Prishtinë, 28. 01. 2016: Në shekullin e kaluar, lufta e ftoftë Lindje-Perëndim e pati kushtëzuar krijimin e shërbimeve politike (apo sekrete), të cilat shërbime e bënin një luftë speciale për denigrimin e personaliteteve të ndryshme të vendeve kundërshtare. Kjo edhe mund të kuptohej. Fundshekulli i kaluar e fillimshekulli i ri u dukën se po e flaknin këtë luftë jashtë rendit të ditës. Shpresuam se e arritëm demokracinë e shumëpritur! Mbase edhe koha e flaku nga rendi i ditës këtë formë lufte denigruese në vendet me demokraci të zhvilluar, por jo edhe në vendet që u detyruan ta kalojnë tranzicionin demokratik të stërzgjatur. Në këto vende, rrjedhimisht edhe në Kosovë, u zhvillua një luftë e brendshme tepër e ashpër denigruese e llojit gebellsian: gënje, shpif, denigro e frikëso sa më shumë njerëz, për t’i sunduar ata me pushtetin e frikës. Këtë luftë të pistë në vendin tonë nuk mund ta bëjë askush tjetër pos ai apo ata që kanë qenë të rekrutuar në shërbimet e UDB-së apo të ndonjë shërbimi tjetër simotër, të specializuar për të zhvilluar luftë speciale kundër kujtdo që ka dinjitet njerëzor, intelektual, politik e kombëtar.
Kjo luftë speciale sot drejtohet ndaj njerëzve që nuk i nënshtrohen këtyre organizimeve të nëntokës, ndaj njerëzve që nuk bëhen vegla qorre të despotëve modernë, ndaj kujtdo që ka dinjitet e integritet. Në këto raste, qëllimi i gebellistëve të rinj është për t’ua mbyllur gojën njerëzve të ndershëm, njerëzve që kanë dinjitet e kredibilitet njerëzor, politik e intelektual, njerëzve që qëndrojnë shumë lart në çdo pikëpamje në krahasim më despotët kriminelë e të kriminalizuar. Këto forma të denigrimit populli ynë i ka përjetuar për gati një shekull. Dallimi në mes të atyre të para 17 viteve është se ata kanë folur një gjuhë tjetër (serbisht), por gjuha për denigrimin e njerëzve ka mbetur ajo e vjetra, serbo/jugosllave, ndonëse këta të sotmit belbëzojnë shqipen.
Në këtë luftë speciale një rol jo të vogël e kanë një pjesë e të ashtuquajturave portale, të cilat duke mos pasur mundësi tjetër mbijetese financiare, janë vërë këmbë e krye në shërbim të pushtetarëve të korruptuar, të cilët me paranë publike e denigrojnë njeriun si pjesë të publikut. Të tillët kudo ku sundojnë, lulëzon mjerimi i përgjithshëm shoqëror. Madje, po këta po e përdorin edhe emrin e qytetarëve dhe paranë publike për të sulmuar opozitën, por gjithnjë duke u fshehur pas qytetarëve anonim. Kësaj kaste qeveritarësh vetëm për gjera të mbrapshta u punon mendja, ndaj këtu dominon frustrimi masiv!
Shembulli më eklatant i kësaj lufte me qëllim denigrimi janë:
1. Sulmi ndaj Presidentes në përfundim të mandatit të saj, sipas të gjitha gjasave, mu nga ata që e sollën në atë pozitë dhe
2. Kandidatët, Akademik Qosja dhe Murat Jashari, pa i konsultuar.
Sepse:
1. Është e pa tolerueshme për një shoqëri normale që të bëhet gjueti shtrigash ndaj një presidenteje në fund të mandatit, çfarëdo qofshin meritat e saj dhe
2. Përfolja e Akademik Qosjes dhe e Murat Jasharit ose vetë mënyra sesi janë lakuar këta emra, pa marrë mendimin e tyre dhe pa u propozuar nga askush, nuk ka pasur qëllim tjetër, pos që kryekandidati pretendon të vihet përballë me njerëzit që vërtet kanë kredibilitet të lartë njerëzor, intelektual e kombëtar ngado që ta merresh.
Në një situatë të tillë të gjeneruar mund të shtrohen një varg pyetjesh esenciale:
A duhen të shqetësohen vetëm të apostrofuarit, siç bëri Akademiku i nderuar, apo duhet një shqetësim i përgjithshëm shoqëror?
A ka ky vend intelektualë që dinë të reagojnë, sa herë që preket dinjiteti kombëtar e shoqëror?
Apo intelektualët kanë pushuar se ekzistuari?
Një fjalë e përdorur shpesh në popull, thotë: “Kur diçka e keqe t’i ndodhë fqinjit prite edhe në shtëpi!”
Ndaj, a thua ia hapëm portat vullnetshëm kësaj mortaje të zezë?
Dhe jo vetëm kaq, por kur një popull qeveriset nga një mentalitet i tillë, despotësh e kriminelësh, veç mjerimit e degradimit të përgjithshëm moral e kulturor, nuk mund të presësh diçka tjetër.
Në këto raste, kryeviktima janë njerëzit e ndershëm e kredibilë. Në këto raste kundërpërgjigjja mund të vijë vetëm nga njerëzit që kanë guxim dhe integritet të lartë. Ndërsa integritet ka aty ku shkalla e rrezikshmërisë është e lartë. Nga këta despotë edhe integriteti sikur ka hyrë në birë të miut…
Ju lutem për pak integritet, në mos asgjë tjetër, se koha nuk pret!