RKL: AJSHE GJONBALAJ, FEMRA E PARË SHQIPTARE QË U DËNUA ME 13 VJET BURG – PËR KUNDËREVOLUCION!

Pashtriku.org, 15. 02. 2014 – Ajshe Gjonbalaj u lind më 1 tetor të vitit 1948 në fshatin Vuthaj të krahinës së Plavës e Gucisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën Normale, në Pejë, Shkollën e Lartë në Prishtinë. U burgos më 23 mars 1984 dhe e dënuan me 13 vjet burg të rëndë nën akuzën për kundërrevolucion, neni 139 dhe 114 i LPJ, që parashihte dënim edhe me vdekje. Lirohet nga burgimi pas një amnistie në vitin 1990. Ajshe Gjonbalaj ka qenë e dënuar edhe në vitin 1975, në Plavë, me 2 muaj burg, pas kthimit nga një ekskursion të arsimtarëve të shkollës fillore, “Xhafer Nikoçeviq” në Shqipëri. Për një kohë ka punuar si mësimdhënëse në vendlindje, mirëpo për shkak të presionit të UDB-së në vendlindje, meqë ishte identifikuar si nacionaliste, detyrohet të shpërngulet për në Kosovë dhe vazhdon punën e mësimdhënies në Prishtinë. Gjithmonë ka qenë aktive në Lëvizjen kombëtare. Është dënuar bashkë me vëllanë e saj, Beqirin, si pjesëtarë të organizatës, “Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve”. Udhëheqës i grupit ishte Rifat Kafexholli i cili u dënua me 20 vjet burg. Ajshja ishte Bashkëpjesëmarrëse dhe organizatore me grupin e saj në demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981, në Prishtinë. Aksionet e Ajshe Gjonbalajt dhe organizatës së saj kundër okupimit serb të Kosovës patën jehonë të jashtëzakonshme, meqë shpërthimet në vende të ndryshme të Prishtinës, asnjëherë nuk shkaktuan viktima, por ishin shpërthime inteligjente, paralajmëruese për tërë aparatin represiv që dënonte dhe ndëshkonte rininë përparimtare dhe liridashëse të Kosovës. Ajshe Gjonbalaj ka qenë femra e parë në Kosovë që është dënuar me 13 vjet burg, për veprimtari anti-jugosllave në vitet 80-të të shekullit të kaluar. Disa vite pas lirimit nga burgu ka jetuar në Nju Jork, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me vëllezërit e saj. Ndërkohë është kthyer dhe jeton në Prishtinë, tani për tani pa përkrahje të institucioneve të Kosovës. Gjatë vizitës së saj në Radion – Kosova e Lirë, redaktorja e Radi0s, Arbanë Qeriqi ka zhvilluar këtë intervistë, të cilën po e botojmë edhe në portalin www.pashtriku.org.

RKL: Mirë se keni ardhur në studion e Radios Kosova e Lirë, motra Ajshe.
Ajshje Gjonbalaj
: Faleminderit për pritjen dhe ftesën për këtë intervistë. Radio Kosova e Lirë më ka mbetur në zemër, që kur e kam dëgjuar për herë të parë, sepse nga kjo Radio janë shpërndarë lajmet e para nga frontet e luftës së UÇK’së, lajme për luftën dhe qëndresën heroike të shqiptarëve për çlirim nga Serbia okupatore.
RKL: Ne i njoftuam dëgjuesit tanë me pak të dhëna të jetës suaj, tani kërkojmë nga ju të na rrëfeni për kohën kur keni punuar në arsim dhe kur keni qenë e dënuar për herë të parë nga regjimi Jugosllav.
Ajshje Gjonbalaj:
Ju sikur e thatë, unë shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, shkollën e mesme në Pejë. Me vështirësi të madhe na kanë shkolluar prindërit, ata kanë qenë pa punë, vetëm punëtorë të krahut, e kanë ndarë kafshatën e gojës për të na shkolluar, unë jam gjenerata e parë e vajzave më të arsimuara shqiptare në atë krahinë shqiptare, nën Malin e Zi.
Një ditë, duke udhëtuar nga fshati Vuthaj drejt për në Çakorr, ishte gjysmë vjetori i parë i shkollës mesme, kemi ndaluar në Kuqishtë, për të pushuar. Hoteli ka qenë afër shtëpisë së Rankoviqit. Aty ka qenë plot për plot me malazez dhe nja 7-8 shqiptarë, aty nuk kemi mundur me pushu se ishte plot për plot me malazez, kemi shkuar në shitore për me pushu sepse ishte borë e madhe akull, aty jemi ulur të pushojmë se ishim të lodhur. Kemi filluar ta hamë ushqimin që na kishin përgatitur prindërit tanë. Ndërkohë ka lajmëruar dikush se u rrahën shkitë malazez me shqiptarë, menjëherë jemi ngrit e kemi lënë bukën përgjysmë. Aty kamë hy unë, kam qëndruar në derë, aty veç përplaseshin shishet me njeri tjetrin, disa 2-3 vetë të vendit tonë shqiptar kanë pas armë me veti, ato ua kam fsheh unë, sepse erdhën policia filluan me kontrollua, malazezët ikin ne mbetëm duke u rrahë me policë.
Një policë filloi ta rrahë njërin prej shqiptarëve, unë ia kapa shkopin policit, dhe e kam goditur me tërë fuqinë kurse polici më përplasi disa metra nëpër akull, pastaj na kanë mbledhur një nga një. Aty, ai vend ka qenë i mbuluar me gjak, na kanë dërguar prapë në Stacion policor kanë filluar me pyetje dhe filluan të na rrahin përsëri dhe në mbrëmje na ndan në autobusë shqiptarët veç serbet veç. Aty ishin një numër i madh njerëzish ishim përafërsisht 200-300 vetë gjithnjë duke na ruajtur me policë. Të nesërmen çdo njëri kemi filluar me shkuar në mësim pas 2-3 jave policët filluan me ardhë me na marr një nga një, isha në orë të mësimit, në atë orë të mësimit ishte Avni Lama, një profesor i shkëlqyer. Polici hyri brenda dhe pyeti kush është Ajshe Gjonbalaj. Unë u ngreha në këmbë, mirëpo profesori nuk deshi të më dorëzojë, vetëm i kam bërë me kokë që ka lidhje me mua, dhe ai ka heshtur nuk ka vazhduar më tutje. Unë shkova me policinë, tashmë kishin filluar ndjekjet vazhdimisht, çdo herë e kem pas nga një polic mbrapa fatkeqësisht shqiptar…
RKL: Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, pavarësisht represionit, burgosjes dhe dënimeve të përditshme të liridashësve nga regjimi, ju nuk e keni ndërprerë veprimtarinë atdhetare, përkundrazi jeni organizuar në grupe, që kishin për qëllim vazhdimin dhe konsolidimin e veprimtarisë atdhetare. Si ndodhi kjo?
Ajshe Gjonbalaj:
Që nga fëmijëria Atdheun e kam dashur mbi të gjitha. Jo me interes, jo për lojë. Vërtet ka qenë një atdhetari serioze dhe shumë e vendosur s’ka fuqi në botë që ma ka ndërrue mendjen dhe kështu do të vazhdoj deri në fund.
Unë kam punuar në shkollën, “Ganimete Tërbeshi” në Llukar komuna e Prishtinës dhe aty në mesin e kolegëve kam gjetur një ngrohtësi tepër të madhe. Me kolegët kemi qenë sikur një familje. Aty e kam gjetur edhe një dashuri të madhe nga të gjithë, të gjithë prindërit e nxënësve më kanë dashur shumë, që pastaj kur jam burgos kanë bërë peticion dhe më kanë përkrahur, shfrytëzoj rastin dhe i falënderojë të gjithë ata që mund të jenë duke na dëgjuar.
Asokohe e krijuam grupin “Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptare”, të shqiptareve kudo që janë në të gjitha trojet.
Rifat Kafexholli ka qenë kryetar i grupit, ai ka punuar si të gjithë ne, po regjimi e kishte pikasur atë si kryetar të grupit. Rifat Kafexholli ka qenë student i biologjisë dhe një shokë shumë i mirë, djalë i shkëlqyeshëm babanë e kishte mjek, çdo herë që e ka marrë në pyetje UDB-ja jugosllave i thoshte ti i ke pas të gjitha kushtet e ke babën mjek, vetë student, çka po donë më shumë. I kem krye shumë aksione së bashku, kemi krye aksione si shpërthimin me dinamit në korzo të Prishtinës. Rifat Kafexholli, Nuhi Bunjaku, Sadik Jashari, Xhemail Krasniqi kanë qenë shokë edhe me ta kam bashkëpunuar. Ata kanë qenë aktivistë të mirë. Kemi punuar me barut të terur. Në mesin tonë ka qenë edhe Mentor Krasniqi, pastaj Kadri Labenishti, Trëndeline Labenishti, Sadik Jashari, Xhemajl Krasniqi, të cilin më vonë e kanë mbytur në burg. Ai ka vdekur duke u kërkuar ujë shokëve, e kanë lënë të vdesë në mënyrë mizore duke i thirr shokët për t’i dhënë ujë. Të gjithëve na kanë torturuar shumë po më së shumti ka qenë torturuar ata që ishin dënuar mbi 10 vite burg. Unë sekretin kurrë nuk e kam thënë pavarësisht torturave të rënda.
Më kujtohet se në vitin 1984 me autobus kam shkuar në shkollë në Llukar, ku punoja. Atje ka ardhur një veturë me disa shqiptarë, me arrestuan dhe më dërguan në burg të Prishtinës. Aty më futën në qeli. Të nesërmen vjen një polic, i cili ka banuar në të njëjtën banesë ku kemi banuar edhe ne, ai ka qenë shumë idiot dhe na ka torturuar shumë. Pastaj më dërguan drejt në burg të Mitrovicës, burgun e femrave. Atje filluan torturat na kanë rrahë tërë natën, më kanë torturuar shumë, mund të them se jam femra shqiptare më e torturuar në botë.
RKL: Jeni dënuar me 13 vjet burg, me sa dimë ne jeni e vetmja shqiptare e dënuar me aq vite burg. Si e shpjegoni këtë?
Ajshe Gjonbalaj:
Veprat penale që na i kishin ngarkuar parashihnin deri dënim me vdekje, mirëpo kjo nuk më ka bërë përshtypje hiq edhe këtë dënim që ma kanë dhënë për 13 vjet nuk kam qenë e befasuar se e kam pritur. Kemi qenë të vetëdijshëm se e presim këtë, e prisnim vdekjen të gjitha. 33 vjet i kam pasur kur më kanë burgosur. Rifatin e dënuan 20 vjet burg, 3 vetë i kanë dënuar 15 vjet, 2 vetë i kanë dënuar 14 vjet, mua 13 vjet, njërin 12 vjet dhe njërin 10 vjet. Të tjerët i kanë dënuar nën 5 vjet, vëllanë tim Beqir Gjonbalaj, Trëndëlinë Labenishtin dhe këta të tjerët i kanë dënuar nga 2 vjet. Mentorin dhe disa vëllezër të Nuhi Bunjakut i patën burgosur të gjithë, por më vonë i liruan një nga një. Nuhiun e kanë dënuar 15 vjet burg.
Në fillim na dërguan në Burgun e Mitrovicës pastaj na dërguan në Lipjan, aty takova shumë vajza shqiptare të burgosura politike ku e kaluam shumë mirë.
Unë me Trendelinen atje gjetëm Hafide Topallin, Kadrie Gashin, Nazife Xhemajlin, Minire Ramadanin, Zogen, pastaj Myrvete Dreshajn, Akile Dedincen, e vajza të tjera. Në burg ka pasur literaturë – lexonim, kur donim të pushonim luanim shah, kemi qenë vërtet si një familje e madhe.
Më kujtohet kur një ditë, ka qenë festë, i sollën dy flamuj për t’i hekurosur njërin ma dhanë mua, nuk ishte flamuri shqiptar, ka qenë aty edhe një e burgosur tjetër boshnjake për vrasje, asaj ia dhanë flamurin shqiptar kurse mua jugosllav, flamurin e Serbisë me tri ngjyra. E luta me të mirë me i ndërrua flamujt po ajo nuk pranoi kurrsesi. Unë nuk bëra zë, e mora flamurin jugosllav e vendosa në tavolinë me hekurosë.
Ngadalë, me gisht të vogël e ktheva në temperaturën më të lartë dhe e lë mbi të dhe shkoj në banjo ku qëndrova gjatë, sa i lava sytë dhe duart, me qëllim që të digjet flamuri. Kur kthehem flamuri ishte djegur krejtësisht. Tani çfarë të bëj. Me akuzuan mua por nuk më zunë në vepër. Askush nuk më pa, asnjë njeri. Ishin afër por nuk më hetuan, çfarë bëra unë. Pastaj na morën në pyetje. I thash unë nuk di, unë kam qenë në banjo. Ti e ke djeg, më thanë. Dhe unë atëherë as ju thash po as jo, vetëm i dëgjoja se çka po flasin. Ata e dinin se kush e kishte djegur, donin të më detyronin mua ta pranoj, por unë nuk pranova. Nuk i bënë as tri fjalë më, vetëm erdh polici, m’i vuri dy duart në pranga dhe më përcollën për Mitrovicë.
Kur më dërguan atje njëfarë Miça serb i Beogradit, që ka qenë i tmerrshëm, më tha “pa ti llomit shumë, asnjë brinjë s’ kam me ta lanë”. Ti prapë erdhe këtu a?” më tha, se lajmi ishte shkuar se ishte djegë flamuri. Më çuan në dhomë. Qëndrova nja 4-5 ditë. Këndej vajzat mbanin grevë urie, që të më kthenin mua përsëri. Shumë prej tyre i kanë lënë nëpër vetmi. Katër prej tyre i prunë pas meje: Trëndelinë Labënishtin, Afete Topallin, Kadrie Gashin, Nazife Xhemajlin. Unë ia dëgjova zërin prej së largu. I hetova se kanë ardhur vajzat se flisnin me njëra tjetrën. Janë ardhur aty, pa e ditur se unë isha. Kur dolën policet, ato më thirrën në emër dhe u takuam. Të nesërmen na i vunë prangat dhe nën përcjelljen e policëve dhe na nisën.
Gjithë burgu ka qenë i rrethuar me policë, atë ditë që na nisën për në Serbi. Ishim pesë të burgosura. Mua m’i lidhën dy duart me pranga, ndërsa ato të katrat i lidhën dorë për dorë, nga dy veta dhe na futën në automjet, pa e ditur ne se kah po na çojnë, na nisën drejt për Pozharevc. Kur mbërrimë atje, të nesërmen më thërrasin mua, dhe erdhi një UDB-ash i Beogradit dhe më tha: “A e din se kush jam unë?”. Unë nuk fola fare. “Unë jam përgjegjësi i krejt burgjeve të Jugosllavisë”, më tha dhe nisi të bërtas. “Ato gjëra që i keni bërë ju atje, po t’i përsërisni këtu do t’iu varim. Dhe cila do që gabon, ti je e para që do të japësh llogai”, sepse ata mendonin se çdo gjë që bëhej në burg, unë i organizoja. Më ndalën nja 3-4 orë në këmbë dhe më kthyen prapë ne burg. Mua më dërguan në një pavijon më të mbyllur, se kisha vite më shumë burg, ndërsa vajzat tjera kanë qenë më pak të dënuara, gati ishin për t’u liruar. Me to kam qëndruar një vit, një vit e gjysmë, dhe të gjitha janë liruar. Unë mbeta aty dhe atëherë e kam pasur më vështirë. S’ka pasur më asnjë shqiptare, s’kam folur më asnjëherë shqip.
Po ju tregoj një rast. Erdhi një kamion përplot me material me paketa të rënda. Tani ne na radhitën të gjithave. Mua më vendosën në paketën më të rëndë. E marr ta ngarkoj, nisën këmbët të më dridheshin. Pas një sekondëe e kam larguar krahun dhe e lëshova në tokë dhe kërciti me të madhe sepse kishte qenë përplot me hekura, sepse punonim shporete elektrik i qonin materiale në CZ te meshkujt. Ata s’bënë zë, por pas një jave më dërguan në qeli një muaj. Qelitë kanë qenë të llojllojshme. Njëra qeli ka qenë me një dritë të vogël me të cilën mundeshe të orientoheshe nga pak. Kam qenë edhe në një shumë të errët. Kam provuar qeli të llojllojshme. Më kanë torturuar shumë. Me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, një javë pa ardhur tek unë, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, kishte vizituar burgun në Pozharevc. Në gjellëtore ku na qonin të hamë ushqim, e cili ishte shumë i dobët derisa rashë gati në 40 kilogramë. Pastaj filluan me i përgatitë mirë gjellërat, kishim mish, sallata të ndryshme shtesë. U bëmë sikur në hotel nja 4-5 ditë. Një ditë në vend të punës ku e kisha brenda burgut, po vjen policja dhe po më drejtohet: “Ajshe po të thërret dikush! A je duke ardhur.. Jo – ja ktheva, nuk bëri zë dhe u kthye. Vjen prapë s’dyti herë pas 20-30 minutave, më tha “Hajde se po të kërkojnë”. Unë mendova se ishte provokim. Çka më thërrasin mua serbët, UDB-ashat, veç me më maltretuar, dhe kisha vendos mos të shkoj.
Vinin shkonin dhe gati u bënë dy orë. Kjo punë u bë e madhe. Atëherë vendosa të shkoj e të shoh se çka është duke ndodhë. Kur shkoj me policen, ishin duke më pritur 4-5 vetë të Kryqit Kuq Ndërkombëtar. Buzëqeshën dhe ma dhanë dorën. Pa ju thanë fare ndërkombëtarët nxorën kartat e identifikimit.” A ke dëshirë me fol me ne “, – po ju thash. Hymë në një zyre, u ulëm aty. Policët e dinin mirë se unë kam për të treguar çdo gjë. Ata ishin ardhur për atë punë. Unë edhe ashtu isha e rrahur dhe e shtypur, bile do të tregoj të vërtetën. Disa të burgosur politikë në CZ-në e meshkujve ju kishin thënë atyre, (sepse ata treguan) mos shkoni pa e parë Ajshe Gjonbalajn. Atyre ju kishte lindur dyshimi se mos më kishin mbytur. Njëri prej tyre, më tha se menduam se të kishin vrarë. Ju thash se në atë situatë disa herë më kanë sjellë. Dy-tre polic hynin e dilnin, sepse nuk kishin të drejtë të rrinë aty. Ndërkombëtarët e hetuan se çfarë më kanë bërë pa ju treguar fare. Edhe unë ju tregova. Pas shumë pyetjeve dhe përgjigjeve, njëri prej tyre ma bëri me kokë mos të flas më, sepse i vërejti policët se do të hakmerren. Le të hakmerren ju thashë, se kështu jam mësuar. I kisha edhe tri vite burg, por ranë ndërkombëtarët dhe sistemi komunist që e theu qafën, se përndryshe nuk ma merr mendja se do të dalsha e gjallë prej burgut. U përshëndetëm me ndërkombëtarët dhe ata më falënderuan dhe unë gjithashtu. Pastaj mua në burg më lanë të lirë nja një javë, që të mos e hetonin të burgosurat tjera. Pastaj më futën përsëri në qeli. Ajo qeli ka qenë plotësisht e errët. As nuk e ke ditur kur është mëngjes, as mbrëmje dhe nuk ke marrë vesh asgjë.
RKL: Sa gjatë ke qëndruar në atë qeli?
Ajshe Gjonbalaj:
Një muaj. Disa qeli ishin me dërrasa. Ajo qeli po të kishte dërrasë, do të ishte mirë për mua, sepse do të isha ulur e do të kisha pushuar. Po ma hiqnin dërrasën e mbështetshin për muri e çelësin në te dhe e mbyllnin. Unë qëndroja në beton. Qelia nuk ka qenë vetëm beton po edhe nën të edhe akull. Mos të dilte gjumi natën u ngrije, bëheje akull. Unë veshur e mbathur jam zgjuar edhe natën dhe kam lëvizur vazhdimisht. Kjo ishte metoda që mua më ka shpëtuar, sepse mua në mëngjes më kishin gjetur të vdekur.
RKL: Jeni liruar nga burgu me rastin e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Nga cili burg jeni liruar dhe si jeni gjendur në vitet e para të lirimit nga burgu?
Ajshe Gjonbalaj:
Jam liruar më 29 Nëntor të vitit 1990. Kam qenë femra e fundit shqiptare, që jam liruar nga burgu i Pozharevcit. Në mbrëmje erdhi policja dhe më tha: – Nesër Ajshe shkon në shtëpi”. As që më ka shkuar mendja, se aq shumë bënin provokime të ndyra sa të gjitha që flisnin ishin gënjeshtra të gardianëve. Unë nuk reagoj fare, sepse mendova se është gënjeshtër. Të burgosurat thonin se çfarë njerëz janë këta, si nuk reagojnë hiq, 100 vjet me i lanë në burg nuk reagojnë a po dalin a po hynë. Unë vetëm i dëgjoja dhe nuk reagoja as nuk folja fare.
Në mëngjes po vjen prapë policja. “A u bëre gati” më tha. Thash me vete se sigurisht po më dërgojnë me një burg tjetër. I bëra gati rrobat, shkova t’i dorëzoj. Atëherë u binda pak, se përndryshe rrobat do i kisha marr me vete me qenë në ndonjë burg tjetër. Më thanë që rrobat e veshura të burgut ti marr me vete. Më than dil. Unë dola. Na i dhanë disa rroba, një orë e kisha në dorë dhe pak të holla, dinarë se punonim në burg, m’i dhanë për autobus. Kur dola prej burgut nuk dija si të gjendesha. Shkova për Beograd se kisha dëgjuar se prej burgut të Pozharevcit, Beogradi ishte nja 7 kilometra, bashkë me disa të burgosura serbe që ishin liruar atë ditë. Në Beograd pashë trenin për Fushë Kosovë. E nxora biletën, por kisha për të pritur. Nuk flisja me askënd se e dija se kishte agjentë në të gjitha anët. Edhe pse më liruan prej burgut, ishte si me qenë në burg. Edhe më keq. Në katër anët më përcillnin sepse isha edhe me tesha të burgut. As nuk ha, as nuk pi, megjithëse isha e uritur, se kisha ngrënë qysh një ditë më parë, në mbrëmje. U nisa për Kosovë. Askush nuk e ka ditur në familje se jam liruar. Nuk kam lajmëruar askënd sepse nuk kisha as numër telefoni, për shkak se isha në burg për kohë të gjatë. Kur nxora biletën e trenit nuk dija se sa kushtonte bileta se kishte kaluar kohë e gjatë pa i përdorur të hollat. Dhe mbërrita në Prishtinë. Në Prishtinë takohem me disa të tjerë që sigurisht edhe ata ishin liruar prej burgu, dhe me një automjet arritëm në qendër të Prishtinës.
RKL: Si jeni ndier për herë të parë kur ka dal publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, forca e armatosur e idealeve kombëtare e vitit 1981?
Ajshe Gjonbalaj:
Nuk kam ndier veten asnjëherë më të gëzuar se sa me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë kam qenë e vetëdijshme, qysh në rini, se ky vend duhet të ketë një ushtri çlirimtare. Pa UÇK-në nuk do të ishim këtu ku jemi. Më habisin njerëzit duke kritikuar dhe sharë njëri tjetrin, vetën për shkak të pozitave. E kisha bërë edhe një lutje të burgosurve politikë që ata të mos përçahen, por ta përkrahim njëri tjetrin, nëse duam të fitojmë, sepse ka shumë punë ende të pakryer. Shikoni Mitrovicën. Nëse bashkohemi, pa marrë parasysh cilës partie i takojnë. Ju lutem mos lakmoni në karrige. T’i japim përkrahjen kësaj qeverie dhe të shkojmë deri në fund, ta çlirojmë Mitrovicën, se ajo na është ndarë qysh pas luftës. Për çlirimin e saj, duhet të jemi të gjithë të bashkuar, pa marrë parasysh cilës parti, apo si individ. Edhe unë me mundësitë e mija do të jap një kontribut për këtë gjë. Gjithashtu edhe për trojet tona të tjera.
RKL: Cila ishte veprimtaria e juaj, sa keni qëndruar në Amerikë?
Ajshe Gjonbalaj:
Veprimtaria e ime në Amerikë kishte burim çlirimin e Kosovës. Kemi pas takime të shumta. Kemi organizuar demonstrata të njëpasnjëshme të cilat kanë pasur jehonë nëpër botë. Kemi organizuar demonstrata të shumta në New York, çdoherë kur ka qenë nevoja, dhe çdo herë kam qenë aty. Në Uashington, në Ohajo etj. Aktiviteti i njerëzve nuk ka munguar kurrë, por edhe tani nuk duhet të shkëputemi prej aktiviteteve. Tani janë edhe mënyra tjera. Kam qenë edhe aktiviste në “Vendlindja thërret”. Kanë qenë disa njerëz të shkëlqyeshëm. Kanë punuar ditë e natë. Po ju tregoj një rast në Nju York: Në udhëkryq të New Yorkut kemi qëndruar natë e ditë gati një javë, me fotografi të njerëzve të popullit të Kosovës, fëmijëve, grave, pleqve, foto me krime të tmerrshme. Ne popullin amerikan e kemi njoftuar se çka po ndodhë. Popullit amerikan si i tregonim se jemi nga Kosova, ata e dinin. Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka bërë të njohur popullin shqiptar në botë. Dhe duhet t’ju japim përkrahje më shumë. Jo t’i nënçmojmë, por të mundohemi që ushtrinë tonë ta bëjmë të fortë. Sa është e fortë ushtria, aq është i fortë shteti. Si mundet me qenë një shtet i fortë, pa ushtri. Ky është mashtrim.
RKL: Motër Ajshe, si ndiheni tani pas kaq vitesh, kur Kosova e ka fituar pavarësinë, kur në të gjitha trojet shqiptare frymohet më lirshëm, pavarësisht se shumë nga trojet shqiptare ende kanë mbetur jashtë Kosovës e jashtë Shqipërisë?
Ajshe Gjonbalaj:
Kosova nuk ka qenë kurrë më mirë se sot, as populli shqiptarë kurrë s’ka qenë në pozitë më të mirë, se e kemi lirinë. Ajo është në formim. Çdonjëri duhet të punojë për këtë popull. Nuk e ka fajin për shembull për çdo gjë qeveria, por edhe ne populli. Duhet të punoj secili atë që duhet të punoj. Të krijojmë shtetin e fortë, sepse sa kemi nisur t’ i marrim këmbët. Mos të bëjmë krahasime me ata që e kanë pavarësinë qe 300 vjet e ne 13 vjet. Pa anime dhe pa interes po flas, por ma merr mendja se kjo qeveri është qeveria më e mirë deri më sot. Ndoshta në të ardhmen mund të ketë, por sot për sot është më e mira dhe ta përkrahim, sepse kanë filluar marrëveshjet dhe nuk duhet ta ndërrojmë. Me krijimin e partive të tjera, duhet njëherë të afirmohesh dhe duhet kohë e gjatë. Atëherë ky është stagnim. Të largohemi prej demonstratave, se në këtë kohë nuk janë të mira. Në të ardhmen shohim e bëjmë.
RKL: Ju falënderojmë nga zemra për vizitën që na e keni bërë, dhe për kohën që e keni ndarë për ne.
Ajshe Gjonbalaj:
Faleminderit edhe prej jush, dhe të gjithëve. Zërin e Radios Kosova e Lirë e simpatizoj dhe do ta kem në zemër përherë, sepse në këtë radio janë dalë fjalët e para për UÇK-në. E ka informuar popullin për çdo gjë gjatë luftës, dhe tani është zë i fjalës së lirë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura