DR.AVZI MUSTAFA: RRETH MBIEMRIT DHE VDEKJES SË JOSIF BAGERIT

Shkup, 26 janar 2019: Perandoria Osmane me reformat e Tanzimatit kishte deklaruar se të gjithë kombësive do tu lejohet lirisht të ushtronin gjuhët e tyre në institucionet arsimore dhe fetare me përjashtim të shqiptarëve. Banorët e truallit shqiptar thirreshin turq, arnaut, kaurr, latin, por kurrë me emrin e tyre të vërtetë. Këtu gjithsesi duhet të shtohet se shqiptarët nuk patën edhe një administratë të përbashkët, por qenë të shpërndarë në nëpër vilajete të ndryshme. I vetmi faktor pa dallim feje e krahine, që i bashkonte shqiptarët, ishte vetëm gjuha shqipe.
Vitet e ’30-ta e deri në vitet ’70-ta të shekullit XIX janë vitet shumë të rëndësishme të zhvillimit historik të popullit shqiptar e, sidomos, kur fillojnë të krijohen kushte zhvillimit shpirtëror e nacional, që ndryshe do të quhet Rilindje.
Një ndër kushtet shumë të rëndësishme për të mbijetuar populli shqiptar ishte zhvillimi kulturor dhe arsimor. Deri në fund të shekullit XVIII një e treta e popullsisë shqiptare ishte e përqendruar në viset rurale-malore. Por, nga fundi i këtij shekulli dhe fillimi i shekullit të XIX filloi një proces i ri, me ç’rast popullata malore filloi që të zbresin nëpër qytete. Jo më pak nëpër fshatra shumica e njerëzve për shumë arsye kishin dalë si kaçak, sepse nuk kishin mundësi t’ia paguajnë vergjinë turkut. Edhe kjo ndikoi që shumë fshatra të boshatiseshin, sepse nuk mund t’i përballonin jo vetëm taksat e Perandorisë, por edhe kërkesat kaçakëve për t’i ushqyer e për t’i strehuar, ndërsa bagëtinë e kishin vazhdimisht në rrezik. Kjo derdhje e fshatrave nëpër qytete zgjati më shumë një gjysmë shekulli, ndërsa më vonë me intensiteti i saj filloi të bie.
Kur filloi të lulëzojë me të madhe mjeshtëria dhe tregtia, qytetet arritën të fitojnë një prosperitet ekonomik. Zhvillimi i tregtisë mundësoi që së pari të ngrihen tregjet e ndryshme nëpër qytete e pastaj të krijohen tregtarë dhe, më vonë, edhe esnafet. Këta tregtarë e esnafë filluan të tregtojnë edhe nëpër qytetet e ndryshëm të Perandorisë, si në Ballkan ashtu edhe në shumë qytete të Lindjes e më vonë filluan të krijojnë edhe panaire të ndryshme nëpër Evropë, si në Angli, Austri, Saksoni e gjetiu.
Perandoria Osmane, edhe pse udhëhiqej me ndonjë Kushtetutë e ligje, asnjë prej tyre nuk zbatoheshin në vendet e pushtuara. Çdo gjë që bëhej për kombet joturke, bëhej vetëm me ndonjë deklaratë të rreme, që gjoja ishte dhënë drejtpërsëdrejti nga ndonjë ferman në emër të Sulltanit.

Prandaj Perandoria Osmane dita-ditës po e humbiste ekuilibrin e saj ndaj shteteve që nuk ishin nën Perandorinë, por edhe ndaj qytetareve turq e të tjerë, që ishin nën këtë sundim, siç ishte papunësia dhe mospagesa e ushtarëve e administratorëve, ndërsa kjo mundësonte që të përhapej ryshfeti. Në një letre që Sami Frashëri i shkruante të vëllait të vet, ai do të shprehej kështu: “Është e vështirë të gjegjsh punë, por edhe sikur të gjesh s’ke e ç’do. Sepse rrogat nuk paguhen. Që prej njëmbëdhjetë muajsh asnjë metalik s’ka marrë njeri këtu. Madje, edhe nëpunësi me përgjegjësi ka arritur n’atë shkallë sa të lypin”.
Pas Kongresit të Berlinit Perandoria Osmane e njohu autonominë e Principatës Bullgare. Prandaj në këtë shtet filloi të lindë një borgjezi e re, do të hapen fabrika, zejtaria do marrë hov të madh, filloi ndërtimi dhe hapja e rrugëve, filloi të lulëzojë tregtia, me të edhe kultura, arsimi, feja, hapja drejt shteteve të përparuara etj.
Në anën tjetër, ishte Reka e Epërme, një krahinë e banuar me shqiptar të fesë ortodokse. Jeta e këtyre shqiptarëve me shumë se kudo ishte e rënduar nga vjedhjet e hajdutëve, bashkëpunimi me sejmenët turq e, sidomos, nga papunësia që e bënte të vetën. Prandaj shumë rekalinj u detyruan ta marrin rrugën e kurbetit. Për këtë popullatë vendi më i pëlqyer ishte Rumania, ndërsa më vonë edhe Bullgaria. Shumë të rinj, që kishin mbetur në Rekë, kërkonin shtigje për t’u larguar. Si çdo i ri, ashtu edhe Josif Bageri, mendonte të kërkojë punë. Si fëmijë, ai e ruante bagëtinë në bjeshkët e maleve të Rekës, madje kryente edhe shumë punë të tjera, ishte shumë i shkathët, por ekonomia e familjes nuk mund t’i plotësonte nevojat e përditshme të familjes Jovani. Për këtë arsye Josifi i la dhentë dhe nisi të kërkojë punë në Dibër, në Gostivar, në Tetovë e gjetiu, por më kot – kudo që shkonte ai e merrte përgjigjen e njëjtë. “Nuk ka punë!”, ndërsa pas një heshtjeje e pyesnin se çfarë zanati di. Një këpucar në Dibër e mori si shegert, pasi e kishte njohur gjyshin e Josifit. Ai aty kalon tre-katër muaj të dimrit.
Shqiptarët e kësaj ane kishin një zakon i cili përcillej brez pas brezi e që thoshte se kur të vijë Krishtlindja “ku të jesh e nga të jesh, në shtëpi duhet të jesh”. Në këtë festë vinin edhe kurbetçinjtë për t’u parë me njerëzit e tyre dhe për ta sjellë fitimin. Një kushëri i Josifit nga ana e nënës, me emrin Berboshi (Bardhoshi), kishte punuar një vit e më tepër në Bullgari dhe kishte ardhur për Krishtlindje në Rekë. Një ditë ai i kishte bërë një vizitë tezes së tij (nënës së Josifit), së cilës tregoni për punën që bënte në Bullgari dhe për fitimin që e merrte. Madje, i tha se e ka ndër mend ta marrë edhe Josifin.
Megjithatë, ende pa i mbushur 16 vjeç të plota Josifi ishte martuar me Vasilikën nga Prilepi. Por, jeta ishte e rëndë, ashtu siç përshkruan vetë Josifi në veprën e tij “Kopësht malsori”: “…lakuriq e pa vendue / Pa shtresa e pa mbulesa! / Pa siguri në jetë/. Kjo jetë e rëndë dhe pa zgjidhje e detyroi Josifin që ta marrë rrugën për në Bullgari, një rrugë që duhej të përshkohej për 12 ditë në këmbë me pushime nëpër bujtina ose në vende të hapura. Por, Josifi e kishte ndarë mendjen. Mirëpo, atë e mundonte nusja e re: çka do të bëjë me të?; ku ta dërgojë?; si do ta lë? e shumë mendime të tjera, që i vinin vërdallë nëpër mend. Andaj, më e mira e së mirës për të ishte që bashkë me bashkëshorten ta marrin rrugën e kurbetit. Këtë mendim ia tha Vasilikës, e cila nuk e kundërshtoi, por e inkurajoi, duke ia shtuar shpresën se do t’ia dalin. Kështu para Shëngjergjit, ende pa shkrirë bora nga malet e Rekës, Josifi dhe Vasilika e morën valixhen e drurit, ku vendosën edhe një patkua kali për fat, si dhe një dry, ndërsa nëna me lot në sy ua hodhi ujin nga shtamba për rrugë të mbarë.
Arritja e Josifit në Sofje ishte një sfidë që ai nuk e kishte imagjinuar. Pasi gjeti një dhomë me qira, bashkëvendësi dhe kushëriri i gjeti punë në një punishte ku hapej një rrugë në mal. Josifi, si i ri dhe i fuqishëm, por edhe me mendimin për fitimin më të madh, nuk kundërshtonte asgjë për sa i përket punës. Prandaj tërë fuqinë e derdhte në punë, duke i habitur të gjithë. Ndërkohë një teknik rruge, i ardhur nga Rusia, e që vëzhgonte punën, kur e pa Josifin se çfarë pune bënte, ai e quajti bager, që ishte emri i një makinë që hapte kanale e shkulte male. Kjo nofkë së pari do të dëgjohej nga shokët e tij, ndërsa më vonë i ngeli ashtu dhe të gjithë që e njihnin e thirrshin me nofkën “bager”. Ai u bë njohur më këtë mbiemër edhe kur vendosi të shkruajë poezi dhe t’i recitonte ato para kurbetçinjve, e sidomos kur filloi të publikojë shkrime politike në gazetat që vet i udhëhiqe ose kur shkruante në ndonjë gazetë tjetër dhe për siguri personale e përdorte mbiemrin Bageri.
Në të vërtetë, Josif Bageri është i vetmi rilindës që ka pasur shumë nofka. Aktiviteti i tij ishte i madh. Ai shpesh shkonte në Bali Efendi (Knjazhevo), ku shumica e punëtorëve ishin të përkatësisë fetare myslimane dhe propagandonte se feja është individuale, kurse kombi është ai që i bashkon dhe i bën një. Kështu, kur e shihnin Josifin në biseda e në shoqëri, sidomos me bashkëqytetarin e tij, hoxhë Said Najdenin e të tjerë, filluan ta quanin Josif Turku.
Më vonë ai hyri në organizatën e masonëve, një organizatë që bazohej në atë të gjithë njerëzit duhet të bashkohen në parimin e dashurisë njerëzore e vëllazërore, besnikërisë e të ndihmës reciproke… Ky aktivitet në këtë organizatë Josifit i shkaktoi efekt të kundërt, sepse ia dha edhe nofkën Josif Masoni.
Ndërkaq Josifi ndonjëherë kur shkruante ndonjë poezi dhe e lexonte, së pari para bashkëvendësve të vet, e gjejmë edhe si Josif Rekasi.
Bashkëqytetarët sllavë të Josifit, që atëherë, por edhe sot e kësaj dite, të gjithë shqiptarëve ortodoksë, që ishin të zonës së Rekës, i quanin “Shkreti” , andaj edhe Josifi nuk ishte imun ndaj kësaj nofke.
Megjithatë mbiemri i tij mbeti Bageri. Në të vërtetë, mbiemri “Bageri” është një patronim mbiemëror, që tregon zanatin e profesionin që kreu Josifi si krah pune, ndërsa më vonë atë e përdori edhe në shkrimet që botonte dhe për t’u fshehur para organeve shtetërore dhe, madje, ashtu u bë i njohur. Në fakt, këtë mbiemër e ka mbajtur vetëm ai, pra jo edhe vëllezërit e tij, të cilët e mbanin mbiemrin Jovani.
Mbiemrin “Bageri”, nga ato hulumtime që i bëmë ne, në asnjë fshat të Rekës së Epërme nuk e hasëm atë, madje asnjë nga informatorët nuk dinin se Josifi e ka marrë këtë mbiemër. Ata që kishin njohuri, e njihnin si Josif Jovani ose si Vëllai i Priftit. Kërkova shpjegim edhe në monografinë e Ruzhdi Matës kushtuar Josif Bagerit, por Mata nuk jep asnjë shpjegim, pos që thotë se këtë mbiemër mund ta gjeni edhe si “Bagjeri”.
Në këtë synim shfletova edhe disa shënime të shkencëtareve bullgarë, që japin disa të dhëna mbi shpërnguljen e popullsisë së Rekës. Sipas të dhënave bullgare, shpopullimi i Rekës është përforcuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Më parë banorët e krishterë të Rekës kanë shkuar në Tetovë dhe në Stamboll, ndërsa në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX shumë familje u shpërngulën në Bullgari, kryesisht në Samokov, pastaj në rajonin e Dupnicës (në Banjën e Dupnicës ka pasur më shumë se 30 shtëpi me shqiptarë ortodoksë nga Reka) dhe në rajonin e Qustendilit, por mbiemri Bager nuk haset askund.
Studiuesja http://wiki.eanswers.com/sq/Reka_e_Ep%C3%ABrme – cite_ref-Mircevskawwww_90-0http://wiki.eanswers.com/sq/Reka_e_Ep%C3%ABrme – cite_ref-Mircevskawwww_90-1http://wiki.eanswers.com/sq/Reka_e_Ep%C3%ABrme – cite_ref-Mircevskawwww_90-2
Mirčevska, në punimin e saj “Etnički simboli vo Gorna Reka (2007. fq. 148-149), duke shfletuar defterët turq të shekullit XV në vendbanimet e fshatrave të Rekës së Epërme edhe në emrat personalë, si dhe llagapet, thotë se: “nuk e hasim askund”. Megjithatë, shumë llagape, edhe pse janë me prejardhje shqiptare, ajo mundohet t’i definojë me prejardhjen e tyre nga karakteri sllav dhe josllav, duke thënë se ato “mund të jenë të karakterit vllah ose ndonjë shqiptar”. Si p.sh Tanushi, Vlashi, Duka, Shalis etj., që i jep si vllahë.
Historiani bullgar Anton Pançev, i cili është njëri studiuesit që merret me studime historike dhe demografike, jep të dhëna për më shumë se 100 shtëpi ortodokse, ku edhe sot gjenden pasardhësit e tyre, që kryesisht janë nga Kiçenica, Senca, Krakornica, Vërbeni, ndërsa jetojnë në qytetin e Dupnicës, në qytetin e Sapareva Banjës dhe në fshatin e Kraincit. Por, edhe sipas tij, mbiemri “Bager” nuk haset askund.
Gjatë jetës së tij, Josif Bageri kishte ndërruar shumë punë, qoftë si punëtor krahu ose si shegert. Kështu më vonë ai do të vendoset në një lagje periferike të Sofjes, të quajtur Banishora, në rrugën “Braqa Milladinov”, ku do të hapë edhe një dyqan për këpucë dhe ku puna e tij me përkushtim do ta marrë namin, ndërsa ky nam do t’ia siguronte Josifit jetesën, sepse porositë për këpucë do të vijnë edhe nga njerëz më në zë të kulturës. Nuk kishte javë ose muaj që nuk pyetnin për dyqanin e tij, se ku gjendej, dhe të gjithë e përmendin mbiemrin Bageri, sepse me këtë mbiemër ishte i njohur.
Marrë në përgjithësi, mund të konkludojmë se mbiemri “Bageri” është një nofkë që Josifi e mori në Bullgari, kjo në bazë të makinës “bager”, ndërsa më vonë ajo iu bë aq e afërt, saqë ai do ta pranojë si mbiemër dhe më këtë mbiemër do bëhet i njohur si një patriot dhe militant i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në të vërtetë, ai karakterizohej si një nga patriotët e flaktë, që merrej me ngritjen e vetëdijes politiko-kulturore të shqiptareve, ndërsa kjo e bënte që ai të udhëtonte cep më cep vendeve ku gjendeshin shqiptarët, si në: Stamboll, Bukuresht, Shkup, Dibër, Prishtinë, Durrës, Prizren, Vlorë, Manastir, Selanik e kudo… Ashtu do ta përshkruajë edhe poeti i madh, tashmë i ndjerë, Ali Podrimja, i cili thotë: “Bageri është njëri nga zërat e ndërgjegjësimit të lëvizjes sonë kombëtare. Rol të rëndësishëm luajti edhe në hapësirën bullgare, ku jetonin një numër shqiptarësh”.
Bageri nuk kursehej për të punuar për çështjen kombëtare. Ishte shumë i shkathët, bindës, i besës dhe punëtor i palodhur. Intelekti i tij i çuditshëm, si dhe karizma e tij, u hynte njerëzve në zemër. Josif Bageri, si militant i kauzës shqiptare, luftoi trimërisht në mënyrë të hapur për pavarësinë e Shqipërisë. Edhe pas Pavarësisë së Shqipërisë, kur asaj ia copëtuan gjymtyrët nga shtetet fqinje të Ballkanit, Bageri nuk reshti. Ai i bën një kritikë të fuqishme Esat Pashës, intrigave të tij, në një dorëshkrim mbi “Armiqtë e Shqipërisë dhe veprat e tradhtarëve shqiptarë”, që mbeti deri më sot ka mbetur i pabotuar. Ky dorëshkrim gjendet në AQSH, i evidentuar me nr. të fondit 65, dosja 40, dok. 1-22.
Në vitin 1915 Josif Bageri ndërmerr një udhëtim heroik, në kundërshtim me lutjet e familjes së tij, duke udhëtuar më këmbë deri në Prishtinë që të takohet me patriotët kosovarë. Meqenëse ai financiarisht ishte i dobët, me të arritur në Prishtinë u vendos në një bujtinë afër Pazarit të Prishtinës, i cili ishte vendi kryesor për takimet jo vetëm publike, por edhe të fshehta. Afërsia e dyqaneve i bënte njerëzit që të afroheshin me njëri-tjetrin. Pazari kishte edhe disa kafene të vogla që shërbenin kafe e çaj dhe, herë pas here, edhe raki, ndërsa aty ishte edhe disa kuzhina popullore. Afër pazarit ishte edhe kisha dhe spitali. Josifi, meqenëse nuk kishte mjete financiare, ushqehej në kuzhinat e lira ose rrinte pa bukë.
Ndjekja e Josif Bagerit kishte filluar shumë herët, që kur në Mitropolinë e Dibrës kishte ardhur për mitropolit famëkeqi Varnava, i cili kishte vrare tre priftërinjtë nga Reka, sepse gjoja ata i kishin shërbyer Ekzarhisë Bullgare dhe se në meshë e kanë përdor edhe gjuhën “arnaute”, madje ua kishte hedhur kokat në lumin e Radikës. Por, Josifi ndiqej edhe më herët nga agjentët serbë. Këtë e shohim në gazetën “Politika” të 13 korrikut 1909, ku në artikullin me titull “Albanska pismo” do shkruhej me sa vijon: “Një i përdalë nga Nistrova e Rekës së Epërme (vëllai i priftit Todor) i ka mbushur trastat me abetare shqipe të botuar në Sofje dhe dëshiron të hap shkollë në gjuhën (aranaute) shqipe në vendlindjen e tij në Nistrovë”.
Kur Serbia e forcoi pushtetin në të ashtuquajturën “Maqedonia e Vardarit”, ku bënte pjesë edhe Reka e Epërme, ajo filloi që nga njerëz të ndryshëm të marrë të dhëna se kush mund të jenë njerëzit e rrezikshëm për Serbinë. Mësuesi i ardhur serb të parët që i denoncoi si të rrezikshëm ishte familja e Josif Bagerit, sidomos Josifin, dhe vëllain e tij, që ishte prift. Pushteti i atëhershëm, për t’i likuiduar patriotët shqiptarë nëpërmjet policisë sekrete, e përdorte “metodën e helmit”. Kështu agjentët serbë së pari këtë metodë e përdorën për ta helmuar Ibrahim Temon, duke i futur helm në çorbë. Mirëpo Ibrahim Temo ishte mjek dhe e dalloi, kështu që i shpëtoj rrezikut. Të njëjtën metodë e përdorën edhe për Josif Bagerin, i cili gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ku banonte në një han, ndonjëherë porosiste ndonjë gjellë. Nëpërmjet të një të paguari ia hodhën helmin në gjellë dhe, pas disa orëve, në gjendje të alivanosjes ai dërgohet në spitalin që ishte afër pazarit. Megjithatë pas disa orëve ai vdes. Meqenëse Josif Bageri nuk posedonte dokumente dhe kurrkush nuk u interesua për të, spitali vet e dërgon në Kishën Ortodokse, ku edhe e varrosin. Për vdekjen e Josifit do të merret vesh nga një patriot, i cili e njohu atë dhe në një zarf do ta lë këtë shënim: “Letrat e Josif Bagerit prej katundit Nistrovë – Reka e Dibrës së Madhe – ka dek në Prishtinë, Kosovë. Ish një patriot i flaktë e ka dekë në mizërie, t’ue lanë grue e tre fëmijë”. Kjo zarfe është gjetur më 1916, në prill, kurse Josif Bageri ka ndërruar jetë më 1915 dhe kjo është data e vërtetë e vdekjes.
Interesimi jonë është që ta gjejmë varrin e tij. Për këtë arsye vendosëm kontakte nga më të ndryshmet me kishtarët serbë, por sipas një prifti (J.P.) njerëzit që nuk posedojnë dokumente, varrosen në varre kolektive të familjeve që nuk interesohen për të vdekurit e tyre. Në shënimet e tyre, në bazë të mbiemrit Jovani(-viq) është një mbiemër shumë i përhapur, por fletoret e vjetra kisha nuk i posedon, sepse shumica e fletoreve gjenden në Arkivin Shtetëror Serb. Protogjeri na tha se kurrë nuk ka hasur dikë me mbiemër “Bageri”. Ky ishte fundi i bisedës. Pas insistimit tonë, kërkova që t’i vizitojmë varrezat në oborrin e kishës. Në disa varre rreth murit janë disa varre pa emër. Ndoshta ndonjëri varr aty mund të jetë i Josifi Bagerit, por gjithsesi duhet punë që kjo të vërtetohet.
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura