ARBEN HOXHA: SKËNDERBEU I KONTESTUAR DHE SKËNDERBEU KONTESTUES

Prishtinë, 3 korrik 2018:
Hyrje
Titulli i punimit tonë përmban dy pozicione reflektimi mendor për Skënderbeun, si simbol, të cilat ontologjikisht janë në raporte përjashtimi njëra me tjetrën. Dallimet midis dy reflektimeve të ndryshme mendore për figurën e Skënderbeut janë të nxituara nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ideja për veten dhe ideja për lirinë janë ty faktorë të brendshëm ontologjikë, të cilët e përcaktojnë strukturën dhe përmbajtjen e skemës kognitive të subjekteve perceptimore dhe karakterin që ato ua atribuojnë objektit që perceptohet (Skënderbeut). Një nga faktorët mbizotërues të jashtëm, që e motivon orientimin dhe i jep vlerë (negative apo pozitive) objektit perceptual (Skënderbeut) është gjendja e re gjeopolitike e krijuar në botën postbipolare. “Skënderbeu i kontestuar”, është mishërim i reflektimit mendor të subjekteve që mbështeten në përvojat mendore mohuese të idesë së vetes dhe idesë së lirisë; ndërsa në rastin e dytë, “Skënderbeut kontestues” paraqitet si reflektim mendor i subjekteve, të cilët Skënderbeun e perceptojnë si mishërim të “qenies së hedhur në botë” (në kuptimin hajdegerian të përdorimit të kësaj fjale), e cila përmes idesë së vetes dhe idesë së lirisë “zbulon” e “prodhon” botë.

Dy botëkuptimet për ekzistencën njerëzore
Këto dy gjendje të ndryshme reflektimi mendor për Skënderbeun, si simbol, burojnë nga botëkuptimet e ndryshme që subjektet e ndryshme i kanë për ekzistencën njerëzore. Modeli i reflektimit mendor “Skënderbeu i kontestuar” bazohet në botëkuptimin determinist për ekzistencën njerëzore; modeli i reflektimit mendor “Skënderbeu kontestues” bazohet në botëkuptimin interdeterminist për ekzistencën njerëzore. Hegeli, duke u bazuar në kriterin e lirisë, në veprën “Filozofia e historisë” thekson se Kina dhe India, nuk ishin popuj historikë, sepse, duke e mos e njohur parimin e zhvillimit, ata kishin marrëdhënie statike me natyrën (Hegel, The Philosophy of History, Batoche Books, 2001: fq. 191). Vetëm në Perandorinë Persiane e gjejmë parimin e zhvillimit, përmes së cilit populli persian bëhet popull historik. Parimi i zhvillimit përbën ndërrimin e paradigmës ontologjike të marrëdhënies së njeriut me natyrën, me ç’rast njeriu bëhet i ndërgjegjshëm për veten e tij përmes një instance transcendentale dhe përmes saj ai e zhvillon veten. Monoteizmi i Perandorisë Persiane, sipas Hegelit, do të vendosë një marrëdhënie dinamike mes njeriut dhe natyrës, me ç’rast të veçantat (popujt) ndjekin rrugën e përsosmërisë duke konsoliduar individualitetin e tyre brenda të përgjithshmes perandorake persiane. Në Perandorinë Persiane, sipas Hegelit, e gjejmë një unitet të pastër dhe të lartësuar të të përgjithshmes, si esencë e cila i lë të lira ekzistenca e veçanta brenda saj (Hegel, The Philosophy of History, Batoche Books, 2001: fq.191). Ky lloj i raportit dialektik midis të veçantës dhe të përgjithshmes, i vendosur në Perandorinë Pesiane, në botëkuptimin muhamedan – sipas Hegelit – tjetërsohet. Perandoria Osmane, duke qenë në simbiozë me botëkuptimin muhamedan, shkatërroi çdo lloj veçantie e varësie duke e bërë kështu Njëshin abstrakt objekt absolut të vëmendjes dhe përkushtimit dhe, në të njëjtën mënyrë, vetëdije të pastër subjektive (Hegel, The Philosophy of History, Batoche Books, 2001: fq. 372). Respektimi i Njëshit do të jetë qëllimi i fundit në Perandorinë Osmane, e cila instancën transcendentale do ta përdorë për legjitimimin e asimilimit të dhunshëm të të veçantave në të përgjithshmen abstrakte të Njëshit (perandorak).
Karakteri i reflektimeve mendore
Reflektimet mendore për figurën e Skënderbeut, si simbol në histori, të shumtën e rasteve do të jenë të karakterit instrumentalizues, e më pak të karakterit emnacipues. Pse themi kështu? Sepse reflektimet mendore për Skënderbeun, si simbol, në një rast do të jenë në funksion të absolutizimit të rolit të të përgjithshmes absolute (krishterimit), e në një rast tjetër do të jenë në funksion të pohimit të të veçantës (arbërores), si faktor që i thellon dallimet midis të përgjithshmeve (krishterimit dhe islamit) konkurrente mes vete. Kështu p.sh., në rastin e parë, Skënderbeu do të vlerësohet nga Papati si mbrojtës i krishterimit; ndërsa në rastin e dytë, p.sh., Skënderbeu do të vlerësohet nga Kadare si personalitet, i cili Shqipërinë do ta orientojë kah perëndimi e jo nga lindja. Roli i figurës së Skënderbeut, si simbol, shkon përtej idesë së rolit të tij në përcaktimin e orientimeve dhe pozicioneve që shqiptarët duhet të marrin karshi qytetërimeve të ndryshme. Skënderbeu, si simbol, shkon përtej rëndësisë empirike të rezistencës dhe betejave që ai i zhvilloi kundër Perandorisë Osmane. Skënderbeu nuk është vetëm zmbrapsësi i dy Sulltanëve nga rruga imperiale e tyre drejt Evropës. Përtej kësaj, Skënderbeu është simboli i kontestimit më radikal të vetëpërceptimit të Perandorisë Osmane, si një forcë deterministe eskatologjike. Dhe jo vetëm kaq. Duke qenë kontestuesi i eskatologjisë së Perandorisë Osmane përmes fuqizimit të rolit të të veçantës (në këtë rast të arbërores) brenda të përgjithshmes së njerëzimit, Skënderbeu, gjithashtu, do të jetë kontestuesi më radikal i eskatologjive, qoftë të karakterit teologjik qoftë të karakterit profan, të të gjitha perandorive (të djeshme, të sotme e të nesërme), që bazohen në universalizmin abstrakt të ekzistencës njerëzore, duke i mohuar partikularitetet që e përbëjnë atë.Skënderbeu, në qytetërimin evropian është i pari që bëri ndryshimin në atë mënyrë që botëkuptimit të ekzistencës, i cili bazohet në hegjemonin e determinizmit religjioz, ia vuri përballë botëkuptimin për ekzistencën njerëzore që bazohet në pikëpamjen e interdeterminzimit humanist. Vetëm përmes kësaj paradigme të botëkuptimit të ekzistencës së popujve e të njerëzimit, në përgjithësi, mund ta kuptojmë ontologjinë e Kuvendit të Lezhës. Lezha është “vendi i të ndodhurit historik” të Dasen-it (Martin Heidegger, Intoduction to Metaphics, Yale University Press, 2000, f.162). Princërit shqiptarë në Kuvendin e Lezhës e shfaqen veten si subjekt monolit, të ndërgjegjshëm për unicitetin e vet në botë dhe të ndërgjegjshëm se bota është mundësi e dhënë edhe për ta (e jo vetëm për Sulltanët).
Ideje për veten dhe ideja për lirinë sovrane
Për Fihten, vendosja e vetes në mendim është themeli i njohjes. Botëkuptimi interdeterminist për ekzistencën është i mundur vetëm duke e menduar veten (të veçantën) në ekzistencë. Nuk ka ekzistencë të ekzistencës pa të menduarit e vetes. Në thelbin e gjendjes së të menduarit të vetes është ideja e lirisë sovrane. Ideja për veten reciprokisht është e ndërlidhur me idenë e lirisë sovrane. Vetëm përmes idesë së lirisë sovrane, si substancë e vetes së ndërgjegjshme për pozitën në botë, vetja bëhet e dallueshme dhe merr pozicion karshi tjetrit. Vetja e definuar përmes idesë së lirisë, lehtësisht mund ta definojë tjetrin pushtues apo tjetrin mik. Subjektet kontestuese të simbolit të Skënderbeut (gjatë kohës sa ishte gjallë Skënderbeu, pas vdekjes së tij, e deri në ditët e sotme), veprimit të tyre tjetërsues metodologjikisht përpiqen t’i japin legjitimitet duke e zbrazur botëkuptimin skënderbegian interdeterminist për ekzistencën nga ideja e vetes dhe ideja e lirisë sovrane, si përmbajtje qenësore e tij. Kur hiqet nga fusha e perceptimit tonë ideja për veten dhe ideja e lirisë, vlerësimi ofendues që Sulltan Murati i bën Skënderbeut si bukëshkalë, merr legjitimitet aksiologjizues. Në perspektivën e Sulltan Muratit popujt, pa veten dhe pa lirinë e tyre, janë dhënë në botë si material për shtrirjen e qenies së tij perandorake. Por, kur qendër e fushës sonë të perceptimit për vlerësimin e raportit arbëror-osman, është ideja e vetes dhe ideja e lirisë, brenda botëkuptimit interdeterminist të ekzistencës, atëherë, në përgjigjen që Skënderbeu i jep Sulltan Muratit, e shohim fuqinë rrezatuese të dinjitetit të njeriut që është i ndërgjegjshëm për vlerën e të qenit të tij në botë, fuqi kjo frymëzuese për gjithë racën njerëzore që aspiron lirinë, zhvillimin dhe sigurinë e ekzistencës së vet, sot dhe nesër. Ndërrimi ontologjik i botëkuptimit për ekzistencës që bazohet në idenë për veten dhe idenë e lirisë sovrane nga tjetri, e përbën kushtin e qëllimësisë së veprimeve politike, diplomatike e ushtarake të Skënderbeut (krijimin e aleancave dhe prishjen e tyre, lidhjen e marrëveshjeve për paqe me Perandorinë Osmane si dhe shprehjen e qëndrimit të ashpër ndaj vendeve Evropiane, të cilat, për shkak të mendjes perandorake, që ushqehet me eskatologjinë e doktrinës së krishterë, bëheshin pengesë e shfaqjes si subjekt monolit të vetes arbërore në botë). Përmes idesë së lirisë formatizohet marrëdhënia e vetes me universin. Ky është thelbi që e përcakton dallimin ontologjik midis perceptimit të simbolit të Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Koncepti kristian për lirinë abstrakte të individit, si dhuratë e dhënë nga Zoti dhe në funksion të tij (Orlando Paterson, Liria në formimin e kulturës perëndimore, Elena Gjika, Tiranë, 1997: fq. 301), i mishëruar në reflektimin mendor për figurën e Nënë Terezës, është në kundërshtim të plotë me konceptin skenderbegian për lirinë, jo si dhuratë e dhënë nga Zoti (apo nga Sulltanët), por si e drejtë ontologjike, që bazohet në virtytin e vullnetit njerëzor për t’i bërë gjërat sipas masës së vet në botë.
Përfundim
Orientimet vlerore të shoqërisë njerëzore mishërohen në sistemin e simboleve që ajo përdorë. Mungesa e një parimi themeltar mbi të cilin funksionon një rend botëror dhe mos zëvendësimi i tij me një parim tjetër – siç mund të përshkruhet gjendja e sotme e rendit botëror – është një mundësi për mendjet perandorake, të cilat aktualizimin e vetes e shohin përmes përdorimit të simboleve të karakterit absolutist (p.sh. Zotit, qytetërimeve etj.). Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si simbol, është antiteza radikale e simboleve të karakterit absolutist. Për strukturën mendore shqiptare Skënderbeu është mishërim i forcave aktive të vullnetit, të cilat garantuesin e ekzistencës së shqiptares në botë nuk e bazojnë në modelin policentrist, por në modelin unicentrist të vetëbërjes. Vetëm modeli unicentrist i ekzistencës është kushti që garaton rritjen e kapaciteteve të qenies shqiptare si subjekt në botë.
Për aq kohë sa do të ekzistojnë shqiptarët në botë; për aq kohë sa shqiptarët do të jenë të motivuar për vetërealizimin e qenies së tyre në botë, mund të thuhet se për aq kohë simboli i Skënderbeut do të jetë mbështetësi më besnik në rrugëtimin fisnik të shqiptarëve për zgjerimin e resurseve të ekzistencës së tyre në botë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura