DR.JAKUP KRASNIQI: PETICIONI ËSHTË ZËRI I QYTETARËVE – ËSHTË PROTESTË LEGJITIME

Prishtinë, 19. 09. 2015: Sot qeveria foli përmes opinionistëve, për të qenë “analizat” e saja më bindëse për qytetarët, për të mbytur zërin e qytetarëve që janë zoti i vërtetë i këtij vendi. Ata po harrojnë se edhe në të kaluarën kishte “marrëveshje” për t’ju aneksuar Serbisë, se kishin arritur ti bindin disa delegatë në Prizren (korrik 1045), “se ishte interesi i Kosovës që t’i bashkohej Serbisë, se Shqipëria ishte e varfër”. Po edhe në atë kohë, kishin qenë disa zëra që patën kundërshtuar, ani pse ata do të dënoheshin me burg të përjetshëm. Por nuk pat munguar as zëri i guximit njerëzor i Ramiz Cërnicës, i cili kishte thënë: “Me Shqipërinë, JO me Serbinë”!

Pas Kuvendit, kur Rifat Berisha ia kumtoi lajmin Tahir Berishës, se Kosova i ishte aneksuar Serbisë, ai i thotë: “ se shumë gjak do të derdhet për të ndryshuar këtë vendim” (parafrazim). Se nga e si ecëm për të ardhur deri te 17 shkurti i vitit 2008 e dimë të gjithë. U deshën mbi 600 shekuj burg për ata që guxuan të kërkojnë çlirimin nga Serbia, u deshën qindra mijëra shqiptar të shpërndarë në katër anët e Globit, u deshën rreth 100.000 viktima e martirë pas Luftës se Dytë Botërore e shkatërrime të shumta ekonomike. Jo vetëm këto që i ceka, ishin pasojë e një vendimi mendjelehtësh. Edhe atëherë vendimi ishte marrë nën presion e frikë. E sot?

=======================================================

– Pjesë nga teksti i peticionit:
“Ne qytetarët e Republikës së Kosovës të nënshkruar në këtë peticion, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet e datës 25 gusht 2015 të nënshkruara me Serbinë si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.” (Editori i pashtriku.org, sh.b)

=====================================================

I thash të gjitha këto, jo pse dua të vej shenja barazimi, në mes së sotshmes e së djeshmes, por për të treguar sesa të dëmshme janë vendimet që merren nën çdo formë të diktatit apo presionit. Sesa të dëmshme janë vendimet që merren pa e dëgjuar zërin e qytetarëve të vendit. Nuk kam asnjë dyshim, siç nuk ka as shumica e qytetarëve tani, se koalicioni qeverisës është duke qeverisur keq, madje tepër keq. Gjithë veprimet e vendimet e saj, me vërejtjet e Shoqërisë Civile, të këtyre ditëve e konfirmojnë ketë gjë. Edhe marrëveshja e 25 gushtit (2015) në Bruksel me marrëveshjen e demarkacionit janë tepër të dëmshme për Republikën tonë. Për këto arsyeje të cekura e për shumë të tjera që nuk i ceka, duhet të merr pozicion qytetari ynë.
Nënshkrimi i Peticionit që po e afron opozita e bashkuar nga ana e qytetarëve, është akti më i rëndësishëm i qytetarëve, është vërejtja më serioze që qytetarët ua bëjnë shërbëtorëve të tyre, zyrtarëve të shtetit. Çdo zyrtar i zgjedhur, i emëruar apo zyrtar tjetër që paguhet nga paraja publike, është shërbëtor i qytetarëve e jo zot i tyre, si po pretendojnë e krekosen qeveritarët tanë.
Nënshkrimi i Peticionit nga qytetarët është forma më qytetare e protestës, është vërejtja më serioze paqësore e demokratike, që u drejtohet atyre që nuk po dinë të qeverisin, atyre që po marrin vendime të dëmshme për vendin, atyre që po u lënë pasoja të pa parashikueshme gjeneratave të ardhshme.
Është momenti i fundit, që qeveritarët duhet të tërhiqen nga marrëveshjet e dëmshme, të cilat ende nuk janë të finalizuara, pasi ende nuk kanë folur përfaqësuesit e popullit. Ky edhe është mesazhi i nënshkruesve të peticionit! Mesazhi është fisnik, për secilin që dinë ta lexoj shqip!
Qytetarët duhet të vrapojnë për të shprehur qëndrimin e tyre, për një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura