Prishtinë, 07. 09. 2015: E quajtën pa ngurruar “Pranverë Arabe” e ajo na doli të jetë një kataklizëm për miliona arabë të pa mbrojtur nga ata që thirren në emër të Allahut! Shumëkush në botë nxiti, bëri thirrje dhe ndihmoj në forma të ndryshme, individ e grupe që ta përhapnin “Pranverën …” Pranverë që shkatërroi e po shkatërron çdo vlerë njerëzore që u krijua ndër shekuj. Po shkatërron kulturën e civilizimit botëror, të cilën kulturë nuk e shkatërruan asnjë luftë (as para e as pas erës sonë), krejt deri në shekullin e XXI! Shekulli që ka mundësi e obligim ta mbroj çdo lloj të trashëgimisë kulturore e fetare. Këtu shtrohet pyetja, nëse arabët i ruajtën ato vende kulturore të sumerëve, persëve, asirasëve, babilonasve e të fenikasve, krejt deri në shekullin e XXI, çka e si ndodhi kjo tani? Si është e mundur që ky rrënim i krijuar nga njeriu ndër shekuj dhe shumë vlera të djeshme e të sotme, të shfaqet me kaq shumë vandalizëm. Si ndodhi që kjo formë ndër më antinjerëzoret të ndodhë në shekullin XXI?
Kush mund të përgjigjet se si ndodhi lindja e monstrumit me emrin Shteti Islamik në djepin e civilizimeve më të vjetra të rruzullit tonë: në atdheun e sumerëve, asirasëve, babilonasve e të fenikasve?
Arkeologu sirian Khaled Assad (82 vjeçar)
Ekzekutimi me prerje koke i arkeologut sirian Khaled Assad (82 vjeçar!) vetëm e vetëm pse nuk pranonte të tregonte se ku ishin fshehur disa vepra me vlerë të madhe të trashëgimisë kulturore nga antikiteti i qytetit Palmyr është domethënës për vandalizmin dhe synimet e këtij shteti terrorist.
Nuk është e vështirë të dihet se në mbrojtje të kujt bëhet kjo luftë? Cilat interesa mbron kjo krijesë monstruoze që është bërë tmerr për popujt e asaj pjese të globit. Kush mund të jetë indiferent ndaj eksodit të dhimbshëm të popujve të asaj pjese të botës që mediet e kanë kufizuar vetëm në eksodin sirian? I ashtuquajturi Shteti Islamik aplikon gjenocid ndaj çdo gjëje që është ndryshe prej sektës së tyre. Ata synojnë të shkatërrojnë çdo grup fetar, racor, etnik apo kombëtar që dallon nga botëkuptimi i tyre.
Nuk do ta kisha zgjatur më shumë sepse për këtë realitet tragjik mediet kanë informuar gjerësisht. Atë që dëshiroj të bëj publik përmes këtij shkrimi të shkurtër lidhet me qëndrimet që ne duhet të mbajmë rreth kësaj tragjedie njerëzore. Ne shqiptarët që patëm fatin e keq të ballafaqohemi me politikë gjenocidale në fund të shekullit XX duhet të gjejmë format adekuate që me “kaçikun” tonë të dëshmojmë solidaritetin ndaj viktimave të gjenocidit të të ashtuquajturit Shtet Islamik.
IS enthauptet früheren Chefarchäologen des antiken Palmyra