Tiranë, 6 shkurt 2018:
1.FRAKLINI DHE MIU
Shumica e librave të botës shkruhen për t’u harruar. Shkrimtarët mëtojnë pavdekësinë.
Por pak, shumë pak arrijnë tek kjo ëndërr mikluese, më shpesh zhgënjyese.
Para vdekjes Benjamin Fraklini e shkroi një epitaf, që mund (jo domosdo) të vihej mbi monumentin e tij mbivarror.
Epitafi qe: “Këtu prehet Beniamin Fraklini, ish tipograf. Trupi i tij do të hahet nga krimbat, por libri i tij s’do të harrohet. Do të ribotohet me fletë që nuk prishen dot, me kopertinë më të praruar, në Ditën e Gjykimit nga Tipografia Qiellore.”
Gjysmë shaka, gjysmë e vërtetë!
Dorëshkrimin e epitafit e la mbi tryezë.
U hap dritarja, një fllad ajri e lëvizi letrën, që ra në një qoshe të dhomës.
Fraklini kishte dalë nga dhoma.
Një mi i rastësishëm, por me një sens hyjnor e hëngri letrën dhe kuptimi i rreshtave testamentarë humbi.
Kur Fraklini u kthye në dhomë u ul në tryezën e shkrimit.
U përqendrua në një meditim të gjatë.
Donte të kujtonte diçka.
Por s’mundej dot.
Po më le kujtesa, mendoi.
Ndoshta e humba një ide.
E pra disa çaste më parë kishte parandjerë një ide, e kishte perceptuar, por ironikisht perceptimi i çastshëm qe shpërbërë lehtësisht, sikur të mos kishte qenë kurrë.
Sytë e tij përmes syzeve befas e panë në qoshen e dhomës miun.
Edhe miu po e shihte me sytë e tij të veckël dhe të shndritshëm.
Ah, një mi, tha me vete gati i ngazëlluar plaku madhështor Beniamin Fraklini.
Kam vite që nuk kam parë një mi të gjallë.
Tërë shembëlltyra e jetës lëvizte misteriozisht tek ky mi.
Sa mi i bukur, tha me zë Fraklini.
Pastaj ra në një dremitje me sytë e mbyllur.
Mbi tryezë zbardhte një letër e pashkruar.
Që s’do ta shkruante dot asnjëherë.
2.STATUJA E KOHËS
Mendohet (thuhet) se koha e pafundme përbëhet nga çaste të fundme.
Mendja njerëzore e koncepton.
Praktikisht veçimi (ndarja) e çasteve është e pamundur.
Në Olimp në shekullin IV para Krishtit ekzistonte një Statujë bronzi kushtuar Kohës.
Të bëje statuja për zotat, njerëzit, ndoshta dhe për drurët, zogjtë, kafshët qe logjike, gati e rëndomtë.
Por një statujë Kohe, që është e paklasifikueshme, kudo, por dhe përtej gjithçkaje ?
Statuja e Kohës në Olimp u bë nga skulptori i famshëm Lisipi.
Talenti i tij qe i madh, përfytyrimi gati alegorik, pra jo shterues dhe përfundimtar.
Statuja paraqiste një atlet me një tufë flokësh mbi ballë me një gjest nxitimi të pambarim.
Te pjesa e prapme të kokës qe pa flokë fare.
Një kokë gjysmë e rruar.
Kjo frizurë e flokëve qe tronditëse, gati qesharake, e pakuptimtë, ndoshta dhe e pashpjegueshme.
Një poet pak i njohur, kureshtar, pasionant dhe djerrakohës, (si armatoset e gjetjes së fjalëkryqeve në kohërat moderne, gjithsesi të mprehtë, kërkues,) i quajtur Posidip shkroi për statujën e Kohës një mbishkrim epigramatik.
Ka humbur teksti origjinal.
Ruhet në një përkthim në latinisht, përfshirë në “Antologia Palatina”
Mbishkrimi mëton një shpjegim që është dhe ide më shumë se sintezë metaforash.
Një vizitor i njohur (mbase vetë poeti Posidip) bën një dialog me statujën.
Ja teksti i përafërt: “Pyetjes së parë “Kush je?”, statuja e Kohës i përgjigjet: – “Jam Koha që mposht gjithçka!” – “Përse nxiton në majë të këmbëve?” – “Vetëm vrapoj, s’ndalem dot!” – “Pse e ke tufën e flokëve mbi ballë?” – “Që të mundet të më kapi kush të më takojë!” – “Pse flokët pas kokës janë të rruara?” – “Të mos më kapi askush nga pas – sado të përpiqet me ngulm!”
Statuja e Kohës ka humbur.
Por nuk ka humbur kuptimi, trilli, shqetësimi.
Jetët dhe vdekjet përsëriten, Koha është po ajo.
Mund të shohim përballë vetëm të Padukshme.
Si një horizont të mjegullt.
Befas shkrepin vetëtimat – tufa e flokëve të ballit, duhet zgjatur dora për t’i kapur, ndonëse kjo dorë e guximshme dhe e pafajshme mund të shkrumbohet a të bëhet hi në eter.
Tërë ata që e kanë kapur Kohën e kanë ndjerë dhimbjen përvëluese.
Megjithatë këta duardjegur janë njerëzit me fat: e kanë takuar Kohën përballë.
Ata të tjerët pas Kohës s’kanë arritur të vërtetojnë ekzistencën e tyre të limituar, s’dinë absolutisht asgjë për Kohën!
3.RINGJALLJA
Clode Levy Stross e tregon një parabolë.
Një misionar i krishterë në shekullin XVII diku në Afrikë, a në Zelandën e Re (Vendi në të vërtetë nuk saktësohet përfundimisht) shkoi midis fiseve të egra.
Pamja e tij e habiti të egrit e paepur, gati lakuriq, që mbanin gjerdanë prej dhëmbë krokodili dhe vertebra gjarpri.
S’e shpjegonin dot praninë e njeriut të bardhë.
S’e ngacmuan nga ndrojtja e tyre (ndoshta e shenjtë.)
Të egrit qenë kanibalë.
Hanin kërmij, tru të gjallë majmunësh, ndonjëherë peshq, por më shpesh kundërshtarët luftëtarë.
Gjallimi i tyre qe përleshja rituale.
E pabesueshme: prifti misionar e mësoi gjuhën e tyre primitive, ku foljet « jetoj » dhe “ha” ishin e njëjta gjë, kurse koncepti për vdekjen nuk ekzistonte.
Të egrit nuk e kuptonin se ç’ishte vdekja as për të tjerët as për veten e tyre.
Prijësi i të egërve, që mbante në veshët e shpuar një kthetër jaguari dhe një kthetër shqiponje shprehte simpati (gjeste mirëkuptimi) me priftin e bardhë.
U bë e zakonshme të bënin biseda lakonike, të çuditshme. Me kuptimshmëri të pamjaftueshme.
Prifti i foli (aq sa mundej) për ungjijtë, Krishtin.
I egri i lemeritshëm por dhe madhështor përpiqej të mësonte diçka (pavarësisht se qytetërimi s’perceptohej dot prej tij si botë tjetër më vete.)
I bardhi synonte t’i shpjegonte ç’është vdekja.
Qe absolutisht e pamundur , që i egri ta kuptonte vdekjen.
Jetën po.
Vdekja s’kishte asnjë kuptim.
Ahere misionari e bëri një lloj shpjegimi, fatkeqësisht teologjik.
Ai tha qeniet e gjalla vdesin sepse kështu do Zoti i madh dhe i vetëm.
I egri duke mos e kuptuar (ditur) vdekjen s’arrinte dot dhe tek ideja universale për Zotin.
Ahere misionari i mëshirshëm i foli për ringjalljen, njerëzit që e donin Zotin, çmoheshin nga Zoti dhe mbas vdekjes i ringjallte për të jetuar një jetë të re, më të mirë, më të ndritshme.
I egri e dëgjoi këtë me kërshëri.
E pyeti disa herë për ringjalljen.
Koncepti i ringjalljes ju duk më i afërt, shumë më i kuptueshëm.
Kjo bisedë u bë në muzg buzë një lumi me krokodilë, nën një palmë shekullore.
I egri e pyeti sërish për ringjalljen.
I bardhi buzëqeshi.
I tha se ai ishte njeri i Zotit, gjithçka që shpjegonte qe tërësisht e vërtetë.
U duk disku i madh i Hënës.
Mbaroi dita, që s’ngjante me të tjerat.
I egri u duk sikur po ngazëllohej.
I pëlqente shumë ky njeri i bardhë, i pafuqishëm, por që atij po i mësonte diçka.
Kjo ju duk shumë miqësore.
Gati një zbulim për trurin e tij brenda natyrës, por shumë pak të aftë për çdo gjë jashtë natyrës.
I egri ngriti dhe uli krahët disa herë, shenje e një ekstaze.
Mëngjesin e nesërm i egri e hëngri të bardhin pikërisht se besoi tek ringjallja që ja mësoi i bardhi.
Qe një formë naive dhe fillestare e besimtarisë.
E hëngri që ta kishte brenda trupit të tij, tërë trupin e misionarit i cili me siguri do të ringjallej nga Zoti i tij.
Me këtë mënyrë të sigurtë, të padyshimtë, do të ringjallej dhe ai vetë, pra do të kishte dy ringjallje!
Pohim i dyfishtë për Zotin e vetëm dhe largpamës.
Clode Levy Stross-i subjektin e parabolës e sheh në rrafshin e antropologjisë strukturaliste, gjakftohtë, pa rënë në mëkatin e komenteve shterpe, ku ngatërohen tërë letrarët por sidomos filozofët, e njëjta racë me teologët.
Komentet e abstragojnë (e artificializojnë) natyroren.
Akti i prijësit të të egërve (tashmë të zhdukur dhe të paverifikueshëm në xhunglat afrikane) ishte në harmoni me natyrën.
Lëviz, s’humbet sëbashku me natyrën.
Përjetësisht.
Postime të Lidhura
REXHEP KASUMAJ: KOHË TJETËR QË (S)VJEN! (Për Albinin e Vjosën…)
Berlin, 9 shtator 2019: 1. Mashtrimi e varfëria janë forma tërthore të dhunës. Janë dhuna vetë. Edhe i…
DR.AGIM ZOGAJ: NËNA – HEROINA E KOMBIT TONË!
Prishtinë, 19 shkurt 2019: Fjala e Dr.Agim Zogaj në përurimin e librit të gjeneral Kudusi Lama “Nëna ime,…
SYTË QË MË PËRCJELLIN
Nga Brahim (Ibish) AVDYLI SYTË QË MË PËRCJELLIN 1. A e dini, a keni menduar te pamja e…
SEFER PASHA: MOIKOM ZEQO, PRODUKT I NJË KOHE TË TRAZUAR
Tiranë, 23 nëntor 2017: (Ese për përmbledhjen e re “Deti Kanibal”, 2016, të poetit Moikom Zeqo) “Është një…