ALBIN KURTI: JANË SHTUAR HAJNITË, KRIMI DHE KORRUPSIONI!

(Prishtinë, 21. 03. 2012) – Qeveritarët kosovarë jo vetëm që kanë vjedhur, por ata kanë vjedhur nga kafshata e gojës së të varfrit, së paku çereku i çmimit të së cilës shkon në buxhetin e shtetit, i cili mandej po keqpërdoret prej pushtetarëve.Në shtetet e zhvilluara demokratike ekziston praktika që hajnat dhe kriminelët e vegjël lirohen prej akuzave dhe burgjeve në shkëmbim të informacioneve dhe dëshmive për hajnat e kriminelët e mëdhenj. Në fund, pas kapjes së atyre të mëdhenjve, pikërisht ata hajnat e kriminelët e vegjël bëhen dëshmitarë të prokurorisë në proceset që i dënojnë edhe me shumë dekada prapa grilave baronët e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
     Gjithë këtë mënyrë e kemi parë pa fund herë nëpër filma të ndryshëm artistikë, ku rrëfehen ngjarjet dhe personazhet e krimit në njërën anë dhe ato të policisë e të prokurorisë në anën tjetër. Përveç filmave historikë, me siguri që ky lloj i filmave është më së shumti i inspiruar nga ndodhitë e vërteta dhe shpeshherë kjo edhe thuhet në fillim të filmave të tillë ose në mbarim të tyre kur tregohet se çfarë ka ngjarë më tutje në jetën reale të secilit prej atyre protagonistëve.
     Kapja e më të vegjëlve sigurisht që është më e lehtë, porse ajo mundëson edhe kapjen e më të mëdhenjve. Hajnat e kriminelët e vegjël vendosen para zgjedhjes: të tregojnë se kush qëndron prapa tyre, apo të mbrojnë padronët e tyre dhe ta mbajnë burgun shumëvjeçar. Meqenëse policisë hetuese nuk i lejohet që t’i torturojë të dyshimtit për të nxjerrë informacione të reja prej tyre për lidhjet e krimin dhe të vërtetën, atëherë e vetmja mënyrë që mbetet është ajo e lirimit të peshqve të vegjël drejt kapjes së peshkaqenëve të mëdhenj. Kësisoj, rrugëtimi drejt kapos së krimit fiton formën e një piramide, pra ashtu siç edhe është struktura e kriminelëve të organizuar. 

      Në Kosovë nuk ndodh kështu. Jo vetëm pse në Kosovë luftohet fare pak krimi dhe jo vetëm pse ai luftohet më ndryshe. Në Kosovë “luftohet” krimi saktësisht me kahe të kundërt prej kësaj që përshkruam më lart: kujdesen që ta kapin e shpeshherë edhe kënaqin çdo kriminel të vogël apo më të vogël, vetëm dhe vetëm që të mos kapet krimineli kryesor (në një situatë të caktuar apo në një institucion të veçantë). Bëhen arrestime, gjykime e dënime të gjithfarë kriminelësh, hajnash dhe të korruptuarish, porse kurrsesi të atyre më të mëdhenjve. Rregullohen, përmirësohen e prezantohen statistikat për luftimin e krimit dhe të korrupsionit duke u theksuar sasia e kriminelëve ndërkohë që sasia e dëmeve në shoqërinë tonë ka për shkak pikërisht kriminelët cilësorë.
     S’ka dyshim që në Kosovë janë shtuar hajnitë, krimi dhe korrupsioni. Këtë e pohojnë si raportet policore po ashtu edhe ato të organizatave ndërkombëtare. Mirëpo, edhe po të mblidhet i gjithë dëmi i këtyre hajnive, krimeve dhe korrupsionit, ai gjithsesi mbetet i pakrahasueshëm me ato që kryhen nga vetë sektorët e ndryshëm qeveritarë ose nga njerëzit e ndryshëm të lidhur me pushtetin. 
     Thjesht, i gjithë korrupsioni nëpër të gjitha komunat e Kosovës, sado që është i madh, i dëmshëm e i dënueshëm, edhe po të paraqitet si shumë e përgjithshme, nuk i afrohet as për së afërmi korrupsionit të një kontrate të vetme siç është ajo e Qeverisë së Kosovës me kompaninë Bechtel & Enka. Çdo njeri që ka mbaruar shkollën fillore, po i lexoi ato njëqind e ca faqe të kësaj kontrate do ta kuptojë që aty është dëmtuar interesi i përgjithshëm dhe buxheti i shtetit në një vlerë nëntëshifrore përmes trefishimit të çmimeve.
     Korrupsion patjetër që ka edhe në Perëndim. Madje, korrupsion ka edhe në shtetet e zhvilluara demokratike. Mirëpo, sado i madh që të jetë korrupsioni atje, ai mbetet shumë më i ulët sesa në Kosovë, krahasuar me buxhetin e varfër të vendit tonë. Të gjithë e dinë se edhe ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, ishte një politikan i korruptuar. Ama edhe nëse ia llogarisim komplet pasurinë e tij me shtëpitë luksoze, jahtat, gjësendet e çmueshme e deri te stacionet televizive që posedon, pra edhe nëse konsiderojmë që e gjithë pasuria e tij na qenka e paligjshme, sërish e gjithë kjo vlerë nuk përbën as 1% të buxhetit të Italisë.
     Ndërkaq, në Kosovë qeveritarët e korruptuar përgjatë këtyre viteve të pasluftës e deri në ditët e sotme, me pasurinë e tyre shtyhen edhe me vetë buxhetin tonë. Për të qenë edhe më keq se kaq, dallimi konsiston edhe te fakti që buxheti i Italisë dhe i shteteve të tjera të BE-së mbushet kryesisht nga klasa e mesme si dhe nga ajo e pasur por edhe e varfër.
     Kurse, në Kosovë, buxheti mbushet më së shumti prej të varfërve duke e pasur TVSh-në e sheshtë dhe në përgjithësi duke mos pasur tatim progresiv siç kemi në të gjitha vendet e zhvilluara demokratike. Pra, qeveritarët kosovarë jo vetëm që kanë vjedhur, por ata kanë vjedhur nga kafshata e gojës së të varfrit, së paku çereku i çmimit të së cilës shkon në buxhetin e shtetit i cili mandej po keqpërdoret prej pushtetarëve.
Mbase nuk është e rastësishme që në Kosovë konsiderohet shumë më e rëndësishme Ministria e Financave sesa ajo e Zhvillimit Ekonomik, dhe shumë më i rëndësishëm Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, e të cilin partia kryesore në pushtet e zgjodhi të parën, sesa Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik. Thjesht, ky regjim dhe këta njerëz të tij nuk e konsiderojnë Kosovën si një shtet që duhet zhvilluar, por si një buxhet që mund ta hanë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura