28. Po aty, paragrafi 0107
29. Po aty, paragrafi 0106, neni (a), pika (1).
30. Wesley K. Clark: “Waging Modern War”, USA in 2001 by Public AffairsTM, page: XIV, XXV,XXVI
FUND

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

I PATHYESHMI

I PATHYESHMI Nga Margarita Syziu,  Toronto (Kanada) 6 Mars 2023 Kushtuar Mehmet Hajrizit, në ditën e shenjtë të…