Nga arkivi i LRSSHJ-ës, mars – tetor 1984
DISA VËREJTJE NË PIKA TË SHKURTËRA NË LIDHJE ME NUMRIN E FUNDIT TË “ZËRIT TË KOSOVËS”
Nuk do të ndalem gjatë në analizimin e këtij numri të ZK, duke shpresuar se do të jetë numri i fundit me lëshime kaq të rënda, por po i cek vetëm disa nga më karakteristiket:
– Edhe ky numër i ZK është fletushkë e një personi e jo Organ i LRSSHJ pasi asgjë nuk ka në të që e bën një Organ që të jetë Organ i një Organizate të caktuar, përveç disa përkrahjeve sipërfaqësore që ia bën Organizatës Organ i së cilës është.
– Ky numër është i ngarkuar me gënjeshtra që e bëjnë të turpërohet çdo patriot të ndershëm që ka aftësi për me vlerësuar një Organ ashtu si duhet. Në të flitet për dhjetëra mijra traktet që i paska shpërndarë Heroi Rexhep dhe se i vetmi njeri i organizuar paska qenë Heroi Rexhep që qenka dënuar në vitin 1976, gjegjësisht, burgosur në vitin 1975 kur u burgosën rreth 40 (katërdhjetë) patriotë e revolucionarë, në ball me Heroin Adem Demaçi! Po të ishte gjallë Heroi Rexhep, do t’ia shqyente gojën autorit të kësaj gënjeshtre të turpshme, kurse dihet me fakte se të gjithë ata persona u burgosën dhe u dënuan si njerëz që kanë vepruar në kuadrin e Organizatës patriotike-revolucionare /LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS/, kurse nga ana tjetër, vet Uka e ka dokumentin në dorë (Aktakuzën e Heroit Adem Demaçi në ball të 19 të akuzuarve që u dënuan në vitin 1976) në të cilën thuhet se “kan tentuar me formuar organizatën armiqësore LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS”. Kjo rrethanë nuk e nderon askënd, por tregon dobësinë e personit që ka për qëllim me varrosë edhe veprimtarinë e Heroit Adem e të dhjetëra e dhjetëra të tjerëve dhe me i shpallë si “viktima” të okupatorit, kurse nga ana tjetër me nxjerrë vetin se gjoja paska qenë i “vetmi” njeri që paska punuar pranë tij, ndonjë Rexhep dhe ndojë Kadri.
Këtyre marifetllëqeve po ju hyn Uka në stilin e A. Prapashticës dhe po i tregon qëllimet e veta edhe më mirë prandaj nuk kanë si me përfundue pa pasoja të rënda.
Për hir të së vërtetës, duka pasur bindjen se ka ndokush nga anëtarët e lartpërmendur që, nuk e din këtë të vërtetë, po japim një sqarim shkurtimisht: UDB-ja kishte fakte në dorë për aktivitetin e LËVIZJËS NACIONAL ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, por nuk kishte kurrë një fakt për asnjë anëtar të saj. Kishte supozime se edhe kjo Organizatë është vazhdim i Organizatës LRBSH të formuar në vitin 1962 nga Heroi Adem Demaçi, por gjithnjë pa pasur mundësi t’u bjerë në gjurmë, pasi në të vepronin njerëzit me përvojë të duhur dhe nuk bënin gabime. Në vitin 1975 u burgosën në bazë të supozimeve shumë luftëtarë të Lirisë, sidomos të aktivistëve të viteve 1968, pasi që UDB-ja kishte indikacione se LRBSH po në atë vit u riorganizua në LNQK (më vonë e zgjeroj emrin me kërkesën e aktivistëve jashtë Kosovës në LNÇKVSHJ) në LNQKVSHJ.
Për këtë arsye u burgosën shumë prej tyre në ball me Heroin Adem Demaçi i cili nuk qenka marrë me aktivitet patriotik gjatë 16 muajve që qëndroi në Kosovë dhe jashtë Kosovës, por ia paska vjedhë kungujt e arave të Tomocit, ashtu si po del nga filozofimet e Ukës. Ndoshta për atë e paskan burgosur! Shkurt, për këtë ekzistojnë dokumentet: Gjatë tërë gjykimit që u mbajt në fillim të vitit 1976 ku u dënua Heroi Adem Demaqi vetë i nëndëmbëdhjetë absolutisht nuk u bë fjalë për GRUPIN REVOLUCIONAR të Ukës, por u bë fjalë për LËVIZJËN NACIONA ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS. Në atë gjykim nuk është dënuar i vetmi, Heroi Rexhep, si i riorganizuar ashtu si gënjen Uka, po përveç të tjerëve është dënuar edhe Celula e Rexhepit, janë dënuar shumë të tjerë të…, ka pasur ndonë viktimë. Çdo nder e respekt shokëve të GRUPIT REVOLUCIONAR, por gënjeshtra askënd nuk e nderon e më së pakut autorin e gënjeshtrës. Eshtë fakt se është ndjerë aktiviteti i Ukës në atë periodë, por disa herë është biseduar në mesin e kuadrove çështja e tij dhe të gjithë jemi habitur se si nuk po burgoset, pasi që aktiviteti i tij ka qenë thuajse legal, pasi që shkonte në Universitet dhe ua tregonte revolen studentëve duke e çelur pallton e duke i dalur revolja në brez. Këtë ia kam thënë Ukës, kurse kuadri i lartëpërmendur që e pat shtruar këtë çështje të Ukës atëhere, ende është gjallë e nuk ka vdekur.
Të gjithë shokët kanë qenë të bindur se është fjala për një spiun, ashtu si u bë edhe shoku i tij, me të cilin ra në burg në vitin 1969, Islam Blakaj, për të cilin tash po shkruan në ZK për ta demaskuar. I vetmi person që e kam mbrojtur, kam qenë unë dhe me këmbënguljen time është caktuar aktivisti për me e këshillue dhe me udhëzue dhe pasi e mori në dorë ai person edhe Uka ndryshoi qëndrimin. Por ishte bërë vonë, pasi që Uka me veprimet e veta ishte zbuluar qysh në atë kohë, por UDB-ja mundohej që nëpërmes tij me ra në udhëheqësit e LNQK. Kur e pa se nuk po mundet me ia arritë qëllimit, u burgos vet i pesti. Uka gjatë hetimeve, çka është e vërteta nuk e qiti aktivistin e lartëpërmendur edhe se në atë kohë, me vendimin e Beogradit ka qenë ndaluar tortura (kjo ka qenë një kohë e shkurtër, pasi që në atë kohë u dënua edhe partia e Dr. Boskoviqit. Kemi supozuar se ky fakt ka ndikuar që ndaj këtij grupi në atë kohë nuk është bërë tortura). Këta ma ka thënë edhe një shok i Ukës, po sa doli prej burgut dhe erdhi e më vizitoi, pasi që unë kisha mundësi me shkue te Ai.
Edhe një vërejtje: Pa marrë parasysh mendimet dhe bindjet tona për Shaban Polluzhën, çka e ndihmon luftën për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, aktualizimi i tij dhe i luftërave të tij në këtë etapë, deri sa dihet se kundër tij kanë luftuar të gjithë ata që po i quajmë heronj; Gjeladin Hana, Rifat Berisha, por ashtu si na tha me një rast Profesori mua dhe Skënderit: “Të gjithë ata që e përkrahin veprimtarinë e Shaban Polluzhës, shkojnë me të, pasi ne kemi luftuar kundër tij dhe kundër atij që kemi luftuar, ne e kemi armik përgjithmonë”. Ne i thamë se Shabani përmendet edhe në librin SHOTA DHE AZEM GALICA, ai na u përgjegj: “Kjo ka qenë gabim”.
Kurse thirrja që të vazhdohet epopeja e Shaban Polluzhës, e cila paska filluar me krismat e armëve të Rexhepit e të Nuhiut, ashtu si shprehet Uka në këtë numër të ZK, tregojnë më së miri se Uka jo vetëm i shkel vendimet e bashkimit të shpallura në Komunikatë, por tregon se është armik i përbetuar i LRSSHJ dhe se kjo thirrje e tij, përputhet plotësisht me akuzat që po na i bën Nikolla Lubiqiqi dhe serbomëdhenjë të tjerë dhe zagarët e tyre. Ju lutem shokë, sidomos këtë analizoni sa më mirë se kjo është ajo që po kapemi më së tepërmi dhe kjo duhet të ndërpritet sa më parë, ose do të ndodhë më e keqja në qoftë se vazhdon edhe pas tashit. Në fund po e cek edhe një rast që e tregon dobësinë e Ukës, i cili me këtë tregon dëshirën, jo vetëm që të lihet në harresë një person, por të lihet në harresë edhe një fazë e aktivitetit të luftës së forcave patriotike-revolucionare në ballë me Heroin Adem Demaqi:
– Para gjashtë muajve ju dërgua një material i gjatë për dëshmorin Hilmi Rakovica në të cilën bëhej fjalë për veprimtarinë e Dëshmorit dhe njëkohësisht të vetë Organizatës në të cilën ka milituar. Këtë material e vlerësoi një person që i ka shkruar 12 vepra të gjinive të ndryshme dhe e quajti, shumë të mirë dhe të shkruar në një stil të lartë. Kurse Uka e botoi një shkrim të vetin me llapa-llupa të zakonshme të tij, kurse materalin e përgatitur me shumë kujdes ashtu si shumë materiale të tjera, e hodhi në shportën e mbeturinave, kurse nga ana tjetër edhe se nuk tha kurgjë faktikisht për Dëshmorin në krahasim me ato që ishte dashtë të thuhet në materialin e përgatitur, por shkrimi i Ukës ishte ngarkuar me gënjeshtra naive. Në shkrimin e Ukës mes të tjerash thuhet se, Hilmi Rakovica ka qenë shok i ngushtë i Shaban Shalës, kurse Hilmiu as që ka qenë duke vepruar, por as që e ka njoftuar personalisht edhe se, në materialin e lartëpërmendur përmendet edhe dëshmori Shaban Shala, por jo si shok i ngushtë i Hilmiut, por si një Dëshmor i mëparshëm që e ka dhënë jetën heroikisht!
Mbetem me shpresë se ma nuk do të përsëriten këto gjëra dhe ZK do të jetë me plot kuptimin e fjalës Organ i LRSSHJ.
Përshëndetje vëllazërore e revolucionare,
Mërgimi (Sabri Novosella)
12.03.1984
***
TË DASHUR SHOKË!
Kjo veprimtari e ndyrë antilëvizje dhe antishqiptare e Xhafer Shatrit dhe Ibrahim Kelmendit nuk duhet të shërbejë si shkas për të krijuar hutim e dizorientim, sepse edhe qëllimi i armiqve është i tillë. Përkundrazi, duhet qëndruar të fortë e të patundur, duke mobilizuar të gjitha forcat rreth LRSSHJ dhe Komitetit të saj Qëndror, për ta vazhduar edhe më me vendosmëri rrugën e shokëve tanë të pavdekshëm: JUSUFIT, KADRIUT dhe BARDHOSHIT.
Të forcojmë lidhjet me njëri-tjetrin, duke luftuar pa mëshirë të gjithë armiqtë dhe provokatorët të cilët kanë një mision të ndyrë – përçarjen tonë. Por ne s’do të ecim ashtu si duan armiqtë, por ashtu si e do interesi i popullit tonë. Çdo përpjekje e agjentëve të ndryshëm për të na përçarë dhe shtrembëruar rrugën tonë do të dështojë me turp, përballë forcave revolucionare që kanë mbështetjen e popullit.
Ata (armiqtë) do të përpiqen me të gjitha mënyrat që t’i shantazhojnë të gjithë ata njerëz që nuk janë në gjendje t’i kuptojnë qëllimet e tyre të errëta dhe kurthet e tyre djallëzore. Prandaj ne duhet që të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, që njerëzve të ndershëm t’ua tregojmë realitetin, në mënyrë që të mos bien viktimë e provokatorëve dhe akrobatëve politikë, të cilët i kanë vu vetit detyrë të dizorientojnë luftën tonë të drejtë.
Kur është fjala për situata të ngjashme, Lenini me plot të drejtë thekson: “Njerëzit… kurdoherë do të jenë viktima naive të mashtrimit dhe të vetëmashtrimit në politikë derisa të mësohen që prapa frazave, deklaratave dhe premtimeve të ndryshme morale, fetare, politike dhe sociale të shohin interesat e këtyre ose atyre klasave”, (V. I. Lenin, Vepra, Vëllimi 19, faqe 9).
Qëllimi i “patriotëve” të tillë, është që të çorientojnë Lëvizjen dhe luftën e saj të drejtë. Për këtë qëllim u përpoq t’i pezullojnë materialet e KQ të LRSSHJ nga masa, të cilat sqaronin vijën politike të Lëvizjes, gjë që është në kundërshtim me interesin e serbomëdhenjëve dhe të akrobatëve politikë, të cilët në mënyrë perfide bëjnë punën e Udbës.
Të dashur shokë! Këtë Qarkore që po ua dërgojmë, e lexoni me të gjithë shokët e ndershëm, që kësthu të kemi të qartë situatën në të cilën gjindemi dhe të marrim hapat e menjëhershëm kundër këtyre renegatëve që kanë shkelur mbi gjakun e heronjëve, shokëve tanë më të mirë, kundër këtyre që sot historinë përpiqen ta kthejnë prapa, duke i servuar masës ide të mbrapshta dhe reaksionare, dielli i të cilave ka perënduar kaherë tek populli shqiptar.
Pra shokë, ndaj këtyre armiqëve nuk guxojmë të kemi fijen e mëshirës; tek ne nuk guxon të zërë vend dilema, oportunizmi e indiferentizmi, që do të ishte tradhti ndaj çështjes sonë të shenjtë dhe ndaj porosisë së fundit të shokut Jusuf, dhe gjakut të derdhur për liri.
Armiqtë duhet dhe do t’i luftojmë pa mëshirë me guxim dhe vetmohim revolucionar.
LUFTA E POPULLIT SHQIPTAR ËSHTË E DREJTË DHE DO TË TRIUMFOJË ME SIGURI.
ARMIQTË DHE PROVOKATORËT DO TË PËRFUNDOJNË ME TURP PERBALLË FORCËS SË POPULLIT SHQIPTAR.
PËRSHENDETJE REVOLUCIONARE
POSHTË TRADHTARËT!
Mërgimi (Sabri Novosella)
***
SHOKËVE TË KOMITETIT VËLLËZËRIT GËRVALLA / KVG
Shokë të dashur
Po ju drejtohem me këtë letër, me shpresë se, sado pak do t’ju ndihmoj me ringjallë KVG, i cili pas ramjes së shokëve Sokol dhe Besnik. Si vazhdon?
Eshtë e ditur se, KVG u minua nga Nuhiu dhe Osmani, po është gabim të shkapërderdhet dhe të punohet në mënyrë stihike, secili sipas dëshirës së vet, apo të shndërrohen njerzit në vegla qorre të ndonjë personi dhe të manipulojë dikush me ta, ashtu si paska tentuar Uka (Xhafer Shatri – Sh.B) duke vepruar me njerëzit. Një gjë e tillë është anti-Lëvizje dhe anti-kombëtare. Uka paska punuar t’i ndërrojë njerëzit në vegla qorre dhe në atë mënyrë të formojë një agjenturë prej njerëzve veç e veç dhe t’i përdorë ashtu si i teket atij, apo si e urdhëron dikush që gjendet prapa tij.
Një gjë e tillë me siguri ka përfunduar, pasi që i hasi sharra në gozhdë dhe puna nuk i pati sukses. Këtë e vërtetoi në mbledhjen e fundit, për të cilën mbledhje ju ka njoftuar shoku F. (Faridin Tafallari – Sh.B) dhe pas tashit nuk ka me pasur guxim me veprue në atë mënyrë, por dhe nuk ka me pasë mundësi, pasi qëllimet e tij janë zbuluar dhe nuk kanë me lejuar shokët me veprue ashtu.
Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të punohet ashtu si duhet, duke u organizuar në Komitete të Degëve, ku secili Komitet i degës me i pasur nga disa për rreth, ashtu që puna me shku në mënyrë të mirfilltë e jo në mënyrë stihike. Për çdo gjë me pasë mundësi shokët e Komitetit të Degës me u tubuar dhe me marrur vendim e qëndrim si forum i caktuar e jo me u bisedue për ndonjë çështje gojë më gojë dhe analizimi i asaj çështje me marrë kahjen e thashethemeve ku marrin hov intrigat e gjithëllojshme dhe i sillet dëm i madh Lëvizjes.
Që të mos ndalemi më tepër në të kaluarën, jam i mendimit t’i përvishemi punës në të ardhmen dhe nga kjo bazë shumë e mirë të shkohet përpara me hapa sa më të sigurt. Ashtu si u formuan në shumë vende komitetet e degëve të LRSSHJ, si në Zvicër – Komiteti i Degës: Rafi Halili, në Belgjikë – Komiteti i Degës: Murat Mehmeti, në Suedi – Komiteti i Degës: Nuhi Berisha, i cili është duke u kompletuar dhe në shumë vende të botës, ashtu si edhe në viset shqiptare në Jugosllavi ku kemi qenë dhe po shtohen për çdo ditë e më tepër, edhe te ju është mirë të riorganizohet KVG dhe të fillojë nga funksionimi i mirëfilltë.
Propozoj: Të tubohen shokët F., H., Bashkimi, kurse dy të tjerët t’i zgjidhni ju të tre, në konsultim me shokun S., i cili nuk duhet të jetë në atë Komitet, pasi që është i ngarkuar me punë të tjera, por duhet të konsultoheni me të vazhdimisht.
Ju i njihni më së miri shokët më të mirë që i keni në atë mes aty ku jeni duke vepruar dhe, ashtu si e ceka, i zgjidhni edhe dy shokë prej më të mirëve dhe e formoni KVG. E zgjidhni Kryetarin dhe 4 Sekretarë ku secili vendoset me punë të caktuar dhe secili punon me i përmbushë detyrat që i ngarkohen.
Jam i mendimit që shoku H., të zgjidhet Kryetar, kurse shoku F. edhe se është i ngarkuar edhe në Forumin më të lartë, duke pasur parasysh përvojën e tij, të zgjidhet edhe në këtë forum-arkatar. Është e vërtetë se shoku F., është mjaft i ngarkuar me punë në KQ dhe me klube, por duke pasur parasysh energjitë e tij të pashtershme, besoj se ka me i përballue edhe kësaj detyre me nder, ashtu si i ka përballuar të gjitha të tjerat deri më tani.
Pasi të formoni KVG, atëhere t’i lidhni të gjithë shokët me këtë Komitet në atë mes. Secili, ashtu si i ka lidhjet dhe të formohen celulat prej nga tre anëtarë dhe të punohet në konspiracionin më të thellë. T’i mbani lidhjet e rregullta, së paku një herë në muaj dhe të lexoni materialin që duhet t’ju vijë për çdo mbledhje, ashtu si duhet t’ju shkojë të gjitha komiteteve të degëve dhe të analizohet, të studjohet dhe të përvetësohet ai material; të analizohet puna që është zhvilluar në të kaluarën dhe të merren vendime për punën që është përpara dhe të caktohet detyra për secilin anëtar.
Pasi të mbahet mbledhja e KVG të shumëzohet ai material dhe t’ju jepet celulave, ashtu që edhe ato t’i mbajnë mbledhjet e veta të rregullta. Të përpunojnë materialin ashtu si ju dhe të marrin vendime për punën në zhvillim, të japin propozime, të bëjnë kritikë për çdo gjë që e shohin të arsyeshme se meriton kritikë dhe me shkrim t’u dorëzohet juve, gjegjësisht KVG dhe ju bashkë me propozimet dhe kritikat e tuaja ua dorëzoni shokëve të KQ nëpër mes shokut F., i cili është anëtar i atij forumi.
Materialet e KQ që ju vijnë Komiteteve të Degëve, nuk duhet me u shpërndarë masovikisht, ashtu si vepruan disa shokë, duke mos ditur se nuk duhet, por ato materiale janë vetëm për anëtarët direkt të Lëvizjes, kurse “ZK” duhet të shpërndahet ashtu si është shpërndarë deri më tani, por edhe shpërndarja e “ZK” duhet të jetë në mënyrë të rregullt, nga Redaksia duhet t’u shkojë Komiteteve të Degëve; kurse Komitetet e Degëve t’ua shpërndajnë Celulave, kurse anëtarët e celulave ta shpërndajnë masovikisht. Kështu të bëhet edhe tubimi i kontributeve dhe i pagesës për “ZK”.
Tjetër është dërgesa me postë që ju bëhet shumë mjediseve dhe individëve.
Në mbledhjen e parë që do të mbani, e përpunoni këtë letër dhe materialin që do t’jua dërgoj me këtë letër dhe të vazhdoni punën në mënyrë të mirfilltë e të drejtë.
Ju lutem mos e merrni këtë propozim timin si urdhër, apo si imponim, por si këshillë e një shoku tuaj dhe të Sokolit.
14.04.1984
Të fala vëllazërore dhe revolucionare
Mërgimi (Sabri Novosella)
***
K O M U N I K A T E
Të dashur vëllezër dhe motra,
Po kalon një vit që Xhafer Shatri po hedh baltë mbi luftën e popullit shqiptar; po kalon një vit që ai po tallet me “copat e republikës nën klikën revizioniste të Beligradit”; ka një vit që ai po mashtron dhe shantazhon shokë të ndershëm e patriotë; ka një vit që me kokën e tij të tymosur ka hedhur dhjetëra shokë nëpër burgje; ka një vit që nuk po kursen gurmazin dhe bojën, dhe duke mos zgjedhur mjetet, kohëve të fundit po organizon edhe atentate kundër shokëve tanë, në kohën kur vëllezërit dhe motrat tona po dënohen me burgje të përjetshme.
Duke e parë veten të lakuriqosur përpara masës dhe shokëve, i detyruar të mbajë radhët që po e braktisin dhe mjetet, tani ka qitur për fushë tërë patologjinë e tij. Përmes këtij trakti po duam t’ju njoftojmë vetëm rreth disa provokimeve e veprimeve që janë në natyrën e kriminelëve të tipit më të ulët. Po numërojmë disa raste nga notesi i tij i pasur në krime e poshtërsi nga më të ndryshmet:
1. Qysh në hapin e parë në emigracion, në muajt shkurt-mars 1982 (d.m.th. pak ditë pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës në Untergrupenbah, fshat afër Hajlbronit në Gjermaninë Federale), në kampin “Latina” të Italisë kishte nxitur shumë konflikte në mes të rinjve shqiptarë të arratisur nga Kosova, të cilët i kishte kërcënuar në forma të ndryshme sa menjëherë shumë të rinj u kanë shkruar shokëve të tyre se janë takuar me njeri shumë të dyshimtë e rrugaç të rrallë.
2. Rasti i mbrëmjes së demonstratës në Gjenevë, më 2 mars 1984, në të cilën e tregoi fytyrën e tij në sy të katërqind shqiptarëve të ardhur nga qytete të ndryshme të Evropës, kur organizoi sulm fizik para publikut, sulm me të cilin ia mori mikrofonin nga dora një të riu, i cili e kishte udhëhequr demonstratën e 10 dhjetorit 1982 në Gjenevë,
3. Rasti i mbrëmjes së 7 prillit 1984 në Dyseldorf, ku përmes telefonit kishte kurdisur skenarin se kush duhej të fliste e kush jo, edhe pse i kishin arritur me dhjetëra vërejtje për mbrëmjen e 2 marsit në Gjenevë, si për një rast i cili nuk duhet të përsëritet, pasi ishte një rast që i kishte fyer shumë rëndë në mënyrën më të poshtër të cilën ata nuk kishin qenë në gjendje ta merrnin me mend. Kur jemi tek kjo mbrëmje po themi edhe këtë: Xhafer Shatri shkroi shumë për mbrëmjen e 7 prillit të Dyseldorfit duke u munduar ta lerë në heshjte të plotë krimin e tij në mbrëmjen e 2 marsit në Gjenevë. Kur janë në pyetje kriminelët profesionistë, kjo edhe nuk të çudit, pasi të tillët për të mbuluar gjurmët gjithmonë druhen t’i bien asaj rruge në të cilën kanë bërë krimin e fundit kur bëhen gati për krime të reja,
4. Rasti kur me porosi të tij, një punëtor në St. Galen ia drejton revolen një bashkëvendasi të tij në lokalet e Klubit të punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia “Xheladin Zeçiri” në St. Galen,
5. Rasti kur me porosi të tij, një punëtor në rrethin e Bernit, sulmoi me një shufër metalike një të ri nga Kosova, që jeton si i ikur politik nga Jugosllavi në St. Galen, se gjoja e paska “tradhtuar çështjen”. E vërteta qëndron se ky i ri i sulmuar nuk i paska aprovuar pikëpamjet e Xhafer Shatrit.
Të dy rastet, katër dhe pesë ndodhën në fund të muajit maj 1984.
6. Rasti i fundit, më flagranti dhe i paparë, kur më 13 tetor të këtij viti, rreth orës 17 e 30 minuta shkaktoi një gjakderdhje të re, duke nxitur dy punëtorë shqiptarë (njëri prej tyre është ai të cilin e kishte nxitur të nxjerrë revolen në lokalet e klubit “Xheladin Zeçiri” për të cilin folëm në rastin 4) e sulmojnë një të ri (është në pyetje i njëjti i ri për të cilin folëm në rastin 5) kundër një shoku në St. Galen, me motive të ngjashme siç kishte vepruar gjatë përgatitjes së sulmit me shufër metalike, për ndryshim se tani sulmi ishte përgatitur me revole e thika duke i futur në përdorim që të dyjat.
Shtrohet pyetja: Çka e shtyn Xhafer Shatrin në këto krime? Pse ai po përpiqet të shkaktojë diçka tepër të poshtër në mesin e emigrantëve shqiptarë në Evropë? Pse ai i bën këto krime dhe ku qëndron shkaku se këto krime shënojnë disa ngritje në muajin maj dhe tetor të këtij viti? Ngjarjet janë të shumta, faktet nuk është vështirë për t’i gjetur.
– Në muajin maj të këtij viti, pas mbrëmjeve të Gjenevës dhe Dyseldorfit, të paralajmëruar se për shkak të natyrës së tij terroriste e kriminele, e vetmja mënyrë për t’u vazhduar lufta në vijë të drejtë mbetet vazhdimi i botimit të “Zërit të Kosovës”, i cili do të ndjekë vijën e përcaktuar më 17 shkurt 1982, punëtorët aktivistë të rrethit të Shtutgartit bënë përpjekjen e tyre për të organizuar një tubim kah fundi i majit 1984 në të cilin do të merrnin pjesë njëzetë aktivistët më të dalluar në mërgim nga radhët e punëtorëve, si dhe disa të tjerë nga të cilët ishte i thirrur edhe shkak të thirrjes së tillë ne u përgjegjëm pozitivisht dhe për këtë pezulluam nxjerrjen e “Zërit të Kosovës” për një muaj. Xh. Shatri, në kundërshtim me shokët te të cilët kishte një përkrahje, u mundua të sabotojë mbledhjen duke organizuar të dy provakacionet e muajit maj, që për nga radha janë rastet katër dhe pesë. Pasi nuk pati sukses atëherë iu përgjegj iniciativës për mbledhje nga ana e punëtorëve me jo.
– Paaftësia që t’i ulet karrigës, dhe me penën e tij të shtrembër të bindë njeri. Me përpjekjet e bëra vetëm çka u detyrua të demaskojë veten edhe më shumë.
– Pamundësia që në punën e tij të ulët kundër popullit e “Kosovës-Republikë” të angazhojë qoftë edhe një njeri të vetëm me logjikë të shëndoshë.
– Dalja e duçave të tij të bashkëpunimit me reaksionarë të nivelit më të ulët, siç është rasti i Enver Hadrit, i cili del me fakte nga të cilat kuptohet se kush ka kolaboruar me reaksionarë të mykur në emër të luftës e të popullit të Kosovës.
– Frika nga propozimi i fundit i punëtorëve aktivistë të rrethit të Shtutgartit, të bërë para disa javësh, në të cilin propozohet të krijohet udhëheqja e Lëvizjes pa disa persona të cilët janë eksponuar më shumë kohëve të fundit duke e përfshirë edhe Xhafer Shatrin. Krimi i tij i fundit ka për objektiv prishjen e një inisiative të tillë, e cila për të është shumë e rrezikshme, sepse siç duket kundër një ideje të tillë nuk janë edhe ata të cilët mendon se i ka me vete.
– Pamundësia të manipulojë si më parë me njerëz të rinj, të cilët pasi ia kanë parë fytyrën e vërtetë, po e braktisin. këto janë shkaqet kryesore, ky është realiteti i zymtë para syve të Xhafer Shatrit, i cili e bën të humbë mendjen, të xhindoset dhe të bëhet kriminel.
Konkluzion:
Në bazë të këtyre veprimeve të Xh. Shatrit shihet se kemi të bëjmë me një kriminel të atij niveli sa që edhe Udba sot mund të pendohet pse një kriminel i tillë nuk ia ka hapur dyert shumë më herët që t’ia kryejë shumë punë të cilat ajo nuk do të mund t’i kryente në asnjë mënyrë tjetër;
– se klubet e punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia në Zvicrën Perëndimore duhet të shtojnë vigjilencën ndaj veprimeve të një krimineli të tillë i cili udhëhiqet nga parimi (në lidhje me klubet) se ai klub i cili nuk bëhet han i rrugaçve, duhet shkatërruar;
– se punëtorët e Klubit “Emin Duraku” të Dyseldorfit, patën rastin të binden se kush është autori i krimit në mbrëmjen e 7 prillit në Dyseldorf, dhe kush është ai i cili bëri të gjitha përpjekjet të pengojë pajtimin e tyre, anipse krimineli në shkarravinat e tij kishte premtuar se “po iu besuan votat e erdhi në pushtet, do t’i pajtojë menjëherë gjaqet”;
– Se prej një tipi të tillë, i cili e ka zhytur veten në krime, i cili me mendjemadhësinë dhe papërgjegjësinë e tij ka dhënë shkas për burgosjen e rrugshme të dhjetëra shqiptarëve, se prej një tipi të tillë u thur lajka njerëzve me autoritet, siç është rasti me Kadri Osmanin, ndërsa nëpër biseda me njerëz e quan “qyqar i cili nuk ka guxuar t’i shprazë bombat të cilat ia kam dërguar”, mund të pritet gjithçka.
Edhe pak fjalë për zotin Xhafer i cili e gjuan gurin përpiqet të mfshehë dorën:
Ti mund të kërcënohesh ende, mund të vjellësh nga goja sa të duash kundër “Zërit të falsifikuar”, mund të shantazhosh njerëz të padjallëzuar duke i yshtur kundër shokëve e vëllezërve të tyre, mund të shtjerrësh gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve duke shkruar, mund të paguash edhe doras të tjerë për t’u dalur njerëzve në rrugë me revole e thika, mjaft që nuk i nis me ndonjë kilogram eksploziv për Kosovë; mund t’i caktosh vetes grada sa të duash, por kot e ke, sepse populli nuk largohet nga rruga e tij: sado pengesa që t’i qiten në rrugë, ai do të vazhdojë gjersa të heqë nga qafa edhe kriminelët me duar të zhytyra në gjakun e tij siç je ti. Duhet ta kuptosh se popullit mund t’i marrësh diçka me dhunë, por nuk mund t’i japësh. Populli i lexon, i shikon dhe i krahason të gjitha që sillen rreth tij dhe që kanë të bëjnë me të, dhe në fund zgjedh vetëm atë rrugë e cila është në interesin e tij.
Mërgimi – Sabri Novosella
Tetor 1984
———-
(Nga Faridi Tafallari: Terror, dhimbje, qëndresë, 1997, faqe 236 – 244)
Sheradin Berisha © Pashtriku.org, shkurt 2025