DRILON B.PULAJ: INSTITUCIONET APROVOJNË SHKATËRRIMIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

(Prizren, 13. 03. 2013) – Shtëpia e cila konsiderohet se e ka “shkatërruar” pamjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e ndërtuar madje edhe në një hise toke të këtij objekti, është vlerësuar se gjithçka me të është në regull. Institucionet kanë ardhur në përfundim se ajo nuk e prish pamjen dhe nuk e degradon objektin e trashëgimisë kulturore e historike. E mjaftueshme për institucionet duket të jetë vetëm mosshkelja e leje-ndërtimit.
Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren, ka lëshuar një raport ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në të cilin thuhet se shtëpia në fjalë i plotëson të gjitha kriteret e zhvillimit të punës në përmasa normale dhe se asnjë devijim apo tejkalim i projektit të lëshuar nuk ka dalë jashtë pikave të lejes së lëshuar, nga Komisioni për Shqyrtimin e Kërkesave dhe Projekteve Restauruese, i cili ka autorizuar Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, që të mbikëqyrë projektin. Hasan Hoti, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në komunën e Prizrenit, thotë se shtëpia është duke u ngritur sipas planit, plan ky që sipas tij, nuk shkel mbi lejen e ndërtimit: “Ajo pjesë ku u ndërtua shtëpia ka qenë një rrënojë, një shëmti e vendit në fjalë”, ka thënë Hoti.

Shtëpia që konsiderohet se e ka “shkatërruar”

pamjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

*  *  *

Ndërsa, si projekt i tillë, Hasan Hoti thotë se aty është dashur që para më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh toka private të blihet nga komuna, kjo sipas tij, ka çuar shumë peshë si në MKRS ashtu edhe në Komunën e Prizrenit. “Pronari i shtëpisë ka më shumë se dhjetë vjet që kërkon të ndërtojë aty një shtëpi, ne nuk kemi pasur zgjidhje për ta ndaluar punën, e as për ta blerë tokën”, ka shtuar Hoti. 
Për të qenë korrekt, pronari që ka ndërtuar shtëpinë, siç tregon drejtori Hasan Hoti, ka hyrë më brenda pjesës që i takon atij, si dhe kërkesa për të mos patur dritare në pjesën që reflektohet kah LSHP-ja, ai i ka marrë përsipër këto kërkesa dhe ka ndryshuar planin e tij që të mos prishë punë në pamjen e Lidhjes, ka shtuar Hasan Hoti.
“Janë marrë të gjitha lejet e mundshme, të gjitha procedurat janë kryer me rregull, tash a është dashur të ndalohej apo jo, kjo është diskutabile dhe mendimi im është që ajo tokë është dashur të blihet më herët nga institucionet shtetërore që ‘rrahin gjoks’, e që e kanë lënë pas dore”, ka përfunduar Hasan Hoti.
Jehona Shyti, këshilltare e Minstrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për gazetën ka informuar se sipas raportit të QRTK-së në Prizren deri më tani nuk ka pasur devijim të projektit të miratuar nga Komisioni i MKRS-së për ndërtimin e kësaj shtëpie.
“Ne vlerësojmë se Komisioni për Shqyrtimin e Kërkesave dhe Projekteve Restauruese
është komision profesional, që udhëhiqet pikërisht nga drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe ata mbajnë përgjegjësi profesionale për punën e tyre”, ka thënë Shyti.
Ndërsa, MKRS-ja thotë se gjithçka është në rregull dhe se nëse Komisioni ka miratuar projektin i cili bie në kundërshtim me ndonjë ligj në fuqi, veçanërisht me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, do të duhej që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të ndërmerrte masa përkitazi me çështjen dhe ligjin që e autorizon atë, ka shtuar Shyti. Shyti shton se po të konstatohej se janë bërë shkelje të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore, MKRS-ja thotë se do të ndërmarrë të gjitha masat konform këtij Ligji për të parandaluar degradimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

===============================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG


SI PO SHKATËRROHET QYTETI MUZE I PRIZRENIT ME LEJE TË SHTETIT!?!
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=1347

=========================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura