Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XX)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-95-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 8 shtator 1981
I nderuar Charles,
Kosova: probleme ekonomike
Përmbledhje
1. Në disa fronte, Kosova ka bërë progres të rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, por janë bërë gabime të rëndësishme në strategjinë e përgjithshme të zhvillimit. Dy dekadat e rritjes së shpejtë të popullsisë nënkuptojnë se tashmë nuk ka më mundësi për të plotësuar nevojat për punë të cilat do të rriten me të shpejtë gjatë 5 vjetëve të ardhshme. Baza industriale e Krahinës ka nevoja të theksuara për shuma të mëdha kapitalesh, e cila, në përgjithësi, është joefikase dhe e cenueshme ndaj prishjes; Për më tepër, aktualisht raportohen humbje të panumërta. Gjithashtu, sistemi arsimor i Kosovës nuk është duke i siguruar ekonomisë lokale aftësitë e duhura, një problem i cili i shtohet emigrimit të serbëve dhe malazezëve të aftë. Janë planifikuar më shumë investime masive, por pjesa më e madhe e tyre është lënë rezervë për të paguar për përfundimin e (dhe për të subvencionuar humbjet) komplekseve industriale ekzistuese të Kosovës.
2. Çfarë duhet bërë? Meqenëse asgjë nuk mund ta pengojë zgjerimin e shpejtë afat-shkurtët të tregut të punës, Kosova duhet ose të krijojë vende të reja pune ose të eksportojë punëtorë ose të aplikojë të dyja rastet. Nuk është e nevojshme që të zbatohen menjëherë reforma të papëlqyeshme në sistemin arsimor. Gjithashtu, duhet të rrënjoset disi në mendjen e të gjithëve një kuptim më i madh i disiplinës dhe përgjegjësisë në punë. Por, duke pasur parasysh krizën ekonomike të zhvillimit në Jugosllavi, e ardhmja afatshkurtër duket e zymtë. Atëherë, a mundet Jugosllavia që ekonomikisht të përballojë vazhdimin e mbështetjes për Kosovën? A mundet që ajo politikisht të mos ta bëjë një gjë të tillë?
Detaje
3. Trazirat nacionaliste në Kosovë në mars dhe prill çuan në rivlerësime të gjera publike të pozitës kushtetuese të krahinës brenda Jugosllavisë dhe të të gjitha aspekteve të performancës politike të Kosovës. Megjithatë, gjatë verës, shtypi ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të kujdesshme në rritjen e vështirësive ekonomike që kjo krahinë po pësonte. Raportimi ynë në këtë drejtim mbi Kosovën ka qenë deri tani i kufizuar në një vlerësim të përbashkët të ambasadave të KE në Beograd, të cilat trajtuan në përgjithësi disa (por jo të gjitha) nga çështjet kryesore. Ambasada e Shteteve të Bashkuara bëri më 23 korrik një analizë më të plotë të problemeve ekonomike të Kosovës (dërgohet një kopje bashkangjitur). Analiza në vijim është planifikuar për të plotësuar këto dy studime dhe bazohet në një shqyrtim të artikujve të shtypit që në muajin prill (është shfrytëzuar përshkrimi i gazetës “Politika” përveç rasteve kur shprehet ndryshe). Por të dhënat e cituara në shtyp, kanë qenë në mënyrë karakteristike të paqarta ose të paplota ose vetë-kontradiktore. Për rrjedhojë, ndërkohë që vlerësimi i përgjithshëm duket i vlefshëm, kërkoj falje për prezantimin domosdoshmërish të parregullt (dhe ‘jo shkencor’!) të fakteve mbështetëse.
Disa komente të përgjithshme
4. Përpara vazhdimit të analizimit të temave kryesore, vlen të përmendet se me gjithë shenjat e dukshme të ndryshimit shoqëror, veçanërisht në Prishtinë, në disa zona rurale të Kosovës, njerëzit jetojnë ende sipas mënyrave tradicionale dhe normave sociale, të cilat janë zhdukur disa dekada më parë tjetërkund në Evropë. Për shembull, artikujt e fundit të revistave raportonin vazhdimin e gjakmarrjes së përhapur, ndërkohë që “gratë në shumë fshatra nuk lejohen të shikojnë TV që ndodhen në vendet e burrave”. Komunikimet kanë mbetur të dobëta në Krahinë megjithëse këtë javë është njoftuar një nismë e re për të elektrifikuar të gjitha fshatrat e Kosovës. Lidhjet tradicionale të sistemit karakteristik kosovar “Zadruga” (familjet e mëdha) janë ende të fuqishme dhe pjesa më e madhe e fuqisë punëtore industriale është ‘brezi i parë’, pra të pamësuar me disiplinën që kërkojnë teknikat moderne të prodhimit.
5. Prej këndej, del që ashtu siç ekziston aspekti “veri-jug” në zhvillimin e Kosovës që është përmbledhur mirë në dokumentin e Shteteve të Bashkuara (pp 2-3), po kështu mund të thuhet se modeli i vetë-zhvillimit në Kosovë ka krijuar një model klasik ‘qendër-periferi’ aty. Prishtina, me Universitetin e saj të mbushur me studentë, biblioteka e saj e re e mrekullueshme, hoteli i saj pesë-yjesh si dhe ndërtimi i gjallë i ndërtesave publike dhe private dominon në provincë si nga ana politike dhe sociale. Investimet e mëdha publike aty kanë nxitur shpërnguljen e thekuar rurale-urbane, shumë më larg se kapaciteti i qytetit për të siguruar punë ose akomodim, duke arritur rezultatet e dyfishta të prishjes së modelit të jetës tradicionale në të gjithë Krahinën për asnjë qëllim praktik, dhe të krijimit të një ‘proletariati të painteresuar’ urban, perspektivat e të cilit janë të varfra, por aspiratat e të cilit janë padyshim të ushqyera nga stili i mirë i jetesës i elitës së privilegjuar (të punësuar). Askush nuk është e nevojshme të pajtohet me determinizmin e ashpër Marksist për të pranuar se në këtë pjesë të Ballkanit po shpaloset modeli aktual i njohur i modernizimit të shpejtë, por të keqdrejtuar që më shumë shkakton probleme sociale sesa i zgjidh ato kur përplasen me mentalitetet dhe stilet tradicionale të jetesës.
Punësimi
6. Një grup i thjeshtë shifrash shpjegon problemin e papunësisë në Kosovë:
Popullsia e përgjithshme e Kosovës 1981 : 1,600,000
Numri i përgjithshëm i të punësuarve 1981 : 200,000
Numri i përgjithshëm i të regjistruarve si të papunë 1981 : 72,000
Numri i llogaritur i të sapoardhurve në
tregun e punës 1981 – 1986 : 190,000
Numri i përgjithshëm i planifikuar për
vende të reja pune 1981 – 1986 : 75,000
Numri i përgjithshëm i parashikuar i të papunëve 1986 : 200,000
Me fjalë të tjera, rritja e shpejtë e popullsisë e viteve 1960, po fillon t’i hedhë të larguarit nga shkolla në tregun e punës shumë më shpejt nga sa mund të gëlltisë ekonomia lokale. Ka më shumë të ngjarë që, së paku, gjysma e popullsisë së moshës për punë të mbetet pa punë në 5 vitet e ardhshme – dhe do të ishte e çuditshme nëse Kosova do të siguronte një numër të mjaftueshëm të punëve të reja në mënyrë që të mos lejonte rritjen e këtij proporcioni.
7. Një ndarje e detajuar e shifrave të censusit të vitit 1981, nuk është ende e disponueshme. Kur kjo të bëhet, do të jemi në gjendje të krijojmë një përshkrim më të saktë të këtyre faktorëve demografikë. Por, duhet të konfirmohet forca shtytëse e analizës së mësipërme.
8. Gazeta “Politika” komentoi më 16 gusht me pesimizëm probleme të tjera të punësimit në Kosovë. Kapacitetet ishin veçanërisht të pashfrytëzuara; Rrallë ka filluar puna me turne, por është përdorur gjerësisht puna me kohë të zgjatur. Më shumë femra aktualisht kërkojnë punë. 64 % e njerëzve të regjistruar që kërkojnë punë kanë mbërritur rishtazi nga fshatrat. Rregulloret për punësimin e fillestarëve injoroheshin. Sektori i bujqësisë dhe biznesit të vogël ishin neglizhuar. 7000 ‘mjeshtrit’ e Krahinës punësuan vetëm 9000 njerëz dhe zgjerimi i planifikuar në sektorin e vetë-punësimit të 7500 punëtorëve gjatë 5 viteve të ardhshme ishte mjaft i papërshtatshëm. Zgjerimi i punësimit në sektorin bujqësor as që figuronte në planet zyrtare. Trajnimi për mjeshtri të ndryshme për të papunët ishte po aq i nevojshëm sa edhe drejtimi i investimeve në drejtim të fabrikave të përpunimit që kërkonin shumë fuqi punëtore fati i të cilave nuk ishte i lidhur kaq ngushtë me atë të industrive përtej Kosovës. Nevojiteshin përmirësime të sistemit për të informuar kosovarët për vende pune tjetërkund në Jugosllavi me qëllim që të zhvillohej një lëvizshmëri më e madhe e fuqisë punëtore.
9. Sidoqoftë, ‘ekonomia joformale’ po ndihmon në mbushjen e disa hapësirave të mëdha që tregojnë shifrat zyrtare (dokument i SHBA, p.4), si në Kosovë dhe më gjerë. Shqiptarët njihet se janë punëtorë të zellshëm në Jugosllavi dhe ndoshta një numër i madh i tyre enden nëpër vend duke kryer punë fizike në të zezë në biznesin fitimprurës të ndërtimit dhe rregullimit të shtëpive dhe duke dërguar para në shtëpi. Megjithatë, kjo lloj ekzistence zor se mund të funksionojë, mijëra studentë të diplomuar nga Universiteti i Prishtinës, të cilët do të vërshojnë në tregun e punës gjatë viteve të ardhshme. Planet aktuale duket se ofrojnë siguri të pamjaftueshme për këtë grup.
Investimet
10. Siç sugjerohet në paragrafët e mësipërm, politika e investimeve në Kosovë ka krijuar një strukturë të pandryshueshme industriale. Prej rreth 200.000 personave të punësuar zyrtarisht 26% janë angazhuar në “aktivitete jo-ekonomike” si organizata qeveritare, kulturore dhe sociale (dokument i SHBA, p.3). Kështu, rreth 150.000 veta punojnë vetëm në sektorin industrial, por disa komplekse gjigante përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të këtij totali; për shembull, kompleksi i minierës së “Trepçës” punëson 19.000 njerëz në 5 fabrikat e tij në Kosovë, ose çdo punonjës i tetë industrial në Krahinë.
11. Një gjë e tillë nuk është e rastësishme. Kur autoritetet qendrore nga mesi i viteve ‘60 nisën politikën e industrializimit të shpejtë në Kosovë, ata e perceptuan me korrektësi se një aspekt i rëndësishëm i avantazhit të krahasuar të Kosovës qëndronte në shfrytëzimin e burimeve të saj të pasura me minerale. Por, industria e lehtë dhe bujqësia janë neglizhuar në favor të një ekonomie konglomerate që kërkon shumë kapital dhe ku neglizhenca ndjehet ende sot. Grupet e ‘Trepçës’, ‘Kosovës’, ‘Feronikl’ dhe ‘Melioraca’ kanë përvetësuar prej vitesh deri në 70% të kapitalit total të investimeve të planifikuar për zhvillimin e Krahinës. Këto grupe gjigante nuk janë mbërthyer vetëm nga paefektshmëria. Ato nevojitet të kenë gjithashtu investime të mëdha: centrali elektrik ‘Kosova B’ kërkon 4.3 miliard dinarë, ‘Feronikl’ kërkon 3.9 miliardë dinarë dhe ‘Ibër-Lepenci’ kërkon 6.5 miliardë dinarë. Fatkeqësisht, Jugosllavia nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë me këto subvencionime të shtrenjta, të cilat përfaqësojnë 50% të shumës së investimeve të planifikuara për periudhën 1981-1985. Duke angazhuar veten me këtë strategji shumë të rëndë, autoritetet duhet t’i shohin si të papërfytyrueshme pasojat politike dhe sociale për tërheqjen e mbështetjes më të gjerë financiare në favor të një rruge të re drejt një strukture të larmishme industriale që kërkon shumë fuqi punëtore.
12. Dokumenti i SHBA-së (p.6-8) vë në dukje fitimet e ulëta në kapitalin e investuar që Kosova ka përfaqësuar deri më sot. Thuhet se ky fitim kushton dy herë më shumë për të hapur një vend të ri pune në Kosovë dhe tjetërkund në Jugosllavi. Duke shtuar vërejtjet e përgjithshme se produktiviteti është shumë i ulët, se kapacitetet janë tejet të pashfrytëzueshme, se projektet kanë përfunduar shpesh me vonesë dhe se objektivat e prodhimit po humbasin me një diferencë të madhe, njeriu arrin në konkluzionin se tablloja është mjaft e zymtë. Autoritetet kanë filluar tashmë të përfshijnë realitetin ekonomik në këtë situatë, duke reduktuar elementet neto të grandeve në fondet e përgjithshme të investimeve për Kosovën dhe duke inkurajuar ndërmarrjet e përbashkëta që kërkojnë shumë fuqi punëtore me firma nga Republikat e tjera (Plani 5-vjeçar i rishikuar për vitet 1981-1985 pritet që të sjellë sigurimin e plotë të këtyre lëvizjeve kur të dalë më vonë këtë muaj).
Humbjet dhe disiplina industriale
13. Në të vërtetë, këto firma do të duhet të kenë një shpirt të guximshëm sipërmarrjeje nëse nuk do të pengohen nga raportimet e fundit të shtypit mbi paefektshmërinë e tmerrshme, humbjet gjigante dhe rritjet e tepërta të pagave në ndërmarrjet kosovare. Në Kuvendin e Kosovës, më 14 korrik është raportuar se megjithëse prodhimi industrial po përmirësohej në disa zona, situata ekonomike ishte ende “shumë e komplikuar”. Kështu, gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, prodhimi i qymyrit ka rënë (me 297.000 tonë), po ashtu si prodhimi i energjisë elektrike (me 237 milionë për kilovat/orë). Çmimet e qymyrit janë rritur me 75%, por efektet ishin “zbutur” në uljen e prodhimit dhe rritjen e pagave. Më 8 shtator, humbjet e llogaritura në të gjithë Kosovën për gjashtë muajt e parë të vitit 1981, u deklaruan se ishin 1.57 miliardë dinarë, 136% më shumë sesa në periudhën korresponduese të vitit 1980. Pagat personale në disa firma që prodhonin humbje apo që ishin në prag të falimentimit, kishin kapërcyer në 50% ndërkohë që faturat e firmave ishin rritur shumë pak.
14. Një raport i botimit të gushtit të revistës “Duga” mbi bazën e kontakteve me disa ndërmarrje të mëdha në Kosovë, bëri të njëjtin përshkrim: Prodhim më i ulët sesa planifikimi, vetëkënaqësi në radhët e fuqisë punëtore, humbje të mëdha dhe rritje të mëdha të pagave. Një zyrtar në “Trepçë” citoi: “Çështja është se si të stimulohet rezultati i prodhimit thelbësor…shkaku kryesor është mungesa e interesit të punëtorëve në prodhim”. Në Trepçë, paga mesatare nga janari në qershor ishte aktualisht 130% më e lartë sesa paga në periudhën korresponduese të vitit 1980, por pa rezultat. Minatorët vinin vonë në puse; përgjegjësit ishin të pakualifikuar; shmangia/mosvajtja ishte e përhapur; gjithashtu ishin raportuar raste sabotimi.
15. Kjo mungesë e dukshme endemike e disiplinës në fabrika duhet të jetë një burim i madh shqetësimi për autoritetet qendrore. A është ky një shqetësim relativisht jetëshkurtër i fuqisë punëtore me një këndvështrim tejet rural të gjërave që kombinohen me nevojat për prodhimin në masë? Apo në vend të kësaj a është kjo një llogaritje cinike e bërë nga ana e punëtorëve që në të vërtetë nuk ka rëndësi se çfarë niveli tolerimi ata zgjedhin ndërkohë që Serbia (dhe Jugosllavia) nuk rrezikojnë që t’i lejojnë këto komplekse kaq të rëndësishme të shkojnë dëm?
Përgjigja zyrtare
16. Më 13 korrik u organizua mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Kosovës dhe Kryesisë së LK të Kosovës. Situata ekonomike u vlerësua “se ishte për pjesën më të madhe e pakënaqshme … ku, në veçanti, mbizotëronin kushtet e vështira dhe të ndërlikuara në periudhën pas demonstratave armiqësore”. U arrit në konkluzionin se detyrë parësore ishte aktiviteti intensiv dhe i mirë organizuar “për të zgjidhur problemet e fondeve të investimit në Krahinë; për të plotësuar projektet e nisura dhe për t’i vënë ato në funksion; për të shënuar mjetet për përfundimin e investimeve aktuale (veçanërisht ato që përfshijnë punën tjetërkund në Jugosllavi); për të zgjidhur problemet e vënies së çmimeve në mbrojtje të standardeve të jetesës dhe furnizimeve me ushqime dhe mallra bazike; për të rritur shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e punës prodhuese”; e kështu me radhë. Nuk ka një listë të detajuar të sugjerimeve.
17. Megjithatë, pas këtyre këshillave të mërzitshme, janë zhvilluar diskutime gjatë verës midis Kosovës dhe Republikave të tjera për investime në këtë Krahinë. Më 21 korrik, gazeta “Borba” raportoi bisedimet e bëra për bashkëpunimin ekonomik midis ndërmarrjeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. U arrit marrëveshja për të ndërtuar dy fabrika të reja për skelete biçikletash dhe biçikleta, duke krijuar kështu me qindra vende pune. Puna do të fillonte “pas gjashtë muajsh”. Më 19 gusht, përfaqësuesit serbë dhe kosovarë diskutuan mundësitë për hapjen e nëntë fabrikave të reja, duke përfshirë një të tillë në Deçan që kushtonte 320 miliardë dinarë. Gjithashtu, më 28 gusht, u njoftua për një larmi projektesh të reja që përfshinin firmat kroate në lidhje me produkte të tilla si pajisje frigoriferike, turbina, kompresorë, fabrika të përpunimit të gurit, ëmbëlsira dhe biskota, si dhe qumësht. Gjithsej, deri tani janë planifikuar në vlerën 4 miliardë dinarë investime më pak madhështore në ndërmarrje të përbashkëta, duke treguar se së paku po bëhen përpjekje për të marrë disa hapa pozitive.
18. Dokumenti i SHBA jep gjithashtu një përmbledhje të mbështetur të përgjithshme të mangësive në sistemin arsimor në Kosovë (p.4 dhe 5), megjithëse do të përmendja se shifra e cituar prej 47,000 si madhësi e trupës studentore në Universitetin e Prishtinës është zëvendësuar nga shifra zyrtare prej 28,608 (shkresat e mia dërguar për ju më 10 qershor dhe 28 korrik janë ndalur në problemet e rënda politike në Universitet dhe hapat e marrë deri tani për zgjidhjen e tyre). Së fundi, dokumenti i SHBA vlerëson me kujdes humbjet e shkaktuara në ekonominë e Kosovës drejtpërdrejt nga vetë trazirat, për të cilat mund të shtoj se nuk ka të ngjarë që të mësojmë ndonjëherë shtrirjen reale të dëmeve ekonomike të shkaktuara nga trazirat nacionaliste të pranverës, nga emigracioni i serbëve dhe malazezëve të kualifikuar, por edhe nga veprimet e errëta të përçarjes dhe sabotimit të cilat nuk janë pasqyruar në media.
Komente
19. Disa ekspertë jugosllavë pëlqejnë të shprehen se nuk ekziston asnjë dallim real ndërmjet problemeve ekonomike me të cilat përballet Kosova dhe atyre me të cilat përballet Jugosllavia në tërësi; është thjesht fakti se në Kosovë problemet janë shumë më të vështira dhe delikate. Diskutimi i mësipërm në njëfarë mënyre e mbështet këtë ide. Historia e investimeve të keq-menaxhuara, rritjes së papunësisë, paaftësisë në punë dhe neglizhencës së bujqësisë gjen zbatim në të vërtetë në të gjithë Jugosllavinë dhe nuk është vetëm një anomali lokale. Megjithatë, norma e shpejtë me të cilën edhe në rastin më të mirë do të rritet papunësia në Kosovë gjatë viteve të ardhshme dhe dobësia drastike e strukturës industriale të lartë joefikase atje, shkakton shqetësim të veçantë në Jugosllavi dhe jashtë kufijve të saj. Shpërthimet nacionaliste këtë pranverë padyshim kanë nxitur kërkimin për të rishqyrtuar një strategji afatgjatë zhvillimi në këtë Krahinë dhe padyshim që do të bëhen ndryshime. Sidoqoftë, çështja është nëse janë ndjekur me vendosmëri politika të gabuara në Kosovë për një periudhë tepër të gjatë. A munden autoritetet të ndryshojnë drejtim?
20. Përgjigja do të kërkojë kohë. Në këtë fazë, njeriu mund të thotë vetëm se autoritetet qendrore dhe serbe kanë njohur së paku dimensionet e problemit dhe duket se po bëjnë përpjekje më të mëdha me udhëheqjen e re në Kosovë për trajtimin e këtij problemi. Plani 5-vjeçar i rishqyrtuar do të japë disa tregues të qëllimeve të tyre, por aftësia për t’i zbatuar ato, do të varet nga një shumëllojshmëri faktorësh, duke përfshirë zgjidhjen politike (së paku afatshkurtër) të problemit nacionalist dhe progresin e Jugosllavisë për të arritur stabilizimin ekonomik. Kjo çon në një detyrë të vështirë edhe në rrethana të favorshme dhe aktualisht duket se nuk ka shanse për sukses. Por nuk ka alternativë të pranueshme për përpjekjen e bërë, nëse nuk do të ndodhin shpërthime të tjera nacionaliste dhe nëse nuk do të kërcënohet integriteti territorial i Jugosllavisë.
I Juaji
C. G. Crawford
-96-
Konfidenciale
(014/427/1) Ambasada britanike
A. E. Montgomery Esq Beograd
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 14 shtator 1981
I nderuar Alan,
Artikull i EC/EEWG për Shqipërinë
1. Ju falënderoj për shkresën tuaj të datës 8 shtator mbi artikullin që do të shqyrtohet në Grupin e Punës së Evropës Lindore për Shqipërinë pas epokës së Hoxhës. Jam dakord me mendimet tuaja.
2. Ndërkohë, kam takuar së fundmi Denny Rusinow, i cili raporton nga Vjena për Stafin e Fushës së Universiteteve Amerikane dhe i cili është ekspert i njohur për Jugosllavinë. Ai më dha një kopje të dy artikujve që ka shkruar për Kosovën në fund të vitit 1979, të cilat, në retrospektivë, janë të jashtëzakonshme për parashikimin e tyre. Ato lidhen veçanërisht me konsideratat e juaja aktuale në faktin që ai shprehu në atë kohë të njëjtën çështje për aspiratat e nacionalistëve shqiptarë të Kosovës për Shqipërinë e Madhe pas Hoxhës. Bashkangjitur po ju dërgoj një fotokopje të ekstraktit përkatës.
I Juaji
T. J. Crark
-97-
D G Manning Esq Ambasada britanike
EESD Moskë
FCO 17 shtator 1981
I nderuar David,
Kosova
1. Në një artikull të rrallë për Kosovën, gazeta “Pravda” e datës 12 shtator raportoi se Kryesia e LKJ ka diskutuar një program tjetër masash për të normalizuar situatën e brendshme politike në Kosovë. “Pravda” komentoi se situata e shkaktuar nga trazirat dhe demonstratat e rrugëve në pranverë ka mbetur e ndërlikuar. Shtypi jugosllav i ka përshkruar këto ngjarje si “armiqësore dhe kundërrevolucionare” dhe që synonin prishjen e unitetit të popullit jugosllav.
2. Vazhdonin përpjekjet për manifestime të reja provokuese, e po kështu vazhdonte përhapja e materialeve armiqësore, formave të ndryshme të terrorit dhe dhunës. Organizatorët dhe aktet subversive ishin grupuar së bashku në të njëjtën platformë të nacionalizmit shqiptar. Sipas raporteve të shtypit, 189 persona janë dënuar për akte kundërrevolucionare dhe nacionaliste. Gazeta “Borba” është shprehur se nga LKJ dhe organizata të tjera socio-politike nevojitej një punë aktive politike dhe edukuese për të normalizuar plotësisht situatën. Kryesia ka theksuar se një prej detyrave bazë do të mbetej lufta pa kompromis kundër aktivitetit subversiv.
E Juaja
Anne Jackson
Për dijeni:
Departamenti i Kërkimit, FCO
Zyra e Kancelarit, BEOGRAD
-98-
Konfidenciale
A. E. Montgomery Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 17 shtator 1981
I nderuar Alan,
Kosova: situata e sigurisë
1. Kam raportuar në letrën time të datës 8 shtator se i kisha kërkuar Atasheut të Mbrojtjes që të përdorte lejen e dhënë kohët e fundit për diplomatët që të vizitojnë Kosovën – si turistë. Kolonel Eaton bëri një turne midis datave 10 dhe 14 shtator dhe hartoi një raport të detajuar për DIS, MOD. Për koincidencë, kolegu i tij amerikan vizitoi Kosovën në të njëjtën kohë, megjithëse vetëm për pak orë, dhe na dha një kopje të raportit të tij. Unë jam bazuar tek të dy raportet për të dhënë një përshkrim të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë dhe pjesë të Maqedonisë.
2. Koloneli Eaton mori rrugën në shumicën e qendrave më të rëndësishme të demonstratave të mëparshme nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore dhe kaloi natën në Prishtinë, Ohër dhe Pejë. Përfaqësuesi i SHBA kaloi vetëm një pjesë të Kosovës përmes Prishtinës dhe Nishit. Gjithsesi, konkluzionet e tyre ishin pak a shumë të njëjta se autoritetet duket se kanë situatën nën kontroll, megjithëse në dëm të vendosjes së një numri të madh forcash të sigurisë aty. Nga përshkrimet e tyre duket se në qytetet kryesore jeta në përgjithësi i është kthyer normalitetit dhe atmosfera është qetësuar me gjithë patrullat e armatosura rëndë të milicisë të përhapura kudo. Forcat e Armatosura (JNA) duket se nuk kanë pasur ndonjë rol të dukshëm në ruajtjen e sigurisë. Përveç disa parullave, të cilat nuk ishin domosdoshmërish nacionaliste, Kolonel Eaton nuk pa prova të trazirave për të cilat autoritetet thonë se vazhdojnë, d.m.th. shkarravitja e parullave politike, shpërndarja e pamfleteve dhe akteve të intimidimit. Madje edhe Tetova dhe Ferizaj, të cilat janë përmendur kohët e fundit si vende të trazirave të vazhdueshme, duken të qeta. Hyrja dhe dalja nga Kosova në rrugët kryesore ende kontrollohet dhe po kështu lejekalimet diplomatike kërkohen, por përfaqësuesi i SHBA zbuloi se në një rrugë dytësore për në Nish nuk kishte fare kontroll.
3. Shpresojmë që të rregullojmë një vizitë nga një anëtar i Zyrës së Kancelarit në të ardhmen e afërt dhe të raportojmë në kohën e duhur.
I Juaji
T. J. Crark
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
-99-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
EESD Beograd
FCO 29 shtator 1981
I nderuar Charles,
Kosova: përgjegjësia e Mahmut Bakallit
Përmbledhje
1. Raporti i komisionit të ngritur për të shqyrtuar përgjegjësinë politike të Mahmut Bakallit (pjesë të të cilit ishin zbuluar në gusht) është botuar tashmë i plotë. Bëhet fjalë për një përshkrim të detajuar dhe dënues për rritjen e nacionalizmit shqiptar në Kosovë dhe dështimin e Bakallit për ta trajtuar atë apo për të informuar autoritetet serbe ose ato shtetërore në këtë drejtim. Raporti hedh poshtë çdo sugjerim se autoritetet e Kosovës ishin zënë në befasi në mars dhe në prill nga shtrirja e nacionalizmit shqiptar në Krahinë. Publikimi i këtij raporti mund të paralajmërojë fillimin e procedurave kundër vetë Bakallit.
Detaje
Komisioni dhe gjetjet e tij
2. Pas demonstratave nacionaliste në Kosovë në mars dhe prill, Kryetari i LKK, Mahmut Bakalli, dha dorëheqjen më 5 maj (Telegram nr. 56 datë 6 maj, Beograd); Ai më pas u largua nga Kryesia e LKK në korrik (letra e Terence Clark drejtuar Alan Montgomery më 21 korrik). Tashmë, e dimë se Kryesia e KQ të LKJ vendosi më 2 qershor 1981 që të ngrinte një Komision Special për të hetuar përgjegjësinë personale të Bakallit për dobësitë në politikat e LKJ të cilat kishin çuar në “përshkallëzimin e nacionalizmit të Shqipërisë së Madhe dhe irredentizmit”.
3. Komisioni prej 6 vetash kishte në përbërje tre anëtarë të Komitetit Qendror të LK të Serbisë dhe tre anëtarë të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, ekuivalenti krahinor. Pas diskutimesh të gjata me Bakallin dhe shqyrtimit të provave dokumentare në fillim të korrikut, Komisioni arriti konkluzionet e tij më 12 Korrik (letra e Terence Clark për Alan Montgomery e datës 10 gusht, paragrafët 13 dhe 14, përmendte se si gazeta “Politika” kishte nxjerrë disa nga gjetjet e Komisionit). Sidoqoftë, teksti i plotë ka dalë tashmë për herë të parë në gazetën “Komunist” të datës 25 shtator, dhe është ribotuar në gazeta të tjera. Është një dokument i rëndësishëm dhe i shquar, i cili ka vlerë të raportohet në disa detaje me rëndësi për shkak se konfirmon zyrtarisht shumë pika të ngjarjeve, të cilat shtypi i ka publikuar që në muajin prill.
Pamfletet e “Partisë Marksiste-Leniniste të shqiptarëve në Jugosllavi”
4. Ndërkohë që Komisioni kishte detyrë në përgjithësi të hidhte dritë mbi përgjegjësinë e Bakallit për mangësitë e LKJ, ai i kushtoi vëmendje të veçantë së pari faktit që LKJ dhe LKS nuk ishin njoftuar për pamfletet armiqësore të dërguara në mënyrë anonime tek Bakalli dhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës. Pamfletet u dërguan prej marsit 1979 deri në janar 1981, dhe pretendohej se vinin nga “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” (ose PKMLSHJ). Një pamflet i tillë mesa duket shkonte deri në 140 faqe dhe rendiste strukturën dhe statusin e PKMLSHJ. Autoritetet e sigurisë së Kosovës i mblodhën këto dokumente por autoritetet qendrore të LKJ i panë ato vetëm më 24 prill 1981. Në fakt, shumica e anëtarëve të Kryesisë së Komitetit Krahinor gjithashtu nuk patën dijeni deri atëherë për ekzistencën e tyre. Bakalli i shpjegoi Komisionit se megjithëse nuk kishte urdhëruar që pamfletet të dërgoheshin në Beograd, ai nuk kishte urdhëruar që ato të mos dërgoheshin; Një hetim u nis në këtë drejtim për zbulimin e autorëve. Komisioni konstatoi se ky hetim nuk zbuloi gjë, pjesërisht për arsye se mungonte një analizë serioze e detajuar politike e PKMLSHJ.
Si u mbajtën të fshehura incidentet nacionaliste
5. Raporti i Komisionit më pas përshkroi sesi dy mbledhjet e Komitetit Krahinor të LKK në qershor dhe shtator 1979, kishin diskutuar një sërë incidentesh nacionaliste të kohëve të fundit në Kosovë (për shembull heqja e fotos së Titos dhe parullat, bojkotimi i mësimit, shpërndarja e fletushkave apo pritjet euforike që iu bënë orkestrave vizitore nga Shqipëria). “Kryesia e Komitetit Krahinor në këto mbledhje, veçanërisht gjatë mbledhjes së mbajtur në prag të vizitës së Titos në Kosovë ishte fare pranë vlerësimit të vërtetë të situatës politike në Krahinë”. Edhe Bakalli kishte thënë se ngjarjet “po lëviznin në një drejtim të rrezikshëm që mund të krijonte një situatë të rrezikshme kritike” (!). Por, Komiteti Krahinor nuk kishte raportuar asnjë fjalë të këtyre problemeve pranë autoriteteve qendrore. Vetë Bakalli kishte shprehur shqetësimin se mos lajmet për to do të bëheshin publike dhe incidentet mund të ekzagjeroheshin dhe “dramatizoheshin”. Komisioni konstatoi se ky qëndrim ishte shprehje “e liberalizmit” duke shtuar me forcë se Kryesia e Komitetit Krahinor nuk duhej të ishte habitur nga veprimet e armikut. Nuk ishte zhvilluar një betejë e hapur dhe publike kundër nacionalizmit.
6. Kur në vitin 1980 u arrestuan 55 nacionalistë, “mbi bazën e konsultimeve në Jugosllavi, Serbi dhe Kosovë” u vendos që tëçoheshin në gjyq vetëm 19 krerët e tyre. Sidoqoftë, në vend që të mbanin qëndrim të vendosur (megjithëse ekstraligjor) kundër personave të liruar, në të vërtetë autoritetet e Kosovës kishin shpërblyer sjelljen e tyre, duke i pranuar disa prej tyre sërish në shkolla dhe duke u dhënë bursa. Ku ishte në një politikë të tillë beteja kundër nacionalizmit? Përsëri, Bakalli i kishte thënë Komisionit si një shembull pozitiv të kontrollit nga ana e tij të situatës se ai ishte konsultuar për një kërkesë të disa shqiptarëve vizitorë që të hiqej fotoja e Titos. Por, siç tha Komisioni, vetë fakti që kjo çështje duhej madje të analizohej, tregonte sesa e çorientuar ishte bërë politika e LKK. Bakalli kishte refuzuar vazhdimisht për të lejuar publikimin e sulmeve nacionaliste, “nga frika se mos një gjë e tillë pengonte hetimet”; Në trajtimin e nacionalizmit shqiptar, ai e kishte parë publicitetin më tepër si një faktor përkeqësues sesa ndihmues. Ky qëndrim i kishte dekurajuar të gjithë ata që ishin të gatshëm për të vepruar me vendosmëri.
Emigracioni i serbëve dhe malazezëve
7. Autoritetet kryesore të Kosovës kishin dijeni gjithashtu për rastet e presioneve ndaj serbëve dhe malazezëve që të largoheshin nga Krahina, por Bakalli i kishte dënuar këto si gënjeshtra që synonin diskreditimin e udhëheqjes së Kosovës. Kishte pasur edhe raste të dëbimit të njerëzve nga LKK për faktin se kishin folur hapur për këtë çështje. Por, problemet e marrëdhënieve në komunitet nuk ishin shfaqur në agjendën e Komitetit Krahinor që në Kongresin e 11-të të LKJ.
Nacionalizmi në medien e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës
8. Komisioni tha se në retrospektivë, Bakalli tashmë e pa se dobësia kryesore e LKK kishte qenë në mungesën e betejës së hapur dhe publike kundër nacionalizmit. “Ndërkohë që vlerësimet kritike të nacionalizmit shqiptar kishin mbetur brenda një qarku të mbyllur, pikëpamjet nacionaliste po shpreheshin publikisht dhe gjithnjë e më gjerësisht”. Komisioni dha shembuj të ndryshëm pak a shumë të hapur të manifestimeve nacionaliste që ishin shfaqur në medien e Kosovës, duke shtuar se ishte lejuar gjithashtu që të zbulohej bashkëpunimi kulturor midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. Bakalli kishte qenë në kontakt me autoritetet drejtuese të Universitetit në Prishtinë, por nuk kishte arritur të shihte se ku po çonte “romantizmi kombëtar” me të cilin u pajtuan disa prej tyre.
Demonstratat e 11 marsit
9. Megjithëse kishte pasur një përfshirje të qartë nacionaliste në demonstratat e 11 marsit, në të cilat u plagosën 20 milicë, një prej të cilëve me armë zjarri, Bakalli e kishte minimizuar këtë fakt dhe kishte theksuar kërkesat “sociale” (d.m.th. për kushte më të mira) të studentëve. Udhëheqja kryesore e Kosovës në diskutimet e saj të nesërmen kishte folur kryesisht lidhur me faktin se çfarë do të njoftohej publikisht dhe jo për vetë demonstratat. Në mbledhjen e radhës të Komitetit Krahinor, demonstratat ishin vënë në seksionin “ndonjëçështje tjetër” të agjendës. Shpjegimi i Bakallit ishte se mbledhja ishte thirrur tashmë dhe agjenda ishte përcaktuar – “një justifikim teknik por jo politik”.
Konkluzionet e Komisionit
10. Komisioni nuk kishte qenë në gjendje të mblidhte të gjitha rastet e nacionalizmit shqiptar në Kosovë gjatë viteve të fundit. Sidoqoftë, ishte e qartë se aktiviteti armiqësor vazhdonte prej një kohe të gjatë por që nuk ishte përballuar siç duhet. Përgjegjësia e udhëheqjes së Kosovës dhe e Bakallit personalisht ishte e padiskutueshme. Bakalli kishte argumentuar se udhëheqja kishte punuar në mënyrë kolektive. Megjithatë, Komisioni ishte i bindur se influenca e Bakallit dhe e zyrtarëve të tjerë të lartë ishte vendimtare. “Përgjegjësia personale nuk mund të zbutet duke u përfshirë në disa përgjegjësi kolektive, formale dhe të pacaktuara… Bakalli është përpjekur të gjejë justifikime për shumë gjëra që janë të pafalshme”. Qëndrimi i tij ndaj incidenteve nacionaliste ka qenë “liberal dhe i lëkundshëm”. Për pasojë, ai duhej të përjashtohej nga Komiteti Krahinor. Megjithëse ky sanksion nuk pasqyronte plotësisht masën e përgjegjësisë së tij, atij i duhet dhënë mundësia që të shprehë një kritikë të sinqertë dhe qëndrim të sinqertë kritik dhe vetë-kritik. Raporti konkludonte se pozita e tij e ardhshme në LKJ varej nga një qëndrim i tillë.
Komente
11. Ky raport është padyshim një dokument me rëndësi të madhe, i cili jo vetëm që demonstron mjaft qartë influencën e madhe personale që Bakalli ka ushtruar në jetën politike të Kosovës dhe pasojat e shpërfilljes së tij neglizhente (ose të qëllimshme) mbi mënyrën sesi po rriteshin ndjenjat nacionaliste në Krahinë. Ky raport gjithashtu i jep të drejtë shtypit, veçanërisht ‘shtypit të Beogradit’, në vendimin e tij nëse situata e vërtetë ekspozohej me vonesë dhe ofron një rast që në praktikë është tejet pa përgjigje për autoritetet serbe që të ripohojnë e më pas të ushtrojnë kontroll të rreptë mbi Kosovën. Për më tepër, në prag të publikimit të këtij raporti, mund të pritet që t’i kushtohet më shumë vëmendje incidenteve nacionaliste të të gjitha llojeve në të gjithë Jugosllavinë.
12. Pyetja që deri më sot ka mbetur pa përgjigje, është: Pse raporti është bërë publik tani? Kemi dëgjuar zëra të pakonfirmuara se mund të vijojë përjashtimi i Bakallit nga LKJ dhe procedurat penale. Siç po raportoj më vete, ka pasur kritika mbi ashpërsinë e disa dënimeve të caktuara për të rinjtë në Kosovë gjatë verës. Siç tregojnë të dhënat, Bakalli ka luajtur rol kryesor duke lejuar një shumicë ndjenjash nacionaliste që të përparonin shumë larg në Kosovë; Situata anormale e dhjetëra studentëve që vuajnë dënime të rënda ndërkohë që Bakalli është i lirë mund të mos jetë e pranueshme për shumë kohë.
I Juaji
Charles Crawford
Oficer Informacioni
Për dijeni: P Rennie Esq
Departament i Kërkimit, FCO
(VIJON)
© Pashtriku.org
_________________________________
Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XXI)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba