Pashtriku.org, 25. 02. 2015 – (“Kush e harron të kaluarën është i dënuar ta përsërisë atë”. Santajana (George Santayana, 1863-1952), filozof amerikan me origjinë spanjolle) – Romani i Gjokë Dabajt Kriza e arkivistit, i shkruar më parë serbisht dhe i vënë në qarkullim në formë elektronike, kurse tani i përkthyer shqip nga vetë autori, është një dëshmi e tmerrshme e krimeve të shtetit serb mbi shqiptarët në një periudhë njëqindvjeçare. Kjo vepër e intelektualit, publicistit dhe shkrimtarit me origjinë nga Mali i Zi (i lindur në vitin 1938 në Stamboll, ku kishte emigruar familja e tij), Gjokë Dabaj, i cili pjesën dërrmuese të jetës e ka kaluar në Shqipërinë shtetërore, është një autopsi letrare, e rrallë dhe e pamëshirshme, një viviseksion i vërtetë, një “orë anatomie” e politikës gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve si komb. Qëllimi i parë dhe i fundit i kësaj politike, të ideuar nga Kisha Pravosllave Serbe dhe nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, ishte zhdukja e shqiptarëve si komb, gjithnjë në funksion të zgjerimit territorial të Serbisë në kurriz të trojeve etnike shqiptare.
Nuk është e lehtë të lexohet ky roman, jo për shkak të vëllimit, por për shkak të përmbajtjes së tij. Ky është një libër i tmerrshëm në kuptimin e plotë të fjalës, nga i cili mund të shihet se deri ku arrin urrejtja njerëzore, në këtë rast urrejtja serbe ndaj shqiptarëve, e frymëzuar nga hegjemonizmi dhe shovinizmi shtetomadh.
Romani Kriza e arkivistit ka një syzhe interesant, herë-herë tepër të rëndë, madje morbid, e tillë çfarë është fytyra e krimit serb mbi shqiptarët dhe e shovinizmit të fqinjëve tanë sllavë ndaj nesh në përgjithësi.
Një arkivist i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (ASSHA), i quajtur Stevan Jovanoviq, i cili gjatë gjithë jetës është marrë me “sistemimin” e shqiptarëve të vrarë e të masakruar, merr vesh papritur se edhe gruaja e tij ka origjinë shqiptare, çka do të thotë, rrjedhimisht, se edhe fëmijët e tij janë “shqiptarë”. Pëson një goditje të rëndë, traumatike dhe i vret me dorën e tij të tre pjesëtarët e familjes së vet. Për më keq, veprën e vet mizore e quan heroizëm në emër të atdheut dhe kërkon të shpërblehet e dekorohet, siç janë shpërblyer e dekoruar mijëra bashkëkombës të tij për të njëjtat veprime ndaj shqiptarëve. I arrestuar nga organet e rendit, qëllon që hetues i tij të jetë një ish-shqiptar, tani malazias. Kundërshton. Detyrohen ta qetësojnë me injeksione. Mjeku që e ka nën mbikëqyrje, është shpikësi i helmeve kimike, me të cilat u helmuan nxënësit shqiptarë në Kosovë në vitin 1990. Por, ja që del se edhe ky, mjek edhe kimist, kishte rritur në shtëpi të vet një djalë shqiptari, duke menduar se ishte djali i tij. (Imagjinata e shkrimtarit këtu sikur u ka paraprirë, çuditërisht, zërave që u përhapën kohë më parë se edhe kryeministri aktual serb, Vuçiq, është pjellë e një shqiptari!). Hetuesi Kilibarda ka linjën e vet, gjithsesi tragjike, sepse është i martuar me një serbe, e cila nuk do që i shoqi ta ndiejë veten malazias. I ati i tij oficer është shquar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndër të tjera, edhe si vrasës i shqiptarëve. Të birin, djalin e hetuesit, pasi e “zbulojnë” se është “shqiptar”, e rrahin për vdekje ithtarët e Stevan Jovanoviqit. Pjesë e subjektit është edhe një vajzë boshnjake e përdhunuar nga serbët, Sanija fatkeqe, e cila ka ardhur në Beograd për të kërkuar zhvirgjëruesin e vet. Ajo, e çmendur, sillet rrugëve të Beogradit dhe këndon pa pushim “Vallen” e poetit romantik serb Branko Radiçeviq. Një personazh tjetër është edhe avokati mbrojtës i “heroit” kryesor të romanit, Stevan Jovanoviqit, Mirko Zvonari, i cili, i gjendur para kërkesës absurde për të mbrojtur një kriminel monstruoz, pi vazhdimisht për të gjetur ngushëllim tek rakia dhe ashtu i pirë gjen vdekjen diku në parqet e Kalemegdanit. Kilibarda është i kërcënuar. Beogradi mbushet papritur me shpirtra shqiptarësh, të cilët dalin nga arkivi i ASSHA-së. Në një natë të errët me borë e ngricë, Beogradi shndërrohet në “Kërvograd” (Qytet i Gjakut) dhe ashtu i përgjakur pret të zbardhë drita. Krimineli Obren Careviq, kryetar i shoqatës “Djelmoshat e Stevanit”, kërkon këshilla nga një profesor i Akademisë. Profesori e këshillon konform kursit të ndjekur tradicionalisht nga ASSHA-ja dhe atë e shohim në Kosovë, në luftën e fundit, atë të viteve 1998-1999, kur doli në skenë UÇK-ja, duke vrarë e prerë njerëz të pafajshëm sikurse edhe pararendësit e tij.
Përveç syzheut interesant dhe intrigës dramatike, herë-herë, ç’është e vërteta, të rëndë e morbide, romani Kriza e arkivistit ofron edhe një spektër personazhesh interesante. Kështu, Stevan Jovanoviqi është tipi i njeriut të mashtruar nga propaganda antishqiptare. Edhe vendi dhe natyra e tij e punës si arkivist i ASSHA-së, e diktojnë këtë mashtrim dhe indoktrinim. Hetuesi Kilibarda i takon kategorisë së atyre që u bëhet thirrje të vijnë në vete. Sanija e shkretë është vajza boshnjake viktimë e luftës së tmerrshme, që u zhvillua në vendin e saj, ku dhunimi i femrave, sikurse edhe në Kosovë, qe një nga “bëmat heroike” të çetnikëve serbë. Vidosava përfaqëson simbolikisht një Serbi tragjike në vetvete, për faj të politikave që ka ndjekur shteti serb në shekuj. Avokati Mirko Zvonar është njeriu i ndërgjegjësuar për të vërtetën, por që nuk gjen rrugëdalje për veten. Velko Velimiroviqi, ndërkaq, është tipi i shovinistit, i cili, ndërsa përpiqet të veprojë kundër popujve të tjerë, nuk e njeh popullin e vet.
Që të gjithë këta janë, kush më shumë e kush më pak, viktima të një politike, e cila për qëllimet e veta shoviniste e hegjemoniste, i helmon pjesëtarët e popullit të vet dhe manipulon me ndjenjat e njerëzve të thjeshtë, duke i ndërsyer ata kundër fqinjëve të tyre shqiptarë e të tjerë.
Lexuesit i intereson të dijë, sigurisht, se përse këtë roman autori e shkroi dhe publikoi më parë në gjuhën serbe dhe vetëm tani edhe në shqip? S’do mend se ky nuk është një veprim i rastit. Një vepër si kjo, që flet për politikën gjenocidale serbe mbi shqiptarët, dëshmitë e së cilës ruhen në bodrumet e Arkivit të Akademisë Serbe, punëtor i të cilit është protagonisti i saj, arkivisti Stevan Jovanoviq, i shndërruar sakaq në vrasës të trefishtë, vetëm në sllavisht është në elementin e vet.
E kam lexuar rreth dy vjet më parë këtë roman të Dabajt në gjuhën serbokroate. Ishte viti 2013, një vit pas shënimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kishte kaluar euforia festive dhe kishim hyrë në vitin e parë të qindvjetëshit të dytë të shtetësisë së Shqipërisë, të Shqipërisë së cunguar të 1913-s, kur në Londër, në Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, qe bërë prerja e madhe e tokave shqiptare. Me vendimin e padrejtë të Fuqive të Mëdha Evropiane, më tepër se gjysma e tokave dhe e popullsisë shqiptare kishin mbetur jashtë territorit të shtetit të posaformuar shqiptar: nën sovranitetin e fqinjëve hegjemonistë: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Historikisht është e njohur se ky proces, pushtimi i tokave shqiptare jo vetëm gjatë Luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913, por edhe më parë, gjatë Krizës Lindore të vitit 1878, është shoqëruar nga një terror i paparë i forcave pushtuese serbe e të tjera ndaj popullatës civile shqiptare, që kishte si synim spastrimin etnik të territorit të pushtuar. Kështu u spastrua Sanxhaku i Nishit dhe i Leskovcit në kohën e Krizës së Lindjes, pas luftërave ruso-turke, kur Shqipërisë iu shkëputën Ulqini, Hoti, Gruda, Plava e Gucia dhe kështu Kosova e Çamëria mbetën nën Serbi e Greqi pas Luftërave Ballkanike, kur pushtuesit e rinj, edhe më të zinj se të parët, pushtuesit turq, pretendonin se i kishin “çliruar” ato. Në një artikull të shkruar në fillim të vitit 2013 kam pasë propozuar që ky vit të shpallej “vit i kujtesës” (në shenjë përkujtimi të krimeve të para njëqind viteve, 1913), por më kot. S’më mbështeti kush, pos dy-tre miqve të mi. Historianët tanë, sidomos këta tanët këndej, flenë. Për ASHAK-un as mos të flasim. Kurse truri i tyre (i shovinistëve serbë), siç del edhe nga romani i Gjokës, është Akademia. Dhe Kisha. Për të zhdukur të tjerët – e jo për të mbrojtur veten si ne – ata punojnë ditë e natë me program dhe pa i zgjedhur mjetet. Një shekull e përtej.
Siç dëshmon vetë autori, ky libër ka kaluar nëpër një fazë të gjatë ripunimi nga varianti fillestar i fillimit të viteve ’80 e deri më sot. Ky që po ia paraqesim lexuesit është varianti i tretë i tij, përtej të cilit, siç pohon me modesti autori, nuk mund të shkojë, sepse nuk ia lejojnë mundësitë e tij krijuese (“deri këtu arrin talenti im”).
I shkruar më se dy dekada më parë dhe i rimarrë në duar me vite, romani Kriza e arkivistit komunikon me vonesë me lexuesin shqiptar. Vetë autori pohon se ngjarja e para-dokohshme në stadiumin e Beogradit, ku mijëra tifozë serbë brohorisnin në kor: “Vrajini dhe prejini shqiptarët!” dhe ku futbollistët e kombëtares shqiptare u sulmuan jo vetëm nga huliganët serbë, por edhe nga kujdestarët zyrtarë të stadiumit, vetëm pse tentuan ta mbronin hartën e trojeve etnike shqiptare me shqiponjën dykrenare në mes, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit anash dhe me fjalën “autoktonë” në fund, bënë që Gjoka t’i rikthehej dorëshkrimit të tij. Me fjalë të tjera, droni tanimë legjendar e nxiti që ta botonte romanin në gjuhën shqipe.
Ka shumë arsye për të cilat duhet të lexohet ky roman.
Romani Kriza e arkivistit i Gjokë Dabajt duhet të lexohet nga lexuesit shqiptarë, jo për t’u mbushur me mllef e urrejtje, megjithëse edhe kjo mund t’i duhet dikujt në njëfarë mase, por për ta njohur mirë, rrënjësisht dhe që në zanafillë, historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, në të vërtetë politikën gjenocidale të shtetit serb mbi shqiptarët, të frymëzuar nga dy institucione me ndikim të madh te fqinjët tanë: Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve.
Romani Kriza e arkivistit i Gjokë Dabajt duhet të lexohet për të parë krimet që janë bërë mbi shqiptarët; elaboratet që janë hartuar për zhdukjen e tyre nga faqja e dheut; metodat që janë zbatuar për këtë qëllim, duke fillluar nga propaganda e gjer tek masakrat, me një fjalë për ta njohur të kaluarën dhe për ta mbajtur mend (e jo për t’u hakmarrë), sepse “kush e harron të kaluarën e vet ka rrezik ta përsërisë atë”.
Romanin Kriza e arkivistit të zotit Gjokë Dabaj do të duhej ta lexonin të parët politikanët shqiptarë (në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe kudo që janë), si një doracak për edukimin e tyre politik dhe kombëtar, jo për t’u mbushur mllef e urrejtje, siç u tha, por për të qenë në nivel të detyrës; për të hartuar strategjinë e tyre politike në raport me fqinjët, në mbrojtje të interesave ende të rrezikuara të kombit shqiptar, si dhe në funksion të paqes në Ballkan.
Romani Kriza e arkivistit i Gjokë Dabajt duhet të lexohet edhe në gjuhën e personazheve të tij, gjuhë në të cilën u kujdes ta shkruante vetë autori i tij, si njohës i mirë i saj. Fqinjët tanë veriorë dhe veçanërisht intelektualët dhe politikanët serbë, kanë nevojë të lexojnë vepra si kjo, që janë një pasqyrë e fytyrës së tyre të vërtetë, për t’u çliruar nga barra e së kaluarës dhe për të përjetuar katarsisin e duhur.
Sjellja politike e pjesës më të madhe të intelektualëve serbë dhe e krerëve të politikës shtetërore serbe përgjatë shekujve XIX-XX dhe sidomos në fund të shekullit që lamë pas, tregojnë se fqinjët tanë, pasardhës të Garashaninëve, Çubrilloviqëve, Gjorgjeviqëve dhe ideologëve të tjerë të “Serbisë së madhe” dhe të idesë së shfarosjes së shqiptarëve, por edhe të Rankoviqëve, Millosheviqëve e të tjerëve, që u përpoqën t’i zbatonin në praktikë mësimet e tyre, pa harruar as carët, kralët dhe vozhdët mesjetarë, nuk kanë kaluar ende nëpër këtë proces të domosdoshëm të reflektimit dhe emancipimit të tyre si komb.
Qëndrimi i Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve si komb dhe sidomos ndaj Kosovës, siç tregoi edhe ndeshja e paradokohshme futbollistike në stadiumin e “Partizanit” në Beograd dhe vizita e kryeministrit shqiptar në kryeqytetin serb, që erdhi pas saj, nuk ka ndryshuar pothuajse aspak as në shekullin në të cilin kemi hyrë, në shekullin XXI.
Romani Kriza e arkivistit i Gjokë Dabajt duhet të përkthehet mundësisht edhe në gjuhë të tjera, së paku në ndonjërën nga gjuhët e mëdha botërore (anglisht, frëngjisht etj.), në mënyrë që bota të njihet me magna krimin shekullor serb mbi shqiptarët jo vetëm nëpërmjet studimesh historike e shkrimesh publicistike, por edhe përmes veprash letrare e artistike, ku imagjinatës së shkrimtarit i vijnë në ndihmë shifrat dhe faktet, aq të shumta e të sistemuara në këtë libër, sa që autorit mund t’ia kenë lakmi edhe historianët.
Prishtinë, 12 dhjetor 2014
…………………………………………………………..
Këtu mund të lexoni librin në formatin PDF:
G J O K Ë D A B A J: K R I Z A E A R K I V I S T I T
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke-dabaj-kriza-e-arkivistit.pdf