Tiranë, 22 nëntor 2017: (Esse për domethëniet dhe kuptimet)
Në rrafshin e krijimtarisë së mirëfilltë letrare mund të shikohet substanca letrare.
Në mënyrë absolute në këtë substancë letrare nuk mund të ngurtësohemi as me formula dhe as me përcaktime jashtëletrare. Substanca letrare i përket kohës shpirtërore dhe jo kohës kronologjike.
Substanca letrare është e vetëmjaftueshme, ajo s’ka pse të tjetërsohet në rrafshin e shpjegimit. Shpjegimi është jashtëletrar. Shpjegimi lidhet me ideologjitë, botëkuptimet, krahasueshmërinë.
Shpjegimi është interpretim i tekstit në 100 pika shikimi. Kështu substanca letrare mund të dyzohet.
Por ajo që mund të thuhet për substancën letrare nuk është asnjëherë identike me substancën letrare.
Kjo optikë konceptuale është kryesore.
***
Substanca letrare nuk njeh kohë dhe emra autorësh në mënyrë të ngushtë, as hapësira, etni dhe gjuhë të ndryshme. P.sh. Homeri ka shkruar në epokën e skllavopronarisë të bazilenjve dhe të skllevërve.
Substanca letrare e Homerit nuk është e përcaktuar nga metodat as nga sistemi ekonomiko-shoqëror i kohës së tij. Substanca letrare e Homerit është po aq e lexueshme sot dhe ndoshta do të jetë më e lexueshme në shek. XXII.
Dalim këtu tek një rrafsh tepër i diskutuar, ai i metodave artistike dhe letrare.
Në ç’metodë do të fusim krijimtarinë e tragjedianëve të mëdhenj grekë, Eskilit, Euripidit dhe Sofokliut?
A mund të bëhet një formulë për ta?
Për mua s’ka asnjë rëndësi kjo gjë.
Kujt metodë letrare i përkasin poetët e mrekullueshëm botërorë kinezët Du Fu dhe Li Bo? Apo Lao Ce?
Po metoda letrare e Dantes si mund të klasifikohet?
A është kultura dhe arti barok i shek. XVII një metodë? Bogdani dhe Budi janë shkrimtarë të mëdhenj, të nivelit evropian të shkrimit barok.
Kujt metode letrare i përkasin?
Si quhet metoda letrare e Uanishadave apo e librave të shenjtë iranikë të Zarathustrës, apo e vargjeve të “Librit të të vdekurve” të Egjiptit, apo Psalmet poetike të Biblës së Shenjtë? “Libri i Jobit” mund të quhet sot një vepër postmoderniste.
Si mund të klasifikohet krijimtaria e Shekspirit apo e Servantesit, apo e Bllejkut dhe e Erza Paundit?
Me ç’metodë ka shkruar Wallt Witmani dhe Sent Xhon Persi?
Kritikët dhe historianët e artit le të bëjnë klasifikimin. Të gjitha këto janë një mbishtresë e dytë.
Të gjitha ikonografitë formojnë shkolla e metoda, p.sh. ikonografia babilonase, egjiptiane, bizantine,parnasioene, klasiciste, romantike, ekspresioniste etj por arti është diçka tjetër.
Metoda e klasicizmit e ka një kult që quhet Molier.
Nga mënga e Molierit doli Balzaku, që klasifikohet si i realizmit kritik. Bajroni dhe Kitcii janë romantikë, por Oskar Uailldi ka më shumë lidhje shpirtërore me ta.
Niçe është po aq rebel sa Herakliti.
Duke qenë poet si Shekspiri.
Xhek London është ithtar i letërsisë socialiste si hermetizëm në fillim të shek. XX.
Por kjo nuk do të thotë që Gorki është tërësisht emblemë e realizmit socialist në krijimtarinë e tij.
As Majakovski dhe as Kadare.
As Aragoni dhe as Pablo Neruda nuk mund të emblementohen me një metodë të caktuar.
Nuk ka patur metodë artistike më të përcaktuar gjeometrikisht dhe nga pikëpamja heriatike se sa ikonografia bizantine.
Po ama ne sot mahnitemi nga një Onufër dhe nga Panselinosi.
Metoda e realizmit socialist qe një shpikje ideologjike e kritikëve zyrtarë, që pati ndikime negative sidomos në krijimtarinë e talenteve mediokër.
Talentet nuk varen dhe aq nga metodat as nga epokat, as nga politikat.
Nëse Shekspiri lindi në periudhën elisabetiane kjo nuk do të thotë që në periudhën e sotme postindustrialiste të Anglisë të lindë medoemos një talent më i madh se Shekspiri.
Migjeni është një gjeni konceptual ,që nuk mund të klasifikohet me formula letrare.
As Xhojsi dhe as Gabriel Markezi, as Borgesi dhe as Saramago i jashtezakonshem- me i madhi i diteve te sotme – nuk mund të klasifikohen në emër të metodave letrare.
***
Metodat letrare janë konvencionale, por janë më tepër një mundësi e pakufishme interpretimi dhe nuk janë një realitet i mirëfilltë letrar.
Shkrimtarët e ndryshëm në kohëra të ndryshme mund t’i përjetosh dhe t’i lexosh në çdo çast.
Ata janë gjithnjë si tërësi dhe sintezë dhe jo veç e veç. Unë nuk besoj tek metodat letrare, nuk kam besuar kurrë tek realizmi socialist.
Metodat letrare le t’ua lemë atyre që nuk janë letrarë, por që shpesh duan monopol mbi letërsinë d.m.th. kritikëve dhe historianëve të artit.
***
Ka diskutime të skajshme për përcaktimin e letërsisë dhe artit dhe të esencës së talenteve.
Një tezë e vjetër e Brynetierit, që thotë se në art bëhet fjalë për kanone estetike par exsellence, pra kanone morfologjike-estetike të disa modeleve artistike, imitime që janë primordiale dhe për artistët, gjithsesi subjektivisht më të rëndësishëm se sa baza ekonomike, apo marrëdhëniet shoqërore në një sistem politik.
Kjo tezë ngjalli mërinë e polemistëve të ashtuquajtur të majtë në gjysmën e shek. XX siç ishte Aragoni apo dhe Malroja, që nisur nga një dogmatizëm i egër e quajtën tezën e Brynetierit si tezë idealiste dhe kundërrevolucionare.
Kjo polemikë të kujton diskutimet e egra teologjike të Bizantit, ku merrej seriozisht çështja nëse kishin apo nuk kishin seks engjëjt apo dhe vetë Krishti.
***
Teza se gjoja arti varet vetem e vetem nga baza ekonomike është absurde.
Karakteri subjektiv i artit nuk mund të përcaktohet nga një objektivitet shoqëror thjesht ekonomik.
Kjo do të thotë që realiteti ekonomik i socializmit totalitar në Shqipëri nuk mund të modelohet lehtësisht dhe të përcaktonte artin dhe substancën letrare.
Kështu Brynetieri do të tallej nga ata që duke hedhur poshtë me të drejtë metodën e realizmit socialist, të mohonin letërsinë e vërtetë të krijuar nën këtë epidermë artificiale, sipërfaqe politike e propagandës zyrtare.
***
Letërsia shqipe ka një lloj autonomie të saj, që nga Buzuku e deri më sot dhe kryeveprat e letërsisë shqipe ndonëse janë të ndryshme dhe të dallueshme kanë më tepër lidhje brenda për brenda këtij sistemi autonom letrar, pa përjashtuar këtu edhe vetë letërsinë e quajtur si të realizmit socialist.
Kështu ndikimi i Gjon Buzukut dhe Bogdanit, i De Radës dhe Naim Frashëri,i Mjedes, Lasgush Poradecit,Skiroit, Serembes, Fishtes etj, ka qenë i pashmangshëm brenda për brenda të njëjtës substancë letrare, pavarësisht profileve të ndryshëm artistikë.
***
Kjo autonomi e brendshme e vetë letërsisë shqipe duhet studiuar seriozisht.
Ajo mund të shpjegojë gjithçka.
***
Një çështje tjetër shumë e ndërlikuar është ajo e lindjes së talenteve.
Kombi shqiptar e ka në magmën e tij sekretin që e di vetëm ai, kur duhet të nxjerrë nga gjiri talentet e mëdha dhe ato të zakonshmet.
Nuk mund të thuhet pse Migjeni,Kadare Petro Marko,Jakov Xoxe, Kuteli, Shuteriqi, Rreshpja,Camaj, Agolli, si dhe Fatos Arapi etj lindën në gjysmën e parë të shek. XX dhe nuk lindën fjala vjen në gjysmën e dytë të shek. XXI.
Nuk mund të thuhet pse Onufri lindi në shek. XVI, dhe nuk lindi psh në shek. XII, ashtu siç nuk mund të thuhet pse Servantesi lindi pikërisht në Spanjë dhe nuk lindi në Kinë, ose pse Witmani lindi në Amerikë dhe nuk lindi në Norvegji.
Këto janë sekretet e magmës së vetë njerëzimit.
***
Përsa i përket artit të programuar ai bazohet në sistemin e mbyllur dhe jo të hapurmadje edhe kur behet art global.
Është e çuditshme që në historinë e artit dhe të letërsisë ka ekzistuar me fuqi të gjatë në hapësirë dhe në kohë një shumësi ikonografish programore.
Ikonografitë programore shpesh janë modeluar nga struktura perandorake të mëdha si p.sh. në Egjypt, Romë dhe në Bizant.
Ikonografia programore qe në mesjetën e krishtere, gati totalitare. Pse ikonografia e stilit barok, futurizmi, surrealizmi etj.
Ikonografia programore qe edhe në perandorinë komuniste.
Por këto më tepër i përkasin superstrukturës politike. Letërsitë dhe artet kombëtare dhe të njerëzimit përherë e më shumë synojnë drejt autonomive të mëvetëshme, qoftë edhe në epokën globale e mbase edhe në epokën postglobale.
Një kthjelltësim i tillë na bën më të matur për të mos bërë përmbysje të kota , ekleziastike dhe pa asnjë kuptim të vlerave të mirëfillta letrare dhe artistike, pavarësisht nga tiranitë dhe dogmat e metodave të ndryshme artistike.
Kjo vlen edhe për Shqipërinë siç vlen edhe për vetë njerëzimin.
Ora News – Moikom Zeqo: S’jemi popull që lexojmë, kemi një klasë parapolitike
SPECIALE LIBRI – Moikom Zeqo