LONDËR: KOSOVA – RRUGËTIMI DERI NË PVARËSI

Londër, 28 shkurt 2019: Shoqata Balkan Muslim Society (BMS) “DRITA” organizoi më 16 shkurt 2019, në ambjentet e Haverstock School në Londër, aktivitetin “Kosova – Rrugëtimi deri në pavarësi”. Të pritur në hyrje nga një grup fëmjësh të veshur me rroba kombëtare dhe të mirëseardhur me trëndafila dhe çokollata, të ftuarit e ndien ngrohtësinë e kësaj mbrëmje pa u futur akoma brenda në sallë.
Aktiviteti u ndoq nga një audiencë e madhe në numër, një pjesë e të cilëve kishin udhëtuar për orë të tëra, nga anë të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, vetëm për këtë aktivitet. Kjo mbrëmje festive përcolli mesazhin e unitetit të shqiptarëve të të gjitha trevave, në Mbretërinë e Bashkuar.
Mbrëmja u hap me leximin e disa verseve nga Kurani, të cilat u përcollën nga Shpëtim Sjarina. Më pas, tingujt e Himnit të flamurit të Kosovës mbushën sallën për t’ia lënë vendin moderatores së aktivitetit Jeni Myftari e cila pasi uroi pavarësinë, falënderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre. Duke bërë një pasqyrë të çështjes shqiptare në rajon ndër të tjera Myftari përmendi raportin e një diplomati britanik i cili më 1890 i shkruante qeverisë së tij:- “… Nëse nuk i ipet një zgjidhje e drejtë dhe me përgjegjshmëri çështjes shqiptare nuk do të ketë qetësi në rajon për 200 vitet e ardhme…”. “Periudha e përgjakur gati 100 vjeçare nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, na tregon se parashikimet e diplomatit britanik kanë qenë me vend”- citoi Myftari.

Më pas, pjesëmarrësit i përshëndeti kryetari i shoqatës Shkëlzen Mustafa, i cili uroi gëzimin e kësaj ditë të shënuar dhe të larë me gjakun e lules së rinisë shqiptare. Duke vazhduar Mustafa falënderoi përfaqësuesit e komunitetit për pjesëmarrjen, përfaqësuesit e shoqatave të tjera shqiptare në MB, imamin e komunitetit Mehmet Stublla, sponsorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e këtij evenimenti.
Aktiviteti u ndoq nga një video mbi aktivitetin 9-të vjeçar të BMS “Drita” e cila ka filluar veprimtarinë e saj më 2010. Që nga ajo kohë e në vazhdim, shoqata ka mundësuar sponzorizimin e shumë projekteve bamirësie në Mbretërinë e Bashkuar, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri si dhe realizon rregullisht një sërë projektesh për mbështetjen dhe integrimin e komunitetit shqiptar mysliman në Britani.
Video e aktiviteteve të shoqatës u ndoq nga një tjetër video ku u shfaq një dokumentar historik mbi rrugëtimin e Kosovës për pavarësi.
“Kosova nga Lidhja e Prizrenit deri në Pavarësi”
Aktiviteti vazhdoi me bisedën “Kosova nga Lidhja e Prizrenit deri në Pavarësi”, temë e cila u mbajt nga studiuesi shqiptar Bejtullah Destani.
I ardhur posaçërisht për këtë aktivitet nga Kosova, Destani ishte i ftuari i nderit për manifestimet e 11-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Biseda, që u drejtua nga moderatorja Jeni Myftari, përfshiu historikun e udhëtimit të Kosovës nga Lidhja e Prizrenit më 1878 deri në pavarësinë e vendit më 2008.
Studiuesi Bejtullah Destani e ndërtoi bisedën e tij bazuar në fakte dhe argumente historike, një pjesë e të cilave ose nuk janë trajtuar nga historiografia shqiptare ose janë trajtuar shumë përciptas.
I pyetur nga Jeni Myftari për ngjarjet që ndoqën Marrëveshjen e Shën Stefanit dhe vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878, Bejtullah Destani tregoi se si u zgjeruan territoret serbe, malazese dhe greke në kurriz të trojeve të shqiptarëve dhe tha se spastrimet etnike u bënë me qëllim vendosjen e kolonëve serbë dhe grekë në tokat shqiptare për të prishur kështu raportin e prezencës shqiptare në rajon.
Destani tregoi për masakrat, dhunën dhe spastrimet etnike të qeverive të vendeve fqinje ndaj popullsisë shqiptare në Verilindje, Veripërëndim dhe Jug të tokave shqiptare në zonat e Nishit, Leskovacit, Tivarit, tokat shqiptare nën Greqi etj, në të cilat elementi shqiptar sot pas mëse 140 vitesh është pothuajse inekzistent.
Ndër të tjera ai përmendi një fakt shumë interesant të palëvruar nga historia shqiptare por as edhe nga historia evropiane, serbe apo malazeze duke sqaruar se në territoret shqiptare nën Serbi që njihen si “tokat e muhaxherëve” përveç shqiptarëve të besimit Islam kanë banuar shqiptarë të përkatësisë fetare Ortodokse por, të cilët janë paraqitur nga Serbia si qytetarë serbë dhe më pas janë asimiluar plotësisht.
Më pas Bejtullah Destani bëri një analizë të ngjarjeve politiko-historike që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe arsyet pse tokat shqiptare në Kosovë dhe më gjerë mbetën jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptar që në historiografi njihet si Shqipëria Londineze.
Po kështu, z. Destani bëri një analizë të ngjarjeve të Konferencës së Paqes në Paris dhe arsyet pse delegacionet shqiptare dështuan të arrinin rezultate pozitive në këtë Konferencë. Ai foli gjithashtu për rolin dhe punën e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, i themeluar nga Bedri Pejani dhe Kadri Hoxha më 1918.

Një fakt tjetër interesant i përmendur nga Destani ishte vrasja e 25.000 shqiptarëve në vitin 1920 në luftën e Plavës, Gucisë dhe Rrugovës fakt ky që, sipas Destanit, nuk përmendet në historiografinë shqiptare dhe nuk dihen arsyet pse nuk përmendet.
Në vazhdim të rrjedhës së historisë Destani përmendi një marrëveshje të nënshkruar nga qeveria jugosllave dhe qeveria turke më 1938 për lëvizjen e popullsisë shqiptare nga trojet shqiptare nën Jugosllavi për në Turqi. Kjo marrëveshje u realizua për një farë kohe por, më pas u ndërpre prej Ataturkut në momentin që u kuptua se kjo nuk ishte një lëvizje ekonomike e popullsisë por një spastrim etnik i rajonit.
Bejtullah Destani bëri një përmbledhje të ngjarjeve politike të Luftës së Dytë Botërore, bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës nën mbretërinë e Viktor Emanuelit dhe ndarjen e tyre me mbarimin e luftës.
“Formimi i territoreve të Kosovës në kufinjtë e sotëm -tha Destani- është bërë më 1946 ku dhe iu dha statusi “Krahinë autonome”. Shqiptarët e Maqedonisë, Presheva, Bujanovci dhe territoret e tjera përreth u lanë jashtë kufijve me qëllim uljen e numrit të shqiptarëve të grupuar në një vend. Nëse këto territore do t’i ishin bashkuar Kosovës atëherë numri i popullsisë së Kosovës do të ishte shumë më i madh se i Kroacisë dhe në këtë rast statusi nuk do të mbetej më krahinë autonome por Republikë, gjë e cila nuk ishte në interes të Jugosllavisë”.
Ndërkohë, më 1971 hapet në Prishtinë Universiteti i Prishtinës dhe për herë të parë shqiptarëve të Kosovës iu mundësua të mësojnë gjuhën dhe historinë e tyre. Periudha 1971-1981 u quajt periudha e “lulëzimit të Kosovës”-vazhdoi Destani. Por, as kjo nuk ishte në interes të Jugosllavisë. Mohimi i mësimit të gjuhës, përdorimit të simboleve kombëtare dhe masa të tjera drastike nxitën demostratat e 1981 dhe më 1989 u suspendua autonomia e Kosovës”.
Në vazhdim Destani tha se me rënien e kampit komunist të Lindjes, Kosova vetëshpall pavarësinë më 1992 dhe Ibrahim Rugova zgjidhet President i Kosovës. Fatkeqësisht kjo pavarësi nuk u njoh nga ndërkombëtarët. Përkeqësimi i kushteve politike në vend çoi në fillimin e luftës së Kosovës në shkurt 1998 luftë e cila përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s në qershor 1999.
Periudha qershor 1999 – shkurt 2008 ishte një periudhë tranzicioni ku vendi u qeveris nga Forcat Ndërkombëtare dhe u përgatit terreni për shpalljen e pavarësisë e cila u deklarua më 17 shkurt 2008 e koordinuar me forcat politike ndërkombëtare, kryesisht ato të SHBA dhe MB.
Z. Destani e mbylli fjalën e tij duke falënderuar shoqatën BMS “Drita” për ftesën dhe njëkohësisht duke përcjellë tek audienca amanetin për ruajtjen e vlerave kombëtare shqiptare. Ai vuri theksin veçanërisht në nevojën për përcjelljen dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe tek brezat e lindur në diaporë. Për këtë ai mori shembullin e arbëreshëve të Italisë të cilët, edhe sot pas më shumë se 500 vitesh vazhdojnë të ruajnë gjuhën, traditat, këngët e vallet shqiptare. “Vetëm kështu –përfundoi Destani- do të mund të ruhet identiteti shqiptar në mërgim përndryshe asimilimi është i pashmangshëm”.
Program artistik
Aktiviteti u ndoq nga një program i pasur artistik, i cili u realizua nën drejtimin e moderatores Enida Meta. Ashtu si parafolësit edhe Meta uroi pavarësinë e Kosovës dhe bëri një ndalesë të veçantë tek domosdoshmëria për përcjelljen e kulturës shqiptare tek të rinjtë tanë në vendlindje dhe diasporë.
Programi përmbante këngë të ndryshme me karakter folkrorik, patriotik dhe fetar, të cilat u përcollën tek publiku nga Shpëtim Sjarina dhe nën tingujt e çiftelisë së vëllezërve Vitia.

Një pjesë e veçantë e programit ishte performanca artistike e fëmijëve të cilët, të veshur me kostume kombëtare, mbushën sallën me zërat e tyre fëmijënor.
Nëpërmjet vjershave dhe këngëve për atdheun, gjuhën, mallin për vendin e të parëve dhe dashurisë për fenë, fëmijët përcollën mesazhin e bashkimit kombëtar dhe të krenarisë së të qenit shqiptar.
Maryam Lukani & Selma Troksi sollën për të pranishmit pjesën e shkruar nga Enida Meta “Shqipëri e Kosovë –nënë e bijë” si dhe këngë e vjersha për atdheun.
Po kështu, Munir Gjergjizi, Onida Vitia, Ekrem dhe Ensara Hoxha, Erza Vitia, Imran Lukani ngjallën emocione tek të pranishmit në sallë me performancën artistike të tyre.
Ndjenja të veçanta zgjoi kënga “Jo nuk ndahet Mitrovica”, e përcjellë me dashuri e pasion nga Unesa Krasniqi dhe nëna e saj Shukrije Mustafa. Reagimi emocional i të pranishmëve në sallë, që iu bashkëngjitën njëzëri këngës, tregoi edhe një herë se problemi i tokave shqiptare dhe gjendja në rajon është akoma e nderë. Ky është një mesazh për politikën mbarëshqiptare për të qenë më e përgjegjshme në marrjen e vendimeve lidhur me tokat shqiptare dhe për të marrë në konsideratë ndjenjat kombëtare të popullatës.
Për ta memorizuar këtë mbrëmje në kujtesën e atyre që kontribuan për realizimin e saj me sukses, në fund të aktivitetit BMS “Drita” shpërdau disa dhurata simolike për lektorin Destani, fëmijët që përformuan në programin artistik, për vëllezërit Vitia dhe të gjithë sponsorit e aktivitetit.
Taksapagues të harruar
Në këtë mbrëmje kaq emocionuese binte në sy mungesa e përfaqësuesve të të dy ambasadave shqiptare në MB. Të pyetur nëse i kanë ftuar ambasadat shqiptare, burime të brendëshme të BMS “Drita” pohuan se u kanë dërguar ftesa të veçanta krerëve të misioneve dhe ftesa të përgjithëshme për stafin diplomatik të secilës ambasadë. Pyetjes se çfarë mendoni për mosprezencën e diplomatëve në këtë eveniment të mbajtur nga një pjesë e komunitetit shqiptar në Londër, krerët e shoqatës iu përgjigjën:- “Nuk mund të komentojmë në këtë pikë, pasi nuk kemi dije për arsyet dhe motivet që i kanë penguar diplomatët shqiptarë të jenë sonte pranë kësaj pjese të diaporës dhe as nuk mund të themi pse kanë zgjedhur të mos jenë present. Ne kemi dërguar ftesa për të gjithë, por ftesës tonë ka denjuar t’i përgjigjet vetëm ambasada shqiptare në emër të Sh.T Qirjako Qirko. Në një email të marrë prej ambasadës kërkohej ndjesë për pamundësinë e Ambasadorit për të marrë pjesë në aktivitet për arsye të angazhimeve të mëparshme”.
Megjithatë, as Ambasadori shqiptar dhe as e ngarkuara me punë e Kosovës nuk u obliguan për të deleguar asnjë prej organikës së tyre të fryrë për t’u ndodhur pranë kësaj pjese të komunitetit dhe asnjë prej stafit diplomatik të të dy ambasadave nuk pati mirësinë t’i përgjegjet ftesës, ashtu siç ka ndodhur dhe në aktivitetet e mëparëshme.
Mbresa
Ndërkohë, edhe pse të harruar e të lënë pas dore nga përfaqësitë diplomatike shqiptare në MB, që për ironi përfaqësojnë edhe këta taksapagues shqiptarë që i harrojnë në aktivitete por që i mbajnë pranë kur shefat e tyre duan t’u kërkojnë votën dhe që, duket se bëjnë dallime në pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e komunitetit duke i ndarë në një të nënës e një të njerkës, kjo pjesë e komunitetit shqiptar ka përjetuar ndjenja të paharruara në këtë mbrëmje. Përshtypjet e atyre që ndoqën programin ishin nga më të ndryshmet.
Pritja e të ftuarve, e organizuar në një mënyrë të ngohtë e bujare nga kryetari i bordit të Trustee z. Naim Musliu, i cili personalisht ka pritur dhe përcjellë të gjithë të ftuarit, ka qenë mbresëlënëse dhe shumë ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim në këto lloj organizimesh. Në komentin e bërë për këtë pikë znj Myrvete Zasella tha se ka mbetur e impresionuar nga mbrëmja. Ajo ka falënderuar për ndjenjat që ngjalli aktiviteti, për pritjen dhe përcjelljen e ngrohtë me trëndafila të kuq si gjaku i dëshmorëve që ranë për lirinë e këtyre ditëve që gëzojmë sot. “Ju lumtë moderatoreve Jeni Myftari dhe Enida Meta që e drejtuan mbrëmjen me profesionalizëm. Allahu i shpërbleftë të gjithë sponsorit dhe jua shtoftë bereqetin. Më lejoni të bëj dhe një falenderim të veçantë për shoqatën që ka zgjedhur këtë formë organizimi. Çdo gjë ka qenë shumë profesionale, pa lënë vend për asnjë vërejtje apo sugjerim” – përfundoi znj. Zasella.
Abdurrahman dhe Izet Kabashi të ardhur enkas për këtë aktivitet nga Uellsi (Wales) u shprehën:- “Ishte kënaqësi që morëm pjesë në një manifestim kaq madhështor. Edhe pse rruga e gjatë 4 orëshe nga Uellsi në Londër është disi e lodhëshme, takimi me shqiptarët e tjerë dhe manifestimi i pavarësisë së Kosovës me ligjërime akademike, me këngë patriotike e recitime të ndryshme, na motivon të jemi present edhe në takime të tjera të ngjashme. Këngët folkrorike të kënduara me mjeshtëri nga vëllezërit Vitia ishin një çmallje e vërtetë me kulturën dhe traditën tonë. Ato na bënë të ndihemi për pak kohë si të ishim në vendlindje”.
Ndërsa Sali Shasivari, teolog, u shpreh:- “Më lejoni t’ju përgëzoj të gjithëve për manifestimin e mrekullueshëm dhe të suksesshëm në të gjitha aspektet, manifestim ky i cili përveç që ishte sukses për BMS “Drita” njëkohësisht arriti të bëjë një simbiozë briliante mes dy komponentëve, të kombit dhe fesë, duke kultivuar vlerat e mirëfillta kulturore dhe civilizuese të tij”.
Z. Tasim Darsi, koordinator i manifestimit, ndërmjet të tjerave falënderoi studiuesin Bejtullah Destani për prezencën dhe nivelin e ligjërimit. “Z. Destani, me njohuritë e tij akademike na ndriçoi disa fakte historike, vuri theksin mbi disa data dhe ngjarje të lëna në harresë nga historiografia shqiptare”- tha Darsi.
Një tjetër përfaqësues i BMS “Drita” i palodhuri dhe i kudondodhuri Mehdi Hoxha, ndërmjet të tjerave tha:- “Sonte kam marrë shumë fjalë miradie për grupin e fëmijëve dhe vëllezërit Vitia, të cilët na nderuan në këtë mbrëmje me pjesëmarrjen e tyre në programin artistik. Performanca e fëmijëve, edhe pse kanë patur kohë tepër të shkurtër për t’u përgatitur, ngjalli emocione. Një numër i madh nga të pranishmit në sallë u shprehën se ju kanë rrjedhur lotët nga mesazhet që kanë përcjellë fëmijët”.
Edhe znj. Arta Mustafa përgëzoi, gjithashtu, performancën e shkëlqyer të fëmijëve të cilët, siç u shpreh ajo, me ëmbëlsinë dhe çiltërsinë e tyre sollën një emocion të veçantë tek secili pjesëmarrës.
Enida Meta, e cila moderoi programin artistik bëri një falënderim të veçantë për grupin organizator të këtij aktiviteti. Ndërmjet të tjerave ajo tha se për të arritur një sukses si ky i kësaj mbrëmje duhet një grup pune i shkëlqyer, i motivuar dhe me ndjenjën e sakrificës, ku secili e di dhe e bën mirë punën e tij si dhe ka komunikim dhe mirëkuptim mes të gjithëve.
Kryetari i shoqatës z. Shkëlzen Mustafa, mes emocioneve dhe kënaqësisë që solli mbrëmja, pasi falënderoi Zotin që mundësoi suksesin, falënderoi të gjithë ata që kontribuan për realizimin e këtij manifestimi, apo që u bënë pjesë e tij me prezencën e tyre.
Falënderoj studiuesin Bejtullah Destani, moderatoret, grupin e fëmijëve, Shpëtim Sjarinën, vëllezërit Vitia, sponsorët, përfaqësuesit e shoqatave në MB, imamin e komunitetit Mehmet Stublla, Izet Kabashin, teolog, publikun e mrekullueshëm, televizionin ALBUK me përfaqësuesit e tij gazetaren Graciela Kiri dhe kameramanin Majko Loshi etj.– tha Mustafa.

“Së fundi –vazhdoi Mustafa- dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë stafin e BMS “Drita”, kryetarin e bordit të Trustee, koordinatorin, grupin organizator, të gjithë ata që kanë qenë në ballë të punës dhe ata që kanë mbështetur në prapavijë. Kjo mbrëmje dhe suksesi i kësaj nate –tha ai- na venë para një përgjegjësie më të mëdha në të ardhmen. Gjithmonë ka vend për më mirë por perfeksionimi vjen me punë e praktikë. Ndihemi të detyruar para audiencës për të sjellë aktivitete me cilësi gjithnjë e më të lartë.
Në emër të BMS “Drita” dhe në emrin tim personal i uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë:- Gëzuar Pavarësinë e Kosovës”!-përfundoi Mustafa.
Përgatiti: M. M

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura