Pashtriku.org, 26. 11. 2014 – Zbigniew Brzezinski është padyshim analisti dhe mendimtari politik më i shquar i Amerikës për politikën e jashtme. Libri i tij i jashtëzakonshëm “Sekond Chance” (Shansi i dytë) duke mos qenë fiction, është shkencë e analizës universale dhe të shumëfishtë në rrafshin politik jo vetëm të Amerikës, por edhe të gjithë Perëndimit euroatlantist, pa përjashtuar kontekstin planetar. Për gjeopolitikën ky libër paraqitet si “harta e udhëtimit”, ose “guidë mendore”, ku analitika kuptohet si pararojë për zhvillimet e ardhme të ndërlikuara dhe shpesh të paqëndrueshme, të lëvizshme, kapriçioze, pra dhe të paparashikueshme përfundimisht.
Substanca e librit është cikli kohor nga viti 1990 deri në ditët e sotme.
Rënia e Murit të Berlinit ishte emblema e prishjes së botës bipolare, por në këtë ekuacion të rrënqethshëm historik, pësoi disfatë të pariparueshme bota kundërshtuese totalitare e perandorisë komuniste, duke krijuar kushtet që Amerika të luajë rolin e lidershipit botëror, gati si një ekskluzivitet i historisë moderne.
Tre presidentët:
– Bushi i Vjetër,
– Klintoni dhe
– Bushi i Ri
nuk qenë thjesht kokat e shtetit amerikan, por liderët e botës. Periudha 1990 deri në 2008’n (kur u botua libri) përfaqëson Shansin e Parë, ajo që vjen më pas është mundësia reale, konceptuale, krejtësisht e mundshme e Shansit të Dytë, sepse në fakt nuk mund të ketë Shans të Tretë. Libri është si një letër lakmuesi për aftësinë amerikane për të kryer misionin e liderit botëror.
– Zbigniew Brzezinski –
Po si e zhvillon Brzezinski veprimin e tij superior të analizës?
Së pari, ai qëndron në pozitën e lartësisë së mendimtarit politik, i zhveshur krejtësisht nga çdo modalitet i servilizmit apologjist, që nuk i hyn në punë askujt.
Së dyti, kriticizmi i tij, shpesh i pamëshirshëm, është objektiv për ta afirmuar rolin e Amerikës që të mos e humbë Shansin e Dytë.
Së treti, autori i librit e shikon fatin e botës në mënyrë komplementare dhe partneriteti të ndërsjellë me Amerikën.
Kjo e fundit është edhe pika më inkandeshente dhe kryesore e optikës së librit.
Autori i portretizon si më poshtë tre presidentët: “secili nga tre presidentët, pas fitores nga ana e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë, është bërë lojtari më i rëndësishëm në më të rëndësishmen e lojërave dhe secili ka luajtur sipas mënyrës së vet. Në këtë pikë mjafton të thuash se:
– lideri global nr. 1 ishte ai me eksperiencën më të madhe dhe me dhuntitë më të mëdha diplomatike, por nuk ishte i udhëhequr nga një vizion i guximshëm në një moment historik pak konvencional,
– lideri nr. 2 ishte më i mprehtë dhe i hapur për të ardhmen, por çalonte në aftësitë strategjike për të administruar pushtetin,
– lideri nr. 3 zotëronte një instinkt të fortë, por asnjë njohje të kompleksitetit të botës globale dhe një temperament shumë të prirë për formulime dogmatike.
“I pari nga këta liderë globalë ka ndjekur një politikë tradicionale në një ambient jotradicional, i dyti përqafoi një vizion mitologjik të globalizmit të lidhur me fatin e njerëzimit, i treti ka ndjekur një impenjim ushtarak për të mbizotëruar në një botë të konceptuar në mënyrë dogmatike dhe të ndarë midis së mirës dhe së keqes. Ky kriticizëm nuk është thjesht një abstraksion filozofik, atë që nuk mundën ta bëjnë tre liderët globalë në një këndshikim të epërm, realist, shkencor është një perspektivë e historisë me parametra krejtësisht të realizueshme.
Autori pyet: për çfarë objektivi më të gjerë, qytetarët e Perëndimit demokratik duhet të angazhoheshin pas shembjes së komunizmit? Për shumë veta të shtresave të larta dhe të mesme, përgjigjja përmblidhej me dy fjalë: relativizmi hedonist. Asnjë bindje e thellë, asnjë impenjim transedental, vetëm niveli i jetesës i përcaktuar në shkallë të gjerë nga treguesi Dow Jones dhe çmimi i naftës. Nëse gjërat janë kështu, dikotomia ndërmjet relativizmit hedonist të Perëndimit dhe absolutizimit të vobektë të popullsive të rëna papritur në mizerje, në zonat e ish-Bashkimit Sovjetik dhe botës në rrugën e zhvillimit, që po shkonte duke u rizgjuar nga pikëpamja politike, vetëm do ta zgjeronte hendekun global. Përgjigjja do të duhej të vinte nga një përkufizim më i thellë moral i rolit botëror të Amerikës, pa këtë lidershipit global amerikan do t’i mungonte legjitimiteti.
Brzezinski nuk ngurron të thotë se “për shkak të drejtimit të njëanshëm të Bushit (të riut) në politikën e jashtme pas 11 shtatorit, simboli ndjellës i Amerikës në sytë e botës, pushoi së qenë Statuja e Lirisë dhe u bë burgu i Guantanamos. Amerika e justifikoi luftën në Irak me deklarime demagogjike me bazë të dyshimtë dhe kërkoi të arrinte me çmimin e zhgënjimeve të kushtueshme, duke intensifikuar konfliktet e shumta në rajon, megjithëse vazhdonte të mbështeste se një Lindje e mesme e re, më e demokratizuar do të dilte në dritë”.
Ky mendimtar politik nuk i kursen kritikat për hir të ringjalljes së rolit të lidershipit global si një legjitimitet moral. Ai citon librin e një politikologu dhe historiani francez Raymond Aron dhe konkretisht “forca e një fuqie të madhe pakësohet kur ajo pushon së shërbyeri ndaj një ideali të madh”. Ky është koncepti kyç, nënvizon Brzezinski. Çdo President i ardhshëm i Amerikës nuk duhet ta harrojë këtë formulë konceptuale. Bota po përjeton një zgjim politik global të popujve, antiamerikanizmi është i fuqishëm, i verbër dhe real. Si duhet të dilet nga kjo situatë? Çfarë duhet bërë? Duhet të ridimensionohet roli global i Amerikës, duke koncentruar një partneritet dhe një ndërgjegje globale gjithëpërfshirëse, pra duhen ndryshuar shumë rutina, koncepte të ngurta ose paternaliste të diplomacisë së imponuar, autoritariste ex catedra. Ky konkluzion është jo thjesht një metaforë e ringjalljes së politikës, por e vetë konceptualitetit të politikës.
Ku e gjen fuqinë një mendimtar si Brzezinski të shprehet kaq hapur?
Te liria e mendimit?
Te përgjithësimi shkencor i thukët?
Te kuraja civile e lartë?
Ai është një personalitet i madh i politikës, pavarësisht mungesës së mandatit politik. Në Shqipërinë provinciale politike ne ende nuk kemi mendimtarë politikë të kalibrit, për shumë arsye. Analistët dhe opinionbërësit te ne këto 20 vjet jo vetëm që nuk u bënë më interesantë dhe më të ditur, por përkundrazi po përjetojnë zvetënimin e emrave të tyre në publik, disa prej tyre nuk i kanë shpëtuar klientelizimit shpesh të paturpshëm dhe të hapur, të tjerë tjerrin fraza kumbuese, të skajshme, të llojit të pamfleteve të meteortë, ndaj dy emrave të kryetarëve të partive të mëdha, pa analizuar asnjëherë fenomenet, pa kuptuar asnjëherë dimensionin shkencor dhe atë moral të mirëfilltë të politikës publike dhe vizionare.
Për fat të keq, aktorët gladiatorë të politikës konfliktuale në Shqipëri harrojnë se shëmbëlltyra e një mendimtari si Brzezinski mund të grishë dhe të edukojë kriticistë seriozë dhe krejt të paanshëm të politikës mjerane dhe kic-spektakleve mediatike si keqkuptim i marrëzishëm i gjoja politikës. Politika shqiptare këto 20 vjet ka qenë më e keqja e mundshme, për shkak të mungesës së vizionit dhe të degradimit të rolit real të politikanit si status dhe qenie publike. Ato gjëra pozitive që janë arritur nuk u janë shmangur vonesave të çuditshme dhe mburrjeve po kaq të çuditshme. Nuk është kuptuar asnjëherë se midis pozitës dhe opozitës ekziston detyrimisht një partneritet jetik, se administratat qeverisëse janë shërbime të specializuara dhe krejtësisht të moralshme publike, jo për veten, por për të tjerët, jo për një parti, por për të gjitha partitë, se përndryshe roli i Shqipërisë mund të katandiset në një klientelizëm të vazhdueshëm dhe pa asnjë dinjitet kombëtar dhe të secilit nga ne, se vetëm Shqipëria morale do ta ringjallë Shqipërinë politike.
Një ide të tillë kishte për ta mbështetur seriozisht edhe vetë Brzezinski për ne shqiptarët, padyshim.
Tiranë, 03. 02. 2011
Brzezinski visited in 1981 as a national security adviser to Jimmy Carter his pupil Osama bin Laden in a Pakistani army training camp. (Brzeziński besucht 1981 als Sicherheitsberater von Jimmy Carter seinen Zögling Osama Bin Laden in einem Trainingslager der pakistanischen Armee)
…………………………………………………………..
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)