DR.MOIKOM ZEQO: MISIONI I INTELEKTUALIT, HULUMTUES DHE MJESHTËR I SË VËRTETËS

Tiranë, 11 maj 2017: Roli i intelektualit në shoqëri? Ç’përfaqëson intelektuali? Pyetje të thekshme, të befta, të vetëkuptueshme.
Por përgjigjet shpesh nuk e zbulojnë thelbin.
Funksionon mekanizmi i referencave dhe citimeve të pafundme. Mëtohet klasifikimi dhe kuptueshmëria e fjalës intelektual, simbolika e funksionit etj. Të gjitha këto mund të kenë një karakter formal, gati të pashmangshëm.
Mund të flitet shumë për intelektualin, shpesh si një qenie e përzgjedhur, madje si mrekulli krijuese, jo shumë larg nocionit të Providencës, apo të mistifikimit të një domosdoshmërie historike. Formualt verbale në këtë rast nuk janë shumë të fuqishme, komentojnë por nuk zbulojnë substancën. Në përgjithësi arsimimi i njerëzve krijon iluzionin masiv të lindjes së një elite intelektualësh, me atë rregull që krimbi në krisalidë shndërrohet patjetër në flutur, por ja që nuk është kështu.
Të shkolluarit, madje dhe statistika e Profesoriatit shqiptar, në morinë e pafundme dhe virtuale të universiteteve publike dhe private në Shqipëri nuk e shpjegon dot dallimin midis intelektualit dhe pseudointelektualit, midis intelektualit të vërtetë, të pavarur dhe të ashtuquajturit intelektual klientelist, dukuri kjo e frikshme në Shqipëri. Edhe teza e formalizuar dhe publicitare e Sartrit për “angazhimin” e intelektualit në Shqipëri nuk është shumë mbushamendëse.
Në librin e George Steiner “After Babel” nyjëtohet ekzistenca e intelektualit si një hulumtues i paepur dhe mjeshtër i së vërtetës shkencore.
Kjo e vërtetë është universale dhe u përket të gjithë popujve dhe njerëzve në sensin e mëvetësisë së saj dhe vizionit.

Në epokën e madhe të mediave elektronike, të shtypit të printuar, të gazetarisë shumëdimensionale, është krijuar gjithsesi dhe një konfuzion të përcaktimit dhe të dallimit të intelektualit dhe opinionistit ose përcjellësit instrumental të ngjarjeve të politikës.
Aq më tepër kur sekti i politikanëve, përgjithësisht intelektualë mediokër, guxojnë të artikulojnë ide politike, apo dhe të ushtrojnë stile ligjërimi, që e kanë mistifikuar së tepërmi propagandën, domethënë gënjeshtrat publike të standardizuara.
Aq më tepër që dhe mediat nuk janë më të lira dhe të pavarura, dhe të ashtuquajtura disiplina të komunikimit janë përcjellëse të servilizmit politik dhe të ideve bazë zotëruese të përpunuara në inkubatorë të disa sistemeve të mbyllura të zotëruesve të pushtetit të parasë, të pushtetit, por dhe të opinioneve.
Në këtë situatë tejet të rëndë, të kamuflimit dhe të një agresioni të galvanizuar të gënjeshtrës publike, kërkimi i së vërtetës është një çështje substanciale sa shkencore aq dhe shoqërore dhe humanitare. Jam skeptik të shprehem në mënyrë pozitiviste se intelektualët në Shqipëri janë në një nivel kaq të lartë arsyetimi dhe kthjelltësie. Përkundrazi.
Shihni skotën e të ashtuquajturve opinionistë, të cilët për 26 vjet ndërthurin thashethemnaja dhe marrëzira , të pashembullta ,për politikën dhe shoqërinë. Është e vështirë të gjesh një fjalë të mençur dhe dëlirësuese midis kësaj katrahure.
Nga intelektualët e mëdhenj shqiptarë janë pak shëmbëlltyra që do t’i konsideroja të denja për t’i përmendur.
Do të përmendja Migjenin dhe intelektualin më të ditur të shekullit XX, Fan Noli.
Intelektualët e tjerë për arsye të ndryshme nuk i kanë rezistuar klientelizmit politik, qoftë klientelizmit komunist, qoftë klientelizmit antikomunist.
Përgjithësisht intelektuali ka një mision historik. Ai nuk është thjesht zejtar i përsosur i fjalëve. Ai kërkon të vërtetën e pashmangshme.
Vetëm e vërteta na bën të lirë. Vetëm e vërteta na çon përpara. Vetëm e vërteta na ngre më lart.
Kjo e vërtetë nuk lidhet vetëm me Shqipërinë. Por dhe me tërë botën.
Në 27 Prill 1994 kam botuar esenë time “Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve”.
Sapo kisha lexuar një apel të shkrimtarëve të shquar të botës nxitur dhe nga shkrimet e shkrimtari ttë madh spanjoll Joan Gojtisolo, autori i “Letra nga Sarajeva. Gojtisolo hodhi idenë e një parlamenti të intelektualëve përparimtarë të botës. Morice Blanckot, sëbashku me Roland Bartin, Mishel Leirisin dhe Robert Antelmonin përgatitën dhe botuan në Revew Internacionale një projekt sintetik dhe programor, që kërkonte nga intelektualët që bashkërisht e pa mbrojtje e stërhollime të merrnin mbi vete përgjegjësinë për atë që ndodh rreth tyre njësoj sikur ndodh brenda tyre.
100 shkrimtarët më të shquar të Europës dhe të Amerikës, midis tyre Zhak Derrida, Pablo Fuentes, Pierr Burdie, Eduart Glissani, Toni Morisoni, Breyten Breytenbah, Umberto Eco dhe sidomos Salman Ruzhdie e krijuan këtë parlament për të reaguar ndaj krimeve të përbindshme të luftës ,që ndodhën në Sarajevë, ndaj gjenocidit dhe padrejtësive në botë.
Pra këta shkrimtarë janë universalizuar në rolin e tyre duke sulmuar me të drejtë tabunë e monopolit të politikës ndërkombëtare për të ringjallur të vetmen doktrinë të pavdekshme në shekullin, humanzimin. E përmend këtë fakt për të treguar se ç’mund të bëjnë njerëzit e letrave kur kuptojnë botën dhe vetveten.
Për sa i përket Shqipërisë, realiteti duket më i ndërlikuar dhe herë-herë fatal. Statusi i njeriut të kulturës së njeriut nga politika është gati zero, ndonjëherë edhe nën zero. Personalitetet e mëdha të kulturës, të dijes, nuk përfillen fare nga klasa mediokre e politikanëve shqiptarë. Nuk luajnë asnjë rol në vendimmarrjet politike që kanë të bëjnë me fatin e qytetarëve shqiptarë dhe të perspektivës së kombit tonë.
Është e vërtetë që intelektualët shqiptarë duke pësuar dhe privacione, madhe dhe marxhinalizime ndaj tyre, përsëri kanë guxuar të thonë të vërtetën, ta shprehin pathyeshmërinë e tyre ndaj lirisë së mendimit. Por jemi ende larg ndikimit të fjalës iluminuese dhe shpresëdhënëse të këtyre intelektualëve në shoqërinë shqiptare, ku ende nuk ka lindur dhe nuk është realizuar me dinjitet dhe e pavarur edhe shoqëria civile. Është një betejë mendore.
Fitoret e vërteta të një populli janë fitoret mendore.
Në këtë pikë shqiptarët janë ende të prapambetur, por nuk duhet të jemi fatalist në vonesat historike.
Konceptualisht ne mund t’i kapërcejmë këto vonesa. Por ende mungon nderimi për kulturën, për Shqipërinë kulturore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura