Tiranë, 26 maj 2017: Është e trishtueshme të shkruash për politikën shqiptare. Si njeri i letrave, që mëton lirinë e shprehjes, ndihem shpesh në ngushtësi dhe në një gjendje të pakënaqshme, kur për shkak të ecurisë së kronikës shkruaj dhe për politikën shqiptare. Përgjithësisht jam nisur nga një pikëpamje intelektuale, por dhe kulturologjike për politikën. E ndjej (e kuptoj), se provinca politike shqiptare reflekton retrograde dhe vonesa historike, dituri sipërfaqësore, diletantizëm dhe mungesë vizioni universal.
Kështu që paradigma e tranzicionit të stërgjatur është një mënyrë të shprehuri, ose një rrëfenjë mediatike dhe përsiatje gati në format e thashethemnajave, larg analizave të thukëta shkencore. Rama e ka quajtur tërë sistemin që në një sens të epërm konsiderohet “pushteti i katërt” as më pak dhe as më shumë si “katundi mediatik”. Ka plotësisht të drejtë në këtë përcaktim të bujshëm dhe tejet të thjeshtë. Pa dyshim që askush në Shqipëri jo vetëm që nuk është mbi këtë “katund mediatik”, por nuk është as jashtë tij. As Rama! “Katundi mediatik” është vetë politika shqiptare në të gjitha konceptimet e mundshme dhe të pamundshme për të “rishpikur” një histori aspak interesante dhe të vërtetë. Në sfondin e një katrahure politike, praktikisht të pafundme, erdhi dhe Marrëveshja e 19 majit e cila duket sikur ka ndryshuar gjithçka.
Kjo Marrëveshje a pazakontë, midis PS-së dhe PD-së (bashkëpunimi i dyanshëm i tyre, në fakt e përjashton faktorin e tretë, pavarësisht retorikave dinake, që është LSI). A mund të ketë politikë pa kompromise? Kjo është një pyetje e thekshme. Një pyetje e natyrshme. Dhe unë përgjigjem me bindje se Marrëveshja, e kuptuar dhe si kompromis i ndërthurur është në natyrën e politikës, jo vetëm në shtrirjen e saj historike, në hapësirë dhe në kohë, në popuj dhe në sisteme të ndryshme ekonomike dhe politikë, por sidomos në kohërat moderne. Para politikës shqiptare para kësaj Marrëveshjeje ekzistonte alternativa e ndërlikuar e karakterit ligjor të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme politike, edhe me mungesën e PD-së, për shkakun e paimagjinueshëm në vetvete, sepse PD qe vetëpërjashtuar me një ngulm gati heroik dhe grotesk. Kjo alternativë, sado problematike, pati miratimin e ndërkombëtarëve, që menaxhojnë politikën shqiptare. Befas u kaluam në alternativën e dytë. Kjo alternativë e dytë qe Marrëveshja e 19 majit.
Shumë i rëndësishëm. Në të vërtetë kjo Marrëveshje ishte e projektuar në substancë nga ndërkombëtarët. Kjo është lehtësisht e lexueshme. Por paketa e ndërkombëtarëve për këtë marrëveshje u personalizuar akoma më tepër nga të dy kundërshtarët ,që e kishin anatemuar njëri-tjetrin për vdekje, në favor të interesave të bipolaritetit, tashmë jo përjashtues, por sintetizues të dy partive, PS dhe PD, duke përjashtuar edhe idenë e koalicioneve, apo dhe të mbijetesës së partive të vogla.
Kjo është një pyetje me vend. Dy ditë para Marrëveshjes Berisha u shpreh publikisht se ka ardhur koha “për një Marrëveshje të re” (Berisha as humbi kohë për të përmendur fantazmagorinë e të ashtuquajturës “Republika e Re”).
Në të vërtetë ka ndodhur diçka e pashembullt në historinë politike të këtyre 26 viteve. Rama si kryetar i PS ka bërë disa Marrëveshje të mëdha me Berishën dhe tashmë me Lul Bashën e PD-së. Le të kujtojmë disa prej tyre. Le të kujtojmë Gërdecin kur Rama si kryeopozitar u tërhoq nga “triumfi legal” i opozitës së atëhershme. Por marrëveshja dhe kompromisi më i rëndë qe i vitit 2008, kur PS dhe PD deformuan në mënyrë marramendëse të ashtuquajturat ndryshime kushtetuese dhe “shpikën “ listat e kryetarëve të partive si në atu, atribut dhe gati e drejtë hyjnore, superjuridike, superkushtetuese për të përcaktuar shumë më përpara procesit të votimit emrat e deputetëve fitues në Kuvend. Ky përçudnim e bën ligjin kryesor kushtetues të votimit të lirë dhe të fshehtë një absurditet. Ky në fakt është një eliminim i së drejtës kushtetuese për votën e lirë e të fshehtë. Kam shkruar disa herë për këtë subjekt.
Fare e thjeshtë. Nuk e kuptoj se si juristët, specialistët e Kushtetutës, shqiptarë, por dhe të partnerët tanë ndërkombëtarë nuk fokusohen te kjo çështje jetike dhe inkandeshente. Një Marrëveshje e pashpallur është mospërmendja e të vrarëve më 21 janar, përtej retorikave të hartimeve letrarë apo të metaforave që s’i hyjnë në punë askujt duket se ka në mënyrë të qartë dhe të pashpallur një lloj mirëkuptimi ose edhe amnistie të vrasësve të vërtetë të atyre 4 njerëzve të thjeshtë që përgjakën bulevardin e Tiranës. Marrëveshja e 19 majit në disa kuptime është një edicion i dytë i ndryshimeve që ndodhën në 2008, por me një veçori të re, e cila paraqet interes për politikologët. Nga njëra anë duket si një risi për të dalë dhe për të zhbllokuar një krizë të pakuptimtë dhe të kushtueshme. Kjo pikë optimistike është shumë e artikuluar sot nga dy anët, qoftë nga PS, qoftë nga PD si dhe nga mediat qeveritare, por edhe ato pranë opozitës.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë qeveris partia ose koalicioni i partive që fitojnë zgjedhjet. Humbësi strukturohet si opozitë që përbën në të vërtetë dhe ky një subjekt kushtetues. Ekzistenca e një opozite të fortë është absolutisht e domosdoshme. Kriticizmi i opozitës është absolutisht i pazëvendësueshëm, edhe kur është i tepruar dhe i hipertrofizuar. Por kushtetutshmërisht është e vështirë të imagjinohet një qeverisje qoftë edhe 50 ditore, së bashku me fituesit e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe humbësit të këtyre zgjedhjeve. Natyrisht atuja e të ashtuquajturve ministra teknikë, që përkohësisht do të qeverisin, ose më saktë do të kontrollojnë qeverisjen vetëm për zgjedhje, tingëllon bukur. Por unë dyshoj që është funksionale. Sidoqoftë për një kohë të shkurtër kjo qeverisje hibride eliminon konceptin e opozitës. Edhe ky precedent është një hollësi interesante për politikologët.
Ka gjasa që marrëveshja që po përcaktohet qartë midis PS-së dhe PD-së për periudhën kohore deri për zgjedhjet e përgjithshme politike të ketë dhe një ndikim posterior, pra të jetë dhe një ide që pas rezultateve përcaktuese të zgjedhjeve, të mundësojë një koalicion të ri midis dy partive kundërshtare (për jetë a vdekje) për një “Politikë të Re” që është gjithashtu një formë metaforike e utopisë së “Republikës së Re”. Të them të drejtën këtë gjë nuk mund ta them dot me siguri. Jam kurioz të di se ç’do të ndodhë mbas përfundimit të zgjedhjeve. Pra situata post-zgjedhore mund të na tregojë çudi akoma dhe më të pabesueshme. Nuk di pse më kujtohet në këto momente libri i famshëm i Fukuyamës, i cili mbas rënies së Murit të Berlinit e shkroi një traktat në thelb utopik ku shpalli Fundin e Politikës, si një optimizëm sintetik dhe paqe të një teologjie demokratike ku ndërvepronin në mënyrë magjike vetëm forcat ekonomike si dhe dogmat e pakontestueshme të neoliberalizmit. Një konceptim i tillë i shumonte ideologjitë dhe shndërronte veprimin politik si diçka në një skenë arkaike apo thjesht si një mision intelektual i meditimit filozofik. Por faktet historike dhe kontradiktat e mëdha të ekonomisë dhe historisë botërore vërtetuan se utopia e të famshmit Fukuyama nuk i përgjigjet realitetit të jetës. Dikur Dekarti ka thënë: “Cogito ergo sum”, (“Mendoj, prandaj jam”). Të mendosh politikisht do të thotë të kundërshtosh politikisht.
Natyrisht që është absurde. Mundet që të përfundojmë në një konsensus të rremë të së drejtës me të padrejtën, të juridikes me jojuridiken, të ekonomikes me joekonomiken. Ndryshe do të thonim si Tertuliani: “Credo, quia absurdum”, (“E besoj se është absurde”). A mundet të kemi një paqe superpartiake, mbipartiake midis PS dhe PD jo vetëm për afatin parazgjedhor por edhe për atë paszgjedhor? Po përmend edhe Terencin: “Si duo faciunt idem, non est idem”, (“Kur dy njerëz (të ndryshëm) bëjnë të njëjtën gjë, atëherë kjo nuk është e njëjta gjë”).
Si njeri i letrave, e përsëris, unë jam për paqen sociale. Më kanë tmerruar marrëzitë politike të pafundme të politikës provinciale shqiptare. Por besoj se koncepti i opozitës është një koncept që nuk duhet të zhbëhet, as të shuhet dhe as të kthehet në një simbol dekorativ. Një paqe sociale e konceptuar si politikë në epokën post-moderne do të ishte gjithashtu më tepër një pamundësi apo figuracion i propagandës se sa i realitetit.
Shikoni sa e çuditshme është politika në Shqipëri! Listat e kryetarëve të partive kanë bërë që institucioni i partive dhe i forumeve partiake të personalizohen dhe të privatizohen vetëm te kryetari. Humbet karakteri publik i hapur dhe pluralist i partive. Kryetarët e partive caktojnë deputetët. Kryetarët e partive caktojnë dhe heqin pa asnjë pengesë ministrat apo titullarët e tjerë të shtetit. U hoqën ministrat dhe në popull nuk u ndje asnjë boshllëk pse u hoqën këta ministra për t’u zëvendësuar nga ministrat e një partie tjetër, pavarësisht të quajtur teknikë, dhe prapë populli nuk ndjen asnjë ngashërim apo vëmendje të tendosur për emrat e tyre. Më tepër ngjan si një ndërrim emrash anonim, sepse konceptualisht ata janë instrumentë në duart e kryetarëve të partive dhe nuk mund të afishohen apo të strukturohen si personalitete të vërteta. E them me dhimbje këtë gjë. Nuk kam asnjë kënaqësi si qytetar i Shqipërisë të konstatoj një gjë të tillë. Por për fat kështu është realiteti.
Një nga librat më të mrekullueshëm për politikën është ai i filozofit Josep Ramoneda, i quajtur “Fundi i pasionit politik” (“Despues de la pasion politica”), botuar më 1999. Ky libër flet për disa dukuri të politikës post-moderne që reflektojnë dhe në Shqipëri. Ky filozof i politikës nënvizon se “kur mungojnë argumentet e rëndësishme, presioni i përleshjes i shumicës me opozitën është një mënyrë për t’i bindur qytetarët se po luhet diçka e madhe, madje historike. Sidoqoftë duke vështruar nga afër detajet mund të gjesh cinizmin, mllefin dhe paranojën. Pretendimi i kundërshtarit për të marrë pushtetin shpesh është gati si një agresion. Dialogu objektiv bëhet i pamundur, sepse çështja nuk qëndron tek e vërteta, por tek pozicioni, jo tek ajo që thuhet, por tek ajo si thuhet. Fushata zgjedhore konsiderohen periudha të jashtëzakonshme ku fyerja dhe shpifja arrijnë kulmin. Pushtetari e ka të vështirë të pranojë se pushteti ushtrohet, nuk zotërohet. Sipas këtij konceptimi posesiv të pushtetit, besnikëria ndaj grupit është “bashkëpunim pa miqësi”. Zënkat e brendshme partiake arrijnë kuota të larta kainizmi. A duhet interpretuar reduktimi i politikës në pisllëqet e luftës për pushtet si simptomë që punët shkojnë mirë? Nëse nuk ka oferta të rëndësishme, që t’i nxisin njerëzit, për t’u angazhuar, a duhet ta kuptojmë këtë si frut të një marrëveshje të heshtur mbi shoqërinë reale?”
Nëse elektoratet votojnë partitë dhe programet e tyre, cilat mekanizma kontrollojnë për të ruajtur drejtësinë e vullnetit të votuesve që ky vullnet të respektohet nga ata që janë votuar? Nëse deputetët e një partie kanë statusin e deputetit të popullit, sa të pavarur janë ata për të menduar me një liri të vërettë për vendimmarrjet politike në të mirë të qytetarëve dhe jo në dobi të një pakicokracie? A e parashikon Kushtetuta legjitimitetin e marrëveshjeve politike vetëm nga kryetarët e partive, pavarësisht delegimit të tyre nga partitë për të bërë edhe marrëveshje vetiake me njëri-tjetrin, pra për të krijuar një dioskurizëm politik? Këto pyetje janë të pranishme, por zbehja e opinionit publik, krijimi i deputetëve të klonuar nga listat e kryetarëve ka bërë që politika shqiptare të ketë një nivel subjektiviteti të epërm deri në kufitë e të pamundurës, pra dhe të pabesueshmes.
Se si do të shkojë situata, kjo as nuk duhet paragjykuar, as nuk duhet anatemuar para kohe. Por një gjë gjithsesi është racionale dhe e sigurt. Zgjedhjet e përgjithshme politike do të bëhen normalisht në Shqipëri dhe kjo është pozitive. E theksoj këtë gjë. Zgjedhje politike ku marrin pjesë të gjithë është pakrahasimisht e ndryshme nga zgjedhje politike ku nuk marrin pjesë të gjithë. A do të pajtohen njerëzit nga rezultatet që do të dalin nga këto zgjedhje? A do të ndodhin dukuri të tjera politike? A do të arrijë PS-ja 71 vota? A do të krijohen koalicionet e domosdoshme paszgjedhore? Nëse PD-ja do të jetë në opozitë, a do të jetë kjo e pranueshme lehtësisht nga votuesit e saj? Është herët për të parashikuar se si do të venë punët.
Është herët për të menduar se ç’do të ndodhë. Por një mirëkuptim për të pranuar rezultatet për të përshëndetur fitimtarin, qoftë dhe me një gjest kalorësiak nga ana e të humburit, do të ishte një shenjë e emancipimit të politikës. Unë shpresoj të arrihet një gjë e tillë. Nga ana tjetër me gjithë naivitetin ose mungesën e përvojës, nuk besoj se do të kalojmë në një shoqëri post-opozitare, sepse opozita nuk mund të zhduket. Se opozita është në thelbin e jetës. Është në lëndën e realitetit kontradiktor.
Se opozita nuk mund të jetë as makiazh, madje as një alternativë e ngjashme binjakërore, kipcore e dy partive tradicionalisht kundërshtare, por që befas kthehen në “binjake të historisë”. Pra sido që të jetë, mbas 2017 në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi përsëri opozitë. Se opozita s’mund të vdesë. Më vjen keq të them se partitë e vogla do ta kenë shumë të vështirë të kualifikohen dhe të përfaqësohen në Kuvend gjatë zgjedhjeve të përgjithshme politike të këtij viti. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 e mbajnë ende peng politikën shqiptare. Ky nuk është një peng simbolik. Është pengu i një realiteti funksionalizues. Tepër konkret. Shumë filozofë të politikës kanë vënë në dukje “vdekjen e bardhë të politikës”, por edhe “rikthimin e politikës”. Por në epokën post-moderne konceptimi i politikës duhet të jetë ndryshe.
M’u kujtua ndërkohë një mendim i rëndësishëm dhe i kthjellët i Faik Konicës. Ai thotë: “Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimet thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim, – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re të gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve.” A do të kemi në këtë kuptim një politikë të parimësisë, pra të qëllimeve të larta iluminuese dhe humaniste të njerëzimit, apo do të kemi një politikë si instrument, jo për të qeverisur por për të sunduar një pakicë të vetëquajtur politikanë? Sot partitë politike janë institucione në krizë në të gjithë botën, sidomos në Europë. Partitë janë të personalizuara nga kryetarët. A është kjo një risi apo një degradim i koncepteve politike? Pse duhet përfillur votimi demokratik kur Sovraniteti i Popullit, siç e cilëson Zhan Zhak Ruso, koncentrohet në dy ose tre emra në një vend? A është politika një spektakël? A janë politikanët kryesorë thjesht “shoëmans”? A do të jetë populli thjesht një instrument formal i votimit apo dhe një vetëdije e zgjuar, për të qenë vetvetja dhe për ta patur politikën fuqinë të patjetërsueshme të realizimit të vetvetes në histori, për një shoqëri më të mirë, më të drejtë dhe më të barabartë? Këto pyetje s’kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare, por me tërë botën. Ne përjetojmë deformime të çuditshme të demokracisë kudo në botë. Bota ka mendimtarë që artikulojnë idetë. Por dhe shqiptarët duhet në fund të fundit të mendojnë. Nuk duhet “t’u lopësohet mendja” sipas një shprehje të Fan Nolit të pavdekshëm.
Unë anoj nga optimistët. Nuk duhet harruar një gjë tejet e rëndësishme që u arrit. Duket sikur nuk do të arrihej, por falë këmbënguljes së ndërkombëtarëve, të SHBA dhe të BE, më në fund u arrit. Politikanët shqiptarë më në fund e votuan Vettingun. Ca politikanë me vetëdije dhe ca pa vetëdije, ca me dëshirë dhe ca pa dëshirë, hodhën vickla, por më në fund deshën apo nuk deshën, e bënë një realitet juridik Vettingun. Kam shkruar shpesh se jam nga ata njerëz që besoj tek roli veprues i Vettingut në Shqipëri. Vettingu është një domosdoshmëri historike. Ndërkohë nuk është kuptuar qartë nga politikanët se Vettingu është diçka superpartiake, pra nuk ka të bëjë me asnjë anësi partiake. Nuk është pronë e PD-së, por nuk është as pronë e PS-së. Disa herë në luftën politike dhe në propagandën e shfrenuar është artikuluar ideja gati në mënyrë sekrete ose dhe publikisht se Vettingu rrezikon vetëm PD, madje dhe LSI, por jo PS. Kaq e çuditshme, naive dhe e pakuptimtë është kjo ide, sa njeriu nuk as fuqi të buzëqeshë ironikisht në këtë rast. Nuk duhet harruar në asnjë mënyrë se Vettingu do të jetë funksional dhe do të jetë skaneri për tërë politikanët dhe njerëzit publikë që kanë bërë korrupsion, mashtrime, manipulime dhe krime ekonomike në Shqipëri. Vettingu mund të kapë më shumë disa nga deputetët apo ish deputetët e PS-së, që figurojnë ndër më të pasurit në Kuvend, por pa dyshim që do të ketë optikën e tij pasuritë e paligjshme të të gjithë personazheve dhe aktorëve të politikës nga viti 1991 deri më sot.
Nëse Berisha e ka miratuar Marrëveshjen e 19 majit dhe ka heshtur, njeriut mund t’i shkojë ndërmend se mund të jetë bërë dhe një kompromis për të krijuar një amnisti për disa personazhe kryesorë. Të them të drejtën nuk e di një gjë të tillë. Dhe as nuk dua t’ia di. Por jam i sigurt që funksionimi i Vettingut do krijojë dalëngadalë një çmontim të sistemit të korrupsionit të llahtarshëm në Shqipëri. Shkatërrimi i këtij sistemi vetvetiu asfikson dhe bënë të pamundshëm edhe personazhet që përkohësisht duket se amnistohen. Nuk mund të ketë një amnisti për krimin nga pikëpamja juridike. As mund të ketë një asfiksi të kujtesës. Pra nuk mund të ketë një Amnezi të Zezë të kujtesës historike moderne të Shqipërisë. Ata që janë mosbesues me funksionimin e Vettingut duhet të kujtojnë se procesi i Vettingut ka ndodhur edhe në vende të tjera të Europës Juglindore.
Dhe skaneri i Vettingut ka kapur shumë personazhe të mëdhenj, të mesëm, të politikës, të ekonomisë dhe të shoqërisë, të pushtetit politik dhe të atij juridik, të gjyqësorit por dhe të mediave. Vettingu është një shpresë konceptuale për popullin shqiptar. Amen!
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: EDHE KOKA E ALBIN KURTIT SHFRYTËZOHET PËR VOTË!
Pashtriku, 8 shkurt 2021: Militantët partiak dhe jo vetëm për ta denigruar personalitetin e Albin Kurtit (për votë)…
DR.FADIL MALOKU: ‘FAKE NEWS’ MADE IN KOSOVA, NUK JANË TË RASTËSISHME!
Prishtinë, 2 gusht 2018: 1. Në kohën tonë rrjetet sociale… kanë “pronësuar”, pothuajse në mënyrë të…
KUSH I ORGANIZOI DEMONSTRATAT E MARSIT – PRILLIT 1981 NË KOSOVË?
Në 42 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 KUSH I ORGANIZOI DEMONSTRATAT E MARSIT – PRILLIT 1981 NË…
HISTORI FRYMËZUESE …
HISTORI FRYMËZUESE Histori frymëzuese Tre shqiptarët e rinj trieshjanë nga Mali i Zi që shkëlqyen në vitin 2022…