DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XVIII)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XVIII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba                                                   

-87-

Konfidenciale

E pabotueshme për shtetas të huaj

E botueshme për qeverinë e  Mbretërisë së Bashkuar

Zyra e Shërbimit të Fshehtë dhe Kërkimit                 

                                                                                                                          Raport 204-AR

                                                                                                                            20 gusht 1981

(U) Trazirat në Kosovë: ndikimi i tyre në marrëdhëniet

jugosllavo-shqiptare

Përmbledhje

(U)      Marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë janë përkeqësuar ndjeshëm që prej trazirave të fundit të shqiptarëve etnikë në krahinën e Kosovës. Zyrtarët jugosllavë kanë akuzuar Shqipërinë për nxitjen dhe organizimin e trazirave dhe për bashkëpunim me organizatat e emigrantëve anti-jugosllavë që kërkojnë shkatërrimin e shtetit jugosllav. Tirana, nga ana e saj, ka akuzuar jugosllavët, në veçanti serbët, për shfrytëzimin dhe persekutimin e pakicës shqiptare dhe për marrëveshje të fshehtë kundër Bashkimit Sovjetik.

(C)       Aktualisht, ekziston një perspektivëe vogël për ndonjë përmirësim substancial në marrëdhëniet dypalëshe përsakohë mbetet në fuqi regjimi doktrinar dhe stalinist i Hoxhës. Edhe shfaqja e një udhëheqjeje më pragmatike në Tiranë nuk mund të ndryshojë marrëdhëniet, veçanërisht nëse kjo udhëheqje do të ndjehej e kërcënuar nga politikat jugosllave. Në këto rrethana, Tirana mund të jetë mbase më e bindur ndaj propozimeve sovjetike sesa ka qenë nën regjimin e Hoxhës. Për jugosllavët, duken të pazgjidhshme problemet që lidhen me pakicën e tyre shqiptare të pabindur dhe me Shqipërinë armiqësore – së paku në aspektin afatshkurtër.

Reagimi fillestar jugosllav ndaj trazirave

(U)      Trazirat në marsin dhe prillin e kaluar të zhvilluara nga shqiptarët etnikë në Kosovë (një Krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë që është më e madhja e gjashtë Republikave përbërëse të Jugosllavisë) përbënin krizën e parë të madhe për udhëheqjen e pas periudhës së Titos dhe kërcënimin më të rëndë për sigurinë e brendshme që prej tronditjes nacionaliste kroate në vitin 1971. Sipas deklaratave zyrtare, trazirat – të cilat u organizuan nga studentë të Universitetit në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, për të protestuar për kushtet e tyre ekonomike por që menjëherë morën nota politike dhe nacionaliste – lanë 9 persona të vdekur dhe më shumë se 250 të tjerë të plagosur. Këto statistika janë kundërshtuar nga regjimi shqiptar dhe organizata të ndryshme të emigrantëve anti-jugosllavë, të cilët akuzojnë se janë vrarë qindra njerëz pasi regjimi i ka shtypur brutalisht demonstratat.

(C)       Trazirat e para më 11 mars përfshinin një numër të llogaritur prej 2000 studentësh të Universitetit, të cilët protestonin për kushtet e këqija të jetesës. Në demonstratën e 26 marsit në Prishtinë, parullat e studentëve shprehnin ankesat për shtypjen e shqiptarëve, kërkonin liri më të madhe të shtypit dhe liri të tjera, bënin thirrje për statusin e Republikës për Kosovën, dhe i thurnin lavde Hoxhës dhe regjimit të Tiranës. Më 1 prill, rreth 10 mijë protestues të Prishtinës – përfshirë studentët, minatorë dhe punëtorë të tjerë – kërkonin lirimin e personave të arrestuar gjatë demonstratave të mëparshme. Demonstrata të ngjashme u zhvilluan edhe në disa qytete të tjera të Krahinës. Përleshjet midis autoriteteve lokale të sigurisë dhe demonstruesve i detyruan autoritetet jugosllave të dërgonin policinë speciale dhe forca ushtarake nga anë të tjera të vendit për të rivendosur rendin. Për një periudhë të caktuar, u vendosën rregulla të rrepta për kufizimin e udhëtimit brenda dhe jashtë krahinës, si dhe u ndaluan tubimet publike.

(U)      Udhëheqësit jugosllavë u zunë në befasi nga dhuna dhe përmasat e trazirave. Kur u bë e qartë se ishin përfshirë segmente të mëdha të popullsisë shqiptare etnike (pothuajse 80% e banorëve të Kosovës që përbëjnë 1.7 milionë janë shqiptarë nga origjina) – jo vetëm studentët e pakënaqur të Universitetit, por edhe mësues, gazetarë, intelektualë të tjerë, punëtorë e madje dhe anëtarë partie në të gjithë Krahinën – zëdhënësi i regjimit akuzoi se “elementë të huaj armiqësorë” ishin prapa “aktiviteteve kundërrevolucionare”. Sipas jugosllavëve, këta elementë punonin me elementë emigrantë anti-jugosllavë (ustashë, kominformistë, zogistë dhe ballistë shqiptarë, grupe të ndryshme Marksiste-Leniniste të mbështetur nga Tirana dhe “punëtorë sezonalë” shqiptarë në Evropën Perëndimore), të cilët kërkonin të destabilizonin Jugosllavinë. Kishte gjithashtu insinuata se një rol në organizmin e këtyre trazirave kishin edhe “forcat e këqija”, “shërbimet e inteligjencës” dhe “qendrat e spiunazhit”.

(C)       Disa jugosllavë në fshehtësi kishin frikën e një “komploti” që përfshinte sovjetikët, bullgarët dhe shqiptarët. Armiqësia e Tiranës ndaj Moskës dhe Sofies në përgjithësi kishte rënë me argumentin se ishte arritur njëfarë “mirëkuptimi” për të çuar përpara objektivat e përbashkëta të tre regjimeve – shkatërrimin e Federatës jugosllave, ku Shqipëria do të aneksonte zonat e banuara nga shqiptarët dhe Bullgaria do të aneksonte Maqedoninë (zonat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni dhe Mal të Zi afër me kufirin me Shqipërinë).

(C)       Sulmet jugosllave ndaj kominformistëve dhe pretendimet për bashkëpunim me sovjetikët provokuan një përgjigje të fortë të dhënë nga gazeta “Pravda” e Moskës nga mesi i prillit. Megjithëse ajo u hodh menjëherë poshtë nga jugosllavët, shumë shpejt u qetësuan polemikat midis medies sovjetike dhe asaj jugosllave mbi Kosovën. Asnjëra palë, mesa duket, nuk dëshironte që të ndërlikonte më tej marrëdhëniet e tyre duke e shtuar Kosovën në listën e çështjeve të diskutueshme të pazgjidhura, të tilla si Afganistanin, Kamboxhian dhe lëvizjen ndërkombëtare komuniste. Gjithsesi, shumë jugosllavë mbeten të bindur mbi rolin sovjetik në këto trazira, megjithëse nuk janë në gjendje që të ofrojnë prova.

Tirana e akuzuar

(U)      Megjithëse disa zyrtarë jugosllavë aludonin se Tirana kishte gisht në trazirat e Kosovës, veçanërisht kur komentonin manifestimet e “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, Tirana nuk u akuzua për përgjegjësi të drejtpërdrejtë për disa javë. Më pas, më 7 prill, një kryeartikull në të përditshmen shqiptare “Zëri i Popullit”, dënonte “brutalitetin” jugosllav në shtypjen e trazirave dhe mbështeste kërkesat që Kosovës t’i jepet statusi i Republikës.

(U)      Regjimi jugosllav u përgjigj me një fushatë masive propagande, e cila e akuzonte Shqipërinë:

– se kishte nxitur dhe organizuar “aktivitetet nacionaliste, irredentiste dhe kundërrevolucionare në Kosovë”;

– se ka pasur “pretendime të hapura territoriale” kundër Jugosllavisë dhe ka kërkuar që t’ia aneksonte Kosovën dhe zona të tjera “Shqipërisë së Madhe”;

– se ka përdorur diplomatët e saj dhe agjencitë e inteligjencës në Jugosllavi dhe në vendet e treta për të kontaktuar dhe rekrutuar elementët anti-jugosllavë;

– për dhunë flagrante dhe abuzim të bashkëpunimit jugosllavo-shqiptar dhe marrëveshjeve të shkëmbimit për të përhapur “parimet staliniste” të Partisë shqiptare dhe për të glorifikuar udhëheqësin e Partisë Hoxha, ndërkohë që dënonte udhëheqësit e Jugosllavisë, si dhe politikat e saj të brendshme dhe të jashtme; dhe

– për ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të Jugosllavisë.

(C)       Fushatat intensive që zgjasnin prej muajsh të tërë përfshinin sulmet publike ndaj Shqipërisë nga udhëheqësit kryesorë politikë të Jugosllavisë. Sidoqoftë, me gjithë sharjet dhe akuzat e shumta, nuk u paraqit asnjë provë e rëndë mbi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Tiranës në këto trazira (udhëheqësit jugosllavë mbase nuk do t’i zbulonin prova të tilla edhe nëse ato ekzistonin pasi nëse do e bënin një gjë të tillë, atëherë praktikisht do të detyronin Beogradin që të shkëpuste marrëdhëniet me Tiranën. Këta udhëheqës mund ta kenë parë si më të përshtatshme që të përdornin Shqipërinë më të vogël, më të dobët – më tepër sesa BRSS – si kokë turku për të shmangur vëmendjen nga dështimet e tyre politike në Kosovë dhe më gjerë).

(U)      Disa zyrtarë jugosllavë treguan skepticizëm në lidhje me shtrirjen e përfshirjes së huaj në Kosovë duke argumentuar në të vërtetë se theksimi i tepërt i “elementëve të huaj armiqësorë”, mund të ishte jo produktiv. Ata thanë se udhëheqja duhej të ishte e hapur në vlerësimet e saj ndaj “shkaqeve dhe pasojave të ngjarjeve në Kosovë”. Sipas analizës së tyre, duket se Tirana nuk kishte ndonjë arsye për të nxitur paqëndrueshmëri në Jugosllavi; Është qartazi në interesin e vetë Shqipërisë që të ketë një Jugosllavi të fortë dhe të bashkuar për t’i rezistuar çdo kërcënimi sovjetik kundër vendeve të Ballkanit, veçanërisht Shqipërisë.

Politika të reja ndaj Shqipërisë

(U)      Ndërkohë që rritej preokupimi i tyre për Kosovën, udhëheqësit jugosllavë pohuan se autoritetet federale dhe serbe në të ardhmen do të ushtronin mbikëqyrje dhe kontroll më të ngushtë mbi marrëdhëniet me Shqipërinë. Marrëdhëniet ishin kanalizuar kryesisht përmes zyrtarëve të Kosovës (d.m.th. shqiptarëve etnikë) – meqenëse Tirana kishte këmbëngulur dhe Jugosllavia kishte rënë dakord. Vetëm tregtia ishte zhvilluar në nivel federativ; Tirana kishte kufizuar praktikisht të gjitha shkëmbimet kulturore, arsimore, turistike dhe sportive me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Liria e veprimit e Tiranës kishte qenë në përputhje me politikën jugosllave se shqiptarët në Jugosllavi dhe, mbi të gjitha, në Kosovë, duhej të vepronin si “urë” në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe.

(C)       Dështimi i dukshëm i kësaj politike i kishte detyruar zyrtarët jugosllavë të vepronin për të kundërshtuar influencën shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni ku nacionalizmi shqiptar kohët e fundit ishte bërë më i theksuar. Marrëveshje dhe shkëmbime të ndryshme ishin anuluar ose pezulluar; Për shembull, më 23 korrik, autoritetet arsimore “rekomandonin” që të pezulloheshin të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe universiteteve jugosllave (në Prishtinë, Shkup dhe Titograd). Më pas, jugosllavët akuzuan profesorët nga Shqipëria, të cilët jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës, se kishin përhapur nacionalizmin shqiptar dhe hidhnin akuza se shumë tekste shkollore në gjuhën shqipe të importuara për përdorim në institucionet arsimore jugosllave ishin thjesht fletushka propagandistike.

(U)      Zyrtarët jugosllavë planifikojnë gjithashtu që të përdorin radio transmetuesin e Prishtinës në mënyrë më efektive për transmetim në të ardhmen në Shqipëri. Megjithëse media jugosllave kishte injoruar me të madhe sulmet e kaluara ideologjike të Tiranës ndaj Jugosllavisë – me shpresën që do të shmangte polemikat dhe kështu do të përmirësonte marrëdhëniet dypalëshe – kjo politikë duhet ndryshuar. Do të bëhen përpjekje për t’i vënë në dukje shqiptarëve si në Jugosllavi dhe Shqipëri karakteristikat më të këqija të regjimit të Hoxhës.

Përgjigja e Tiranës ndaj Kosovës

(C)       Megjithëse protestat e para në Prishtinë u zhvilluan më 11 mars, duket se media shqiptare fillimisht e ka injoruar këtë nxitje në Kosovë. Udhëheqësit shqiptarë mund të kenë pasur dëshirë të qëndrojnë në heshtje pjesërisht në interes të marrëdhënieve të mira me Beogradin, ose, ndoshta, për faktin se nuk ishin vendosur ende se si të reagonin sa më mirë ndaj situatës. Edhe pas demonstratave të dhunshme dhe të përhapura më 1 dhe 2 prill, nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga Tirana: më 2 dhe 3 prill, media shqiptare kishte vetëm përshkrime të shkurtra të drejtpërdrejta të incidenteve, duke përdorur materiale nga burimet e agjencive jugosllave të lajmeve.

(U)      Ky qëndrim i matur mori fund me një artikull të gjatë dhe të ashpër në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 7 prill. Artikulli akuzonte se varfëria dhe diskriminimi kundër popullsisë shqiptare në Kosovë ishin përgjegjëse për trazirat. Gjithashtu, artikulli akuzonte jugosllavët dhe, mbi të gjitha, serbët se kishin shfrytëzuar burimet minerale të Kosovës në dobi të tyre; dhe miratonte pa ekuivoke kërkesën e protestuesve që Kosova të bëhej Republikë.

(U)      Në maj, një tjetër artikull i “Zërit të Popullit” trajtonte padrejtësitë që shqiptarët kishin vuajtur qëllimisht që para periudhës së Luftës së Parë Botërore në duart e serbëve dhe (me formimin e Jugosllavisë në vitin 1918) jugosllavëve. Artikulli akuzonte komunistët jugosllavë për poshtërsi që nuk kishin lejuar regjimin e Hoxhës që të mbante Kosovën dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi që i ishin dhënë Shqipërisë (atëherë, nën sundimin e Italisë) gjatë Luftës së Dytë Botërore – pasi shqiptarët kishin qenë aleatë të Jugosllavisë në “Luftën Nacionalçlirimtare”. Artikulli i referohej një takimi të vitit 1946 midis Hoxhës dhe Titos, ku citohej se ky i fundit kishte pranuar se këto zona me të drejtë duhej t’i përkisnin Shqipërisë “… por jo tani sepse reaksionarët e Serbisë së Madhe nuk do të pranonin diçka të tillë”. Politikat e Titos pas luftës ndaj Shqipërisë janë përshkruar si “të egra dhe asgjësuese”.

(U)      Megjithëse Tirana zor se mund të krahasohej me volumin e fushatës së Jugosllavisë, sulmet e saj ishin po aq të dëmshme sa edhe sajesat e zëdhënësve të Beogradit. Praktikisht, Tirana censuroi çdo aspekt të politikave të jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë, të kaluara dhe aktuale – duke përfshirë vetë-menaxhimin, mos-angazhimin, emigracionin e “punëtorëve sezonalë” jugosllavë, turizmin, aksesin e sovjetikëve dhe amerikanëve në portet jugosllave, borxhet dhe kreditë e huaja. Në të njëjtën kohë, Tirana mohoi me këmbëngulje çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, çdo qëllim për të shkatërruar Jugosllavinë apo çdo dëshirë për territore jugosllave, por këmbënguli se do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, “veçanërisht kur këto të drejta mbyten me gjak, siç ndodhi kohët e fundit në të gjithë Kosovën”.

(U)      Tirana akuzoi jugosllavët, veçanërisht serbët se i kanë trajtuar shqiptarët në Jugosllavi qëllimisht “si qytetarë të dorës së dytë” dhe kanë ushtruar “gjenocid”. Thuhej se synohej një komplot “sovjeto-serb” kundër shqiptarëve në Jugosllavi dhe vetë Shqipërinë,i cili synonte gjithashtu të fitonte dominimin serb në të gjithë Federatën Jugosllave. Sipas Tiranës, për arsye historike, fetare dhe politike, serbët ishin aleatët natyrorë të sovjetikëve; të dyja palët ishin bërë “armiq të betuar” të Shqipërisë. Qëllimi përfundimtar i këtij komploti ishte që të lejoheshin sovjetikët të çonin përpara “depërtimin e tyre strategjik, hegjemonist dhe ekspansionist” ndaj Jugosllavisë dhe Ballkanit. Kosova ishte objektivi aktual i këtij “komploti sovjeto-serb” me Bosnjën, Slloveninë dhe më pas Kroacinë (Tirana i karakterizonte Slloveninë dhe Kroacinë si “pro-perëndimore dhe pro-amerikane”) dhe si vende që kërkonin pavarësinë politike nga “hegjemonizmi” serb.

(U)      Mediet shqiptare kritikuan fillimisht sllovenët dhe kroatët për “hegjemonizëm” dhe i etiketuan zyrtarët shqiptarë etnikë në Kosovë si “renegatë” dhe “tradhtarë”. Megjithatë, më vonë mesa duket, media kërkoi të shfrytëzonte mosmarrëveshjet e fshehura nacionaliste, veçanërisht midis serbëve dhe kroatëve. Media i paralajmëroi sllovenët dhe kroatët që të mos mashtroheshin nga akuzat serbe dhe sovjetike se Shqipëria – në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi – kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe kishte kërcënuar pavarësinë dhe integritetin territorial të Jugosllavisë. Tirana e përshkroi veten si “bastion i pathyeshëm” kundër “imperializmit dhe revizionizmit sovjetik” dhe vlerësoi pakicën shqiptare në Jugosllavi si një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e Federatës, si dhe si “pengesë e fuqishme kundër sulmeve sovjeto-bullgare” që kërcënonin popujt e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

(U) Hoxha dënon politikën Jugosllave për Kosovën

Propagandistët shqiptarë përdorën komentet e Hoxhës për Kosovën për të nënvizuar rëndësinë e fushatës së tyre kundër Jugosllavisë. Në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë të datës 15-16 qershor, Hoxha foli për “sulmet e egra dhe shpifëse” të udhëheqjes jugosllave kundër Shqipërisë, ndërsa udhëheqja shqiptare i ishte përmbajtur “pozitës së moderuar, parimore dhe të ftohtë” ndaj Kosovës. Komiteti Qendror miratoi “me unanimitet” këtë qëndrim. U publikuan shkrimet e vitit 1966 të Hoxhës në lidhje me Kosovën për të mbështetur akuzat e mizorive jugosllave kundër shqiptarëve. Më pas, ai kishte dënuar Titon si “renegat” dhe “revizionist” dhe akuzoi udhëheqësit jugosllavë për “gjenocid” në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ai tha se shqiptarët në këto zona ishin nën “pushtetin e terrorit… që në ditët e para tëçlirimit. Ky terror vazhdon duke rritur gjithnjë e më shumë barbarizmin ende sot”. Hoxha gjithashtu pohoi të drejtën e regjimit të tij për të mbrojtur “interesat jetësore” të  shqiptarëve në Jugosllavi.

Protesta kundër prishjes së marrëdhënieve

(U)      Me intensifikimin e polemikave, marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë u përkeqësuan deri në pikën e tyre më të ulët prej vitesh, duke përmbysur kështu tendencën e ngrohtë që kishte qenë e dukshme që prej prishjes shqiptaro-kineze në vitin 1978. Vendimi jugosllav për të prishur marrëdhëniet dukej i pashmangshëm në fund të majit, pas hedhjes së bombës në ambasadën jugosllave në Tiranë, protestave zyrtare jugosllave dhe kundërshtimit të tyre nga Tirana, dhe akuzave shqiptare se jugosllavët kishin realizuar hedhjen e bombës për “provokim”. Në një pikë të caktuar, shqiptarët në të vërtetë i nxitën jugosllavët të prishin marrëdhëniet.

(C)       Gjatë gjithë shkëmbimeve të hidhura, disa zyrtarë në Beograd (dhe padyshim në Tiranë) kërkuan haptazi të shmangin prishjen e marrëdhënieve. Këta zyrtarë, natyrisht e ndjenin që prishja e marrëdhënieve nuk ishte në interesin e jugosllavëve dhe se Moska do të ishte përfituesi kryesor. Më 9 qershor, zëvendës/sekretari i jashtëm jugosllav, Peshiq, deklaroi se Jugosllavia dëshironte marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por vetëm mbi bazën e respektit të rreptë për parimet e “pavarësisë, barazisë, sovranitetit, integritetit territorial, mos-ndërhyrjes në punët e brendshme dhe reciprocitetit” (shqiptarët përdorën gjuhë të tillë të ngjashme kur diskutonin marrëdhëniet dypalëshe). Peshiq deklaroi se marrëdhëniet e mira ishin në interesin afatgjatë të të dy vendeve dhe në interes të paqes dhe sigurisë në Ballkan.

(U)      Në diskutimet për Kosovën dhe rolin e pretenduar shqiptar atje, zyrtarë të ndryshëm jugosllavë paralajmëruan Tiranën me ton plot nënkuptim që të shqyrtonte se çfarë efekti do të kishin veprimet e saj – qoftë të miratuara nga ajo vetë apo në marrëveshje të fshehtë me të tjerë – në nxitjen e interesave të “gjithë atyre që janë armiq me Jugosllavinë dhe vetë Shqipërinë”. Mbështetja e Tiranës për “elementët nacionalistë dhe irredentistë” në Jugosllavi dhe “sulmet e saj ndaj integritetit territorial të Jugosllavisë” thuhej se kërcënonin vetë pavarësinë e Shqipërisë: “nacionalizmi i Shqipërisë së Madhe” do të nxiste nacionalizma të tjera në Ballkan (duke përfshirë nacionalizmin grek, bullgar dhe serb) dhe do të shfrytëzohej nga ata që dëshironin ta kthenin këtë zonë në “fuqi baruti”.

(U)      Shqipëria insistoi të shprehej se dëshironte “marrëdhënie të sinqerta dhe normale tregtare”. Ajo vlerësoi shkëmbimet tregtare dhe kulturore si shkëmbime në interes të të dy vendeve. Megjithatë, ajo përbuzi pretendimet jugosllave mbi “bujarinë, tolerancën dhe durimin… gjatë 32 viteve të fundit” dhe hodhi poshtë pretendimet jugosllave se Shqipëria kërkonte trajtim të privilegjuar në marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë. Gjithashtu, Shqipëria e akuzoi Beogradin se kishte caktuar çmime të tepruara për mallrat jugosllave ndërkohë që kishte vënë çmime të ulëta për mallrat shqiptare, duke vendosur kështu “pengesa serioze” në rrugën e tregtisë dhe duke shkelur disa nga marrëveshjet ekonomike që prej trazirave të Kosovës.

Faktori sovjetik në marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare

(C)       Si udhëheqësit jugosllavë dhe ato shqiptarë janë shqetësuar për një kohë të gjatë për kërcënimin sovjetik ndaj regjimeve të tyre dhe mundësinë që BRSS mund të ishte në gjendje të përdorte territorin e palës tjetër si bazë për subversion. Ndërkohë që po afrohej epoka post-Tito, veçanërisht kur Tito u shtrua në spital, thuhet se shqiptarët ishin të shqetësuar se pasardhësit e Titos nuk do të ishin në gjendje t’i rezistonin presioneve sovjetike për të fituar pozitë të favorizuar në Jugosllavi. Jugosllavët – të shqetësuar për pasiguritë e vazhdimësisë pas Hoxhës – u përpoqën të përmirësonin marrëdhëniet me Shqipërinë me qëllim që të kishin një kuptim më të mirë të zhvillimeve aty dhe të kundërshtonin përpjekjet e Moskës për të rritur influencën politike, ekonomike dhe ushtarake në mesin e zyrtarëve shqiptarë.

(C)       Në bisedat private dhe deklaratat publike, zyrtarët jugosllavë dhe shqiptarë kanë treguar se janë të ndërgjegjshëm që çdo përkeqësim serioz në marrëdhëniet e tyre mund të kishte efekt negativ në stabilitetin e brendshëm të të dy vendeve, dhe në sigurinë e Ballkanit në përgjithësi. Me gjithë mosmarrëveshjet e hidhura për Kosovën, Shqipëria kishte përsëritur kohët e fundit zotimin e saj të mëparshëm për të luftuar “sup më sup” me jugosllavët nëse këta të fundit do të goditeshin nga BRSS.

(C/NF)     Sidoqoftë, megjithëse nuk ka shenja se Hoxha ka ndryshuar armiqësinë e tij të papajtueshme me “revizionistët” sovjetikë, disa jugosllavë dyshojnë se duhet të ketë marrëveshje të fshehtë midis Moskës dhe Tiranës kundër Beogradit. Ata besojnë se elementët pro-sovjetikë në Tiranë janë thjesht duke pritur vdekjen e Hoxhës për të lidhur Shqipërinë në aleancë me BRSS. Ata që janë dyshues për një aleancë të tillë, kanë frikë se një nga hapat e para do të përfshijë shfrytëzimin e armiqësive mbi kombësinë në Jugosllavi. Sipas burimeve greke, kryeministri Gjuranoviq i ka thënë zyrtarëve grekë gjatë vizitës së tij në Athinë më 17-19 korrik se hetimet intensive të bëra mbi trazirat në Kosovë nuk zbuluan asnjë përzierje të Shqipërisë në këto trazira, por zbuluan se sovjetikët kishin gisht në to. Zyrtarë të tjerë të njohur jugosllavë kanë pranuar në fshehtësi shqetësimin se shërbimet e inteligjencës sovjetike dhe bullgare po shfrytëzojnë çështjen e kombësisë në Jugosllavi dhe mund të kenë krijuar tashmë kontakte indirekte me shërbimin inteligjent shqiptar përmes organizatave të emigrantëve shqiptarë anti-jugosllavë. Një gazetë jugosllave – ndërkohë që diskutonte përfshirjen e supozuar të Tiranës në planifikimin dhe organizimin e trazirave në Kosovë – pretendoi ekzistencën e një “programi” për vendet socialiste të udhëhequra nga Shqipëria, për të “çliruar” Jugosllavinë.

(U)      Për më tepër, një koment i medies sovjetike i datës 10 qershor, ku vlerësohej roli historik i Lidhjes së Prizrenit Shqiptar në bashkimin e popullit shqiptar “kundër pushtuesve të huaj”, duhet të ketë ngritur dyshime tek jugosllavët mbi përpjekjet më të fundit të sovjetikëve për t’i ardhur rrotull Shqipërisë. Artikulli, i cili përkujtoi 103-vjetorin e krijimit të Lidhjes, duket se hodhi poshtë akuzat shqiptare se sovjetikët kanë qëndruar në krah të serbëve (dhe jugosllavëve) kundër shqiptarëve.

(C) Interesat jugosllave në Shqipëri

Pozita gjeografike e Shqipërisë e bën atë që të jetë një vend i rëndësishëm nga ana strategjike për sigurinë e Jugosllavisë. Si rezultat, udhëheqësit jugosllavë kanë kërkuar që në mënyra të ndryshme të dominojnë në Shqipëri (si në periudhën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore) ose në të kundërt të zbusin mosbesimin dhe armiqësinë tradicionale shqiptare – pa shumë sukses. Megjithatë, më shpesh udhëheqësve të Beogradit u është dashur të përballen me një situatë në të cilën Shqipëria – që prej pavarësisë së saj në vitin 1912 – është dominuar nga fuqi kundërshtare (Austro-Hungaria, Italia, BRSS dhe Kina).

Ngritja e regjimeve komuniste në Jugosllavi dhe Shqipëri pas luftës nuk ndikoi shumë për të qetësuar armiqësitë e gjata. Disa komunistë udhëheqës jugosllavë e trajtonin nganjëherë regjimin në Tiranë sikur kishin të bënin praktikisht me një shtet vasal, duke i trajtuar shqiptarët në Tiranë dhe Jugosllavi me një përbuzje që zor se mund të fshihej. Çdo shpresë që Tito mund të ketë pasur për ta përfshirë Shqipërinë si Republikë të shtatë në Federatën Jugosllave mori fund kur Hoxha u rreshtua në krah të Stalinit në vitin 1948. Hoxha më pas eliminoi nga udhëheqja rivalët e tij pro-jugosllavë dhe nxiti irredentizmin kundër Jugosllavisë.

Gjatë viteve, veçanërisht që prej prishjes shqiptaro-kineze, e cila e la Tiranën “pa protektor”, dhe bamirës ekonomik, disa zyrtarë jugosllavë tentuan t’i etiketojnë sulmet politike dhe ideologjike të Shqipërisë ndaj “revizionizmit” jugosllav si sulme me pasoja të vogla. Ato e ndjenë se ishte shumë e rëndësishme që të zbuteshin dallimet dhe të kërkoheshin mënyra, sado modeste, për të rritur kontaktet me zyrtarët shqiptarë dhe në këtë mënyrë për të shtuar perspektivat për influencë të Jugosllavisë në Shqipëri pas epokës së Hoxhës (shumica e udhëheqësve jugosllavë janë pajtuar me armiqësinë e paepur të Hoxhës dhe me përmirësimin e vogël substancial në marrëdhëniet dypalëshe gjatë jetës së tij).

Perceptimet e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë

Mosbesimi i Shqipërisë ndaj Jugosllavisë është rrënjosur në shekuj në antagonizmat dhe rivalitetet shqiptaro-serbe. Për Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë, regjimi komunist i Jugosllavisë nuk është fqinj më i mirë sesa paraardhësit e tij “monarkistë” apo “fashistë”. Frika e ambicieve jugosllave ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e Hoxhës për të lidhur regjimin e tij me Stalinin; gjithashtu, kjo luajti një rol të veçantë në prishjen e Hoxhës me sovjetikët, pasi ai kishte frikë se rivendosja e marrëdhënieve miqësore Tito-Hrushov do ta mundësonte Jugosllavinë që të rifitonte influencën e saj në Shqipëri. Përfundimisht, përmirësimi gjithnjë në rritje i marrëdhënieve jugosllavo-kineze në mesin e viteve 1970, mishëruar nga vizita fitimtare e Titos në Kinë në vitin 1977 dhe vizita e Hua Guo-Feng në Jugosllavi në vitin 1978, kontribuoi në ftohjen midis Pekinit dhe Tiranës.

Hoxha, 72 vjeç , ka udhëhequr Partinë Komuniste Shqiptare që në vitin 1943. Ai nuk i ka falur asnjëherë komunistët jugosllavë që i ripërfshinë zonat – Kosovën dhe kufijtë perëndimorë të Maqedonisë – të cilat Shqipëria i aneksoi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke pasur parasysh këtë përvojë, si dhe qëndrimet izolacioniste dhe ksenofobike të regjimit të Hoxhës, nuk të çudit aspak dyshimi i tij obsesiv për Jugosllavinë.

Fushata politike dhe ideologjike e Shqipërisë kundër Jugosllavisë gjatë tre dekadave të fundit dhe kërkimi nga ana e saj për aleatë kundër Jugosllavisë janë krijuar për të penguar “hegjemonizmin jugosllav” dhe për të përfshirë përfundimisht pakicat shqiptare të Jugosllavisë në “Shqipërinë e Madhe”. Megjithëse Tirana proteston publikisht se nuk ka plane territoriale ndaj Jugosllavisë, ajo ka shpallur gjithashtu se “… kombi shqiptar është një, pavarësisht se një pjesë e tij jeton në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe pjesa tjetër në tre pjesët e Jugosllavisë Federale”. Megjithëse arsyet e vendimit shqiptar për të përmirësuar marrëdhëniet me Beogradin në fund të viteve 1970 nuk dihen, Hoxha mund ta ketë ndjerë se – pas prishjes me Kinën – ishte e nevojshme që të vendoseshin lidhje tregtare/ekonomike për të përballuar vështirësitë ekonomike të Shqipërisë, të cilat përfshinin standardin më të ulët të jetesës në Evropë. Jugosllavia ishte e përshtatshme dhe e gatshme – për arsye taktike dhe strategjike. Për më tepër, vendimi i Titos për të përmirësuar fatin e popullsisë shqiptare në Kosovë, pjesërisht në dëm të serbëve dhe malazezëve atje, mund të ketë qenë faktor në arsyetimin e Hoxhës – veçanërisht nëse ai shihte mundësi unike për tëçuar përpara qëllimet e tij politike dhe ideologjike në Kosovë.

Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare “përmirësohen”

(U)      Me këmbënguljen e Tiranës, marrëdhëniet me Jugosllavinë gjatë viteve të fundit janë zhvilluar më shumë në nivel shtetëror/qeveritar sesa politik. Janë parashikuar disa ndërmarrje të përbashkëta në sektorin ekonomik: Projekte të lidhjes hekurudhore, rrjetit të energjisë elektrike, teknologjisë së energjisë hidraulike dhe rritjes së shërbimit ajror. Shembulli më i dukshëm i përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe ndodhi në korrik 1980: Ministri i Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë  bëri një vizitë zyrtare në Jugosllavi, duke përfshirë Maqedoninë dhe Kosovën. Kjo ishte vizita e parë ministrore shqiptare në Jugosllavi, që përpara prishjes Tito-Stalin. Që nga koha e vizitës, Jugosllavia është bërë partneri drejtues tregtar i Shqipërisë.

(U)      Gjatë kësaj periudhe, menjëherë pas Titos (Tito vdiq në maj 1980), Shqipëria u bë më e kujdesshme në komentet e saj për statusin e Kosovës. Për shembull, nuk u tha asgjë për gjyqet e qershorit 1980 të “irredentistëve shqiptarë” të akuzuar për subversion. Kjo heshtje ishte në kundërshtim me kritikën e mëparshme të Shqipërisë për gjyqe të tilla nacionaliste dhe kohët e fundit, me denoncimin e menjëhershëm nga ana e Tiranës të gjyqeve të pesë shqiptarëve etnikë në Maqedoni këtë maj. Tirana i kishte etiketuar këto gjyqe – të cilat rezultuan në dënime të ashpra me burgim për akuzat e formimit të një organizate ilegale që synonte bashkimin e shqiptarëve në Jugosllavi me ato në “Shqipërinë e Madhe” – si një farsë, ku autoritetet jugosllavo-maqedonase përdornin metoda si ato të “fashistëve bullgarë” në Luftën e Dytë Botërore.

(C)       Ndërkohë shkëmbimet arsimore/kulturore dhe tregtare arritën nivele të paprecedentë. Tirana bëri të qartë se përpjekjet e saj do të ishin kryesisht ideologjike dhe nacionaliste në fokus – të drejtuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Efekti i kësaj propagande për popullsinë shqiptare të pabindur në Kosovë nuk mund të përcaktohet, por vetë përpjekja është planifikuar dhe organizuar me kujdes. Regjimi i Hoxhës e dinte se përpjekja e tij do të kishte një përgjigje të gjerë dhe dashamirëse:

– Kosova kishte qenë burim tradicional i pakënaqësisë politike dhe ekonomike që në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku popullsia shqiptare nuk e dëshironte influencën serbe aty;

– Kosova është gjithashtu zona më e prapambetur dhe e ulët ekonomikisht e Jugosllavisë me gjithë sakrificat e konsiderueshme të republikave dhe kombësive të tjera për të ndihmuar ekonominë dhe standardet e jetesës së saj.

– Segmente të tëra të popullsisë shqiptare në Jugosllavi e ndjenin se janë konsideruar si qytetarë të dorës së dytë dhe se nuk kanë të ardhme në shtetin sllav; dhe

– studentët “e papunë” të Universitetit dhe intelektualët që herë pas here ishin në ballë të agjitacionit nacionalist, do të ishin veçanërisht dyshues ndaj “komunizmit egalitar” dhe konceptit “një Shqipëri” të Hoxhës.

(C)       Dështimi i autoriteteve (d.m.th. federale dhe serbe) për të bërë progres të dukshëm në stabilizimin e “situatës së ndërlikuar” në Kosovë 5 muaj pas shpërthimit të demonstratave studentore nënvizon natyrën e vështirë të problemeve që lidhen me nacionalizmin shqiptar. Për më tepër, tensionet e rritura ndërmjet shqiptarëve, nga njëra anë, dhe serbëve dhe maqedonasve, nga ana tjetër, kanë prodhuar një “reagim të ashpër” nacionalist veçanërisht në radhët e serbëve. Ekziston njëfarë shqetësimi në mes jugosllavëve dhe një “reagim i tillë i ashpër” mund të acarojë mosmarrëveshjet për kombësinë në përgjithësi dhe mund të dëmtojë rëndë Federatën.

(C)       Maturia e jugosllavëve në marrëdhëniet e ardhshme me Shqipërinë

Megjithëse Shqipëria nuk mund të bëhet përgjegjëse për trazirat, zyrtarët jugosllavë duhet të jenë më të kujdesshëm në marrëdhëniet e ardhshme me Tiranën dhe të sigurojnë se shqiptarët në Jugosllavi nuk përbëjnë kërcënim për stabilitetin. Në përballimin e problemeve të lidhura me pakicën e pakënaqur shqiptare dhe Tiranën armiqësore, autoritetet jugosllave do të duhet të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje – qoftë edhe vetëm për të penguar Shqipërinë që tëmos kthehet nga sovjetikët, dhe BRSS që të mos bëhet përfituesi kryesor i pasojave të Kosovës. Fushata intensive anti-shqiptare e propagandës së Beogradit ka shërbyer për të ndezur armiqësitë tradicionale dhe mbase për të bërë të pamundur ndonjë përmirësim të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe gjatë kohës që Hoxha është në pushtet. Përpjekjet jugosllave për të minuar Hoxhën do të jenë ndoshta joproduktive për të ardhmen e parashikueshme; ato ka të ngjarë që do të forconin mbështetjen e tij në radhët e popullsisë shqiptare e frikësuar nga “hegjemonia” jugosllave dhe mund të bëjnë më tërheqës afrimin me sovjetikët.

Nuk dihet se çfarë efekti, nëse ka ndonjë, ka pasur “brutaliteti” i supozuar jugosllav për shtypjen e trazirave në rritjen e ndjenjës kosovare për t’u bashkuar me Shqipërinë (më shumë se statusin e Republikës jugosllave). Po kështu, askush nuk mund të dallojë nëse brutaliteti ka pasur rol në vendimin e regjimit shqiptar për të vepruar si “protektor” i komunitetit shqiptar në Jugosllavi. Por Tirana ishte qartazi e gatshme për të rrezikuar marrëdhëniet e saj me Beogradin mbi çështjen e Kosovës.

(C)       Vazhdimi i armiqësisë shqiptare

Në propagandën e saj, Tirana shfrytëzoi qëllimisht vështirësitë e regjimit jugosllav me qëllim që të përmirësonte imazhin e saj në radhët e komunitetit etnik shqiptar. Ajo bëri të ditur qëllimin e saj për të kundërshtuar “persekutimet” dhe “përndjekjet” e Beogradit në Kosovë; ajo, gjithashtu, akuzoi se politikat e jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë duhet të kundërshtohen sepse ato ishin “të mbushura me rrezik” për Shqipërinë, vetë Jugosllavinë dhe Ballkanin. Duke pasur parasysh rezistencën pa kompromis të Hoxhës ndaj “revizionizmit” jugosllav, ka të ngjarë që regjimi i Tiranës të braktisë rolin e vet negativ në të ardhmen e afërt. Hoxha dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë mund të jenë bindur se përpjekjet e tyre për të shfrytëzuar problemet politike, ekonomike dhe etnike të Jugosllavisë do të detyrojnë udhëheqësit e Beogradit të përqendrohen në punët e brendshme dhe jo në punët e jashtme, duke e bërë Beogradin një kërcënim shumë më të vogël për Shqipërinë. Propagandistët e Tiranës e kanë karakterizuar situatën e Jugosllavisë si një situatë të “kontradiktave dhe dizintegrimit të thellë kombëtar, politik, ekonomik dhe shtetëror”. Nëse shqiptarët aktualisht e ndjenin se regjimi jugosllav rrezikonte të shembej, mund të pritej që ata të organizonin një përpjekje më agresive për të realizuar qëllimin e tyre “Një Shqipëri”. Për të arritur këtë, ata mund të bëjnë marrëveshje me sovjetikët – ashtu siç shumë jugosllavë dyshojnë se ata tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, deri tani nuk ka tregues se Hoxha ka bërë ndonjë gjest ndaj Moskës ose se ai ka qenë perceptues ndaj propozimeve sovjetike për përmirësimin e lidhjeve shqiptaro-sovjetike. Që prej trazirave në Kosovë dhe përkeqësimit vijues të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, Tirana është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e saj me vendet e zgjedhura perëndimore dhe të paangazhuara. Marrëveshja e qershorit midis Shqipërisë dhe Italisë për një program shkëmbimi arsimor, kulturor dhe shkencor për vitet 1981-1983, mund të jetë ndikuar nga vendimi jugosllav për të anuluar programet e ndryshme ekzistuese të bashkëpunimit me Shqipërinë. Vlerësimet e brendshme (vështirësitë ekonomike dhe kundërshtimi në rritje ndaj politikave dogmatike dhe izolacioniste) mund të kenë luajtur rol në vendimin e Shqipërisë për të sulmuar politikat e Jugosllavisë. Hoxha mund të ketë pasur dëshirë të përdorte Jugosllavinë si një mjet për të mbledhur popullsinë e tij kundër kërcënimit të jashtëm dhe për pasojë për të minimizuar trazirat e brendshme. Ai gjithashtu mund të ketë qenë i shqetësuar për ndikimin eventual të përpjekjes jugosllave për të përdorur Kosovën si urë dhe “vend tërheqës” për shqiptarët dhe për krahasimet e urryera midis lirive më të mëdha politike, shoqërore dhe ekonomike në Kosovë kundrejt kushteve shtypëse, izolacioniste dhe të prapambetura në Shqipëri (disa mësues të dërguar nga Shqipëria në Kosovë në programet e shkëmbimit thuhet se janëpushuar nga shërbimi apo dëbuar në provinca pas kthimit të tyre – me dyshimin se janë molepsur nga “revizionizmi” jugosllav). Gjithashtu, disa zyrtarë drejtues të spastruar nga Hoxha në vitet 1970, duke përfshirë ish-Ministrin e Mbrojtjes Balluku dhe ish-Kryetarin e Parlamentit Këllezi – të dy bashkëpunëtorë për një kohë të gjatë të Hoxhës – thuhet se kanë pranuar që kanë pasur “lidhje tradhtare” me “revizionistët” jugosllavë dhe sovjetikë.

(C) Perspektivat

Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare kanë pësuar kthim të rëndë prapa; Mund të duhen vite që të ndodhin përmirësime. Ka të ngjarë që të dyja palët të presin me durim duke e parë njëra-tjetrën me mosbesim, por duke shmangur  një prishje që mund të inkurajojë Moskën për t’u bërë më aktive në Ballkan. Zyrtarët jugosllavë e kuptojnë se Tirana ka aftësinë që të nxisë pakënaqësi dhe trazira në radhët e shqiptarëve etnikë. Kështu, zgjidhja e “problemit” shqiptar mbetet vendimtare për integritetin territorial të Jugosllavisë dhe për stabilitetin në Ballkan. Pas ikjes së Hoxhës, mund të rriten perspektivat për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht nëse shfaqet një udhëheqje më pragmatike. Megjithatë, një udhëheqje e tillë mund të rrisë tërheqjen e bashkimit me Tiranën për shqiptarët etnikë në kufirin jugosllav – nëse këta udhëheqës nuk kanë minimizuar këndvështrimin nacionalist. Por, udhëheqësit e Tiranës mund të vazhdojnë gjithashtu paragjykimet e forta anti-jugosllave që kanë karakterizuar hierarkinë shqiptare, dhe nga halli të kthehen nga Perëndimi ose, siç ka më shumë të ngjarë, të kthehen nga sovjetikët për ndihmë ekonomike ose mbrojtje kundër Jugosllavisë. Për shumë shqiptarë, Jugosllavia fqinje ka qenë gjithmonë një kërcënim më i madh sesa BRSS e largët.

Përgatitur nga P. Costolanski                                                                       Miratuar nga M. Mautner

                             x22876                                                                                              x29536      

 (VIJON)

© Pashtriku.org

_________________________________

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIX)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba     

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura