DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (3)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-7-

Republika Popullore e Shqipërisë

Tiranë, më 4/1/1955

Ministria e P. Brendshme

Sekretarit I të Komitetit Qendror R. P. Shqipërisë, shokut Enver Hoxha Relacion

Mbi politikën e shkombëtarizimit të Qeverisë jugosllave në minoritetin shqiptar në Jugosllavi

Nga të dhënat që kemi prej agjenturës, nga deponimet e thyesave të kufirit, nga shtypi dhe kontrolli i korrespondencës, rezulton se Qeveria jugosllave po ushtron në minoritetin shqiptar një politikë shkombëtarizimi e cila konsiston:

1.   Në shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia për në Turqi. Qeveria jugosllave që nga viti 1953 me anën e agjenturës dhe formave të tjera ka detyruar deri tani një pjesë të minoritetit shqiptar për ta shpërngulur atë për në Turqi. Si rezultat i kësaj pune gjatë viteve 1953/1954, janë larguar për në Turqi, nga rrethet e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, si dhe nga fshatrat e Zhupës së Sipërme e të Koxhaxhikut të Dibrës së Madhe, rreth 5 000 vetë, kurse nga fshati Elefc i Dibrës, i cili përbëhet prej 170 shtëpish, kanë ikur 40 familje dhe 20 të tjerë janë përgatitur për të ikur. Gjithashtu, me mijëra persona kanë ikur edhe nga Manastiri, Prilepi, Resnja etj. Së bashku me shqiptarët e shpërngulur, janë larguar edhe persona të tjerë që kanë qenë të turqizuar. Ndërsa, nga Kosova largimet janë të kufizuara. Familjet që kërkojnë të largohen për në Turqi, më parë shkojnë në Maqedoni dhe prej këndej kalojnë për në Turqi. Por, ka pasur raste që kanë shkuar edhe drejt për në Turqi, si p.sh. nga Kaçaniku.

Për largimin e shqiptarëve nga Jugosllavia, del edhe nga kontrolli i korrespondencës, p.sh.: Nasuf Mustafa në letrën që i drejton mikut të tij në Shqipëri shkruan: “… Për një kohë shumë të shkurtër s’ka për të mbetur asnjë shqiptar këtu, do të shkojnë që të gjithë në Turqi. Në bazë të lejeve që u lëshon Qeveria e këtushme, Turqia i pranon. Këto kohët e fundit janë shpërngulur rreth 40 familje”. Në një letër që vinte nga Maqedonia për në Shqipëri thuhej se: “…deri tani kanë ikur 2 000 familje dhe në lagjen tonë nuk ka mbetur asnjë njeri, dhe unë së shpejti do iki për në Turqi”. Të tilla letra ka shumë që flasin për largimin e shqiptarëve për në Turqi.

Arsyet që i detyrojnë shqiptarët për t’u larguar në Turqi janë: a) Shtypja nacionale, grabitja e tokave, taksat e rënda dhe papunësia. b) Propaganda se gjoja myslimanët janë turq dhe si të tillë më mirë të shkojnë në Turqi. c) Në Turqi rrohet shumë mirë etj. Këtë propagandë e bëjnë delegacionet që shkojnë e vijnë për vizitë në Turqi. ç) Në këtë drejtim po zhvillon një punë të madhe edhe konsullata turke në Shkup. d) Rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë, nga papjekuria politike e popullsisë shqiptare, nuk e kanë pritur mirë për shkak se e shohin të largët dhe me pesimizëm zgjidhjen e tyre nacionale.

2.   Në fillim të vitit 1953, me rastin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë e Maqedoni, shumë familje kundër dëshirës së tyre dhe të mashtruar nga nëpunësit jugosllavë janë regjistruar me kombësi turke. Familje të tjera që mbajnë kombësinë shqiptare, që imponohen nga konditat e sipërme për të shkuar në Turqi, janë të detyruar më parë të marrin kombësinë turke, për të cilën mjaftojnë dy dëshmitarë për të deklaruar se personi është turk. Për heqjen e nënshtetësisë jugosllave paguajnë 20 000 dinarë.

3.   Po për këtë qëllim, Qeveria jugosllave që nga viti 1951/52 ka hapur shkolla turke, të cilave u ka kushtuar kujdes të veçantë për të grumbulluar sa më shumë nxënës nga minoriteti shqiptar. Të tilla shkolla janë hapur në: Shkup, Manastir, Tetovë, Prizren, Prishtinë e gjetkë. Ndërsa, për shkollat shqipe jo vetëm që nuk ka asnjë interesim, por punohet për eliminimin e tyre. Shkollat janë të pamjaftueshme, arsimtarët me eksperiencë me pretekste të ndryshme i kanë larguar duke i zëvendësuar me persona që nuk kanë mbaruar shkollën fillore, nuk zhvillohen lëndë mbi gjeografinë dhe historinë e Shqipërisë. Nga statistikat e nxjerra prej shtypit, rezulton se vetëm në Kosovë ka 303 mijë analfabetë, ndërsa në rrethin e Ferizajt 1 500 nxënës nuk kanë ndjekur fare shkollat dhe nga ata që kanë ndjekur këto 1 450 nuk kanë kaluar klasën (kjo për vitin 1954).

4.   Terrori ka qenë një masë tjetër që Qeveria jugosllave ka marrë në këtë drejtim. Kjo karakterizohet nga numri i madh i njerëzve që janë në burgje si dhe vrasjet p.sh.: në gushtin e vitit 1954 UDB-ja vrau katër arsimtarë në afërsi të kufirit tonë, për të cilët ekzistonin mundësi të plota për t’i kapur. Në burgun e Prishtinës në fillim të vitit 1954 ka pasur rreth 500 të burgosur, nga të cilët vetëm 10 kanë qenë serbë e malazezë, kurse të tjerët shqiptarë. Në burgun e Indrizoves në Shkup, nga 3 000 të burgosur më se gjysma kanë qenë shqiptarë.

5.   Për sa sipër, influencon edhe gjendja e keqe ekonomike e popullsisë shqiptare. Bujqësia vazhdon të jetë në gjendje primitive, kështu që krahina e Kosovës ka prodhuar në vitin 1954 vetëm 25% të nevojave të saja në drithë. Disproporcioni midis çmimeve bujqësore që janë shumë të lira në krahasim me ato industrialet, taksat e rënda, kanë bërë që fshatari shqiptar të shes kaun e parmendës për t’u ushqyer. Një numër i madh nga këta, kanë braktisur fshatin e bredhin nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë për të gjetur çfarëdo pune.

Si rrjedhim i kësaj, në popullsinë shqiptare gjendja shëndetësore është keqësuar mjaft p.sh. në qytetin e rrethin e Prizrenit, nga 521 persona të vdekur në gjashtëmujorin e parë të vitit 1954, 214 kanë qenë fëmijë. Po kështu, nga 1 609 fëmijë të lindur gjatë vitit 1954 në Prizren 1956 (shihe edhe njëherë numrin) kanë lindur pa ndihmën e mjekut. Në Gjakovë ka një mjek për 3 000 punëtorë e nëpunës të siguruar. Nga të dhënat që disponojmë kohët e fundit, rezulton se edhe nga të arratisurit shqiptarë që janë në Jugosllavi, po përgatiten të shkojnë në Turqi. Aktiviteti i Qeverisë jugosllave në drejtim të shkombëtarizimit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, kohët e fundit ka marrë përpjesëtime të gjera dhe organet tona të zbulimit politik kanë mundësi të bëjnë një punë sqaruese në radhët e tyre për të penguar emigrimet për në Turqi.

Ministri i Punëve Brendshme

Gjeneralmajor, Kadri Hazbiu

-8-

Legation

De La Republique Populaire D’Albanie Belgrad

Beograd, më 17/4/1955

N 78   Ministrisë së Punëve të Jashtme

Degës II, Tiranë              

Mbi minoritetin shqiptar në Jugosllavi

Përveç sa ju kemi njoftuar me relacione e njoftime të ndryshme mbi minoritetin shqiptar në Jugosllavi, nëpërmjet shtypit e literaturës jugosllave, personave të ndryshëm që kanë frekuentuar këtë Legatë si dhe konstatimeve tona personale, kemi mundur të mësojmë edhe sendet e më poshtme mbi këtë minoritet:

I.    Mbi ndarjen administrative: Siç dihet minoriteti shqiptar në Jugosllavi që banon në Kosovë, përbën Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë brenda në Republikën e Serbisë, kurse pjesa tjetër e këtij minoriteti është në përbërjen e Maqedonisë e Malit të Zi. Në baze të të dhënave statistikore jugosllave, në Jugosllavi gjithsej minoriteti shqiptar merr numrin 750 483, nga të cilët në Kosovë e Metohi banojnë 532 011 shqiptarë, në Maqedoni 197 413 dhe në Mal të Zi 19 425. Sipas këtyre të dhënave, shqiptarë ka edhe në Kroaci, Slloveni dhe Bosnje e Hercegovinë, që marrin numrin 1 634. Statistikat e më sipërme mund të jenë të vërteta vetëm pjesërisht, pasi numri i minoritetit shqiptar në Jugosllavi, sigurisht është shumë më i madh, duke ditur që: a) Shumë shqiptarë të shtyrë nga gjendja e keqe ekonomike janë detyruar të shpërndahen nëpër qytetet e fshatra të Serbisë dhe në të gjithë Jugosllavinë, ku merren me punë të ndryshme krahu, si: punëtorë të thjeshtë, druvarë, sheqerxhinj etj., që sigurisht nuk futen në statistikat e më sipërme dhe; b) Si rezultat i politikës armiqësore që është ndjekur e ndiqet ndaj minoritetit shqiptar në Jugosllavi për shkombëtarizim si në regjimet e mëparshme, ashtu edhe në regjimin e Jugosllavisë së sotme, shumë shqiptarë janë cilësuar si turq, të themi vetëm për atë se janë myslimanë. Kështu që, nga të 98 001 turq që sot numërohen në Jugosllavi (nga këta 959 877 në Maqedoni), një pjesë e mirë e tyre janë shqiptarë.

Karakteristikë është për t’i treguar opinionit publik, se shqiptarët që banojnë në Jugosllavi janë diçka tjetër si komb nga ata që banojnë në Republikën Popullore të Shqipërisë. Në literaturën jugosllave, p.sh.: në librin “Pakicat nacionale në Jugosllavi”, nuk përmenden terma, si “albanac”, kurse kur flitet për Republikën tonë Popullore, kurdoherë përdoret vetëm termi “albanac”. Karakteristikë është edhe ajo se kur kemi pyetur kosovarë, që mbajnë shtetësinë jugosllave se ç’kombësi kanë, na janë përgjigjur se janë myslimanë dhe jo të thonë se janë shqiptarë, mbasi kështu u kanë thënë jugosllavët.

Krahina Autonome e Kosovës e Metohisë është formuar qysh në vitin 1946. Qyteti kryesor i saj është Prishtina. Territori i saj i sotëm sipas ndarjes jugosllave, është 10 689 km katrorë. Në këtë krahinë banojnë 809 234 veta, nga të cilët 413 789 janë burra dhe 395 445 gra. Të gjithë këta banorë përbëjnë 127 223 ekonomi shtëpiake (familje). Në çdo km katror i bie 757 banorë. Përveç shqiptarëve, në këtë krahinë ka edhe serbë, malazezë dhe kombësi të tjera të Jugosllavisë, që sipas statistikave jugosllave përbëjnë 29.6% të gjithë popullsisë së Kosovës (70.4% janë shqiptarë). Organi më i madh i pushtetit në Kosovë e Metohi është Këshilli Popullor i Krahinës, i cili zgjidhet në tre vjet. Ky Këshill ka gjithsej 208 anëtarë, nga të cilët 131 janë shqiptarë. Këshilli përbëhet nga dy dhoma: Dhoma Krahinore dhe Dhoma e Prodhuesve. Funksionet dhe detyrat e çdo dhome janë si ato të skupshtinës federale dhe të republikave, me të vetmin ndryshim që këto ushtrohen nga ky këshillë vetëm në krahinë. Kryetari i të dy dhomave është Gjoko Pajkoviq, që është njëkohësisht dhe sekretar i Partisë për krahinën, kurse sekretar është Hivzi Sulejmani. Si organ ekzekutiv të përditshëm, Këshilli Popullor i Krahinës ka Këshillin Ekzekutiv të Krahinës. Si kryetar i këtij Këshilli është [1] dhe nënkryetar Xhavit Nimani. Mbas Këshillit Krahinor vinë këshillat e rretheve, qyteteve me rang rrethi, komunat dhe komunat e qytetit.

Gjithsej në Kosovë e Metohi janë 18 rrethe. Nga këto një është qytet, Prishtina. Komuna gjithsej janë 201, nga të cilat 6 janë komuna qyteti. Rrethet e Kosovës e Metohisë janë: 1) Rrethi i Drenicës me qendër në Serbicë, ka: 11 komuna, 76 vende të banuara (fshatra, etj.), territori 546 km katrorë, 37 296 banorë (68.3 për çdo një km katror), 4 982 ekonomi shtëpi-jake (familje). 2) Rrethi i Gjakovës me qendër në Gjakovë, ka: 10 komuna fshati dhe një qyteti, 104 vende të banueshëm, territori 872 km katrorë, 61 639 banorë (70.7 për çdo një km katror), 9 264 ekonomi shtëpiake. 3) Rrethi i Gjilanit me qendër në Gjilan, ka: 13 komuna fshati, një komunë qyteti, 69 vende të banueshme, territori 580 km katrorë, 48 835 banorë (84.2 për çdo një km katror), 7 739 ekonomi shtëpiake. 4) Rrethi i Moravës së Sipërme me qendër në Viti, ka: 10 komunë, 42 vende të banueshme, territori 281 km katrorë, 30 633 banorë (109 për çdo një km katror), 4 679 ekonomi shtëpiake. 5) Rrethi i Gorskit me qendër në Dragash, ka: 5 komuna, 37 vende të banueshme, territori 432 km katrorë, 20 420 banorë (47.2 për çdo një km katror) 3 351 ekonomi shtëpiake. 6) Rrethi i Graçanicës, me qendër në Prishtinë, ka: 12 komuna, 79 vende të banueshme, territori 734 km katrorë, 45 747 banorë (62.3 për çdo një km katror), 6 908 ekonomi shtëpiake. 7) Rrethi i Istogut me qendër në Gjurakoc, ka: 14 komuna, 88 vende të banueshme, territori 708 km katrorë, 44 608 banorë (63 për çdo një km katror), 6 247 ekonomi shtëpiake. 8) Rrethi i Kamenicës me qendër në Kamenicën e Kosovës, ka: 13 komuna, 78 vende të banueshme, territori 562 km katrorë, 43 032 banorë (76.5 për çdo një km katror), 6 218 ekonomi shtëpiake. 9) Rrethi i Lapskit, me qendër në Podujevë, ka: 13 komuna, 78 vende të banueshme, territori 645 km katrorë, 47 033 banorë (72.9 për çdo një km katror), 6 881 ekonomi shtëpiake. 10) Rrethi i Nerodimskit, me qendër në Uroshevac (Ferizaj), ka: 14 komuna fshati dhe një qyteti, 97 vende të banueshme, territori 860 km katrorë, 60 283 banorë (70.1 për çdo një km katror), 9 556 ekonomi familjare. 11) Rrethi i Pejës, me qendër në Pejë, ka: 14 komuna fshati dhe një qyteti, 94 vende të banueshme, territori 738 km katrorë, 64 391 banorë (87.3 për çdo një km katror), 10 797 ekonomi shtëpiake. 12) Rrethi i Podrimskit me qendër në Orahovac, ka: 12 komuna, 73 vende të banueshme, territori 581 km katrorë, 39 351 banorë (67.7 për çdo një km katror), 5 516 ekonomi shtëpiake. 13) Qyteti i Prishtinës, komunë nuk ka asnjë, vend të banueshme ka vetëm 2, territori 29 km katrorë, 24 199 banorë (834.4 për çdo një km katror), 5 752 ekonomi shtëpiake. 14) Rrethi i Stiniҫkes me qendër në Lipjan, ka: 10 komuna, 93 vende të banueshme, territori 561 km katrorë, 46 890 banorë (83.6 për çdo një km katror) 7 167 ekonomi shtëpiake. 15) Rrethi i Suharekës me qendër në Suharekë, ka: 8 komuna, 48 vende të banueshme, territori 418 km katrorë, 29 578 banorë (70.8 për çdo një km katror), 4 129 ekonomi shtëpiake. 16) Rrethi i Shar-Pllanines, me qendër në Prizren, ka: 10 komuna fshati dhe një komunë qyteti, 77 vende të banueshme, territori 632 km katrorë, 61 576 banorë (97.4 për çdo një km katror), 10 322 ekonomi shtëpiake. 17) Rrethi i Vuçitërnës me qendër në Vuçitërnë, ka: 13 komuna, 75 vende të banueshme, territori 394 km katrorë, 39 529 banorë (100.3 për çdo një km katror), 5 975 ekonomi shtëpia; dhe, 18) Rrethi i Zveҫanakes, me qendër në Mitrovicën e Kosovës, ka: 13 komuna fshati dhe një qyteti, 185 vende të banueshme, territori 1 116 km katrorë, 64 202 banorë (57.5 për çdo një km katror) 11 741 ekonomi shtëpiake.

Në bazë të statistikave jugosllave, këshillat e organeve lokale në Kosovë e Metohi (të rretheve e komunave) përbëhen prej 6 976 vetash, nga të cilët 4 690 janë shqiptarë (këshillat e rretheve përbëhen prej 1 580 vetash, nga të cilët 1 007 janë shqiptarë).

 II. Mbi disa çështje politike: Qeveria e sotme jugosllave dhe njerëzit e saj, nëpërmjet propagandës së tyre, përveç tjerash, trumbetojnë se Jugosllavia është vendi “më demokratik” ku është “zgjidhur më së miri” çështja nacionale dhe e pakicave nacionale në Jugosllavi, ku ka “barazi” , “liri” etj., të cilat i përmendim edhe në kushtetutën dhe ligjet e tyre: por me sa kemi konstatuar gjatë kësaj kohe, mund të themi se nuk është kështu, në praktikë ndodh krejt ndryshe dhe është vetëm propagandë që ka për qëllim të gënjejë opinionin publik jugosllav e të jashtëm. Në lidhje me këtë, për sa i përket minoritetit shqiptar, me sa kemi konstatuar, mund të themi si më poshtë:

1.   Në organet e pushtetit ku është i përqendruar minoriteti shqiptar si në Këshillin e Krahinës, në këshillat e rretheve, komunave, fshatrave etj., pavarësisht se pjesa dërmuese janë shqiptarë, më tepër ka serbë se sa shqiptarë, me gjithë se statistikat që kanë publikuar këta tregojnë të kundërtën. Por, edhe sikur të jenë të sakta e të vërteta këto statistika, kjo mund të ndodhë vetëm në disa fshatra, ku nuk ka fare serbë, ose ata janë shumë pak. Por, edhe këtu kryetarët janë serbë dhe se shqiptarët në krye të tyre gjen vetëm të atillë që jugosllavët i kanë bërë për vete dhe tek të cilët kanë besim të plotë. Ndërsa, në organet e pushtetit të fshatit mund të jenë më shumë shqiptarë, por në ato të komunave e sidomos të rretheve e krahinave, janë jugosllavë. Edhe ata shqiptarë që janë nuk kanë pozita ose përgjegjësi kyçe, por, janë të themi si anëtarë të thjeshtë që nuk kanë asgjë në dorë. Edhe ata pak shqiptarë që kanë pozita të “rëndësishme” në këshillat krahinore, në radhë të parë janë besnikë qorra të jugosllavëve dhe të kompromentuar në luftë kundër minoritetit shqiptar, por megjithëkëtë, në fakt, politikën në këtë krahinë nuk e bëjnë këta, por krerët më të mëdhenj se ta në krahinë, jugosllavët si, Gjoko Pajkoviq-kryetar i Këshillit Krahinor dhe sekretar i Partisë për Kosovën, Dushan Mugosha, që është si këshilltar i Këshillit etj.

2.   E drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në organet zyrtare politike, ekonomike, shoqërore, është formale, mbasi gjithë korrespodenca e ndryshme që del nga organet e pushtetit të krahinës së Kosovës e Metohisë bëhen në gjuhën serbe. Në shumë vende të Kosovës dhe gjetkë ku banojnë vetëm shqiptarë, me përjashtime shumë të mëdha, tabelat e institucioneve e ndërmarrjeve të ndryshme, dyqaneve, rrugëve, lajmërime të ndryshme që nxjerrin organet e pushtetit etj., janë vetëm në gjuhën serbe.

3.   Nëpër shkollat e ndryshme shqipe dhe institucionet arsimore, kulturore etj., flitet vetëm për Jugosllavinë dhe asgjë për Shqipërinë, për të kaluarën e të tashmen historike, për kulturën, artin shqiptar etj., që çdo ditë lulëzojnë e përparojnë më shumë në vendin tonë, sepse sipas politikës armiqësore jugosllave që është e ndjekur e ndiqet ndaj këtij minoriteti, shqiptarët në Jugosllavi janë diçka tjetër nga ata të Republikës Popullore të Shqipërisë, janë “arnautë”, “myslimanë”, “shqiptarë”, ose, “turq”. Në udhëheqje superiore dalin kurdoherë serbët edhe pse niveli kultural i masave shqiptare është shumë i ulët në krahasim me masat e kombësive të tjera dhe kjo për shkak të diskriminimit që i është bërë pakicës shqiptare në regjimet e mëparshme, metodë të cilën deri në një far shkalle e ka përdorur dhe e përdor edhe regjimi i sotshëm. Edhe shtypi që del në gjuhën shqipe, si gazetat: “Rilindja”, “Flaka e vllaznimit”, “Zëri i rinisë” (organi studentëve shqiptarë në Beograd) dhe revista “Jeta e re”, trajtojnë e flasin për “rezultate” e arritura nën regjimin e Titos.

4.   Në përgjithësi shqiptarët, e kanë shumë vështirë të gjejnë punë pak a shumë të mira dhe kjo për arsye se janë shqiptarë, tek të cilët jugosllavët mund të themi se nuk kanë besim. Edhe ata që kanë qenë në punë të ndryshme në pushtet, tani janë shumë më pak nga që jugosllavët kanë spastruar aparatin e tyre nga këto elemente, duke mbajtur ata tek të cilët kanë besim se janë besnikët e tyre. Në masë për shqiptarët në Jugosllavi nuk ka as punë pak a shumë të thjeshta, kështu që përveç pjesës që merret në vendet e tyre me bujqësi, një pjesë e mirë bredh nëpër vendet e ndryshme të Jugosllavisë për të gjetur ndonjë punë, që edhe këtu është vështirë mbasi në të gjithë Jugosllavinë ka papunësi, kështu që detyrohen të punojnë në këto vende, si: druvar, hamall, sheqerxhinj, e të tjera punë të këtij lloji. Ekonomikisht minoriteti shqiptar në Jugosllavi është më i varfër e veshur keq.

5.   Politika dhe qëllimet e krajlëve të Serbisë për të shkombëtarizuar minoritetin shqiptar është ndjekur e ndiqet edhe nga Qeveria e sotme jugosllave. Siç dihet, jugosllavët kur kanë bërë regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, me mënyra të ndryshme janë munduar që shqiptarët t’i quajnë e regjistrojnë si me kombësi turke, dhe këtu sidomos kanë shfrytëzuar injorancën e shqiptarëve të Maqedonisë, në të cilin i kanë lënë, se që janë myslimanë janë turq, kështu p.sh.: para ca dite erdhi në Legatë për të kërkuar vizë që të shkojë për disa ditë në Shqipëri e të kthehet përsëri në Jugosllavi, së bashku me shoqen e tij, Xhezair Memisheviqi, nga katundi Podgoricë i Strugës. E pyetem çfarë shtetësie ka dhe na u përgjigj se është jugosllav, por kur e pyetëm për kombësinë, na tha se jam mysliman e jo të thotë se jam shqiptar, që në realitet është “mysliman”, jo “kaur”, por “turk”. Po në këtë mënyrë e ka shënuar edhe në formularët që ka plotësuar. Jugosllavët kanë inkurajuar dhe inkurajojnë shkuarjen e shqiptarëve në Turqi. Përveç sa ju kemi njoftuar me relacionin tonë nr. 51, datë 21.10.1954, kur kemi qenë nga fillimi i këtij viti në Kosovë e Maqedoni, kemi mësuar se shkuarja e tyre në Turqi po vazhdon. Në këtë kohë ka pasur shpërngulje nga Shkupi, Tetova, Manastiri dhe sidomos Prilepi, ku ishin në pritje për t’u nisur 70 familje, kurse në Shkup 50. Këta shesin gjithë pasurinë e paluajtshme dhe marrin me vete atë që mundin. Shkuarja e tyre në Turqi bëhet nga që janë në gjendje të keqe ekonomike dhe se mendojnë se atje do rrojnë më mirë.

Konsullata turke në Shkup zhvillon një aktivitet të mirë në këtë drejtim, duke inkurajuar shkuarjen e tyre në Turqi. Turqit qenkan duke hapur toka të reja, siç kemi mësuar kur ishim në Maqedoni, nga të cilat u falin pjesë shqiptarëve të vajtur rishtas. Aktiviteti i saj gjen mbështetje në injorancën e shqiptarëve të Maqedonisë, se duke qenë myslimanë, konsiderojnë veten e tyre turq. Na kanë thënë se edhe sikur këta shqiptarë të mos figurojnë si shtetas turq, puna rregullohet shpejt sa për t’u bërë turq, sepse jugosllavët e jepnin pëlqimin menjëherë edhe pse mjafton që njerëzve të konsullatës turke atje t’ju jepet ndonjë gjë në dorë dhe çdo gjë është e rregulluar. Në këtë mënyrë kanë vepruar shumë shqiptarë që kanë ikur për në Turqi. 

Përveç kësaj, turqit kanë organizuar nëpërmjet shqiptarëve që kanë shkuar atje, dërgimin e letrave prej këtyre të fundit, miqve dhe shokëve të tyre që banojnë në Maqedoni ose Kosovë, ku shkruajnë për “parajsen” e Turqisë, i thërrisnin që edhe ata të shkojnë dhe të rrojnë në “lumturi”, “begati” etj., por, në një bisedim që patëm me një kosovar, na tha se atje nuk rrojnë mirë, bile na solli një shembull konkret si i trajtojnë dhe tha se kur vajzën e një shqiptari, që ka shkuar në Turqi, e morën xhandarët turq, e mbajtën për disa ditë me radhë dhe mbasi e çnderuan, e lëshuan për të shkuar në familjen e saj?! Shpërnguljet më të mëdha deri më sot janë bërë nga shqiptarët e Maqedonisë, kurse nga Kosova ka shumë pak dhe kjo pse kosovarët janë pak më të zhvilluar dhe se janë më patriotë. Lidhur me shpërnguljet në Turqi, dy kosovarë të ndryshëm na kanë thënë se kohët e fundit jugosllavët kanë nxjerrë një ligj që ndalon shpërnguljet nga Jugosllavia dhe se për t’i shpëtuar këtij ligji, shqiptarët që dëshirojnë të shkojnë në Turqi, marrin shpërnguljet nga Kosova për në Shkup dhe atje e rregullojnë çështjen e shkuarjes së tyre në Turqi me anë të ryshfetit dhe mjeteve të tjera në konsultën turke. Të dhënat e tyre në këtë drejtim ne nuk i kemi vërtetuar akoma dhe se as ligjin deri më sot nuk e kemi gjetur. E kemi parasysh për të ardhmen.

6.   Qeveria jugosllave për të ngjallur besimin dhe simpatinë e minoritetit shqiptar dhe te ngjallë urrejtje kundër vendit tonë, nëpërmjet propagandës së saj, të shoqëruara me terror, emigrantëve tradhtarë shqiptarë të shpërndarë në këto vende etj., ka zhvilluar një aktivitet të madh në ketë drejtim. Lidhur me normalizimin ky aktivitet ka rënë, por prapë ata e bëjnë punën e tyre me mënyra e metoda të tjera. Por, me gjithë punën që jugosllavët kanë bërë dhe e bëjnë në këtë drejtim, minoriteti shqiptar në Jugosllavi dhe sidomos ai i Kosovës, ushqen një dashuri e simpati të madhe për vendin tonë , për Shqipërinë e vjetër, siç thonë ata dhe urrejtje për Qeverinë jugosllave, për Serbinë. Siç dihet ata janë patriotë të kombit e vendit të tyre dhe se përveç shtypjes në përgjithësi, kanë edhe shtypjen nacionale. Si shembull në këtë drejtim mund të shfaqim rastin që na tregoi shtetasi shqiptar, Rustem Gjota, student i kursit të Institutit të Drejtësisë në Beograd, i cili ka plotësuar dokumentet për riatdhesim:

Nga fillimi i muajit mars të këtij viti, artistët e “Beogradska komedija” (Komedia e Beogradit), dhanë një shfaqje para studentëve të shkollave të larta të Beogradit që banojnë afër Zemunit, në “Beogradin e Ri” siç e quajnë këta. Midis këtyre studentëve ka edhe disa shqiptarë nga Kosova. Në këtë komedi paraqitnin policët gjatë kryerjes së shërbimit të tyre, të cilët rregullojnë lëvizjen e transportit automobilistik nëpër qytete të disa vendeve të botës si të Jugosllavisë, Ingliteres, Francës, Shqipërisë etj. Policin jugosllav në rrugë, e paraqitnin të veshur mirë dhe korrekt në çdo drejtim, me një fjalë në lartësinë e detyrës së tij. Po në këtë mënyrë paraqitej edhe polici francez e anglez, me të vetmin ndryshim që ky i fundit, mbasi i dha drejtimin e makinave, fillon e bën dashuri me vajza, megjithëse në shërbim, kurse, policin shqiptar e parqet në Tiranë, kur rregullon lëvizjen automobilistike atje. Ishte i veshur keq dhe në mes të rrugës kryq priste mos vinte ndonjë makinë, por gjatë nuk ka. Më në fund mezi kaloi një makinë dhe në mënyrë ofenduese e qesharake ky i jep drejtimin. Me të kaluar kjo makinë, hedh dorën në gji (trup), nxjerr një morr dhe e thyen, kurse nga ana tjetër i vareshin qurrat.

Me pozat që artisti bënte, i paraqiste ata si budallenj e injorant, pa kurrfarë kulture, por të pa pastër e bashibozuk. Kjo i preku thellë dhe i zemëroi shumë studentët shqiptarë. Përshtypjen e tyre dhe urrejtjen ndaj jugosllavëve, ata e shprehen në bisedime njeri me tjetrin, bile edhe të nesërmen gjithë ditën.

III. Mbi disa çështje të arsimit: Me sa kemi mësuar në drejtim nga shtetasi shqiptar, Rrustem Gjota, që e përmendëm më lart dhe nga të tjera, në Kosovë ka këto shkolla të mesme: Në Pejë:

a) Ka një gjimnaz shqip me rreth 1 200-1 300 nxënës. Krahas me këtë është edhe gjimnazi tjetër për serbë, i cili pothuajse po këtë numër nxënësish ka; b) Një shkollë normale me katër klasa, e cila nxjerr mësimdhënës për shkolla fillore shqipe. Në këtë shkollë futen nxënësit që kanë mbaruar tetëvjeçaren; c) Një shkollë e mesëm bujqësore, që quhet “Akademia Bujqësore”. Kjo shkollë nxjerr teknikë të mesëm bujqësorë dhe studiojnë, si kosovarë ashtu dhe serbë. Në Prishtinë: a) Një gjimnaz shqip dhe një tjetër për serbë; b) Një gjimnaz për mësues të shkollave shqipe; c) Një shkollë teknike, që nxjerr teknikë të ndryshëm të mesëm, në gjuhën serbe. Ka edhe serbë edhe shqiptarë. Përveç këtyre, në Prishtinë është edhe Instituti i Albanologjisë që merret me kërkime e shqyrtime në drejtim të albanologjisë. Gjimnaze shqipe ka edhe në Mitrovicë, Prizren e Tetovë, kurse në Gjakovë është një Normale. Këto janë shkollat e mesme të Kosovës. Numrin e nxënësve të tyre, përveçse treguam për të Pejës, nuk e dimë akoma. Në këto shkolla bëjnë lëndë të ndryshme, si: gjeografi, histori, fizikë etj. Në klasën e parafundit dhe të fundit të shkollave të mesme kanë si lëndë edhe nga historia e lidhjes së “komunistëve” jugosllavë deri në kohën e sotshme. Si gjuhë të huaj nëpër gjimnaze e normale, për ato që janë shqipe, është frëngjishtja, kurse për ato që janë serbisht, rusishtja ose frëngjishtja, sipas dëshirës së nxënësve. Të drejtën për të zgjedhur nuk e kanë nxënësit e shkollave shqipe, por iu është caktuar, siç e cekem, frëngjishtja.

Profesorët e gjimnazeve e normaleve shqipe, në shumicën e tyre nuk kanë mbaruar institutin, por shkollën e mesme, dhe se njëkohësisht vazhdojnë fakultete të ndryshme me korrespodencë, duke ndjekur njeri kursin e dytë, tjetri të tretin etj. Kështu p. sh.: në Pejë, vetëm një profesor është që e ka mbaruar albanologjinë dhe se të tjerët vazhdojnë me korrespodencë. Përveç shkollave të mesme, janë edhe shkollat fillore dhe tetëvjeçare. Shkolla fillore ka si në qytete, ashtu edhe në fshatra dhe janë me katër klasa, kurse tetëvjeçare që është semimaturë, përveç qyteteve, ka edhe në 5-6 copë fshatra një të tillë. Atje ku përveç shqiptarëve, ka edhe serbë, krahas me shkollat shqipe, janë edhe shkollat serbe, që zakonisht të dyja ndodhen në një godinë. Frekuentimi nga ana e nxënësve dhe sidomos femrave në shkollat e mesme ato fillore e tetëvjeçare është shumë i ulët dhe me mungesa të mëdha prej 35-45% nga të regjistruarit, pa marrë parasysh numrin tjetër shumë të madh, që për njërën ose tjetrën arsyeje, nuk është regjistruar fare dhe kjo për arsye të gjendjes së keqe në të cilën ndodhet minoriteti shqiptar, për çështje fanatizmi etj., dhe se dhe jugosllavëve iu intereson ta mbajnë atë në injorancë. Përveç kësaj edhe numri i atyre që përsërisin klasën është shumë i madh.

Në Jugosllavi është i detyruar me ligj arsimi tetëvjeçar, por në vendet me popullatë shqiptare, siç folëm edhe më lart, ky ligj është formalisht. Numrit shumë të madh të analfabetëve në moshë madhore i shtohet çdo ditë edhe numri tjetër i analfabetëve të rinj. Për ata që nuk venë në shkollë, marrin masa të lehta, si gjoba në pare dhe po qe në gjendje ta paguajë atë, me kaq merr fund puna dhe as njeri nuk i thotë gjë pse fëmija e tij nuk shkon në shkollë. Edhe statistikat e publikuara nga vetë jugosllavët, flasin mbi lejen në errësirë të minoritetit shqiptar, megjithëse ato e zbusin pak një gjendje të tillë. Kështu p.sh.: në librin “Të dhënat statistikore për gjithë Jugosllavinë, viti 1954”, midis të tjerave jepen edhe këto statistika në përqindje për analfabetët të minoriteti shqiptar të ndara në mosha të ndryshme: deri në 9 vjeç janë 73.7% analfabetë; prej 10-14 vjeç 42.8%; prej 15-19 vjeç 42.8%; prej 20-24 vjeç 28.7%; prej 25-29 vjeç 32.7%; prej 30 -34 vjeç 71.3%; prej 35-39 vjeç 78.3%; prej 40-44 vjeç 82.7%; prej 45-49 vjeç janë 88.7% analfabetë; prej 50-54 vjeç 91.5%; prej 55-59 vjeç 95 %; prej 60-64 vjeç 96 %; prej 65 vjeç e lartë 97.7 analfabetë.

Për sa iu përket shkollave të larta, në Kosovë nuk ka asnjë të tillë. Dimë se në Beograd, ashtu siç ju kemi njoftuar, në Institutin Filozofik është Fakulteti i Albanologjisë, i cili ka katër kurse, në të cilin mësojnë rreth 40 veta. Një fakultet tjetër i albanologjisë është edhe në Shkup, që nuk dimë akoma numrin e nxënësve, profesorëve etj. Në albanologji mësojnë kosovarë të ndryshëm, të cilët pasi e mbarojnë atë, shkojnë si mësues të shkollave të mesme shqipe. Tek-tuk, shqiptarë ka edhe në fakultete të tjera, si: drejtësi, inxhinieri etj., por shumë pak, që mund të numërohen, prej një deri në pesë apo dhjetë. Këto janë çështje dhe gjërat që kemi mundur të mësojmë rreth minoritetit shqiptar në Jugosllavi. Në të ardhmen, do të vazhdojmë ta ndjekim me kujdesin e duhur dhe herë pas here do t’ju mbajmë në korrent. Për bërjen e këtij relacioni është përdorur material dhe nga librat “Të dhëna statistikore për gjithë Jugosllavinë, viti 1954” dhe libri, “Pakicat nacionale në Jugosllavi”, të cilat iu a kemi dërguar me postat e mëparshme.

Ky relacion siç shihet është një informacion nga të dhënat që është mundur të sigurohen dhe ka shumë gjëra që duhen zhvilluar e sqaruar më mirë, të cilat do të sigurohen më tepër duke vajtur më poshtë.

K.M.S

D.M.S            

Ministri Bato, Karafili  

2.K  09.04.1955

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (4)

Nga Prof. dr. Sabit Syla


[1] Mungon emri i kryetarit të Këshillit.

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura