Tetovë, 11 gusht 2020: Pse shqiptarët në Maqedoninë Veriore kanë mbetur popull i pambrojtur, pa zgjidhje të statusit juridik-kushtetues, pa liri të mjaftueshme civile dhe barazi kombëtare, si pakicë kombëtare dhe qytetarë në përqindje, kjo nuk i preokupon disa politikanë, medie dhe analistë shqiptarë; ndërsa tani, në prag të formimit të qeverisë së re bëjnë sikur ndjehen tepër të shqetësuar, që mos po mbeten shqiptarët pa opozitë!
Por, cila ka qenë forca dhe ndikimi i partive politike të shqiptarëve në pushtet, së paku deri më sot, jo më e opozitës që kurrë nuk ka reflektuar dhe vepruar si e tillë, e aftë dhe e përgjegjshme, që edhe kur nuk ka qenë në pushtet ka shërbyer si vegël e tij, jo zëdhënëse dhe mbrojtëse e të drejtave të qytetarëve shqiptarë në këtë shtet?!
E doni përgjigjen?
Shkoni dhe pyetni ato familje që dritën e syve të tyre e kanë humbur, kur fëmijët u janë larguar në botën e jashtme, për shkak të qeverisjes së keqe, të pasigurisë dhe mungesës së punës dhe perspektivës në vendlindjen e tyre, të ndodhur edhe në sytë e opozitës, që kurë nuk e kanë pasur shqiptarët siç u është dashur ta kenë!
Shkoni dhe pyetni banorët e vendbanimeve shqiptare, ku sa herë ka dashur pushteti, qarqet shoviniste dhe kriminale, me polici dhe ushtri ka hyrë në shtëpitë e tyre për t’i rrahur e poshtëruar, vrarë e masakruar, si kanë dashur dhe kur kanë dashur, për tri dekada me radhë, nga qyteti i Kumanovës deri në Strugë, pa përjashtuar asnjë rajon dhe qytet ku shqiptarët e përbëjnë shumicën e banorëve të tyre!
Shkoni dhe pyetni të burgosurit nëpër burgjet e vendit, shumica janë shqiptarë, sa prej tyre janë të fajshëm e sa të pafajshëm, të dënuar me procese të montuara politike!
Shkoni dhe pyetni familjet e atyre idealistëve që sakrifikuan gjithçka nga vetja e tyre për një të ardhme më të mirë, që sot rritin jetimët e bijve të tyre të tradhtuar e vrarë pas shpine!
Shkoni dhe pyetni si e bëjnë gjumin dhe si i shohin ëndrrat qytetarët shqiptarë në katundet dhe lagjet e qyteteve të vendit ku ata janë pakicë!
Shkoni dhe pyetni prindërit e nxënësve shqiptarë, në katundet dhe lagjet e qyteteve ku janë pakicë, sa qendra kulturore kanë, sa çerdhe për fëmijët, sa biblioteka dhe sa libra në gjuhën e tyre amtare kanë nëpër duar, në çfarë gjuhe mësojnë fëmijët e tyre në shkollat fillore dhe të mesme, dhe pyetni nëse rastësisht ua ka qarë hallin apo zgjidhur problemet dikush deri më sot, nga përfaqësuesit e tyre në pushtet!
Shkoni dhe pyetni drejtuesit e bizneseve dhe ndërmarrjeve shqiptare, nga Kumanova e deri në Strugë dhe Ohër, sa u jep pushteti mundësi punësimesh, investimesh dhe përkrahje për zhvillimin e bizneseve të tyre!
Shkoni dhe pyetni, në cilindo katund dhe lagje shqiptare të qyteteve, si e kanë të rregulluar çështjen e ujit të pijshëm, të kanalizimit, rrugëve dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme për jetë normale!
Shkoni dhe pyetni banorët shqiptarët, dhe jo vetëm ata, gjithandej në qytete dhe katunde, nëse mund të marrin frymë lirisht nga deponitë e egra të bërllokut dhe plehrave; pse ndodh kjo dhe kush nuk i lejon investitorët e jashtëm të ndërtojnë fabrikave për trajtimin dhe riciklimin e këtyre hedhurinave!
Shkoni dhe pyetni çdo gjyqtar, administrator ose polic, a janë kontrabandistë, të korruptuar dhe hajdutë, qytetarët hallexhi, të papunë dhe pa ekzistencë, apo janë bandat e organizuara të klaneve partiake dhe të pushtetit!
Shkoni dhe pyetni institucionet kompetente të shtetit, sa të ardhura në muaj i duhen një familje mesatare për të mbijetuar dhe sa familje jetojnë me ndihma sociale përbuzëse, që nuk i mbulojnë as 10% të shpenzimeve mujore, por nuk vjedhin dhe nuk korruptohen, siç vjedhin e korruptohen politikanët dhe pushtetarët!
Shkoni dhe pyetni drejtuesit e institucioneve shëndetësore, të shtetit dhe të cilitdo qytet, sa është niveli i vdekshmërisë nga sëmundjet si pasojë e ndotjes enorme, ndërkohë që klanet politike dhe të pushtetit për vite me radhë kanë importuar nga vendet e jashtme me miliona tonelata bërllok, mbeturina, plehra dhe helme, por askush nuk është hetuar dhe dënuar për këto krime kundër njerëzimit nga organet e drejtësisë në këtë shtet!
Shkoni dhe pyetni banorët shqiptarë të Komunës së Çairit, në qytetin e Shkupit, si jetojnë në një dendësi prej 18.416 banorësh në km², ndërsa në pjesën tjetër të qytetit, që i ndan vetëm lumi Vardar, në Komunën Qendër, qytetarët jetojnë si evropianë, me tjetër standard, tjetër infrastrukturë, në një dendësi së paku tri herë më të ulët, afërsisht 6.032 banorë në km², ose në komunat tjera fqinje të po këtij qyteti, si në Komunën e Karposhit, me dendësi dhjetëfish më të ulët, afër 1.694 banorë në km² (në 7 komunat tjera të po këtij qyteti dendësia është edhe më e ulët), si dhe me të gjitha kushtet e nevojshme për jetë normale e të dinjitetshme për banorët e tyre!
Shkoni dhe pyetni drejtuesit e Universitetit “Nënë Tereza”, të themeluar në Shkup në vitin 2016, pse edhe pas disa vitesh nga themelimi dhe fillimi i veprimtarisë së tij, nuk ka objekte të vetat, nuk ka laboratorë, bibliotekë, konvikt, buxhet të mjaftueshëm dhe kushte normale për zhvillimin e veprimtarisë arsimore, kërkimore-shkencore dhe akademike!
Shkoni dhe pyetni drejtuesit e agjencive turistike dhe transportuese, drejtuesit e aeroporteve dhe të stacioneve të autobusëve, cili është numri i qytetarëve shqiptarë, sidomos i rinisë, që largohen çdo ditë nga vendi!
Për çështje të tjera të ngjashme do të flasim edhe herëve të tjera, që të mos e rëndojmë përmbajtjen e shkrimit dhe devijojmë porosinë që duam ta përcjellim me këtë rast.
Dhe, e gjithë kjo nuk ka ndodhur pse kanë apo nuk kanë shqiptarët opozitë politike, por pse shqiptarët, dhe jo vetëm ata, asnjëherë nuk kanë përjetuar pushtet demokratik dhe shtet të së drejtës në Maqedoninë Veriore!
Postime të Lidhura
Skënder Sadri KAPITI: Nuk ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi pa ndëshkimin e genocidit serb
Durrës, 8 prill 2021: E gjithë Bota e dinë se mbi shqiptarët e Kosovës është ushtruar dhunë, pastrim…
XHAVIT HALITI: RRETH IDESË SË UNIONIT BALLKANIK
Prishtinë, 04. 10. 2013 – U bënë disa ditë që ideja e propozuar zyrtarisht nga ministri i Jashtëm…
EJUP AJDINI: NJË SATIRË QË BALLAFAQOHET ME KOHËN
Tetovë, 4 mars 2017: Ekrem Ajruli është figurë e njohur krijuese, veçmas në fushën e poezisë satirike. Vazhdimisht…
DR.MOIKOM ZEQO: SHQIPËRIA E VITIT 2014 ËSHTË NJË SINTEZË E TRANZICIONIT TË TEJZGJATUR
Tiranë, 29. 07. 2014 – “Shqipëria e vitit 2014 është një sintezë qoftë edhe me paradokset e saj…