Pashtriku.org, 7 nëntor 2018: Tërë bota paraqitet e fragmentuar,- pjesë e një lëvizjeje, përplasen, rrotullohen, largohen, afrohen dhe megjithatë fragmentet janë sërish të dallueshme, ndonëse janë përherë të ndryshueshme.
Nëse brenda vetë ligjeve të materies ekziston simetria,- ajo gjithsesi, mund të kuptohet edhe në formën e asimetrisë.
Sepse janë të pa shkëputura dhe elementë të së njëjtës sintezë.
Koncepti filozofik i Logosit, i Heraklitit të Efesit, është edhe ftillëzim i Artit në procesin enigmatik të të shkruarit.
Logosi është i identifikueshëm me Fjalën, por e tejkalon në mënyrë sublime dhe të ndriçuar Fjalën.
Të tërë subjektet lindin njeri tjetrin dhe janë shumëfishime të strukturave mendore të vetë Jetës dhe Vdekjes.
Ky parashtrim, apo shpalosje nuk është thjeshtë një instrument linguistik, por substanca dinamike e përjetshme e Kujtesës.
Sepse atë që ne e quajmë Histori nuk është gjë tjetër veçse balsamim i ngjarjeve, një rikthim fantazmagorik i së Kaluarës , për të ushqyer me lëngje jetike të Tashmen, por edhe të Ardhmen .
Sepse Historia në mënyrë të pamundur, nuk mund të jetë thjeshtë e Kaluar për shkak të eksluzivitetit kohor të të jetuarit të qenieve të gjalla më përditshmërinë e mbushur me semantikën përsëritëse të ngjarjeve, që kanë ndodhur dhe që nuk mund të humbasin me një Hiç të Infinitit.
Kjo është arsyeja që i kam shkruar disa rrëfenja, fillimisht si fragmente, por që në vetëdijen time nuk kanë qenë gjë tjetër veçse një univers plotësues, ose tekste sinoptike, krejt të ngjashme, por që nuk përsërisin njëkohësisht detajet.
Alejo Carpentier (1904 – 1980)
Pra, tejkalohet nocioni i subjektit të vetmuar, të këputur nga ligjësitë.
Nëse është e nevojshme për të bërë një shpjegim, do të preferoja më tepër një argumentim.
Të tre rrëfenjat e paraqitura në këtë libër, sado tema të mëvetëshme, apo subjekte të vërtitura në hovin në pështjellimin fantazmagorik i përkasin si kohë shekullit të XV.
Ky është shekulli i Skënderbeiadës.
Personazhet, gati të klonuar të rrëfenjave, përfaqësojnë furinë e papërmbajtur e një pushtimi ndaj tokave të Arbërisë,- një vend krejt i panjohur për pushtuesit aziatikë.
Kemi çastin e mbërritjes tek porta, tek brigjet e Arbërisë të ushtrive sulltanore.
Personazhet e rrëfenjave të mija në këtë lak kohor janë qenie njerëzore, të cilët zbulojnë një Botë të Re.
Saga e Zbulimit, ose e të gjitha Zbulimeve është arketipale.
Odiseu Homerik shtegton, lëviz mes rrezikut të deteve të dallgëzuar, pikërisht për të zbuluar, për të shikuar, atë nuk e kishte pare kurrë.
Ai zbret në botën e Hadit.
Kurse Liza zbuloi një të Panjohur, më tepër fabulore, Botën e Çudirave. Kurse ideja e pushtimit nuk ngjan fare me zbulimet e tilla të strukturuara në letërsi, sepse është përvoja e shkatërrimit drejt Vdekjes.
Duke lexuar , vite me pare, një roman të shkurtër, të shkrimtarit te jashtezakonshem , te shprehjes spanjolle, kubanezit Alejo Carpentier “Koncert Barok” m’u përtërinë ndjesitë, në kuptimin e lidhjes së fragmenteve, që nuk janë gjë tjetër veçse sinopsi i një romani,- ose thënë në mënyrë më retorike Tri nuk janë gjë tjetër veçse Një.
Romani i Carpentierit shtjellohet në mjedisin e qytetit të Venedikut në shekullin e XVIII.
Në Venedik po zhvillohet Karnavali dhe të gjithë mbajnë maska.
Një personazh, një njeri i pasur, meksikan ka ardhur në këtë Karnaval maskuar si Perandori i inkasve Montezuma.
Atë e shoqëron shërbëtori i tij i ri negër.
Takojmë muzikantin Antonio Vivaldin, të njohur si “Kokëkuqi” për shkak të ngjyrës së flokëve të tij.
Në këtë shoqëri bashkohet edhe një tjetër muzikant Skarlati,- të gjithë bashkë shkojnë për të parë “Ospedale della Pieta”, – manastirin e grave.
Tek ky manastir Vivaldi u vinte maska murgeshave dhe i kishte mësuar të ishin instrumentiste të veglave muzikore, – për të interpretuar muzikën e tij.
Mjedisi i Venedikut është i gjithi një botë e shpërfytyruar, me maska tjetërsuese dhe të rreme.
Por muzika është vërtet e jashtëzakonshme, madje magjike që bënte të krijohej sinteza e kohërave dhe tek një çast i vetëm dhe pikërisht në këtë mjedis bëhet një dialog i habitshëm, ku përmendet Gjergj Kastriot Skënderbeu. Duket për një çast se heroi i Arbërisë përmendet rastësisht, por Kujtesa e shpikur për të mos qenë asnjëherë e rastësishme.
Emri i Skënderbeut përmendet ritualisht në bisedë dhe krijon atë përshtypje, që bën një pishtar i madh dhe i pashuar, i ardhur nga e Panjohura për të ndriçuar kubenë e një katedraleje, për të zbuluar kështu figurat e skenave të jashtëzakonshme, të afreskeve të shumëngjyrshme.
Personazhi i maskuar si Perandori i inkasve Montezuma e kuptonte, se nuk mund ta posedonte identitetin e huazuar.
Kurse emri i Skënderbeut, nuk kishte nevojë për asnjë maskë, madje as për ndonjë trupëzim.
Carpentieri operon me romanin e tij të shkurtër me domethëniet e fragmenteve, duke i bërë emrat e figurave të historisë të vezullojnë dhe të shndritin në mjegull.
Rituali marramëndës i Karanavalit lëviz mbi kalldrëmet, në sheshin e Shën Markut, mbi urat dhe përzihen ngjarjet dhe ndërsa flitet me nderim, për Skënderbeun, personazhet e shekullit të XVIII besojnë për një takim krejt normal dhe të kuptueshëm të Vivaldit me muzikantin Igor Stravinski të shekullit të XX, duke kapërcyer lehtësisht dhe mrekullisht paradoksin e dy shekujve, që ende nuk kishin ardhur në botë.
Temat dhe notat muzikore janë në ajër dhe në frymën e njerëzve.
Të gjithë përjetojnë ndijime dhe histori të ndryshme, por pa transcendencë.
Njëkohësisht kujtohen dhe thëniet e kronikanëve osmanë, të apoteozës së botëpushtimit , që vërtiten mbi kokat e turmave të Karnavalit si “dije e errët”
Shkrimtari i shkëlqyer Alejo Carpentier ka stimuluar emrin e Skënderbeut, që unë ta lexoja shtjellimin e tij me stil barok dhe mbas leximit të kuptoja dhe të lidhja fijet e këputura të tri rrëfenjave, që ndërthuren me epokën e Skënderbeut,rrëfenja që përmendin vetëm kundërshtarët e tij.
Pra prania e Skënderbeut është në mungesë.
Por Skënderbeu ngrihet mbi çdo mungesë.
Të tri rrëfenjat e përbënin sinopsin e një romani, sepse nënkuptimi dhe nëntekstet përbejnë shpirtin e vërtetë të artit letrar.
Mendova disa herë i dyjëzuar,- nëse duhej t’i bashkoja tri rrëfenjat ,që unë i kisha shkruar në kohëra të ndryshme, por për të njëjtin shekull,- atë të Skënderbeut,- apo t’i lija veç e veç, pa i renditur njëra pas tjetrës në të njëjtin libër.
Por në fund e kuptova që përtej forcave të mija dhe fuqive mendore për t’i veçuar fragmentet, për arsye të një uniteti të tyre të brendshëm.
Dhe m’u kujtua parabola e një asketi të ditur dhe të vetmuar të Bizantit, në kohërat e hershme, ku diskutohej në Koncilet teologjike në Konstandinopojë, ideja zotëruese, metaforike (metafizike) dhe eterne e Trinitetit.
Ky asket me flokët dhe mjekrën e thinjur deri në fund të këmbëve u paraqit, i ardhur nga shkretëtira me zhgunin e tij plot kokrriza rëre, duke mbajtur në dorën e tij të djathtë dhe të rreshkur një copë tjegull të thyer,-kështu, (si i dalë nga një Karnaval i Venedikut, pa maskë,po vetëm me tjegullën e rëndomtë dhe mitike ) u shfaq krejt i përrunjur , në një nga këto debate egërsisht blasfemike në Konstandinopojë dhe e vërtetoi , para syve të dinjitarëve perandorakë dhe peshkopëve, që kundërshtonin njeri tjetrin, se copa e thyer e tjegullës së tij, nuk ishte gjë tjetër, veçse sinteza e Baltës, Ujit dhe Zjarrit,- pa të cilat nuk mund të krijohej asnjë qeramikë.
Tjegulla qe Triniteti.
Kështu është në të vërtetë edhe sinopsi i një subjekti më konkret, që është një ngjizje e tri subjekteve të tjera, i Tri Rrëfenjave në Një.
A nuk kishte vepruar kështu edhe shkrimtari,- tashmë i vdekur,- Alejo Calpentier?
A nuk është kështu çdo përditshmëri e jona?
A nuk kemi në dorë si tjegullën e thyer të asketit, me emrin e harruar mes dunave dhe klepsidrave të thyer, të ditës së sotme, ku janë të ngjizura në mënyrë të trefishtë e Kaluara, e Tashmja, por dhe e Ardhmja .- QUOD SCRIPSI, SCRIPSI – (AJO QË U SHKRUA,U SHKRUA)