DR.FADIL MALOKU: IDEJA E NDARJES SË KOSOVËS DOMETHËNË LUFTË!

Prishtinë, 26 korrik 2018: Profesori universitar, Fadil Maloku, ka thënë se ideja e ndarjes së Kosovës, domethënë luftë e re në Ballkan.
Përmes një artikulli të tij në Facebook, ka përmendur disa arsye për këtë.

Ndër to ka përmendur Liqenin e Ujmanit (gjatësi afër 32 km.), si një burim i rrallë natyror, prej nga përmes hidrosistemit Ibër-Lepenc, bëhet ujitja e një pjese të Kosovës.
“Pa ujin e këtij liqeni nuk mund të vihen në lëvizje termocentralet në Obiliq. Kjo pjesë është shumë e pasur me mineralet e plumbit, zinkut, argjendit, etj. dhe përmban edhe shkritoren e Zveçanit, që si asete dhe vlera të rralla do mund ta nxitnin inicimin e zhvillimit ekonomik të industrisë dhe bujqësisë kosovare, në situata krize”, ka shkruar Maloku.
“Tani, të ‘këmbesh’ këto dy resurse të dhuruara nga Zoti, në favor të një lloj paqeje kinse afatgjate, dhe dosido të pasigurt, duket që është jo edhe aq mençuri e zgjuar politike e pjekuri e shquar sociale! Them kështu, edhe për shkakun se Serbia s’do ndalej sërish të krijojë dhe rikrijojë pretekste të reja (i)reale, si psh. sosh religjioze (manastiret dhe kishat politike), apo demografike (shprazjen sistematike që veç është duke e testuar në Luginë), dhe tjera deri në pakufi!”, ka thënë ai.

Pra, përse është e gabuar ideja e transaksioneve territoriale, sipas Malokut:
1. Do thënë që në fillim se: si ide e edhe si koncept, kjo iniciativë dosido bie ndesh me konceptin e multikulturalizmit dhe multietnicitetit të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
2. Si Projekt është johuman, për shkak se në mënyrë perfide inicion dhe insiston një lloj tjetër “transferimi human” të popullsisë serbo – shqiptare.
3. Si manovër, ambientet e pastra etnike, mund të thuhet që janë dhe mbesin akoma tendenca e ambicie të ca lidershipëve rajonal, por, assesi edhe synime e vlera civilizuese. Ngase, teza e ambienteve puro etnike, është e rrezikshme dhe absurde, në shekullin tonë.
4. Ideja e “këmbimit”, si përvojë e re Ballkanike, do “testohej” pastaj si “recetë”, edhe midis maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni; serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnje! Që natyrisht, do ishte një tronditje e re ndajë; sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë…!
5. Përmes projektit të “këmbimit” të veriut të Mitrovicës me Luginën, shtetin Serb definitivisht do e privonte nga “e drejta historike” e cilësimit të “Kosovës, si djep i civilizimit serb!”. Që realisht, nënkupton, vetëm një “time out” të përkohshëm serb për ta lancuar alibinë e re aneksuese!
6. Kjo ide është diskutabile, shkaku se akoma nuk e dimë tipin e skalpelit që duhet përdorur në këtë iniciativë “këmbyese” (në fakt; ndarjes) territoresh, ndërkaq, kalkulojmë lehtësisht sikur të kemi të bëjmë me një transaksion ditor, apo ndonjë bartje rutinore territoresh!
7. Ideja e “këmbimi”…., padyshim që do kërkonte një dalje tejet problematike të palës kosovare, nga obligimet e negociuara të Brukselit!
8. Kjo iniciativë gjithsesi, do barte reperkusione dhe refleksione edhe në Preambulën e Kushtetutës; Serbe (ku Kosova, akoma figuron si pjesë integrale e Serbisë!) dhe asaj të Shqipërisë (ku obligimi ndaj përkujdesjes…kosovare, është obligim kushtetues!), të cilat detyrimisht do merrnin kohë dhe energji për rideklarime pro et contra këtij “këmbimi” territorial!
9. Ideja “këmbimit”, ka edhe një defekt tjetër civilizues! Është kundër logjikës aktuale (por, jo edhe në perspektivë!) të proceseve integruese evropiane.
10. Projekti i këmbimit të territoreve me Serbinë, ishte ide e akademikut serb Dobrica Qosiqit, e jo i R. Qosjes! Andaj, logjikisht i bie që çdo ide, propozim apo edhe “peshqesh” nga Serbia, përherë do ta ketë prapavijën e vetë me pasoja të mëvonshme: ekonomike, historike, sociale, demografike e kulturore!
11. Thënë edhe më thjesht; Ideja e ndarjes, sikur të mos ekzistonin institucionet kompetente (Qeveria, Kuvendi, Gjykata…etj.) do konsiderohej ide racionale, e qëlluar dhe e mirëseardhur, për ta paqësuar rajonin e trazuar. Por, ajo tani (jam shumë i bindur në këtë!) nuk e ka më: as peshën, as argumentin, as kompetencën e duhur ekzekutive, e as nevojën aktuale demografike e as gjeografike, pra, as vizionin e duhur pragmatik!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura