PROF.DR.VEBI XHEMAILI: KONGRESI I PARË MBARËKOMBËTAR I ALFABETIT NË MANASTIR-BASHKOI KOMBIN DREJTË PAVARËSISË

Tetovë, 22. 11. 2013 – (Me rastin e 105 vjetorit të Kongresit të Manastirit) – Menjëherë pas shpalljes së Kushtetutës, ku faktori shqiptar luajti një rol të rëndësishëm në jetën konstitucionale të Perandorisë Osmane, nisën përsëri kërkesa dhe konsultime midis rretheve atdhetare për thirrjen e një mbledhje mbarë kombëtare, ku do t’u jepej zgjidhje problemeve arsimore por do të shqyrtoheshin edhe probleme tjera të kohës. Vendosja e një alfabeti unik u përgatit gjatë kohë nëpër shoqëritë shqiptare u gatua gjerë e gjatë, shpeshherë midis rilindësve tanë pati edhe polemika tejet të ashpra, pasi bëhej luftë për vendin e parë se cili alfabet duhet të dominojë në trevat shqiptare. Këto tone polemizuese vazhduan për një kohë të gjatë, pasi duhej kaluar “vija” midis jugut, veriut dhe asaj turke-arabe. Ky tranzicion shqiptar dhe përzierja e pushtetit turk, së bashku me kishën greke, kishin lënë pasoja të rënda në mentalitetin e vetë shqiptarëve, pasi shumica shqiptarëve në këtë kohë nëpër shtëpitë e tyre flitnin me kurajë gjuhën turke, bile disa krenoheshin me turqishten dhe fare nuk donin të dëgjonin për gjuhën e nënës, e cila duhej të ishte si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, gjuha shqipe ishte në margjina të vetë intelektualëve dhe nëpunësve shqiptarë, që flitnin vetëm turqisht dhe krenoheshin me këtë gjuhë aziatike. (V.Xh.) Për fat të keq të popullit, nëpunësit shqiptarë, apo më mirë thënë, klasa sunduese politike shqiptare e cila luftonte për të mbrojtur interesin e Perandorisë, kurrë nuk e përdorte gjuhën e nënës, as edhe në biseda private sa për t’i bërë qejfin pushtetit dhe administratorëve turq. Në të shumtën e rasteve edhe këta nëpunës dhe ushtarakë, identifikoheshin me ata, si osmanlinj, duke e harruar kombin dhe origjinën e vet. Por, falë rilindësve historiku i kombit dhe Flamuri i Skënderbeut nuk u lanë në harresë, ashtu siç dëshironte politika asimiluese turke. (V. Xh).

Rilindësit aktualizuan gjithnjë e më shumë këtë çështje kombëtare, problemi shqiptar për gjuhën u aktualizua deri në organet më të larta të pushtetit, aktual turk. Rol të rëndësishëm kanë luajtur disa shoqëri e shoqata të ndryshme kombëtare gjatë epokës së Rilindjes. Ky problem jetik ndër shqiptarë do të përfshijë edhe revistat dhe gazetat e ndryshme të kohës. Në këto momente tejet kritike për kombin shqiptar, kur administrata turke favorizonte vetëm ata qytetarë që deklaroheshin osmanlinj, atdhetarët shqiptarë i thanë jo kësaj politike antikombëtare dhe morën iniciativën për mbajtjen e Kuvendit mbarëkombëtar në Manastir. Në këto kthesa të mëdha historike, kur ishte në pyetje mbrojtja e identitetit kombëtar, rol historik ka luajtur Klubi Shqiptar i Manastirit “Bashkimi”. Ky klub ndër të parët ngriti zërin lart, duke i dalë zot kombit brenda dhe jashtë Shqipërisë, u bë një ndër klubet më të rëndësishme që luajti rol të veçantë në formimin e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën e regjimit xhonturk.1 Prandaj, shumë shpejt mori mbështetjen edhe të klubeve të tjera në tërë Shqipërinë etnike dhe të diasporës shqiptare.
KONGRESI I MANASTIRIT
Thirrja e këtij Kongresi historik u bë në qendrën diplomatike të shqiptarëve në Manastir, prej 14-22 nëntor 1908. Në Kongres morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore: intelektualë e personalitete të dalluara të Lëvizjes sonë kombëtare, numri i mysafirëve arrinte në më shumë se 300 veta, por nga ata që përfaqësonin të katër vilajetet ishin 50 përfaqësues, prej tyre kishin të drejtë vote 32 ku bënte pjesë edhe Emin bej Shkupi dhe 18 përfaqësues të tjerë pa të drejtë vote, një ndër ta pa të drejtë vote ishte edhe Rog Berisha që vepronte në Shkup.2
Në Kongres kishin përfaqësues edhe shoqëritë shqiptare nga Egjipti, Stambolli, Selaniku, Italia, Bullgaria, Rumania dhe Amerika. Sipas raportit të konsullit rus I. Zhivnojevit, në Kongres morën pjesë së bashku myslimanë, katolikë dhe ortodoks nga të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike.3 Në Kongres merrnin pjesë edhe ushtarakë me grada të larta; si gjeneral Fadil Pasha, Zija Pasha dhe valiu i Vilajetit të Manastirit, Hivzi Pasha dhe udhëheqës të çetave shqiptare; Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno.4 Në këtë Kongres nuk ishte i pranishëm atdhetari i palodhshëm i çështjes kombëtare, Dervish Hima, i cili nuk mundi të marrë pjesë, pasi që turqit e rinj mbanin të burgosur në Selanik, me akuzë se ka kërkuar ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shpalljen e autonomisë së Shqipërisë dhe zyrtarizmin e shkollave dhe përdorimin e gjuhës shqipe.5
Kongresi i Manastirit u hap në mënyrë solemne më 14 nëntor 1908. Në seancën plenare, Kongresin e ka udhëhequr dhe përshëndetur Fehim Zavalani, kryetar i Klubit të Manastirit, ku ishin të pranishëm mbi 400 veta, mysafirë dhe përkrahës të Kongresit.6 Sipas të dhënave më të reja historiografike dhe dëshmive nga terreni, Kongresin e ka përshëndetur edhe myftiu nga Tetova, Rexhep Nuredin Voka, i cili në këtë kohë ka qenë aktiv edhe në Klubin politik “Bashkimi” të Manastirit.7 Ky nga viti 1900 mbante lidhje të ngushta me familjen Qiriazi, para se të emërohet myfti në Manastir, për të mësuar shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe.8
Nga Manastiri merrte pjesë si delegatë edhe Selahedin Beu9, sëbashku me Gjergj Qiriazin, ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar për lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905. Në këtë Kongres, Qiriazi ishte zgjedhur për nënkryetar, po ashtu këtë post e mbante edhe në klubin “Bashkimi”. Shtëpia e tyre ishte qendër e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë, ku mblidheshin patriotët më të shquar të kohës, si Bajo Topulli, kolonel Halit Berzeshta, Fehim Zavalani e të tjerë.
Në prag të Kongresit, Rexhep Voka tashmë ishte personalitet i njohur politik, pasi kishte marrë pjesë si përfaqësues i Tetovës, në Kuvendin e Ferizajt, më 23 korrik 1908. Në këtë Kuvend, Rexhep Voka kishte mbrojtur fuqishëm lëvizjen xhonturke, duke favorizuar “Hyrijetin” dhe ishte shprehur haptazi kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamitit. Nga kjo kohë, në qarqet xhonturke, Rexhep Voka gëzonte autoritet të madh si përkrahës i ideve liberale. Ky në saje të qëndrimit pro lëvizjes xhonturke, u emërua në postin më të lartë fetar, myfti i Vilajetit të Manastirit.10 Ky vilajet, në atë kohë përfshinte Manastirin si qendër, me disa qytete të tjera të Shqipërisë Lindore, ku bënin pjesë edhe 2200 fshatra.11
Seanca solemne u mbajt në sallën e klubit politik “Bashkimi” të Manastirit. Në orët e pasdites kishte filluar seanca plenare e Kongresit, ku delegatët për mirëmbajtjen e punës së Kongresit, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë e punës. Delegatët zgjodhën kryetar Mid’hat Frashrin, delegat i klubit të Selanikut dhe Janinës12, për nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin nga Manastiri, për sekretar Hil Mosin, Toma Abrahamin dhe Nyzhet Vrionin.13
Është me rëndësi të theksohet se Kongresi mbajti gjashtë seanca të mbyllura, tejet sekrete. Më së shumti, këto seanca u mbajtën në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, ku ishin vendosur shumica e delegatëve. Edhe pse Kongresi ishte i monitoruar nga pushteti i atëhershëm, delegatët arritën të diskutonin në këto seanca edhe për çështje politike. “Në këto seanca u morën vendime të rëndësishme politike në lidhje me statusin juridik-shtetëror të Shqipërisë”.14 Pjesëmarrësit njëzëri u zotuan se këto vendime me peshë kombëtare nuk do të publikohen, por do të ruhen në sekretin më madh nga vetë anëtarët.15
Në ditët e para të mbledhjeve të kongresit dominuan diskutimet rreth zgjidhjes së çështjes së alfabetit unik të gjuhës shqipe. Rexhep Voka, pasi ishte myfti i Vilajetit të Manastirit, u bë nikoqiri dhe përkrahësi kryesor i Kongresit për alfabetin arab16. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin nikoqirë dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi. Të dy lexuan referate; Fehim beu lexoi referatin e tij me titull: “Përhapja e civilizimit dhe shkencës në Shqipëri”, ndërsa Rexhep Voka më 19 nëntor, mbajti kumtesën e tij me temë: “Dobitë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe bashkëpunimi i tyre me Komitetin xhonturk.17
Në ditën e tretë delegatët e zgjodhën komisionin për çështjen e alfabeti.18 Siç dihet, që në fillim zgjidhja e këtij problemi dominues ndeshi në vështirësi, sepse ende fuqishëm ndiheshin ndarjet krahinore, të cilat luftonin për dominim lokal mbi pjesët e tjera të Shqipërisë. Disa veprimtarë shkuan aq larg sa që tentuan të tregonin alfabetet e tyre të shkruara deri në atë kohë, përpiqeshin me dhe pa argumente të tregonin për lashtësinë e alfabetit të tyre. Ata synonin që alfabeti i tyre të zgjidhet prej Kongresit si alfabet i vetëm i gjuhës shqipe.19 Por, pas një kohe u qetësua paksa situata, filluan diskutimet koncize dhe të qenësishme nga ana e një pjese të delegatëve të shquar, siç ishin Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë. Në këtë situatë për qëllime kombëtare që ti kontribuojë unitetit në punën e Kongresit doli në foltore Gjergj Fishta, delegati i shoqërisë “Bashkimi” nga Shkodra. Në diskutimin e tij rreth alfabetit të shoqërisë së përmendur të Shkodrës tha: ”Unë s’kam ardhur këtu që të mbroj asnjërin nga alfabetet por kam ardhur që të bashkohem me ju dhe do ta pranoj atë alfabet të cilin do ta caktojë Kongresi si më të dobishëm për të mirën e popullit tim”. Këto fjalë bindëse të Gjergj Fishtës lanë përshtypje te delegatët e Kongresit. Pas mbarimit të fjalës së tij delegati i Shkupit, Hafëz Ibrahim efendiu u lëshua drejt tij dhe me dy duar e përqafoi fuqishëm me lot në sy. Ky shembull vëllazëror midis shqiptarëve pa dallim feje e kishte forcuar edhe më fortë unitetin e të gjithë delegatëve në sallë në ruajtjen e frymës kombëtare të Kongresit.20
Në këtë kongres, Parashqevi vepron si sekretare e komisionit të alfabetit që mblidhej në shtëpinë e Qiriazëve në Manastir.21 Ishte nënkryetare e Klubit “Bashkimi” dhe njëherësh u zgjodh edhe nënkryetare e Kongresit të Manastirit. Me këtë rast, mes tjerash pat thënë: ”Ky kongres të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazëri dhe bashkim të pandarë”.22
Konsulli rus, atmosferën e punës në Kongres e përshkruan në mënyrë tejet objektive, pasi diplomacia ruse ishte e interesuar për të pasur ndikimin e saj në këtë Kongres. Ky, për delegatët deklaron: “Ata, delegatët, në seancat e Kongresit merrnin pjesë me veshje kombëtare, sipas krahinave që prezantonin”. Delegatët e Kuvendit, edhe në mbledhjet e hapura, nuk fshehin urrejtjen e tyre kundër Turqisë dhe haptazi kritikonin politikën asimiluese të qeverisë turke, e në veçanti me nxjerrjen e ligjit për zgjedhje, “e cila përpiqej me të gjitha mënyrat të asimilojë dhe çrrënjos vetëdijen nacionale të shqiptarëve, duke i ndjekur edhe për gjuhën e tyre”.23
Në Kongres u fol edhe për marrëdhëniet shqiptare-greke, ku u konstatua se Greqia po bën me të madhe propagandë kundër kulturës dhe historisë shqiptare. Ajo në Jug të Shqipërisë i trajton shqiptarët për grekë, posaçërisht më lehtë e kishte të asimilojë shqiptarët e besimit ortodoks. Patriotët shqiptarë të cilët i kundërviheshin kauzës greke, ajo kundër tyre organizonte atentate, duke vrarë edhe Mitropolitin e Korçës, Fotisin.24 Shumë delegatë të Kongresit, në diskutimet e veta deklaruan se Greqia po bën haptazi masakrime të papara në territorin e Epirit. Për ta qetësuar atmosferën në Kongres, sipas raportit të konsullit rus, ndërhyri udhëheqësi i Kongresit, Mithat Frashri, duke ndërprerë oratorët shqiptarë, ku prekej armiqësia kundër grekëve.25 Makineria e propagandës greke, në atë kohë vepronte me të njëjtin intensitet edhe kundër vllehve. Këta, për të shpëtuar nga terrori grek u bashkuan me shqiptarët, në luftë të përbashkët kundër terrorit dhe politikës asimiluese greke.26
Në atë kohë shqiptarët përveç vllehve, edhe me bullgarët kanë mbajtur marrëdhënie të mira miqësore. Në kongres u folën fjalë miradije për politikën e mirëkuptimit të shtetit bullgar. Sipas konsullit rus, Bullgaria e ndihmonte lëvizjen shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, ku sipas tyre, Bullgaria kishte interesin e vet politik-strategjik. Ajo duke përkrahur kërkesat e atdhetarëve shqiptarë për Autonomi, shpresonte se do ndërpritej rruga e serbizimit dhe e përhapjes së influencës serbe në luginën e Vardarit. Po ashtu, Bullgaria nëpërmjet nacionalizmit shqiptar mbronte nga Jugu, depërtimin e fuqishëm të helenizimit-ortodoks grek drejt Shkupit dhe Manastirit, që në atë kohë këto dy qytete shqiptare ishin qendra diplomatike dhe administrative të Perandorisë Turke. Prandaj, bullgaria kërkonte aleatë kundër armiqve të përbashkët; Greqisë dhe Serbisë. Kjo ishte një ndër arsyet më kryesore pse diplomacia bullgare ndihmonte atdhetarët shqiptarë në luftën e tyre nacionale për autonomi në disa rrethe të Prilepit, Ohrit, Strugës dhe Manastirit.27
Pasi u dorëzuan ftesat në mënyrë zyrtare nga Klubi “Bashkimi” i Manastirit më 14 shtator 1908,28 xhonturqit në këtë kohë mbanin të burgosur atdhetarin e flaktë të autonomisë shqiptare, Dervish Himën, në burgun e Shkodrës. Me përhapjen e lajmit për mbajtjen e Kongresit mbarëshqiptar, xhonturqit nga frika e masave shqiptare e transferojnë Dervish Himën në burgun e Selanikut, më 31 tetor 1908. Ata fshehurazi e nisën rrugës tokësore, natën, nga Shkodra për në Selanik.29 Hima, më 17 nëntor duhej të dilte para gjyqit, mirëpo, si shënon gazeta “Korça”, kishte kaluar një muaj prej asaj dite “e puna e tij nuk kishte marrë fund, as për të mirë e as për të keq’’.30
Dervish Hima, kur gjendej në burgun e Selanikut, pat deklaruar: “Ne kërkojmë që Turqia të na pranojë si komb të veçantë dhe kërkojmë decentralizimin e vendit”.31 Sipas raporteve të diplomacisë austriake, Dervish Hima, aty kah fundi i janarit 1909, u lirua nga burgu.32
Në të njetën kohë kur mbahej kongresi i të gjithë shqiptarëve në Manastir xhonturqit, për të frikësuar popullon shqiptar sulmuan me topa dhe dogjën kullat Isa Boletinit më 21 nëntor 1908. Turqit sulmuan me 18 topa dhe 5 kompani, ndërsa kullat e Isës mbroheshin vetëm me 14 vullnetarë, beteja zgjati tërë ditën, nga ushtarët e Isës u vranë tre veta dhe u plagosën 5, ndërsa nga pala turke ka pasur shumë më shumë të vrarë, por pala turke nuk ofron të dhëna.33
SHPALLJA E PROGRAMIT KOMBËTAR NË MANASTIR
Konkluzionet e diskutimeve që u zhvilluan në seancat e fshehta u përfshinë në Programin kombëtar, prej 18 pikave. Ky program iu paraqit Parlamentit turk në emër të popullit shqiptar, përmes deputetit të Korçës, Shahin Kolonja, i cili njëherësh ishte edhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit.34 Ndër vendimet kryesore, përveç alfabetit, ishte edhe: Kërkesa për njohjen e Autonomisë së Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe.35
Konsulli rumun nga Stambolli, në lidhje me vendimet politike të Kongresit të Manastirit, do të deklarojë; “Në ditët e kaluara, në një nga mbledhjet në përbërje të ngushtë të punës të Kongresit shqiptar, nga krerët e tij caktohet qartë Programi politik i shqiptarëve. Ky program i është besuar vetë Shahin Kolonjës, deputetit shqiptar nga Korça. Në të pohohet se qëllimi i shqiptarëve nuk ishte vetëm problemi i shkollave, hapja dhe zhvillimi i tyre në gjuhën shqipe, por problem kyç për ata ishte njohja e kombit shqiptar nga politika zyrtare e qeverisë turke, por edhe autonomia e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Në kuadër të autonomisë u kërkua që nëpunësit shqiptarë të jenë civilë dhe me veshje kombëtare, që deri atëherë e kishin të ndaluar të shkonin në punë në administratën turke me veshje kombëtare. Po ashtu, u kërkua që shqiptarët mos të dërgohen nëpër vendet e largëta të Perandorisë, por shërbimin ushtarak ta kryejnë në vendlindje.36

 Kryetar i Kongresit është zgjedhur Mit’had Frashëri, Kryetar i komisionit të abece-së, Gjergj Fishta /1/, anëtar të komisionit janë zgjedhur këto personalitete: 2. Mit’had Frashëri, 3. Luigj Gurakuqi, 4. Gjerasim Qiriazi nga Manastiri, 5. Dom Ndre Mjeda, 6. Grigor Cilka, 7. Taq Buda, 8. Shahin Kolonja, 9. Sotir Peci, 10. Bajo Topulli, 11. Nyzhet Vrioni. 5
Kongresi i Manastirit edhe pse nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e unifikimit të alfabetit, në përfundimin e Kongresit, në fjalën e tij Fishta i madh do të deklarojë: “Komisioni qe i detyruar të marrë dy abe-ceda”. Vendimet e tij patën rëndësi të madhe historike dhe politike për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit e të kulturës shqiptare drejt bashkimit kombëtar. Një gjuhë, një komb, një shtet. Kongresi i Manastirit ka shqyrtuar më së shumti çështje me karakter politik. Në fund u vendos që Kongresi i ardhshëm të mbahet në vitin 1910.37
Në fund, Kongresi dha rezultatet e pritura, edhe pse vendosi pranimin e dy alfabeteve, por që mbështeteshin kryesisht në alfabetin latin,38 që të përdoreshin bashkërisht në mesin e shqiptarëve, të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht nëpër shkolla, me disa modifikime dhe me disa shtime germash. Më 22 nëntor, Kongresi vendosi që të thirret një kongres tjetër në Janinë në korrik 1910, për çështje të gjuhës.39
Vendimet e Kongresit të Manastirit kishin një rëndësi të veçantë, po të merret parasysh vendosmëria e shqiptarëve për të mbrojtur identitetin e tyre nacional. Nga ky aspekt historik, përfaqësuesit shqiptarë patën vizion të qartë në vendimin e tyre që për bazë të merret alfabeti latin. Në veçanti pati jehonë të fuqishme kombëtare diskutimi i profesorit të teologjisë në Stamboll, Haxhi Vildan Faik Dibra, i cili merrte pjesë së bashku me dy delegatë të tjerë të dërguar nga klubi xhonturk “Bashkimi” i Stambollit.40 Gati të gjithë të pranishmit qëndronin me një skepticizëm, kur e mori fjalën Haxhi Vildani. Delegatët gati u shtanguan, pasi e dinin se ky ishte aktivist i fuqishëm i xhonturqve dhe se kishte ardhur me mision nga ana e tyre në këtë Kongres. Të gjithë pritnin se çfarë qëndrimi do të mbajë Haxhi Vildan Dibra në lidhje me alfabetin, a do të përkrah atë arab apo atë latin. Ky, në fjalimin e tij tejet patriotik, në mes tjerash, potencoi; “Se besimi dhe Kurani nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin”. “Shqipëria tani është e lumtur, sepse tani ajo është e bashkuar me anën e alfabetit, që është një nga instrumentet më të fuqishme e më të mira, për të përhapur përparimin në mes të popullit”.41
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ai me vendimet e marra për një alfabet unik kombëtar, si dhe me programin e miratuar prej 18 pikash, bëri që Lëvizja kombëtare të hyjë në fazën përfundimtare të avancimit të çështjes sonë për autonomi. Klubet shqiptare të organizuara gati në çdo vend të banuar me shqiptarë u shndërruan në qendra të përhapjes së idesë kombëtare, të përhapjes së arsimit e të kulturës, me fjalë të tjera, këto vatra e bënë të mundur kalimin nga lufta me pendë në luftë të armatosur të kombit shqiptar për pavarësi. Klubet e para shqiptare që u hapën në trojet tona gjatë muajit gusht-shtator ishin nga Vlora, Elbasani, Pogradeci, Shkodra, Kumanova dhe Tetova.42 Me rëndësi të veçantë është të theksohet roli i klubit shqiptar në Shkup. Ky klub, në bazë të aktit zyrtar, me titull: “Rregullorja e klubit shqiptar” në Shkup, është themeluar si “klub arsimor shqiptar”, më 1 tetor 1908.43 Më vonë u hapën edhe 40 klube të tjera; si në Strugë, Ohër, Dibër, Gjilan, Vushtrri e tjerë. Në tërë Shqipërinë Etnike, pas Kongresit u hapën mbi 40 klube shqiptare.
Mbarimi me sukses i punimeve të Kongresit Mbarëkombëtar në Manastir dhe marrja e vendimeve jetike në favor të çështjes kombëtare, patën rëndësi jetike për zgjidhjen e rrugës drejt autonomisë. Këto vendime të rëndësishme historike në Manastir vulosën rrugën e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, se ajo i takon Evropës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me lindjen. Marrja e këtyre vendimeve kolosale nga krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me të madhe u pengonte reaksionarëve xhonturq. Ata tanimë ishin të bindur se vendimet e marra në Kongres çonin drejt vetëvendosjes, pra, ishte fillimi i rrugës drejt shkëputjes nga Perandoria Osmane. Prandaj, politika xhonturke për të penguar rrugën e unitetit politik të shqiptarëve të arritur me sakrifica të mëdha në Kongresin e Manastirit, i shtyri xhonturqit të veprojnë me të gjitha metodat për të përçarë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo përdori metodën e vjetër romake, devide et impera. Në radhë të parë ajo e filloi luftën për të përçarë klubet shqiptare, ndërsa disa udhëheqës të Lëvizjes i bleu me lekë (dukatë), që të propagandonin vetëm alfabetin Arab, në vend të atij Latin. Disa veprimtarë nga shqiptarët myslimanë ranë në grackë, të nxitur nga politika xhonturke, që të luftojnë për idenë panislamike, “një fe, një komb”.
Kongresi i Manastirit hyri në histori si “Kongresi i Abesë”. Kongresi i alfabetit mori vendime të rëndësishme në shumë fusha të jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore dhe fetare. Duke zgjidhur rrugën e njësimit të alfabetit, ai zgjodhi edhe një problem të prehtë politik, duke i dhënë një kapital të fuqishëm Lëvizjes sonë Kombëtare në rrugën e tij për autonomi. Në këtë Kongres u bë bashkimi i shqiptarëve dhe krahinave të ndryshme të Shqipërisë Etnike. Ky tubim mbarëkombëtar forcoi lidhjet midis tyre. Kongresi forcoi edhe më shumë ndjenjat kombëtare, u dha mundësi atdhetarëve për një qëndrim unik në strategjisë politike të popullit shqiptar, të cilët me platformë shërbyen në rrugën e saj drejt pavarësisë së Shqipërisë.
Duke folur për rëndësinë e Kongresit të Manastirit, gazeta “Lirija” e Selanikut do të shënojë; “Ishte pra një ngjarje më rëndësi për ne, ku pamë shqiptarët të ardhur nga veriu, jugu, lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë…, atëherë kuptuam se vërtet paska një komb, dhe se ky komb qenka i gjallë”. Kjo gazetë, pas përfundimit të Kongresit, do të shënojë: ”Mbledhja e Manastirit na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës i tregoi qenien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar”.44
Kundër këtij qëllimi të shenjtë kombëtar shërbente roli i klerit reaksionar me klerikët dhe institucionet e tyre fetare, të cilët duke u shërbyer të huajve, iu kundërvunë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë fushatë antishqiptare u përfshi edhe qeveria turke. Ajo vendosi të luftonte me të gjitha mjetet e saj kundër mësimit të gjuhës shqipe, përdori mjete financiare, u premtuan poste të ndryshme politike për deputetë dhe myftinj. Kleri mysliman, por edhe ai katolik, ishte vu në shërbim të të huajve. Po ashtu, shumë agresiv ka qenë kleri ortodoks, ndihmuar nga qeveria greke, e cila bëri çmos dhe aplikoi të gjitha mënyrat për mbylljen e shkollave shqipe, që ishin çerdhet nga ku përhapeshin çdo ditë e më tepër shkronjat shqipe. Ai ndihmoi me zell pushtuesit e administratës turke, për ndjekjen e gjuhës shqipe.45 Rrënjët e kësaj politike ishin shumë më të thella se sa dukej në sipërfaqe, politika e tyre çonte në shkombëtarizimin e shqiptarëve. Këta ishin kundër përparimit të gjuhës dhe shkollës shqipe, ishin kundër shkrimit shqip përparimtar me shkronja latine. Këta ishin kundër klubeve dhe shoqërive të kohës dhe kundër çdo gjëje tjetër shqiptare, u munduan ta kanalizonin ujin në mullinj të huaj, të perandorëve të tyre. Kjo që u tha më lartë, më së miri do ta kristalizojë K. Kristoforidhi, kur do t’i shkruajë në një letër N. Naços, ku midis të tjerave i shkruante, “se ata që nuk duan fare të shkruhet gjuha shqipe janë; mitropolitët, dhespotët e priftëria”.46 Ndërsa gazeta “Drita “ e Sofjes vinte me të drejtë shenjën e barazisë midis rolit negativ të fesë dhe të çështjes kombëtare dhe qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare turke, greke e tjera.47Në këto rrethana të vështira politike për kombin shqiptar, qarqet qeverisëse turke organizuan në të njëjtën ditë, më 22 nëntor, një ekspeditë ndëshkuese kundër shqiptarëve, me qëllim që të kapet ose të vritet Isa Boletini, si kundërshtar i regjimit xhonturk. Ata dërguan kundër tij në Boletin 1 500 ushtarë të pajisur me artileri. Pas përleshjes që pati tërë ditën, në të cilën u vranë rreth 30 ushtarë turq dhe vetëm 3 shqiptarë, Isa Boletini u tërhoq natën në fshatrat për rreth për t’u vendosur më pas në Isniq të Pejës.48
Austria si gjithnjë deri në shpalljen e pavarësisë, financoi klerikët katolikë për interesa të saj politike, edhe pse ata kanë vepruar kundër alfabetit shqip. Këtë radhë diplomacia austriake kinse kontribuon për çështjen shqiptare49, në të vërtetë ajo ishte shumë më e interesuar për të pasur një pasqyrë më të pastër në punët e Kongresit. Roli antikombëtar i klerikëve katolikë kundrejt njësimit të alfabetit u pa me rastin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit. Jezuitët e Shkodrës, duke vazhduar më tej veprimtarinë e tyre armiqësore, nuk pranuan të dërgonin përfaqësuesit e tyre në Kongresin e Manastirit.50
Kleri mysliman shqiptar pas revolucionit xhonturk iu përshtat shpejt ndryshimit të gjendjes politike. Ata që kundërshtuan këtë regjim antishqiptar, turqit e rinj i burgosën, siç ishte rasti me Dervish Himën, i cili gjatë mbajtjes së Kongresit të Manastirit ndodhej në burgun e Selanikut. Ndërsa disa hoxhallarë fanatikë u vunë në shërbim të xhonturqve, u shitën për poste dhe interesa të ngushta personale, këta ishin elementë të korruptuar si Arif Hiqmet Kumanova, Sahit Hoxha i Shkupit dhe Rexhep Voka nga Tetova. Ndërsa Hafëz Ali Korça, shkonte edhe më larg, duke predikuar anë e mbanë Shqipërisë Etnike, “se mos u hupet dini me abecenë latine”, e tjera e tjera turpe.51 Këta fanatikë injoronin kombin në emër të turqizmit, shumica nga këta nuk flisnin shqip. Organizuan “mitingje” kundër Alfabetit latin në Manastir, Selanik, Shkup, Kumanovë, Tetovë, e shumë qytete tjera të Shqipërisë Lindore.52
Kongresi i Manastirit, me zgjidhjen e çështjes së alfabetit, si dhe me shqyrtimin e çështjeve të tjera me karakter politik dhe nacional, konsiderohet si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.
_____________________
Referencat:
1 Historia e popullit shqiptar…, f. 391; Nexhat Abazi, Zhvillimi i shkollave.., f.196.
2 Raporti i konsullit italian nga Manastiri, dërguar kontit de Visari; nga Shkupi merrnin pjesë tre delegat; me të drejtë vote ishin të dërguar nga Klubi i Shkupit, Emin Beu dhe Hafëz Ibrahim Efendiu. Ndërsa Rok Berisha po ashtu përfaqësues nga Shkupi bënte pjesë në grupin e delegatëve pa të drejtë vote, së bashku me Parashqeva Qiriazin, Abdyl Yipn, Lef Nosin Çerçiz Topullin e tjerë; Grup autorësh, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003, f. 175.
3 Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908; Stjepan Antoljak, Prillog historijatu albanaca za svoj alfabet, “Gjurmime albanologjike’, nr. 1, Prishtinë, Prishtinë, 1969, fq. 46-48; Historia e Shqipërisë, vëll. II. 1908-1912…f. 10-11.
4 Po aty, raport nga Manastiri.Poashtu në këtë Kongres ka marrë pjesë edhe i riu Rauf Fico, që më vonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare, veçanërisht kur ishte i emëruar në Beograd. Pati disa takime me studentët shqiptarë dhe disa krerë të nacionalizmës shqiptare që vepronin në Jugosllavinë e para luftës, në ngritjen e nacionalizmës shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim dhe bashkuim kombëtar.
5 Manol Pandevski, Politiçkite partii…, vep. e cit. f. 287; Shukri Rahimi, Shkaqet e konfliktit në mes lëvizjes shqiptare dhe Turqve të Rinj, “Jehona”, Shkup 1968, nr. 6, f. 143.
6Shaban Demiraj, i Kongresi i Manastirit…, 87. Në këtë kohë përmendet vetëm një Rexhep Hoxha. Por nuk thuhet asgjë për biografinë e tij. Si ka mundësi të përshëndes Kongresin një person që në atë kohë nuk ka pasur ndonjë funksion shtetëror apo fetar. Ndërsa ky, Rexhep Hoxha ishte i lindur në Prilep, që në kohën e Kongresit ka qenë Profesor i Medresesë në Stamboll, e quajtur “Medrese Fatihut”. Shi, Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë, 1969, f. 106.
7Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçavanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda,“ Bigorski nauçeno-kulturni sobiri”, Gostivar 1971, f. 182.
8HHStA, PA XXXVIIi/390, Raport i Konsullit Kral nga Manastiri, më 15.07.1900); Konsulli austriak në raportonte: se Gjergj Qiriazi i cili kishte një librari të “Bible society: ”Në shkurt të vitit 1900 gjatë muajit ramazanit, në dyqanin e tij kishte hyrë një hoxhë që duke u ruajtur e kishte pyetur nëse kishte libra shqip; ai mori ato që lejoheshin, ungji, psallme, etj, dhe meqë ai kërkonte ndonjë gjë tjetër, iu dha së fundmi me kujdes edhe një abetare, sepse ai mund të ishte një agjent sekret, siç ndodh shpesh tani. Hoxha pyeti nëse dikush mund ti mësonte alfabetin dhe u gëzua kur u ftua që të vinte çdo ditë për të mësuar nga pak me vëllain e të zotit të dyqanit. Me një zell djaloshar ai u fut punës dhe mësoi kaq mirë sa që pas disa leksionesh ai mundte që të lexonte shqip në mënyrë të mjaftueshme. Shumë shpejtë ai zuri miqësi me patriotët lokalë dhe iku nga Manastiri me një pako të vogla librash (për shkak të mungesave), libra që në shumicë ishin fetarë dhe të krishterë. Ky njeri është Rexhep Çudi Hoxhë nga Tetova.
9 Rauf Fico, Shtetar dhe diplomat i shquar shqiptar (monografi), Tiranë 2007, f. 182.
10 Natalyie Clayer, Në fillimet nacionalizmit shqiptar, Tiranë 2009, f. 561-562.;
11 Feti Mehdiu, Vilajeti i Manastirit në Kamus Al-A’Lam, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1983, f.240. Në atë kohë vilajetit të Manastirit përfshinte këto qytete; Manastir, Prilep, Florinë, Ohër, Korçën, Starova Kolonja, Elbasanin, Peqin, Strugë, Dibër, Mat, Dibra e Poshtme, Krahina e Rrekës, Kërçova me gjithsejtë 2 220 fshatra.
12 Gazeta “Dituria”, nr.3, v,1908, f.41.
13 “Leka”, nr. VIII-XII, 1937, f. 35.
14 Manol Pandevski, Politiçkite parti…, vep. e cit. f. 287.
15 Po aty, raporti i njëjtë. Mahir Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972, f.. 35.
16 Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f.152.
17 “Bashkimi i Kombit” (nacionallno Edinstvo), Shkup 2001, f 20; Ali Vishko, ndante mendimin se ky ka qenë nikoqir kryesor në Kongres në bazë të pozitës fetare që ka pasur në atë kohë. Në fillim poashtu ka qenë shumë i afërt me të gjithë veprimtarët që vepronin në Manastir dhe Shkup. Tetovë, deklarata e tij në dhjetor 2002.
18 Stjepan Antolak, Prilog historiatu borbe albanca za soj alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1 Prishtinë 1969, f. 48.
19 Stavro Skendi, vep. e cit, f. 370-371; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit Tiranë 2004, f. 76.
20 Stavro Skendi, vep. e cit, f. 371.
21 Gjergj Qiriazi, vëlla i Sevastisë dhe i Parashqevës. Motrat Qiriazi pas luftës jetuan të izoluara në Tiranë nga pushteti komunist, Sevastia vdiq në vitin 1949 dhe u varros vetëm nga katër gra. Pasi pushteti e kishte shpallur si armike të pushtetit komunist.
22 Milto Sotir Gura, Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip, (nga kujtimet e Mihajll Gramenos), “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 12 gusht 1944.
23 A.M. Shkup, Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908.
24 Po aty, raporti i njëjtë.
25 Po aty. Qysh në fillim të Kongresit Mithat Frashëri, Abdyl Ypi, Ferid Ypi, ndanin mendimin se në këtë Kongres të Alfabetit të shqyrtohet vetëm çështja e alfabetit jo edhe probleme të tjera të karakterit politikë.
26 Po aty.
27 Po aty, raporti i njëjtë.
28 Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit…, f.196.
29 Raport i konsullit. astro-hungarez nga Selaniku, nr. 2852, 27 dhjetor 1908.
30 ‘’Korça’’ nr.2, 24 dhjetor 1908.
31 ”Konstituciona Zarja”,1/23, Selanik, më 15 nëntor 1908.
32 Raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkodra, nr. 5, 3 janar 1909.
33 Raport i konsullit rus nga Manastiri, dërguar ambasadorit rus në Stamboll N.V. Carikov. 24 nëntor 1908.
34 INI-Tiranë, Raport i konsullit austro-hungarez, nga Manastiri dërguar Vjenës, më 30 nëntor 1908.
35 I. G. Senkieviç, osvoboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda…, f. 123; Aktet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vep. e cit dok. 113.
36 Raport i konsullit rumun Breileanu nga Manastiri, dërguar Ambasadorit Rumunisë në Stamboll, më 19 nëntor 1908.
37 Manol Pandevski, Politiçkite partini i organizaciji…, f. 286.
38 Falë kontributit të Gjergj Fishtës, shqiptarët sot përdorin shkrimin latin.
39 Raport nr.85 i konsullit A. Ristovskit nga Manastiri, dërguar Zinojevit, më 14 (22) gusht 1908.
40 Stavro Skendi, the albanien National-Aveking 1878-1912, Printon Univesity Press, 1967, f. 373; Nga Kubi “Bashkimi” ishin edhe Fazli Pashë Toptani, nga Tirana dhe Riza Beu nga Dibra, kolonel i shtabit madhor osman.
41 HHStA, PAA. Raport i konsullit austriak në Manastir, më 30 nëntor 1908; Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqiptar në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. Prishtinë 1969, f. 82; Veprimi i Haxhi Vildan Efendiu nga Dibra, që kishte ardhur nga Klubi “Bashkimi” i Stambollit, me gjashtë përfaqësues në Kongresin e Manastirit të cilët ishin: Manastirasi Ismail Hakiu, Shaqir Efendiu, Fazli Pashë Toptani, deputeti i Prishtinës Fuat pashë Prishtina, Riza bej Dibra, dhe Maliq bej Luma. Diskutimi patriotik i Haxhi Vildanit zhduki skepticizmin që kishin shumica e delegatëve të Kongresit, veçanërisht midis anëtarëve të Klubit “Bashkimi” të Stambollit.
42 Historia e populli Shqiptar…, f. 381.
43 AQSH, Tiranë, Fondi 102, viti 1908, dosja, 201 f. 1 (Rregullorja e Klubit Shqiptar në Shkup); rregullorja ka 8 faqe e 26 nene dhe është shtypur në shtypshkronjë me Alfabetin e Stambollit. Sipas nenit 1 “Klubi Shqiptar i Shkupit është një vend për mbledhjet shqiptare ku shokët nuk do të shikojnë punë tjetër veç atyre qëllimeve që ka klubi dhe të cilat janë të shënuara me program”. Anëtari i klubit kishte të drejtë të bëhet çdo shqiptar nga Shkupi dhe jashtë tij (neni 2). Ky klub, në kongresin e Manastirit, kishte dërguar si delegat Hafëz Ibrahim Efendiun dhe Emin Beun
44 Gazeta “Liria”, nr.17, Selanik , 22 nëntor 1908.
45 Gazeta “Atdheu”, Konstancë, nr. 2, 15 gusht 1912.
46 Petro Nino Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe dhe përfolja e shqiptarit, Manastir 1911, f.31.
47 Gazeta “Drita”, Sofje, nr. 81,15 korrik 1908.
48 Historia e popullit shqiptar, vep. e cit, f. 398.
49 HHStA, PA, Raport nr. 128, i konsullit Kral, dërguar Erentalit, më 22 nëntor 1908.
50 AQSH Fondi, Klubi Shqiptar në Manastir, Dos. 5, dok. 50092: Revista “Leka”, nr. i veçantë, vj. XII, 1940, Shkodër 1942, f.14.
51 Nexhat Abazi: Nga veprat e tradhtarëve edhe atdhetarëve shqiptarë, gazeta “Nacional” Tiranë 2011.
52 Hysni Myzyri, Lufta e Shqiptarëve të Maqedonisë, (Botuar në librin Shqiptarët e Maqedonisë), punim i cit. f. 300.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura