DR.JAKUP KRASNIQI: KUR QEVERITARËT TANË GËNJEJNË SAHERË FLASIN?!

Prishtinë, 08. 02. 2016: Në një emisioni televiziv, moderatori tha: “Hedhja e gazit lotsjellës nuk është praktikë?” Vërtetë nuk është praktikë! Po, a është praktikë shtetërore dhe ku është: Bërja hisedarë në shtetin tanë, shtetin që për gati një shekull ka ushtruar, terror, krim e gjenocid masiv mbi qytetarët tanë? Praktika e dytë e beri të domosdoshme të parën e cila kalon pa asnjë pasojë afatgjate. Marrëveshjet e dëmshme kanë pasoja afatgjata. Pse moderatorët tanë, kur i kanë përballë qeveritarët, nuk i pyesin ata, pse mënyra sesi po qeverisin ata, nuk e njeh praktika demokratike e të qeverisurit, por rrinë para tyre si “pula të lagura”?
A thotë ndonjë praktikë shtetërore, që shteti t’ia falë një shteti tjetër mbi 8220 hektarë tokë? Ku është parë kjo zemërgjerësi?
A ka praktikë shtetërore që kryeministrat e një vendi të mashtrojnë pa ndërprerë asnjëherë, si në fushata zgjedhore edhe në gjithë mandatet qeverisëse?
Këta mashtrues e demantojnë veten e tyre brenda dite dhe sa herë që flasin! Ju ndodhë kjo se ky lloj i njerëzve nuk ia dinë peshën fjalës! Populli ynë e ka një fjalë: “Me e shty kokën ngushtë, fjala e mirë e shpëton kokën. Po e shtyre fjalën ngushtë, shkon edhe koka”. Natyrisht që kjo urti (filozofi) popullore nuk vlen për kryeqeveritarët tanë.
A ka ndonjë vend që Kryeministri dhe vartësi i tij të shkelin kushtetutën e vendit, të përbetohen se nuk e kanë shkel dhe nëse e kanë shkelë do të japin dorëheqje, e kur Gjykata Kushtetuese e konfirmon shkeljen! Ata vazhdojnë sikur nuk paska ndodhur asgjë?! Dhe vazhdojnë me shkeljet, pse nuk ka kush në partitë e tyre “tua prish timin e duhanit” dhe kur humbet sovranitetit i shtetit.

Dhe jo vetëm kaq. Kryeministri, pa pasur asnjë zor, thotë: “Pa u liberalizuar vizat për qytetarët tanë, unë nuk mund të shkoj në Bruksel”. U duk se Kryeministri më në fund do të merrte një vendim burrëror. Por premtimi nuk zgjati shumë. Ai shkoi atje si “tulipan i bardhë”. Po jo vetëm kaq. Ai tha: “Asociacioni do të bëhet sipas sugjerimit të Kushtetutës”. Bukur! Edhe kjo ishte mashtrim i radhës. Ai shkoi në Bruksel si “tulipan i bardhë” dhe ra dakord që Asociacioni – Bashkësia e Komunave serbe, të formohej sipas marrëveshjes se 25 gushtit 2015. Kështu thotë Deklarata e dalë nga zyra e Mogerinit e harmonizuar me dy kryeministrat! Kjo do të thotë, se Kryeministri është marrë vesh që në Bruksel të thotë e të merret vesh për diçka tjetër e qytetarëve tanë u thotë diçka tjetër. Qytetarëve tanë u thotë se “Zajednica” do të behet sipas sugjerimit të Gjykatës Kushtetuese! Thjeshtë i mashtron ata pa u skuqur.
Kush po ulërin vërtetë?
Ku ka ndodhë, që Kryeministri, thirrjet e qindra mijërave qytetarëve që duhet të qeverisë me ta e për ta e t’i quan “egërsira”, pasi vetëm egërsirat ulërijnë? Apo ndoshta po “ulërin” Kryeministri!
Praktika, në cilin vend e paragjykon Protestën që do mbahet pas më shumë se dhjetë ditëve, së: “nuk do të lejojmë vrasjen e policëve”! Prej nga e di Kryeministri se mund të ketë vrasje të policëve, nëse nuk është bërë një plan për një krim të tillë?!
Absurdi është edhe më i madh se, Kryeministri dhe bashkëpunëtori i tij kërcënojnë qytetarët që do të protestojnë më 17 shkurt 2016, në prezencën e përfaqësuesve të Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vërtetë, atë ditë përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, ke përfaqësonin: Veteranet që luftuan për liri a çlirim apo ata që u bënë “veteranë” 16 vjet pas luftës?!
Ata, përfaqësuesit e “veteranëve” si dhe Kryeministri e bashkëpunëtori i tij në qeverisje duhet t’u tregojnë tatimpaguesve se kujt po ua premtojnë pensionin e veteranit: Atyre që vërtetë luftuan apo atyre që po ua blejnë votat? A mund të ndërtohet shteti demokratik me vota të blera, të shitura apo të vjedhura? Me metoda të tilla antidemokratike, ndërtimi i shtetit të se drejtës është i pa mundur.
Pse përfaqësuesit e veteranëve nuk i thanë Hashim Thaçit: Zoti Thaçi, a mos po donë me thënë se në luftë kundër Serbisë pushtuese i pate 20/30 mijë ushtarë, e tani për t’na sjellë Serbinë donë me i nxjerrë në Sheshin e Skënderbeut 1.000.000 qytetarë? Ku do t’i merresh ata, një milion mbrojtës te “Zajednicës” dhe për kthimit të Serbisë në Kosovë?!
Kryeministri dhe vartësi i tij duhet ta dinë, se ata po e shkelin ligjit duke i mashtruar qytetarët dhe këtu Prokuroria e shtetit duhet të veproi ndaj të gjithë mashtruesve, e mbi të gjitha kundër krye mashtruesve e shkelësve të Kushtetutës!
Nëse dikush do të duhej ta e mbronte historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga falsifikimi e grabitja, ata do të duhej të ishin: Kryeministri dhe vartësi i tij dhe Shoqatat e UÇK-së? Edhe pse njëri prej tyre e ka sabotuar luftën (duke mos ia dhënë mjetet e grumbulluara për luftën) e tjetri ka përfituar nga ajo “pa qenë në frontet e luftës”! Nëse Kryeqeveritarët kanë mjete buxhetor për të dhënë për raste sociale, le t’i japin jo nga 170 euro, por le t’ua bëjnë 250 a 300 euro (veçse duhet pasur statistika të sakta), nuk kemi asgjë kundër, por nuk kanë të drejt ta falsifikojnë veprën më fisnike të popullit tonë UÇK-në. Pasi edhe ata njerëz që nuk janë në punë e s’kanë mjete për jetë e meritojnë një jetë më të dinjitetshme sesa e kanë tani.
Kështu si kanë nisur këta mashtrues të pa përmirësueshëm, këta humbës te sovranitetit te gjyqësorit e të shtetit dhe të tërësisë territoriale, këta shkelës të Kushtetutës dhe qeveritarë të padijshëm, po e rrezikojnë seriozisht edhe falimentimin e shtetit.
Për hir të shtetit për të cilin janë flijuar breza të tërë atdhetarësh e qytetarësh, për hir të ardhmërisë, për hir se vërtetës së Luftës Çlirimtare të UÇK-së, çdo luftëtarë e atdhetarë i devotshëm i kombit e atdheut, çdo njeri që nuk e do falimentimin e shtetit dhe degradimin e trashëgimisë kulturore e historike, çdo intelektual, i ri dhe e re që e ka jetën përpara, çdo medie kombëtare ta ngrisinë zërin e tyre kundër çdo mashtrimi e sidomos kundër mashtruesve të veshur me pushtet nga vota e qytetarëve të Republikës!
Kosovën e ndryshon dhe e shpëton vetëm një formë tjetër e qeverisjes. Ketë të Isa & Hashimit e pamë dhe e jetuam që tetë vite. Kjo qeverisje nuk i duhet askujt!
Reagoni e veproni sot për ndryshimin se nesër është vonë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura