DILAVER GOXHAJ: SHTETI I QEVERISUR MË MIRË ËSHTË AI QË I AFROHET MË SHUMË MODELIT TË INDIVIDIT

Tiranë, 26 Maj 2020: (Diskutim midis filozofit Sokrat dhe Glaukonit)

Sokrati: A nuk duhet, për të rënë dakort, Glaukon, që ne të kërkojmë të dimë para së gjithash, se cila është në organizimin e SHTETIT e mira më e madhe, e mirë të cilën ligjvënësi duhet ta ketë parasyash kur vendos ligjet, dhe cila është e keqja më e madhe, pastaj të shqyrtojmë nëse ajo që kam propozuar unë, na vë në rrugën drejt kësaj së mire apo na largon nga kjo e keqe?
Glaukoni: Kjo është shumë e domosdoshme.
Sokrati: Por, a mund të ketë për një SHTET të keqe më të madhe sesa ajo që e ndan mëdysh dhe, nga një SHTET i vetëm krijon shumë të tjerë dhe, të mirë më të madhe sesa ajo që e bashkon dhe e bën një të vetëm?
Glaukoni: Nuk mund të ketë.
Sokrati: Tani, ajo që bashkon, a nuk është vallë përbashkësia e gëzimit dhe e dhimbjes, atëhere kur, për aq sa është e mundur, të gjithë qytetarët gëzohen apo dëshpërohen në të njëjtën mënyrë për të njëjtat suksese dhe për të njëjtat fatkeqësi?
Glaukoni: Sigurisht, kështu është.
Sokrati: E kundërta, ajo që na ndan, a nuk është vallë egoizmi për gëzimin dhe dhimbjen, kur një palë janë të dëshpëruar, kurse pala tjetër në kulmin e gëzimit për atë që po i ndodh qoftë SHTETIT qoftë qytetarëve të veçantë?
Glaukoni: Pa dyshim.
Sokrati: Dhe një gjë e tillë, nga vjen, në mos nga fakti që të gjithë qytetarët nuk thonë në të njëjtën kohë të njëjtën fjalë: kjo është imja, kjo nuk është imja, madje, edhe kur flasin për një gjë që është e huaj për ta?
Glaukoni: Nuk ka gjë më të vërtetë se kjo.
Sokrati: Kur pjesa më e madhe e qytetarëve thonë për të njëjtën gjë, parë në të njëjtin raport: kjo është imja, kjo nuk është imja, a nuk është kjo shënja e qeverisjes më të mirë?
Glaukoni: Më të mirë, dhe shumë, madje.
Sokrati: E ç’të thuash pastaj për SHTETIN që i afrohet sa më shumë individit? Kur, për shembull, neve na qëllon dikush e na vret në një gisht, gjithë bashkësia trupore e shpirtërore, radhitur nën një qeverisje të vetme në bazë të parimit që e drejton, e ndien këtë goditje dhe vuan e gjitha me palën e plagosur, dhe pikërisht këtu ne themi që njeriut i dhemb gishti; dhe kjo thuhet edhe për të gjitha pjesët e tjera të trupit që e bëjnë të vuajë, dhe që ai kënaqet kur plaga shërohet.
Glaukoni: Vërtet, kështu është; dhe, për t’iu përgjigjur pyetjes sate, duhet thënë se SHTETI i qeverisur më mirë është ai që i afrohet më shumë modelit të individit.
Sokrati: Sikur t’i ndodhë diçka, e mirë apo e keqe, një qytetari, një SHTET i tillë mendoj se do të jetë i pari që do të thotë se është ai vetë që po vuan, dhe ai do të gëzohet dhe do të dëshpërohet i gjithi bashkë me atë.
Glaukoni: Kështu duhet të ndodhë, nëse çdo gjë regullohet siç duhet.
***

Shënim: Nxjerrë prej “Republika” i Platonit, Libri i Pestë, X
Tiranë, 26 maj 2020
___________

Shtojcë e pashtrikut
‘Republika’ e Platonit, në vendin e parë!

Platoni është filozofi me ndikimin më të madh në qytetërimin botëror dhe sidomos atë europian. I lindur në Athinë, (427- 347 p.e.s.), ai ishte një student i Sokratit, filozofit më të madh të të gjitha kohërave, dhe më pas ai u bë mësues i filozofit tjeter te madh grek, Aristotelit. Republika” si dhe “Dialoget” janë mbështetur në fillim në mësimet e Sokratit dhe më pas Platoni përshkruan idetë dhe qëndrimet e veta për Shtetin, të drejtën, virtytet e njeriut dhe për qeverisjen. Qëllimi i Platonit është që të krijojë shoqërinë e drejtë, një mënyrë të drejtë dhe me virtyte të të jetuarit të përbashkët, një shoqëri të udhëhequr nga mbretër filozofë, me virtyte dhe të drejtë. Sot, që duket sikur informacioni është bërë “masa” e kulturës dhe e dijeve, nevoja për mësimet e Platonit është më e madhe se kurrë. Informacioni nuk e mënjanon dhe as e mohon apo e bën të panevojshëm atë që është kryesorja në çdo shoqëri, qëndrimin ndaj gjërave, jetës, veprimeve tona, shoqërisë, të drejtës dhe virtyteve. Gazeta e njohur amerikane Washington Post shkruan pas një studimi për librat më të lexuar në Universitetet elite të USA: “Ka dy mënyra për t’u diplomuar në Ivy League Education, (që përfshin tetë universitetet më të mira amerikane, Brown University, Columbia University, Cornell University, Dartmouth College, Harvard University, the University of Pennsylvania, Princeton University, and Yale University). Njëra mënyrë është që të shpenzosh 200,000 dollarë për të studjuar në këto Universitete, tjetra është të lexosh falas librat e këtyre Universiteteve.” Në listën e librave më të lexuar, është ‘Republika’ e Platonit, është në vendin e parë.

DILAVER GOXHAJ: BISEDË SOKRATIKE SESI DUHET TË JENË GJYKATËSIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10056

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura