SYLEJMAN MATO: NJË NJERI ME DY EMRA(I)

Tiranë, 02. 10. 2013 – (Tregim) Do t’ju rrëfej shkurt, fare shkurt, historinë e një mikut tim nga komuna e Pejës. Në fund të viteve ‘40 ai kaloi kufirin dhe u hodh në Shqipëri. Përse e la vendin e vet të lindjes dhe përse u detyrua të kalojë vijën kufitare, duke provuar rreziqet që e prisnin në kufirin midis dy shteteve, për një trill apo duke e ëndërruar vendin amë si Kepin e Shpresës së Mirë? Në atë mëngjes shtatori, rojat tona kufitare e kishin pikasur djaloshin e ri në çastin tek flinte paq në një lëndinë të bukur, rrethuar nga të gjitha anët me pisha. Djaloshi kosovar, i lodhur dhe i stresuar nga emocionet dhe tmerri i kalimit të vijës kufitare, kur ndjeu që gjendej në tokën shqiptare, u shtri mbi qilimin e barit dhe kishte bërë një gjumë të ëmbël, plot ëndrra. Rojat kufitare e prisnin të zgjohej, të ulur aty pranë. U zgjua dhe hapi sytë nën një diell verbues. Atë çast iu kujtuan vargjet të Naimit… “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë…” të cilat kishte dashur t’i recitonte me zë të lartë. Vuri re që iu afruan dy roja kufitare, të cilët, qetësisht dhe me mirësjellje e pyetën për emrin dhe i kërkuan ndonjë dokument identifikimi. Ishte ai çast fatlum që djaloshit nga Strella ia dha truri të trillojë një identitet të rremë i cili do ta ndiqte pas gjithë jetën. Në moshën njëzetvjeçare Jeton Shatri ishte një djalosh biond, me vështrim të vendosur e me trup atleti, vëlla i dy motrave dhe tre vëllezërve, të rritur para kohe me urrejtje ndaj pushtuesit serb, edhe për shkak të vrasjes së të atit të tyre tre vjet më parë. Sipas thënieve të një dëshmitari që i kishte shpëtuar masakrës së Tivarit, Ramadanin, partizan i orëve të para dhe pjesëmarrës i mbledhjes së Bujanit, e kishin qëlluar me plumb pas shpine dhe e kishin hedhur në lumë, në të hyrë të Shkodrës. Ishte pikërisht kjo ndjenjë hakmarrjeje me të cilën po rriteshin pesë fëmijët e familjes Shatri, por, vetëm njeri prej tyre do të thurte plane në fshehtësi për t’u hakmarrë ndaj njërit prej vrasësve të të atit, i cili, sipas po atij dëshmitari që kishte denoncuar vrasjen e Ramës, kishte nxjerrë emrin e Milla Cerkoviçit, tashmë komandant i garnizonit të komunës së Pejës që merrej me rekrutimin e ushtarëve të rinj. I vetmuar dhe në një fshehtësi të plotë, Jeton Shatri kishte ndërmarrë dy herë rrugën për në Pejë, i shtyrë jo vetëm nga ndjenja e hakmarrjes, por edhe kureshtar për ta parë në fytyrë njeriun e zi i cili e kishte hedhur trupin e të atit të tij në ujërat e Bunës. Rrugëtimi i parë gjer në Pejë shërbeu për ta parë së largu dhe për të fiksuar në mend zyrën e tij e cila gjendej në katin të parë të një ndërtese private, e sekuestruar nga shteti pas çlirimit të Jugosllavisë. Hera e dytë nuk i shkoi kot, me vrasësin u përball aty te kafja e vogël përballë komunës. Atë e shoqëronin dy punonjës civilë. Në kafe ata zunë një tavolinë përballë. Ai u ndesh me shikimin e tij të qetë. Nuk do të ndizej gjaku, nëse në atë çast nuk do të përfytyronte të atin e përgjakur.
* * *
Atë mbrëmje ai u kthye në fshatin e tij Strellë e Vogël, i çliruar nga ai makth vitesh që e kishte zënë për gryke, kishte parë vrasësin e të atit. Ishte muaji maj, prag provimesh. Edhe në intervalet midis provimeve të maturës ai shkoi dy herë në Pejë, me autobusin e linjës. Vërtitej rreth ndërtesës së garnizonit pa u vënë re, duke përcaktuar në detaje vendin nga ku i duhej të shtinte, çastin kur Milla Cerkoviç vinte në punë, rrugën nga vinte, orën kur dilte për të pirë kafen e mëngjesit…Në një nga ato çaste, duke qëndruar në një distancë rreth njëzet metra larg dritares së zyrës së tij, pa sërish atë figurë të urryer duke thithur cigaren. Dritarja e zyrës që binte mbi lumë ishte lënë hapur. I gjendur në atë çast te cepi i urës, i lindi ideja se varianti më i mundshëm për të qëlluar në drejtim të tij ishte pikërisht ai vend. Gjatë kthimit për në Strellë nëpërmendi dhe variante të tjera, revolverin e kishte siguruar prej kohësh, vendin e dinin dhe dy vëllezërit më të mëdhenj. Shqetësimi i tij nuk ishte vrasja, por pasvrasja. Peja nuk është fort lart nga kufiri shqiptar shtetëror, mirëpo, në raste të tilla do të ishte marrëzi të zgjidhje si shpëtim kalimin e kufirit. Në ato katër muaj pritjeje të nderë, urrejtja ndaj vrasësit piqej ngadalë , siç piqet fryti në degë. Erdhi ai çast kur nga variantet e mundshme triumfoi ai më i sigurti, më i shpejti, më reali dhe më i arsyeshmi. Kishte edhe një arsye tjetër për të përmbushur para kohe betimin e tij: dy ditë para se të kryente atentatin i erdhi fletëthirrja për ushtar? Nuk pati kohë të mendohej gjatë, mendja e tij punonte për një çështje madhore. Në gjithë këtë histori ka një detaj jo pa rëndësi, Jeton Shatri ishte një lexues i pasionuar. Dostojevski ishte autori i preferuar, kryeveprën e tij mbante romanin “Krim e ndëshkim”. Në ato ditë mëdyshjesh, i shkreptiu një paragraf i tij ku thuhej; “Nëse do të fshehësh diçka, fshihe në një vend të rëndomtë që të mos i shkojë mendja askujt, si për shembull nën një gur… në mes të fushës. ..Ky vend i rëndomtë për Jeton Shatrin ndodhej përballë ndërtesës së Garnizonit , nga ana tjetër e lumit, nën ca hedhurina të vjetra, ndër të tjera dhe një kapotë e vjetër ushtarake, nën një plep te vetmuar. Pa më thoni tani, cili ekspert kriminalist mund të mendonte që vrasësi, në rastin konkret, vetë heroi ynë, si të kishte qëlluar mbi Milla Cerkoviç, s’do të lëvizte nga vendi i krimit? Një fshehje e tillë gjithkujt do t’i dukej diletante, ndërsa Jetonit kjo gjetje iu duk gjeniale. Ja, pra, pse them unë që te heroi i këtij tregimi, nën ndikimin e disa romaneve që kishte lexuar, kishte ndodhur ajo që i kishte ndodhur dikur heroit të Mançës. Vrasja u bë më 14 shtator, në çastin kur në qendër të Pejës ishin ndezur dritat dhe Milla Cerkoviç , për fatkobin e tij do të shfaqej te dritarja e zyrës, me cigare në buzë. Pragmbrëmja e atij 14 shtatori do të mbahet mend nga të gjithë banorët e qytetit të Pejës. Ishte hera e parë që dëgjonin një vrasje aq të bujshme dhe dora vrastare nuk do merrej vesh kurrë.
* * *
Jeton Shatri e kreu atë vrasje me një vetëdije të ftohtë, por nuk mund të them gjer në çfarë shkalle kjo ndjenjë ka qenë e vetëdijshme. Janë disa persona te të cilët drejtësia shndërrohet në një instinkt. Mund të them me bindje se ai kishte lindur me instinktin e drejtësisë, i cili mund ta çonte gjer në flijim. Te disa persona, instinkti i drejtësisë çliron një energji e cila, gjen kohën të kthehet në bumerang. Të shkosh me vetëdijë drejt një qëllimi, si drejt një dritëze që fërgëllon në fund të një labirinti të errët, qoftë edhe duke shkelur mbi kufoma. Jeton Shatri shkeli vetëm mbi kufomën e vrasësit të të atit. Nuk shkeli, e la aty, të përgjakur, dhe iku, pa asnjë alarm në sy. Iku si ai njeriu që, pasi kryen detyrën e vet, e hedh armën për tokë, por ai as armën nuk e hodhi për tokë, e futi nën këmishë. Dyzet e tetë orë qëndroi pa lëvizur nën ca lecka dhe nën atë kapotën e grisur ushtarake edhe pse iu tha buza për një pikë ujë. Të pasnesërmen, në mesnatë, eci anës lumit, sipas koordinatave të sakta, të studiuara kohë më parë, doli nga lumi e më pas iu ngjit Bjeshkëve të Nemuna nga ku do të kalonte kufirin për t’u hedhur në Shqipëri. I kishin treguar se për t’u hedhur në Shqipëri duhet të ngjiteshe në Bjeshkët e Nemuna. Ishte një dhiare e cila zbriste malit thikë, pa u pikasur nga rojat kufitare nëse kalimi bëhej natën. Ishte pikërisht ajo dhiare e bekuar nga zoti, ku s’mund të dëgjohej thirrja e frikshme “Ndal! dhe breshërima e plumbave. Ishte një natë pa hënë. Në çastin që mendoi se ndodhej në tokën shqiptare, e kapi një drithërimë gëzimi, e ngriti revolverin në ajër dhe e flaku larg, shumë larg, si të ishte një send pa vlerë. ”O Zot, më fal, – tha në atë çast me vete, -por ai e meritonte.”
* * *
Ndoshta do të bëheni kureshtarë të dini ç’ndodhi më pas. Imagjinoni edhe ju ç’do të thotë të jesh një njeri i vetmuar, pa shtëpi e pa njeri, të vërtitet në një qytet të cilin e ka parë në ëndërr, kryeqytetin e atdheut të tij amë. Pas ndjesisë së mirë që i lanë atë mëngjes dy rojat, ushtarë të rinj të shërbimit kufitar, siç mund të kishte ndodhur të ishte edhe ai në ato çaste, të tjera emocione do të përjetonte në zyrën e komandantit të degës së punëve të brendshme të Shkodrës. Qysh kur e pa, para tavolinës së tij të punës, fytyrëngrysur e me një shikim të dyshimtë, i shkoi mendja për keq. Marrëdhëniet e shtetit shqiptar me atë jugosllav aso kohe ishin në muajin e vet të mjaltit. Mos vallë ky njeri që kam përballë di gjithçka, ka marrë vesh gjithçka ndodhi atë mbrëmje në qytetin e ftohtë të Pejës? Pyetjeve të tij iu përgjigj shkurt, me po dhe jo. Arsyen e vërtetë përse e kishte kaluar kufirin e shpjegoi si një ëndërr e ushqyer në vite për të vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, në degën e letërsisë. Pyetjes nëse kishte njerëz të afërt në Shqipëri iu përgjigj duke mohuar me kokë. Emrin e një djali xhaxhai që punonte në organet e sigurimit të shtetit, nuk e përmendi fare. Para kryetarit të degës përsëdyti edhe njëherë emrin e tij të rremë. Pra, tani e tutje dhe mbase gjatë gjithë jetës së tij do të quhej Jeton Shatri.
* * *
Vetëm dyzet e tetë orë e mbajtën në zyrat e degës së punëve të brendshme të Shkodrës. Gjatë atyre orëve ai hapi çantën ku mbante vetëm libra, ndërmjet syresh dhe romanin e preferuar të Dostojevskit “Krim e Ndëshkim”, të cilin e tërhoqi dhe nisi të përqendrohet nëpër paragrafët që kishte nënvizuar me bojë të kuqe. Në mbrëmje u mor në pyetje nga një oficer i moshuar të cilit i kishte takuar roja e shërbimit të asaj nate. Ditën tjetër e mori në pyetje një hetues ushtarak i veshur civil, një djalosh i ri, i cili kishte ardhur enkas nga Tirana. Quhej Shezai Dorsi. Kishte një të folur të qetë me zanore të zgjatura në rrënjët e fjalëve, karakteristikë e së folmes labe. Edhe pse hetuesi i ri u tregua i njerëzishëm me të ardhurin nga Kosova, prej tij u dëgjua i njëjti refren:”Kam ardhur veç për me vazhdue studimet e larta… E kam pas andërr me studju për letërsi në Universitetin e Tiranës”. Shezai Dorsi kishte mbaruar Fakultetin Juridik dhe ishte emëruar jurist në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai kishte dobësi për Kosovën dhe kosovarët. Në fytyrën e tij nuk u shfaq asnjë grimë dyshimi. Ai kishte pasur një xhaxha që gjatë viteve të para kishte punuar si arsimtar në komunën e Ferizajt dhe ishte ndarë prej andej me përshtypjet më të mira. Dy ditë më vonë erdhi vendimi nga Tirana për ta lënë të lirë. Nga zyrat e degës së brendshme e përcollën me respekt të veçantë. E pyetën ku dëshironte të sistemohej. – Në Tiranë, -tha ai pa hezitim. Atë çast falënderoi me mend hetuesin e ri, i cili i kishte lënë adresën e vet duke i i thënë: “Nëse vjen në Tiranë, për çfarëdo problemi që do të kesh, më kërko mua”. Harrova t’ju them, çanta me libra ndikoi për mirë në opinionin që u krijua për të. Kur i bënë kontrollin e trupit i gjetën në xhep 1000 dinarë jugosllavë, të cilat nuk do të hynin në punë për asgjë. Në çastin e përcjelljes i dhanë 2000 lekë shqiptare, pare xhepi. Ishte ora dhjetë kur doli nga ndërtesa e degës. Gjatë gjithë asaj dite u end në qytet. Kishte dëgjuar shumë histori për Shkodrën e Migjenit e të Fishtës, Shkodrën e Dasho Shkrelit, Shkodrën e shkodranëve të qytetëruar, e kishte ëndërruar këtë qytet verior ta shihte një ditë dhe ja, si në një ëndërr të bukur kjo ditë kishte ardhur. Nuk u besonte dot syve që gjendej në Shkodër dhe shëtiste i lirë dhe i shpenguar nga çdo brengë rrugëve të saj. Qëllimi i tij i mbramë ishte Ura e Baçallëkut. Nuk mund të ikte nga Shkodra ashtu, pa parë vendin ku kishin hedhur trupin e të atit të gjorë. Kur ra mbrëmja dhe ai u gjend më së fundi te vendi i krimit, pati ca të rrëqethura në trup. Më pas e ndjeu veten si të mpirë. Fakti që gjendej shumë pranë eshtrave të të atit nuk i zgjonte asnjë ndjenjë… Eshtrat e tij kishin përfunduar në det…po shpirti i tij endej akoma në atë vend. Shpirti i tij ishte shndërruar në frymë, në ndjesi. “Baba, e mbajta fjalën”, – tha me gjysmë zëri të dridhshëm.
* * *
Dita e parë në Tiranë takoi një mesditë diellore. Sa pa Sahatin e madh, që larg, iu drodh zëmra. Tirana që kishte ëndërruar. Kryeqyteti i vendit amë… Tirana ime e dashur. Më ke pritur? Të erdha… Nuk i durohej sa të mbërrinte në qendër, sikur ajo të ishte pikëmbërritja e ëndërruar dhe arsyeja e kalimit kufitar dhe e të shtënave mbi trupin e komandantit të garnizonit të Pejës. Kur u gjend në qendër të Tiranës i tërhoqën vëmendjen fotografët e shumtë. I dolën para me aparate në dorë duke i propozuar me mirësjellje për ta përjetësuar atë çast, sikur ta dinin që Jeton Shatri vinte nga një botë tjetër. Nuk bëri një, por tri poza në tri pozicione të ndryshme. Në çastin që po merrte faturën, i shkoi ndër mend të pyeste për kushëririn e tij. Fotografët e qendrës kishin informacion për gjithçka mund të kërkonte një i huaj. “ Haki Pejën? -tha më i moshuari. – Si nuk e njohim. Punon në Ministri të Brendshme. Banon në pallatet e shallvareve. E ke tek ajo ndërtesa atje”. Jetoni u nis drejt ndërtesës portokalli, e cila, në pamje të parë, nuk i la ndonjë ndjenjë të frikshme. E pati të vështirë të komunikonte me rojën, i cili nuk të shikonte në sy. I priste të gjithë hundë e buzë duke iu përgjigjur prerë: “Nuk është…”Nuk ka pritje…”Eshtë i zënë…” Jetonit iu duk se po e rrente kur i tha “Nuk ndodhet në zyrë”. U vërtit pak kohë, kur u kthye sërish roja ngriti kokën, nga e folura mendoi se do të ishte njeriu i tij. “Nuk vjen sot”, – i preu shpresat Jetonit me një vështrim dashamirës. Në atë çast Jetoni mendoi se do të ishte më mirë t’i shkonte pas dite në shtëpi. Haki Peja ishte i vetmi kushëri i tij, njeri i tij me influencë në shtet, ish- partizan. Pas çlirimit kishte veshur uniformën e oficerit dhe ishte emëruar në Shqipëri, fillimisht në ambasadën jugosllave, më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Askush nuk e dinte hollësisht me çfarë punësh të brendshme merrej. U vërtit i lumturuar rrugëve gjersa vuri re dy akrepat e Sahatit të madh të puthiteshin te numri gjashtë. Natyra kureshtare ia tërhoqi këmbët gjer te ato ndërtesat me tullë të kuqe të shallvareve. Ndërkohë kishte rënë plotësisht mbrëmja dhe mbi shtyllat e neonit nisën të fërgëllonin dritat si krahë pëllumbash. Te sheshi brenda pallateve disa fëmijë luanin me potere kukafshehthi. Jeton Shatri nga natyra ishte dyshues, një dyshues i qetë, i hollë dhe i vëmendshëm. Nuk jam në Jugosllavinë e Titos, mendoi, jam në Shqipni. Iu afrua vajzave të vogla që luanin te shkallët e hyrjes së pallatit dhe pyeti për familjen Shatri. Një vajzë e hollë dhe e gjatë, me fustan përmbi gju u ngrit në këmbë dhe i tregoi dritaret e apartamentit të katit të tretë. Atij i erdhi mirë që kushëriri i tij ishte një njeri i njohur dhe i respektuar në mjediset ku banonte. Shkallët i ngjiti ngadalë… Sikur ta shtynte dikush nga pas. Në sheshpushimin e katit të tretë ndaloi, mori frymë thellë dhe i ra ziles. Doli te dera një fëmijë me shikim të çuditur. U tremb nga i panjohuri dhe hyri brenda duke e lënë derën gjysmë të hapur. Atë çast doli një grua e bëshme me veshje shtëpie. -Kë kërkoni?- e pyeti duke e hetuar në fytyrë atë djalosh shtatgjatë që nuk e kishte parë kurrë. – Zotin Haki…- i tha Jetoni. Gruaja e bëshme e cila duhet të ishte e shoqja, qëndroi në mëdyshje, i hodhi dhe një shikim të dytë të panjohurit dhe u fut edhe ajo brenda, duke e lënë në pritje. Vonesa zgjati vetëm pak sekonda ndërkohë që Jetonit iu duk se po qëndronte aty, në errësirën e sheshpushimit, në një pritje pa fund. Pas pak ajo u kthye për t’i thënë se i shoqi nuk ndodhej në shtëpi, dhe për të mbyllur derën. – Nuk ndodhet në shtëpi?- mendoi Jetoni duke zbritur shkallët.- Atëherë përse duhet të më linin të prisja? Përse nuk ma tha qysh në fillim? Edhe pse e kishte kapluar një nervozizëm i brendshëm, e ndiente veten të qetë. Atë mbrëmje ai pati shumë hamendje për atë qëndrim fyes dhe poshtërues, por shkakun e vërtetë nuk do ta mësonte kurrë. Ishte ajo fjala “zotni”, e hequr prej kohësh nga fjalori i shqiptarëve, që e bëri atë të largohej papritur? Mos vallë roja te hyrja e Ministrisë i ka bërë një përshkrim të saktë portretit tim dhe ai ka menduar … I sistemuar në hotel “Çajupi” kaloi sërish në filtrin e një arsyeje të ftohtë lloj –lloj dyshimesh. Konkluzioni: sa mirë që nuk e takova ! Me këto mendime në kokë u vërtit edhe pak çaste në krevatin e drunjtë të atij hoteli të vjetër, mbi të cilin binin dritat e llambave të bulevardit, gjersa e zuri gjumi. Të nesërmen u ngrit qysh herët. Kishte vendosur të takonte një mik të të atit i cili jetonte në një fshat të Lushnjës. Kur zbriti te stacioni i trenit dhe pyeti ku ndodhej katundi Savër, mori vesh se nuk ishte aq afër sa i kishin thënë. Dy tre orë të mesditës i kaloi me dorën lart, në kryqëzim të rrugëve. Ndodhi që kaloi një zetor i cili shkonte në Savër. “Hip!” i thirri shoferi, një djalosh vetullzi, i cili kur gjendej në timon kishte dëshirë të këndonte këngë qaramane. Gjatë rrugës, pasi mori vesh pse kosovari shkonte në Savër, ai i tha; “ Do t’i prishësh punë vetes dhe atyre fakir fukarenjve”. Fjalën “fakir” Jetoni nuk e kuptoi, por fjalën fukara e njihte mirë. Zetoristi e zbriti në fushë të hapur nga ku dukeshin ca shtëpiza të ulëta, të mbuluara me kashtë e të thurura me kallama e të ngritura nëpër fushë pa asnjë rregullsi. Re të zeza ishin ulur mbi fushë. Jetoni qëndroi pak çaste në cep të udhës për t’u orientuar me këtë pamje apokaliptike e cila i dukej si fundi i botës. Një vajzë me fustan basme i kaloi pranë, po kthehej nga shkolla e mbrëmjes, me çantë nën sqetull. Iu afrua dhe me mirësjellje e pyeti nëse e njihte një kosovar me emrin Bislim Gjinovsi. – Po, – tha ajo dhe u tregua e gatshme për ta shoqëruar gjer tek banesa e tyre njëkatëshe e ndodhur anës rrugës. Duke ecur krah tij, ajo i hidhte të huajit herë pas here një bisht-syri të frikur. Te lesa e banesës së tyre vajza ndali dhe thirri emrin e një vajze që quhej Ferinaze. Nuk iu përgjigj kush. Sakaq, një plakë e rrëgjuar doli te dera, vuri dorën mbi sy, pa të panjohurin, u tremb dhe u fut brenda, më pas doli një fëmijë kureshtar i cili nuk pati kohë të shihte të panjohurin, pasi u tërhoq me forcë, nga brenda. Në atë çast Jeton Shatrit iu kujtuan fjalët e zetoristit “Do t’i prishësh punë vetes dhe atyre fakir fukarenjve…”, i ktheu shpinën dhe u kthye nga kishte ardhur. Pasi u nda me vajzën dhe u ngjit në rrugë, ktheu edhe një herë kokën dhe vuri re të gjithë familjen e madhe të Gjinovsëve. Të mbledhur grumbull kishin dalë te dera duke e përcjellë me sy largimin e tij. Atë çast sikur ta kishte prurë zoti vetë atë lushnjarin me zetor. Zetoristi e kishte parashikuar këtë pritje. Ai kishte menduar edhe që të huajin nuk duhet ta linte në Savër. Hodhi thasët me bukë te dera e kooperativës dhe në kthim frenoi me zhurmë pranë këmbeve të tij. “Ee…? – i tha . – A s’të thashë? Hip shpejt se do na zërë nata në Savër”.
* * *
Ju premtova që s’do të zgjatem në imtësi të panevojshme, mirëpo, kur gjendesh para letrës së bardhë, idetë fshihen nga të gjitha anët dhe ngjarjet nisin të sulmojnë njëra-tjetrën, sidomos kur ke të bësh me ngjarje të një të kaluare të largët…Nuk jam i qartë nëse gjatë shkrimit jam duke ndriçuar çfarë është me rëndësi, për ta ditur dhe ju, dhe çfarë duhet të shtyj në harresën e përjetshme. Në vitin e parë të fakultetit Jeton Shatrin unë e kam pasur në kurs. Nga gjithë ai vit mbaj mend një grindje që ai pati me profesorin e lëndës “Hyrje në gjuhësi” e cila u bë shkak për ta lënë fakultetin. Profesori, një shkurtabiq me pamje të zbehtë, si negativ filmi, “sytë e tij ngjanin me sytë e një njeriu të varur, ndonjëherë me një lloj shtrese të hollë gjumi.” “Po të krijoj mundësinë e fundit,- iu drejtua Jetonit,- Shiroka në poezinë e tij si e përdor fjalën shpresë? -Shpënesë,- iu përgjigj Jetoni i sigurt. “Ik!”- thirri ai, sikur në atë çast të ishte zgjuar nga gjumi. Jetonit i hipi gjaku në kokë, bëri një gjest, i cili, mua që në atë çast isha dy hapa larg tij, m’u duk se mund ta qëllonte me grusht. Dora e tij ishte zgjatur për të mbledhur librat e shpërndara mbi tavolinë: “Po iki, – i tha, – nuk mund të rri ulur në një tavolinë me poshtërsinë”. Iku dhe nuk u kthye më, as në vjeshtë dhe as në dimër. Dikush kishte hapur fjalë se ishte arratisur në Jugosllavi: Legjenda e arratisjes arriti të besohej edhe nga vetë ata që e kishin trilluar. …Dikush tha që kishte përfunduar në Amerikë dhe kishte nisur punë në një garazh makinash luksoze ku paguhej mirë. Historinë e vërtetë do ta merrja vesh në prag të Vitit të Ri, ditën e fejesës së vajzës së hallës sime, Artës , me hetuesin Shezai Dorsi. Fejesa u bë në 25 dhjetor, natën e Krishtlindjeve, e festuam së bashku, në familjen e Mevlud Zenelit, oficer i lartë në aviacionin ushtarak. Arta ishte studente në vitin e fundit për mjekësi. Atë mbrëmje ajo pati kënaqësinë e madhe të më njihte me Shezaiun. -E njoh, -i tha Shezaiu, sa më pa. – Ju jeni student i letërsisë. Në kursin tënd kam pasur një mik kosovar… Edhe unë e njihja Shezaiun, madje e dinim të gjithë që ai ishte hetues dhe punonte në Ministri të Brendshme. U bëra kureshtar. Prita rastin kur nisën të këndonin labçe dhe iu afrova pranë. Në atë kohë, të uleshe në tavolinë me një hetues të Ministrisë së Brendshme ishte privilegj. -Jetonin e kam njohur një ditë pasi ai ka hyrë në Shqipëri, -tha ai. – Një javë më vonë më erdhi në zyrë. E mora për krahu, dolëm jashtë dhe u ulëm në një kafe. Kishte nevojë për para. I propozova të punonte ca kohë në sharrat e Llogorasë. “Të mendohem”, tha. Në Llogora kisha vëllanë e madh, te brigada e sharrave. A ke ardh me njoh Shqipninë?- i thashë. Vendosi të shkojë. Në ndarje më rroku për krahësh fort: “Shqipninë e njoha, – tha, -Shqipnia je ti…”. –Ishte njeri punëtor dhe me karakter”. Ndezi cigaren dhe bëri një pauzë të gjatë. -Tani dhe mund të thuhen ca gjëra, -shtoi ai . -Nuk janë më sekrete. Pas prishjes me Jugosllavinë ai nuk kishte pse prezantohej me një emër të rremë.
– Sylejman Mato është, shkrimtar, poet, dramaturg dhe publicist shumë i njohur në Shqipëri.

( VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura