DR.LILJANA KRISTULI: SJELLJA SEKSUALE DHE ҪRREGULLIMET E SAJ – PEDOFILIA / 2 /

Pashtriku.org, 05. 11. 2015: Në këtë kapitull po përmendim disa nga llojet e sjelljes seksuale, si dhe disa nga çrregullimet e saj, që i përgjigjen qëllimit të këtij libri.
• Heteroseksualë quhen personat që seksualisht pëlqejnë personat e gjinisë tjetër.
• Personat e tërhequr seksualisht nga të dy gjinitë, pavarësisht se kujt gjinie i përkasin ata vetë, quhen biseksualë.
• Kur pëlqejnë seksualisht personat e gjinisë së cilës i përkasin quhen homoseksualë.
• Masturbim quhet akti i provokimit të kënaqësisë seksuale duke u vetë ngacmuar. Masturbimi është mjaft i përhapur në adoleshencë. Zakonisht, praktikohet për të plotësuar një nevojë fizike dhe ndihmon të riun për të njohur më mirë trupin dhe ndjeshmërinë e tij. Duke qene një aktivitet normal është pothuajse pa pasoja.

Masturbimi në vajzat është disi më i ndryshëm nga ai i moshatarëve, sepse ndjeshmëria e tyre është e përgjithësuar dhe jo e përqendruar vetëm në një organ të trupit si tek djemtë. Ato shpesh rrinë para pasqyrës, marrin poza, prekin pjesë të ndryshme të trupit duke u vetë pëlqyer ose duke kritikuar defektet. Edhe për vajzat ky lloj aktiviteti është pa pasoja dhe braktiset shpejt.
Një adoleshent, nuk ka pse të ndruhet nëse praktikon masturbimin. Ky është një aktivitet normal dhe madje fiziologjik për këtë fazë të rritjes. Masturbimi merr një natyrë patologjike në qoftë se vazhdon të ushtrohet edhe kur personi ka një partner.
Për këtë arsye është mbiquajtur “seksi i të vetmuarit” sepse shpreh vetminë fizike dhe shpirtërore nga mungesa e partnerit ose që nuk kulmohet as nga një raport normal me të. Bëjnë pjesë në çrregullimet e sjelljes seksuale, mazohizmi, sadizmi dhe pedofilia.
• Janë mazohistë individët që pëlqejnë të trajtohen keq fizikisht apo psikologjikisht nga partneri për të ndjerë kënaqësi seksuale.
• Quhen sadistë individët që arrijnë kënaqësinë seksuale duke i shkaktuar partnerit vuajte, poshtërime, dhimbje.
• Pedofilë janë individët që abuzojnë seksualisht me fëmijë të vegjël.

PEDOFILIA
Pedofilë quhen individët që abuzojnë seksualisht me fëmijë të vegjël të moshës para pubertetit, pra rreth moshës 10-11 vjeçare. Kronikat flasin për raste dhune me fëmijë edhe më të vegjël se sa kjo moshë. Pedofili mund të jetë mashkull ose femër. Kur një i rritur është i interesuar seksualisht për vajza të vogla, merr emrin corefil. Për thjeshtësi, për këtë çrregullim të sferës seksuale, përdoret termi i përbashkët pedofilia.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org,sh.b)

Pedofili zakonisht parapëlqen fëmijë të një moshe të caktuar, dhe humbet interesin sapo viktima e kalon këtë moshë. Orientimi i tyre drejt një fëmije mund të jetë heteroseksual, biseksual ose homoseksual. Quhen pederastë kur interesohen për djem të moshës nga 11 në 16 vjeç. Nuk ka asgjë të veçantë në pamjen e jashtme që mund t’i dallojë pedofilët nga personat e tjerë. Megjithëse jo rrallë kanë raporte seksuale me të rritur ose janë të martuar, abuzojnë edhe me fëmijë.
Psikologët thonë se ata nuk janë të rritur mendërisht, e raporti me të vegjlit i bën të ndjehen të rëndësishëm, të zotë, me pushtet. Shpesh, ata vetë në vegjëli, kanë pësuar dhunë nga të rriturit.
Pedofili i vëzhgon me kujdes fëmijët që mund të bëhen viktimat e tij. Ai zgjedh si tipin që rri i vetmuar, që është i ndrojtur, ashtu edhe fëmijë të çiltër, që bëjnë shpejt shoqëri me të gjithë. Pedofili paraqitet si mik që ja do të mirën dhe që e merr në mbrojtje, e përqafon, e përkëdhel, i bën dhurata, i jep të holla, duke arritur kështu ta bëjë fëmijën, të varur materialisht dhe psikologjikisht prej tij. Ai kërkon ta bindë viktimën se në këtë marrëdhënie nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, “shoqëria” ndërmjet tyre është diçka speciale dhe pikërisht për këtë arsye duhet ta mbajnë sekret.
Pedofili mund të bëjë pjesë edhe në rrethin shoqëror apo familjar të fëmijës. Për këtë bën ç‘është e mundur që të fitojë besimin e prindërve. Ai di të maskohet mirë duke marrë rolin e atij që përkujdeset për fëmijën i cili ka probleme me shkollën, me kurset jashtë shkollore, me sportin apo me shëndetin.
Ka pedofilë që abuzojnë vetëm me fëmijët e rrethit familjar. Është e vështirë të besosh që babai, xhaxhai, gjyshi, njerku, vëllai abuzon me vajzën, nipin, mbesën, thjeshtrën apo motrën. Për fat të keq, ndodh.
Kur fëmija fillon të mbrohet dhe të kundërshtojë, pedofili, kundërvepron. Ai bën të pamundurën që ta mbajë fëmijën akoma nën zgjedhën e tij sepse nuk do të humbasë autoritetin mbi viktimën, dhe as të merret vesh e vërteta. Duke përfituar nga epërsia e tij, i ushtron presion, e tall, e kërcënon, dhe arrin deri aty sa të bëjë viktimën të ndjehet fajtor, vetëm e vetëm për ta detyruar të heshtë. Shpesh nuk mjaftohet vetëm me fjalë dhe kërcënime.
Në qoftë se je një fëmijë, dhe dikush të bezdis, në qoftë se këto rreshta të kujtojnë dikë që sillet me ty në këtë mënyrë, mos harro: Nuk është faji yt. Ti je një viktimë e pafajshme.
Marrë nga libri: “Heshtja nuk është zgjidhje” – Liljana Kristuli.
***
DR.LILJANA KRISTULI: HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE (DHUNA, ABUZIMI, BULIZMI, STALKING, MOBING, DROGA) / 1 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4579

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura