Tetovë, 20 janar 2020: Pjesëmarrja pa kushte në pushtet e partive të shqiptarëve, integrimi në pushtetin përjashtues dhe mohues i të drejtave dhe barazisë kombëtare të shqiptarëve, si dhe procesi i integrimeve në strukturat rajonale dhe globale, nuk përbëjnë kauzë kombëtare të shqiptarëve, por janë mekanizma që me kohën bëhen jofunksionalë në mungesë të kësaj kauze.
Kauza është një çështje e madhe dhe e drejtë, apo tërësia e interesave të një populli, të cilat një lëvizje e gjerë politike dhe shoqërore i mbron me këmbëngulje.
Kauzë për shqiptarët është çështja e pazgjidhur e tyre në Maqedoni, rreth të cilës rropaten partitë politike në këtë shtet për tridhjetë vjet me radhë, pas pavarësimit të Maqedonisë në vitin 1991.
Kjo kauzë buron nga çështja e pazgjidhur e popullit shqiptar të mbetur jashtë territoreve të shtetit kombëtar, të shpallur në vitin 1912 në emër të gjithë territoreve etnike shqiptare, por të rrudhur më vonë me ndikimin e faktorit ndërkombëtar dhe raportit të forcave mes shteteve të rajonit dhe fuqive të mëdha, në afër 1/3 e këtij territori.
Nën ish Jugosllavi, shqiptarët kanë pasur një kauzë të përbashkët, pavarësisht nga republikat e ish federatës jugosllave në të cilat kanë jetuar, në Kosovë, nën Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Pas pavarësimit të Maqedonisë dhe çlirimit të Kosovës nga okupimi serb, kauza më e rëndësishme kombëtare e shqiptarëve në nivel të përgjithshëm ka mbetur çështja e shqiptarëve në Maqedoni.
Kauza nuk nënkupton pjesëmarrjen në pushtet, pavarësisht nga cilësia e tij, të partive të shqiptarëve në Maqedoni, por realizimi i aspiratave historike të popullit shqiptar, varësisht nga rrethanat.
Në këtë kontekst, pjesë më e rëndësishme e kësaj kauze është statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar në Maqedoni, i degraduar në pakicë kombëtare, ndërsa çështja e avancimit të të drejtave kombëtare, politike dhe kulturore, të trashëguara nga e kaluara, si gjuha shqipe zyrtare, përdorimi simboleve kombëtare etj., janë pjesë përbërëse të kësaj kauze.
Si mund të vlerësohet një lëvizje politike dhe kombëtare si e suksesshme përderisa në tridhjetë vitet e kaluara të demokracisë dhe pluralizmit nuk e ka lëvizur nga vendi çështjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, edhe përkundër Referendumit për Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoni (1992), arritjes së Marrëveshjes kornizë të Ohrit pas konfliktit të armatosur (2001), si dhe të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001 dhe të vitit 2019, pas Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit, në të cilat kanë marrë pjesë aktive këto parti politike, apo drejtuesit e partive të reja të dala nga platformat e vjetra partiake, të cilave u besojnë symbyllur një pjesë e qytetarëve shqiptarë, kinse ato janë bartës të kauzës shqiptare në këtë shtet, dhe jo vetëm?!
Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë më tepër se kurë për lëvizje të re politike, e cila do të jetë mbartëse dhe mbrojtëse e kauzës kombëtare të tyre, jo për grupime partiake dhe klane politike, që bartin, përçojnë dhe raelizojnë kauza të huaja në emër të popullit shqiptar.
Postime të Lidhura
AKTUALIZIMI I PROBLEMEVE DHE RIKTHIMI I KRIZAVE NGA SHEKULLI I KALUAR NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Aktuale AKTUALIZIMI I PROBLEMEVE DHE RIKTHIMI I KRIZAVE NGA SHEKULLI I KALUAR NË BALLKANIN PERËNDIMOR (Popujt ballkanikë kanë…
PROF.SABIT ABDYLI: ÇLIRIMTARI
Aucklan (Zelandë e Re), 23. 05. 2014 – Erdh ky, telashe do të na nxjerr me Europën, fqinjët.…
MENDËSIA “VRASTARE” E URREJTJES!
A jemi liruar nga gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale dhe në platformat tjera mediale?! … MENDËSIA “VRASTARE”…
SADRI RAMABAJA: TRIBUNALI KUNDËR UÇK’së, PRODUKT I AGJENDËS ANTISHQIPTARE
Prishtinë, 07. 04. 2014 – Çka kanë të përbashkët e djathta evropiane, ekstremistët islamik dhe nostalgjikët jugosllav të…