Tiranë, 10. 12. 2015: (“Fjala i zbraps shekujt” – Euseb Jeronimi, Shekulli i V pas Krishtit) – Lindja e Faik Konicës para 120 vjetëve është një referencë e ciklit të tij biologjik, njerëzor. Ky cak, që dimensionon jetën e tij vetiake, (më saktë e kufizon pamëshirshëm) megjithatë është tepër konvencional e kalendarik.
Konica është nga ata krijues të mëdhenj e gati të papërsëritshëm, që atributin e gjithëkohësisë e shtrijnë tej limiteve të jetës së vet. Nëse kjo përsëritet shpesh duke u formalizuar, ose slloganizuar kuptimi i vërtetë e shumë i thellë i pavdekësisë intelektuale ahere fare lehtë emri i Konicës, nga një tabu e çuditshme e diktaturës, mund të kthehet në një ikonë e antologjive shkollore dhe e përvjetorëve. Në të vërtetë emri i Konicës është shumë më tepër se kaq. Ai është nga ata elementë bazë të kimisë shpirtërore të vetëdijes kombëtare që, nuk mund të përsëdyten, apo të zëvendësohen. Pra, është i gjallë, veprues, lëvizës, me një elan jetësor, të përhershëm. Në këtë kuptim Konica është përherë në një ringjallje si shprehje e rizbulimit mendor. Të tërë kemi bërë shumë pak për këtë rrafsh. Shumë tipare të dukshme të Konicës flasin për tiparet e padukshme, të shumta, që duhen ravijëzuar nga arkivat, nga letrat e pabotuara, nga faqet e shtypit shqiptar, por edhe nga faqet e shtypit evropian, po edhe amerikan, ku ai ka bashkëpunuar. Studiuesi që do merret me Konicën e trashëgimin e tij, dashje pa dashje, do t’i shëmbëllejë zbuluesit të kontinentit të ri, ose astronomit, që kalkulon ardhjen e kometave të panjohura. Në të kundërt të mendimit se Konica ka shkruar vërtet me cilësi, por sidoqoftë pak, dua të venë në spikamë faktin, se kryevepra e Konicës revista “Albania” ka afro 2500 faqe, disa mijëra faqe ka shkruar edhe te “Dielli”, korrespondenca me baronin Golluhovski, ministër i punëve të jashtme të Austro-Hungarisë (mbi 1000 faqe) pasohet nga korrespondenca me poetin gjenial francez Gijom Apoliner, me shkrimtarë të nivelit botëror si Remi de Gurmon, me dijetarë si Emil de Grand, Tulho Erber, Jan Urban Jamik, Teodor Ipen, Mishel Breal, Maks Myler, Holger Padersen, Julius Pisko, Albert Thumbo etj., etj., pra kemi të bëjmë me një “sagë epistolare” të pashembullt, botimi i të cilës do të përfshinte disa vëllime të mëdha. E të mos harrojmë se kjo krijimtari është e shkruar në disa gjuhë të botës, pra, është polivalente, jo vetëm në aspektin e mirëfilltë filologjik e glotologjik, por edhe të shprehjes e të stilit artistik, ndonëse brenda për brenda një individualiteti.
Faik Konica (1875 – 1942)
Po përmend më poshtë disa vepra deri tani pak të njohura të botuara ose jo nga Konica. Në 1895 në gazetën e Parisit “La libre parole” e më pas si broshurë më vete Konica botoi “Shqipëria dhe turqit” (“L’Albanie et les Turcs”), në 1898 si shkroi “Memoire sur le mouvement national albanias” (“Parashtresë mbi lëvizjen kombëtare shqiptare”), prej 84 faqesh (ndodhet në Arkivin e Vjenës). Kjo parashtresë ka rëndësi sinoptike e përbëhet nga pesë pjesë; e para (deri më 1877) e dytë (1877-1885), e treta (1885-1895) e katërta (1895-1899), e pesta (tabela alfabetike e atdhetarëve kryesorë të Lëvizjes Shqiptare). Në 1909 Konica botoi komedinë me një akt “Tregëtari i Vlorës”, përshtatur shqip sipas veprës “Le Marchand de Smyrne” (“Tregëtari i Smirnës”) të shkrimtarit Chamford (1740-1794). Në 1910 Konica përgatiti për botim librin e tij me titull “Kandili i Kuq”, që ndonëse e paralajmëroi nuk arriti ta botonte asnjëherë. Në 1912 nisi të botonte te “Dielli” fragmente të një libri “Jeta e Skëndërbeut”, sipas Barletit, (deri më 1918 botoi 25 fragmente të tilla me interes shumë të madh). Në 1915 Konica nxorri në dritë broshurën “L’Alemagne et l’Albanie” (“Gjermania dhe Shqipëria), në 1922 novelën “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, në 1924 romanin e pambaruar “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”, në 1929 esenë e gjatë“Shqipëria si m’u duk”, në 1924 librin “Në hijen e hurmave”, kurse në 1957 në Boston, nën kujdesin e “Vatrës”, botohet “Albania, the rock garden of southeastern, Europe” (“Shqipëria kopështi shkëmbor i Europës juglindore”), etj. Tërë këto vepra gjithashtu përbëjnë disa vëllime të plota.
Shumë tekste të Konicës janë botuar dhe në revistat e njohura të kontinentit si në “Le Mercure de France” (drejtuar nga Gurmoni) dhe “Le Festin d’Esope” (drejtuar nga Apolineri). Në gazetën “L’Europeen” Konica mori pjesë në 1903 në një nga polemikat filologjike më të stuhishme e më të mëdha të shekullit e me erudicionin e tij shkëlqeu midis emrave të tillë të savantëve si Apolineri, Mignon, Fruicter. Frut i kësaj veprimtarie intelektuale të nivelit europian qe broshura e Konicës “Ese mbi gjuhët artificiale e natyrore”, prej 165 faqesh, në frëngjisht, të cilën kohët e fundit e ka zbuluar dhe e ka përkthyer në shqip dhe po e përgatit për ta botuar studiuesi i njohur shqiptar nga Shkupi, miku im Luan Starova, (i doktoruar për Konicën). Kjo broshurë flet për jetën e gjuhëve, për gjuhën universale të ashtuquajtur “gjuha blu” – esperanton. Kjo është një temë e ditës sot në projektimin e Europës së Bashkuar.
Panorama e mësipërme argumenton se krijimtaria e Konicës është jo e vogël, por shumë e madhe dhe përgatitja e botimit të saj “opera omnia” është një ndërmarrje shumë serioze, shumëdimensionale e kulturës shqiptare.
Faik Konica veproi dhe krijoi në dy epoka; në atë të Rilindjes Kombëtare dhe atë të Pavarësisë. Në fund të jetës përjetoi i tronditur pushtimin fashist të 7 prillit 1939 e si sfidë shkroi librin që qe një projekt enciklopedik për tërë publikun ndërkombëtar për të njohur Shqipërinë, që u botua vetëm post mortum (në 1957).
Noli në fjalën e përmortshme në varrin e Faikut e ngre lart figurën e tij, duke thënë lakonikisht se Faiku qe kampion i indipendencës shqiptare. Noli nuk kursen të thotë edhe të metat e subjektivizmat e Faikut. Nismat e Faik Konicës për kulturën e vetëdijen shqiptare janë madhështore. Ai ishte ndër të parët që ideoi gjuhën e njësuar letrare si simbol i njësisë së vet kombit. Në rezultatet e sotme të shqipes së njësuar janë në gjenezë shumë gjetje konceptuale të Konicës. Vetëm kjo gjë e bën të pavdekshme emrin e tij.
Po gjuha nuk është qëllim në vetvete; kultura e gjuhës shpreh tërë afreskun e kulturave të tjera artistike të kombit. Konica është demiurg i eseistikës dhe i kritikës letrare, sociologjike antropologjike, si dhe filozofike. Në këto rrafshe ai ka bërë një vepër të shkëlqyer pionieri erudit. Jo më kot “Albania” e Konicës qe një enciklopedi e vërtetë dhe me një autoritet të madh, sa që Gijom Apolineri e quan një nga dy revistat më të rëndësishme të kontinentit europian, për kohën e vet.
Qëllimi iluminist e diellandritës i Konicës shpallet urbi et orbi në fjalën emblematike, që i vuri në fillim të faqes së parë të revistës “Albania”; “Salus Albaniae in literulis nostris” domethënë, “Shpëtimi i Shqipërisë është në shkronjat tona”.
Në rrafshin e letërsisë së mirëfilltë shqipe Konica spikat si një poet i dy tre soneteve të përsosur, i poezisë analogjike “Marsajeza shqiptare” e fragmenteve humoristike poetike ndërmjet veprave në prozë.
Një vend të veçantë zë romani i tij i pambaruar “Dr. Gjëlpëra…”, i shkruar me një mprehtësi të habitshme e me një frymë groteske, që të kujton kryeveprat e Xhonathan Suiftit e Gogolit. Ky roman, i pari në llojin e vet në shqip, është njëkohësisht dhe i pari roman i madh i nivelit kombëtar po edhe ndërkombëtar i prozës sonë. Në të Konica bën një prerje vertikale të realitetit shqiptar të viteve njëzet, të Kamorras shqiptare dhe të mbretit të ardhshëm që e quan Salemboza. Ky roman është një ballafaqim midis Perëndimit dhe Lindjes, midis qytetërimit dhe prapambetjes, midis botëkuptimit europian kartezian dhe miteve ballkanike e plogështisë levantine, ambiguitetit e mungesës së moralit të jetës. Dr. Gjëlpëra është sozia e vetë Konicës. Të njëjtin stil shkrimtari përdor edhe në identifikimin e vehtes me personazhin e quajtur plugu në novelën me subjektin e Zulluve, që bashkë me romanin në fjalë janë gati si dy fragmente të një vepre të vetme, një kompozicion bizar, të cilin edhe Xhejms Xhojsi do ta kishte patur zili. Në këtë kompozicion (të bashkimit të dy veprave) hapësira dhe koha, tipat dhe ngjarjet lëvizin me kahe të ndryshme, po synimi është i njëjtë: eksorcizmi i shpirtit, ngritja mbi të metat e kombit, arritja e emancipimit politik dhe moral i shqiptarëve. Kjo është bërë jo më propagandë pllakatiste por me mjeshtëri të rrallë.
Nisma e Konicës, për ndërkombëtarizimin e emrit të Shqipërisë, apo më saktë të çështjes kombëtare shqiptare është gjithashtu e jashtëzakonshme. Duke qenë një poliglot nga më të shquarit e Europës, ai shkroi në revistat e gazetat, duke përfshirë edhe ato të Amerikës, ku kaloi një pjesë të madhe të jetës. Sot më shumë se kurrë na duhej Konica! Ajme! Njëmijë diplomatë mesatarë, ose edhe të mirë nuk e bënë dot punën që Konica bënte i vetëm.
Konica qe një sfidant i lindur nga mendja e tij shkrepnin shkëndijat prometeike të gjeniut shqiptar, duke u kundërvënë tërë atyre që e mohonin vetë ekzistencën e kombit tonë, kulturën e tij. Me Konicën, çdo komb i madh do të mburrej, por sidomos një komb i vogël si i yni, që përballon tragjedi të pashëmbullta, me një fat të tmerrshëm në histori, ka më të drejtë, që ndërmjet Konicës të vërtetojë fuqinë e talentin krijues, duke i shkatërruar të tëra komplekset e inferioritetit e të vetëshkatërrimit. Nga kjo pikëpamje Konica është një motiv krenarie dhe optimizmi moral i pallogaritshëm, në çdo kohë, sidomos sot, kur jemi ngërthyer nga kriza e besimit, që është kriza më e rëndë.
Diktatura totalitare, duke e mohuar Konicën bënte një harakiri të saj në rrafshin shpirtëror. Konica është një mohues i çdo diktature, apo postdiktature. Krijimtaria e tij është substancë e gjallë e demokracisë, e padyshimtë dhe mbijetuese.
NJËZË TEE GUXIMSHME E FAIK KONICËS PËR SHKRIMIN SHQIP
Faik Konica ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, si krijuesi i estetikës shkencore ka hapur shtigje, nismëtar i disa aksioneve intelektuale në fushat e kulturës.
Filolog i shkëlqyer, njohës i rrallë i shumë gjuhëve të gjalla dhe të vdekura, ai përfaqëson gjeniun e kombit, një figurë emblematike, të ndritur. Padyshim një nga stilistët më të papërsëritshëm të shkrimit shqip. Është i pari, që synoi për ta trajtuar filologjinë jo vetëm sipas ligjeve të saj të brendshme, por edhe sipas koncepteve estetike të mirëfillta. Ai ka shkruar me një stil konçiz, që sot duket se është harruar. Sintezat e tij janë të habitshme, ai ka shpesh në një faqe informacionin e një biblioteke. Kjo mendje e rrallë nuk nguron të merret edhe me një problem universal, siç është ai i një gjuhe të vetme dhe të përbashkët të të gjithë njerëzimit.
Gijom Apolineri, një nga poetët më të mëdhenj francezë dhe mik i tij intim është shprehur se kur ka lexuar esenë e Konicës për gjuhët artificiale (p.sh. esperanton) është mahnitur nga erudicioni dhe kuptimi strategjik i mendimit konician.
Në librin e tij – vepër postume “Shqipëria, kopështi shkëmbor i Evropës Juglindore” Faik Konica parashtron një tezë jashtëzakonisht të guximshme për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai është i mirëinformuar dhe e njeh në thelb literaturën profesionale për këtë çështje.
Ai e di që dokumentet e para të të shkruarit shqip lidhen me dëshminë e murgut Bokard, i cili në 1332, 660 ( vjet më parë, në një libër kushtuar Mbretit të Francës, Filip De Valua shënon faktin se “Shqiptarët, ndonëse kanë një gjuhë krejtësisht tjetër nga latinët, në librat e tyre përdorin alfabetin latin”. Ky Bokard, i mbiquajtur Teutoniku, në librin e tij, jo vetëm që e mbështet hipotezën e shkruarjes së librave shqip, por ka bërë që kjo hipotezë të përparojë, duke synuar një etapë më të herëshme.
Konica nuk mjaftohet me kaq. Ai i bindur shtron një tjetër tezë akoma më ambicioze. Konica shkruan se librat shqip (që sot nuk i kemi) duhet të jenë shkruar të paktën 720 vjet më parë, pra afro para 8 shekujsh. Ai e lidh këtë me argumentin e krijimit të “Regnum Albaniae” të krijuar nga anzhuinët. Krijimi i këtij formacioni shtetëror më 1272 është një ngjarje me rëndësi shumë të madhe, që historianët e kanë parë në sipërfaqe. Është e vërtetë që mbretëria shqiptare u krijua nën siglën e anzhuinëve francezë. Por ka shumë arsye të mendohet, se kjo ishte një modus vivendi për të përligjur një shtet kombëtar shqiptar të mesjetës, rezultat i forcave paralelograme të princërve dhe dinjitarëve shqiptarë, të cilët kërkonin një mëvehtësi etatiste, pavarësisht nga emërimi (në këtë rast që ishte plotësisht kombëtar – mbretëria shqiptare), por që njihte sovranitetin anzhuin. Me të vërtetë në pozitën midis Lindjes dhe Perëndimit këtë herë shqiptarët bënë një zgjidhje të zgjuar në anën e Perëndimit. Kaq e vërtetë është kjo saqë edhe më pas princërit shqiptarë nuk u shkëputën nga ky konceptim, që i lidhte ata natyrshëm dhe fuqishëm me Evropën Perëndimore. Dihet, që Karl Topia në shek. XIV në stemën e vet, jo rastësisht, vë zambakët heraldikë anzhuinë, kurse në mbishkrimin latin në manastirin e Gjon Vladimirit, Karl Topia nuk harron të shënojë “gjakun francez” çka nuk mohon aspak shqiptarësinë e tij dhe konceptin kombëtar, sesa afirmon faktin e një kredoje europiane të mirëfilltë edhe kulturore, që ai e shihte në lidhje me shtetin e dikurshëm të Mbretërisë Shqiptare të Anzhuinëve.
Konica e ka kuptuar këtë gjë dhe nënvizon dëshminë, që në shkurtin e vitit 1272 mbasi Karl Anzhuja, vëllai më i vogël i Shën Luigjit, Mbretit të Francës, u zgjodh Mbret i Shqipërisë. Ai dërgoi në Durrës si mëkëmbës aristokratin e njohur Gazon d’Eshinar për të organizuar shtetin e ri. Kur mëkëmbësi erdhi në Durrës, shkruan Konica, do të ketë hasur vështirësi për ushtrimin e veprimtarisë shtetërore, ndaj do të ketë urdhëruar që të ndërmerreshin masa për shkrimin e gjuhës së popullit. “Me këtë rast shënon Konica – fillimet e shkrimit mund të vendosen rreth vitit 1273”.
Por Konica nuk mjaftohet me kaq. Ai vazhdon: “Unë jam i prirur që si fillim të shkrimit shqip të marr periudhën para hipjes në fron të Karl Anzhusë – nën Hohenshtaufenët, madje edhe disa breza më parë – nga periudha normane. Dijetari kroat Emil Shuflai – njeriu i cili e njihte shkëlqyeshëm Shqipërinë Mesjetare, ka thënë – se në një periudhë të historisë së saj, Shqipëria nuk ka qenë prapa vendeve të tjera evropiane si në mënyrën e jetesës, ashtu dhe në përparimin e përgjithshëm. Shqipëria atëherë ishte më tepër një zgjatje, apo një vazhdim kulturor e tregëtar i Italisë se sa një rajon nën ndikimin bizantin. Në shek. XII gjuha popullore italiane “Il volgare” dalëngadalë ja zuri vendin latinishtes, kështu “Kënga e Mahitarit të Toskanës “ (Ernesto Monaci, “Crestomazia Italiana dei primi Secoli, Citta di Castello, 1912; N.0 7), daton nga kjo periudhë. Me që çdo gjë ndodhte në Itali herët a vonë e merrte jehonën e vet në Shqipëri, mund të besohet se ideja për të shkruar gjuhën e vet do t’u ketë ardhur shqiptarëve nga Italia, aty diku rreth fundit të shek. XII. Përgjigjen përfundimtare të kësaj çështjeje mund t’ja gjejnë një ditë prej ditësh në arkivat e Vatikanit, apo në dorëshkrimet e pahulumtuara të pjesëtarëve benediktanë a dominikanë.
Se çfarë do të ketë qenë kjo letërsi e hershme shqiptare është e pamundur të thuhet. Mirëpo ka mundësi për disa supozime. Duhet të ketë pasur një varg poezish e romancash kalorësiake, apo më shumë ka të ngjarë – do të ketë pasur disa përmbledhje me kallzime, apo me anekdota, që i shëmbëllejnë veprës italiane “Cento novelle Antiche” (Njëqind novela antike), por numri më i madh i veprave do të kenë qenë libra fetarë dhe libra pieti”.
Pasazhi i mësipërm i librit të Konicës përbën në vetvete hipotezën më të guximshme deri më sot, të bërë nga ndonjë dijetar shqiptar, apo i huaj për shkrimin e shqipes. Natyrë skeptike, i pajisur me devizën e Dekartit për të dyshuar mbi gjithçka. Konica nuk entuziazmohej kollaj, nuk krijonte tema esesh, apo shtigje mendimesh, ku nuk kishte siguri. Nga kjo pikëpamje ky parashtrim i Konicës të bën të mendosh seriozisht dhe me gjakftohtësi për të ardhmen e kësaj çështjeje kaq të ndjeshme dhe kaq të rëndësishme të origjinës së shkrimit shqip.
Unë mendoj, se Konica në substancë nuk ka gabuar. Ai e ka ndjerë si detyrë dijetari të jepte për brezat mendimin, që me autoritetin e madh të kulturës së vet universale të frymëzonte hulumtuesit, gjuhëtarët dhe historianët, për të bërë një kërkim sistematik, të institucionalizuar në këtë drejtim. Konica u thotë atyre, që të besojnë tek një logjikë, pa patur frikë nga zhgënjimet. Nëse jeta dhe shkenca do ta vërtetojnë parandjenjën dhe ngulmimin e Konicës atëherë do të vërtetohet akoma më shumë entiteti evropian i mirëfilltë i popullit shqiptar dhe do të zgjidhet nyja gordiane e tërë ngatërresave të anonimatit, të shkatërrimit të arkivave vendase, të shfarosjes së fakteve kulturore, për të mbijetuar, qoftë edhe në logjikën e lidhjeve historike të Shqipërisë me Europën Perëndimore, gjë, që gjithsesi nuk ka mundur të eliminohet, apo të mohohet. Konica nuk bën asnjë alibi, përkundrazi kërkon të shkatërrojë të tëra alibitë, që duket sikur formojnë një show faktesh kundër shkrimit të shqipes në një epokë të skajshme. Shkenca e fakteve nuk mohon kurrsesi, që t’i kapërcejë faktet e njohura për në zonën, ku duket, se gjoja fakte të tjerë nuk ka.
Kjo nuk është një aventurë intelektuale, sesa është një koncept kartezian, që nxit hulumtimin, duke u bazuar te një e përgjithshme evropiane jashtë së cilës nuk kishte të paktën në shek. XII të veçantë shqiptare. Pra, si në dimensionin diakronik ashtu edhe në dimensionin sinkronik çështja e shkrimit të hershëm shqip është motivuar pikërisht në logjikën e mësipërme, që nuk mund të rrëzohet kollaj. Faik Konica bën kështu një shërbim sa shkencor aq dhe atdhetar. Madje, ai shpreh haptazi se atdhetarizmi dhe shkencat duhet të përputhen në atë masë, saqë fuqizojnë njëra tjetrën, larg deformimit, ekseseve mendore dhe fantashkencës.
( … )