Nga Rexhep Kasumaj, Mars, 2024
Dorëzania serbiane e Ramës…
(Dhe një zhgënjim)
1.
Ishte viti 2013, Shkodër.
I largët, tashmë, për kalendarin politik të Europës.
Në atmosferë triumfi, firmosej një kontratë koalicioni që duhej të pushtetonte në Tiranë.
Dy prijësve, Ramës e Metës, u rrinte mbi krye një i ftuar i veçantë. Që vështronte diku përtej, tutje në horizont. Ishte presidenti serb Boris Tadiq, një finok i rremë demokracie.
Prania e tij duhej të përfaqësonte dorëzani majtizmi apo mbarësie ceremoniale. Por ajo s’ishte aspak e tillë. Dhe s’mund të ishte dot.
Siç do të shihej më pas ndër vite, rezultoi një dorëzani interesash të errtë serbë, atë ditë e sot.
Por atëherë, nuk e prisja një dekadencë kaq të zezë të politikës shqiptare. Aq më pak një thikë Bruti mbi krahët e Kosovës.
Fluturoja entuziast qiejëve të shpresës, se tranzicioni i mbrapshtë po vdiste. Dhe Shqipëria do të hynte në një kohë të dytë: të pasur e libertare. Nato i kishte hapur besimplotë, shtegun e parë…E tillë, e rrethuar sigurie, thoshja publikisht, mund të trokiste krejt natyrshëm në portat e Europës.
2.
Mirëpo ja tani ku jam. I zbritur poshtë. Dhe, ndaj, i zhgënjyer në mënyrë kronike, vazhdimisht e paprerë, do them: kryeministri i Shqipërisë Edvin Rama me të gjithë banditokracinë e tij, duhet të rrëzohet!
Por çështje është: si?
Me votë elektorale?
Asnjëherë, sepse vota e vjedhur nuk është e lirë.
Qeveri teknike që do të imponohej nga një lëvizje e kadiftë popullore?
Jo dhe jo, prapë!
Nuk besoj në kulturën e tillë edviniste. Është matanë, vite dritë vonë ndjesisë dhe moralit kombëtar të lirisë.
3.
Kujtoj pra, përsëri e përsëri, një mësim të profetit Muhamed që thotë: e keqja duhet hequr me dorë. Mund të gjykohet dhe me fjalë e zemër, por këto të fundmet janë shkalla më e ulët e besimit.
Po a nuk shkruante, madje, mendimholli i paarritshëm i politikës dhe sundimit, Niccolo Machiavelli, se profetët skofjarë shkonin përherë drejt humbjes?
Ç’e vërtetë lapidare në altarin e lartë të së cilës historia dëshmon!