DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (22)

Nga Prof.dr. Sabit Syla

-44-

Informacion mbi përdorimin e flamurit kombëtar nga shqiptarët e Kosovës

       Flamuri kombëtar është një simbol i shenjtë për çdo komb, popull dhe përdorimi i tij i lirë është një e drejtë e pamohueshme. Popullsisë shqiptare të Jugosllavisë një e drejtë legjitime i është mohuar nga krajlët e vjetër serbë, iu mohua për gati një çerekshekulli edhe nga revizionistët titistë. Shqiptarët e Kosovës kanë bërë një luftë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse për të ruajtur kombësinë shqiptare, gjuhën dhe zakonet e veta, ai ka luftuar për të fituar të drejtën e shkollës në gjuhën amtare, barazinë e gjuhës dhe mbajtjen e flamurit kombëtar. Në saje të kësaj lufte dhe si rezultat i krizës së brendshme të regjimit revizionist në Jugosllavi këto vitet e fundit. Titoja dhe klika e tij, u detyruan të bëjnë një lëshim – t’i lejojnë popullit shqiptar të Kosovës të drejtën të mbrojtjes dhe përdorimit të flamurit kombëtar. Kjo qe një fitore e madhe për popullsinë shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi, dhe një disfatë për titistët, për shovinistët serbomëdhenj etj. Që nga koha e lënies së lirë të popullsisë shqiptare të Kosovës, e përdorimit të flamurit kombëtar, deri tani nuk ka kaluar shumë kohë, por prapë revizionistët e Beogradit gjatë kësaj periudhe, kanë bërë çdo gjë të mundur prej tyre për të kufizuar sa më shumë, ose për ta hequr përsëri të drejtën e përdorimit e flamurit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës si dhe për ta përdorur këtë kërkesë të drejtë, për të nxitur akoma më tepër shovinistët serbomëdhenj etj., kundër popullsisë shqiptare të Jugosllavisë.

       Çështja e përdorimit të flamurit kombëtar në Kosovë, mbas Plenumit të Brionit të LKJ, është shtruar dhe diskutuar në dhjetëra mbledhje në organizata dhe forume të ndryshme që nga ato federative e republikane e deri në ato të Krahinës, por në të gjitha këto mbledhje çështja nuk është zgjedhur përfundimisht dhe popullit shqiptar të Kosovës i duhet akoma të luftojë për ta fituar plotësisht këtë të drejtë.

       Vitin e kaluar, KQ i LK të Jugosllavisë, aprovoi propozimet e 9 majit të Komitetit Ekzekutiv të KQ të LK të Serbisë dhe vendosi që “të gjitha kombësitë në kuadrin e RSFJ kanë të drejtën me i përdorë flamujt e tyre kombëtar”. Siç shihet në këtë vendim nuk del e qartë se kur dhe ku mund të përdoren flamujt, dhe kjo sigurisht nuk është bërë pa qëllim. Në radhë të parë, ky përcaktim i errët u la shteg titistëve dhe shovinistëve serbomëdhenj që ta katandisin këtë çështje në një akt formal, ose edhe ta shtrembërojnë fare. Popullsia shqiptare e Kosovës ka luftuar me këmbëngulje që e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar të sanksionohet me një ligj të posaçëm dhe flamuri shqiptar të përdoret jo vetëm në formë private, por ai të ngrihet edhe në institucionet shtetërore dhe shoqërore.

       Udhëheqësit e sotëm të Kosovës të detyruar nga presioni i masave popullore kosovare, më 5 tetor të vitit të kaluar, në një mbledhje të Kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste, shqyrtoi çështjen e përdorimit të flamujve kombëtar në Krahinë dhe aprovoi konkluzionet e kësaj mbledhje. Në këto konkluzione ndërmjet tjerave thuhet: “Pjesëtarët e kombësive të Kosovës dhe Metohisë – shqiptarët dhe turqit kanë të drejtë të vënë flamujt kombëtarë në të gjitha rastet kur e konsiderojnë të nevojshme” dhe se “pjesëtarët e kombësive shqiptare do të përdorin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenore, mbi të është ylli i kuq pesërrembash i rrethuar me shirit të verdhë”.

       Në nenin 11 të Ligjit Kushtetues të Krahinës së Kosovës, që u aprovua në shkurt të këtij viti, thuhet: “Në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës është e drejtë e shqiptarëve … të përdorin flamurin kombëtar”.

       Kushtet dhe mënyrat e përdorimit e flamurit kombëtar do të rregullohen me ligj. “Ky përcaktim përsëri është i errët dhe nuk është bërë pa qëllime të caktuara. Me çfarë ligji do të përcaktohen këto, sepse, ligje nxjerrë Federata, nxjerrë Republika, nxjerrë edhe Krahina. Kjo gjendje jo vetëm që nuk e kënaqi popullsinë shqiptare të Kosovës, por edhe e revoltoi atë – ai ka kërkuar dhe kërkon që kjo çështje të përcaktohet qartë dhe ai të këtë të drejtë të ngrejë flamurin kombëtar në Kosovë kudo dhe kurdo që ai e shikon të arsyeshme dhe për këtë të vendosë ai vetë dhe jo dikush tjetër. Por, titistët dhe serbomëdhenjtë nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë dakord me një kërkesë të tillë dhe jo vetëm kaq, por ata kërkuan dhe kërkojnë akoma që jo vetëm që të mos lejojnë përdorimin e flamurit kombëtar më nga popullsia shqiptare e Kosovës, por ta ndryshojnë fare flamurin kombëtar, t’i japin Kosovës një flamur tjetër, por jo atë shqiptar. Kështu gazeta titiste “Politika ekspres”, në një njoftim që bënte në fund të muajit mars të këtij viti, lidhur me analizën që do ta bënte konferenca federative lidhur me flamujt e kombësive, thotë se “flamujt të cilët në luftën nacionalçlirimtare, i mbanin brigadat e shumë kombësive do të jenë bazë për përcaktimin e flamurit kombëtar. Këto simbole duhet të dallohen nga flamuri shtetëror i vendit amë të përkatësisë kombëtare”. Ja se deri ku po shkojnë shovinistët jugosllavë në çështjen e të drejtave të popullit shqiptar për përdorimin e flamurit kombëtar. Një kërkesë e tillë e serbomëdhenjve për ta ndryshuar flamurin kombëtar shqiptar dhe për t’u imponuar kosovarëve një flamur të ri “bazohet dhe në urdhëresat që kanë nxjerr titistët në Kosovë gjatë luftës nacionalçlirimtare, por qe populli shqiptar kudo në Jugosllavi, nuk i ka njohur kurrë ashtu si në të kaluarën dhe gjatë kësaj lufte ka luftuar me flamurin e tij kombëtar.

        Udhëheqësit e sotëm të Kosovës e shohin qartë se klika e Titos dhe pasardhësit e Rankoviqit në Serbi po bëjnë të gjitha përpjekjet që ajo çka është thënë për lirinë e përdorimit të flamurit kombëtar nga popullsia shqiptare, të mbetët vetëm një premtim në letër dhe t’i shërbej jo vetëm si një mashtrim, por të përdoret dhe si një pretekst persekutime dhe reprezaljesh të reja kundër shqiptarëve të Jugosllavisë. Ismail Bajra, drejtor i gazetës “Rilindja” në një mbledhje në fillim të muajit qershor, deklaroi: se strukturat politike të Krahinës nuk janë distancuar sa duhet nga disa dukuri të nacionalizmit shtetmadh që po manifestohen me disa veprime të burokratizmit republikan e federative, që po shprehen negativisht në gjendjen politike të Krahinës. Dikush po i jep të drejtën vetes të flas e të shkruaj se ç’duhet shtuar ose hequr prej flamujve të kombësive. Në një mbledhje të ligjëruar të seksionit të Konferencës Federative të LSFJ për marrëdhëniet nacionale dhe ndër republikane që u bë, më 25 qershor, dhe u shkëmbyen mendime mbi përdorimin e flamujve të kombësive në Jugosllavi, Ismail Bajra kërkoi bile që flamuri kombëtar të ngrihet edhe në ndërtesat shtetërore dhe të organizatave politike duke motivuar se “ vënia e flamujve kombëtar në ndërtesat e organizatave politike dhe të organeve të shtetit do të ndikojë në afrimin midis popujve dhe kombësive”, Në këtë mbledhje u kërkua “që çështja e vënies së lirë të flamujve të kombësive të zgjidhet me akte normative dhe të përcaktohet me ligj”. Por, udhëheqësve të sotëm të Kosovës u ka mbetur akoma vetëm e drejta për të folur, se për të vendosur e ka tjetër kush këtë të drejtë në regjimin antipopullor të Jugosllavisë dhe këtë populli shqiptar i Kosovës e di mirë dhe nuk do të mashtrohet nga demagogjia e revizionistëve titistë dhe serbomëdhenjve. Në këtë mbledhje që u diskutua për një kërkesë të ligjshme të popullit shqiptar të Kosovës, u vendos kundër dëshirave dhe kërkesave të tij dhe në kundërshtim me Ligjin Kushtetues të sotëm të Kosovës, sipas të cilit “Kushtet dhe mënyra e përdorimit të flamurit kombëtar do të rregullohet me ligj”. Mbledhja erdhi në konkluzion se: Tek e fundit çfarë flamuri, ku dhe me çfarë rasti mund të ngrihen anëtarët e kombësive dhe nuk duhet të zgjidhet tani me ndonjë akt të përgjithshëm normativ, “u tha gjithashtu se edhe Sekretariati Federativ për legjislaturë është i mendimit se tani nuk ekziston nevoja që përdorimi i flamujve të kombësive të rregullohet me dispozita ligjore” … dhe se “ndoshta mund të rregullohet më detajisht me ligj federativ, ngritja e flamurit shtetëror kurse me ligj republikan përdorimi i flamujve republikan, ndërsa përdorimi i flamujve të kombësive do të jetë çështja e marrëveshjes ose eventualisht do të rregullohet me dispozita të Kuvendit Komunal shumica e popullsisë të së cilës e përbëjnë anëtarët e kombësisë. Këto janë konkluzionet e debatit të fundit mbi flamujt e kombësive në Jugosllavi. Si përfundim çështja mbi përdorimin e flamurit kombëtar i lihet Komunës, e cila ka të drejtë të nxjerr ligje.

        Nga se u tha më lart mund të arrihet në këto konkluzione:

1)   Me gjithë propagandën e madhe që kanë bërë dhe bëjnë revizionistët jugosllavë mbi masat që gjoja kanë marrë e po marrin për një barazi të plotë të popullsisë shqiptare të Kosovës – (në këtë drejtim dhe me lënien e lirë të përdorimit të flamurit kombëtar) janë një blof dhe një mashtrim. Qëndrimi i tyre prej shovinisti e serbomadhi nuk ka ndryshuar aspak dhe as që ka për të ndryshuar me vullnetin e tyre. 2) Çështja e përdorimit të flamurit kombëtar për shqiptarët e Jugosllavisë në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, nuk është zgjidhur dhe nuk do të zgjidhet kurrë nga titistët. 3) Shovinistët serbo-maqedonas dhe malazezë do ta përdorin këtë çështje ashtu si në të kaluarën për provokacione dhe reprezalje kundër popullsisë shqiptare, duke i akuzuar ata si “nacionalistë”, “shqiptaromëdhenj” etj. 4) Popullsia shqiptare në Kosovë është indinjuar për këtë të drejtë të shenjtë të sajin që i ndajnë titistët dhe shovinistët serbomëdhenj, dhe ajo është e vendosur që të luftojë për këtë të drejtë. Nga shtypi i Kosovës del se rinia shqiptare është në krye të kësaj lufte dhe ajo e manifeston kudo këtë; shumë të rinj e të reja mbajnë veshje kuq e zi, rinia i thurë vargje flamurit kombëtar, etj. Me qenë se nga ana e shtypit tonë është shkruar vitin e kaluar një artikull, prapë shtypi ynë mund të kthehet edhe njëherë në këtë temë – duke demaskuar përpjekjet e titistëve dhe shovinistëve serbomëdhenj, për t’i mohuar popullsisë shqiptare të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, ose mund të bëhet ndonjë koment në radio.

-45-

                  Disa të dhëna mbi zhvillimin ekomomik të Kosovës     

Ekonomia e Krahinës së Kosovës nuk mund të merret e shkëputur nga zhvillimi, rruga dhe qëllimi që ndjek gjithë zhvillimi i ekonomisë së Jugosllavisë, tipari themelor i së cilës është rivendosja e kapitalizmit. Për këtë çështje, shoku Enver Hoxha, në Kongresin V të PPSH ka thënë: “Qëllimi i revizionistëve është që marrëdhëniet socialiste në prodhim të ndryshohen dhe të kthehen në marrëdhënie kapitaliste, që në këtë mënyre të krijohet, të pasurohet klasa e borgjezisë së re, e cila jeton me përvetësimin e punës së huaj e pa spekulime në kurriz të punëtorëve”. Nga këto ligje e qëllime, është drejtuar edhe ekonomia e Krahinës së Kosovës. Duke theksuar se përveç sa u tha më sipër, zhvillimi i ekonomisë së Kosovës i është nënshtruar edhe politikës shoviniste-serbomadhe që ka ndjekur dhe ndjek klika revizioniste e Titos ndaj Kosovës edhe popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

       Kosova është krahina më e prapambetur dhe më e pazhvilluar nga ana ekonomike në të gjithë Jugosllavinë. Ky fakt pranohet si nga drejtuesit e sotëm të Kosovës, ashtu edhe nga udhëheqja revizioniste e klikës së Titos, dhe vërtetohet nga të gjitha dokumentet kryesore ekonomike e politike të LKJ, të Qeverisë jugosllave dhe nga fjalimet e ndryshme të krerëve revizionistë jugosllavë. Lidhur me prapambetjen ekonomike, politike e shoqërore të Kosovës, në Plenumin e 12-të të KQ të LKJ, që u mbajt në shkurt të këtij viti ndërmjet të tjerave thuhet: “Vështirësitë veçanërisht të mëdha, janë në rajonet e pazhvilluara në vendin tonë, ku më tepër banojnë shqiptarë. Kjo Krahinë ndesh në probleme, veçanërisht të rënda që janë pasojë e prapambetjes”. Një konkluzion të tillë e vumë në dukje gjithashtu në fjalimet e tyre Nikeziqi dhe Kardelime, rastin e vizitave që bënë në muajin qershor e korrik të këtij viti në Kosovë.

        Duke folur për prapambetjen e Krahinës së Kosovës, Ilia Vakiqi, kryetari i Këshillit Ekzekutiv Krahinor, në shtator të këtij viti tha: “Investimet jo të mjaftueshme në ekonominë e Krahinës, ka ndikuar që diferenca e shkallës së zhvillimit të jetë e madhe në mes të krahinës dhe republikave. Kështu që, në periudhën 1947-1965, në Kosovë investimet kanë qenë 407 dinarë për një banor, ose 34% nga mesatarja e vendit”.

       Shkaqet e prapambetjes së gjithanshme të Kosovës e kanë burimin në politikën që ka ndjekur ndaj Kosovës Qeveria jugosllave dhe udhëheqja revizioniste e LKJ-së, të cilët e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë atë si një vend kolonial, si një çiflig të tyre nga ku mund të marrin dhe të grabisin çfarë të duan dhe të mos japin asgjë.

       Kosova në kufijtë e sotëm si Krahinë Autonome, ka një sipërfaqe prej 10 880 kilometra katrorë, por megjithatë sipërfaqe relativisht të vogël, ajo vetë pozitën e saj gjeografike, relievin, klimën, bimësinë dhe veçanërisht pasuritë e saj të nëntokës, ka kushte shumë të favorshme për një zhvillim ekonomik të shpejtë dhe të gjithanshëm të saj, si industrial, ashtu edhe bujqësor. Megjithatë, ajo është krahina më e prapambetur e Jugosllavisë dhe sipas fjalëve të vet krerëve titistë, ajo do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen, sepse sipas tyre, krahinat e tjera të zhvilluara nuk do të qëndrojnë në vend dhe nuk do të presin të zhvillohen krahinat e prapambetura.

       Nga të dhënat e shtypit jugosllav dhe atij të Kosovës në zhvillimin ekonomik të mbas luftues të kësaj krahine, mund të dallohen në dy periudha kryesore. Periudha e parë që nga çlirimi e deri në vitin 1957, gjatë së cilës zhvillmi ekonomik është karakterizuar me një ritëm mjaft të dobët. Në këtë periudhë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, janë investuar gjithsej 32 miliardë dinarë të vjetër, ose 320 milionë dinarë të rinj dhe prodhimi është rritur mesatarisht në vitin 1963, ekonomia ka pritur njëfarë zhvillimi më të madh në 5.3% në vit. Nga viti 1957 deri me krahasim me periudhën e parë. Gjatë kësaj kohe janë investuar gjithsej 190 milionë dinarë të vjetër, ose 1 900 milionë dinarë të rinj, dhe rritja vjetore ka qenë 7,5 deri në 10% . Mbas vitit 1963, gjendja ka qenë pothuajse e njëjtë.

Në shtator të këtij viti, Ilia Vakiqi, në një informacion që i dha Mitja Ribiçiqit, kryetari i Këshillit Ekzekutiv Federativ, me rastin e vizitës së tij në Kosovë, mbi zhvillimin ekonomik të krahinës, ndërmjet të tjerave thoshte: “Në periudhën e pasluftës janë ngritur 60 objekte të reja industriale dhe janë formuar 17 degë të industrisë, rezultat i të cilave rritet 7 herë prodhimtaria industriale e 4 herë prodhimtaria bujqësore”. “Duke folur për remizimin e planit ekonomik gjatë vitit 1968, ai tha se këtë vit ekonomia e Kosovës ka pasur 7 miliardë dinarë të vjetër humbje dhe një sasi e këtyre humbjeve është pasojë e thatësirës së vitit të kaluar, ndërsa pjesa tjetër e organizimit të dobët të prodhimtarisë dhe faktorëve të tjerë subjektivë. Ai shtoi se të gjitha fondet e ekonomisë në Krahinë, kanë një shumë prej 9 miliardë e gjysmë dinarë të vjetër, ndërsa obligimet vjetore të organizatave punuese për pagesën e kredive janë më se 20 miliardë”. Sipas të dhënave të shtypit gjatë 9 muajve të parë, të këtij viti Kosova ka rreth 60 ndërmarrje ekonomike me më shumë se 20 mijë punëtorë që punojnë me humbje.                

Industria

       Nga pikëpamja e formës së pronës, industria e Kosovës ashtu si gjithë sektorët e tjerë ekonomik, është një variant i pronës kapitaliste shtetërore, por për të mashtruar masat punonjëse lidhur me këtë karakter të vërtetë, ajo është zbukuruar me fjalët “vetë administrim punëtor”, por fjalët e bukura nuk mund të ndryshojnë përmbajtën. Qëllimi i vetëm i prodhimit nuk është plotësimi i nevojave të punonjësve, por prodhimi bëhet për hir të fitimit dhe të ardhurat shërbejnë për të pasuruar persona të veçantë dhe punëtorët marrin aq sa për të ruajtur aftësinë për të punuar.

       Degët kryesore të industrisë në Kosovë, janë këto: industria metalurgjike, industria e qymyrit, industria elektrike, industria e tekstilit, industria e materialeve të ndërtimit, ajo e lëkurave dhe këpucëve, industria ushqimore, industria e duhanit, industria kimike etj. Në të gjitha degët e industrisë në vendin kryesor dhe më të rëndësishëm e zë metalurgjia. Kosova është shumë e pasur me minerale e veçanërisht me nikel, boksit, hekur, plumb, zink etj., disa prej të cilave gjenden vetëm në Kosovë. Ja një tabelë mbi llojet kryesore të mineraleve që gjenden në Kosovë me përqindjet e tyren rezervat e përgjithshme të Jugosllavisë.

EmërtimiSasia e rezervave në % kundrejt rezervave të gjithë Jugosllavisë
Nikel100%
Boksit hekuri100%
Granit100%
Leucit100%
Plumb e zink54%
Karbonat34%
Linjit50%
Magnez28%
Kaolini16%
Krom12%
  

       Përveç mineraleve të mësipërme disa nga të cilat gjenden vetëm në Kosovën, ndërsa të tjerat ndodhen në sasi të konsiderueshme, ka edhe mjaft minerale të tjera, si: argjend, ar etj. Për shfrytëzimin e mineraleve të Kosovës janë të interesuara jo vetëm jugosllavët, por edhe vendete tjera revizioniste të cilat tregohen të gatshëm të investojnë dhe kapitalet e tyre. Në një fjalim të Matija Ribaçiqit, kryetar i Këshillit Ekzekutiv Federativ me udhëheqësit e kombinatit mineralo-energjitik-kimik “Kosova” në Obiliq, në fund të shtatorit të këtij viti ai tha: “për boksitin janë të interesuar edhe partnerë të jashtëm, në radhë të parë Bashkimi Sovjetik dhe Rumania, kjo e dyta sipas bisedimeve të fundit është e gatshme të investojë mjete materiale”.

        Burime minerale gjenden pothuaj në gjithë territorin e Kosovës. Në pjesën veriore në afërsi të Mitrovicës (në Trepçë) gjenden minierat më të mëdha të Kosovës e të Jugosllavisë, minierat e plumbit e të zinkut (për rëndësinë e tyre, gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, megjithëse Mitrovica është pjesë e pandarë e Kosovës, nuk ia lanë atë Italisë, por e mbajtën për ta shfrytëzuar vetë). Në afërsi të Prishtinës dhe Lipjanit, gjenden minierat e magnezit dhe të qymyrit, kurse në pjesën jugore minierat e kromit etj. Miniera më e madhe e Kosovës është ajo e Trepçës së Mitrovicës, ku është ndërtuar edhe kombinati më i madh metalurgjik i Kosovës. Nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të plumbit dhe zinkut etj. Në Trepçë punojnë më shumë se 11 mijë punëtorë. Minierat e Trepçës dhe kombinati metalurgjik i saj ka një kapacitet vjetor sipas tabelës së mëposhtme:

                                  Në ton

Lloji i mineralitProdhimi në vitin 1966Parashikuar për vitin 1970
Mineral plumbi e zinku1 205 6863/250 000
Koncentrat pb.68 568167 000
Koncentrat zn.79 330177 000
Koncentrat piriti67 378340 000
Plumb i rafinuar74 794150 000
Argjend102 003    190
Ar0.31    0.55
Acid sulfurik130 000265 000

Industria elektrike. Centrali më i madh elektrik i Kosovës është ai i kombinatit mineralo-energjitiko-kimik, në Obiliq, afër Prishtinës, i cili në vitin 1966, kishte një kapacitet gjithsej prej 1 236 908 KËH nga të cilat 1 199 709 KËH siguroheshin nga termocentrali dhe 37 199 KËH nga hidra energjetika. Është parashikuar që kapaciteti i tij në vitin 1970, të rritet 286%, kryesisht ai i termocentralit

       Industria e qymyrit. Kosova ka rezerva të konsiderueshme në linjit. Ato ndodhen në dy vende kryesore, në afërsi të Prishtinës që janë edhe rezervat më të mëdha dhe në pjesën perëndimore, në Dukagjin. Në të dy këto vendburime, thuhet se gjenden 10 miliardë tonë, që përbënë rreth 50% të të gjithë rezervave të Jugosllavisë në qymyr. Kualiteti i linjitit të Kosovës është i dobët me një mesatare me 1 400-2 300 k/k, por ai është i leverdishëm sepse nxjerrja e tij kushton lirë për arsye se shtresat janë në thellësi të vogla. Në vitin 1968 nga miniera e linjitit në afërsi të Prishtinës janë nxjerr 3.100 mi ton. Këtu janë ndërtuar edhe kombinati mineralo-energjitik-kimik “Kosova” në Obiliq i cili merret me nxjerrjen e linjitit, pasurimin e tij, prodhimin e koksit, gazit, plehrave kimike dhe prodhimeve tjera me bazë linjiti. Kombinati ka termocentralin me kapacitet 1 199 709 KËH . Thuhet se perspektivat e këtij kombinati janë të mëdha.

        Industria e tekstilit. Në Kosovë punojnë do kombinate tekstili, njëri në Prizren, tjetri në Gjilan. Kombinati i tekstilit në Gjilan prodhon rreth 7 milionë metra pëlhurë në vit dhe lloje të ndryshme të tjera tekstili. Në Gjakovë gjendet një kombinat pambuku edhe një fabrikë për prodhime tekstili dhe trikotazhi me një kapacitet vjetor 2.5 milionë m2, konfeksione të ndryshme dhe rreth 300 tonë trikotazhesh.

Industria e lëkurës dhe këpucëve. Në Pejë është ndërtuar një kombinat për prodhimin e lëkurave dhe këpucëve me një kapacitet vjetor prej 445 mijë m2 lëkurë të ndryshme, 110 mijë m2 lëkurë peliçe dhe 650 mijë palë këpucë lëkure. Ka gjithashtu dy fabrika këpucësh, njëra në Prizren dhe tjetra në Lipjan. Kjo e fundit ka një kapacitet vjetor prej 370 mijë palë këpucë të llojeve të ndryshme. Përveç këtyre në Gjakovë është ndërtuar një fabrikë për përpunimin e enëve të zinkut dhe enëve të emaluara. Ka një fabrikë për prodhimin e vajrave vegjetale, një fabrikë çimentoje dhe një fabrikë për prodhimin e gëlqeres. Përveç degëve të industrisë që u përmendën më sipër, në Kosovë ka gjithashtu edhe disa degë të tjera të industrisë, por me rëndësi më të vogël, siç janë: industria ushqimore, industria kimike, industria e duhanit, industria e materialeve të ndërtimit, industria e letrës etj.

       Struktura e degëve kryesore të industrisë së Kosovës në vitin 1965 dhe parashikimi për vitin 1970 paraqitet si më poshtë:

  % mbi sasinë e prodhimit të përgjithshëm në vitin 1965Parashikuar në vitin 1967 në %
1.Industria metalurgjike24.618
2.Industria e qymyrit14.721
3.Industria elektrike15.616.5
4.Industria tekstile11.58.2
5.Industria e materiali të ndërtimit53.3
6.Industria e lëkurës dhe këpucëve4.32.3
7.Industria ushqimore4.24.1
8.Industria kimike3.88.3
9.Industria e duhanit3.21.7

Sikurse shihet nga tabela e mësipërme e prodhimit industrial në Kosovë, gjatë pesë viteve (1966-1970), do ndryshojë, do të rritet pesha specifike e disa degëve të industrisë së rëndë si dhe ajo e qymyrit që ka rritjen më të madhe, e industrisë elektrike, e kimike dhe do të ulët pesha specifike e industrisë së lehtë, siç janë industria e tekstilit, e materialeve të ndërtimit, e lëkurës dhe këpucëve etj.

Në vitin 1965, të ardhurat e përgjithshme të Krahinës së Kosovës nga industria kanë pasur këtë strukturë:

Në millionë dinarë të rinj
 
Bazuar në vitin 1965
Parashikuar në ton në %në vitin 1970
Të ardhurat e përgjithshme1/298.9264.3%
Industria elektrike111.2343.6%
Industria e qymyrit111.7408.4%
Materialet e ngjyrosura375.4203.5%
Jometalet33.3212.1%
Industria metalike31.1619.2%
Industria kimike68.8610.6%
Materiale ndërtimi33.8182.7%
Industria e drurit54.9168.2%
Industria e letrës7.0140.0%
Industria e tekstilit194.1192.3%
Industria e lëkurës dhe këpucëve48.6132.1%
Industria e gomës15.9400.0%
Industria ushqimore22.6140.6%
Industria grafike22.6140.6%
Industria e duhanit76.2161.1%

        Ndërtimi.Si në të gjithë sektorët e tjerë edhe në sektorin e ndërtimit në Kosovë, vendin kryesor e zënë ndërtimet në sektorin privat. Ato janë afro katër herë më të mëdha së në sektorin shoqëror. Kështu p.sh. sipas disa të dhënave, gjatë vitit 1965 në të gjithë Krahinën e Kosovës janë ndërtuar gjithsej 4 518 ndërtesa, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 237 mijë m2 (7 mijë m2 më pak se në vitin 1962), nga të cilat, 905 banesa janë ndërtuar në pronën shoqërore, kurse në pronën personale janë ndërtuar 3 614 banesa, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 195 mijë m2.

         Elektrifikimi i fshatrave. Kosova ka gjithsej 1 441 fshatra me rreth 153 mijë familje. Nga një statistikë e batuar, në shtator të vitit 1966, del se në vitin 1965 ishin elektrifikuar 464 fshatra, ose 32% e gjithë fshatrave të Krahinës, kurse në Serbi janë elektrifikuar rreth 80% e fshatrave. Prej vitit 1966 deri në fund të këtij viti, janë elektrifikuar ose do të elektrifikohen edhe 174 fshatra të tjera. Në qoftë se elektrifikimi i fshatrave të Kosovës do të vazhdojë me këtë ritëm, do të duhen rreth 15-20 vjet për ta përfunduar. Nga shtypi i përditshëm del se edhe ato fshatra për të cilat thuhet se janë elektrifikuar, nuk kanë marrë të gjitha familjet dritë elektrike, ka ankesa për punën e dobët që është bërë në këtë drejtim, si për linjat e jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme, të cilat jo vetëm japin korrent jo të mjaftueshëm, por paraqesin edhe rrezikshmëri. Nga qytetarë dhe nga ente të ndryshme ka pasur propozime dhe kërkesa që punimet për elektrifikimin të centralizohen nga shteti dhe disa punime të ribëhen përsëri.

       Komunikacioni.Komunikacioni kryesor në Kosovë është ai automobilistik, i cili karakterizohet nga një zhvillim i dobët. Rrugët ekzistuese kanë një strukturë të keqe teknike. Për këto arsye, komunikacioni nuk plotëson nevojat e krahinës. Si në të gjitha fushat tjera edhe në zhvillimin e komunikacionit, Kosova zë vendin e fundit në Jugosllavi.

        Ja një tabelë mbi gjatësinë dhe kategorinë e rrugëve automobilistike të Kosovës, (në fund të vitit 1967).

Gjatësia e rrugëve gjithsej2 364 km

Nga këto:

Të shtruara me asfalt, me beton dhe me blloqe286 km
Të shtruara me gur902 km
Të pashtruara1 176 km

Struktura e keqe e rrugëve automobilistike dhe kujdes i pamjaftueshëm për mirëmbajtjen e tyre bënë që shpenzimet e shfrytëzimit të automjetit të rriten më shume se 30%. Investimet për komunikacionin kanë qenë dhe janë shumë të vogla, kështu p.sh. prej vitit 1952 deri në vitin 1962, për rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e rrugëve automobilistike janë shpenzuar 200 mijë dinarë të vjetër. Edhe llojet tjera të komunikacionit, si hekurudhat dhe lundrimi ajror nuk plotësojnë nevojat e Krahinës. Kosova ka rreth 400 km hekurudhë, kryesisht rrugë me binarë normalë, ndërsa hekurudha me binarë të ngushtë janë ndërtuar kryesisht ndërmjet qendrave industriale dhe minierave. Nga shtypi del se Jugosllavia ka siguruar një fond nga një bankë ndërkombëtare për ndërtimin e disa rrugëve të reja automobilistike dhe hekurudhore si dhe për përmirësimin e atyre ekzistuese. Këto punime do të përfshijnë edhe Krahinën e Kosovës.

       Tregtia e jashtme. Sistemi i vetë administrimit u jep të drejtë ndërmarrjeve ekonomike të Krahinës së Kosovës që të lidhin kontrata dhe të tregtojnë jo vetëm me ndërmarrje dhe firma jugosllave, por edhe me firma të jashtme. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 1969, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkëmbimi i mallrave nga ndërmarrjet e Kosovës me botën e jashtme, është shtuar 27.4%. Gjatë kësaj periudhe në rajonet konvertibile janë realizuar mallra me një vlerë prej 13 285 750 dollarë, ndërsa me rajonet klering u realizuan mallra me një vlerë prej 6 660 595 dollarë. Kombinimi metalorgjiko-kimik i Trepçës zë 75% të të gjithë mallrave të eksportit të Kosovës. Ja një tabelë mbi llojet e mallrave, vlerën e tyre në vitin 1965 dhe parashikimi për vitin 1970, që krahina e Kosovës ka eksportuar në vendet e jashtme:

 19561970
Vlera e përgjithshme e eksportit395.6760.0
Industria365.1689.0
Metalet e ngjyrosura266.5480
Jometalet10.524
Ind. për përpunimin e drurit10.619
Ind. e tekstilit20.943
Industria e lëkurës dhe këpucëve21.033
Industria e duhanit19.234
Industria tjetër16.456
Bujqësia dhe industria e ushqimit30.571.0

Bujqësia. Reliefi, klima dhe pjelloria e tokës e bëjnë Kosovën që të jetë një krahinë shumë e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Me të drejtë ajo është quajtur dhe quhet hambari i Serbisë. Para Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para të mbarimit të Luftës, pjesa dërmuese e popullsisë merrej me bujqësi dhe blegtori, kurse këto vitet e fundit struktura ekonomike e popullsisë ka filluar të ndryshohet. Kështu në vitin 1948, 83.9% e popullsisë merrej me bujqësi, në vitin 1966, 59.5% e popullsisë konsiderohej bujqësore dhe 40.5% jobujqësore, kurse në vitin 1970 është parashikuar që 56% të jetë bujqësore dhe 44% jobujqësore. Nga sipërfaqja e përgjithshme prej 10.880 km2 që ka Kosova, sipërfaqja e përgjithshme bujqësore zë gjithsejtë 581.296* ha, nga të cilat 386.231* ha janë tokë e punueshme dhe 195.005* ha janë kullota.

       Sipas formave të pronës ajo është ndarë si më poshtë: a) Pronat individuale që zotërojnë pjesën dërmuese të sipërfaqes bujqësore 481.337* ha sipërfaqja bujqësore dhe 143.524* ha kullota. b) Të ashtuquajturat prona shoqërore (ndërmarrjet bujqësore industriale që nuk janë gjë tjetër veç një formë e ndërmarrjeve kapitaliste shtetërore dhe kooperativat bujqësore, ku zotër të vërtetë janë kulakët) të cilët zotërojnë gjithsej 99 399 ha tokë bujqësore, nga e cila 47 918 ha tokë e punueshme dhe 51 481 ha kullota.

        Krahina e Kosovës si në krahasim me gjithë Jugosllavinë, ashtu edhe me republikën, ka dendësinë më të madhe agrare. Një banori atje i takon afërsisht 0.48 ha tokë bujqësore dhe 0.32 ha tokë e punueshme, kurse sipas të dhënave të vitit 1965, në gjithë Jugosllavinë një banori i takon 1.64 ha tokë e punueshme, në Serbi 1.3 ha, në Vojvodinë 1.74 ha, në Maqedoni 1.1 ha, në Mal të Zi 0.86 ha. Në një fjalim që ka mbajtur Veli Deva, më 19 prill të këtij viti, në Prishtinë, me rastin e 50-vjetorit të krijimit të LKJ, duke folur për sukseset e arritura në sektorin e bujqësisë në Kosovë gjatë viteve të mbas çlirimit, ndërmjet të tjerave tha se prodhimi i përgjithshëm bujqësor në Kosovë është rritur më se 4 herë. Prodhimet kryesore bujqësore që mbillen në Kosovë janë: drithërat, gruri, misri, thekra, elbi e tërshëra, bimët industriale, panxharsheqeri, luledielli, duhani etj. Mbillen gjithashtu edhe patatja, perimet dhe janë të zhvilluara frutikultura dhe vitikultura.

       Në ekonominë e Krahinës së Kosovës një vend të rëndësishëm zë edhe blegtoria, si: gjedhi, dhentë, derrat, kuajt etj. Kosova rrit gjithashtu edhe mjaft shpend.   Nga tokat e punueshme sipërfaqet më të mëdha i zënë drithërat me 81.6%, bimët industriale 5.77, perimet 4.6%, bimët për ushqimin e kafshëve 5.5% dhe vetëm 2.6% nga e gjithë sipërfaqja e punueshme janë toka djerrinë. Ndarja e sipërfaqes bujqësore sipas kulturave që mbillen dhe sipas llojit të pronësisë paraqitet si më poshtë:

 Gjendja në vitin 1965Parashikuar për vitin 1970
Bujqësia e përgjithshme Sipërfaqja bujqësore gjithsej në ha nga këto:  581 236  582 169
Sipërfaqja e punuar386 231388 196
1.Ara e kopshte302 096303 194
2.Pemishte9 65511 129
3.Vreshta6 2116 577
4.Livadhe68 26967 269
Kullota195 005194 000
Pronat shoqërore Sipërfaqe bujqësore gjithsej në ha nga kjo:  99 399  104.000
Sipërfaqja e punuar47 91853.000
1.Ara kopshte41 26845 769
2.Pemishte1 9632 967
3.Vreshta2 7603 264
4.Livadhe1 8271 000
Kullota51 48151 000

Në vitin bujqësor 1964-1965 në Kosovë janë mbjellë gjithsej 246 391 ha me drithëra dhe është marrë ky prodhim:

 Viti 1964-1965
Grurë e thekër238 880
Elb9 700
Tërshërë18 600
Misër184 400
Gjithsej              451 580

Nga tabela e mësipërme del se është marrë mesatarisht për të gjitha kulturat së bashku një rendiment mesatar prej 18.3 kv për ha. Nga të dhënat e shtypit të Kosovës për këtë vit bujqësor thuhet se ai nuk ka qenë i mirë për të lashtat nga shkaku i thatësirës së madhe që pati gjatë muajve të pranverës, megjithatë njoftohet se gjithsej 109 642 ha të mbjella me grurë, u morën mesatarisht 19 kv për ha, kurse kombinati bujqësor industrial “Progres-eksport” në Prizren, arriti rendimentin mesatar 33-35 kv, grurë për ha dhe “Kosme-eksport” në Prishtinë, “Ereniku” i Gjakovës, kooperativa bujqësore e Lipjanit arritën një rendiment mesatar nga 30 gjer në 35 kv grurë për ha. Në vitin 1970 është parashikuar që sipërfaqja e mbjellë me drithëra nga 246.31 ha që ka qenë në vitin 1965, të ulet në 236 965 ha, kurse prodhimi i përgjithshëm nga kjo sipërfaqe të rritet edhe 54 450 tonë. Parashikohet të prodhohet 263 310 tonë grurë e thekër, 194 420 tonë misër, 18 300 tonë elb, ndërsa prodhimi i tërshërës do të ulet, nga 18 600 tonë më 1965 në 17 400 tonë.

 Pronat shoqërore (ndërmarrjet bujqësore-industriale, kooperativat bujqësore).

Në Kosovë tani ekzistojnë 5 kombinate industriale-bujqësore dhe 47 kooperativa bujqësore, të cilat kanë gjithsej 99 399 ha tokë bujqësore, të ndara si më poshtë:

 Në ha 1965
Sipërfaqja bujqësore gjithsej99 399
Sipërfaqja e punuar47 918
Ara e kopshte41 368
Pemishte1 963
Vreshta2 760
Livadhe1 827
Kullota51 481

        Në vitin bujqësor 1964/1965, këto ekonomi kanë prodhuar 55 800 tonë grurë e thekër, 14 000 tonë misër, 3 100 tonë tërshërë dhe 2 100 tonë elb. Është parashikuar që qysh në vitin 1965 deri në vitin 1970 këto ekonomi të rrisin sipërfaqen e përgjithshme bujqësore edhe më 4 600 ha të tjerë duke shtuar kryesisht prodhimin e misrit. Nga 14 000 tonë misër të prodhuara 1964/65, në vitin 1970 do të prodhohet 22 500 tonë.

        Bimët industriale. Bimët industriale kryesore që mbillen në Kosovë, janë: panxharsheqeri, luledielli dhe duhani. Në vitin 1964/65 ato zinin një sipërfaqe të përgjithshme prej 17 298 ha, nga e cila u murrën gjithsej 99 600 tonë panxharsheqer, 7 500 tonë luledielli dhe 3 100 tonë duhan. Në vitin 1970, është planifikuar që prodhimi i bimëve industriale të rritet në mënyrë të konsiderueshme, thuhet se në vitin 1970 do të prodhohen 180 000 tonë panxharsheqer, 12 000 tonë luledielli dhe 6 400 tonë duhan.

 Patatet, perimet, pemët dhe rrushi. Në vitin bujqësor 1964/65 në Kosovë u prodhuan gjithsej 40 500 tonë patate, 68 200 tonë perime, 30 100 tonë pemë, 26 300 tonë rrush, kurse për këtë vit pritet të merren 36 000 tonë. Këto prodhime i japin kryesisht pronat individuale me përjashtim të rrushit sasia e të cilit u dha në masën 45% nga pronat shoqërore. Në këto prona është parashikuar që në vitin 1970 të rritet më shumë se 6 herë prodhimi i perimeve, më shumë se 8 herë prodhimi i pemëve dhe më shumë se 2 herë prodhimi i rrushit. Nga 26 300 tonë rrush që është prodhuar më 1965, vitin e ardhshëm do të prodhohen 41.000 tonë.

        Mekanizmi dhe përdorimi i plehrave kimike. Në fushat e Kosovës, në vitin 1965, ka pasur gjithsej 1793 traktorë dhe 427 kombajna. Është parashikuar që në vitin e ardhshëm numri i traktorëve të rritet në 2 500 dhe ai i kombajnave në 1 000 copë. Sipas këtyre të dhënave i takon afërsisht një traktor për çdo 160 ha tokë arë dhe më 1970, një traktor për çdo për 120 na tokë arë. Me reformën e vitit 1965, në Jugosllavi u prishën stacionet e makinave dhe traktorëve dhe ato u lanë në dispozicion të ndërmarrjeve bujqësore, kooperativave bujqësore dhe kulakëve. Kështu, nga viti në vit, ato kanë shtuar sasinë e traktorëve, të kombajnave dhe të makinave të tjera bujqësore që përdorin në pronat e tyre. Lënia e lirë e shitblerjes së tokës, e drejta e personave individual për të përdorur fuqi punëtore, dallaveret e tjera për shtimin e sipërfaqes së tokës personale mbi 10 ha, ka bërë që kulakët të bëhen dalëngadalë prodhuesit kryesorë të prodhimeve bujqësore, si në të gjithë Jugosllavinë ashtu edhe në Kosovë.

       Në Kosovë, në vitin 1965 janë përdorur 87 097 tonë plehra kimike dhe në vitet 1970 parashikohet të përdoret 184 882 tonë. Sipas këtyre shifrave, në vitin 1965 janë përdorur 225 kg plehra kimike për 1 ha, dhe në vitin 1970 kjo shifër parashikohet 476 kg për ha pleh kimik. Nga të dhënat del që në vitin 1965 në pronat shoqërore janë përdorur 46 679 tonë plehra kimike, kurse në pronat individuale 37 418 tonë.

        Blegtoria. Konditat e favorshme për zhvillimin e bujqësisë, pasuritë e konsiderueshme të kullotave dhe livadheve (68 269 ha livadhe dhe 195 005 ha kullota), favorizojnë edhe zhvillimin e blegtorisë në Krahinën e Kosovës. Ja një tablo mbi numrin e blegtorisë së Kosovës, më 15 janar 1966, dhe shifrat e parashikuara për 1971.

 Në mijë krerë
 Viti 15.01.1966Parashikuar për vitin 1971
Numri i përgjithshëm
Gjedhë gjithsej320000327 100
Lopë dhe mëshqerra baresë133 000149 000
Derra43 00070 000
Dele555 000773 000
Kuaj55 00045 000
Shpendë899 0001 800 000
Nga këto në pronat shoqërore
Gjedh gjithsej9 20415 115
Lopë dhe mëshqerra baresë3 6676 953
Derra5 90812 000
Dele4 1666 000
Shpendë14 81625 000

Sikurse shihet edhe nga tabela e mësipërme edhe blegtoria në Kosovë, në përqindjen dërmuese të saj i përket sektorit individual, prandaj edhe furnizuesit kryesorë të prodhimeve blegtorale, si: mishi, qumështi, leshi, vezët etj., janë ekonomitë individuale. Kështu p.sh. gjatë vitit 1965 Kosova dha 12 230 tonë mish, 63 339 000 litra qumësht, 1 300 tonë lesh dhe 45 milionë vezë. Pronat shoqërore dhanë vetën 810 tonë mish, 5 779 000 litra qumësht, 200 tonë lesh dhe 300 mijë kokrra vezë. Për vitin 1970 është planifikuar që në krahasim me vitin 1965, sasia e mishit të rritet 171.3% (mishi i derrit 189.7%, i shpendëve 27.5%) qumështi 141.9%, leshi 160%dhe vezët 173.3%. Nga tabela mbi numrin e blegtorisë del gjithashtu se në vitin 1971 është parashikuar që në këtë vit të ketë një rritje të konsiderueshme të krerëve të gjësë së gjallë. Por, nga disa të dhëna të kohëve të fundit, del se ky numër jo vetëm që nuk do të arrihet, por përkundrazi do të pakësohet, veçanërisht në lopët dhe delet. Në shtator të këtij viti gazeta “Rilindja” njoftonte se vitet e fundit blegtoria e krahinës gjithnjë e më shumë po pakohet. Zvogëlim të madh, sidomos ka shënuar sektori shoqëror, ku numri i kafshëve në pesë vitet e fundit, është përgjysmuar ose është shuar fare. Kështu në krahasim me vitin e kaluar, sivjet numri i lopëve është 20.7% më i vigël në sektorin shoqëror dhe 3.7% më i vogël në sektorin individual. Numri i deleve në sektorin shoqëror është pakësuar 42,7% dhe në sektorin individual 8.3%.

Pyllëzimi

Krahina e Kosovës është e pasur me pyje, gjë që lejon të zhvillohet industria e drurit dhe të lehtësohet industria e ndërtimit. Në pyjet e Kosovës priten çdo vit mbi 500 mijë m3 dru dhe lëndë ndërtimi dhe rreth 145 mijë m3 dru zjarri. Është parashikuar që nga ndërmarrjet e pyjeve “Goran”, prej vitit 1965 deri në vitin 1970, të pyllëzohen çdo vit mesatarisht 1 500 ha pyje të reja kryesisht me drurë fletore.

Të ardhurat kombëtare

Të ardhurat kombëtare të Krahinës në vitin 1965 dhe parashikimi për vitin 1970 paraqiten si më poshtë: (të llogaritura me çmimet e vitit 1965në milionë dinarë të rinj).

       1965  1970Rritjen e parashikuar në përqindje
Ekonomi e përgjithshme1.453.62.901.6198.2%
Shoqërore941.82.260.6240%
Individuale521.8641.0112.8%
Industria511.11.447.2281.1%
Bujqësia541.3621.5127.7%
Shoqërore70.0119.4170.5%
Individuale471.3572.1121.3%
Nga pyjet11.216.7149.1%
Nga ndërtimet153.8283.3184.2%
Shoqërore129.4252.3194.9%
Individuale24.431.0127.0%
Komunikacioni53.599.9186.7%
Shoqërore52.298.3188.3%
Individuale1.31.6123%
Qarkullimi155.7302.7194.4%
Artizanati31.549.6157.4%
Shoqërore6.713.3198.5%
Individuale24.836.3146.3%
Veprimtaria komunale5.510.7194.5%

Të ardhurat kombëtare të Krahinës së Kosovës për frymë të popullsisë në krahasim me republikat tjera të Jugosllavisë, kanë një ndryshim të madh. Ato kanë pasur tendenca që ky ndryshim të bëhet më i madh nga viti në vit. Kështu p.sh. në qoftë se të ardhurat kombëtare për frymë të popullsisë së Jugosllavisë do t’i shënojmë me 1 100, të ardhurat kombëtare të Kosovës kanë qenë 43.3 në vitin 1947, kurse në vitin 1963, 31.6. Këtë rënie të përqindjes së të ardhurave kombëtare për frymë të popullsisë në krahasim me të ardhurat për frymë të popullsisë së gjithë vendit, titistët mundohen ta shpjegojnë me shtimin e madh që ka popullsia e Kosovës në krahasim me pjesët e tjera të vendit dhe përmendin faktin se… ndërsa në vitin 1947 popullsia e Kosovës përbënte 4.6% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë, në vitin 1963 kjo shifër rritet në 5.3%.

       Të ardhurat për frymë të popullsisë përcaktojnë edhe nivelin e jetesës, prandaj nga të dhënat e mësipërme del që niveli i jetesës në Kosovë është shumë më i ulët në krahasim me popullsinë e krahinave të tjera të Jugosllavisë. Këtë nivel të ulët të jetesës e vështirëson akoma më shumë papunësia, e cila është një sëmundje kronike në jetën ekonomike të Krahinës së Kosovës edhe që është më e rëndë se në çdo republikë të Jugosllavisë. Në Kosovë ka rreth 80 mijë vetë të papunë, nuk ka asnjë perspektivë për zgjedhjen e këtij problemi. Kjo ka bërë që shumë kosovarë kryesisht të kombësisë shqiptare, (sepse serbët dhe malazezet gjejnë më lehtë punë) të largohen nga Kosova dhe të shkojnë për të kërkuar punë në viset e tjera të Jugosllavisë, ose në vendet kapitaliste të Evropës Perëndimore. Në prill të këtij viti 1971, nga Kosova punonin në botën e jashtme më shumë se 24 000 punëtorë, e gjatë vitit 1970 nga Kosova gjetën punë 22 321 vetë, nga të cilët jashtë Jugosllavisë 11 336, në vise të ndryshme të Jugosllavisë 7 885 dhe në Kosovë 3 100 vetë.

Tetor 1969

Gusht 1969                Sektori i Posaçëm

…………….

Literatura:

  • Dokumentacioni themelor i planit shoqëror të zhvillimit të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë deri në vitin 1970 (botimi i artit krahinor për planifikim shoqëror-1966).
  • Informacia o daljnjim maguenostrma posllove suradnje privdnik organizacija iz SR Hervatske i AP Kosova i Metohije (Zagreb 1967).
  • Autonomia e Kosovës e Metohisë në Jugosllavinë Socialiste.
  • (Hallan Fazlia, botimi i “Rilindjes” – Prishtinë, 1966).
  • Gazeta “Rilindja”.
  • Revista “Përparimi”, nr. 2-3, viti 1969.

(VIJON)

© Pashtriku.org


* Sipër kësaj shifre, është e shënuar një shifër tjetër, 680.636 ha.

* Sipër kësaj shifre, është e shënuar një shifër tjetër, 434.149 ha.

* Sipër kësaj shifre, është e shënuar një shifër tjetër, 246.486 ha.

* Sipër kësaj shifre, është e shënuar një shifër tjetër, 581.236 ha.

* Sipër kësaj shifre, është e shënuar një shifër tjetër, 195.005 ha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura