Pashtriku.org, 08. 11. 2014 – Ligjërimi politik është përherë fitimtar, edhe kur partia është në disfatë politike, fitorja e kundërshtarit është përherë e paligjshme dhe e papranueshme, heretike, anatemuese. Ligjërimi politik nuk është më një betejë mendore, por një sundim, ballafaqimi humbet… Kjo diktaturë verbale bën një krisje midis gjuhës dhe mendimit. Hap humnera. Po kush është skllav i fjalëve, është politikisht i pafuqishëm. Kush dëshiron të bëjë politikë, duhet të jetë zot i fjalëve…Lehtësia komike për të folur tmerrësisht gjatë është papërgjegjësia e fjalëve, është një senilitet gjuhësor, një psikiatrizim i gjuhës. Ligjërimi totalitarizohet për grupin, klanin. Kështu, ligjërimi politik bëhet një enklavë e mbyllur, gjuhësisht e korracuar, e koduar për militantët e fanatizuar dhe të bindur verbërisht. Kauza e demokracisë nuk ka rëndësi dhe partneriteti politik është i përjashtuar.
***
Për 20 vjet klasa politike shqiptare modelohet nga e folura identifikuese e ligjërimit përkatës publik.
Ky ligjërim është ajo vetë.
• Është paraqitje,
• emërtim,
• shpallje,
• aspiratë,
• programim dhe mbi të gjitha forcë,
• apel,
• grishje,
• kredenciale mediatike,
• autoritare,
• të pakundërshtueshme,
• të bujshme,
• hipnotike,
• të pakritikueshme (kurrsesi të vetëkritikueshme),
jo vetëm formulime verbale të çuditshme, por edhe shpirti i kuptimshmërisë së deformuar, të mangët dhe triumf arkaik i diletantizmit provincial. 20 vjet! Ajme, 20 vjet nuk janë pak. Është një kohë e shpërdoruar mjerueshëm jo për të mësuar, por për të mos mësuar!
Kush është skllav i fjalëve, është politikisht i pafuqishëm!
Njerëzit identifikohen nga të folurit, po ashtu edhe partitë dhe krerët e saj. E folura e njerëzve përgjithësisht është komunikim, e folura e partive është pushtet, imponim. Dallimi është i madh, shpesh i frikshëm.
Jo çdo ligjërim publik është politik, por ligjërimi politik është gjithçka: edhe ligjërim shkencor, moralistik, ekonomik dhe kiç-kulturë e përgjithësuar shtrëngueshëm, formë e demagogjisë. Ligjërimi politik nuk ka nevojë për diferencime, as për kundërshti të brendshme,
• është gjithmonë unik,
• më saktë unitar,
• i sistemuar,
• i rregulluar,
• goditës,
• sulmues,
përhapës me synimin për të përfshirë gjithçka, sepse ligjërimi politik e shpall të vërtetën si atribut dhe peng të vetvetes. Ligjërimi politik i një partie nuk komunikon me ligjërimin politik të partisë tjetër, se duke qenë i vetëmjaftueshëm për veten, është përjashtues për tjetrën.
Ligjërimi politik është përherë fitimtar, edhe kur partia është në disfatë politike, fitorja e kundërshtarit është përherë e paligjshme dhe e papranueshme, heretike, anatemuese. Ligjërimi politik nuk është më një betejë mendore, por një sundim, ballafaqimi humbet.
Georg Oruelli e ka analizuar tipologjikisht këtë ligjërim të mbiquajtur konvencionalisht si politik. Oruelli i kthjellët thotë se, një ligjërim i tillë është përherë pamflet ose paskuil. ”Fjalët, – nënvizon Oruelli, – grupohen si kuajt e kavalerisë kur dëgjojnë zërin e burisë luftarake, automatikisht, në radhën e zakonshme, gjithmonë të njëjtë të marshimit“ (“group themselves automatically into the faiar dreary paternn“). Një gjuhë e tillë e liderit është ajo që mendon për dëgjuesin, ja jep të gatshme kuptimin, frazat e gatshme (“ready made phrases”), “formojnë për ty fjalitë, mendojnë për ty, duke mos lënë për të menduar vetë në mënyrë të pavarur dhe të lirë“.
Kjo diktaturë verbale bën një krisje midis gjuhës dhe mendimit. Hap humnera. Po kush është skllav i fjalëve, është politikisht i pafuqishëm. Kush dëshiron të bëjë politikë, duhet të jetë zot i fjalëve. Një proverb popullor shqiptar thotë: “Për ta nxjerrë fjalën nga goja, duhet ta tërheqin dhjetë pendë qe“. Lehtësia komike për të folur tmerrësisht gjatë është papërgjegjësia e fjalëve, është një senilitet gjuhësor, një psikiatrizim i gjuhës. Ligjërimi totalitarizohet për grupin, klanin. Kështu, ligjërimi politik bëhet një enklavë e mbyllur, gjuhësisht e korracuar, e koduar për militantët e fanatizuar dhe të bindur verbërisht. Kauza e demokracisë nuk ka rëndësi dhe partneriteti politik është i përjashtuar.
Këto karakteristika retrograde e bëjnë klasën politike shqiptare në të vërtetë një klasë parapolitike. Dhe, ligjërimin politik e zmbraps në parapolitik. Kjo është e trishtueshme. Sidomos kur dogmatizohet si statukuo, kur bishtnohet ndryshimi i domosdoshëm dhe jetik progresiv. Frika nga ndryshimi është prapambetja dhe stanjacioni i politikës shqiptare. Ky është problemi historik. Nëse njihet problemi, atëherë projektohet edhe zgjidhja e mençur dhe pa kthim e tij. Kjo logjikë është e pashmangshme. Këtu duhet të koncentrohet optika e analistëve të vërtetë dhe të paanshëm të politikës, duke braktisur klientelizmin e neveritshëm dhe të kotë politik. Këtu nis vizioni për të gjithë pa përjashtim, por sidomos për politikanët.
E thënë me gjakftohtësi dhe paanshmëri shkencore dhe morale, politika bëhet e vërtetë dhe e arsyetuar kur ajo heq dorë nga monopolizimi fondamental i saj dhe bëhet krejtësisht e hapur, duke zhdukur distancat artificiale midis partive politike dhe qytetarëve të shoqërisë. Kështu rritet përgjegjësia qytetare dhe kuptimshmëria qytetare e politikës profesioniste dhe institucionale. Kjo është rruga për të fituar të gjithë për të sfiduar mitin dekurajues dhe fatalist të “vdekjes së politikës“, që “ringjallja e politikës“ dhe demokracia funksionale dhe autentike të jetë realisht e tillë jo vetëm si formë, por edhe si përmbajtje.
Kjo është sfida e historisë dhe e emancipimit dhe shmangia e provincializmit folklorizant politik. Ligjërimi politik i partisë qeverisëse dhe ligjërimi politik i opozitës kanë një dallim të madh; ligjërimi i parë ka pushtet dhe instrumente administrative dhe autoritarizmin e ekzekutivit, kurse ligjërimi i dytë nuk ka pushtet të tillë, por ka kriticizmin në rrafshin e opinionit, pra është gjithmonë më demokratike dhe e vërtetë. Ky dallim mund të bëhet primitiv, i egër, i papërgjegjshëm nëse pushtetarët e privatizojnë kokëfortësisht pikërisht pushtetin. Në momentin aktual, sidomos ligjërimi i kreut të qeverisë, është skajëzuar në formën më ekstreme dhe më të padëshirueshme. Kryeministri do të gjykohet në histori pikërisht edhe nga dëshmia publike e ligjërimit të tij (ashtu edhe politikanët e tjerë të tërë spektrit politik).
Dhuna verbale, triumfalizmi, intoleranca me të tjerët, politikanizimi i tepruar, protaganizmi i vrullshëm, energjik, pa kufij, dogma e pagabueshmërisë vetjake gati mesianike, nuk kanë të bëjnë me ligjërimin e vërtetë politik, por më shpesh me ligjërimin e absolutizuar ekstrapolitik. Një ligjërim i tillë, më tepër se sugjestionues, është autosugjestionues, duke u skllavëruar nga iluzionet e vetvetes. Iluzioni shpik realitete të paqena, duke e bërë subjektin virtual dhe të shkëputur fatalisht nga çdo objekt shoqëror, pra edhe nga vetë politika. Heroizimi erazmik i vetvetes, mungesa e vetëdijes së gabueshmërisë njerëzore, kompleksi i të qenit kompetent për gjithçka sipas pseudoparimit: “të gjithë gabojnë, vetëm unë nuk gaboj“, e kanë bërë figurën e Kryeministrit jo aq më shumë nga kundërshtarët se nga ai vetë, diçka të konsumuar politikisht dhe jashtë kohe.
Ky është një konstatim i ftohtë, dhe për më tepër një shëmbëlltyrë e një procesi të gjatë historik, madje edhe të kushtueshëm. Duke mos respektuar të tjerët, në të vërtetë nuk respekton vetveten, duke mos qenë tolerant me të tjerët, je intolerant me vetveten. Kryeministri ka thyer rekordin më të zi të sharjeve ndaj kundërshtarëve politikë në Europë. Tek ai rëndon korrupsioni marramendës dhe instrumentalizimi personal, bajraktar i makinës publike të administratës. Si mund të ketë vizion për të tjerët kur nuk ka vizion për veten? Shqipëria nuk mundet dhe nuk ka pse të jetë peng i tij. Përfundimisht, secili rrugëton duke i hapur rrugët, jo duke i mbyllur. Por, rrugët nuk mund të mbyllen. Dhuna verbale ndaj opozitës (krejtësisht e shmangshme, tërësisht e panevojshme), çon në një konfliktualitet të rëndë dhe konstrukton një autovetmi publike. Për fat të keq, kështu ka ndodhur dhe po ndodh. Asnjë shkak nuk është i shkëputur nga pasojat. Procesin kimik të politikës nuk mund ta ndalësh verbalist, sidomos me anatema.
Vrasja e protestuesve në Tiranë, 21 Janar 2011!
Homazhe me lule dhe lot – më 28 Janar 2011!
Numri i kryeministrave do të jetë i pafund në Shqipëri, dhe kjo është normale, anormale është keqkuptimi dhe shpërdorimi historik i rolit mandator, të limituar të Kryeministrit në një vend demokratik dhe të hapur. Ky është një konkluzion dhe mësim i dorës së parë. Jo vetëm për një, por për të gjithë. Prandaj, historia ka tagër mbi politikanët dhe jo politikanët mbi historinë. Prandaj, klasa politike shqiptare duhet të mësojë dhe të reflektojë për t’u emancipuar për të mos u skualifikuar nga historia. Emancipimi kërkon dituri, dituria të jep shkallën e krahasimit dhe të shëron nga halucinacionet, mburrjet e pakuptimta, të bën modest dhe thellësisht realist, me këmbë në tokë. Kjo do të bëjë që klasa parapolitike të fitojë statusin e klasës politike. Kriza politike në Shqipëri është, veç të tjerave, edhe ngërçi i ligjërimit politik. Dhuna verbale ka sjellë edhe dhunë fizike dhe marrëzisht, edhe vrasje absolutisht të panevojshme, por që nuk mund të harrohen nga askush. Heshtja e 200 mijë vetëve në 28 janar, që nderuan me dinjitet të vrarët në 21 janar, flet më shumë se gjithçka. I sfidon ligjërimet politike. Çdo politikan serioz mëson nga kjo heshtje popullore. Akuzat për puçin a grushtin e shtetit për këta 200 mijë vetë (dhe për qindra mijëra të tjerë), nuk kanë fare kuptim. Sulmi emocional dhe pa precedent në Europë kundër Presidentit, Prokurorisë, SHISH-it etj., shkatërron ligjërimin ndërinstitucional, prek pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Nuk besoj se kjo katrahurë politike është fatalisht pa zgjidhje. Dhe, zgjidhja duhet të jetë dhe do të jetë detyrimisht politike, me mjete politike, jo parapolitike. Opozita nuk mund të mposhtet virtualisht. Ajo është shpresa e madhe e ndryshimit pozitiv jo vetëm për PS’në, por edhe për vetë PD’në. Çdo ndryshim është kapilarik dhe endemik për tërë shoqërinë shqiptare. Politika e vërtetë është gjithmonë bashkëpërfshirëse për të gjithë.
Tiranë, 05. 02. 2011
……………………………………………….
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)