Prishtinë, 04. 07. 2015 – I nderuar z. Roth, Ju falënderoj që keni marrë mundin t’i përgjigjeni shpejt letrës sime përmes së cilës unë kam shprehur bindjen time të palëkundur, se krimet e luftës duhet të trajtohen njësoj pavarësisht se kush i ka kryer ato. Duke u bazuar në parimin se drejtësia është universale, unë thjesht refuzoj t’i ndaj krimet në “krimet tona” dhe “krimet e tyre”. Nga letra juaj del se pajtoheni plotësisht me këtë qasje. Megjithatë, desha të saktësoj, përkundër asaj që askush nuk mohon faktin se në Kosovë janë kryer krimet më të shëmtuara kundër njerëzimit, një numër jo i vogël i negocionistëve mohojnë se në Kosovë është kryer gjenocidi i shtetit serb kundër shqiptarëve.
Zoti Roth,
në letrën e fundit ju theksoni me plot të drejtë se në Kosovë, nga forcat serbe, janë kryer krime të tmerrshme dhe se për ndëshkimin e këtyre krimeve nuk ka pasur përparime të mjaftueshme dhe se shumë krime të kryera në Kosovë kanë mbetur të pandëshkuara. Mosndëshkim i kriminelëve që i kryen këto krime të tmerrshme është njëra anë e medaljes së padrejtësisë me të cilat është ballafaquar Kosova e pasluftës. Faqja tjetër e kësaj medaljeje ka të bëjë me gjoja vrasjen e civilëve që i mvishen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe kjo mund të verifikohet fare lehtë nga dëshmitë, madje të dëshmitarëve serbë.
Letërpërgjigje e drejtorit ekzekutiv të Human Rights Watch,
Kenneth Roth për Jakup Krasniqin.
Zoti Roth,
pikërisht ky aspekt i krimeve qëndron në bazën e argumentit Tuaj përse Human Rights Watch mbështet krijimin e Gjykatës Speciale. Ju e thoni tepër qartë se kjo Gjykatë duhet të krijohet sepse “dyshohet që në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë dhe pas luftës janë kryer krime të rënda nga forcat e UÇK-së, për të cilat pak njerëz kanë dhënë llogari”. Tani, i nderuari Z. Roth, kur thoni “gjatë dhe pas luftës”, çfarë do të thotë kjo, derisa pas 21/22 qershorit 1999, as në Kosovë e as në Shqipëri nuk ka pasur struktura të organizuara të UÇK-së?!
Zoti Roth,
askush nuk e konteston faktin se gjatë luftës dhe pas saj në Kosovë janë vrarë civilë. Por, ky konstatim imponon domosdoshmërinë që të ndriçohen tërësisht vrasjet sepse, nuk e di se sa jeni në dijeni për publikimet e fundit në Beograd se, Shërbimi Sekret i Serbisë ka kryer vrasje të civilëve serbë, shqiptarë dhe të përkatësive tjera në funksion të ngritjes së urrejtjes antishqiptare dhe paraqitjes së UÇK-së si organizatë terroriste.
Po ua përmend vetëm rastin e vrasjes së të rinjve serbë dhe malazezë në kafenenë “Panda” të Pejës, më 14 dhjetor 1998. Për këtë krim edhe Human Rights Watch njoftoi në raportin e vet “Under Orders. War Crimes in Kosovo” të vitit 2001 (shih:http://www.refworld.org/pdfid/3c2b204a0.pdf).
Gjatë 15 viteve rresht ky krim dhe emrat e 6 të rinjve serbë dhe malazezë, të vrarë në këtë aksion, figuronin në të gjitha listat e civilëve të vrarë që i mvisheshin UÇK-së! Pas 15 viteve, kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri publike se këtë akt terrorist e kishte organizuar dhe kryer Shërbimi Sekret i Serbisë me qëllim që të krijohej përshtypja se UÇK-ja është organizatë terroriste.
Së këndejmi, kam një pyetje të thjeshtë Z. Roth: Kush mund të garantojë se shumë vrasje makabre të pasluftës, të kryera në Kosovë mbi qytetarët serbë, nuk janë bërë nga i njëjti shërbim politik (Shërbimi Sekret i Serbisë)?
Zoti Roth,
mediat serbe publikuan edhe kërcënimin e shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviq, drejtuar Kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, se nëse nuk do ta trajtojnë si dëshmitar bashkëpunues “ai do të zbulojë listën e krimeve të bëra nga ky shërbim kundër serbëve dhe shqip¬tarëve në Kosovë.” Publikimi i kësaj liste krimesh të kryera nga shteti serb, sipas fjalëve të ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb “do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë.” Ju lutem, verifikoni këto gjëra, sepse drejtoni një organizate kredibile për të drejtat e njeriut në shkallë botërore!
Zoti Roth,
në letrën tuaj të fundit ngritët shqetësimin lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve. Nëse vërtet jeni të interesuar të ndriçohen të gjitha krimet në Kosovë, atëherë Ju, organizata juaj respektive dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare duhet të kërkoni me ngulm që të sigurohet ish-shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviq, i cili ka koordinuar vrasjet e civilëve dhe i cili është dëshmitar i krimeve të kryera në funksion të strategjisë së paraqitjes së UÇK-së si “organizatë terroriste që ka kryer krime të rënda”. Mbrojta e tij dhe tërheqja nga Serbia mund të ndihmojnë në ndriçimin e shpejtë të krimeve për të cilat bëhet fjalë.
Zoti Roth,
unë ju përmenda vetëm rastin e vrasjes së të rinjve në kafenenë “Panda”. Një analizë e hollësishme dhe e argumentuar lidhur me listat e përpiluara nga Shërbimi Sekret i Serbisë, për civilët e vrarë që i mvishen UÇK-së, është botuar në muajin shkurt të këtij viti në librin e politologut Bardhyl Mahmuti. Kjo analizë, respektivisht ky libër me interes të madh do të botohet edhe në gjuhën angleze. Po qe se iu bie në duar ky libër dhe, pasi të shihni se kush qëndron prapa listave të qindra civilëve të vrarë, atëherë do të bindeni se krijimi i Gjykatës Speciale është sajesë e njëanshme, e padrejtë dhe rrezikon të fshehë gjurmët e kriminelëve të vërtetë.
Vetëm institucionet e drejtësisë (me standarde të njohura të botës demokratike), që do të kishin preokupim kryesor zbulimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të vërtetë, do të mund të sillnin drejtësinë për të gjitha viktimat në Kosovë.
Shkurt, drejtësia është universale, ajo duhet të vijë në vend për të gjitha viktimat e luftës!
Sinqerisht,
Jakup Krasniqi
___________
Post Scriptum:
Zoti Roth, për ata që nuk kanë pasur mundësi të njihen me zbulimin e fakteve të vrasjeve, të cilat u kryen nga Shërbimi Sekret i Serbisë, ju sugjeroj që, të paktën, ekipet tuaja t’ua përkthejnë nga gjuha serbe këto tri shkrime:
1. Radio-televizija Srbije, «Vučić: Država je ubila Ćuruviju», 29.12.2013:
http://www.rts.rs/page/stories/sr/story/9/Politika/1482926/Vu%C4%8Di%C4%87%3A+Dr%C5%BEava+je+ubila+%C4%86uruviju.html
2. Kurir, «Rade Marković dao nalog da se ubiju srpska deca u Peći 1998?!», 17.01.2014:
http://www.kurir-info.rs/rade-markovic-dao-nalog-da-se-ubiju-srpska-deca-u-peci-1998-clanak-1182597
3. Kurir, «Vuk Drašković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!»
http://www.kurir.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359