Tiranë, 18. 06. 2014 – Fischeri thotë me të drejtë se “lufta e nxori Shqipërinë jashtë një forme izolimi, por njëkohësisht e vërtiti atë në një formë tjetër. Edhe përpara luftës, Shqipëria ishte në të vërtetë vendi më i izoluar i Europës. Përvoja e kohës së luftës e vuri detyrimisht Shqipërinë në kontakt me të huajt dhe me armët e tyre”. Gjithashtu Fischer thekson, se çdo aspekt i qytetërimit shqiptar u mat me përvojën e kohës së luftës. “Nuk është e mundur të kuptosh shqiptarët – diçka që po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme me hapjen e Shqipërisë ndaj pjesës tjetër të botës së kohëve të fundit, pa një kuptim të qartë të Shqipërisë gjatë kohës së luftës.
Ndoshta Lufta e Dytë Botërore mund të të trajtohej tej mase, por në këtë rast të kuptuarit e Shqipërisë gjatë periudhës 1939-1945 është vendimtar, nëse kërkojmë të trajtojmë në mënyrë të zgjatur shqiptarët e fundviteve 1990. Ndërkohë që Shqipëria po përpiqet për herë të parë të bëhet pjesë e Europës në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe po nxirret e papërgatitur për t’u shfaqur nën dritat e skenës ndërkombëtare, si rrjedhojë e tragjedisë në vazhdim të Ballkanit të viteve 1990 dhe kolapsit shqiptar të vitit 1997, të kuptuarit e viteve të luftës, të cilat kontribuan aq shumë për t’i dhënë formë shtetit dhe kombit shqiptar gjatë 50 vjetëve të shkuar, do të ishte shumë i dobishëm”.
Fischer thotë se disa ditë pas pushtimit të Shqipërisë, Presidenti amerikan Rusvelt, bëri ndërhyrjen e tij të parë në politikën europiane, duke i bërë thirrje Hitlerit dhe Mussolinit, të jepnin garanci se ata nuk do të sulmonin 29 vende, të përcaktuara në një listë, për një periudhë 10 vjeçare. Ajo çka është më e rëndësishme, Britania e Madhe dhe Franca lëvizën menjëherë për të garantuar Greqinë dhe Rumaninë kundër çdo agresioni. Në Athinë, ambasadori britanik, i dorëzoi Qeverisë greke, garancinë pa kushte se Londra nuk do të lejonte, që Korfuzi, apo ndonjë pjesë tjetër e Greqisë të pushtohej prej italianëve. 10 ditë më vonë, britanikët shpallën mobilizimin e detyruar ushtarak, lëvizje kjo, që dukej se shënonte një ndryshim themelor në politikën e jashtme të Londrës. Menjëherë pas këtij zhvillimi kuptimplotë, Londra nënshkroi një pakt me Ankaranë.
Është shumë i rëndësishëm konkluzioni i Fischer se: “në një farë kuptimi, ngjarjet e Shqipërisë shënuan një etapë të rëndësishme në procesin e ndërtimit gradual të Koalicionit Antifashist për shkatërrimin e fashizmit. Gjithashtu, mund të pohohet se flijimi i Shqipërisë nuk shkoi kot, ndonëse shqiptarët nuk do të ngushëlloheshin dot kurrsesi prej një fakti të tillë.”
Të mprehta dhe serioze janë mendimet e Fischer për ndërtimin “e Shqipërisë italiane”. Ai e përshkruan shkrimtarin Ernest Koliqi, që u bë Ministër i ri i Arsimit në qeverinë shqiptare fashiste si një “Eminenca Gri” i Italisë në Shqipëri, dhe se emri i Koliqit ishte njollosur nga kompromisi, që kish bërë me italianët, dhe se ai bënte pjesë në listën e personave, që paguheshin nga Çiano personalisht. Më 13 prill 1939 Këshilli i Madh Fashist italian miratoi bashkimin e shpallur nga Asambleja Kushtetuese Shqiptare, ndërsa tri ditë më vonë, në Itali doli një ligj, që autorizonte dhe shpallte pranimin e Kurorës së Shqipërisë nga Viktor Emanueli.
Në 15 prill 1939, Verlaci kryesoi një delegacion shqiptar në Romë, në të cilin bënin pjesë 49 vetë, që do të vendosnin zyrtarisht t’i jepnin Kurorën Shqiptare Viktor Emanuelit III.
Anëtari më i shquar i delegacionit, veç Vërlacit, ishte peshkopi ortodoks Visarion, i cili menjëherë pas pushtimit italian nuk la gjë pa bërë për të mirëpritur pushtuesit, dhe fitoi në këtë mënyrë përbuzje të përgjithshme.
Gjatë fjalës së pranimit të kurorës së Viktor Emanuelit, si dhe gjatë fjalës së Mussolinit, shqiptarët ishin në ankth të dëgjonin fjalën “pavarësi”, por ata nuk e dëgjuan këtë gjë aspak.
Më 1939 u aprovua Kushtetuta, e cila e institucionalizoi bashkimin personal midis Shqipërisë dhe Italisë, duke vulosur humbjen e Pavarësisë Shqiptare.
Çiano shënoi në ditarin e tij “Operacioni për tredhjen e Shqipërisë, pa bërë pacientin të klithë nga dhimbja – aneksimi, tani praktikisht është realizuar”.
Kjo Kushtetutë bëri që krejt pushteti politik të përqendrohej në duart e diktatorit Duçe, nëpunësit e tij ekzekutivë qenë shefat e departamenteve të shtetit sundues dhe bashkë me ta ka edhe një guvernator të përgjithshëm.
Në të njëjtën kohë, Guvernatori i Përgjithshëm ushtron kontroll mbi regjimin kukull, i cili shërben si tampon midis autoriteteve të shtetit sundues dhe popullsisë së vendit të nënshtruar. Më 23 prill 1939 Jakomoni, përfaqësuesi i plotfuqishëm italian nga rangu i ambasadorit, u emërua Mëkëmbës i Parë. Ky u bë kështu sundimtar i vërtetë i Shqipërisë.
Më 3 qershor 1939, Ministri kolaboracionist Xhemil Dino, nënshkroi me Çianon në Pallatin Kixhi një traktat, që bënte shkrirjen e shërbimeve diplomatike dhe konsullore midis Italisë dhe Shqipërisë.
Më 26 maj 1939, qeveria e Kryeministrit Verlaci, “propozoi” shkrirjen e ushtrisë së vogël shqiptare prej 6 batalionesh dhe 6500 ushtarë me ushtrinë perandorake italiane. Ky ndryshim u miratua nga ligji italian i 13 korrikut 1939. Pushtuesit i dhanë rëndësi performancës politike. Që në 11 prill 1939, Çiano sajoi një grup shqiptarësh “që kërkonin formimin e Partisë Fashiste Shqiptare”. Më 23 prill 1939, Akile Starace, Sekretar i Partisë Fashiste Italiane, arriti në Shqipëri dhe me dy luftanije, veprime këto, të ndërmarra për të shpallur themelimin e Partisë Fashiste Shqiptare. Më 6 qershor 1939, Partia Fashiste Shqiptare shpalli statutin e vet, por u pajis me një kryesi të organizuar dhe me një Këshill vetëm në mars 1940. Sekretar i përgjithshëm i Partisë Fashiste Shqiptare u shpall Tefik Mborja. U krijua dhe Organizata e Gruas Fashiste si dhe “Ente Asistenzza Fassista”. Një orvatje trashanike u bë për të rekrutuar shqiptarë jashtë Shqipërisë si anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare, por kjo përpjekje dështoi.
Statuti i Partisë Fashiste Shqiptare i përjashtonte çifutët, gjë që kishte karakter racist. Tani e tutje Shqipëria dhe Italia konsideroheshin si territor i vetëm, përsa i përket doganave, po në sistemin doganor italian.
Politika fashiste italiane u bë zotëruese në gjithçka. Tashmë Shqipëria ishte “La quinta sponda” (“Bregu i pestë”) i Italisë.
Më 28 tetor 1940, tetë divizione italiane me rreth 140.000 vetë sulmuan Greqinë gjatë një fronti të gjatë rreth 200 km. Ky operacion qe një katastrofë për italianët, shqiptarët u ngritën në demonstrata kundër pushtimit të Greqisë dhe të rekrutuarit shqiptarë i braktisën formacionet e tyre. Lufta italo-greke krijoi një alibi të rrezikshme deri në ditët e sotme, të të ashtuquajturit “ligji i luftës” midis Shqipërisë dhe Greqisë. Është paradoksale mbijetesa e këtij absurdi deri më sot. Më 17 maj 1941, Viktor Emanueli III ju bë atentat gjatë vizitës së tij në Shqipëri nga djaloshi Vasil Laçi. Shtypi fashist e përshkruan Vasil Laçin si një njeri, që ishte “nën nomatisjen e një çmendurie poetike”. Në maj 1941 fashitët bastisën 1.130 shtëpi, 21.131 shqiptarë u quajtën armiq të shtetit dhe 5.270 shqiptarë u internuan. Fischer, flet për Myslim Pezën si udhëheqës i një çete antifashiste, i cili kish qenë kundërshtar i hershëm i Zogut. Luftëtarë antifashistë qenë edhe Baba Faja Martaneshi etj. Ndërkohë zhvillimet brenda Shqipërisë qenë të pareshtura. Dokumentohet veprimtaria komuniste në Shqipëri që në fillim të viteve 20. Në 1928 organizohet KONARE (Komiteti për Çlirimin Kombëtar). Veprimtari më aktiv i kësaj periudhe ishte Ali Kelmendi. Kominterni dërgoi në Shqipëri Koço Tashkon, i cili mbriti më 1937 dhe gjeti 4 grupe komuniste në grindje me njëra-tjetrin me gjithsej 200 anëtarë. Grupi komunist i Korçës mbështeti Kominternin. Në shkurt 1939 u arrestuan dhe iu bë gjyqi shumicës së grupit komunist të Shkodrës. Më 8 nëntor 1941 u themelua Partia Komuniste Shqiptare. Krijimi i Konferencës së Pezës më 1942, qe një ngjarje madhore. Sipas Fischer-it Myslim Peza qe kthyer në një legjendë në Shqipëri. Konferenca e Pezës, përcaktoi programin:
1. Luftë pa kompromis kundër pushtuesve fashistë e tradhëtarëve, për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike.
2. Organizimi i gjithë shqiptarëve në front, për çlirim kombëtar pa dallim klase, bindjeje politike, feje dhe krahine.
3. Këshillat nacional-çlirimtare të ngriheshin kudo si organe të pushtetit popullore.
4. Kryengritja popullore e armatosur duhej të popullarizohej dhe të përgatitej për fazën e saj të fundit, si rrjedhojë logjike e luftës partizane. Mospërmendja e reformave rrënjësore shoqërore në këtë platformë synonte të tërhiqte mbështetjen e jokomunistëve. Këshilli i përgjithshëm mbikëqyrte këshillat nacionalçlirimtare dhe njësitë partizane.
Krijimi i organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti qenë në thelb një kundërvënie ndaj Partisë Komuniste dhe lëvizjes partizane, thotë Fischer. Por një konstatim i tillë nuk ishte një gjë, që duhej thjeshtëzuar. Është fakt se shumë intelektualë me formim kulturor të këtyre organizatave kanë patur edhe traditë edhe veprimtari atdhetare, gjë që nuk mund të mohohet. Figura të tilla si Lumo Skëndo, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, Safet Butka etj., kanë veprimtari kulturore dhe letrare. Një pjesë e tyre qenë antizogistë dhe qenë të aspiruar nga idetë e demokracive perëndimore. Ata nuk e donin komunizmin por pjesëmarrjen e komunistëve në luftën e armatosur antifashiste nuk e vlerësuan me objektivitet, duke e parë si një pikë kundërshtimi të vazhdueshëm, pra si një opsion përjashtues nga të gjitha pikëpamjet. Por kjo ishte në kontradiktë me vetë dukurinë e boshtit antifashist botëror, që u sendërtua jo nga përjashtimet e ndërsjellta doktrinore, sepse shtete me sisteme të ndryshme politike madje antagoniste nga pikëpamja doktrinore si Bashkimi Sovjetik komunist dhe Anglia me SHBA, kështjella të konceptit shoqëror të demokracive perëndimore arritën të ngrihen mbi dallimet e kontrastet dhe të bashkojnë forcat në një luftë të koordinuar kundër nazifashizmit botëror. Shembulli i këtyre tre shteteve të mëdha në momentin historik duhej të qe kuptuar më mirë nga tërë atdhetarët në Shqipëri, qoftë jokomunistë, qoftë dhe komunistë. Le të marrim shembullin e Francës. Në luftuan si antifashistë edhe komunistët por edhe nacionalistët e De Golit. Nëse De Goli nuk do të luftonte statusi i tij moral në histori nuk do të ekzistonte. Peteni, qe heroi i Verdunit, hero i Luftës së Parë Botërore në Francë. Por Peteni me Qeverinë e tij të Vishisë u bë një kolaboracionist me nazistët, madje duke ligjësuar edhe persekutimin e hebrenjve. Pas luftës Peteni u dënua me pushkatim si tradhëtar, më pas dënimi i tij u ndërrua në burgim të përjetshëm. Askush nuk e fali kolaboracionizmin e tij. Nëse Franca nuk e fali kolaboracionizmin pse Shqipëria nuk duhet ta dënojë kolaboracionizmin? Pse shembulli i Francës është i pakritikueshëm dhe diçka e pranueshme? Kolaboracionizmi qe një dukuri universale në Europë. Qeveritë Kuislinge shqiptare janë një shëmbëlltyrë e qartë dhe e neveritshme. Kjo optikë është e vlefshme edhe për shqiptarët. Moskuptimi i kësaj optike është një marrëzi. Si Balli Kombëtar ashtu dhe Legaliteti ndoshta nuk e donin pushtimin fashist të Shqipërisë në programet e tyre. Ata ngritën edhe disa grupe të armatosura, patën lidhje me aleatët anglo-amerikanë, madje edhe me partizanët, por mosmarrëveshjet për një bashkëpunim midis tyre morën një karakter fatal, të pariparueshëm më. Figura të tilla si Abaz Kupit për një kohë të gjatë u quajtën si figura potenciale, për t’u integruar në luftën e armatosur. Bënë dhe aksione të veçanta, madje si Hysni Lepenica e Skënder Muço u vranë nga pushtuesit. Shumë nacionalistë patën procesin e tyre të evolucionit në dy skaje: një pjesë e madhe u hodhën me forcat partizane sidomos në 1944 kurse një pjesë e tyre, për fat të keq degraduan në kolaboracionistë. Duhet një studim i gjerë dhe i hollësishëm për të rikonstruktuar me objektivitet historinë e këtyre organizatave, duke bërë diferencime të elementëve të ndryshëm, por pa mohuar faktin e rezultatit final deri në çlirimin e Shqipërisë.
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare qe një fazë cilësisht e re e luftës së armatosur.
Më 24 korrik 1943 anëtarët e Këshillit të Madh Fashist e rrëzuan Mussolinin, i cili u arrestua. Badoglio shpalli kapitullimin e Italisë Fashiste më 8 shtator 1943. Fischer thotë “padyshim shqiptarët kontribuan jashtë mase në këtë ngjarje”. Në korrik 1943, italianët kishin në Shqipëri 8 divizione me mbi 100.000 trupa. Fischer nuk ngurron të thotë se “Shqipëria ka një meritë të veçantë për rënien e Musolinit e kapitullimin e Italisë” Ndërkohë nazistët gjermanë ndërhynë.
B.CENGU – Pushtimi gjerman nazist qe më i rëndë, madje më shkatërues.Po ka që thonë se ky qe një pushtin kalimtar, një pushtim në lëvizje.Si është e vërteta?
M.ZEQO – Në gusht 1943 gjermanët pushtuan Shqipërinë me afro 6000 trupa. Ata bënë masakrën shembullore në fshatin Borovë. Pushtimi gjerman qe llahtarisht më i rëndë. Fillon kështu një fazë e re e luftës antifashiste. Gjeneralët italianë si Ezio Rossi dhe Dalmazzo ju dorëzuan trupave gjermane së bashku me armatimet dhe pajisjet. Gjermanët zunë rob në Shqipëri 90.000 italianë, ndërsa 45.000 italianë u shpërndanë në Shqipëri dhe shumë prej tyre u bashkuan me trupat antifashiste shqiptare. Kështu u krijua batalioni i famshëm “Antonio Gramshi”, me antifashistë italianë. Gjermanët luajtën me kartën e “Shqipërisë së Madhe” por ushtruan një diktaturë të egër në Shqipëri.
Gjeneralët gjermanë Neubacheri dhe Theodor Geijb qenë të pamëshirshëm. Ata vendosën të shkatërronin LNÇ. Sipas Fischer udhëheqësit e Ballit Kombëtar ishin të bindur, se gjermanët duhej të qëndronin në Shqipëri vetëm për një kohë të shkurtër dhe se gjermanët mund të përdoreshin kundër kundërshtarëve të tyre partizanë. Asambleja si organ ekzekutiv i pushtimit gjerman, zgjodhi si kryetar të saj Lef Nosin, anëtar i spikatur i Ballit Kombëtar.
Qeveritë kuislinge shqiptare në diktatin gjerman i shërbyen pushtimit. Mehdi Frashëri pranoi të kryesonte Këshillin e Regjencës. Të tëra qeveritë kuislinge artikuluan mbështetje ndaj nazizmit.
Gjermanët sollën në Shqipëri mbi 36.000 trupa.
Sipas gjeneralit nazist Neubacherit duhej të bëhej “një mobilizim kombëtar kundër komunistëve”.
Nazistët organizuan një batalion prej 170 vullnetarësh nga Kosova si instrument i sigurisë së rendit në Shqipëri.
Naubacher nëpërmjet nazistit Scliev arriti të marrë garancinë e Mithat Frashërit, se sidoqoftë Balli Kombëtar, ndonëse qe deklaruar kundër forcave të Boshtit gjatë pushtimit italian nuk do të merrej asnjë veprim armiqësor kundër gjermanëve. Elementët e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, përveç disa kundërsulmeve sporadike nuk i angazhuan forcat e tyre në luftën kundër gjermanëve.
Ndërkaq, partizanët sulmuan nazistët gjermanë në të gjithë vendin. Kjo gjë vërtetohej nga dokumentet gjermane.
Mbas marrëveshjes së Mukjes Balli Kombëtar në 7 tetor 1943 u urdhërua nga Këshilli i tij Qendror të ndalonte çdo veprim armiqësor kundër gjermanëve.
B.CENGU – Pra çështja e kolaboracionizmit me fashizmin nuk është një çështje e shpikur, por diçka substancialisht reale, apo jo Moikom?
M.ZEQO – Në këtë fazë sipas Fischerit, shumica e anëtarëve të Ballit Kombëtar rrëshqitën në një kolaboracionizëm më të plotë se ç’kishin pasur me italianët. Çetat e Ballit Kombëtar nisën t’i informonin gjermanët rreth veprimtarisë së LNÇ, më pas ata filluan të merrnin fonde nga gjermanët dhe fituan mundësinë të blinin armë si nga qeveria kolaboracioniste ashtu dhe nga gjermanët. Shumë shpejt ata morën në administrim zona të tëra të vendit në emër të dy palëve. Rreth fillimit të shkurtit 1944 oficerët britanikë njoftonin, se për partizanët po bëhej tepër e vështirë të sulmonin gjermanët, pasi shpesh njësitë gjermane mbuloheshin nga Balli Kombëtar dhe forcat e tij – të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve, e ishin bërë tashmë pjesë normale e çdo force gjermane.
Kjo lëvizje e Ballit Kombëtar qe një lëvizje taktike e përllogaritur, e cila doli katastrofike, por Fischer ve në dukje se “provat për këtë kolaboracionizëm janë të shumta, por të dënosh të gjithë elementët e Ballit kombëtar si kuislingë do të ish një padrejtësi për shumë nga anëtarët e tij”. Është fakt që më 1944 shumë anëtarë të Ballit u hodhën me partizanët. Në nëntor të vitit 1943 vetë Këshilli i Ballit Kombëtar, nën drejtimin e Mithat Frashërit u dorëzoi britanikëve një dokument të nënshkruar, ku thuhej se Balli Kombëtar dëshironte të luftonte kundër gjermanëve.
Por Fischer thotë se “Qysh nga momenti i pushtimit gjerman, pavarësisht nga disa përjashtime, rregulli i Ballit Kombëtar ishte kolaboracionizmi”.
E njëjta optikë analizë është edhe për Legalistët. Abaz Kupit e kishte mundësinë potenciale të një mbështetjeje të gjerë, por Fischer thotë “Kupi vazhdoi të ishte i pavendosur dhe të ndiqte një politikë mosluftimi”.
Akoma më tej faktet tregojnë se “Kupit dhe prijësit e Veriut, si dhe Balli Kombëtar rrëshqitën gradualisht në kolaboracionizëm. Kupi, si dhe Bajraktari, nënshkruan një besë, një pakt mossulmimi me gjermanët. Ndërkohë forcat partizane vepronin.
Operacionet e koduara gjermane synuan shkatërrimin e tërë antifashizmit.
Në janar 1944 gjeneral brigadieri E.F.Davies, Komandant i oficerëve britanikë në Shqipëri dhe njëkohësisht oficeri me gradë më të lartë, që vepronte në Shqipëri u plagos prej një çete të Ballit Kombëtar dhe iu dorëzua gjermanëve.
Pas zënies rob të Daviesit misioni britanik thuajse u shkatërrua plotësisht.
Kjo përbënte një goditje të rëndë për prestigjin britanik dhe meqenëse bashkë me Davies-in në duart e gjermanëve ra edhe ditari i tij, u desh dhe një farë ndryshimi në planin e mëparshëm.
Gjermanët, të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, njoftonin rreth saj në gazetën zyrtare “Volkischer Beobachter”.
Në shkurt 1944, Neubacheri vlerësonte se në një mënyrë ose në një tjetër mbi 10.000 nacionalistë ndihmonin gjermanët të përndarë përafërsisht në 15 grupe, prej të cilave gati gjysma ishin të Ballit Kombëtar. Operacioni gjerman i Dimrit dështoi.
Partizanët provuan se ishin më shumë elastikë se sa e kishin parashikuar vetë gjermanët britanikët ose shumë shqiptarë. Sipas Margaret Hasluck tek “partizanët zotëronte disiplina, energjia dhe qartësia e qëllimit”. Qëllimi i partizanëve për rivendosjen e Shqipërisë së pavarur në një sistem shoqëror të ngritur mbi barazinë, qe diçka, për të cilën shumë njerëz qenë gati të sakrifikonin.
Në të kundërtën, të pakët ishin ata që qenë të gatshëm të bënin të tilla sakrifica për rivendosjen e sistemit shoqëror të Zogut, i cili ishte i qartë se kishte dështuar.
Rigjallërimi i forcave gjermane u ndihmua gjithashtu edhe nga rifillimi i parashutimeve nga britanikët.
Në dhjetor 1943 detashmenti ajror 334, njësia, që përgjigjej për furnizimin e shqiptarëve u zhvendos nga Tokra e Libisë në Brindizi. Në janar 1943 u parashutua 25,8 ton materiale, prej të cilave 6,5 ton ju hodhën nacionalistëve të Veriut. Në shkurt u hodhën 20,6 ton, nga të cilat nacionalistëve ju shkuan 7,3 ton. Në mars sasia arriti në 29 ton dhe në prill 27,8 ton, por kësaj here ky furnizim shkoi i tëri në favor të partizanëve. Mirëpo, ky material ishte shumë pak në krahasim me nevojat e përgjithshme të partizanëve, ndaj ndihma materiale e hedhur nga britaniku, thotë Fischer, nuk mund të vërehet si vendimtare.
Deklarata e Britanikëve dhe Aleatëve e dhjetorit 1942, e cila bënte thirrje për rivendosjen e Shqipërisë së Pavarur mbetej themeli i politikës britanike.
Në tetor 1943 Foreign Office pati një vëmendje më të madhe ndaj Shqipërisë. Por një marrëveshje e shkruar dhe e firmosur nga Mithat Frashëri, sipas së cilës Balli Kombëtar duhej të niste luftën kundër gjermanëve, nuk u vu kurrë në zbatim dhe qe thjesht një retorikë. Kështu gjenerali Davies, siç thotë në kujtimet e tij në dhjetor 1943, rekomandoi një ndryshim rrënjësor në politikën britanike në Shqipëri. Ai telegrafoi se denoncimi i Ballit Kombëtar dhe i zogistëve ishte tashmë diçka e domosdoshme. Partizanët kishin hasur në njësi të përziera gjermano – balliste dhe Kupi nuk kishte lëvizur ende. Davies rekomandonte, që Qeveria Britanike të deklarohej shpejt, përfundimisht dhe hapur në mbështetje vetëm për partizanët. Ky ishte dhe mesazhi i fundit i tij.
Mbas disa ditësh, ai u kap rob nga gjermanët i tradhtuar nga ballistët. Vakumi që krijoi kapja rob e Daviesit, u plotësua në Jug të vendit nga dy shefa misioni Norman Ëheeler dhe Alan Palmer dhe nga Bill Mc Lean në Veri. Philip Lake, shef i seksionit shqiptar të COE-s vizitoi Shqipërinë për një periudhë dyjavore në mars 1944 dhe njoftoi se aftësitë luftarake të partizanëve në betejë ishin përmirësuar së tepërmi.
Më 15 prill 1944 Hoxha u dha urdhër UNÇSH për fillimin e ofensivës në krejt territorin e vendit. Në këto kushte pushtimi gjerman u dobësua së tepërmi.
Fischer thotë se “futja e anëtarëve të Ballit Kombëtar në qeverinë kuislinge gjermane në shkurt 1944, në vend që të forconte këtë të fundit, kishte dobësuar faktikisht Ballin Kombëtar dhe kishte minuar në krejt vendin ndikimin e tij.”
Rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ofensivës partizane në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, ishte pranimi i postit të kryeministrit nga zogisti Fiqiri Dine. Dine morri pjesë në ofensivën e gjermanëve kundër partizanëve më 1943, në krahinën e tij të Dibrës.
Një rol progjerman të tmerrshëm luajti Xhafer Deva, brutaliteti dhe korrupsioni i të cilit ishte i tmerrshëm. Një çetë nacionaliste nga Dibra, e udhëhequr nga Halil Alia, që kish bashkëpunuar si me italianët ashtu dhe me gjermanët, njësi të divizionit “Skënderbeu” dhe me 800 apo 1000 njerëz të Kupit morën pjesë në kundërofensivën gjermane, më 18 gusht 1944. Kështu, sipas historianit amerikan Fischer “bixhozi zogisto-nacionalist kishte dështuar”.
Më 28 gusht 1944, kryeministri Dine dha dorëheqjen, gjë që shënoi fundin e planit nacionalist zogist për sigurimin e një fitoreje jo komuniste në Shqipëri me ndihmën e gjermanëve.
Ajo shënoi gjithashtu, fundin e përpjekjeve të Gjermanisë, për të ruajtur rendin në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të forcave shqiptare bashkëpunëtore – si dhe fundin e versionit gjerman të Shqipërisë së Pavarur.
Por Amery dëshmon, se midis viktimave qenë dhe rreth 40 anëtarë probritanikë të Ballit Kombëtar, të cilët u arrestuan nga gjermanët dhe u dërguan në Kampin e Përqendrimit në Semlin të Jugosllavisë së pushtuar. Skënder Muço, udhëheqës i një çete të Ballit Kombëtar dhe anëtar i këshillit të tij qendror, që kish ngulur këmbë për opozitë aktive ndaj gjermanëve u pushkatua.
Divizioni SS “Skënderbeu” për fat të keq mori pjesë në djegie fshatrash dhe në vrasjen e njerëzve, kështu në 23 tetor 1944, 131 të burgosur nga rradhët e LNÇ, përfshirë edhe gra, u pushkatuan, ose u vranë në Kosovë.
Pas shumë vitesh ngurrimi vendimmarrësit politikë britanikë vendosën të pranonin atë që kishte qenë e ditur për shumicën e oficerëve britanikë që vepronin në Shqipëri që prej shumë kohësh, pra faktin që LNÇ përbënte të vetmen forcë luftarake në Shqipëri dhe që shpejt do të vinte nën kontroll krejt vendin.
Eden i tha Çurçillit më 26 shtator 1944, se “politika jonë duhet të pranojë mundësinë një qeverie të LNÇ dhe ne duhet të përpiqemi të forcojmë lidhjet tona me të, në mënyrë që të kundërpeshojmë ndikimin rus”.
Në javën e tretë të shtatorit 1944, shumica e nacionalistëve dhe kolaboracionistëve u pushtuan nga një gjendje paniku dhe Mithat Frashëri me rreth 100 anëtarë, udhëheqës të Ballit Kombëtar, përfshi këtu edhe Ali Këlcyrën, Hasan Dostin, Kadri Cakranin dhe Koço Mukën, arritën të arratiseshin në Itali me një anije të vënë Abëehri.
2 tetor 1944, gjermanët morën urdhrin e evakuimit të Shqipërisë dhe komandën e përgjithshme e mori automatikisht gjenerali Ernst Von Leyser. Më 20 tetor 1944 Shqipëria u shpall zonë operacionale dhe gjermanët nisën të zhvendosin trupat e tyre drejt Veriut.
Më 17 nëntor 1944, u çlirua Tirana mbas një beteje të ashpër.
Më 29 nëntor 1944, u çlirua qyteti i fundit i Shqipërisë – Shkodra.
Fischer thotë sipas dokumenteve se gjermanët qëndruan në Shqipëri edhe dy javë të tjera mbas 18 nëntorit 1944, për të kapërcyer kufirin verior të Shqipërisë.
Kështu konfirmohet akoma më shumë data e 29 nëntorit, si datë e Çlirimit të Shqipërisë.
Të gjitha tezat dhe analizat e mësipërme të Fischerit janë të përcaktuara nga fakte dokumentarë.
Unë i artikulova këto pasazhe të librit të tij shpesh gati fjalë për fjalë. Kjo është e rëndësishme për optikën shkencore dhe objektive, por është e rëndësishme për të hedhur poshtë mistifikimet dhe falsifikimet.
Këto të vërteta të luftës janë reale dhe të pamohueshme. Këto tregojnë qartë rolin vendimtar dhe parësor të partizanëve, por shpjegojnë edhe dukurinë e kolaboracionizmit, dukuri, e cila kish karakter universal në të gjithë Europën dhe jo vetëm në Shqipëri.
B.CENGU – Ju paraqitët shkurt një skicë konceptuale të Antifashizmit Shqiptar Moikom. Protoganistët e antifashizmit por edhe koloboracionistët? Po realizimi i pavionit qe shumë i vështirë. A kujtoni dicka tjetër më konkrete gjatë punës dhe realizmit të projektit muzeumologjik për të cilin po flasim?
M.ZEQO – Konstruktimi i Ekspozitës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, përveç trysnisë së debateve të mëdha, pati dhe një trysni të pabesueshme burokratike në lidhje me hapjen e fondeve dhe pengesave të tjera të pajustifikuara.
Megjithatë duhet thënë se historianët dhe muzeumologët e MHK, punuan me një përkushtim të jashtëzakonshëm.
Pse? Fitorja e shqiptarëve kundër fashizmit është një gjë pozitive, jashtëzakonisht e madhe. Shqiptarët dhanë kontribut në mposhtjen e fashizmit botëror.
Tezat naïve dhe pa asnjë kuptim, se gjoja Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare qe thjesht një luftë civile, janë fantazmagorike dhe të neveritshme për t’u marrë në konsideratë.
Natyrisht, që historia nuk është bardhë e zi, ajo nuk mund të thjeshtëzohet.
Historia është ajo që është kryer dhe për të nuk mund të thuhet fjala “si mund të ishte bërë”, sepse ajo u bë ashtu siç u bë.
Me antifashizmin e tyre shqiptarët u treguan një popull me qytetërim të lartë dhe vetëdije të spikatur. Objekti i analizës sonë ka një cak kronologjik, që lidhet me Çlirimin e Shqipërisë.
Ajo që ndodhi pas 1944 është objekt i një studimi tjetër të mëvehtshëm.
Mohimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare do të ishte një marrëzi e jashtëzakonshme nga të gjitha pikëpamjet, gjë, që nuk i hyn në punë askujt përveç se do të krijonte një njollë të bardhë në histori, një amnezi.
Kështu historiciteti përcakton dhe personalitetet e luftës, heronjtë, sakrificat dhe kontributet.
Në 60-vjetorin e Çlirimit të Atdheut u arrit të bëhej kjo vepër muzeumologjike si shprehje e dinjitetit dhe e mençurisë kolektive të shqiptarëve.
Mua më mbetet të falenderoj përsëri me gjithë shpirt kolegët e mi, muzeologët, tërë punonjësit e Muzeut Historik Kombëtar, Këshillin Shkencor të MHK, historianët, që punuan natë e ditë për këtë ekspozitë, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Drejtorinë e Arkivave të Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes, Bibliotekën Kombëtare, me të gjithë veteranët, me të gjithë intelektualët, të cilët ofruan ndihmën e tyre, përkrahjen dhe dashurinë e pakufishme që të arrihej kjo gjë.
B.CENGU – Tani 10 vjet më pas në 2014 jemi në 70 vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Si do të shkojnë festimet për këtë tematikë historike?
M.ZEQO – Shpresoj (besoj) të bëhet dicka serioze. Duhet bërë patjetër! Antifashizmi Shqiptar është dhe vazhdon të jetë një aset madhor i së majtës shqiptare. E djathta shqiptare groteskërisht dhe marrëzisht nuk e kupton kët gjë- përkundrazi e përbaltë dhe e mohon Antifashizmin Shqiptar. Aq më keq për të! Është tepër dëshpëruese kjo gjë. Po ja që kështu është.
Ka 23 vjet që e mohon datën festive të 29 nëntorit- një përpjekje sizifiane edhe pa asnjë kuptim logjik dhe historik. E majta shqiptare nuk ka pse të ketë asnjë kompleks për Antifashizmi Shqiptar dhe 29 nëntorin. Përkundrazi! Duhet të ketë vetëdije dhe krenari të madhe. Madje shumë krenari! Përkundrazi e djathta e ka këtë mangësi të llahtarshme- nuk e nderon dhe nuk e vlerëson Antifashizmin Shqiptar! Aq më keq për të!
Para dy ditësh isha në Fier me mikun tim Pëllumb Xhufi, në përurimin e një libri për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, shkruar nga veterani dhe ish partizani trim dhe i mençur i kësaj epoke, Uran Frashëri, tashmë 93 vjeç. Një libër i shkëlqyer dhe i vërtetë.
Para ca kohësh isha po në Fier për 70 vjetorin e vrasjes heroike, sakrificës supreme të Heroit të Popullit dhe poetit Dino Kalenja, i cili ka patur letërkëmbim dhe njohje personale me poetin Nobelist dhe antifashist italian Salvator e Quasimodo. Pra populli i bën nderimet për këtë epope.
Qeveria le të bëjë nderimet e saj! Dhe do t’i bëjë!
(Intervistën e zhvilloi: Besim R.Cengu)
………………………………………………………………….
DR.MOIKOM ZEQO: ANTIFASHIZMI SHQIPTAR ËSHTË PJESË E ANTIFASHIZMIT BOTËROR (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2913