DREN SHAHINI: DYSHIMI PËR USHQIMET QË HAMË!

Prishtinë, 27. 08. 2013 – I “bombarduar” nga disa reklama të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që në fund bëjnë thirrje t’i thërrasim në numrat e telefonit të cilët fillojnë me 0800, njëra prej tyre më nxiti të mendoj. Duke e konsideruar si fakt të ditur botërisht se dashuria më e sinqertë nga njeriu është ajo ndaj ushqimit dhe se ushqimi është burim themelor ekzistencial pa të cilën njeriu nuk bën dot, kujdesi për të do të duhej të ishte parësor. Pikërisht kjo reklamë e “famshme” më rikthehen mendimet dhe trishtimin se çfarë blejmë dhe çfarë hamë ne si shoqëri: dyshimin!
Tmerruese: blejmë dhe hamë dyshimin. Dyshimin për ushqimet që hamë…
Dyshojmë në cilësitë e ushqimeve që blejmë dhe që hamë; dyshojmë në afatin e qëndrueshmërisë së tyre…
Dyshimi fillon nga data e produktit ushqimor.
Nuk gabova kur thashë ‘data’, e jo ‘datat’, dhe qëllimisht nuk e shkrova fjalën ’e shtypur’; pra, data e shtypur. Po e nis nga fundi. Ajo nuk është e shtypur; ajo është e shënuar me një bojë që vetëm po e shikove ke përshtypjen se u fshi, e lëre më ta prekësh me dorë! Shpesh e mbuluar nga pluhuri, e shpesh edhe e shlyer nga lecka e punëtores, leckë të cilën ajo e përdor qëkur filloi punën, tash e 3-4 vite! Nga vjen pluhuri? Kryesisht nga transporti edhe shpesh edhe nga një “gjetje” e re reklamuese e vendit tonë! Sa për kujtesë, po ju pyes: si e dini që po i afroheni një dyqani duke ecur e ngarë veturën në rrugët tona? Natyrisht, i shihni pijet të ekspozuara në pluhur e diell, ndër to shpesh edhe qumësht, pemë e perime! Ky është “reklamimi’ autokton, kjo është “gjetja” e re reklamuese!

Po buka, e shenjta e tryezës tonë, si vjen ajo deri në tryezë?
Në një bisedë me fqinjë, duke e diskutuar ndryshimin rrënjësor në lagjen tonë, pas ndërtimeve të reja me pamje të vjetër, u prek edhe çështja se sa shumë furra buke u hapën këtu! Pas ndërtimeve “ngulfatëse” dhe depresive, hapja e këtyre furrave më ka bërë paksa të lumtur. Thoni pse? Sepse tashmë bukën e tryezës sime do ta blej vetëm nga dora e parë! Pra, bukën time do ta prekë me dorë vetëm furrtari/ja, dhe jo si dikur kur e blija në dyqan në të cilin bukën e prekte furrtari, shoferi shpërndarës, dyqanxhiu, ( ky i mëngjesit që vetëm e hap dyqanin dhe e fut bukën brenda), pastaj punëtorët e dyqanit të cilët e vendosin bukën në rafte dhe gjysma e lagjes, të cilët me prekjen e tyre “magjike” e konstatonin se është buka “taze” apo jo, dhe a është e pjekur apo jo! Kur jemi te dyqanxhiu i parë, ai i cili e hap dyqanin, po rastisi të flejë pak më gjatë, shoferin e shpërndarjes së bukës nuk e takon fare. Zakonisht akordohen që po qe se qëllon që dyqani të jetë i mbyllur, buka të lihet pranë derës; dhe mbi bukë zakonisht vendosen gazetat! Aty buka shton gramë të munguar në proporcion me çmimin: pluhuri është andejpari dhe nga lëvizjet e veturave ngrihet lart “krenar” dhe bëhet një me bukën! Po i rikthehem prapë datës. Ngulmoj në këtë që them – më besoni dhe verifikojeni – shumica e produkteve ushqimore, e sidomos ato të bulmetit, e posedojnë vetëm një datë të shënuar mbi to! Kjo është lumturia e shitësve dhe mjerimi ynë si blerës! Po shkove para asaj date, ajo datë ty si konsumator (të cilin tashmë e “mbron” edhe ligji!) të paraqitet si datë skadence dhe po shkove ta blesh pas asaj date, ajo datë ty të paraqitet si datë prodhimi! Ja lumturia e shitësve: produkt ushqimor gjithmonë në shitje! Këto që thashë janë vetëm dromca të një problemi të madh me të cilin qytetari ballafaqohet çdo ditë: pasiguria në ushqimin që ai e konsumon. Kjo është temë që nuk shterohet. Aq shumë ka tek ne ankesa në ushqimet, ndërsa masat institucionale për përmirësimin e kësaj gjendjeje janë aq të papërfillshme. Por si shoqëri ne duhet t’i shfaqim ato sa ma shumë, në mënyrë që nga presioni i opinionit publik të përmirësohet me të vërtetë cilësia e ushqimit tonë. Në ueb faqen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë shkruan: “Për ankesa thirrni: 0800 111 22, 24h Pa pagesë”. Me shpresë se do t`ua hapin telefonin…
– Autori është Anëtar i Kryesisë së LB. Kontakti: drenshahini@levizjapërbashkim.com

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura