DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (21)

Nga Prof.dr.Sabit Syla

-42-

Mbi ligjin e ri kushtetues të Kosovës

Më 24 shkurt të këtij viti, në një mbledhje të pesë dhomave të Kuvendit Krahinor të Kosovës, nën kryesinë e Fadil Hoxhës, u aprovua Kushtetuta e re dhe e parë e Krahinës së Kosovës. Deri në këtë kohë, Kosova ka pasur një statut i cili ishte përgatitur në bazë të kushtetutës së Serbisë, në të cilën bënë pjesë Kosova si Krahinë Autonome. Kushtetuta e Kosovës u përgatit, u diskutua dhe u aprovua në disa rrethana të veçanta të gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë dhe të Kosovës në veçanti.

       Në Plenumin e Brionit të LKJ-së, në vitin 1966, ra hegjemonia serbomadhe e Rankoviqit, pozitat e Serbisë u lëkunden shumë, u ndryshua raporti i forcave brenda vendit, të gjithë popujt dhe kombësitë e Jugosllavisë, ndërmjet tyre edhe popullsia shqiptare në Jugosllavi e cila në mënyrë të egër është shtypur dhe shfrytëzuar nga regjimi titist e kryesisht nga Republika serbe, u ngritën dhe secili kërkonte të përfitonte nga kjo situatë, për të përmirësuar pozitën e vet si politiko-shoqërore, ashtu edhe ekonomike. Titoja dhe përkrahësit e tij ishin të interesuar për të organizuar nga kombësi të tjera një front antiserb, sepse kjo i lehtësonte luftën për eliminimin e grupit të Rankoviqit. Popullariteti i madh që mori Plenumi i Brionit, si brenda ashtu edhe jashtë Jugosllavisë, kërkonte që ai të shoqërohej edhe me disa masa të rëndësishme. Prandaj, në këtë drejtim, përveç masave të tjera u pa e nevojshme që të bëhej edhe rishikimi i Kushtetutës së Federatës të atyre republikave dhe e statuteve të krahinave autonome, dhe në kuadrin e politikës së vetadministrimit të bëheshin ndryshime në to. Në Federatë, republika dhe në krahina autonome u krijuan komisione kushtetuese.

       Popullsia shqiptare e Kosovës shfrytëzoi këtë situatë për të fituar të drejta sa më të gjera dhe me të plota. Parulla kryesore në Kosovë u bë kërkesa për shkëputje të plotë nga varësia serbe dhe krijimi i një republike autonome me bashkimin e të gjitha tokave shqiptare të Jugosllavisë. Me realizimin e kësaj kërkese, shqiptarët e Kosovës mendonin se do t’i zgjidhshin një sërë problemesh të tjera si ato politiko-shoqërore, ekonomike, kulturoro-arsimore etj.

       Kërkesa për një republikë autonome të Kosovës, filloi të gjej vend edhe në shtypin e krahinës ku argumentohet plotësisht kjo kërkesë. Në shumë shkrime që botohen për këtë qëllim, jepen të dhëna e shifra të popullsisë së republikave të Jugosllavisë, të përbërjes nacionale të tyre, etj., dhe indirekt del pyetja pse p.sh. Mali i Zi ose Maqedonia që kanë respektivisht 2.8% dhe 5.6% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë dhe përbërja e popullsisë së tyre kombëtare është 72% dhe 71% janë republika, kurse Kosova që ka 5.2% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë dhe 74% të popullsisë së saj janë shqiptarë, nuk është republikë, por krahinë autonome. Këto kërkesa të popullit shqiptar të Kosovës prekin jovetëm interesat e tri republikave të Jugosllavisë me të cilat kufizohet Krahina e Kosovës, të cilat kanë brenda kufijve të tyre territore të gjera me popullsi shqiptare, por ato përbënin edhe një rrezik për të gjithë sistemin federativ jugosllav, prandaj Titoja me gjithë premtimet e mëdha që kishte dhënë për Kosovën, mori masa për t’u prerë hovin këtyre kërkesave, sepse realiteti i tyre rrezikonte edhe pozitën e vet Titos. Komisioni Kushtetues për Kosovën, në fazën e parë të punës së tij, u mor me njohjen dhe studimin e një sërë problemesh që kishin të bënin me ndryshimin e disa dispozitave të Kushtetutës së Federatës dhe të Serbisë dhe që kishin lidhje me Krahinën e Kosovës dhe pastaj përgatiti projekt kushtetutën e Krahinës.

        Gjatë përgatitjes dhe diskutimit të projektligjit kushtetues, u zhvillua një luftë e gjerë politike ndërmjet rrymave dhe tendencave të ndryshme, si brenda në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Mund të thuhet se tri ishin rrymat kryesore që morën pjesë në këtë luftë politike. E para, forcat e shëndosha patriotike të shqiptarëve të Kosovës, duke e parë se në kushtet konkrete të gjendjes në Jugosllavi, kërkesa e tyre për krijimin e një republike më vete dhe bashkimi brenda saj i të gjitha tokave shqiptare nuk mund të realizohej u munduan dhe bënë të gjitha përpjekjet që me Kushtetutën e re, të fitohen sa më shumë të drejta për barazi kombëtare dhe të shkëputshin sa më shumë nga varësia serbe. Me këto forca u bashkuan edhe udhëheqësit e sotëm të Kosovës, që i shërbejnë me besnikëri Titos. E dyta, forcat shoviniste serbo-malazeze në Kosovë dhe jashtë saj, interesat e tyre prekeshin direkt nga realizimi i kërkesave të shqiptarëve, kërkuan dhe luftuan që krahinës së Kosovës të mos i jepeshin më tepër të drejta se sa ajo që kishte më parë. Rryma e tretë përfaqësohej nga ata shqiptarë, të cilët u shfaqen hapur kundër platformës së Lidhjes Komuniste dhe i konsideruan si fare të pakta të pamjaftueshme ato të drejta që i jepte Kushtetuta e re popullsisë shqiptare të Kosovës. Pikëpamjet e këtij grupi u dënuan nga udhëheqësit e Kosovës dhe kërkesat e tyre u quajtën joreale dhe të bëra me qëllime tendencioze. Kështu, tre studentë nga komuna e Suharekës, u dënuan më 16 janar, me nga 3 muaj burg, u akuzuan me rastin e diskutimit të projekt-kushtetutës dhe kishin shkruar parulla në kundërshtim me orientimet e Komitetit Krahinor.

        Mbas një periudhe pune prej më shumë se një viti, Komisioni Kushtetues përgatiti projektligjin – Kushtetutën e Krahinës së Kosovës, i cili mbas një diskutimi të përgjithshëm njëmujor, u aprovua. Nga një shikim i parë i ligjit të kushtetutës së Kosovës, del se të drejtat kryesore që ka fituar popullsia shqiptare e Kosovës me aprovimin e këtij dokumenti, mund të përmblidhen si më poshtë: 1) Nga një krahinë autonome, që më parë varej plotësisht dhe tërësisht nga Serbia, tani “populli punues i Kosovës sikurse thuhet në Kushtetutë – siguron dhe realizon të gjitha të drejtat e veta në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, me përjashtim të atyre të cilat me interes të përbashkët, janë përcaktuar si të drejta të Federatës dhe të Republikës”. 2) Krahina fiton të drejtën të ketë ligjin e saj kushtetues në vend të statutit që ka pasur më parë. 3) Fiton të drejtën që të caktojë te deputetët e saj për në dhomën e kombeve të RSFJ-së. Më parë, krahinat autonome zgjidhnin nga 5 deputetë për në Dhomën e Kombeve, por ata hynin në përbërjen e deputetëve të Republikës së Serbisë, tani zgjedhën nga 10 deputetë dhe nuk hyjnë në grupin e deputetëve të Serbisë, kurse republikat zgjedhnin nga 20 deputetë. 4) Kushtetuta e re konkretizon dhe zhvillon konceptin themelor kushtetues mbi krahinën autonome si bashkësi shoqërore politike, demokratike, socialiste të pavarur në realizimin e të gjitha punëve në kuadrin e të drejtave e detyrave të saja dhe se funksionet e krahinës janë caktuar në mënyrë të njëllojtë si dhe funksionet e republikës. 5) Fiton të drejtën që në kuadrin e të drejtave dhe detyrave të veta të marr masa për realizimin e një sistemi unik të ekonomisë, ajo ka të drejtë të planifikojë zhvillimin ekomomik dhe të bazës materiale të arsimit, kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe aprovon plane përkatëse. 6) Krahina ka të drejtë të nxjerr ligje e akte tjera normative, lidhur me interesat dhe nevojat e krahinës. 7) Gjuha shqipe vihet në pozitë të barabartë më gjuhët e tjera që fliten në Kosovë. Në të kaluarën, serbokroatishtja ka qenë gjuhë e detyruar për të gjithë popullsinë e krahinës, tani nuk është më e këtillë. 8) Krahina fiton të drejtën të bëjë vetë organizimin e organeve të pushtetit. Më parë këtë të drejtë e kishte Republika serbe. 9) Territori i krahinës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e Kuvendit Krahinor. 10) Në Kosovë krijohet Gjyqi Suprem i Krahinës me pozitën, të drejtat dhe detyrat e Gjyqit Suprem Republikan. 11) Sanksionohet e drejta e flamurit kombëtar, e drejtë që më parë ka qenë mohuar për popullsinë shqiptare të Kosovës.

       Gjatë përgatitjes dhe diskutimit të projektkushtetutës popullsia shqiptare e Kosovës ka treguar interesim të veçantë për këto çështje kryesore: barazim kombëtar, autonominë ekonomike, barazinë e gjuhës dhe precizime e formulime sa më të sakta për të drejtat e tyre si komb dhe si popull: janë bërë kërkesa për zgjedhje direket të deputetëve të Kuvendit të Krahinës, është kërkuar që mbi ndryshimet territoriale të Krahinës të vendosë referendumi i qytetarëve dhe jo Kuvendi Krahinor, është propozuar që të caktohet stema e krahinës, të përcaktohet më qartë detyrimi i arsimit tetëvjeçar, të hiqet me ligje kufizimi i tanishëm, sipas të cilit flamujt kombëtarë nuk mund të ngrihen në ndërtesat e organeve shtetërore dhe organizatave politiko-shoqërore etj.

       Forcat shoviniste serbo-malazeze kanë bërë presion të vazhdueshëm mbi shqiptarët e Kosovës; largimi i specialistëve serbë dhe malazezë në formë demonstrative nga ndërmarrjet ekonomike të Kosovës është një tregues në këtë drejtim.

Disa çështje kryesore të përmbajtjes së ligjit, Kushtetutës

       Kushtetuta, në fillim ka një hyrje ku përshkruhen parimet themelore të ndara në gjashtë pjesë. Në pjesën e parë flitet për konditat dhe rrethanat në të cilat u krijua Krahina Autonome e Kosovës, dhe se ajo është bashkuar me BS të Serbisë në kuadër të RSFJ të Jugosllavisë. Në pjesën e dytë bëhet fjalë mbi sistemin shoqëroro-ekonomik e politik të Jugosllavisë dhe se nëpërmjet këtij sistemi populli i Kosovës realizon të drejtat e veta. Në pjesëne tretë flitet mbi rolin e organizatave politike, siç janë: Lidhja Socialiste, Lidhja Komuniste, sindikatat, Lidhja e Rinisë. Pjesa e katërti kushtohet faktorëve që përbëjnë bazën e barazisë; në këtë numër futën sistemi i marrëdhënieve në prodhim, sistemi shoqëroro-politik dhe solidariteti. Pjesa e pestë përmban detyrat dhe të drejtat e popullsisë së krahinës për të siguruar zbatimin e kërkesave në drejtim të bashkim-vëllazërimit, zhvillimit dhe forcimit të bazës materiale, krijimit të kushteve për eliminimin e diferencave shoqëroro-ekonomike, zgjerimit dhe zhvillimit të forcave të vëllazëris, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore etj. Në pjesën e fundit, parimet e shprehura më lart konsiderohen si pjesë përbërëse e Kushtetutës dhe si bazë për interpretimin e saj dhe të ligjeve krahinore. Prandaj, Kushtetuta është e ndarë në 7 kapituj. Në kapitullin e parë, që ka 13 nene, jepen dispozitat e përgjithshme. Krahina Autonome e Kosovës konsiderohet si bashkësi demokratike vetëqeverisëse dhe hynë në përbërjen e RS Serbe në kuadrin e RSFJ të Jugosllavisë. Bëhet fjalë për të drejtat dhe detyrat e popullit punues dhe të krahinës; vihet detyrë mbrojtja e territorit të krahinës dhe e tërësisë territoriale të RSF të Jugosllavisë, flitet për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve, turqve dhe pjesëtarëve të kombësive të tjera, për garantimin e të drejtës së zhvillimit të lirë dhe shprehjes së veçorive kombëtare: të gjuhës, kulturës, historisë, letërsisë, artit etj. Thuhet se në Kosovë sigurohet barazia e gjuhës shqipe, serbokroate e turqishte dhe e shkrimit të tyre etj. Prishtina caktohet si kryeqytet i Krahinës së Kosovës

        Kapitulli i dytë,që përbëhet nga 59 nene, përmban detyrat dhe të drejtat e krahinës: flitet mbi marrëdhëniet shoqërore e ekomomike; mbi rregullimin shoqëroro-politik; mbi rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet krahinës e komunave; mbi kompetencat e krahinës në fushën e legjislaturës; dhe mbi konstitucionalizmin dhe ligjshmërinë. Mjetet e reproduksionit shoqëror që realizohen në territorin e krahinës shfrytëzohen në përpjesëtim me pjesëmarrje të njerëzve punues në krijimin e tyre. Thuhet se krahina rregullon çështjen e organizimit të shkollave. Bashkësitë shoqëroro-politike në krahinë janë komunat dhe krahinat, dhe ato kanë cilësinë e personit juridik. Organi më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes shoqërore është Kuvendi Krahinor, ndërsa organi politik ekzekutiv i Kuvendit Krahinor është Këshilli Ekzekutiv Krahinor. Krahina rregullon me ligje krahinore çështjen me interes të përbashkët të jetës shoqëroro-ekonomike, politike e kulturore dhe zhvillimin e krahinës. Kurse, për çështjet për të cilat Federata nxjerrë ligje themelore si dhe për çështjet e mbrojtjes popullore dhe të sigurimit politik, krahina rregullon çështjet dhe marrëdhëniet të cilat nuk janë të rregulluara me ligjet federative. Thuhet se në Krahinë është i barabartë aplikimi i gjuhës shqipe e serbokroate dhe shkrimet e tyre, kurse në vendet ku jetojnë edhe turqit, është i barabartë edhe aplikimi i gjuhës shqipe, serbokroate, turqisht si dhe shkrimi i tyre. Në kapitullin e tretë, në 41 nene bëhet fjalë për pozitën dhe kompetencat e Kuvendit të Krahinës dhe zgjedhjen e tij. Kuvendi përbëhet nga 5 dhoma: Dhoma Krahinore me 70 deputetë, Dhoma Ekonomike, Dhoma Arsimore-Kulturore, Dhoma Social-Shëndetësore dhe Dhoma Organizativo-Politike me nga 50 deputetë secila, dhe të gjithë deputet janë delegat të komunave.Kapitulli i katërtpërmban detyra dhe të drejtat e Këshillit Ekzekutiv Krahinor, i cili si organ i Kuvendit Krahinor ushtron funksionin politiko-ekzekutiv në kuadrin e të drejtave dhe detyrave të Krahinës. Në kapitullin e pestë,flitet për administratën e Krahinës mbi krijimin e sekretariateve dhe organeve të tjera të administratës krahinore: mbi detyrat dhe të drejtat e tyre. Kapitulli i gjashtë,i kushtohet Gjyqit Suprem të krahinës. Në kapitullin e fundit, mbi dispozitat përfundimtare, thuhet se Ligji Kushtetues hynë në fuqi ditën e shpalljes së Kuvendit Krahinor.

       Nga sa u tha më lart, mund të bëhen këto konkluzione të përgjithshme: 1)Lufta e vazhdueshme dhe këmbëngulëse e popullsisë shqiptare të Kosovës për të fituar dhe mbrojtur të drejtat e saja të ligjshme, ndihma e PPSH-së në këtë drejtim si dhe gjendja e brendshme dhe e jashtme e krijuar në Jugosllavi dhe Kosovë mbas Plenumit të Brionit, e detyruan klikën e Titos që të rishikojë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe të vendosë për nxjerrjen e Ligjit Kushtetues të parë të Krahinës së Kosovës.2)Aprovimi i Ligjit Kushtetues të Kosovës është pasojë e krizës së përgjithshme politike të regjimit titist dhe si dështim i plotë i politikës revizioniste të LKJ-së për zgjidhjen e çështjes nacionale në Jugosllavi.3)Ligji kushtetues i çdo shteti, si ligj themelor i tij, u shërben qëllimeve dhe interesave të atyre klasave që janë në fuqi, prandaj edhe Ligji Kushtetues i Kosovës i shërben regjimit kapitalist, titist të Jugosllavisë, por me gjithë këtë ajo është një fitore për shqiptarët e Kosovës, sepse mbi këtë bazë, lufta e tyre për të fituar të drejta të plota do të ngrihen në të ardhmen në një shkallë më të lartë.

4) Fushata për diskutimin e projektligjit kushtetues, u shfrytëzua nga udhëheqësit titist të Kosovës, si Fadil Hoxha etj., dhe për të shpifur kundër vendit tonë.

Në situatën e tanishme të gjendjes së brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë dhe Kosovës në veçanti, detyra jonë është që duke përdorur shtypin, radion dhe mjetet tjera të propagandës, të ndihmojnë popullsinë shqiptare në Jugosllavi që të luftojë për të vënë në jetë të gjitha ato të drejta që ajo fiton me Ligjin Kushtetues dhe lufta e saj për të drejta të plota si komb dhe si popull, të marr një hov të ri.

Mars, 1969

                                               -43-

Mbledhja e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës

Më datë 5 prill, u mblodh në Prishtinë, Komiteti Krahinor i LK të Kosovës. Në këtë mbledhje u shtruan një varg problemesh politike të Krahinës, në mes të të cilave: detyrat e ardhshme të LK, veprimtaria e LK e Krahinës, në zbatimin e vendimeve të Kongresit të Nëntë të LK të Jugosllavisë, kujdesi ndaj rinisë, sidomos ndaj studentëve etj. Anëtari i Sekretariatit Krahinor të LK, Ismail Bajra, foli mbi gjendjen politike të Krahinës pas demonstratave të nëntorit të vitit të kaluar. Situatën e tanishme e vlerësoi në përgjithësi si pozitive se, “janë ngushtuar elementët antisocialistë që kanë organizuar demonstrata në Prishtinë e në disa vende tjera të krahinës”. Ai tërhoqi vëmendjen se, “me gjithë sukseset e arritura, armiku përsëri nuk ka pushuar dhe se në forma të hapura apo të maskuara ka vepruar edhe pas nëntorit veçanërisht në disa rajone të Prishtinës”. “Pasojat e këtij diversioni – tha ai – nuk zhduken lehtë”, dhe bëri thirrje për vigjilencë e gatishmëri. Çështja e fushatës së tanishme për zgjedhje të organeve shtetërore në Kosovë, i preokupon shumë udhëheqësit titistë. Shumë kandidatë të propozuar nga LS janë rrezuar nga populli, veçanërisht serbë e malazezë dhe kanë dalë elementë të “padëshirueshëm”, për të cilët janë bërë të gjitha përpjekjet për heqjen e tyre nga listat e kandidatëve.

        Ismail Bajra, si sekretar i Komitetit Krahinor që merrej me çështjet ndërnacionale, ka referuar shumë herë dhe më parë mbi gjendjen e Krahinës pas demonstratave. Në mbledhjen e Komitetit Krahinor në muajin janar, theksonte se: “në krahinë është krijuar njëfarë presioni në marrëdhëniet ndërnacionale, është mbjellë njëfarë mosbesimi dhe mossigurimi shoqëror”. Rezistenca e popullit kosovar kundër shtypjes titiste e serbomëdhenjve, e quan punë armiqësore nga armiq që “përbëjnë një aleancë antisocialiste, duke filluar nga armiqtë e klasës, të dënuarit politikë, kriminelë nga Shqipëria” etj. Shprehja kriminelë nga Shqipëria nuk është thënë kjartë se për cilët bëhet fjalë, megjithatë nga akuzat e njëpasnjëshme kundër vendit tonë të titistëve duket se kjo i referohet thënies së tyre të mëparëshme për gjoja përkrahje të demonstratave e akteve të tjera.

        Në Plenum theksohet se këto “forca armiqësore nuk janë aq të mëdha sa mund të organizojnë një ofensivë kundër LK dhe kudo që lidhja e komunistëve ka zhvilluar luftë të hapur ajo ka mundur këto forca”. Por, në diskutimet e zhvilluara në Plenum del se në përgjithësi dyshohet për forcat e lidhjes dhe për këtë shprehet shqetësim.

       Veli Deva, në fjalën e tij theksonte se: “… I tan ky aktivitet politiko-shoqëror, bëri që të zbulojmë dhe ca dobësi në punën dhe jetën e partisë. Ka raste kur një organizatë partie nëntë muaj rresht nuk bënë asnjë mbledhje partie. Kush duhet të veprojë në vend të saj – në vend të partisë atëherë? “Ndërsa, Ismail Bajra, në Plenumin e janarit thekson se: “Gjithnjë e më tepër është prezente dhe po përhapet dukuria e dezinformimit, sidomos në atë mes ku akoma ndihet mungesë e informimit të organizuar shoqëror. Këtij dezinformimi po i kontribuon edhe një pjesë e shtypit tonë. Kështu p.sh. në disa fshatra të komunës së Pejës u përhap lajmi se në Pejë serbët dhe malazezët shqyen të gjithë flamujt shqiptarë, se në Mal të Zi u kthyen dasmorët shqiptarë pse shkuan me flamur kombëtar. Nacionalistët prej kombësisë serbe e malazeze vazhdimisht po dilnin me parulla se fëmijët e udhëheqësve shqiptarë morën pjesë në demonstrata… Këtu mungon forca dhe puna e partisë, e komunistëve.

        Në Plenum u tha se problemet ekonomike të Krahinës kanë reflektuar dhe reflektojnë gjerësisht gjendjen politike. Si nga diskutimet dhe nga shtypi, del se afro dy e treta e ndërmarrjeve ekonomike të Kosovës punojnë me humbje të mëdha dhe 31 000 punëtorë, ose gjysma e tyre që janë në marrëdhënie pune marrin një pagë nën 600 dinarë. Sipas konkluzioneve të shumë diskutantëve këto mungesa shkaktojnë lindjen dhe shfaqjen e pakënaqësive si dhe konfliktet e karakterit ideologjik. Në diskutimin e tij Veli Deva tha se: “Lidhja e Komunistëve të Kosovës është zënë me detyra politike dhe prandaj, kohët e fundit, në njëfarë mase e ka lënë pas dore problematiken ekonomike”.

       Në referatin e Ismail Bajrës si dhe në diskutime u vu në dukje edhe problemi i divergjencave nacionale në krahinë. U theksua veçanërisht problemi i lokalizmit, “dyshimet dhe mosbesimi kundrejt kombësive tjera”. Bartësit e këtyre formave të nacionalizmit sipas tyre janë “disa elemente nga radhët e inteligjencës, veçanërisht e atyre me moshë të kaluar, si elementë mikroborgjezë”, u vunë detyra mbi luftën që duhet të bëjnë komunistët kundër çdo forme të nacionalizmit dhe shovinizmit, “si rreziqe të mëdha në kushtet e Krahinës me shumë kombësi”.

Nga mbledhja e Komitetit Krahinor të Lidhjes së K. të Kosovës mund të nxirren këto konkluzione kryesore

1.    Gjendja politike në Krahinën e Kosovës, për klikën e Titos është mjaftë shqetësuese. Me gjithë masat e marra kohët e fundit, si ajo e aprovimit të Kushtetutës, propaganda e madhe mbi barazinë dhe të drejtat e popujve, populli shqiptar i Kosovës nuk mashtrohet me demagogjinë titiste. Lufta për të drejtat kombëtare po merr çdo ditë proporcione më të gjera. Punëtorët në shumë qendra pune e prodhimi luftojnë që në udhëheqjet e tyre të vihen elemente shqiptare, që në administratat e kudo të vihet gjuha shqipe.

2.    Në drejtim të gjendjes ekonomike problemi paraqitet gjithashtu i ndërlikuar. Tani më ka pushuar propaganda për të ashtuquajturën ndihmë Kosovës si krahinë e pazhvilluar. Në Plenum u fol për gjendjen e pakënaqshme në ndërmarrjet ekonomike, rrogat e vogla papunësia dhe bujqësia e prapambetur, por nuk u fol për asnjë masë që mund të merret ndaj kësaj gjendje në mënyrë konkrete. Në fjalimet e udhëheqësve titistë është rregull që kur flitet për nivelin e ulët të Kosovës kjo prapambetje i lihet historisë.

3.    Në Plenum u diskutua shumë edhe çështja nacionale. Kohët e fundit ka qenë problem në Kosovë ikja e specialistëve serbë e malazezë nga shumë ndërmarrje të ndryshme, si dhe heqja nga lista e zgjedhjeve për këshilltarë e deputetë të një numri serbësh dhe zëvendësimi i tyre me elemente shqiptare, dhe kjo ka krijuar telashe për klikën e Titos, sepse ka ngjallë zemërim te serbët. Siç duket, ata kanë ndërmend të ndërmarrin fushatë propagandistike për këto probleme, për “ forcimin e bashkim-vëllazërimit”, në kuadrin e punimeve të materialeve të Kongresit të 9-të të LK të Jugosllavisë.

4.    Mendojmë se një nga shkaqet e mbajtjes të këtij Plenumi ka qenë dhe problemi i masave që duhen marrë për evitimin e mundësive të organizimit të ndonjë demonstrate tjetër në Kosovë, për të cilën flitej se mund të organizohej me fillimin e pranverës. Kështu, në mbledhje u diskutua shumë për masat që duhen marrë për edukimin e rinisë, veçanërisht të asaj studentore. Kjo theksohej duke e lidhur me gjyqet në Prishtinë ndaj studentëve të akuzuar si organizatorë të demonstratave në nëntorin e vitit të kaluar.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_____________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (22)

Nga Prof.dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura