DR.MOIKOM ZEQO: JOANA E DURRËSIT

Tiranë, 23 shtator 2018: Sinops për një roman historik. Shekulli XIV. Kaos ngjarjesh. Midis Romës dhe Avinjonit. Femra kapricioze Joana e Durrësit ndjell tragjedi dhe rrufe. Dinake dhe e rrezikshme. Shpërthyese.
Duke rilexuar Marin Barletin, këtë kryehumanist shqiptar kam bërë të prekshme në vetëdijen time disa të dhëna të habitshme për një grua, që lidhet me mesjetën shqiptare.
Marin Barleti, në librin X të kryeveprës së vet për Skënderbeun, shënon konkretisht “Në mbretërinë e Napolit, në kohën kur Katedrën dhe fronin e Shën Pjetrit e drejtonte Papa Urbani VI, ishte mbretëreshë Joana I-rë me kombësi epirote (shqiptare) dhe me atdhe Durrësin. Kjo, mbante anën e Pseudopapës Klement, i cili ishte zgjedhur në detyrën supreme priftërore as me mënyrë katolike, as sipas zakonit (nga ku lindi dhe skizma shumë e madhe në kishën e Perëndisë) dhe e përkrahte atë fort.
Prandaj Urbani thirri kundër saj për ndihmë mbretin e Hungarisë, Karlin, i cili u hodh në Itali me një ushtri shumë të fuqishme dhe e la Joanën pa mbretëri dhe pa jetë. Pas kësaj thonë se Karli pasi e fuqizoi dhe e forcoi këtë mbretëri (të Napolit) me anë të autoritetit apostolik, menjëherë sapo u kthye në Hungari vdiq i helmatisur. Vendin e tij e zuri i biri Vladislavi i dëgjuar dhe trim në luftë”.
Po kush është Joana, e cila në dokumentet historike mbiquhet si Joana e Durrësit?
Joana ka jetuar dhe mbretëruar në vitet 1343-1382. Në histori ajo njihet si Joana e Durrësit, por ka sunduar në qytetin e Napolit. Ajo ishte aq e fuqishme saqë e përkrahte Pseudopapën Klementi VII, që apostoloi në vitet 1478 deri në 1494, që përkrahej nga anzhuinët francezë dhe qe kundërshtari i Papës së Romës Urbani, VI, i cili ka apostoluar në vitet 1378-1389.
Kjo kundërvënie në rrafsh europian qe plot kontradikta dhe përpjekje, intriga dhe luftëra të mëdha. Barleti deri më sot është i vetmi historian, i cili e cilëson Joanën e Durrësit me kombësi epirote, pra shqiptare dhe thotë se ka patur atdhe Durrësin, pra Durrësi është vendlindja e prindërve, ose dhe e vetë asaj. Marin Barleti e vazhdon historinë e pasardhësve të Joanës në disa hulli.

Por unë nuk dua të zgjatem në këtë aspekt. Është interesant që mbreti Vladislav, i quajtur dhe si Lancilak vdiq mbas 29 vjetësh në mbretërinë e Apulisë në Itali pa lënë fëmijë. Dhe fronin e tij e zuri e motra, e cila gjithashtu quhej Joana. Kjo Joanë, u martua me Jakov Piceninin, kont dhe kondotier, i cili me të vëllanë e tij Franciskon, që qe në shërbim të anzhuinëve kundër mbretit Ferdinand të Napolit, mik i Skënderbeut.
Është ky Jakov Picenini, që u thye nga ushtria e Skënderbeut, gjatë ekspeditës së kryetrimit shqiptar në Itali më 18 gusht 1482. Barleti flet gjerësisht për Ferdinandin dhe Alfonsin e Napolit, që qenë mbretër dhe aleatë strategjikë të Skënderbeut. Po ç’dimë më tepër për Joanën I, të ashtuquajtur të Durrësit, mbretëreshë të Napolit në shekullin XIV? Në vitin 1372 Ludoviku i Navarës, i shoqi i Joanës Durrsake, bëri një kontratë me prijësin francez, grafin e Coucyt “për pushtimin e gjithë Shqipërisë”. Ishte fjala për një kontratë, që nëse do të pushtoheshin fshatra, qytete dhe kështjellat e Shqipërisë, atëherë do të sanksionoheshin disa të drejta juridike për situatën e krijuar politike në atë që quhej Mbretëria e Shqipërisë.
Ky projekt ka një interes të veçantë, sepse kërkon të rikrijojë edhe një herë të ashtuquajturën “Regnum Albaniae” të Karlit I Anzhu. Ludoviku i Navarës mundet të ketë qenë i ndikuar nga e shoqja e tij Joana e Durrësit, që pikërisht sulmin kryesor ta realizonte në qytetin e Durrësit. Kjo tregon tërthorazi pse Joana e nxiste Ludovikun e Navarës për këtë aksion. Joana përkrahej nga anzhuinët francezë. Roli i anzhuinëve francezë në historinë mesjetare shqiptare është mjaft i madh.
Dihet se princi shqiptar Karl Topia, po i shekullit XIV, ishte një fëmijë i lindur nga një baba shqiptar dhe nga një nënë anzhuine franceze. Historia e Karl Topisë të kujton ngjarjet e romaneve kalorsiake, ose të romanit gotik ose pikaresk. Konti i Durrësit, Tanush Topia bëri një aventurë të pabesueshme. Ai rrëmbeu Elenën, vajzën e Robert Anzhu. Elena po vinte me një anije nga Italia, sepse do të martohej me një kontratë politike me një princ bizantin. Anija ndaloi në brigjet e Durrësit. Në këtë pushim befas Tanush Topia e pa Elenën dhe u dashurua marrëzisht me të. Por është e vërtetë, që edhe Elena u dashurua menjëherë me Tanushin. Tanushi e rrëmbeu Elenën dhe u martua me të. Elena ishte bionde, një bukuroshe e hajthme dhe e vendosur nga krahina e anzhusë në Francë.
I dërguari i mbretit Anzhuin në Durrës më kot e kërcënoi me emër të Robertit Anzhu, që Elena t’i bindej të atit dhe të mos e bënte këtë marrëzi. Elena nuk u bind. Pas një viti, lindi një djalë, fryt i kësaj dashurie të parrëfyer. E ëma ia vuri emrin Karli në kujtim të gjyshit të saj Karli I, mbret i Napolit dhe Sicilisë, që ishte njëkohësisht edhe vëllai i mbretit të Francës, Shën Luizit. Mbas një viti i ati i Elenës i bëri një ftesë Elenës dhe Tanush Topisë, që të vinte në Napoli, sepse gjoja i kishte falur dhe dëshironte të bënte një gosti të madhe për çiftin rebel. Ai u tha atyre të merrnin me vete edhe nipin, Karl Topinë.
Në momentin e fundit Tanushi, dyshues dhe largpamës nuk e mori Karlin me vete, hipi në një anije me gruan Elena dhe shkoi në Napoli. Pritja paraprake qe madhështore, u organizua një gosti e paparë, por i ati i Elenës hakmarrës deri në fund i masakroi dhëndrin dhe të bijën në gjumë, duke bërë kështu një vepër makbethiane të denjë për penën epokale të Shekspirit. Karl Topia i vogël u rrit i mbrojtur sepse jeta e tij kërcënohej nga agjentët e mbretit francez. Kështu u rrit ky personazh i mesjetës shqiptare, nga më të furishmit dhe me jetë vetjake nga më të çuditshmet. Karl Topia e mbante veten në të gjitha mbishkrimet e tij zyrtare si njeri me gjak francez. Stema heraldike e Karl Topisë, pasqyron relievin e një luani anzhuin si dhe figurat e zambakëve anzhuinë, që janë simbole mbretërore anzhuine.
Kjo stemë heraldike është më e bukura e të gjitha stemave heraldike të Shqipërisë. Në vetvete kjo stemë, ka disa të dhëna mjaft interesante, ka një sistem simbolesh, që ende nuk janë përkthyer dhe shpjeguar siç duhet. Në sipërfaqen e gurit të kësaj steme paraqitet një mburojë e vendosur pjerrtas në këndin e djathtë poshtë dhe që ka një të çarë përsëgjati. Ana e djathtë është e ndarë në kuadrate, ku të katër fushat kanë të njëjtat figura, një disk, i cili ndahet në këndin e djathtë në dy diametra të kryqëzuar mes dy kryqeve poshtë dhe dy sipër. Ana e majtë e mburojës tregon një fushë të mbushur me zambakë, mbi të cilën kalon pjerrtas një vizë nga e djathta në të majtë. Këtu duket dhe një shirit tjetër, që ka të bëjë me një qafore garash ushtarake, të gdhendur keq, që në heraldik ka kuptimin e shenjës së pasardhësit, ose në një linjë të re të një familje fisnike. Mburoja e stemës kulmon me një kaskë të mbyllur garash kalorsiake, prej së cilës varen poshtë të dy tëmthoret e kaskës, të cilat nga jashtë janë mbuluar me lule zambaku.
Në vend të kreshtës apo kurorës mbi helmetë ngrihet një jastëk drejtkëndësh, mbi të cilin rri luani i kurorëzuar. Kurora e luanit mban tri pendë struci. Stema heraldike e Karl Topisë mund të ketë diçka të përbashkët me heraldikën e përdorur nga anzhuinët në mbretërinë e Napolit. Një fakt i pastudiuar deri më sot, që u ka shpëtuar syrit të historianëve është se në qytetin e Krujës, ka ekzistuar kulti i Karlit të Madh, Sharlëmanjit, i Francës. Është pikërisht një historian shqiptar e konkretisht, Dhimitër Frëngu, që ka qenë arkëtar dhe njeri fort i besuar i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Dhimitër Frëngu ka shkruar dhe botuar një histori për Skënderbeun, që ka njohur shumë përkthime dhe botime në Europë. Dhimitër Frëngu ka qenë intimisht i informuar, jo vetëm pse ka jetuar në Krujë, por ai ka njohur kancelarinë e Skënderbeut, lidhjet e Skënderbeut me botën europiane si dhe atë që quhet urbanistika e brendshme e ndërtimeve të perimetruara nga muret e kështjellës së Krujës. Pikërisht Dhimitër Frëngu shkruan të zezë mbi të bardhë se në një nga sheshet e Krujës ka qenë ngritur një statujë e përsosur e Karlit të Madh të Francës. Dhimitër Frëngu shton se disa nga princat shqiptarë mburreshin se gjoja e kishin origjinën e tyre me gjak francez. Këtë gjë thotë edhe Barleti, që është i vetmi që ka shkruar se qytetin e Krujës e kanë krijuar Topijasit, pra pinjoj më të hershëm se sa Tanush Topia, i ati i Karl Topisë.
Me gjak francez e quajnë veten e tyre edhe dukagjinasit. Për mendimin tim ekzistenca e skulpturës së Karlit të Madh të Francës nuk duhet vënë në dyshim. Ajo mund të jetë një skulpturë e punuar nga ndonjë skulptor vendas, ose francez dhe lidhet me ngjarjen historike të krijimit të Mbretërisë Shqiptare nga Karli Anzhu më 1272 me kryeqytet Durrësin. Kulti i Karlit të Madh të Francës, i cili i bashkoi frankët dhe krijoi një perandori të madhe europiane, me synim që të krijonte edhe një perandori botërore, duke përfshirë dhe perandorinë bizantine ka qenë një motiv krenarie për anzhuinët.
Skulptura e Karlit të Madh do të ketë qëndruar në Krujë për shumë kohë. Kjo skulpturë mund të jetë hequr nga pushtuesit turq, kur ata zotëronin Krujën, por do të jetë rivendosur gjatë kthimit të Skënderbeut në Krujë më 1443. Dhimitër Frëngu është dëshmitar okular dhe rrjedhimisht ai e ka parë këtë skulpturë me sytë e tij. Kjo do të thotë që skulptura e Karlit të Madh që është një paraprijës i idesë së një Evrope të tërë shtetërore ka shërbyer si një simbol edhe për Skënderbeun i lidhjes së Shqipërisë me Europën Perëndimore. Askush deri më sot nuk është marrë seriozisht me analizën e miteve gjenealogjike të princërve shqiptarë për origjinat e tyre gjoja franceze. Gjenealogji të tilla edhe fantaziste kanë qenë tipike për epokën humanistike.
Nga ky qerthull i traditës anzhuine duhet parë edhe lidhja e Joanës së Durrësit, pikërisht me kryeqytetin anzhuin, që është vetë Durrësi, të mbretërisë shqiptare. Të dhëna të papritura dhe të çuditshme për Joanën e Durrësit gjenden në librin e studiuesit Aleksandër Paramidhisis, kushtuar papës Joani XXIII, të njohur si Baltar Cozza, i cili ka lindur në Napoli dhe ka vdekur në Firence në vitin 1419. Në këtë libër jepen aspekte të historisë të luftës fetare më të çuditshme të Mesjetës, midis papëve të Romës dhe antipapëve të Avinjonit. Antipapa Klementi VII, kishte ithtarë Pjetrin e Lumtur të Luksemburgut si dhe shenjtorin Vikentij (Ferie). Klementi i shërbente edhe Koleta e Shenjtë, e cila vetëm 100 vjet pas vdekjes u shpall shenjtore dhe u përligj vetëm në kohën e Papa Piu VI.
Papa Urbani VI kishte ithtarë Pjetrin e Aragonit dhe Katerinën e Sienës. Pikërisht, shenjtorja Katerinë e Sienës e këshilloi Papën Urbani VI të shpallte një kryqëzatë kundër Pseudopapës antikrisht, Klement. Më 1378, Urbani e mallkoi Mbretëreshën e Napolit, Joanën Durrsake dhe e shpalli të rrëzuar, sepse ajo u bashkua me Klementin. Në bulën e tij të datës 31 prill 1380 Papa Urbani e quajti Joanën Durrsake “bijë të padrejtësisë dhe të mëkatit, heretike dhe inçestare”. Papa thërriti nga Hungaria Karlin dhe me ushtritë e Karlit e shkatërroi mbretërinë e Napolit, duke vrarë dhe çuar në mjerim tërë trashëgimtarët e Joanës. Konkretisht, në sulmin kundër Joanës, Papën Urban e ndihmoi shenjtorja Katerina e Sienës. Ajo shkoi në Hungari dhe e bindi mbretin hungarez, që të dërgonte në Napoli nipin, Karlin, që u quajt Karl Durrsaku.
Karli e përkrahu Urbanin dhe e sulmoi hapur. Ai në fillim kapi rob Ludovikun e Navarës pastaj dhe Joana Durrsakun. Urbani VI i futi në burg dhe i mbyti duke i helmatisur. Mbreti i Napolit u shpall Karl Durrsaku. Është shumë i çuditshëm ky përcaktim, sepse quhej një titull shumë i lartë, që krahas titullit mbret i Napolit, të quheshe edhe i Durrësit. Nuk kaloi kohë dhe midis Karlit dhe Urbanit lindën kontradikta. Kështu në “Analet Redio” thuhet se Lufta midis Karlit dhe Urbanit arriti aq larg saqë papa Urbani e ç’kishëroi Karlin madje dhe gruan e tij, Margaritën si dhe fëmijët deri në brezin e IV-.
Për të vepruar kundër Karlit, i quajtur Durrsaku, papa Urbani caktoi Baltazar Cossa. Karli u zemërua shumë me Papa Urbanin dhe vendosi ta sulmonte në tokat e tij dhe ta dëbonte. Mbreti Karl e rrethoi Papën dhe në « Analet napolitane » thuhet, se e qëlloi pallatin e Papës me katapulta. Sekretari i papës Dihtri Von Nim ka shkruar : « që të hakmerrej sadopak kundër Karlit Papa Urban VI, dilte katër herë në ditë në dritaren e kështjellës me qiri në njërën dorë dhe zile në tjetrën dhe me zë të lartë, solemn, me sa fuqi kishte mallkonte mbretin Karl dhe ushtrinë e tij. « Karli e dëboi Papën nga qyteti Noçera. Papa shkoi në Salerno. Karli pas pak vdiq. Mbeti mbretëresha Margaritë, një vejushë shumë trime. Papa Urbani bëri mallkimin publik të mbretëreshës dhe arriti që të vriste edhe atë dhe djalin, trashëgimtarin e Karlit.
Kështu mbaroi kjo histori e denjë për subjektet e romaneve të Aleksandër Dymasë. Ajo që na intereson është fakti që në shekullin e XIV, në historinë e intrigave të dy kishave, të Romës dhe të Avinjonit ndërfuten dhe personazhe shqiptarë, siç qe Joana e Durrësit. Emri i Durrësit, qe aq i famshëm sa që edhe Karli i Hungarisë mbasi ta pushtonte Napolin do të mbiquhej Karli i Durrësit. Duke lexuar një guidë të Napolit kam rënë në gjurmët e varrit të Joana Durrsakes, në një nga kishat e këtij qyteti. Do të ishte me interes të mësonim më shumë dhe konkretisht për këtë varr monumental. Në Manastirin e Shën Klarës, është varri origjinal i Joana Durrsakes. Ky varr ndodhet pranë një varri tjetër të një princeshe e cila quhet Anjeze Durrsaku.
Subjektet historike nuk janë mite, ndonëse dhe mitologjitë janë subjektore. Me subjektet e historisë mesjetare të Shqipërisë mund të shkruhen shumë romane, fantazmagoria bëhet kështu atribut dhe ndjellshmëri e pamposhtur e realiteteve…
***
Shënimet e japin një skedë profili të Joanës së Durrësit. Del qartë fuqia e saj marramendëse intriguese. Po si të shndrohej gjithçka në një subjekt? Si të letrarizohen, ose të metaforizohen detajet kryesore dhe imtësirat e humbura përfundimisht? Kronika është e shurdhët. Vija të përgjithshme dhe të vrazhdëta. Çdo gjë mund të nisë me skenën kur Papa Urbani shkruan bulën e mallkimit për Joanën. Diçka shumë më tepër se sa thjesht dënimi me vdekje. Bula shumëfishohet nga shkruesit, çdo kopje firmoset nga Papa dhe u dërgohet mbretërve dhe qyteteve të Europës.
Në 5 mars 1380 një kalorës i veshur me të zeza mbërrin tek portat e Napolit. Edhe kali i tij i tërbuar është i zi. Ai është sjellësi i Bulës për vetë Joanën.
Joana e bukur dhe e zbehtë e sheh nga dritarja bifore e pallatit mbi kështjellë. Është muzg i përzishëm. Në qiell grumbullohen re të çuditshme si prej lënde ëndrrash makabre.
Bula është brenda një kutie të zezë ebaniti pa asnjë simbol dhe dekoracion. S’ka as shenjën e kryqit. Asgjë. Përveç letrës rrotullame e shkruar në latinisht me kaligrafi gotike. Në fund ka dyllin e vulosur nga Unaza e Peshkatarit, siç quhej vula papnore. Kalorësi i kobshëm ja dha dërgesën një oficeri të Joanës. Pastaj kalorësi u kthye mbrapsht dhe u shpërbë.
Oficeri u ngrit tek mbretëresha. E la kutinë mbi tryezën e gjatë në sallën ceremoniale.
Joana ra në gjunjë. Ju lut Zotit me përdëllim. Me sy të mbyllur.
Në murin përballë qe portreti i Papës së Avinjonit Klementit VII. Joana u ngrit. E hapi një qese lëkure me pluhur squfuri. I pluhurosi duart. Squfuri qe kundër fuqive demoniake. Pastaj e hapi kutinë, e shpalosi letrën dhe e lexoi në heshtje.
Sytë ju zmadhuan jashtë mase. Letra e Papës së Romës Urbanit VI niste me një mirësjellje të shtirur formale. Pastaj vinin frazat kundër blasfemisë avinjonase. Klementi VII e quante Antikrisht i Madh, pasuesit e tij antikrishtë të mashtruar që e kishin humbur shpirtin nga ligësia.
Bija ime, shkruante Urbani VI, ke kohë të kthesh rrugë. Roma të pret të dlirësohesh. Ke mundësi të pendohesh. Të pres dhe do të bekoj. Por ndoshta është vonë. Kokëfortësia të ka kapluar dmth krimi, pabesia dhe vdekja. Të mallkoj përjetësisht me autoritetin që më jep Zoti. Mallkim për ty, për familjen tënde, për pasardhësit në shekuj të shekujve. Të mjeruar nga lidhja me ty dhe me Satanain. Do të bjerë shpagimi i egër dhe pa mëshirë mbi kurorën dhe shpirtin tënd. Letra kishte 33 fraza mallkimi. Në fund letra përfundonte me thënien “Vade retro Satana!”
Joanës i ra letra nga duart.
E mblodhi veten. Ndjeu në ajër praninë e asgjësimit. Të nesërmen në Napoli erdhi Koleta e Shenjtë, që e mbështeste Klementin VII. E veshur si murgeshë. Ishin moshatare. Koleta kishte në fytyrë përherë një shprehje ekstaze. Nuk i zhdukej kurrë.
Joana shpërtheu në lot në krahët e saj. Koleta e bekoi, i tha fjalë të butë, ngushëlluese. I dha shpresë. I tha se Antikrishti i vërtetë qe Urbani VI. Avinjoni qe Kisha e Pastër, Roma Kisha e Përlyer. Mos dysho! Mbaje veten dhe krenarinë.
Joana i foli për agjentët dhe spiunët e panumërt dhe të rrezikshëm të Urbanit VI. Ke mbrojtjen e Zotit, i tha Koleta. Skena e bisedës është thelbi i subjektit. U përmendën argumente teologjikë për të vërtetuar të vërtetën. Në këtë pikë kulmore rrëfimi i ngjan letrave të bixhozit. Në një letër Klementi VII është sipër dhe poshtë Urbani VI. Në një tjetër sipër qe Koleta e shenjtë dhe poshtë Katerina e Sienës. Në letrën e tretë Joana sipër dhe poshtë figura e vdekjes. Po pozicionet mund të ndryshoheshin. Ky qe thelbi i së ardhmes dhe i së Panjohurës.
Dihet ç’ndodhi më pas. Urbani VI e vrau Joanën me të shoqin. Kisha e Avinjonit që numëroi 37 Antipapë humbi. Kisha e Romës mbeti. Pra Joana është shqiptarja e vetme më e mallkuara kishtarisht në të gjitha kohërat.
Në këtë sinops është edhe skena e Joanës në Ferr. Pranë saj janë tri Gorgonat. I bëjnë shoqëri shtrigat që katolikët i dogjën ritualisht. Në Ferr me Joanën janë dhe Klementi VII dhe Urbani VI. Por aty luajnë shah bashkë. Në një skenë të imagjinuar është gjetja nga autori i këtyre radhëve i bulës së ç’kishërimit fatal të Joanës, në arkivin e “L’Ecole Françaises” në vitin 1989. Letrën origjinale që ju dërgua nga kalorësi i zi, që qe vetë fati i saj.
Në sinops skena e fundit është një përsiatje ironike. Joana qe shqiptare. Mbase e lindur në Durrës. Por nuk jetoi dhe nuk vdiq në Durrës. Ajo mbante titulli si mbretëreshë e Durrësit, në një kohë që Durrësi nuk qe nën pushtetin e saj. Si ka mundësi? Pse e përdori këtë titull fiktiv? Durrësi që s’e kishte i mbeti në titullin e zbrazët. Kjo është enigma e subjektit, që është e pamundur të strukturohet logjikshëm. Përkundrazi çdo strukturë prishet dhe rrëzohet si një alibi përrallore. Alibi të tilla, simbole jo reale të titullaturës i kanë bërë dhe të tjerë. Madje shumë ëndërrimtarë të egër dhe ambiciozë.
Sinopsi e pranon edhe një post scriptum, ose më saktë një anti-sinops. Joana nuk është shqiptare, por bijë ilegale e Klementit VII. E shpiku origjinën shqiptare për të penguar thashethemet për atësinë franceze. S’e dinte ku binte Durrësi, por u quajt qëllimisht, virtualisht si Joana e Durrësit. Historianët mendjeshkurtër s’e kuptuan këtë thagmë. Takimi i Joanës me Koletën e Shenjtë qe thjesht një takim përbetimi kundër Avinjonit (që shtireshin sikur i shërbenin) për Romën (qe gjoja e urrenin). Një fakt është i pamohueshëm. Koleta e Shenjtë u kanonizua si shenjtore nga Roma mbas 100 vjetësh. Si ka mundësi? Si mund të shpjegohet? Për më tepër që në hagjiografitë, historitë e bëmave të Koletës thuhet se ajo në fakt kishte “dy shpirtra”. Padyshim që një nga shpirtrat qe shpirti i Joanës.
Në këtë kuptim Joana është edhe e mallkuar dhe e bekuar në dimensionin e së ardhmes që është përherë diçka më shumë se sa lëvizje e historisë, ose thjesht historia.
Fundi i rrëfimit: një skulptor jo shumë i njohur i Durrësit mëson diçka për Joanën e shekullit XIV. Mahnitet, pavarësisht se nuk është i ditur. E bën një statujë të Joanës, Bashkia e Durrësit aprovon fondin për derdhjen e saj në bronz dhe e vendos në një shesh. Skulptori u bë i famshëm. Dhe shumë intervista në media. Përherë e tregonte në disa variante historinë e Joanës. Por asnjëherë nuk harronte se origjina e saj më e largët qe nga krahina e Matit, pastaj u lind në Durrës dhe se shkenca moderne ka zbuluar se Joana është paraardhësja e padiskutueshme e vetë mbretit Zog.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura