DR.MOIKOM ZEQO: SHTETI I SË DREJTËS DHE FOLKLORI POLITIK

Pashtriku.org, 29. 10. 2014 – Shteti i së drejtës shprehet dhe artikulohet më shumë si shteti i partive, më saktë i kryetarëve më të plotfuqishëm se sa rendi juridik. Duket e skajshme, por për fat të keq është e vërtetë. Barazia e qytetarëve para ligjit deformohet, deputetët, politikanët, mbajtësit e pushtetit duket se formojnë një lloj kaste më vete, ku ligji bëhet abstrakt dhe nuk vepron. Kjo pakicë e privilegjuar bën dhe mundet të bëjë gjithçka duke përdorur sloganet retorike dhe demagogjike në emër të popullit, që i rrëmben delegimin e pushtetit nëpërmjet votimit ciklik.
Shteti i së drejtës është dhe shoqëri e së drejtës. E drejta në këtë kuptim është sendërtimi i qytetërimit juridik. Bota moderne është bota e pozitivizmit juridik. Bota globale mund të mbijetojë si një juridicitet universal. Jo ndryshe! Shteti totalitar në vend të normës juridike kishte normën ideologjike. Kjo e kufizonte dhe e tjetërsonte lirinë. Rendi demokratik shpallet dhe funksionon si rend juridik. Kjo është përparësia! Karakteri formal, teorik i rendit juridik nuk është akoma përmbajtje, akoma nuk është substancë, akoma nuk është realitet adekuat, përputhës. Procesi në vetvete është kontradiktor, shumë herë i ndërlikuar dhe plot paradokse të mëdha. Shqipëria këto 20 vjet është shëmbëlltyra e kësaj kundërthënie të formës me përmbajtjen.

Kryeministrat, ministrat, pushtetarët etj.,

janë të vetimunizuar dhe nuk atakohen nga drejtësia!

Shteti i së drejtës shprehet dhe artikulohet më shumë si shteti i partive, më saktë i kryetarëve më të plotfuqishëm se sa rendi juridik. Duket e skajshme, por për fat të keq është e vërtetë. Barazia e qytetarëve para ligjit deformohet, deputetët, politikanët, mbajtësit e pushtetit duket se formojnë një lloj kaste më vete, ku ligji bëhet abstrakt dhe nuk vepron. Kjo pakicë e privilegjuar bën dhe mundet të bëjë gjithçka duke përdorur sloganet retorike dhe demagogjike në emër të popullit, që i rrëmben delegimin e pushtetit nëpërmjet votimit ciklik. Pasurimi i panginjur i pushtetarëve, por edhe i politikanëve në përgjithësi krijon një asimetri me varfërinë e shumicës, duke e kthyer shumicën në fakt në një entitet formal, duke e abstraguar frikshëm. Po ky absurditet nuk ka të bëjë fare me demokracinë dhe sidomos me shtetin e së drejtës.
Kryeministrat, ministrat, pushtetarët etj., janë të vetimunizuar dhe nuk atakohen nga drejtësia.
– Si ka mundësi që këto 20 vjet nuk është dënuar asnjë politikan nga ligjet, megjithëse shumë prej tyre i kanë shkelur dhe i shkelin këto ligje?
– Për të vrarët e Gërdecit, të 21 janarit askush nuk dënohet?
– Është e paimagjinueshme, tejet zhgënjyese, revoltuese! Absurde!
– Pse ndodh kështu?
– Ahere pse flitet për shtetin e së drejtës?
– Apo politikanët dhe populli janë dy gjëra krejt të ndryshme?
– Mos ka dy standarde të drejtësisë?

Nuk duhet harruar se politikanët këto 20 vjet në vend të respektimit dhe zbatimit të ligjeve kanë krijuar folklorin më të zhurmshëm dhe trullosës të virtualizmit politik. Ky folklor oral dhe mesianik është lavdia dhe mjerimi i tyre publik, mediatik. Është alkimia e demagogjisë më të shfrenuar. Niveli krejt i dyshimtë intelektual i politikanëve shqiptarë i bën ata akoma më euforikë, më arrogantë. Pra pa asnjë largpamësi dhe maturi. Ata janë të plotfuqishëm pikërisht se janë të përkohshëm, efemeridë. Po nuk do të jetë përgjithmonë kështu! Folklori politik i bëmave të tyre evokon një epos epik fals, sepse në fakt cinizmi është zhanri dhe stili i tyre.
Demokracia në vetvete ka forca përtëritëse të mëdha dhe të pashlyeshme. Popullit mund t’ia manipulosh, por nuk mund t’ia rrëmbesh të drejtën e tij ekskluzive të votimit. Dhe kur populli do të mësojë dhe të ndërgjegjësohet për këtë ekskluzivitet ahere ai do të ndëshkojë manipuluesit me anë të votës. Gjeneratat e reja, zhvillimet e brendshme, mësimi dhe përvetësimi i kulturës demokratike më në fund do t’i shmangin mendësitë e mbrapshta të folklorit politik të klaneve për të sendërtuar si duhet një politikë të vërtetë demokratike të strukturuar nga shteti real i së drejtës, pra edhe të vetë shoqërisë së të drejtës.
Folklori politik paraurban dhe parapolitik mbështetet:
– te subjektivizmi marramendës për të thënë gjithçka dhe asgjë,
– te kaosi i ideve të pasakta dhe aspak shkencore për ekonominë kombëtare si një sistem kleptokratik dhe klientelist,
– te diletantizmi i mjerë,
– te përçarja e shoqërisë,
– te kiç-kultura e mediave dhe universiteteve private,
– te mungesa e solidaritetit dhe raporteve humaniste midis njerëzve,
– te humnera midis të pasurve dhe të varfërve,
– tek antagonizmi midis partive të mëdha,
– te pamëshirësia ndaj kundërshtarëve,
– tek apoteozat e fitoreve të çastit dhe aspak të perspektivës.
Mbi të gjitha te mungesa e drejtësisë juridike, por dhe drejtësisë sociale,
– te margjinalizimi i dinjitetit njerëzor.

Folklori politik paraurban dhe parapolitik reflektohet dhe infekton gjithçka. Ja një shembull i qartë. Ligji eklektik i regjistrimit të popullsisë e kapërcen normën juridike kushtetuese për t’u shndërruar në një folklor oral. Deklarimi i kombësisë trajtohet si forma më e paparashikueshme e subjektivitetit (pa vërtetim normal ligjor!). Shtetasi shqiptar, që është p.sh. edhe minoritar grek etj., përcaktohet nga regjistri i gjendjes civile, nga origjina etnike e prindërve dhe jo nga vetëdeklarimi koniunktural dhe aspak ligjor. E vërteta nuk është e njëjta gjë me të pavërtetën! E pavërteta nuk e zhbën dot të vërtetën. E vërteta nuk paragjykohet, por vërtetohet, nuk subjektivizohet, sepse është objektive. Origjina etnike duhet respektuar rigorozisht dhe pa mëdyshje, por jo të artificializohet dhe të kthehet në folklor oral të manipuluar pikërisht për ata që nuk janë grekë, por shqiptarë. Minoritarët grekë në Shqipëri janë shtetas shqiptarë të respektuar, por aspak shtetas grekë, as nuk janë një mikroshtet grek brenda shtetit shqiptar. Ky status juridik është kryesor. Kushtetutshmëria në këtë rast është plotësisht ligjore dhe rendi juridik është brenda kuadrit kushtetues në harmoni me juridicitetin demokratik ndërkombëtar. Shtetasit shqiptarë që janë të tillë edhe etnikisht punojnë si emigrantë në Greqi për arsye koniunkturale mund të jenë deklaruar si grekë, pra ky folklor idiotesk oral dhe i pajustifikueshëm i këtyre shqiptarëve ligjësohet si normë juridike, pra një artificializëm i pashembullt në krejt botën e qytetëruar, që tregon se folklori politik instrumentalizohet me dinakëri nga të tjerët që nuk janë shqiptarë.
Po e gjitha kjo është thjesht marrëzi! Por ama tepër e kushtueshme dhe absolutisht e padrejtë! Plot prapavija okulte dhe antikombëtare. Nëse politikanët tanë janë folklorizantë pse të mos fuqizohet edhe pasioni folklorizant i atyre që çështjen tonë kombëtare e shohin nga optika virtuale e interesave të tyre antishqiptare? Shteti i së drejtës ekuilibron gjithçka, qartëson. Debatet shterpe dhe folklori politik kanë krijuar një tepri të neveritshme dhe të bezdisshme. Politikanizimi i egër, qeverisja skandaloze e shqiptarëve, demagogjia, mungesa e drejtësisë, papunësia, rënia e nivelit ekzistencial të jetesës së shumicës së popullit, korrupsioni kapilar etj., kanë nxjerrë në rendin e ditës nevojën për një ndryshim të thellë demokratik të shoqërisë dhe të politikës në të gjitha aspektet e saj jetike dhe institucionale. Koha punon për zhvillime të reja dhe shpresëdhënëse, pavarësisht vonesave kronologjike (vonesat konceptuale janë akoma më të rënda!) për një klasë të ardhshme dhe të denjë politike, serioze, të kulturuar, humaniste me kodin substancial demokratik të së drejtës dhe të së ardhmes.

(Tiranë, 19. 03. 2011)

…………………………………………..

Pasurimi i panginjur i pushtetarëve, krijon një asimetri me varfërinë e shumicës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura