DR.MOIKOM ZEQO: HISTORIA E ҪUDITSHME E SABATAI ZEV’it

Tiranë, 05. 02. 2014 – Kam 20 vjet që hulumtoj dhe torturohem nga historia e çuditshme e Sabatai Zevit. Ka shkruar disa shkrime për të dhe e kam përmendur në librat e mi. Kam shkuar në qytetin e Ulqinit dhe kam parë me sytë e mi tyrben që sipas gojëdhënës i përket eshtrave të Sabatai Zevit. Tri janë tezat kryesore ku mund të jetë varrosur ky njeri me jetë fantazmagorike dhe me fat paradoksal. Historianët kanë shkruar që mund të jetë varrosur në Ulqin, të tjerë mendojnë se është varrosur në një teqe që ka qenë pranë Xhamisë së Mbretit në Berat dhe, një tezë tjetër pa baza historike, se gjoja është varrosur në fshatin Fterë të bregdetit të Jonit. Teza se është varrosur në Ulqin ka mundësi se i afrohet më tepër të vërtetës. Tyrbja në Ulqin është akoma dhe kësaj dite. Një analizë me karbonin radioaktiv C14 mund të vërtetonte se struktura prej druri e varrit i takon shekullit XVII, kurse kafka e të vdekurit me anë të metodave të sotme antropologjike dhe me ndihmën e kompjuterit mund të rikonstruktonte fytyrën e të vdekurit siç ka qenë i gjallë dhe kjo pamje mund të ballafaqohej nëse do të kishte ngjashmëri apo jo me gravurat e shumta të Zevit që e ruajnë qartë identitetin e tij.
Nga sa di unë tyrbja në Berat nuk ekziston, sepse u prish në furinë e vitit 1967.
Por ç’dihet më saktësisht për Sabatai Zevin?
Emri Sabatai lidhet me hebraishten Sabat, emri i ditës së shtunë, ose i së Shtunës së Shenjtë, një nga tabutë dhe ritet kryesore të hebrenjve deri më sot. Ky njeri është quajtur kështu me emrin e një dite të shenjtë. Prindërit e tij kanë qenë hebrenj që nuk e tradhëtuan kurrë doktrinën e Talmudit.
Sabatai ka lindur në qytetin e Izmirit në vitin 1626. Izmiri ka pasur një qendër të fuqishme hebrejsh.

Sabatai Zev’i (1626 – 1676)

Zevi manifestoi dhunti të fuqishme intelektuale. Ai fitoi dituri të thella dhe të shumanshme. U edukua me filozofinë mistike të Kabalës. Ai ka mbetur në histori si një nga kabalistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Një bashkëkohës i tij, po hebre, Nathani i Gazës, e njohu nga afër Zevin dhe pa diçka të veçantë dhe të papërsëritshme tek ai. Nathani qe gjithashtu kabalist i madh. Sipas një profecie të vjetër dhe të trashëguar në shekuj të kabalistëve, në shtator të vitit 1666 do të shfaqej në botë Mesia. Ky Mesi nuk do të ishte Krishti i ardhur për së dyti në Tokë, sepse kabalistët nuk e pranonin krishtin dhe ungjijtë, por do të ishte një hebre që do të respektronte vetëm Talmudin. Shumë shpejt dhe Zevi u bind se fati i historisë kishte përcaktuar që ai do të ishte pikërisht Mesia. Kjo bindje u bë e plotfuqishme dhe e patjetërsueshme. Zevi krijoi një shoqëri sekrete dhe me ndihmën e shkrimeve apokaliptike të Nathanit të Gazës, por dhe të shkrimeve të veta arriti të krijojë në popullin e Izmirit idenë se Mesia që prisnin hebrenjtë në shekuj ishte pikërisht Sabatai Zevi. Në shtator të vitit 1666 mes një ceremonie të bujshme në formën e një ekstaze të papërmbajtur popullore Sabatai Zevi u shpall Mesia dhe u vesh si profet dhe nisi të sillet në publik si një qenie e admiruar dhe e përcaktuar nga Zoti. Popullariteti qe i jashtëzakonshëm dhe Zevi krijoi një fe të re që lidhej me mesianizmin e tij. Kjo fe, e quajtur si Sabataizëm, qe një lëvizje mesianike dhe antinomiste brenda shtratit të hebraizmit talmudist. Kjo fe e shekullit XVII u zgjerua dhe në shekullin XVIII deri në shekullin XX në Azinë e Vogël, në Evropën Lindore, në Ballkan dhe në tërë diasporën hebraike. Zevi ka udhëtuar edhe në Egjipt, Palestinë, Greqi dhe sidomos në Shqipëri.
Në kulmin e lavdisë së vet, Zevi shkoi në Stamboll dhe i shkroi në letër sulltanit të Perandorisë Osmane duke i kërkuar që të hiqte dorë nga feja muslimane dhe të pranonte Sabataizmin. Lëvizja e Zevit kërkonte liri shoqërore për hebrenjtë dhe krijoi një opozitë të rrezikshme për perandorinë. Veprimi i sulltanit qe i tmerrshëm, Veziri i tij shqiptar, Qyprilliu e kapi Zevin dhe e vuri përpara xhelatit për t’i prerë kokën ose mund t’ia falte jetën po të konvertohej në muslimanizëm. Zevit iu dhimbs jeta, hoqi dorë botërisht nga roli i tij si Mesi, u bë musliman dhe e ndryshoi emrin në Mehmet Efendi. Sulltani e internoi Zevin në kështjellën e Ulqinit ku ai jetoi shumë vjet si dizdar i kështjellës. Një pjesë e madhe e idhtarëve të Zevit u zhgënjyen me Mesian e tyre, por një pjesë tjetër mendoi se ky gjest i tij qe pjesë e martirizimit të vërtetë të Mesias. Pas vdekjes së Zevit feja e tij përjetoi një zhvillim të madh. Nga Sabateizmi lindën tre sekte të tjera fetare:
1. Sekti i quajtur Dynme, që u formua në vitin 1683 në Selanik, idhtarët e të cilit zyrtarisht kaluan në fenë islame, por fshhurazi praktikonin fenë çifute, pra ky sekt qe tipik i kripto-hebraizmit.
2. Sekti i frankistëve që u krijua në vitin 1756 në Poloni dhe në krye të të cilit ishte Jakop Frank (1726 – 1791). Frankistët ishin çifutë të dikurshëm por që kishin përqafuar fenë katolike romane, pra gjithashtu kripto-hebraike.
3. Lëvizja hasidiste, lëvizja pijetiste çifute. Hasidizmi vjen nga fjala hebraike “hasid” që do të thotë bvesimi në Zotin. Krijues i saj qe çifuti polak Izrael Ben Eliezer (1700 – 1760), të cilin idhtarët e tij e quanin Baal Shen Tov (akronimi – Besht – i) që do të thotë “Mjeshtri i Emrave të Mirë”. Hasidizmi i përhap me shpejtësi në Rusi, Bjellorusi, Ukrainë, Hungari, Rumani etj.
Në shekullin XIX ekzistoni 100 bashkësi hasidiste. Këtë rrymë mistike e përqafuan shtresat e ulta dhe të varfëra, kundër hasidizmit u ngritën tradicionalistët e Ttalmudit. Fushatën kundër tyre e kryesoi Elia Ben Salomon (1720 – 1797) nga Vilna e Lituanisë. Konflikti qe shumë i ashpër. Por me kalimin e kohës hasidizmi e humbi vrullin e tij revolucionar. Prandaj Mirçea Eliade në librin e tij “Fetë Botërore” thotë se “hasidizmi humbi nga udhëheqësit e sektit që u degjeneruan dhe rrënuan shembullin e dlirësisë morale”. Sot ekzistojnë disa grupe të hasidistëve edhe në Nju Jork të SHBA. Ata kanë shkruar shumë libra prej të cilëve mësojmë disa parime bazë të artikuluara dikur nga Zevi.
Ne nuk i dimë mirë pikëpamjet mesianike të Zevit. Por hasidistët kanë trashëguar ide kryesore prej tij. Sipas tyre Zoti është një dhe i gjithëpranishëm, ndodhet tek çdo send dhe te çdo njeri. Njeriu duhet ta zbulojë Zotin brenda vetes së tij. Nderimi i Zotit duhet të bëhet jo vetëm në tempuj por kudo, madje edhe gjatë ngrënies, pirjes, të fjeturit si dhe gjatë marëdhënieve seksuale. Zoti është burimi i gëzimit, ndaj hasidistët këndonë dhe vallëzojnë dhe vallet e tyre ngjajnë me vallen “Sema”, të sektit të Xhelaludin Rumiut të Iranit, të grupit të “Dervishëve që vallëzojnë”. Kjo mënyrë e veçantë e panteizmit e afron doktrinën e Zevit me bektashizmin shqiptar. Ka mundësi që bektashinjtë të kenë konvertuar Zevin në fenë e tyre. Intelektuali më i madh dhe mendimtari më i njohur hebraik i shekullit XX Martin Buber (1878 – 1965) ka dashur ta ringjallë hasidizmin. Unë kam lexuar disa libra të tij që bazohen në filozofinë dialogjike, të dialogut Unë – Ti, ose Njeriu – Zoti.
Historianët e sekteve tregojnë se Sabataizmi si doktrinë fetare jo vetëm ka lindur hasidizmin por është mbështetur vetë në një rrymë asketike fetare në trevat e banuara me hebrenj që në shekullin II p.e.s. Këta janë quajtur një sekt i kuietistëve hebraikë të cilët në ndryshim me hasidistët e sheklullit XVIII praktikonin një hasidiëm ekstrem, këta ishin njerëzit që kundërshtuan pushtimin helen dhe romak dhe u shquan në kryengritjen e famshme të Juda Makabeut që pasqyrhet në një libër të Biblës së Shenjtë.
Nga ky substrat fetar u mbështet dhe një rrymë tjetër mistike që u shfaq në Gjermani në shekullin XV që në pikëpamje doktrinare mbështetej në Kabalën dhe sidomos në shkollën kabaliste të themeluar nga rabini Elezar Vorms. Idetë dhe pikëpamjet kryesore të hasidistëve, të kabalistëve dhe vetëkuptohet idetë kryesore të Sabatai Zevit duhet gjurmuar dhe studiuar në veprën “Sefar ha hasidim” – (Libri i të devotshmëve).
Është e sigurtë që Zevi ka shkruar shumë por librat e tij kanë arritur të fragmentuar në ditët e sotme. Biografi më i madhe i Zevit dijetari i quajtur Gershon Sholem thotë se nga Zevi kanë mbetur fragmente që tregojnë një punë të dikurshme shumë intensive.
Kam parasysh librin e G. Sholemit të botuar në 1873, ku gjej një të dhënë tepër interesante që thotë se pelegrinët hebrenj të Selanikut vinin dhe nderonin në Ulqin varrin e Sabatati Zevit deri në fillim të shekullit XX. Pasuesit e tij kanë qenë të shumtë në jemen dhe në Londër. Por qendrat më virtuale të kultit të Zevit kanë qenë Venediku dhe Selaniku. Këto qendra janë të njohura si komunitetet e kripto-hebrenjve.
Në gushtin e vitit 1676 është e njohur se komuniteti i hebrenjve të Beratit në Shqipëri i ka shkruar një letër Zevit që i përgjigjet për një kërkesë të tij për një Libër lutjesh hebraik. Letra e shkruar nga Zevi si përgjigje është pikërisht e këtij viti dhe mund të datohet afërsisht para datës 17 shtator 1676 kur ai vdes. Janë pikërisht hebrenjtë e Beratit që kanë ndërtuar teqen dedikuar Zevit në oborrin e Xhamisë së Mbretit në Berat.
Kam parasysh disa libra të tjerë për Zevin, librat e S.Ash, botuar në 1874, të S.Shvarc, botuar në 1994, të H.Norris, botuar në 1993 dhe të F. Redd botuar në 1996. Këto libra kanë ringjallur interesin historik për Zevin. Përgjithësisht pranojnë tezën se Zevi ka vdekur dhe është varrosur në Ulqin. Këtë tezë e mbështes dhe unë duke kundërshtuar hamendjen e pasaktë të arkeologut Myzafer Korkuti i cili pa asnjë bazë historike duke u nisur në mënyrë të gabuar nga një ose dy toponime gjoja me origjinë hebraike në Fterë në kundërshtim me gjithë traditën e pranuar historikisht, ka bërë gërmime për të gjetur varrin apokrif të Zevit pikërisht në Fterë. Prishja e teqes në Berat në 1967 është një humbje e madhe sepse janë zhdukur disa dëshmi që duhet të ketë pasur kjo teqe që mund të hidhnin dritë për kultin e Zevit në Shqipëri dhe për vetë Beratin si një qendër shqiptare virtuale të sabateizmit, fakt ky me rëndësi për historinë botërore të hebraizmit. Për fatin e mirë tyrbja në Ulqin ruhet e paprekur.
Të dhënat që kam shkruar për Zevin janë tashmë të njohura për opinionin publik. Dua të shtoj disa të dhëna të reja me interes të veçantë.
Një shkrimtar me origjinë shqiptare i quajtur Zyhdi Berisha i lindur në 1944 në Guci të Malit të Zi dhe që jeton sot në Podgoricë, ka botuar romanin “Ylli i Davidit”, që ka bërë një bujë të madhe dhe është përkthyer në disa gjuhë të botës. Ky roman ka si personazh edhe Sabatati Zevin. Aty tregohet se si veziri i madh shqiptar Qyprilliu e zuri Zevin dhe e burgosi në burgun e Dardaneleve. Idhtarët e Zevit besonin se Mesia i tyre ishte i pavdekshëm se ai mund të zhdukej nëntë muaj dhe do të kthehej kaluar mbi një luaneshë, duke mbajtur në duar frerët e gjarprit me shtatë krere, i shoqëruar nga vëllezërit hebraikë matanë lumit Sabation. Por ndodhi krejt ndryshe.
Takimi i Zevit me sulltanin e madh ruhet i përshkruar në një kronkë osmane që quhet “Kronika e Abdiut”. Sulltani urdhëroi ta zhvishnin Zevin krejt lakuriq me hallatet jashtë. Vuri para tij shigjetarët dhe i tha se në ishte profet duhej të mos vritej nga shigjetat.
Me zhveshjen e rrobave Zevit iu zhvesh dhe besimi mesianik dhe pranoi duke u dridhur se nuk ishte veçse një rabin i thjeshtë. Ai kishte në gjoks një tatuazh me yllin e Davidit. Ky yll u shenja e shigjetave.
Për të shpëtuar jetën pranoi që të konvertohej në musliman. Sulltani e internoi në Ulqin. Jetoi tek kulla e Balshajve ku gjendet dhe sot një kamare me yllin e Davidit të gdhendur në gur. Gjatë jetës si dizdar i kështjellës në Ulqin ai u vetmua si askush. Por dituritë e tij fantastike e bënë atë të tregonte interes për Ulqinin shqiptar. Ai vizitoi manastirin benediktin të Rotacit afër Tivarit dhe pa qytetin e Shasit me shumë kisha të rrënuara nga mongolët në shekullin XIII. Ai shkruante letra. Kishte mall sidomos për një nga tre gratë e veta që la në Izmir për Sara Elahun që thuhet se qe një bukuroshe e madhe. Ai adhuronte vargjet e poetit hebre Juda Halebia:
Ku t’i gjej krahët e shqiponjës
Ta shpie zemrën time të dërmuar
Larg, larg
Në kodrat e shkreta të mallit tim
Dhe duke u zvarritur ta puth tokën e shenjtë
Dhe zhveshur e zbathur ditë e natë
Të bredh gërmadhave të dashurisë…
Ruhen disa letra të Zevit drejtuar miqve të tij që u botuan në revistën “Gideon” të Zagrebit në vitin 1924. Në një letër të tij mësojmë për një tërmet të tmerrshëm që rrënoi Ulqinin. Ai shkruan për 400 piratët algjerianë dhe për 400 piratët shqiptarë dhe për 300 piratët zezakë që luftonin shpesh me njëri – tjetrin.
Ai flet dhe për legjendën e 30 murgeshave shqiptare që u hodhën nga kështjella e Ulqinit në humnerë që të mos binin në duart e turqve. Shkruan për shqiptarët e Ulqinit që nuk e fshehnin fytyrën, as nuk i prisnin flokët, për kostumet e tyre të stolisura me monedha romake, maqedonase, bizantine, venedikase, madje dhe me florinj të shteteve gjermanike. Zevi fliste gjashtë gjuhë veç asaj amëtare. Thuhet se gjatë vizitës së tij në kishat e Shasit dëgjoheshin zëra të nëndheshëm në ilirisht, greqisht, latinisht, sllavisht, mongolisht dhe turqisht. Zevi shënon: “të gjithë flisnin njësoj”. Nën mbikqyrjen e tij në Ulqin kisha e shën Marisë e shekullit XV u shndërrua në xhami. Megjithëse u bë mysliman Zevi fshehurazi agjëronte në festën e Yon Kipurit dhe festonte të Shtunën e Shenjtë. Ka disa të dhëna të mëvonshme që thuhet se kufomën e Zevit pas vdekjes e kanë ballcamosur. Pas vdekjes së tij në kullën e Balshajve u gjetën edhe librat e Halevisë, Jozef Ben Efraimit, Isak Ben Salomit, Majmonit si dhe botimi i parë i veprës kabalistike “Zohar “ të vitit 1559. Këto të dhëna në librin “Ylli i Davidit” nuk duhen besuar plotësisht se mund të jenë edhe pjesë e fantazisë së shkrimtarit. Në Muzeun e Tel Avivit në Izrael ruhet letra e vetme origjinale e Zevit drejtuar bashkëkombasve të tij në Berat të Shqipërisë. Në vitet ’30 të shekullit XX ambasadori amerikan në Tiranë, Bernshtajn, u interesua për lidhjet e Zevit me Shqipërinë dhe na ka lënë një studim të hollësishëm për këtë subjekt. Ai ndalet sidomos në nderimin që kishin dervishët e teqes së Beratit për figurën e Zevit.
Prozatori i shquar nga Kosova Mehmet Kraja, miku im, ka shkruar një tregim të bukur dhe kuptimplotë për Sabatati Zevin. Por në këtë rast mua më interesojnë më tepër të dhënat historike.
* * *
Historia e hebrenjve në Shqipëri është studiuar shumë, por kohët e fundit ka kërkesa në rritje nga disa dijetarë hebrenj për të shkruar një histori enciklopedike për hebraizmin në Shqipëri. Botimi i librit të Harvey Sarner për këtë subjekt është një hulli e hapur. Dëshmia më e hershme flet për një anije romake me skllevër hebrenj nga Palestina në shekullin I pas Krishtit që e detyruar nga shtrëngata detare u përplas në brigjet e Ilirisë në bregdetin e Vlorës. Skllevërit hebrenj zbritën në tokë dhe mbijetuan në Shqipëri. Romakët nuk u përpoqën më që t’i kapin. Iliria është emri i vjetër i Shqipërisë. Emrin e Ilirisë e përmend Shekspiri në dy vepra të tij si vendin e anijeve të mbytyra.
Enciklopedia Hebraike kur flet për Shqipërinë, valën e parë të hebrenjve e lidh me Romën dhe i quan këta hebrenj “romaniotë”. Historiani hebre Flav Jozefi flet për disa fshatra në Shqipëri me popullsi hebreje madje me emra hebrenj si fjala vjen Palasa – Palestina, ose Orikum – Jeriko. Arkeologët kanë gjetur një sinagogë në Dardani që i përket shekullit II pas Krishtit. Një sinagogë tjetër është zbuluar në Sarandë, ku është dhe një mozaik me figurën e shandanit hebraik me shtatë qirinj. Vala e dytë e hebrenjve vjen nga Selaniku në shekullin XV, pasuar nga një grup tjetër nga Hungaria. Historiani Jozef Jakoel, flet për hebrenjtë që erdhën në Shqipëri nga Greqia Veriore. Në mesjetë hebrenjtë ishin në Vlorë, Elbasan, Berat dhe në Durrës. Disa dokumente që mbajnë datën 24 mars 1281 flasin për tregtarin Venedikas Nikolla Martini, që bënte tregti me dy hebrenj nga Durrësi të quajtur Leon dhe Karotalis. Në 1366 një hebre nga Durrësi i shiste kripë një tregëtari në Raguzë. Milan Shuflai përmend që në noteratin e Durrësit kishte dhe noterë hebrenj, madje i shkruanin dokumentat dhe në hebraisht. Në shekullin XV shumë hebrenj emigrojnë nga Spanja në Europë. Gjatë inkuizicionit të egër spanjoll sulltani i ftoi hebrenjtë të jetonin në perandorinë e tij, duke i quajtur hebrenjtë viktima të persekutimit katolik siç kishin qenë dhe myslimanët.
Hebrenjtë nga Spanja njihen si “sefardikë” dhe sollën me vete gjuhën ladino, një formë e alternuar që flitet dhe sot tek hebrenjtë e Turqisë. Hebrenjtë spanjollë në fillim u vendosën në Vlorë ku ndërtuan një sinagogë dhe varrezat e tyre. Në fund të shekullit XVI hebrenjtë u larguan nga Vlora për arsye të panjohura për t’u kthyer përsëri çuditërisht në mesin e shekullit XIX. Hebrenjtë sefardikë në Shqipëri gjetën koloni hebrenjsh më të hershme që shkonin pas gjurmëve të origjinës deri në shkollat antike të Palesitinës. Midis tyre pati asimilime por dhe përçarje për shkak të pretendimeve të sefardikëve për superioritet kulturor ndaj hebrenjve më të hershëm. Kështu në Selanik sefardikët i asimiluan hebrenjtë e mëparshëm. Por në Janinë ose dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë ndodhi që hebrenjtë më të hershëm t’i asimilonin dhe sefardikët. Kështu ndodhi që në Shqipëri dalngadalë sefardikët të zhdukeshin. Historiani Jakoel thotë se “ne nuk dimë se ku shkuan sefardikët e Shqipërisë, dimë që ikën por se ku nuk ka të dhëna. Ata ishin në Shqipëri. Tradita e tyre ruhet në disa fshatra myslimane shqiptare ku vendasit thonë se dikur kishin qenë hebrenj, madje trashëgojnë deri më sot emra hebrenjsh. Gjatë luftës turko – veneciane 1675 shumë hebrenj u larguan nga Vlora dhe shumë të tjerë u vendosën në Berat. Në planin krahasimtar mund të themi se hebrenjtë e Beratit i përkisnin grupit sefardik. Gjatë viteve 1778 deri 1822 hebrenjtë u persekutuan jo vetëm nga sulltani por edhe nga Ali Pashë Tepelena. Gjatë Revolucionit Grek hebrenjtë u barazuan me muslimanët dhe u akuzuan si besnikë të Perandorisë Osmane.
* * *
Vala e tretë e hebrenjve në Shqipëri ndodhi në 1850. Ata erdhën nga Janina, Preveza, qytete shqiptare dhe u vendosën në Vlorë. I pari i bashkësisë hebreje në Vlorë qe doktori Solomon Menahem Jamtov. Hebrenjtë e persekutuar nga grekët erdhën në Shqipëri së bashku me familjet e tyre. Por kolonitë hebreje përmenden në vijimësi shekujsh. Në vitin 58 pas Krishtit në Durrës ka pasur një koloni hebrenjsh të krishterë dhe apostulli Pal u ka predikuar atyre. Një tjetër apostull i njohur me emrin Apolon që gjithashtu hebre i krishterë dhe konkurent me Palin. Pali ka predikuar dhe në Korint dhe në Selanik, ku bërthamat e krishtera qenë hebrenjtë. Historianët dëshmojnë qartë se apostulli Pal ka dimëruar në Nikopojë, pra në Prevezë të Çamërisë, fakt që ai e përmend edhe në letrat e tij. Kështu shpjegohet pse disa sinagoga në Shqipëri ishin më tepër të krishtera se sa talmudiste. Unë kam zbuluar se mozaiku i Antigonesë me portretin e një burri dhe mbishkrimin Aparkeas i takon një sekti gnostik të hebrenjve të themeluar nga Bazilidi në shekujt e parë pas Krishtit.
Në shekullin XVII, misionarët e Vatikanit dëshmojnë se në viset mbi Zadrimë të Lezhës ruheshin disa rite të veçanta hebraike të shkrimit mbi bukë katrore të ndara në viza disa formula ritualistike dhe magjike që lidhen me hebrenjtë. Pjetër Bogdani ndonëse i citon dijetarët hebrenj të Kabalës prapëseprapë e stigmatizon hebraizmin, duke e përafërsuar me islamizmin. Akoma më i çuditshëm është rasti i Frang Bardhit i cili në një relacion të tij tregon një gojëdhënë që buron nga Libri i Danielit në Biblën e Shenjtë për historinë e tre djemve hebrenj që mbreti i Babilonisë i futi në një furrë prej bronzi por ata nuk u dogjën për shkak të devotshmërisë hyjnore. Bardhi thotë se trupat e këtyre tre hebrenjve gjenden të ballsamosur dhe të fshehur në Shqipëri. Nga ana tjetër në afërsi të Podgoricës, po në troje të banuara nga shqiptarët në Malin e Zi është gjetur një kupë e vizatuar me skena biblike ku është edhe skena e tre hebrenjve në furrën e zjarrit por edhe tre profetët hebrenj, Moisiu, Abrahami dhe Jona. Në mat të Shqipërisë, në afërsi të Shkopetit është një kodër me varre që akoma dhe sot quhet “varret e xhullenjve”. Xhullenj quheshin hebrenjtë, ose judejtë me origjinë nga Juda. Kërkimet e sotme shkencore tregojnë se në shekullin XIII para Krishtit populli i filistinëve ka shtegtuar nga Iliria e Jugut për në Palestinë dhe emri i Palestinës është një toponim i filistinëve. Këto të dhëna nuk janë harmonizuar në një studim sinkretik. Por atë mund të bëjnë të qartë disa rrethana të veçanta të lidhjes mjedisore të Sabatai Zevit me shqiptarët. Në Kullën e balshajve në Ulqin ku jetoi dhe vdiq Zevi është dhe një altar me dy yje të Davidit, ku Zevi lutej. Këto simbole ruhen akoma dhe sot. Në një nga shtëpitë monumentale në kështjellën e Ulqinit është dhe një gur emblemë me figura heraldike që janë dy luanë të mëdhenj dhe dy të vegjël me brirë kaprolli ku është shkruar dhe mbishkrimi latin “nemo profeta aceptus est in patria sua”. Ky mbishkrim që do të thotë “asnjë nuk është profet në atdheun e vet” është një citim nga ungjijtë. Por ky citim lidhet më tepër me Krishtin si një hebre që iu kundërvu talmudizmit hebraik. Besaoj që ky citim latin i marrë nga Bibla e quajtur “Vulgata” e atit kishtar me origjinë ilire Euseb Jeronimit nuk është i rastësishëm në Ulqinin venedikas para pushtimit të tij nga turqit. Besoj që Zevi e ka parë me sytë e vet emblemën heraldike dhe mbishkrimin ungjillor.
Veprimtaria e Zevit në Ulqin vlen të gjurmohet. Ai nuk do të ketë qenë i pa shoqëruar. Identifikimi i varrit të tij kërkon detyrimisht dhe ngritjen e një përmendoreje ose memoriali për të, duke tërhequr vemendjen e tërë turizmit botëror. Lidhja e Zevit me Ulqinin dhe Beratin flet për përparësinë e intimitetit të Zevit me shqiptarët si dhe me hebrenjtë e trevave shqiptare. Ulqini dhe Berati kanë të drejtë të kenë simbole përkujtimore për Zevin. Këto simbole pasurojnë historinë shqiptare dhe atë ballkanike.
Me rëndësi të posaçme është binomi Zevi – Shqipëria.
Pse shqiptarët e shekullit XVII e mirëpritën kaq shumë dhe kaq ngrohtë Zevin?
Arsyet janë dy: së pari sabateizmi qe një rrymë mistike opozitare kundër pushtetit otoman. Kjo përkonte me vetë rebelizmin e shqiptarëve.
Mos harrojmë se në shekullin XVII shqiptarët rebelohen fuqishëm kundër sundimit otoman. Është e famshme kryengritja e udhëhequr nga Pjetër Bogdani. Së pari është shumë interesante që në kryeveprën e Bogdanit “Çeta e profetëve” ka njohuri të shumta për Kabalën për librat mistikë të hebrenjve dhe citohen disa nga dijetarët më të mëdhenj hebrenj.
A thua të jetë e rastësishme kjo gjë?
A është kjo jehonë e fuqisë historike të kohës së sabateimizmit edhe si një rebelizëm kundër osmanëve?
Së dyti shqiptarët kishin përqafuar dhe përhapur në shekullin XVII bektashizmin që qe një devijim dhe një sekt heretik ndaj synive dhe myslimanizmit ortodoks. Kaq e vërtetë është kjo sa që fare lehtë mund të vërehet se shumë ide qendrore të panteizmit dhe të Zotit teozofik janë të njëjta si te sabateistët ashtu dhe te bektashianët. Zevi i përket hebrenjve sefirotë. Këta emërtohen kështu nga hebraishtja “sefirot që shpreh Kabalën sipas një doktrine të veçantë. Kjo doktrinë thotë se Zoti është i gjithpranishëm i fshehur dhe i padukshëm. Veprimet e përditshme të jetës bëjnë që manifestimet e Zotit të bëhen të dukshme sipas dhjetë shkallëve: 1. Keter – kurora e Zotit, 2. Hokma – urtësia e Zotit, 3. Binar – inteligjenca e Zotit, 4. Heseh – dashuria e Zotit, 5. Gebura – fuqia e Zotit, 6. Tiferet – mëshira e zotit, 7. Necah – gjithëkohësia e Zotit, 8. Hod- hiri i Zotit, 9. Jezot – baza e të gjithë fuqive të zotit, 10. Malku – esenca e Zotit. Të gjitha këto ide përkojnë me teorinë e bektashinjve për shkrirjen tek Zoti. Shumë ide të Naim Frashërit për bektashizmin kanë afërsi me panteizmin hebraik apo dhe me doktrinën e filozofit të madhe hebre Buruh Spinoza. Këto pikëlidhje janë tepër të plleshme dhe të dukshëm midis qytetërimeve dhe feve të ndryshme.
* * *
Sabatati Zevi është nga rastet e pakta në histori që realizon programin numerologjik të profecisë së shfaqjes së Mesisë. Shpallja Mesi e Zevit në 1666 është një kundërvënie e numrit fatal dhe të pashpjegueshëm 666 që ndodhet në ballin e bishës së Apokalipsit. Dihet që libri i Apokalipsit u shkrua nga shën Gjoni kur ai ishte i internuar në ishullin e Patmosit dhe mbahet si një nga librat më enigmatike të Biblës së Shenjtë. Meqenëse jeta e Zevit pati një disfatë të pariparueshme morale dhe besimi në shekujt e mëvonshëm ai u quajt Mesia e Rremë. Kështu cilësohet Zevi në të gjitha enciklopeditë hebraike të botuara deri më sot. Zevi si Napoleoni donte të pushtonte gjithë botën me idetë e tij dhe vdiq i vetmuar dhe i internuar si Napoleoni në një mjedis detar jo në shën Helenë… por në Ulqin. Për ne shqiptarët është një fat që në historinë tonë ka ndërhyrë edhe personaliteti i çuditshëm dhe gati i pabesueshëm i Sabatati Zevit. Kjo merr më tepër kuptim nga fakti unikal që shqiptarët janë i vetmi popull në Evropë por dhe në botë që nuk kanë qenë asnjëherë antisemitë, kur dihet që antisemitizmi është shumë i gjallë dhe shumë i egër edhe sot në fillimin e shekullit XXI. Ia vlen të shkruhet një libër i tërë për Sabatati Zevin dhe shqiptarët që s’do të ishte pa interes jo vetëm historik por dhe kulturologjik dhe religjioz. Amen!
Post Scriptum
Studiuesi amerikan Harvey Sarner në një libër që ka shkruar për historinë e hebrenjve në Shqipëri përmend një personalitet hebre, ambasadorin amerikan në vitet 30 në Shqipëri, Herman Bernshtajn. Ky ambasador studioi për herë të parë rrethanat historike të komuniteteve të vogla hebraike gjatë shekujve në Shqipëri. Është pikërisht Bershtajn i cili është interesuar posaçërisht për figurën e madhe të Sabatai Zevit. Bershtajni mendon se Zevi ka vdekur në qytetin e Beratit në 1676 dhe se varri i tij ka qenë në bregun e lumit Osum dhe tek ky varr u ndërtua një teqe bektashiane ku bëheshin pelegrinazhe nga njerëz të të gjitha feve. Pas vitit 1967 kjo teqe u prish duke humbur kështu një gjurmë identifikimi. Po e shënoj këtu dëshminë e Bershtajnit për të qenë më i hapur me diskutimin dhe tezat e shkrimit tim. Gjithsesi të tëra të dhënat e ndërthurura me llogjikën historike të çojnë në identifikimin e varrit të Sabatai Zevit në Ulqin.

—————————————

L’ENIGMA SABBATAI ZEVI

RABBI ANTELMAN’s SHABBATAI ZVI ISRAEL NATIONAL RADIO BROADCAST

Sabetay Sevi Kimdir? – İlber Ortaylı – Erhan Afyoncu – Tarihin Arka Odası

Anlamak İçin – Sabetay Sevi ve Sabetaycılık – Tvnet (Belgesel)

 ————————————

(Ilustrimet janë të pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura