Tiranë, 3 korrik 2017: Komploti ka qenë i pranishëm në shoqërinë njerëzore që prej agimeve të saja, por të flasësh sot për të, paraqet jo pak vështirësi dhe rreziqe. Kjo për faktin evident, sepse është trasformuar në ideologji duke marrë prapashtesën “izëm”, pra komplotizëm. Njësoj si paraja, ajo ka ekzistuar gjithmonë por sot është pervazive në çdo aspekt, aq sa ka zënë vendin e Zotit, do thoshte Niçe. Kjo problematizon e përmbys gjithçka duke ndryshuar natyrën e fenomenit, sepse ndryshimet sasiore çojnë në ndryshime cilësore, Hegel docet.
Besoj se diskutimi duhet shtuar pikërisht në këto shina.
Pra çfarë shtyn miliona njerëz të shpjegojnë gjithçka me anë të komploteve dhe mbi të gjitha çfarë pasoje ka kjo për shoqëritë tona?
Pas shtrimit të pyetjes së duhur, një studjues i vëmendshëm përkujdeset që nga ana metodike mos të ngatërrojë shkakun me pasojën. Do të ishte shumë e lehtë të fajësonim (si gjithmonë) për këtë gjë masat, që papritur bëhen super-histerike dhe besojnë çdo fantazi që u thuhet. Në fakt, mendoj se është pikërisht e kundërta, se kjo është pasoja dhe jo shkaku.
Shkaku i vërtetë duhet kërkuar tek dështimi i një politike që luhet pas perdes. Një politikë e cila ka humbur besimin e popullit sepse ka ndaluar së kuruari interesin publik apo të mbajë premtimet, pavarsisht rezultatit të votimeve. Të ndjerë të tradhëtuar prej dekadash nga një politikë që ndjek interesa të tjera nga ato të popullit, ky i fundit nuk ka më besim tek ajo dhe “të vërtetat zyrtare”. Është kjo arsyeja se përse gjithmonë e më pak qytetarë i besojnë qarkut mediatik i lidhur pas pushtetit politik dhe ekonomik të një kaste. Pra mosbesimi i popullit tek një politikë autoreferenciale shkon paralel me mosbesimin në medie vasale që ka dështuar në prodhimin e së vërtetës, që fsheh problemet reale dhe fabrikon një realitet të rremë.
Ky fenomen, nuk ndodh vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, edhe pse këtu çdo gjë negative merr përmasa të frikshme. Gjithmonë e më shumë njerëz kanë braktisur median tradicionale dhe përqafuar rrjetet sociale, ku informacioni nuk filtrohet me anë të gazetarëve, por vendoset direkt mes internautëve (peer to peer). Është kjo arsyeja se përse evente si fitorja e Trump, Brexit, referendumi italian nuk u parashikua apo përcaktua prej rolit të medias por falë rrjeteve sociale.
Teoria e komplotit, në këtë aspekt mund të shërbejë shumë mirë si një teknikë për të kuptuar strategjinë e një politike gjithmonë e më pak transparente. Shumë shqiptarë sigurisht nuk pranojnë si të vërtetë atë çfarë krerët e politikës deklarojnë para kamerave dhe kanë të drejtë. Fatet e Shqipërisë janë vendosur jo në diskutime institucionale në parlament, por nga paktet mes krerëve të politikës, si është dhe pakti i fundit mes Bashës dhe Ramës. Në mungesë të përmbajtjes së këtij pakti, sistemi nuk bën gjë tjetër se shton “kuriozitetin” e shqiptarëve për lojrat e pallatit të pushtetit.
Sigurisht negocimet politike nuk bëhen gjithmonë win-win, pra të dyja palët të gjejnë një pikë të përbashkët të favorshme, por shpesh për shkatërrimin e palës tjetër dhe forcimin e pozitës së pushtetit. Kjo nuk ndodh vetëm brenda politikës kombëtare por dhe asaj mes vetë shteteve. Shtetet nuk kanë vetëm ambasadorë por dhe shërbime inteligjente apo kundërzbulim, për të kuptuar realisht objektivat e një shteti tjetër nga versioni zyrtar. Mjafton të kuptojmë fërkimet që ka sjellë aktiviteti i NSA amerikane me shumë qeveri nëpër botë për mbledhjet e të dhënave npj backdoor të celularëve tanë.
Pra këtu pyetja nuk është nëse ekzistojnë apo jo komplotet. Ato kanë ekzistuar që në kohët e lashta me komplotin kundër Çezarit, Katilinës deri tek praktika e diplomacisë mesjetare e më vonë, me nënshkrimin e traktateve të fshehta, objekt i të cilave ka qenë dhe copëzimi i Shqipërisë nga fuqitë e mëdha. Kurse sot praktika e këtyre traktateve të fshehta është e dënueshme prandaj Karta e OKB-së kërkon depozitimin e çdo traktati bilateral apo multilateral pranë Sekretarisë së Kombeve të Bashkuara. Sigurisht kjo s’do të thotë që me të vërtetë ajo praktikë nuk ushtrohet më edhe në ditët e sotme. Pra komplotet ekzistojnë në të gjitha fushat kur njerëz apo grupe të ndryshme interesi kërkojnë të realizojnë në favor të tyre diçka që nëse do dilte në dritën e diellit do kritikohej nga shoqëria apo dënohej penalisht. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për shtimin eksponencial të masonerive por dhe ato që njihen si komplote financiare, për të marrë kontrollin e një shoqërie aksionere ose për të influencuar bursat financiare, gjendjen ekonomike të një shteti e kështu me radhë. Këto parashikohen si vepra penale dhe janë dënuar gjithmonë nga e drejta si ka qenë legjislacioni antitrust amerikan dikur apo sot aktiviteti i lobeve të ndryshme që influencojnë parlamentet dhe qeveritë. Shpesh herë qeveritë kanë sekrete shtetërore të cilat i bëhen të njohura publikut disa dekada më vonë dhe ku del qartë se të vërtetat nuk koinçidojnë me “deklaratat zyrtare”
Pa i hequr një presje asaj çfarë thamë më sipër, kjo s’do të thotë që të gjitha komplotet janë reale. Homeri përshkruan në mënyrë magjistrale si një inskenim i zotrave atë çfarë ndodhte me luftën e Trojës. Ky lloj komplotizmi teologjik nuk dallon shumë prej atyre komploteve të mistershme që mbeten të tilla sepse as nuk mund të verifikohen e as të hidhen poshtë, si sqaron Simmel apo vetë Karl Popper. Një sekret i tillë bosh rrezikon të manipulojë masat e të trasformohet në një instrument të pushtetit.
Dhe këtu arrijmë në pikën më delikate.
Shpërthimi i komploteve në një masë të pakontrolluar, e ka trasformuar atë në një ideologji, pra në komplotizëm. Nga funksionimi i sistemeve arrijmë të kuptojë që asnjë ideologji nuk mund të zhvillohet nëse nuk është në sinkron me ideologjinë bazë të sistemit ose neoliberizmin.
Thelbi i kësaj ideologjie është pikërisht marrja e vendimeve larg syrit të qytetarëve, pra prej elitave. Është emblematike në këtë aspekt, dokumenti qendror i Trilateral Commission “Kriza e Demokracisë” i cili konfirmon tezat neoliberiste të Hayek, Schumpeter etj, se vendimet e rëndësishme nuk duhen marrë në mënyrë demokratike. Madje pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në proçeset demokratike është e rrezikshme dhe aspak efiçente. Divorci i neoliberizmit prej demokracisë-liberale që kishte udhëhequr Perëndimin pas luftës së dytë botërore është sot shkaku kryesor i degradimit jo vetëm të demokracisë por dhe ekonomisë ngecur në një stanjacion që po prodhon konflikte sociale e ndërshtetërore. Vendimet më të rëndësishme tashmë i shpëtojnë kontrollit demokratik të popujve, shtylla kryesore e legjitimitetit të shtetit modern.
Kuptohet në këtë mënyrë që nëse elitat duan që vendimet e rëndësishme të merren në dhoma të mbyllura e politikanët të merren veçse me sllogane, nuk mund të ndalosh popullin të mendojë strategjikisht në qëllimin e vërtetë të proçeseve politike antidemokratike.
Çuditërisht në vend që të frenonte shpërthimin e komplotizmit duket sikur makina e sistemit shkon në drejtimin e kundërt, pra në nxitjen e teorive komplotiste.
Por përse?
Në fakt, kjo është karakteristika e totalitarizmit neoliberist. Ai nuk fsheh problemet dhe fenomenet, por thjesht përmbys vizionin mbi to. Krijimi i një sindrome komplotiste tek shumë njerëz është një armë perfekte për të likujduar dhe deligjitimuar cilido që tenton të argumentojë kontradiktat e thella të këtij sistemi. Etikitimet si komplotist, konspirativ, radikal, populist etj., sjellin në mend etikitimet e regjimit enverist për kundërshtarët si: revizionist, imperialist, borgjez, shfaqje e huaj etj. Në planin psikologjik kjo godet dhe neutralizon kundështarin si të padenjë për tu dëgjuar apo kundërshtuar me argumenta.
Është një teknikë perfekte që funksionon në forcimin e pushtetit.
Por atëherë çfarë duhet bërë në këtë botë kaq të komplikuar?
Atë që kemi bërë gjithmonë, të përpiqemi për ta kuptuar e deshifruar, pa rënë asnjëherë pre e miticizimit.
Ashtu si thamë më sipër, teoria e komplotit, mund të shërbejë vetëm si një teknikë, për të shtyrë qytetarin apo studjuesin, mos ti besojë versionit zyrtar. Dyshimi metodik kartezian ishte shtylla e progresit të Perëndimit por ajo nënkupton jo dyshimin maniakal por shtysën për të kërkuar pa fund argumenta pro dhe kundër. Pra një aktivitet racional. Kalimi nga një ekstrem në tjetrin, se nuk ka komplote apo gjithçka është komplot, është vepër e instikteve dhe jo logosit. Fryt i logosit, është “metron” pra gjetja e ekulibrit si për grekët apo dhe romakët. Komplotizmi nuk mund të shndërrohet në qëllim në vetvete apo më keq, në një dogmë. Kjo jo vetëm që nuk ndihmon individin por e ndan atë nga bota. Nëse fatet e tij i vendosin fuqitë kaq të mëdha çfarë mund të bëjë një njeri i thjeshtë. Si shprehte me shqetësim Pasolini, kjo është shkatërrimtare sepse nga një anë gërryen aksionin kolektiv të njerëzve dhe nga ana tjetër kënaq dembelizmin mendor dhe sedrën e sëmurë të individit. Njeriu dorëzohet për të ndryshuar botën si ka bërë gjithmonë, ajo mbetet pronë e disa elitave ndërsa miliona qytetarë trasformohen në spektatorë.
Është emblematike sovrastruktura neoliberiste e cila gërryen çdo aksion kolektiv duke vënë theksin tek individi, tek shprehjet “you can be a winner, everyone may be a leader, don’t change the world but yourself” etj., si këto. Sigurisht këto shprehje vijnë në anglisht, në gjuhën e perandorisë për të integruar shqiptarët në sovrastrukturë dhe dizintegruar në strukturë. Krijimi i një makinerie të frikshme propagande, që nga holliwood, mediat main stream, ojf neoliberiste, manipulimi i shkollave, analistëve dhe klerikëve të sistemit, krijon një presion total drejt konformizmit të masave e sidomos brezave të rinj me sovrastrukturën neoliberiste. Pa e kuptuar, ata e metabolizojnë atë duke e bërë tyren si diçka natyrore që gjithmonë ka qenë e gjithmonë do jetë.
Ndjej më shumë se keqardhje kur shoh qindra studentë që u besojnë më shumë librave konspirative sesa librave të shkollës. Libra me piramida, sy e kafka që kanë pushtuar edhe libraritë shqiptare. Kjo do të thotë që shkolla nuk po luan më rolin e saj, në shpjegimin e fenomeneve që shqetësojnë shoqërinë tonë. Por njeriu nuk gjen rehati nëse nuk shpjegon dot botën. Nëse ai nuk ka instrumenta për ti dhënë një kuptim racional atëherë ai do u besojë mitologjisë, bestynive apo komploteve të sotme.
Filozofia dhe shkenca lindi pikërisht për t’iu larguar një botë mistike, ku prodhimi i së vërtetës duhet të kalojë nëpërmjet proçeseve racionale, logosit e jo dogmës. Por si pranon Herakliti nga një anë që të gjithë njerëzit janë pajisur me logos, jo të gjithë arrijnë ta “ndezin” atë.
Shpikja e internetit dhe rrjeteve sociale ka zhvilluar në mënyrë eksponenciale jo vetëm fenomenet pozitive por dhe ato negative.
Shihni nëse në fb apo instagram, se nëse është më lehtë të përhapësh një informacion shkencor me formula apo një foto sensacionale dhe thënie çudibërëse, ku të gjithë transformohen në filozofë. Ashtu si thoshte Umberto Eco, budallai i fshatit tashmë është bërë budalla global dhe nuk ndihet më i vetmuar. Ai nxitet drejt postimit të gjërave idjote, aq më shumë kur vetë sistemi promovon shtimin eksponencial të idjotizmit. Budallai nuk ndihet keq se përse nuk ka kompetencë mbi fusha të ndryshme si dikur, gjë që e bënte të mësonte diçka ose të heshte. Sot ai kupton se nuk është vetëm, se ka shumë budallenj si ai dhe rrjeti ka “ushqim” për të gjithë. Nëse nuk kupton gjë nga filozofia, ekonomia, financa, drejtësia, psikologjia, historia etj., mjafton të shohësh një video shokuese e ja ku “kuptove të vërtetën”, pa harxhuar vite e mund si budallenjtë që rrinë mbi libra. Por ky nuk është problem i internetit. Ky i fundit është thjesht një teknikë dhe si i tillë mund të përdoret për mirë apo për keq. Interneti nuk krijon budallepsje por e dokumenton atë.
Problemi është degradimi i shkollës dhe prodhimi i një shoqërie konsumeriste pre e dëshirave të induktuara dhe jo arsimit, artit, kulturës.
Prodhimi i një rinie të tillë është funksionale ndaj këtij sistemi. Ajo bëhet individualiste, egoiste, antikomunitariste, maniakale dhe banale, pra nuk përbën kërcënim për status quo-n e sistemit.
Sistem që mund të rrëzohet nëse nuk mjaftohemi me dyshimet mbi komplotet por kuptojmë dhe mënyrat për tu mbrojtur. Në këtë mënyrë psh, nuk ka shumë rëndësi sesa pëllasim për veprat e Sorosit kundër Shqipërisë, nëse nuk propozojmë dhe mbështesim ato reforma që shtojnë kontrollin demokratik të popullit mbi shtetin e vet, nëse nuk kërkojmë kthimin e bankës së Shqipërisë nën kontrollin e Parlamentit, nëse nuk kërkojmë kthimin e parlamentit nën kontroll të qytetarëve dhe jo liderrrit apo partisë. Mund të vijonim pa fund edhe për aktualitetin e vazhdimit të betonizmit falë lali Erit. Ka shumë mënyra, ose mjaftohemi tek komplotet 27 vjeçare mes mafies politike dhe mafies së ndërtimit, ose kërkojmë që çdo plan rregullimi të mos aprovohet pa kaluar me referendum qytetar.
Si e shohim zgjidhje ka pasur e ka gjithmonë, por ato i fshihen publikut dhe popullit.
Sistemi do bëjë çmos që të trajtojë komplotizmin dhe fenomenet e tjera si problem i një populli të sëmurë dhe prandaj që duhet kuruar prej elitave.
Por në fakt të sëmurë janë vetëm këto elita barbare që përqendrojnë pushtetin politik, ekonomik, finanicar e mediatik në pak duar, duke shkaktuar varfëri e konflikte mes qytetarëve lënë ne mjerim, injorancë dhe dizinformim.
Dr. Ledian Droboniku, Bashkëthemelues i ShqipON.