Tiranë, 17 dhjetor 2018: Protesta studentore gati dyjavore ka tronditur tërë Shqipërinë. E kam fjalën për Shqipërinë politike dhe mendore. Kjo protestë, në të vërtetë e para e llojit të vet është më masivja dhe më demokratikja që ka bërë rinia shqiptare ndonjëherë. Asgjë nuk është e krahasueshëm me të, madje asnjë shëmbëlltyrë paralele nuk e dublon dot.
Gjatë këtyre 28 viteve jemi mësuar të shikojmë të ashtuquajturat manifestime masive dhe hiberboleike të partive të mëdha si PD dhe PS, por dhe LSI, me turma të rinjsh, të orkestruar, sipas një regjisure vulgare, po tashmë dhe të rëndomtë të propagandës; manifestime të cilat kanë qenë vërtetë spektakle, kinse demonstrime forcash, por të limituara në kohë, kanë filluar dhe kanë mbaruar, duke lënë një boshllëk dhe askush nuk i ka kushtuar një vëmendje të tillë universale siç po ndodh tani me protestat e rinisë studentore.
Ky nuk është një ndryshim i vogël. Ky është një ndryshim substancial.
Aq më tepër të mendosh se mungon “grupi i regjisorëve të spektaklit”, duke thyer mitin, apo tabunë idiote se vetëm partitë e mëdha, pra vetëm subjektet e estabilishmentit politik që alternon si Qeverisjen ashtu dhe Opozitën paskan fuqinë alkimike për të mbledhur, për të grishur, për të organizuar në rresht turmat e konsiderueshme, madje turmat që luajnë ”rolin narrativ, të shfaqjes dhe të dukjes në ekranet e TV-ve”.
Ja pra që qenka e mundur që në mënyrë spontane, krejt të lirë pa forma të sofistifikuara apo specifikuara të organizimit të dalin në rrugë dhe të protestojnë qindra mijëra të rinj vetëm të rrafshit universitar por edhe të shkollave të mesme, duke patur si qëllim ndryshimin e një situate të ngurtë, të një status quo-je negative për rininë, për të shfaqur përpara të gjithëve idenë përndritëse dhe inteligjente të Shpresës.
Pse nuk ndodhi më parë kjo lëvizje rinore? A është ndoshta e vonuar? Pse protesta, pavarësisht kufijve kronologjik është krejtësisht në kohë për nga rëndësia e jashtëzakonshme sociale dhe semantike? Pse rinia e sotme sfidon në të gjitha kuptimet Qeverinë, Opozitën, madje edhe tërë kostelacionin metastazor të mediave, madje edhe tërë shoqëinë shqiptare, duke sfiduar madje dhe të ashtuquajturat “grupe prej amebash” të Shoqërisë Civile, të ashtuquajturit protagonistë që zhvatin fonde për tu dukur në shoqëri si pionierë dhe luftëtare të të drejtave njerëzore?
Protesta e rinisë shqiptare për nga përmasat ka tejkaluar çdo gjë. Kjo protestë do të trondisë edhe kur fizikisht të mos ekzistojë më, sepse nuk do të jetë sipas një metafore “një uragan i ndërprerë”, sepse shpirtërisht do të jetë një protestë e vijuar, një protestë përherë e ripërtërirë, madje një forcë e brendshme dhe lëvizëse.
Shikoni si e ka zgjuar vetëdijen kombëtare protesta e rinisë. Shikoni se si të ashtuquajturit analistë, madje dhe akademikë dhe profesorë nëpër media, pavarësisht entuziazmit sipërfaqësor, të respektimit të të ashtuquajturit trend, befas dalin me pozën e këshilltarëve, japin këshilla të shumëfishta, pa kuptuar asgjë në thelb nga kjo protestë masive.
1 – Refuzimi i komunikimit është komunikimi më i fuqishëm
E reja e kësaj proteste, ndër të tjera është paraqitja e 8 kërkesave, por edhe refuzimi i negocimit. Pra kemi atë që ka ndodhur dhe në protestën kolosale të rinisë në Francë në njëkohësi, të ashtuquajturin, apo konvencionalin “përfaqësim horizontal”. Për mendimin tim kemi të bëjmë me një dukuri të re, tejet sfiduese.
Dihet që shpesh në protesta të tilla i ashtuquajturi “përfaqësimi vertikal”, ka qenë i destinuar të manipulohet dhe në të vërtetë është manipuluar. Por mosnegocimi nuk është një refuzim i dialogut; në të vërtetë është shprehja më inteligjente e dialogut që bën rinia shqiptare me krejt realitetin, me krejt elementët institucionalë dhe vetë popullin e saj.
Shumë e lehtë të mendosh se kjo rini në këtë mënyrë “nuk njihka rregullat normale, madje edukuese, të sjelljes së mirëkuptuar, për të bërë një dialog”. Madje, gjithashtu, dinakërisht “refuzimi i dialogut”, bëhet fjalë për dialogun me qeverinë por dhe me opozitën mund të krijojë lehtësisht gjoja idenë e një rinie gati infantile, të paqytetëruar, që nuk i di dhe nuk i njeh rregullat e komunikimit. Pra një rini “pa kode të komunikimit”.
Kjo është një akuze e rreme, e neveritshme. Nuk ka komunikim më të madh. Nuk ka formë më të qartë të protestës për të treguar se një komunikim i tillë nuk është gjë tjetër veçse një forme shumë e fuqishme e kundërvënies ndaj “ç’komunikimit, të betonizuar të pushtetarëve mediokër”.
Si kanë vepruar të gjitha qeveritë qoftë të PD-së qoftë dhe të PS-së? A nuk kanë krijuar një refuzim real dhe human të komunikimit pra dhe të dialogut me popullin e tyre dhe kryerisht me shtresat e varfra pra dhe me rininë shqiptare?
A nuk ua kanë imponuar pa i pyetur fare studentët (duke alambikuar “debate të rreme”) ligjin tashmë të dështuar të Arsimit të Lartë?
A nuk i kanë manipuluar studentët me korrupsionin e frikshëm dhe në të vërtetë me shkatërrimin dhe degradimin e paimagjinueshëm të Universiteteve Publike?
Ku është kuptimshmëria e dialogut të pushtetarëve në këtë pikë?
Pse këta pushtetarë që e krijuan këtë katrahurë pa kërkuar asnjë falje dhe pa bërë asnjë reflektim serioz, pa dhënë dorëheqje me një këmbëngulje psikopatike paskan ende të drejtën natyrore, gati të lindur, apo të drejtën mesenike për të bërë tashmë një dialog?!
2 – Shuplaka, Grushti, Shpresa
Më interesantja nga të gjithë analizat apo përsiatjet e brahmanëve të opinionit publik ka qenë deklarata e beftë e kryeministrit Rama.
Ai tha urbi et orbi se protesta e studentëve “ËSHTË SHUPLAKË PËR QEVERINË, GRUSHT PËR OPOZITËN DHE SHPRESË PËR SHOQËRINË”.
Shumë e çuditshme por dhe plotësisht e vërtetë, në thelb dhe në gen kjo deklaratë e cila pavarësisht subjektit që e ka artikuluar gati jeton jetë të saj të mëveçme të kuptimshmërisë dhe logjikës së kohës.
E mua më kujtohen deklaratat lakonike të figurave të antikitetit. Më kujtohet çka thënë dikur Jul Cezari: “VENE, VIDI, VINCI” “ERDHA, PASHË, FITOVA”. Po le ti bëjmë një analizë logjike deklaratë kryeministrore.
Shuplaka për Qeverinë, do të thotë që protesta e rinisë jo vetëm që është absolutisht e drejtë por dhe e guximshme.
Rinia e ka qëlluar me një shuplakë fytyrën prej klouni të Qeverisë së Rilindjes. Shuplaka nuk është e një dore të vetme, nuk ka një kuptim singular, por është shuplaka e qindra mijëra të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.
Dikur Rama e përdorte metaforën “e një milion shuplakave”. Në rastin konkret shuplaka ndaj Qeverisë skualifikon efurorinë e triumfalizmit të Reformës Arsimore dhe ligjit fatal të Arsimit të Lartë që ka si mision shkatërrimin, rrënimin pezhorativ të Universiteteve Publike dhe krijimin e lehtësirave madje dhe financimin me paratë publike të Universiteteve Private. Kjo është diçka e pashembullt që nuk ka ndodhur në asnjë shtet të Europës ose të Botës. Vendosja e raportit të përkrahur nga qeveria e përparësisë së Universiteteve Private vetvetiu solli këtë gjendje rrënuese dhe fatale të Universiteteve Publike.
Pra shuplakë ndaj Qeverisë dhe shuplakë ndaj Reformës Arsimore dhe ligjit të Arsimit të Lartë.
Grusht për Opozitën do të thotë se realisht kjo gjë ka ndodhur për herë të parë në shoqërinë shqiptare, sepse përgjithësisht protestat gjithmonë në rrafshin politik kur janë ndaj qeverisë kanë dhë përkrahjen e Opozitës.
Kështu ka vepruar PD. Po kështu ka vepruar dhe PS, apo dhe LSI. Madje të tre këto parti kanë organizuar në formën e detashmenteve organizatat e tyre rinore. Madje duke kultivuar edhe elementë separatizmi midis tyre. Por lëvizja aktuale studentore e ka refuzuar me të drejtë Opozitën. Ky është një mesazh i ri, është në fakt një risi politike në shoqërinë shqiptare të dejonizuar nga politika.
Të mos harrojmë se lëvizja rinore shqiptare në vetë ato që pranon kryeministri Rama e ka goditur rëndë konceptualisht të ashtuquajturin estabilishment të vjetër politik, Kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri. Ndonëse kjo ka ndodhur më përpara në lëvizjet e protestave të Itali, Francë madje dhe në Greqi.
Ky refuzim i estabilishmentit politik është ndoshta ideja më e guximshme për të hapur horizontin dhe për të krijuar mundësinë e një sistemi të ndryshëm politik, për ta zëvendësuar elitën e sotme të dështuar politike me një elitë të re politike. Kishte të drejtë shumë Pëllumb Xhufi kur shprehu dje këtu në DITA mendimin se studentët protestuan ndaj “gjirizit të sistemit antisistem”. Estabilishmenti politik që ka 28 vjet në pushtet dhe opozitë, zotëruar nga stili i neoliberalizmit “alla shqiptarçe” bëri madje reforma të tilla të prishjes së identiteve të partive, duke e kthyer “PS, në një alter ego të PD dhe ndërsjelltas”.
Shpresë për shoqërinë – ky është thelbi i thelbeve, është kauza e vërtetë, kauza që dukej se kishte humbur, kauza për të besuar te një e ardhme më humane, më e drejtë, më e mirë, tek një e ardhme më e denjë, për ta ndryshuar realitetin e zhytur në llum të korrupsionit, të vjedhjeve surrealiste, të mashtrimit, të arrogancës dhe të Propogandokracisë.
Këtë sinjal dhe mesazh rinia shqiptare e artikuloi dhe e dha botërisht. Prandaj është e pamundur që me elementët e status-quo të bëhet logjikisht një epilog.
Lëvizja e rinisë natyrisht është dhe e kërcënuar nga manipulimi, apo edhe nga mungesa e vetëdijes cilësore të tërë shqiptarëve dhe të të gjitha moshave. Shihni se si janë përpjekur ta përçajnë rininë studentore. E pabesueshme por rinia shqiptare që proteston qenka gjoja vetëm e Universiteteve Publike, kurse studentët e Universiteteve Private qenkan të lumtur, aspak protestues, domethënë të kënaqur, pra gati sikur krijohet përfytyrimi i dy lloje rinish brenda vetë bashkësisë rinore të Shqipërisë.
Është e kuptueshme që rinia shqiptare e ka në thelb të vërtetën historike të sensit strategjik të protestës së tyre por shumë nga këta të rinj nuk e kanë ende përvojën e duhur madje nuk disponojnë as të ashtuquajturat taktika politike etj.. Por dua të citoj këtu filozofin e madh Teodor Adorno , i cili është shprehur se: “Nevoja për të menduar është ajo çka na bën të mendojmë”.
Nga ana tjetër nuk duhet në mënyrë të “arsyes së mosarsyeve”, të dalin gjoja këneta, duke tërhequr vetveten nga flokët si Baroni Mynhauzen. Nëse kjo protestë rinore manipulohet deri në atë pikë sa të mos fitohet asgjë në ritmin e ndryshimit dhe të transformimit të realitetit në diçka pozitive atëherë do të ndodhë një dukuri paradoksale e pashembullt.
3 – Nëse rinia e shpresës do të pengohet…
Është e vërtetë, siç po e përsërisim pothuaj që të gjithë ne në mënyrë retorike se rinia është shpresa. Por nëse rinia shqiptare e cila në një moment të caktuar e besoi seriozisht se ende ka shpresë, nëse pas kësaj do të konstatojë se me pushtetarët dhe politikanët e sotëm mediokër pengesa për të patur shpresë është shumë e madhe atëherë të gjitha përpjekjet do të duken sizifiane, apo “një lëvizje në boshllëk”, dhe do të kalohet pastaj në një “zhgënjim të përgjithshëm dhe të tmerrshëm”.
Nuk dua të jem një skeptik dhe asnjë llogaritës pa emocione, as një analizues pa shpirt i dukurive por dhe i pasioneve njerëzore. Por mendoj se nëse rinia e shpresës do të pengohet për të realizuar këtë shpresë atëherë do të kemi rininë e pashpresës, pra ndoshta një gjeneratë të re që do te këtë panikun e ikjes nga një atdhe ku nuk e gjen dot shpresën.
Është kaq serioze dhe kaq ekzistenciale, kaq historike dhe kaq reale kjo dukuri, qoftë dhe psikologjike dhe shpirtërore saqë ata që sot kinse mishërojnë pushtetin, apo edhe opozitën si dhe të tërë të ashtuquajturat institucione në Shqipëri, do të jenë në të vërtetë ata që do ta vrasin shpresën dhe përgjegjës historikë të largimit të kësaj rinie nga Shqipëria.
Dua të shtoj se në këtë situatë të turbullt ekonomike dhe politike protesta e rinisë mund të shërbente ekskluzivisht si një qartësim, pra si një formë e re e vetëdijes.
Problemi është se në këtë epokë të ashtuquajtur postmoderne përjetojmë atë që ka vërejtur sociologu i madh Zymunt Bauman në librin e tij “Moderniteti i Lëngët”. Dihet se fluiditeti është cilësi e lëngjeve dhe gazeve. Por në shoqërinë e sotme po ndodh dhe fluiditeti ose dhe lëngëzimi i koncepteve, çka dëshmon një lloj “fundi të historisë tradicionale”.
Kështu konceptet për të mirën dhe për të keqen, për të drejtën dhe për gënjeshtrën, për të bukurën dhe për të shëmtuarën në shekuj kanë patur një lloj qëndrueshmërie por dhe dallimi mendor. Tashmë në Epokën Post-faktuale gjoja ekzistojnë vetëm opinionet dhe kështu konceptet e mësipërme humbasin edhe përkatësitë e tyre identitare. Kështu thotë Bauman “kalohet në një distopi të modernitetit të lëngët” dhe krijohen pakuptimshmëri të mëdha të segmenteve të vetë shopërisë.
Është pikërisht Baumani i cili sjell në vëmendjen e të gjithëve projektin e Yeremy Benthamit, për Penaptikonin, si një kryemetaforë të pushtetit modern që është një lloj gjeometrizimi të ruajtjes së status quo-së së realitetit. Panoptikoni është emri i një burgu special që i ka të vendosur të burgosurit në qelitë ku janë përherë të lidhur dhe ju refuzohet çdo lloj lëvizje. Për këtë ka shkruajtur edhe Michel Faucault (Fuko).
Dhe Baumani shton këtë analizë: “Zotërimi i kohës nga ana e pushtetit të liderëve është blokimi i vartësve të tyre në hapësirë, ndërmjet mohimit të së drejtës për të lëvizur dhe standardizimit të ritmit të kohës, të cilët këta vartës duhet t’i binden dhe kjo është strategjia parësore e ushtrimit të pushtetit”.
Po Baumani tregon raportin e ri të komunikimit në këtë shoqëri: “Dihet se “Ne” është përemri vetor i përdorur më shpesh nga liderët. Sa për këshilltarët e tyre ky përemër nuk ju hyn aq në punë, se përemri “Ne” nuk është asgjë më shumë se sa agregati i “Unit””. Por është e habitshme që kryeministri i vendit e luan rolin e tij në formën e përemrit “Ne”. Kjo të kujton metaforën e figurës së Big Brother.
Prandaj Baumani shton dhe këto rreshta në analizën e tij: “Nuk ka më “Vëlla të Madh të të ruajë”, është tashmë detyra jote të vrojtosh rradhët e Vëllezërve të Mëdhenj si të Motrave të Mëdha, që shtohen dhe t’i shohësh me vëmendje dhe përkushtim, me shpresën se do të zbulosh gjësend që mund të të hyjë në punë: një shembull për tu imituar apo ndonjë këshillë se si tja dalësh mbanë problemeve të tua, të cilat, njësoj me ato të tyre duhet t’u gjesh zgjidhje individuale dhe vetëm individualisht. Nuk ka më liderë të mëdhenj të tregojnë se çfarë duhet të bësh dhe të të lirojnë prej përgjegjësisë ndaj rrjedhojave të asaj që ke bërë në botën e individëve ka shuam individë të tjerë, prej të cilëve mund të marrësh shembull se si të përpiqesh, se si ta sjellësh mbarë punën e jetës tënde, duke u ngarkuar me përgjegjësi të plotë për pasojat e përkushtimit tënd ndaj një shembulli dhe jo ndaj një tjetri”.
Po kështu ringjallen mankthet e stilit Oreullian dhe Hakslein.
Nuk jam ndonjë profet që të parashikoj se çdo të ndodhë me protestën e rinisë shqiptare. Kjo protestë tashmë është një fakt historik dhe nuk mund të zhbëhet dot më.
Nuk mund të hiqemi sikur nuk ka ndodhur.
Nuk mund të mendojmë se nuk ka ekzistuar kurrë.
Përkundrazi ajo ndodhi për të na stimuluar mendimin, për të na prehur vetëdijen. Protesta e rinisë është pjesë e secilit nga ne.
Në mënyrë absolute ajo tashmë është pjesë edhe e atyre që e shtyjnë rininë shqiptare të protestojë, pra dhe e kundërshtarëve, edhe e mohuesve, edhe e manipuluesve, edhe e atyre shkatërrimtarëve të Shpresë së Shqipërisë.
Tërë situatat mbarsen nga përvojat, lindin dhe shpërthejnë nga përvojat.
Nëse nuk do të përmirësohet asgjë atëherë vetvetiu protesta do të gjenerojë përsëri. Kështu përvojat do të pasurohen më shumë, kjo të bëjë që protestat të thellohen dhe të konceptualizohen shumë më tepër seriozisht, konkretisht dhe filozofikisht për të Ardhmen e të gjithëve.
Po nuk mund të ketë të Ardhme të të gjithëve pa të Ardhmen e rinisë.
Ky është një ekuacion i pashmangshëm dot i vetë Historisë.