Tiranë, 27 janar 2019: Gijom Apolineri (Guillaume Apollinaire), një nga poetët më të mëdhenj francezë dhe europianë të shekullit XX, ka patur një interesim të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai për herë të parë është njohur me problemin shqiptar në vitin 1903, siç e thotë dhe vetë në një shkrim. Atij i ranë në dorë numrat e revistës autoritative “Albania” dhe u habit nga niveli i lartë dhe erudicioni i saj e militantizmi kombëtar për pavarësinë shqiptare. U njoh me F. Konicën me të cilin pati edhe letërkëmbim e krijoi miqësi (për të shkroi edhe një shkrim memorial në 1912). Në letrat Apolineri shprehet me konsideratë dhe entuziazëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në vitin 1917 një publiciste e njohur në Evropë Liza Obri (Elise Aubry) boton një broshurë të quajtur “Shqipëria dhe Franca” (L’Albanie et la France). Në fakt ajo e kishte publikuar veprën e saj në formë artikulli më përpara në revistën “La France” në shtator 1916.
Një kopje e broshurës gjendet në fondin e Bibliotekës së Durrësit dhe ka edhe një hollësi prekëse. Libri ka edhe një dedikasë nga autorja për atdhetarin N. Lako, i cili e ka poseduar librin në fjalë.
Ajo që ka rëndësi të theksohet është, se broshura e Obrisë hapet me një Parafjalë të poetit të madh francez Gijom Apoliner. Le të themi disa fjalë më parë për përmbajtjen e broshurës.
Në fillim autorja vlerëson vendin, që zë Shqipëria në Ballkan dhe historinë e popullit tonë martir, të lidhur në shekuj me idenë e lirisë e të pavarësisë. Pastaj thekson rëndësinë strategjike të Shqipërisë në Adriatik e synimet e të huajve, por edhe qëndresën e shqiptarëve, për të mbijetuar. Citon Bajronin për virtytet e larta të shqiptarëve, besnikërinë, miqësinë e tyre e sidomos tolerancën fetare. Flet për pavarësinë e vitit 1912, por mbretërinë operetë të Princ Vidit e satirizon e vetë Vidin e quan një kukull (“l’homme de bois”). Obri jep fakte nga diplomatë e burra shtetesh të huaja, që kanë folur për problemin shqiptar, si një nga komponentët më të rëndësishme të zgjidhjes së drejtë të çështjes së Lindjes dhe bën thirrje për një njohje realiste, të vërtetë dhe objektive të faktorit shqiptar e rolit të tij pozitiv në Ballkan e në Europë.
Parafjala e Apolinerit, në thelb, e mbështet me forcë broshurën e Obrisë, e cila pati jehonë të madhe dhe në qarqet atdhetare të shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë saj, sidomos te shqiptarët e Amerikës.
Apolineri, edhe në raste të tjera, shkruan për shqiptarët me dashuri dhe respekt të veçantë. Këtë fakt e përmend në një shkrim të tij dhe Fan Noli. Mundet, që lidhjet e Apolinerit me shqiptarët të kenë qenë më të gjëra, prandaj duhet hulumtuar me tendencën në këtë drejtim. Është e kuptueshme, që ai aspak jo rastësisht shkruan për prezantimin e të drejtave të popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare, për karakterin e origjinalitetin e tyre, duke shfaqur hapur simpatinë për popullin tonë dhe Shqipërinë.
Më poshtë po japim tekstin e Parafjalës të shkruar nga Apolineri:
PARAFJALË
Shqiptarët janë ndoshta sot raca më e pastër ndër popujt e tjerë indoeuropianë.
Kombëtarizmi i shqiptarëve për këtë arsye nuk mund të jetë më i dyshimtë, se sa vetë kombësia e tyre dhe Lori Hobhouse, që e ka shoqëruar gjatë udhëtimit në Shqipëri Lord Bajronin shkruan, se në fillim të shekullit XIX, duke iu referuar popujve, prej të cilëve përbëhej perandoria osmane “ndryshe nga popujt e tjerë të perandorisë, që ruajnë ende njohjen sipas feve shqiptarët veçohen për ndjenjat e tyre të kombësisë”.
Shpesh nacionalizmi grek, po aq sa dhe nacionalizmi bullgar, u duket të tërë atyre, që janë në dijeni si të vërteta të pavërteta, spropositi, për të përdorur një italianizëm, që e përdor Sen Simoni.
Zgjidhja (la solution) e Çështjes së Lindjes do të arrihej ndoshta me krijimin e një shteti të vërtetë shqiptar, në vend të një fantazme të Shqipërisë, të rrezikuar prej një mbretërie shqiptare të maskuar në atë greke.
Një Shqipëri e vetme moderne, në vend të anakronizmit shoven grek do ta rregullonte çështjen e Kostandinopojës, prej të cilës, nacionalizmi shqiptar nuk do të kishte pse të shqetësohej.
Zonjusha Obri (Aubry) e ka njohur shumë mirë çështjen shqiptare dhe me interesin, që ajo tregon për të i pasionon më shumë anglezët, se sa francezët.
Bëhet fjalë padyshim për një racë të ndershme, të denjë për t’u mbrojtur e që vështron me shpresë drejt kësaj France, e cila vetëm di dhe vetadmiron mosinteresimin.
Zonjusha Obri ka treguar në mënyrë të përsosur, sidomos tolerancën e madhe fetare, që është shenjë dalluese, karakteristikë mjaft e lumtur e karakterit shqiptar (një gjë e tillë mund të gjendet dhe në Japoni) e në qoftë se, këtë do ta kishte edhe Franca, si një shenjë dalluese, patjetër, që faqja e botës do të ndryshonte më tepër, se nga fakti në do të kishte qenë më e shkurtër apo jo hunda e Kleopatrës.
Zonjusha Obri dallon mirë karakterin kombëtar të Shqipërisë, gjenia e veçantë e të cilës zotëron në botën otomane.
Ajo shpjegon, përse Shqipëria nuk ka për Turqinë një veçim komplet (është fjala për ndikimin e disa zakoneve të shqiptarëve te turqit, shënim im M.Z.) – kapiten Obrej – Herbert, anëtar parlamenti, bir i nënmbretit të vjetër të Irlandës Lord Karnavonit, që ka patur fatin për t’i njohur një pas një frontet e luftës, më thoshte se në Kut turqit bënin një luftë jashtë mase njerëzore e më ka cituar disa trajta të shpirtit të tyre, kalorsiake, që duhen nënvizuar.
Çështja shqiptare u duket diplomatëve të mëdhenj, që rregullojnë fatet e botës shumë e vogël, përballë çështjeve të mëdha, që u tërheqin vëmendjen në universin e tronditur (L’univers buoleverse).
Diplomatët e mëdhenj ndoshta gabohen.
Ndoshta, një ditë mjaft të shqetësuar, do të shkojnë në Janinë ose në Krujë – kryeqyteti i vjetër i Skënderbeut, për të vendosur me një dorë të pasigurtë themelet e një Europe të Re.
FAIK KONICA – PRINCI I LETRAVE SHQIPE
Ndjenja në këmbët e mjeshtërve duke i studiuar
tani sikur të ktheheshin mjeshtrit
të më studionin mua!
UOLLT UITMAN
Gjatë leximit e rileximit të Konicës kam përjetuar shumë befasira të fshehura, madje, për hir të një zakoni intim të krahasueshëm me një ves të shenjtë, ju them, se një akt zbulimi arkeologjik është krejt i konvertueshëm në një akt bibliografik tronditës. Diku Horhe Luis Borhes ka vërejtur, jo pa humor të zymtë, se të lexosh është një akt më posterior, se akti i të shkruarit, më shumë i pajtuar me fatin, më i njerëzishëm, më intelektual. Por për fat të keq lexuesit e mirë janë zogj të rrallë, më të vetmuar dhe të jashtëzakonshëm se shkrimtarët e mirë.
Padyshim që vetëdija e leximit parakupton një kritikë dialogjke si një princip i të vërtetave që ndërmjet shkrimit simbolizojnë autorin në një sintezë të pazakontë me lexuesin, për të realizuar kështu Nirvanën shpirtërore të dyfishtë.
Me këtë rast, dua të shpreh disa mendime për Faik Konicën e madh.
1. Konica është njeriu, par exsellence, i genit shqiptar. Ai është metaforë e antropomorfizuar e kombit. Çuditërisht janë egocentruar tek ai shumë tipare shekullore të shqiptarëve, të mira dhe të këqija, eterne dhe kalimtare. Jo rastësisht, ai vishet me fustanellë e kostum popullor të lashtë, për të shëtitur pranë Big Benit të Londrës. Ai shpall urbi et orbi një kumt të veçantë, pretencioz, si ai i një korifeu të teatrit antik, Kumtin shqiptar të të gjitha kohërave!
Nuk mund të thjeshtëzohet nocioni i arketipizuar i “homo albanicus” dhe në rastin e Konicës të arrihet një përputhje absolute, shteruese. Aq më tepër, se kjo përveç se është e pamundur, nuk do të mund të shpjegonte tipin origjinal, të papërsëritshëm, si një çudi e llojit të vet, pa asnjë sozi, të shqiptarit Konica. Ai zotërohet në figurën e gjallë me kaq shumë hollësira, shpesh edhe paradoksale, sa që pangjashmëria me të tjerët është e padiskutueshme, ndërsa pikat e referimit janë të një karakteri shumë më të përgjithshëm etnik dhe mbarënjerëzor.
Faik Konica, si vetvete, nuk është aq e lehtë që të zbulohet, më saktë, të rizbulohet, sipas një procesi kërkimtar logjik, ballafaques kartezian.
Kjo shtron nevojën e një metode, ose të shumë metodave për të bërë prerjet vertikale e horizontale, analizat e profilit historik e biografik të Konicës. Monografizmi, studimet e simuluara, debatet, dialogimi i botëkuptimeve e llogjikave bile, edhe të kundërta janë të pranishme e gati të përhershme në mendimin shkencor për Konicën, sidomos, në segmentet e perspektivës.
2. Në datat e jubiluara, më konkretisht në 50 vjetorin e vdekjes, Konica na del përpara syve si një fantazmë supreme, që posedon sekrete të mëdha e të patjetërsueshme, jo vetëm të vdekjes, po edhe të jetës.
Si Pitia e orakullit të Dodonës, Konica pret të pushtohet në përfytyrimin tonë nga fuqitë e epërme. Ne dëgjojmë të nemitur e kuriozë, pa patur asnjë dyshim, për sentencat koniciane, që mbartin esencën e shpirtit të pavdekshëm të kombit tonë tragjik.
Konica bën kështu një Resurrection, jo thjesht si një motiv ikonografik ungjillor për veten dhe të tjerët.
3. Padyshim, që për Konicën duhet bërë një vendosje e caktuar në kohë dhe në hapësirë, dimensionim ky i nevojshëm, për pikat e shikimit, si dhe për pikat e krahasimit.
I dimensionuar në historinë konkrete kombëtare Konica i kapërcen limitet e kësaj historie, po duke mos bërë asnjë vakuum brenda saj, po përkundrazi, duke bërë plotësime të simultuara, të përhershme, të domosdoshme. Sapo kemi nisur portretizimin e Konicës në koordinatat e historisë dhe të artit. Po më duket, se është e udhës, që të bëjmë diçka edhe në koordinatat e ëndrrës, duke i përafruar dhe ato të të ardhmes.
Konica është sa njeriu-histori, aq dhe historia-njeri. Për Konicën kemi trashëguar një situatë vlerësuese të veçantë: i ngritur në kult nga bashkëkohësit e vet letrarë Konica gjatë kohës së diktaturës enveriane u anatemua sipas një koncepti ideologjizues të pashembullt. Në një fazë të tretë, të rivlerësimit, çka përbën një ringjallje serioze, ekziston gjithsesi edhe një kult i ri latent në dukje, gati i pashmangshëm. Gjykimet, që na vijnë nga pikat e skajshme janë të vërteta deri në atë masë, sa nuk e deformojnë të vërtetën, pra, mund të shpallim se Konica i mjafton krejtësisht vetvetes, s’ka nevojë as për mbishtresa, as për paruka të aristokratizmit elitist artificial, as për spektakle mesjetare të llojit të Xhordano Brunos.
Konica është njeriu tipik shqiptar, i cili, që në gjysmën e dytë të shekullit XIX përjetoi shekullin XX, por prapavija e tij mendore dhe imagjinative është kaq e çuditshme, kaq e pasur, sa jemi të bindur, se e ka projektuar profilin e vet dhe në shekullin XXI, përherë si paraprijës, pra, të paktën i pranishëm në harkun e tri shekujve kolosë të njerëzimit Konica do të ngërthejë vëmendjen e tendosur shqiptare të kombit. Për Konicën gjatë leximit, ose rileximit e kupton qartë, se vështirësia është ta përkufizosh në mënyrë shteruese. Kjo vështirësi është një ankth intelektual, në thelb, ekzistencial. Të tërë studiuesit koniciologë do të rropaten në shumë tërthoreje, në monopatet e diskutimeve, duke u orvatur të venë shenja qarkullimi, një lloj kodi rrugor. Kjo tendencë, për ta disiplinuar universin mendor të Konicës nuk zhduket, por vetëkuptohet, se me kalimin e kohës kodifikimet e humbin forcën e bindjes, duke u përfillur me delikatesë, vetëm, si retorika konvencionale të të tjerëve për Konicën dhe jo për atë vetë. Mendoj (guxoj të tërheq vëmendjen!), se në këtë hulli metafizike do të futen si fillestarët, ashtu dhe mjeshtrit e përvojave eseistike, për të pësuar përherë si shaka të papritura disfata gati të padukshme të pamundësisë aq sa “sendi në vetvete” i Kantit do të rrëzëllejë si një yll shoqërues i mendimeve, për të krijuar përherë shqetësime ciklike të pafund. Sentenca e Kantit, se nuk duhet mësuar filozo9fia, por duhet mësuar të filozofosh na ndihmon të themi se kronologjia bibliografike e Konicës nuk ka shumë rëndësi, ka më tepër rëndësi stili i të menduarit të tij, përafrimi i kuptimeve, konotacioneve, familjariteti i ideve, rrënja dhe shkaku i tyre etj.
4. Si një nga mbretërit kalorës magë të sagës biblike Faik Konica e pa yllin e lindjes së foshnjës Mesi dhe e ndoqi për t’i çuar dhuratat e tij të shpirtit, i bindur në lindjen përfundimtare të një kombi (të kombit të vet të cfilitur!). Magët e tjerë të shqipes Naim Frashëri, De Rada, Kristoforidhi, Fishta, Noli, Poradeci etj. ndoqën të njëjtin yll magjepsës dhe të patjetërsueshëm.
Konica solli shumë dhurata, të tëra konceptuale, të çuditshme, denjësisht mbretërore.
Dua të theksoj disa prej tyre.
Faik Konica është i pari mjeshtër i madh i shqipes së shkruar, ku dimensioni leksikor dhe morfologjik është i përcaktuar nga një model i jashtëzakonshëm i një sintakse të brendshme, lakonike, që përkon me koncepcionin e kulturës perëndimore, europiane, të quajtur, ose etiketuar konvencionalisht edhe si “anglo-saksone” etj. Konica nuk ka të dytë, nëse stili është njeriu dhe anasjelltas, atëherë ai ka realizuar, kështu një nismë intelektuale e mendore të klasit të parë, një model orientues, të pazbehur, me aktualitet të shumëfishtë.
Në këtë mënyrë të shkruari, ku shkurtësia, lakonizmi, dendësia e përzgjedhja e informacionit janë funksionale deri në maksimum, etj., mbas Konicës mund të përmendet vetëm Fan Noli, i cili në shumë raste është një lloj kagemuzhe (sozie) e Konicës, po asnjëherë identik deri në fund, Migjeni, i cili shquhet si një krijues me një potencë mendore eseistike, gjithashtu të pashembullt, e në kohërat e sotme, ndoshta vetëm Kadareja. Ky kuartet emrash viganë është me emblematiku për konceptin e artit shqiptar, si art i mirëfilltë europian e perëndimor, larg stileve narrativë, shtjellues, zbërthyer, indikativë, lindorë, etj.
Shqipëria e ka të skalitur fytyrën e saj tragjike pikërisht midis Perëndimit dhe Lindjes. Është reflektuar kjo në kulturën e saj mijëravjeçare, në konceptet, në disa mënyra të të menduarit. Naimi është një sinkronizim i plleshëm, tipik i koncepteve perëndimore e lindore në krijimtari etj. Konica është shumë më tepër europerëndimor. Mua më duket, se këtu është një mesazh me përparësi të padiskutueshme e tij.
5. Njeriu i kulturës është gjithashtu, par exsellence, filolog, ku kërkimet etimologjike janë njëkohësisht edhe eksperimente të laboratorit mendor, për të simuluar, për të gjetur të vërtetën. Konica është në këtë kuptim edhe faustian, edhe kartezian.
Si poliglot, nga më të mëdhenjtë e Europës, Konica u ndërlidh me bashkësitë kulturore. Shkolla gjuhësore krahasimtare ndihmonte kontaktet universale të gjuhëve, po edhe të kulturave. Shkolla e gramatikanëve të rinj, që kritikuan kufizimet e postulatet e pavërtetuara të shkollës krahasimtare, duket, se është njohur jo në thellësi nga Konica. Ai i referohet indoeuropianistëve që “arkeologjinë” e gjuhëve dhe familjeve gjuhësore e kërkonin sipas Franc Bopit dhe Majerit. Konica shkruan: “Emri Shqipëria rrjedh nga fjala “shqiptoj”, që domethënë “kuptoj”. Në këtë rast Shqipëria do të duhet të quhej Kuptimësia (anglisht: Undersandia) apo vendi ku njerëzit e marrin vesh njëri-tjetrin”.
Shpjegimet, se emri i Shqipërisë rrjedh nga “vendi i shqiponjave” Konica i quan etimologji popullore, pe shton se etimologjitë popullore nuk duhen besuar, ç’ka të kujton të njëjtin mendim që ka shpallur edhe babai i gjuhësisë moderne Ferdinand De Sosyri.
Konica i di historitë e fjalëve, termave. Për shembull gadishulli ynë në motshmëri quhej gadishulli ilirian, ose ilirik, më pas gadishulli Haemus e vetëm që nga viti 1808 si Ballkan. përderisa në toponimi të tilla kaq të rëndësishme kemi lëvizje të brendshme, bile paradoksale, atëherë dija shkencore duhet të jetë e kujdesshme, që të mos kufizohet në alkimi gjuhësore.
Konceptet e gjuhës universale të Platonit dhe të Lajbnicit si një mbigjuhë, ose si një metagjuhë etj., janë të afërta për Konicën. Libri i tij “Ese mbi gjuhët universale”, që e kish çuditur Apolinerin është një debat filologjik i habitshëm e produkt intelektual, cilësor.
Kultura europiane perëndimore dikur kishte si gjuhë universale latinishten. Filozofi spanjoll humanist Juan Luis Vives (1492-1540) në traktatin e tij “De Disciplnine” ka shkruar: “vdes latinishtja dhe ahere vjen hutimi në të gjitha shkencat, kërcënimi i largimit të njerëzve nga njëri-tjetri… Do të ishte fat sikur të ekzistonte një gjuhë e vetme, të cilën mund ta përdornin të tërë popujt”.
Konica nuk është demijurg i asnjë gjuhe universale artificiale, jo mendimi i tij konstruktues është më i thellë, më i pranueshëm. Ai ideon, se kulturat e popujve përbëjnë një internacionale kulturore të vetme. Në këtë internacionale edhe shqiptarët janë të pranishëm. Konica i përmbahet këtij parimi deri në fund. Ai nuk e bën këtë vetëm në mënyrë simbolike, por konkretisht ai është nga ata krijues të rrallë, të quajtur bilingue, ose trilingue, që duhen patur shembull. Tekstet në frëngjisht, ose në anglisht të Konicës janë libra më vete të tij. Botimet tekstologjike të Konicës nuk mund të kufizohen vetëm në shqip, admirimi për stilin e tij të mendimit duhen parë se si janë konvertuar në gjuhë të ndryshme, në paradigmat gjuhësore, që mund të mos përputhen, por që kanë semantikën e brendshme të përafërt. Kjo është me të vërtet diçka e mrekullueshme, e rrallë dhe e bën dimensionimin e Konicës jo vetëm në kulturën shqiptare, po edhe në atë frankofone e anglofone, si dhe të gjuhëve të tjera jo aq të lehtë për studiuesin, që do merret me resurset e mendimit e krijimtarisë së Konicës. Po sot për sot ende nuk e kemi një studiues të një kalibri filologjik të përmasave të denja për Konicën. Le të shpresojmë për të ardhmen.
6. Erudicioni, enciklopedizmi i Konicës janë një temë më vete. Si dijetarët e epokës aleksandrine (të tipit retorik, filologjik etj. ) që i paraprinë heronjve të Rilindjes Europiane, Konica mbas Barletit dhe Bogdanit shpallet si “enciklopedi që ecën”. Si një njeri shqiptar nga më të kulturuarit e të gjitha kohërave Konica arriti një kulm përvojash dhe hulumtimesh. Ati i tij shpirtëror është Pjer Bejl (Pierre Bayle), filozof iluminist francez (1647-1706), autor i një Fjalori Historik e Kritik të përmendur. Konica është një ithtar shqiptar i Bejlit, i filozofisë antiteologjike, antikonformiste, që vë në piedestal arsyen, si vlerën më të lartë, supreme, të njeriut.
Po të ndiqen shkrimet e pafundshme të Konicës (mbledhja e tyre është detyrë imperative kombëtare!) do të shihen referenca filozofike nga më të skajshmet, po jo pa koherencë. Po përherë në mendimet e Konicës ka “një prishje moti metafizike”, siç do të shprehej Ernesto Sabato për krijuesit e pakënaqur me vetveten. Konica di të dallojë në dialogët sokratikë, jo aq sistemin filozofik, se sa përpjekjen e gjallë për të arritur pa paragjykime të vërtetat.
Postime të Lidhura
HASAN QYQALLA: ROMANI ‘DIMRI I SHEKULLIT’ – GRAFIKA SIMETRIKE E NARRACIONIT
Vjenë, 19 korrik 2018: Romanin “Dimri i Shekullit”, që mora në dorë, ende të pabotuar, më vuri në…
NË 15 VJETORIN E PAVARËSISË U SHFAQ FILMI DOKUMENTAR “MBIJETESA DHE SHKOLLA”…
NË 15 VJETORIN E PAVARËSISË U SHFAQ FILMI DOKUMENTAR “MBIJETESA DHE SHKOLLA” NË WEST NORDIC INTERNATIONAL FILM FESTIVAL…
NOBELISTËT QË ANUAN NGA SERBIA E ZJARRVËNËSIT TË BALLKANIT
NOBELISTËT QË ANUAN NGA SERBIA E ZJARRVËNËSIT TË BALLKANIT Nga Xhelal Zejneli, Shkup 28. 10. 2022 Në vitin…
ISUF BYTYÇI: PËRGJUMËSI, MENDIM I DOBËSUAR DHE NDËGJEGJE E GJYMTUAR
Mynih, 5 qershor 2020: Është vepra e të madhit Ismail Kadare „MOSMARRËVESHJA“ – mbi mosmarrëveshjet e Shqipërisë me…