Pashtriku.org, 27. 10. 2014 – As në kohët më të errëta nuk është sulmuar dhe teorizuar kaq përbindshëm kundër shqiptarëve si një komb i mëvehtshëm, homogjen, i barabartë, por edhe i ndryshëm, i dallueshëm me kombet e tjera… Kombi është shumë më tepër i vjetër dhe zanafillor se lindja e konceptit të shtetit kombëtar… Kombi jemi vetë ne, nuk mund të zhbëhet kombi pa u zhbërë vetë ne… Klasa politike shqiptare duhet të jetë e ndërgjegjshme, për fat të keq është konfuze, ose akoma më keq klienteliste dhe interesat kombëtare i shet lehtësisht për shkak të bonuseve dhe utilitarizmit në dëm të bashkëqytetarëve të vet… Janë dhjetëra mijëra shqiptarë etnikë që janë bërë “grekë” për ofertën e një pensioni grek…Minoriteti grek në Shqipëri manipulohet, për ta hipertrofizuar, duke rrezikuar ekuilibrin historik të vetë tyre si bashkëjetesë, si shtetas shqiptarë… Shqipëria nuk është një shtet multietnik dhe duan ta bëjnë përdhunshëm të tillë. Nëse do të ishte multietnik s’do ta mohonte kush këtë të vërtetë, po ja që nuk është.
***
Ideja e mbrapshtë se mund të falsifikohet gjithçka në këtë botë është ideja e një relativizimi të skajshëm dhe e një spekulimi absurd. Por “idetë i kemi syzet tona”, ka thënë Vudi Aleni ( Woody Allen ).
• Idetë e gabuara janë në kundërshtim me idetë e vërteta. Po a ekziston e vërteta?
• A gjendet e vërteta?
• A na duhet e vërteta?
• Apo jemi që të gjithë, pa përjashtim, pjella të gjykimeve të shtrembra, për pasojë me ndërgjegje të deformuara?
E vërteta është objektive, ajo nuk mund të tjetërsohet duke u subjektivizuar në mënyrë monstruoze. Në fakt, e vërteta ekziston pavarësisht se çfarë thuhet për të, pavarësisht klasifikimeve pohuese apo mohuese ndaj saj.
• A ka një të vërtetë shkencore për kombin shqiptar, apo ky komb nuk ekzistoka fare dhe është thjesht një trillim politik, apo thjesht një “shpikje onirike” e romantikëve të Rilindjes?
• A ekziston kombi shqiptar si homogjenitet gjuhësor, njerëzor, etno-antropologjik, si kulturë e veçantë, një komb i denjë, origjinal midis gjithë kombeve të tjerë të Europës dhe të botës, apo është një komb “fantazmë”, një “pseudokomb” lehtësisht i mohueshëm?
• Dikush mund të thotë: si mund të artikulohen pyetje të tilla?
• Dhe pikërisht tani në shekullin XXI, kur shkenca ka sqaruar konceptet kryesore, pra janë shkencëzuar teoritë universale të kombeve, të formësimit historik dhe të mbijetesës së tyre, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët?
Po ja që ka mendje delirante, nihilistë groteskë që lehtësisht flasin marrëzirat më të mëdha dhe të pabesueshme për kombin shqiptar.
Sipas këtyre kreaturave nervoze, kombi shqiptar është një “fiction”, e shumta një metaforë poetike nacionaliste e Naim Frashërit, se shteti shqiptar është virtualisht një krijim a një kukull politike e ndërkombëtarëve, se ka gjithashtu brenda ose jashtë përcaktimit të këtij kombi disa kombe:
– kombi i Shqipërisë,
– i ashtuquajturi kombi kosovar,
– shqiptarët maqedonas,
– shqiptarët malazezë etj.,
me një fjalë ideja formaliste e një “kombi kolazh, miks, hibrid” etj., etj., sa më shumë të përçarë, bile me mundësi përplasjesh dhe kundërvëniesh vetasgjësuese kundër njëri- tjetrit.
As në kohët më të errëta nuk është sulmuar dhe teorizuar kaq përbindshëm kundër shqiptarëve si një komb i mëvehtshëm, homogjen, i barabartë, por edhe i ndryshëm, i dallueshëm me kombet e tjera.
• Po pse ndodh kështu?
• Pse duhet të ndodhë kështu?
• A kemi të bëjmë thjesht me dilentatizëm, apo me instrumentalizëm qëllimor, të hapur dhe të fshehtë, politik, antishqiptar?
Mendoj se diletantizmi në këtë rast është një eufemizëm dinak.
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të bëj një histori akademike të kombit shqiptar, as të flas për arkeologjinë, ilirologjinë, albanalogjinë, gjuhësinë, etnografinë që në mënyrë tepër serioze dhe shkencore e kanë konceptualizuar këtë komb real të patjetërsueshëm.
Gjeneza dhe krijimi i tij janë vetë historia, një kategori e qenësishme mijëvjeçarësh, një rezultat, një proces mbijetese. Kombi është kështu një entitet i gjallë, pavarësisht strukturave politike shtetërore, sistemeve ekonomike dhe politike në shekuj etj. Kombi është shumë më tepër i vjetër dhe zanafillor se lindja e konceptit të shtetit kombëtar. Revolucioni Francez e përuroi, e afirmoi idenë e shteteve kombëtare, por kombet janë shumë më përpara. Kombi ynë i ka rezistuar gjatë koncepteve rrafshuese unifikuese të lashta dhe të reja.
Si p.sh.
• panhelenizmit,
• panromanizmit,
• pansllavizmit,
• panbizantizmit,
• panotomanizmit etj., që mëtonin në mënyrë abstrakte “qytetarinë universale”.
Këto teori globaliste perandorake kanë qenë shumë aktive dhe të fuqishme. Kujtoni më pas pansovjetizimin rus, ose panjugosllavizimin serb, po në formën e “qytetarive universale” për t’i sfumuar dhe nënvlerësuar identitetet e ndryshme kombëtare.
Rezultati?
Kombet nuk u zhdukën. Po kështu edhe shqiptarët. Latinocentrizmi perandorak nuk i zhbëri dot gjuhët e veçanta etnike, as tërësinë e kombeve moderne të Europës së sotme, madje latinishtja sot është gjuhë e vdekur përfundimisht. Kjo është një e vërtetë substanciale e historisë.
As globalizmi i tanishëm nuk teorizohet dot nga askush si një unifikim totalitar homogjenizues, “ideja se kategoria e kombeve ka vdekur ‘apo’ historitë kombëtare janë tashmë të parëndësishme dhe krejt konvencionale” janë mënyra jo të vetëkuptueshme të njeriut modern, ose pasmodern, të së ardhmes. Apokalipse të tilla nuk funksionojnë lehtësisht, as sipas formulave të Kabalës politike të integrimit mekanicist. Kombi jemi vetë ne, nuk mund të zhbëhet kombi pa u zhbërë vetë ne. Por teorizimet antishqiptare gjallojnë kërcënueshëm, janë të projektuara, të stimuluara konkretisht.
Klasa politike shqiptare duhet të jetë e ndërgjegjshme, për fat të keq është konfuze, ose akoma më keq klienteliste dhe interesat kombëtare i shet lehtësisht për shkak të bonuseve dhe utilitarizmit në dëm të bashkëqytetarëve të vet. Marrëveshja për hapësirën detare me Greqinë (rrëzuar fatmirësisht nga Gjykata Kushtetuese) tregon se sa larg shkon klientelizmi antikombëtar i pushtetarëve. Riaktivizimi, suazizimi simbolik i gjoja kufijve të Vorio Epirit nuk është një aksident paditurie, por edhe një relativizim, pra edhe një zbehje fatale e krejt Shqipërisë së Jugut.
• Si ka mundësi?
Ja që paska! Teoritë e vjetra të Megalloidhesë nuk qenkan aq të vjetra, ndonëse frikërisht arkaike.
• Ku shkohet kështu?
Korça shpallet “greke” publikisht. Dhe kush Korça, një nga vatrat më vitale të qytetërimit shqiptar! Akoma më djallëzisht dhe në mënyrë të koduar veprohet sidomos me Himarën. Veprohet si të ishte “një kavje eksperimentale” e forcave e synimeve shoviniste greke. Himara është letra e lakmuesit ku defektet, mendjelehtësia e pushtetarëve tanë vërtetohen si klientelizëm për të tjerët, por aspak i shqiptarëve. Dhe politika shtetërore shqiptare hesht.
• Pse dreqin hesht?
• Pse duhet të heshtë?
Por populli nuk hesht, as nuk do të heshtë!
Minoriteti grek në Shqipëri manipulohet, për ta hipertrofizuar, duke rrezikuar ekuilibrin historik të vetë tyre si bashkëjetesë, si shtetas shqiptarë. Këto 20 vjet është anticipuar vrazhdësisht falsifikimi i kombësisë si folklorizëm oral pa asnjë bazë ligjore. E vërteta nuk zëvendësohet nga e pavërteta. Nuk subjektivizohet se është objektive. Procesi është i dyfishtë, madje i përmasave të mëdha. Kush ka sy, le të shikojë. Kush ka veshë, le të dëgjojë. Kush ka gojë le të flasë!
E para: qindra mijëra emigrantë etnikë shqiptarë në Greqi detyrohen për bukën e gojës të ndryshojnë sipas folklorizmit oral të vetëdeklarimit të ndonjë emrat e origjinës, por edhe vetë kombësinë. Si vallë? Sipas deklaratave të pavërtetueshme ligjërisht, por që regjistrohen “ligjërisht”. Dhjetëra mijëra fëmijë të emigrantëve shqiptarë, që nuk kanë mësuar me anë të shkollimit gjuhën shqipe janë potencialisht sot “grekë”, pra jo shqiptarë. Ky mashtrim i detyruar, aspak normal dhe i drejtë është “materniteti i një nataliteti të ri” i kombit grek, po jo i kombit shqiptar. Kjo është një formë asimilimi e sofistikuar dhe e pashembullt në krejt Europën demokratike. E ritheksoj: e përmasave të mëdha. Kjo nuk është as humaniste dhe për më tepër nuk është juridike. Dhe pushtetarët tanë (para)politikë bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Asnjë kontestim, asnjë protestë, asnjë mbrojtje të shtetasve të tyre etnikë. Kjo është demokratike? Kjo është njerëzore? Nëse veprohet kështu me gati gjysmë milion emigrantë shqiptarë, ahere si qeverisen dy milionë e gjysmë të tjerët në Shqipëri? Kjo është skandaloze. Papërgjegjësi? Më keq se kaq!
E dyta: folklorizmi oral i vetëdeklarimit të kombësisë importohet edhe brenda në Shqipëri. Dua të sqaroj pa asnjë mëdyshje se minoriteti grek në Shqipëri, nuk duhet ta mohojë dhe nuk ka pse ta mohojë origjinën e vet etnike. Ky është standardi. Pse për shqiptarët etnikë paska një standard tjetër? Ky është paradoksi i shëmbëlltyrës së folklorizmit oral. Politizimi i folklorizmit oral, ornamentizuar me retorika gjoja europianizuese rezulton se ka ndikim negativ, për të rritur artificialisht realitetin e minoritetit grek (askush nuk ka të drejtë ta pakësojë numrin e tyre po as ta shtojë virtualisht).
• A duhet bërë një regjistrim i popullsisë?
Po, duhet bërë. Padyshim.
• Si?
Sipas kritereve ligjore. Pa folklorizmin oral.
Shqipëria është shtet dhe shteti është strukturë ligjore. Rastet e shumta dhe antiligjore të falsifikimit të kombësisë tashmë janë vërtetuar. Janë dhjetëra mijëra shqiptarë etnikë që janë bërë “grekë” për ofertën e një pensioni grek. Më thoni një rast kur këto 20 vjet, një minoritari grek i është mohuar ligjërisht e drejta e kombësisë greke! Shqipëria nuk është një shtet multietnik dhe duan ta bëjnë përdhunshëm të tillë. Nëse do të ishte multietnik s’do ta mohonte kush këtë të vërtetë, po ja që nuk është.
• Ahere pse duhet mohuar pikërisht se nuk është multietnik?
Minoritarët grekë në Shqipëri janë shtetas shqiptarë. Kjo s’duhet harruar asnjëherë. Të respektuar, të pamohueshëm. Janë shumë më të mençur, të ekuilibruar se sa stimuluesit e jashtë kufijve të politikave arkaike. S’janë një enklavë e mbyllur, por edhe pjesë e historisë së Shqipërisë, njëkohësisht urë e miqësisë dhe bashkëpunimit dinjitoz me Greqinë. Kjo qartësi s’duhet turbulluar kurrë në asnjë rrethanë.
(Tiranë, 28. 03. 2011)
………………………………………………………………………….
(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)