Tetovë, 21 dhjetor 2020: Nëse nuk e keni ditur, ky është sikleti më i madh i Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rusisë për Maqedoninë dhe rajonin.
Edhe përkundër falsifikimeve të mëdha të statistikave dhe shpërnguljes së detyruar të shqiptarëve këto tri dekadat e fundit.
Të dhënat e paraqitura të një viti në këtë analizë janë identike me të dhënat statistikore gjatë tri dekadave të fundit.
Edhe përkundër vrasjeve, mbytjeve, helmimeve dhe shpërguljes së shqiptarëve gjatë ish-regjimit komunist jugosllav (serb) dhe në priudhën e tranzicionit demokratik, shqiptarët ende përbëjnë shumicë të popullsisë, sipas përkatësisë etnike të banorëve në këtë shtet.
“Misteri demografik i Maqedonisë Veriore: numra shumë të gabuar. Statistikat zyrtare mbi popullsinë e Maqedonisë Veriore jo vetëm që janë devijuar pak, por në mënyrë dramatike janë të pasakta. Dhe, kjo ka pasoja.”
– Analizë e Qendrës për gazetari hulumtuese PRIZMA (BIRN-Maqedoni), autor: Tim Xhuda, ekspert ndërkombëtar, 14 maj 2020.)
* * *
FALSIFIKIMI I NUMRIT TË BANORËVE, I NUMRIT TË VOTUESVE DHE I ZGJEDHJEVE NË MAQEDONI
Në vitin 2013, në Maqedoni kanë lindur gjithsej 23.138 fëmijë, prej të cilëve 11.550 me përkatësi etnike maqedonase, dhe 11.588 fëmijë me përkatësi kombëtare shqiptare dhe të tjerë. Ose, më pak se 50% maqedonas, mbi 50% shqiptarë dhe të tjerë!
Sipas përbërjes etnike të popullsisë në Maqedoni, numri i deputetëve shqiptarë dhe deputetëve nga bashkësitë tjera etnike jo maqedonase duhet të jetë afër 50%, në mos edhe më tepër, në raport me numrin e deputetëve me përkatësi etnike maqedonase.
Në të gjitha ciklet zgjedhore, nga viti 1990 e deri më sot, ky numër ka qenë më i vogël se 30%, në zgjedhjet e fundit parlamentare më 2016, përfshirja e deputetëve shqiptarë është më e ulët se kurdoherë, edhe atë, 16,6%! Kjo dëshmon qartë për falsifikimin e zgjedhjeve në këtë vend, në të gjitha ciklet zgjedhore deri më sot.
Edhe pse ky falsifikim paraqet shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara me kushtetutën e këtij vendi dhe me konventat ndërkombëtare, organet kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Enti Shtetëror i Statistikës dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, nuk kanë ndërmarrë masa të nevojshme për sigurimin e barazisë së votës së qytetarëve në Maqedoni, dhe me këtë e kanë shkelur parimin e përfaqësimit të drejtë e proporcional, sipas përkatësisë etnike, në organin ligjdhënës, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Për ilustrim të këtij konstatimi, ju sjellim më poshtë të dhënat zyrtare të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës, në publikimin me titull: ,,Maqedonia në numra – 2014”.
Në mungesë të regjistrimit të popullsisë (edhe regjistrimi i popullsisë në këtë shtet është falsifikuar në të kaluarën), me këtë edhe sigurimin e të dhënave të sakta për numrin e votuesve sipas përkatësisë etnike, të dhënat e mëposhtme për fëmijët e lindur në Maqedoni, sipas përkatësisë etnike të nënës dhe babait, janë dëshmi e fortë se manipulimi me numrin e votuesve sipas përkatësisë etnike në Maqedoni është tepër i madh.
Sipas të dhënave zyrtare për përkatësinë etnike të fëmijëve të lindur në vitin 2013, në Maqedoni kanë lindur gjithsej 23 138 fëmijë, prej të cilëve 11550 me përkatësi etnike maqedonase, dhe 11588 fëmijë me përkatësi etnike shqiptare dhe përkatësi etnike nga bashkësitë tjera pakicë.
Këta fëmijë të lindur në vitin 2013, tanimë janë në moshën 4 vjeçare, ndërsa prindërit e tyre sigurisht që jenë qytetarë me të drejtë vote!
Si mund të arsyetohet ky ndryshim i madh mes numrit të popullsisë dhe votuesve sipas përkatësisë etnike, me numrin e mandateve të fituara për deputetë në organin ligjvënës të vendit?!
Sipas kësaj logjike, asnjëherë një parti politike, ose një koalicion i partive politike maqedonase, nëse mbahen zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike në Maqedoni, nuk do ta kishte shumicën e nevojshme të deputetëve, mbi 50% të votave për formimin e qeverisë, pa përfshirjen sasiore dhe cilësore të deputetëve shqiptarë dhe deputetëve të bashkësive të tjera etnike pakicë, të cilët duhet të përbëjnë 50 % të deputetëve, në mos edhe më tepër se gjysmën e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë!
Në përbërjen parlamentare (2014-2016), subjektet politike të shqiptarëve janë përfaqësuar me gjithsej 27 deputetë, që së bashku me 5-6 deputetët e bashkësive etnike pakicë nuk përbëjnë më tepër se 27% të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016, numri i deputetëve shqiptarë është zvogëluar për 9 deputetë dhe aktualisht ka vetëm 20 deputetë shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, ose afër 16,6%!
Ky numër sipas përbërjes së popullsisë duhet të jetë afër 50%. Në cilat labirinte dhe manipulimeve nga organet e pushtetit humbet gjithë ky numër i madh i qytetarëve me të drejtë vote, barazinë e së cilës ua garanton edhe kushtetuta e vendit, mbetet të japin përgjigje organet më përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Ministria e Punëve të Brendshme, Enti Shtetëror i Statistikës, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, por edhe udhëheqësit e subjekteve politike, të cilët siç duket janë të interesuar vetëm për pjesëmarrje në pushtet dhe jo edhe për realizimin e të drejtave të qytetarëve të këtij shteti!
Shih tabelën në vazhdim:
Fëmijë të lindur sipas përkatësisë etnike të nënës dhe babait, në vitin 2013, në Republikën e Maqedonisë, *
Gjithsej: 23 138 fëmijë të lindur në vitin 2013
Maqedonas: 11 550
Shqiptarë: 8 137
Turq: 1 104
Romë: 1 554
Vllahë: 17
Serbë: 120
Boshnjakë: 248
Të tjerë: 396
Të panjohur: 12
Në këto të dhëna statistikore nuk është përfshirë numri i fëmijëve shqiptarë të besimit ortodoks, fëmijtë e familjeve me përkatësi kombëtare bullgare dhe fëmijtë e grupeve më të vogla etnike, torbeshët, goranët, yrikët etj., të cilët nga organet e pushtetit ende trajtohen si maqedonas, meqë e flasin këtë, jo si gjuhë amtare por si gjuhë zyrtare, gjuhë e pushtetit i cili ua ka imponuar këtë gjuhë.
*Enti Shtetëror i Statistikës, publikimi me titull ,,Maqedonia në numra”, Shkup, 2014, f. 14.
(20.XI.2016)